Cover

RIZA LAHI "VARGJE MIQSORE PËR SHOQËRINË E INTERNETIT"

 

  

Redaktor  - Agim Bacelli

Recensentë - Alida Hisku, Zef Naçaj

Në kompiutër - Beqir Elshani,

Syprinat -  Luigj Shkodrani

 

 

 

 

 

          VARGJE MIQSORE PËR SHOQËRINË E INTERNETIT

 

Parathënie

 

Shpesh pyes veten, ku janë nipërit dhe mbesat e diasporës së fuqishme shqiptare që tundi Parisin kur u pat pushtuar Shqipëria jonë me 7 prill 1939. Jam interesuar në shtete të ndryshme nga kam qënë dhe kam mësuar se ka shumë  njerëz  me rrembe shqiptari  dhe që ata vetë e dinin…  por…vetëm aq!

E pra,  të shikojmë se sa nipër dhe mbesa të diasporës së para nëntëdhjetës në Australi, Gjermani, Zvicër, Amerikë..etj  nuk dijnë më shqip?

 Është shumë e dhimbëshme!

Të njëmilion e treqindmijë shqiptarët e diasporës së Shqipërisë së pas nëntëdhjetës, një hemoragji tronditëse për popullin shqiptar dhe atdheun tonë të shtrenjtë, ja, kanë gjetur edhe një mënyrë të mrekullueshme për të kontribuar sadopak me sa është e mundur, në forcimin e trupave mbrojtëse të genit të  indentitetin kombëtar. Kjo mënyrë është – krijimi i listave virtuale me të cilat ne lidhemi me njëritjetrin. Me këtë korespondencë të shpejtë,  ne mbulojmë orët tona të vetmisë në mungesën e asaj që nuk zëvendësohet dot – asaj qënie abstrakte dhe po aq konkrete që quhet ATDHE.

Përmse këtij komunikimi, ne kënaqemi me njëritjetrin, shkëmbejmë eksperienca të ndryshme nga vëndet ku jetojmë, i përshkruajmë ato me zakonet apo  mentalitetet autoktone, shkëmbejmë plane, ëndërra, fjalë të ëmbla, intimitete, ëndërra; lexojmë poezitë e njëritjetrit, krijimet tona, i lavdërojmë , i kritikojmë… Sigursht që merremi edhe me “thashetheme”duke i bërë lajka njëritjetrit; nganjëherë edhe shahemi e fyhemi dhe, atëherë,  ky livadh i mrekullueshëm plot florë shqiptare, ngacmohet për t’u kthyer në “fushbetejë”. Ama, në një “fushbetejë”, vërtetë me mjete të  florës shqiptare, por që mbaron shpjet, gjithmonë me happyend. Dhe  kjo ngjet, sapo nëna jonë  e përbashkët që e kemi lënë larg, ia bën me isharet vetmisë sonë. Duke na kujtuar se na ka lindur të gjithëve ajo, se na ka bija e bij që na do si sytë dhe që, në mall e sipër, na porositë vetëm për dy gjëra – të mos e harrojmë atë dhe ta duam njëritjettrin.

Pa të provojmë të vemë te vizitë te njëtitjetri! Psh të vijë dikush nga miqtë e internetit në Itali te unë, sigurisht që edhe në borxh do të hyja po të mos kem vetë dhe do t’i hapja, si portat e zemrës , si dhe derën e shtëpisë, me të dyja kanatate do ta prisja me tër shpirtin.

Po cili nuk do ta bënte këtë, vëllezër e motra?

 

Poeti dhe autori i njohur Riza Lahi, që nuk ka qënë ndonjëherë në emigracion, është bërë miku i ne t ë gjithëve dhe është i njohur në të gjithë diasporën shqiptare. Ai derdh nektarin e tij gjith ëmbëlsi nëpërmjet poezisë apo prozës, dhe, sidomos, për informacionet që na sjell nga atdheu ynë i shtrenjtë.

 Ja, është kujtuar dhe na ka mbledhur me humor e me qejf në një sofër, që e ka shtruar vetë ai. Në një sofër me vargje të ëmbla dhe që do të na bëjnë të kënaqemi ; edhe kur të jemi me njëritjetrin, por edhe në vetminë tonë…natën. Patjetër që edhe dikush – dikush do të përlotet.

Miqtë personalë të autorit, që ai i ngacmon më shumë, me siguri do të shkrihen së qeshuri.

Poeti ynë , me këtë vepër që po paraqet, ja, synon të japë kontributet e tija modeste që të mos asimilohemi. Dhe, në u asimilofshin nipërit e mbesat tona, ata, ta dijnë se sa e deshëm Atdheun ne, se cilët qemë ne, njerëz të zakonshëm  që kishim një gjë të përbashkët – dhimbjen dhe mallin për Atdheun tonë. Që e deshëm Shqipërinë si sytë e ballit.

Rizai më bëri një zile në numurin tim të celularit, dhe unë e mora nga Italia , siç bëj ngaherë.

“Vitore, je nga më të vjetrat e diasporës shqiptare të postkomunizmit, të njohin të gjithë, si thua? A nuk na e bën parathënien e këtyre vargjeve? Ti je njëra prej shtyllave të forta të burrave e grave që u mungon atdheu përditë e që flasin, e mendojnë dhe do të vdesin vetëm shqip.! Shkruaj çfarë të të dojë shpirti yt!”

Dhe, ja…unë e shkrojta.

E juaja, e të gjithëve, nëna Vitore.

 

 Vitore Stefa – Leka

 Trieste, Itali, 3 dhjetor 2008

 

 

 

                                         PRELUD

 

PAKËZ VJESHTË TIRANE NË FUNDDHJETOR

 

                                          Pas një telefonate nga SHBA me 16 dhjetor, ora 19.30…2008

 

 

Tirana ..Ku e paska gjetur sot pak vjeshtëz të ëmbël

Pak butësirë mes dimrit, pak fllad, pak erë të vakët?

Dhe retë e borës , erën e ftohtë, hejet e akullit

I ka shtyrë ëmbël, lehtë …për pakëz.

 

Këtë vjeshtëz mes dhjetorit e kish ruajtur Tirana

Pwr bijtw e saj të largët, mos vinin për vit të ri

E ruante … si strukw nwna  në sunduk të nusërisë

Këmishën me djersë të birit që i ka ikur në ushtri

 

Po bijtë e Tiranës në gji i morën retë me vete

Pas maleve, kontinenteve , oqeaneve pa skaj

Këtë  vjeshtë sot në trapezën e sheshit “Skënderbej”

Do ta hanë të gjithë, por jo të largëtit bijtë e saj

 

Kjo vjeshtëz me fustan biond tani sillet përqark

Si një nuse shtëpie e bukur, që burri i ka ikur

Një re nga lart , ja, tani po derdh pikla si lotë

që i bien papandehur një shpirti të tronditur

 

  Kur bijtë i vijnë Tiranës ajo gëzon , qeshë pafund

Ua tregon një për një mimozat,  blirët, ,neonat

Si një fëmijë i  lumtur që  ka vite pa parë babin

Dhe e fton të luajë me macen, qenushin, kokonat

 

Dhe gjenë forca të qeshë e  të lodrojë me ta

Që kur të ikin prap ta kujtojnë kështu, të gëzuar

Dhe përnatë i sheh në ëndërr ,  përnatë loton për ta

Se mos ndonjë , i heshtur,  përjetë e ka harruar

 

 

Ka një milion e gjysëm emigrantë Tirana ime…

Për ‘ta e kish ruajtur sot këtë vjeshtëz të bukur

Oh, bijtë! …Që të jenë sa më mirë, atje ku janë

Hënës zemërbardhë ia ngulë sytë duke iu lutur

 

 

                                                   RIZA LAHI    16.12.2008

 

 

 

 

Kartolina për stërnipërit e diasporës së re shqiptare

 

Që nga ky dymijë e nëntë

Dyqind vite do kenë shkuar

Kur ca stërnipër,stërmbesa

Ja…do jenë grumbulluar…

 

“Është njëzetetetë nëntori

Ndaj o miq ju mblodha sot

E dini se ç’gjuhë kanë folur

Gjyshërit…një herë e mot?

 

Po ...kush qenë stërgjyshërit tanë?

Ja, për këtë u kam mbledhur

Dyqind e ca vjet më parë

Do vargje dikush ka hedhur

 

Për stërgjyshërit kur kaptuan

Malin…Detin…Oqeanin…

Thotë që e deshën shumë Shqipwrinw

Edhe fshehur për të qanin

 

Xxx

 

 

 Kudo shkoi në një pikë shihte

“Nordi” i tij quhej atdhe

Pranë “Hygoit” vetëm shëtiste

Kafen ? Në Shans Elize!

 

Njëqind vjeç bëri një shpikje

Ky stërgjyshi në internet

Dyqind vite që atëherë

Nuk ia shkoi kush në planet

 

Abaz Pllana 

 

 

Ky plakushi, more nipër

E kish emrin Abedin

Kush ia shante Çamërinë

Paçe e bënte!… Nasradin!

 

Guzhinjer si ky stërgjyshi

S’kish   në Belgjikë as në Francë

Verë më verë te “Rrota e Kuqe”

Në Durrës vinte për vakancë

 

 Abedin Rakipi

 

Ky i pashmi ? Pah ç’ka qënë!

Vjershatar edhe major

 Sa  ndjente zhurmë aeroplanash

Nga krevati – Hop,në oborr!!!!

 

“Mëmëdheu “ si hoje mjalti

Mblodhi botën me shqiptarë

Gim Bacelli i desh shumë

U thosh: “ Ç’kemi, mëmëdhetarë?”

 

Agim Bacelli

 

Me   sfilata ky stërgjyshi

N’ tër botën vuri kurora

Tre vjet në Pol pat banuar

Te harushat bardh si bora

 

 

Deputet na e bënë Gimcen

Që i desh  aq  eskimezët

Kur u mplak, ktheu në Drenicë

Plot lule nga suedezët

 

Agim Spahiu

 

 

  Ky poeti? Agim Shehu!

Ish  nga zemër e Labërisë

Askush s’shkroi më mirë se ai

Për Selamnë e Salarisë

 

Kur po vdiste tha: “Nuk dua

T’më këndojë hoxha te veshi”

Dha frymë duke kënduar

Një iso nga Kurveleshi.                               

 

Agim Shehu

 

  

 

Kjo bardhoshja fëtyrëmollë?

Oh, sa bukur që këndonte

Lida dinte të dhuronte  

Qeshje në vënd të lotonte.

 

Fiiiiuuuu…avionit në Tiranë

Kjo këngëtarja famoze

I hipte nga Gjermania

Vetwm tw mblidhte mimoza

 

Alida Hisku

 

 Menjëherë një letër anonime…

 

O Lidush, moj motra jonë

Je e ambël porsi dardha

  Po të vijnë të katër xhuxhat

Rretheqark si te borëbardha

 

Na këndo nga një kangë t’bukur

Që kur t’bijnë ora dymbëdhetë

Ndueja, Bixhi Zefi, e Xakja

Porsi kingjat t’bijnë me fjetë

 

Ndueja don ndoj kangë gjermane

Jo me fëllanza e mimoza

Po me trompë , xhaz e rep

Pushkë , topa e mitroloza

 

Bixhi, the? Bixh barcoleta?

Ndonjë kangë me  zogj e flutura

Maezallah – asnji daneze!

Veç Bik Ndojën e kompiutera

 

Zotni Zefi? Njashtu ma!

Çfardo kange të lind n’zemër

Mundësisht kangë sarahoshash

Që ta ketë ndokund ndoj femër

 

Kurse mu? Po më këndove kangë

Qi mbledhë femna në Tiranë

Ti e din – faaaap , menjëherë

Zefit tana kam me ia dhanë

 

Tash po t ë vijmë në Gjermani

Të katërt për marshallah

Tomit thuaj dojnë kokakola

Për raki ? Pah! Meazallah!

 

    Anonime

 

 

Se si qënt  e Sllobodanit

Në Kosovë u kthyen n’stërvina

Për Lavdinë shqiptare thërriste

Faik Smajli  e Ben Dervina

 

Se si  burrat e Kosovës

Për liri hëngrën barot

”Dervina Pikë Com”, or nipce

Shkroi ... Ja, shkruan dhe sot!

 

 

 

Arben Dervina

 

 

Si hënë e madhe kur del

Labërisë, në mal të lartë

Zemërëmbël si ketrushi

Kjo stërgjyshja…quhej Artë

 

Kur dhe burrat me mustakë

Luanin me fjalën e dhënë…

Arta –  veç një herë përkulej

Kur dëgjonte fjalën “nënë”

 

    Arta Mezini

 

Ky plakushi me penel

Që aq ëmbël pikturonte

Vetëm mjaltë nxirrte nga goja

Dheeee…Nuk fliste, por këndonte

 

Sa fëmijëve në Nju Jork

Shqipen u mësoi për ditë

Shegë e rrush kish në Tiranë

Emër zogu kish – Astrit

 

Astrit Tota

 

Si pullumb nga qielli shkruante

E ndrinte si “Afërdita”

Valle folku nëpër skena

Kush s’kërcente si Ardita

 

Nipçeeee!!! Rrëzës së Selanikut

Ndonjëherë, kur t’u bijë nata…

Nga vargjet e tiraneshës

Ende thurin serenata…

 Ardita Jatru

Ja …një gotë qumësht të ngrohtë  për miqtë e mikeshat e internetit nga Ardita

Dëshiroj të shoh një listë të madhe emrash herë tjetër. E di që do dali shumë - shumë e gjatë(njëqind e ca emra,besoj), por t'i kënaqim të gjithë, të pakten, sepse të gjithë jemi pjesë e virtualitetit shqiptar , sado që "rrihemi e grihemi e lajkatosemi" ndonjëherë....Mos m'i merr mbrapsh këto që shkrojta z. Riza. Jam aq njeri i mirë, sa për të mos menduar keq.

 

 

Lum kush jepte intervistë

Albert Zholit, mjeshtër fjale

Vring, n’sabah, e kishte emrin

Në tër listat virtuale

 

Fort i shkathët qe gjyshi Berti

Njëqind vjeç kur i ndërroi jeta

Në një kohë qe gazetar

Në pesëdhejte tri gazeta

 

              Albert Zholi

200 vjet kjo CD, nipveçe…

Këtë zë të ëmbël -  zog Cukali

E pat pasë një gjysh i famshëm

Emri i tij? Baç  Alibali!

 

Kur qe gjallë gjith javës këndonte

N’ Paris, Bon, Angli, Eladhë…

Kafen – diel për të diel e pinte

Në Shkodër,  te “Kafja e  Madhe”

 

              Bashkim Alibali

 

 

 

Beqir quhej ky stërgjyshi

Njëqind vjeç vdiq me penel

Boll pat vuajtur , ky kryetrim

E prap gojën – karramel

 

T’bëje një vjershë për Kosovën

Por brilant, si eliksiri

Me sqep pëllumbi ilustrimin

Nga Malmo e sillte Beqiri 

 

Beqir Elshani

 

 

Ky këtu ?…Eeeehhh…e kish syrin

Të mprehtë, si tehu i sakicës

Për penë, për pushkë e për femra

                                           -  Baki Shpirti i Shipkovicës

 

Njëqind vjeç Baki Kombëtari

Kur pat vdekur, pastë rahmet

Bukureshti e Rumania

Pa të s’patën më lezet

       Baki Ymeri

 

 

Ky që me mirësi ju qeshet

E ka pasë emrin Bislim

Aq studioz, porsi Ajnshtajni

Rrallë gjeje në Perëndim

 

Kur shkruante ai për Kosovën

Ngjethte mishtë rraca shqiptare

Rroi në Zvicër ku valonte

Rrezistenca kosovare

 Bislim Elshani

 

 

Gazetar si ky, nuk kishte…

Si? Kush është? Dalip Greca!

Shokë e miq donte…Pa ngopej

Dhe me buke e kripë e speca

 

T’i thosh kujt një fjalë të keqe?

Kurrë s’e bënte atë gafë

Po të ngjiste, të gjith thonin

“ Fort i paskan rënë në qafë”

Dalip Greca

 

 

Nw Zvicër mbet filozof

Le tw ish dynjaja me rrota

Mw shumw desh malet e Sharrit

Nga tër malet që kish bota

 

 

Kur çelte gojën Destani

Gjith mënd fliste dalkadalë

Para vdekjes tha: ” Më sillni

Një këngë nga Jusuf Gërvalla!”

 

Destan Hajdini

 

Emigrantët fort i donte

Pa dallim, të gjith në bllok

Memalijaj s’kish si ai

Psikolog as sociolog

 

Pah, sa i mirë ish gjyshi Mondiiiii!!!

Gjer u mplak u mbajt si djalkë

Për të gjith që shkruanin vjersha

Goja e tij – sheqer e mjaltë!

                                                                                            Edmond Ismailati

 

 

More djeeeemaaaa….Asnjëherë

Mos punoni shkeleshko

Po si? Shihni katragjyshen

Që firmoste me ELKO.!

 

Për gruan? Pas Fredrik Engelsit

Më mirë s’shkrojti tjetër dorë

Se kjo bijë e Qeparoit

Elko Gjoka  …Eleonora

 Eleonora Koka – Gjoka

 

 

Si kunadhja ish e bukur

E zërin – si kanarinë

Shkruante vjersha mbi bedenë

Të Ali Pashës në Janinë

 

Tëra  gratë i duan parfumet

Diç  Elda donte shumë

Si dashnor e kish “Laptopin”

Me të zgjohej e flinte gjumë

 

Elda Kokoneshi

 

 

 

Faik Smajli në mes Londrës

Nga mëngjesi në mëngjes

Falmeshnëdet i çonte botës

Me rrezet ”Albaniapress”

 

Me penën , shpirtin e  tij

Veç gjoksin ia pa armiku

Në Kosovë erdh gjysma e Londrës

Rahmet pastë, kur vdiq Faiku

 

Faik Smajli

 

Ja se ç’na shkruajti Faiku pas një dite të lodhëshme, por rezultative:

 Unë nuk mund ta detyroj asnjeri të shkruajë për mua çfarëdoqoftë, as që dua, sikurse që nuk jam kundër që njerëzit të shkruajnë për mua.Çdo njeri mund të shkruajë për mua, dhe s'ka nevojë të më kërkojë leje.Edhe miku ynë Rizai ka të drejte te shkruaj çfarë të dojë edhe për mua.Pra, njerëzit mund të shkruajnë pro ose kundër çdo njerit  e, në këtë rast, edhe pro ose kundër meje. Pastaj është puna e çdo njerit , edhe e imja, nëse do të pajtohem ose jo në lidhje me shkrimet per mua.Edhe njehere ju pershendes ju dhe mikun Lahi dhe ju uroj çdo te mire!

Faiku 

 

Rovi…quhej kjo, si shqipja

Që flutron përmbi bedena…

Atë rracë trimëreshash

Mmmm…s’ e nxjerrë më Tepelena

 

Në Itali rronte por vinte

Në atdhe gusht e për gusht

Neofashistëve në Apenine

U jepte erzin në grusht

Federova Dautaj

 

 

Le të kishte mjergull Londra

Në tër qiellin si sahan

Ai qeshte si lulja e diellit

Si dielli mbi Elbasan

 

Filma bënte, vjersha bënte

Për të mirë të Shqipërisë

Kish një huq, kujt s’i tregonte

Për vjershat e dashurisë

 

  Fatmir Terziu

Qe, tash, Fatia, në vënd që të na tregonte përse i fshihte vjershat e ashiknisë, e treti muhabetin, fyyuuuuu

 

Një gjuhë e thjeshtë, e lehtë për tu riprodhuar, e kuptueshme.

Vjen nga mendja e një poeti shqiptar, një publicisti dhe një njeriu të fushës së letrave shqiptare. Riza Lahi, solli në mesin e ‘miqve’ të tij vargje që vijnë nga kjo ndjesi e karakterizuar në njohurinë, bagazhin dhe mendimin e pasur të tij. Një krijimtari e tillë tipike, edhe pse mund të quhet imagjinare, apo kalimtare, ajo jeton gjatë, mbetet në kujtesë dhe trajtohet si një dhuratë. Poeti Lahi me dashmirësinë e tij udhëtoi në vite, rrëmoi në histori, duke sjellë në mendje një datë historike, 28 Nëntorin, dhe pastaj iu drejtua të ardhmes, kur me fjalën ‘stërgjyshër’, apo gjyshër ai gatoi një harmoni fjale dhe një mirëkuptim të bukur. Diku shfaqi harresë, shfaqi edhe ndonjë lapsus, por me zemrën e tij dhe penën bujare ai iu rikthye dhe shtoi dhe gati përditë tashmë plotëson këtë nismë kaq prekëse. Këtë nismë që shërben si një lidhje. Në fakt ajo është një lidhje!

Është një lidhje e hershme me këtë lloj krijimtarie dashamirëse. Është një lidhje që vjen në gjuhën e hershme të zonës ku ajo është gatuar, një gjuhë tipike shkodrane që gatuan me çiltërsinë e shpirtit dhe prodhon atë që ndjen. Është një lidhje, që vjen në formën e një ngjashmërie me “Evgeni Onjegin” të Aleksandër Sergejeviç Pushkin, një poezi                                           dashamirëse që ngjan me thelbin e poezisë së shkruar nga Pushkini në atë libër të hershëm, por që komunikon edhe sot në mjaft gjuhë të botës .

 Këtu veç të tjerave janë disa kualitete poetike dhe gjuhësore. Janë këto kualitete që përbëjnë një kontribut në literaturën dhe kulturën e komunikimit mirëkuptues. Me termin kulturë literature unë dua të shënoj rrugën në të cilën gjuha e përdorur nga Lahi në këtë prurje miqësore, të ngjashme me karikaturat miqësore në art, është përdorur jo vetëm si një medium i artit letrar por edhe si një medium i gjithë formave të komunikimit të shkruar. Kjo lloj kulturë krijimtarie është shumë mirë e përqafuar në bazë të karaktereve dhe tipave dhe në kualitetin vargor që prodhohet.

Nuk dua të nxitoj se këtu është thelbi i krijimtarisë së Lahit, por nuk dua t’a mohoj se në këtë lloj krijimtarie ka kohëpërkushtim, dashamirësi dhe vlera njëkohësisht. E shkruara e Lahit është një kombinacion poetik me një thurje tradicionale, ku rima dhe rrjedhshmëria e vargut është si në një valle ritmike dhe leximi është tërheqës, me personazhe reale, të lexuar e të palexuar, të njohur apo pak të njohur, që gjithësesi nën penën e Lahit vijnë si një dhuratë në mjedisin letrar të mërgimit.                 .Natyrshëm  duhet kuptuar edhe një fakt tjetër, atë që mundësia e kapjes së të tërës dhe përfshirjes së gjithë emrave do të ishte një mundësi ideale dhe do të donte për autorin një punë studiuese, kërkimore apo ku di unë. Kaq sa ka realizuar Riza Lahi, kaq sa ka pikasur ai, natyrshëm duket brilante, duket përshëndetëse me pak fjalë.             .Leximi i ‘vetes’ nën vargun e Lahit është një simbolikë reale, një dhuratë e ndjeshme, një vëzhgim detajues dhe tipik. Por në një këndvështrim më të mprehtë, duke shmangur hapur qejfmbetjet, hatëret apo edhe keqkuptimet, ajo që duhet thënë është përkushtimi dhe ideja për një nismë të tillë. Bukur Riza ! 

Dhe sinqerisht duke njohur shpirtin, zemrën dhe karakterin e këtij njeriu-ideplotë mendoj

se duhet përgëzuar.

 

 

 

Si  ky stërgjyshi  , mër lali

S’gjeje kund as me kandil

Plumba pushke i kish fjalët

Dhe emrin e kish Fadil

 

Shtatë Stokholmë i ndërronte

Veç për sheshin “Skënderbe”

Kurr s’betohej “Për kokë t’fëmijëve”

Por betohej “Për atdhe!”

 

Fadil Shyti 

 

Ky stërgjyshi prej Prishtine

Emrin e ka pasë Flori

Por flori, gjak ,shpirt s’kursente

Për Kosovën në liri

 

Po nga ‘i herë kur e mërzisnin

Me ndonjë behej nervoz

E i sulej ku i dhëmb e djegë

Me pambuk a  mitroloz

 

 

Flori Bruqi

 

 

 

Poooo….ky burrë që sheh serbez

Gjeto Turmalaj – Shkreliani

Trim, si mos me e pas qitë nana

Por prej barkut aeroplani

 

Edhe vjersha të bukura shkruante

Edhe fort ishte kritik

Kush shante femrat shqiptare

Faaap! Shkreliani n’kallashnik!

 

Gjeto Turmalaj

 

 

 

Natë për natë e për merak

Gjergj Lacuku, Burrë i Dheut

Dy trimave u kushtoi libra

Askeolës e Skënderbeut

 

E u thosh amerikanëve

Pa i reshtë e shkreta gojë

“Nuk ka gjethe më të gjelbër

Se pranvera në Beltojë!”

 

Gjergj Luigj Lacuku

 

 

 

 

                 

Eh, moj stërmbesat e bukura!!!

Në buzëvjosës a në bregdrini

Në daç të pashëm, në daç për  bejta

Nuk ka pasë si Gjovalini

 

Bëri e shkoi tej oqeanit

E u vendos në Amerikë

Amerikoneshat thojshin:

“Na ka shkri… kenka antikë!”

 

Gjovalin Luma

 

 

   Dhe Gjoshoja me një bejtë të shpejtë

 

 

   V  I  Z  I  T  O  R  I

 

Mergimtari  " elegant "

U  mbush  në  ar  e  diamant

Ç'farë  nuk  ka,  merr  me  qera

Rugën  merr  me  krye në  hava

Fluturonte  e  mendonte

Si  kish   ardhur,  e  si  po  shkonte

Don  me  u  plasë  zemren  disave

Me  u  hy  n’ qejf  vajzave  e  grave

 

Nepër  Shkodër  turfullonte

Miza  e  pluhur  s’i  duronte

Si  një " struc,"  i  nepte  qafës

Kryetin nalt  sipër " Rozafës "

"Shterrë  me  lugë ",  Drinin  e  Bunën

Me  i  ra  në  tokë,  nuk  e  merr  hundën

Flet    Anglisht  nga ‘i çerek fjale

Kërkon  " Extra "  ndër  lokale

Hapej,  mburrej  në çdo vënd

Pinte  " Remy "e  shiste  mënd

 

Te   një qoshe,  mbi  një gur

Sheh  një  plak,  kojshi  dikur

" Hello..",  kojshi  mirëse të gjeta

..Ja  kthen  plaku… Tungjatjeta,

Fol  i thotë,  je  plak  i  zgjuar

Si  të dukem,  kam  ndryshuar..?..

 

Shikon  plaku  "tatarukun "

Sipër gurit, shkundë çibukun

   ..Sipas  kesaj  " Rradakes "  time

Për pesë vjet,  ke  shumë..  ndryshime…

  Ke  ndryshim,  në  këto  " hallate "

Ke  kamera  e  aparate

Je  ngarkue  me  " nakarate "

S'ke  ndryshuar  vese  e  " Bidate "

 

 

Ke  unaza  e  bylyzykë

Ar,  gjerdanë,  vathë e gjyslykë

Prapë në  tru..  vazhdon  me  u  mykë…

Shkove  drrasë  e  erdhe  pykë

Në  Amerikë,  në  ma  të  largëtin  vënd

As  atje  nuk  gjete  mënd

Vetem  barkun ai vënd  ta  mbushi

Ke  shkuar  gjysëm, e vjen  askushi,

Tek Berisha… as tek Bushi…

  Kurrë nuk piqet,  k a r a b u s h i…!

 

 

 

Ka pas rrojtur njw poet

Qw mbante syze miopwsh

La Suedinw me salltanete

E muar armwt pwr Kosovw

 

Kur avitnin tanket swrbe

E predha villnin si djajtw

Kishte burra , more nipce

Qw u sulwshin me berihajt

Flakw i kallnin tanket swrbe

Me bomba e rrahje zwmre

   Hajdin Abazi

 

 

 

 

E pat nisur rezistencën

I pamposhtur, plot guxim

Dhe kur gëlonin titistët

Ky... Stërgjyshi Ibrahim

 

Heeeej, nipçe! N’ dymijenëntën

Kur erdh tre marsi, i shtatëdhjeti

S’pushuan gjith ditwn urimet

Sikur zogj... nga tër planeti

 

 

Ibrahim Egriu

 

Ja, se çfar shkruante Beqir Elshani , që nga Malmoe, dhjetë - dymbëdhjetë ditë para ditlindjes së militantit të vjetër:

 

Kam edhe një propozim: nëse dëshiron, mund ta nderosh edhe mikun tonë Ibrahim Egriu me ndonjë lirikë; besoj se ia njeh veprimtarinë e frytshme. Pikërisht më 3 mars 2009 i mbush 70 vjet trimi dibran -  IBRAHIM EGRIU.  Me dashuri nga Suedia e largët , Beqir Elshani

 

 

 

Në Skurup ...qe një stërgjysh

Shtatselvi si Skënderbeu

Mes dëborës suedeze

Zemra e tij – dielli i Mesdheut

 

Veç së shoqes dhe fëmijëve

Një dashni ngacmonte plakun

E shkroi libwr...Pwr shkodranen

Heroinw - Marie Shllaku

 

Ibrahim Metaj

 

 

 

 

 

 

Ky burri rroi në Çikago

Dhe emrin e kish Ilir

Kur ulej “ne Panda”, s’ngrihej

Pa i tharw tridhjetë shishe birrë

 

Poezi për gjethe vjeshte

Si Iliri s’ shkroi kurrkush

Uuuu…Veç një plak ia pat shkuar

Që e kish emrin Lasgush

 

Ilir Borova

 

 

Kjo, more? …Si i bënte vjershaaaat

Ballakume  për merak!

Oficere më të bukur

Nuk kish shtypi ushtarak

 

Sapo vinte në atdhe

Luleblirë  mbushej Tirana

Cicërinin e zogjtë e thonin:

“Paska ardhur Iliriana!”

 

Iliriana Sulkuqi

 

 

Nga pak Shkodër gjithkah çonte

Ku çelë lulja e këndon bilbili

Herë në letër, herë “on line”

- Dorën n’xhep , zotni Kabili

 

Veç te “Shkodra” e ka pasë mëndjen

Kish  dy klube ashiqare

Internetsave iu qitte

Të tanve kafet pa pare

 

Kabil Bushati

 

 

Ky kingu?  Kolec Dashnia!

Kur donte – e bënte çorap

Njëqind burra në internet

Meazallah se e bënin zap

 

Njëqind vjeç shkoi në Parajsë

Libra plot, deri te gusha

Vjersha shkroi për pushkë e lule

Por, më të bukurat? Për femnusha...

                                     Kolec Traboini

 GJEGJE ZAKE KAPEDANIT - NGA KOL SHKODRANI

 

KOLË SHKODRANIGJEGJE ZAKE KAPEDANIT

Tungatjeta Riza Lahity tu baftë dita njëmijë

kartpostale po të çojnjë  kangë te re me çifteli!

 

O Riza ,Ashiku i Shkodresqë m'i thur bejtet aq lehtësi na  bane gazi botëso pilot me biçikletë!O Ashik që s'të dihet vorrin’ Tarabosh a në Pezë matanëSi po m' qeshë, more? E të dhashë rakotek Shallvaret në Tiranë.Si harron, more Kaçatorrse rakinë që të dhashë me meze“ Pije me shkrimtarë!” selame kam pasë prej Tezjes LezeI mvren vetullat Nase Janisi na e drodhi ky “shejtani”muhaxhirë kudo ku vemiraki “jude” nxjerr kazani.Si e harrove zotnillëkunmos me e sha mikun e gotëspasha Qiell e pasha Dhèmiku të baka gazi Botës.Ti po më flet për do femnushasi të isha plak ashikpo harron se me të amlashtyhet jeta, more mik. Dhe shiko se jo çdo herëthotë njeriu atë çka donTi po me thue se s'i ha pjeshkatgoja lang pikë – pikë të shkon.Për t’u mbrojtë nga ndoj zerzelem’a hedhë fjalën me tinëzisikur ti nuk shkruan për femnapor për burra namuzli.Kot e ke, se me kësi rrenashs'të shkon gjatë varka në mjegullveç kur peshkatarët e Bunëspjekin qefullin në tjegull.E shikoj se të merzitaDeti - dallgët sa ‘i pallatthua: mirë, pa ujë e dritaPor dhe Kola  s’më len rahat!

A ke ndi ndoj kangë për burraveç hajdutë në kohë të zamanitpo at za të Isuf Myzyritpër kumuritë e Elbasnit.Femra është lezeti i botësdëgjo Zake Kapedani!Ndrysh? Ta hoqa me kartë t’kuqepatenten e aeroplanit!* * *Tani hapi veshët mirëndigjo ti “Ashik” pa shkollëkëto vargje po ti shkruajsot bash ditën e Shën Kollit.Kur une prisja një urimpër emrin që më ka vu babakurrë s’e prisja talljen tandetue ma nxjerrë mu gjuhën mbrapa.Jo me rrena e kaçarrenagjoja ti nuk ja var femnësse t’ kam pa në rini, kur shkojepas Aishes e pas Prenës.O pilot me biçikletëmirë t'u gjegja zotnisë tande?Se n’kët botë s’ka zog shkodraniqë të âmlat nuk ja kande!...KOLË SHKODRANI, 2008

 

 

 

Kyyyyy?...Është Koço Kapedani

Djalkë pe Korçe tamam

Rrallë e tek i ndjehej zani

Amaaaaa….kur ndjehej? BAM! BAM!

 

Verë, raki s’kursente hiç

Me merak e piqte hellin

Për taborrin me korçarë

Me në krye Agim Bacellin

Kostaq Duka

 

TVSH një ikonë ka patur

Topçe si hënë pas mesnate

Syullirja kur lexonte

Sikur  këndonte serenata

 

Njwzetegjashtw gra gjith botws

Grumbulloi njw herw “Gjysmbota”

Mes tyre, stërmbeskë e bukur

Ka qënë kjo…stërgjyshja jote

 

                                                                                          Kozeta Zavalani

 

 

Gjyshe Këzja kjo….mër lali

Zemërbardhë, si akullore

Inatosej veç kur bënin

Gabime gramatikore

 

Edhe vjersha shkruante bukur

Dhe për letërsi qe “zysh”

Qe xhymerte për paratë

Po të shkruaje keq, mo? Dysh!

  Kozeta Zylo

  

 

 

 

 

O trima, ky  katragjyshit

Ka pas  lindur në Kallmet

Venë e kish gjysmën e gjakut

Kurse gojën me sherbet

 

N’  Jacksonville bënte plazhë…

Pasi brodhi tër Greqinë

Bënte kryq e bismilah

Për venë të kuqe e për Shqipërinë

 

                       Lekë Gjoka

 

 

 

Ky këtu? Luan e quanin

Zemërbutë qe, kaçamak

Qe poet  në mes të  Athinës

Shqipo vdiq, dyzet karat

 

Sa herë vinte në Tiranë

Plot e  mbushte atë  kuletë

Dhe qeraste me “gjak krishti”

Tavolinat me poetë

Luan Xhuli

 

Letër nga Luani

Urimet e nje miku dhe shoku të sinqertë, pa dyshim jane dhuratat më të çmuara që merr njeriu.Falenderimet kanë krahë horizonti dhe urimet jehonë malli..T ë këndoftë zemra...!

“Refugjat” një jetë të tërë,

me shtëpi – qiellin paanë…

S’u kujtohet, or vëllezër?

 Dhe yjet njihnin Rizanë

 

Djalë Shkodre, bir Rozafe

Re e bukur për hava

Jetë paç e mos u mplaksh

Mirëtëgjetça, o Riza…!

 

Eeeehhhh! Ata, sa vinin në Rinas

Nxitonin një herë e një moti

“Vrap! Një kafe! S’ka më të mira

Askund si te “Pavaroti””

 

 

Te “Pavaroti “ i priste Luçi

Bugenvile  nga hijeshia…

Kënaqeshin internetësat:

 “ Me pranverë na pret Shqipëria!”

 

Luçiana Ruço

 

 

Ky? …rrojti mes norvegjeshave

Njëqindekusur vjeç vdiq

Veç në Shkodër e pat mëndjen

Në lezet e thërrisnin Bixh

 

Bixhi për shpirt i kish ndërruar

Gjith  kerrat - me biçikleta

Opera, këngë e serenata

- Me laptopa e barcoleta!

 

Luigj Shkodrani

 

 

Përgjigjet Luigji

 

Norvegjia asht tuj m’vetë

Bixh, a e ke more kund gjallë Zefin

Na i nxuerr bejtat  Xakja sheshit

Xakelinit i asht shpue thesi

 

  

Na ka daje loja per sheshi

Bejtat tona tanë lezet

Po na i boton edhe  Flori-pressi

 

 

Ja edhe një reagim me pseudonimin “Zotni Zefi”

 

 Me tha Luigji disi rrejshem

Riza Lahi ka mbete dejshem

në lokale e ndër biruca

pin raki, për meze - gjuhca!

 

Per Luigjin nuk kam llafe

se për ditë na ka pru kafe

dhe ndoj tortë kur e shikon

turra vrap dhe ne na e çon

 

Motra Lidë, kënon – zog kafazi

se ka ardhë në shpi Thomasi

Ku kenë kund për vakancë

Por për punë, deri njatje n’Francë

 

Po Ndue Hila çka po ban

a del kush me i ba derman?

Tha doktori: “ Asht i sëmurë

sa pin  birrë, djali,  i kthen shurrë!”

 

Per ma te fortin me ka marre malli

Per njatë Alibal Bashkimin

Që kur këndon, veç qet mekamje

Me e çue peshë krejt rrozullimin

 

Riza Lah, po t’vetë shoqnia

A të duel, a hala, rakia?

Po gjuhcat, a i ke mbarue?

A s’më ke ruejtë ndoj kokërr mue?

Se, për njatë e për këtë kokë

Fluturim të erdha në Shirokë!

 

 

Zotni Zefi

 

 

Trim si Leka i Dukagjinit

N’Shkodër rrënjët si Anteu

Bre ta bënin “rracë gjermane”

Por nuk bëhej Llemadeo

 

Shkruante vjersha të përmallëshme

Dhe punonte si luan

E shikonin gjermaneshat:

“Pah! Pah! Me pas kenw gjerman!!!”

:

Llemadeo Dugagjini

 

 

Kjo fytyrwmanjola? …Madi!

Vargjet e saja kush lexoi

E pa veten si   Pompeu

Kur Vezuvi e pwrvwloi

 

Kush me tw bwnte debate

Sikur shqipja ndwr bedena

Tw vwrtetwn se c’e mbronte

Si rrallw kush gjyshe Mardena!

 

 

Mardena  Kelmendi

 

 

Sa zili e kishin greket

Këtë aktoren syblu

N’daç këngëtare, n’daç valltare

Skenë më skenë tutje – tëhu

 

Si pjergull floriri flokët

Qark fytyrës si manjolë

Xhiroi filma në Tiranë,

Bon, Pragë, Athinë e Stambollë

 

 

 

Merita Dabulla

 

Një reagim pa adresë…

 

Flokët me pak onde i ka

buza i rri përherë e qeshur

sa lloj lulesh ka lulishta

 aq dekorata ka ngjeshur

                    

 Nuk me thua, moj Merita ,

 Ku i mbanë ata dekorata?

Me valixhe t’i mbaj unë

T’vjen lala me çadër prapa….

 

 

Gezuar Riza

 haaaaaaaaaaaaa  

 

Kish dy dashuri të çmëndura

- Korçën dhe një jargavan…

Një poet që e desh si motër

Për të shkrojti një roman

 

Cicrrinte si dallëndyshe

Në folenë tej oqeaneve

Njëqindvjeçare dha frymë

Me një vjershë…mes jargavaneve

 

Merita Bajraktari

 

 

Ky gjyshi ka qënë sharmant

Ngado kishte shokë e miq

Ndërsa po shkruante një vjershë

Tha :“Kosovë!” , dha shpirt e vdiq

 

Kur   s’kishin  para poetët?

…Sikur shpata del  prej milli

“Fafap”  ç’e nxirrte kuletën

“Hajt, botoje!” thosh  Mëhilli

 

Mëhill Velaj

 

Në gjith botën, një kitarë

Fluturonte si pëllumb paqe

Që nga Korça…veç një dorë

I binte ….Ish Mihallaqi

 

Mbi varr i kanw shkrue “ Lavdi

Rruzullit që ka   shqiptarë

Lavdi Korçës që ka “Djalkën”

Mihallaqin me kitarrë”

 

Mihallaq Andrea

 

 

 

Nuk kish labe më shpirtbutë

E të bukur si kokonë…

Vargjet që shkruante Moza

I këndojnë në Ankonë

 

 

Kur vinte në Vlorë, shëtiste

Shtruar, siç është dita  e diele

Valët s’ngopeshin duke e parë

E i dhuronin bugenvile

 

 

Mimoza Ahmetaj

 

 

Urdhëro ?...Ky plaku i qeshur?

Me femra bënte shaka

U dhuronte vjersha të ëmbla

Dhe emrin e kish Mina

 

Desh t’u bënte serenata

Mikeshave të internetit

Bje e merr , stërgjysh Minai…

S’i dollën paratë, të shkretit.

 

                                                          Mina Papajorgji

 

 

Kjo vajza? Kish gjak labushësh

Por kish lindur në Iashi

Do maçokë  serbë e grekë

E kërkonin për mish dashi

 

Mona quhej dhe nën syzet

Kish ca sy …s’trëmbeshin kurr

Vdiq tek këndonte mbi piano;

“Oj fisnikja përmbi gur”

 

Mona Agrigoroaiei

 

 

 

 

Eh, u plak, vdiq njëqind vjeç

Fjala e tij – mezja e kuvendit

Burr më të pashëm s’kish Kosova

Bash si lisat e Prizrenit

 

Fort i donte… fort  shqiptarët

I mblodhi në gjitha listat

Mixhë Nazmiu i bëri bashkë

Komunistat e ballistat

 

Nazmi Jakurti  

 

 

 

 Shkrimtarë s’çonin në Irak…

Ndryshe? Ky gjysh   kish ba namin

Veç ai burrë pa asnjë ndihmës

Rob e kishte kapë Sadamin

 

Thosh :”Bota do t’ishte më e bukur

Sikur t’kish më shumë lezhianë…”

…Sapo mbërrinte në atdhe:

“More, po ku  e kam Rizanë?”

 

 

Ndue Hila 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Përgjigjet Ndueja

 

 

 Mikut tim Xake Florinit

 

Sa shumë bejte paske shkrue,

Tuj u marrë me t’gjithë me rradhë.

Nga ‘i fjalë t’ngrohtë tuj jau lëshue,

Dhe ‘i buzqeshje mjaft me mallë.

 

As në borë, as n’verë të nxehtë,

As në shi, as në tufan.

Realitetin pak e mshehë,

Mos me u prish ti me askan.

 

Besa shume qesha me temen,

Se n’Irak disa m’kanë çu.

Tuj më thanë: Kape Sadamin,

Në gjyq për veshit me e çue.

   

 

      xxx

 

Koha po na ikë kadalë

N’gjethe t’vjeshtës na tuj shkelë.

Harrojmë veten, harrojmë miken,

Na u qorru syni tuj e mshel.

 

Vetëtinë e shkrepë rrufeja,

Lisat e pyllit rrin tuj tha.

Harrojmë t’vjetrat, harrojmë t’rejat,

Kur raki nuk muj t’pi ma

 

 

Xake,  mua dhe ty plumbi

Rikoshet n’tolla na ban   

Po me pa ndoj zogë të bukur

Bahet gjaku flakadan

 

 

Shume poetë n’fletore i vune,

Duke i gric  mbi shpinë me krande

Me lezet tanë jugun prune,

Ndër bejtat tona shkodrane

 

Njatë tregim që ti ma  çove,

Bukur boll, si mjaltë me hoje

Besa pak ti më lëndove,

Me Lulashin prej tropoje

 

S’asht veriu për tilla gjana!

Kurr s’a marrë, more për krye tan!

Bah! Me u zhdeshë n’shoqata t’dreqit ?

 - Veç në Kavajë ka e Elbasan!

 

Me avion mbi kaltersi,

Nuk je marr me hoka e bejte.

Atë kohë ishe djalë i ri,

Me ‘i sy femnat t’vijshin vetë.

 

Tash  fyllit ma kush s’i bjen,

Çiftelia asht tuj fjetë

S’ka bilbila gem mbi gem

Kush s’kujtohet për nji bejtë

 

Shkulje shpirtit, he e shitoftë zana,

Kur idhnimi t’ka zaptue.

Kurr pa bejte nuk ndrinë hana,

N’ bejte dashnitë kanë fillue.

 

He pra, Xake, ça me t’thanë,

Ma shum pra i mjeri unë.

M’ka kapllue vetmia keq

Njikëto fjalë kur hodha n’lumë.

 

Sot mbasdite  rrokaqafë,

Me i mik t’mirë temin për bri.

Tuj shkru, n’gaz duke u gajasë,

Për njatë zot jena tuj u shkri

 

  N’ Michigan …N'veri  t’ kontinentit,

Falmeshënet jam tuj t’dergue :

Mos i merr tana femnat e planetit,

Por përgjysë ndaji me mue!

 

Se nji Ndue ke, jo ‘i qind Ndue!

 

 

Biçikletën mos e ngaj

Ma pa duer nëpër Tiranë

Del nga kodrat e liqenit

E shkruej vjersha nëpër hanë

   

 

Miku jem Xake Florini,

Me k’to vargje ke me qeshë.

Shkodërloces që të lindi,

 Falmeshëndet, çoja peshqesh.

 

Sa t’ vi n’ Lezhë… Ta kam mobilin

Tash po t ë thërras për krap e njila

Tash, ma bafsh njatë natë të ambël

Falmeshëndet të çon

                                       Ndue Hila

 

 

 

 

 

Kush ka qejf për me lexue

Vjersha të ambla për marak

Nipçe! Kliko  te Ndue Lazri

E ma ndej veni kapak

 

Shpirti i tij si shqipe malesh

Mbushej plot me jargavana

Sa herë kthehej në atdhe

N’një liqen…te Enkelana

 

Ndue Lazri

 

 

 

 Dhe Ndueja përgjigjet pa fort humor. Duket e ka marrë malli për Shkodrën shumë…

   I këndshëm ky humor shoqëror i Riza Lahit..Kemi nevojë edhe për humor në fundjavat tona,se këtej televizioni veç kronikë të zezë e lajme mbi krizën jep.  Janë dhurata të veçanta këto vargje që Rizai i bën me aq bujari e dashamirësi,duke portretizuar disi miqtë e koleget tanë.  Urime zotit Riza dhe shpresojmë të na sjellë humor edhe në të ardhmen.   Respekte    Ndue Lazri

 

 

 

Ky stërgjyshi? Olsi quhej

Rrojti ‘qind e katër vjet

Këta çaste mediton

Buzë Kausarit në Xhenet

 

Mbi libra rrinte gjith natën

Ditën? Flakadan në hava!

Ndër kaurra mbroi doktoratën

Në xhami bënte dua

 

  Olsi Jazexhiu

 

 

Ky stërgjyshi , more nipçe

Për xhins ka pas  qënë Krasniq

Për punë? Sa shtatë burra bashkë

Po syri ? S’iu trëmbte hiç!

 

Kur në Zvicër për vizitë

Vinin shkrimtarë nga vatani

Faaap!!! Një aparat dixhital

Dhuratë  kishin nga Osmani

 

 

Osman Krasniqi

 

 

 

 

 

Kush s’guxonte me ngucë Shkodrën

Se i shkonte kryeti vërdallë

Ma vonë?...Tjetër punë ma vonë

Por jo,  sa qe Poli gjallë!

 

Për Shqipni e për flamur

Për Çamërinë e për Ulqinin

Pa meze e pinte rakinë

Si kreshnikët, Pol Tedeskini

 

 

 

 

  Paul Tedeschini

  

 

Ky stërgjyshi ka qënë trim

Si furtunë e sokol mali

Në Qeparo e në Amerikë

Ish veç një …veç Petraq Pali

 

E kishe në daç për vjersha

Për aheng, raki, meze

Kur po vdiste, Qeparoit

I dhuroi një shkollë të re

Petraq Pali

 

 

Gjer mbushi ‘qindeshtatë vjeç

E kujtonin djalë të ri

  Ç’i shkruante stërgjysh Papi

Lirika për dashuri!

 

I qante syri për pushkë

E për paksa raki mani

Ktheu të vdiste në Shqipëri

Më s’duroi dot te Daj Sami

 Përparim Hysi

Përgjigjet Përparimi

                                       " Po s'të deshi vjerra,                          të do lala vetë..."                                 Populli  Po ban bejte Riza Lahi(unë,për bejte,kam"patentë")Veç pse asht zogshkodrani(po ia nap nje fije "liçence")Se për bejte s'lëshoj pe,(une  i kam-o me tapi?!)Mua,pas liste,seç me le(po kur thone veriut:ani!)  Ani burre,nuk prish punë:ti ma paç  jetën e gjatëSe më je zemërpëllumb,edhe fjalën me konakJe gazmor e je bujar veç si ti dhe nuk di kush!!Pasha Zotin,jam në hall,e po skuqem si mbi prush.  Nuk e di a e godis,bash si duhet tëndin portretSepse veten e koris,kur po them, qe, kam"patentë"Riza Lahi  asht pilot,gazetar,përkthyes,poetZemrën ka sa një botë(po ku ka si ai,xhymert?!)  Altruist që s'e ka shokun,edhe shpirtin po ta falDhe per mikun ze"amokun",dhe pergjysëm e ndanë hall.Dyfishon me te gezimin, se ka shpirtin qelibarTë veçantë nga une urimin:perqafim,nga larg,me mall.Na mbledhtë hareja e gëzimiFalmeshëndet nga Përparimi 

 

Kjo, more? Monda Moisiu!

Në lezet e thërrisnin RAI

Kudo shkonte , si pranvera

Veç lule linte pas saj

 

Ish  nga Korça…Gjë më e bukur

Si yll përmbi oqeane

Tek vdiste tha: “Më varrosni

Në Dvoran…Nën një bajame…”

Raimonda Moisiu

 

Përgjigjet Monda

 

 

Një bejtë në formë të replikës:

 

Xake vëllai i ke rënë pikës,

Se, që thua, të rrëfehem ,

Te “Bajamja” dua të prehem,

 Ne “Bajamja” në Dvoran ,

Nga e kam edhe mamanë .

 

Po , ehu, gjer atëherë ,

Mirë thua – njëqind pranvera ,

Pastaj , sa dasma Korçare,

Do hajë gjakkamenicarja.

 

Ama, Xake, të kam xhan,

Kolën e ke dhe shkodran ,

Ç’i ke thene atij  per femra?

Atij veç i kendon zemra,

Që e ka si trendelinë ,

Ce i the ashtu, bre tinë?

A mos vallë, more aman,

Kur bëheni bashkë në Tiranë ,

Duke pire verë e raki,

Dilni gjah për dashuri?

 

Sa për Mehillin – s’po them gjë,

Kur të takohesh me ‘të ,

Patriot është si më i miri ,

Per Kosoven dhe për vjershat,

Gati është për harakiri .

 

Për patriotin tim, Agimin ,

S’po them gjë, se e kam timin,

E ke shok edhe ti vetë,

Bashkë,  tridhjetë ca vjetë.

Edhe unë – mik tash sa mot ,

Sa vjen 28 nëntori,

Ai – tavolinën plot,

Ti m’i thua është major,

Lele, nëne, ne korçarkave,

Të na kishte Gimi në zbor!

 

Per Meritën e ke qarë,

Për ‘të s’kam asnjë kritike,

Ajo vdes për jargavane ,

Dhe në Korçë dhe në Amerike .

Po, mirë do kishe bërë,

Dhe dy fjalë me shumë në kartë,

Merita për poezitë,

Ka fituar “Penën e Artë”.

 

Mirembetësh, Xake Vëllai

Selam nga USA dhe RAI

 

Raimonda Moisiu

 

 

 

Burrë më të ndershëm nuk gjeje

As me skaf, as me aeroplan

Zemërbardhë , me shokë pa fund

Emrin e  kish Ramadan

 

Me një këngë kundër shkieve

Sot Kosova e kujton

Thonë emrin e Ramadanit

Ka një shkollë  në Ekuiblon

 

Ramadan Pllana

 

Kryeredaktor në Athinë

Me ‘i gazetë që namin bani

Njëqindmnijë kopje arriti

Sa qe gjallë, ky,  Ramadani!

 

Njëqind e tridhjetë vjeç rrojti

Zog shkodranit në Athinë

Vdiq në shkallët e stadiumit

Tek bërtiste për “Vllazninë”

 

   Ramadan Bigza

 

 

Rahmet, kur pat vdekë Rugova

E di çfarë thonin njerëzia?

Desh poezi të dëgjonte

Të shkruajtura nga Sevdija

 

Kur vdiq kjo gjyshe , qind vjeçe

E morën me aeroplan

Nëpër qiell të Atllantikut

E varrosën në Gjilan

 

 Sevdije Rexhepi

 

 

Ky gjyshi? Quhej Thanas

Eeehhhh…këndonte si askush

Nga një këngë e tij, thonë

Ka pas  varë  veten dikush

 

Kur ka qënë i vogël, thonë

E lidhte macen për bishti

Por si ai deri më sot poet

Nc..nc…  s’e nxori Ziçishti

Thanas Naqo

 

 

Nw Belgjikw njw poet rronte

I butw si mwndafsh trwndafili

“Shqiptar je, the?” –e  pyesnin belget

“Shqiptar jam” – gjegjej Vasili

 

Kur njw shekull jetw e mbushi

Kwtw Vason , nw  njw herw

Dhe Brukseli, dhe Tirana

E bwnw “Qyetar nderi”

 

 

 Vasil Capeqi

 

Zemërbutë si Platoni

Zëmra i digjej si kandil

Kamerën si sy ciklopi

Ky stërgjyshi jonë Vasil

 

Qe  një lab, more, mes Parisit

Diapazon fiziarmonike

U mësoi parizianëve

Ç’është bota romantike

 

  Vasil Qezari

 

 

 Ahaaa, kjo biondina e bukur?

Emrin kish Vitore Stefa

Syri i saj e njihte frikën

Sa e njeh frikën luanesha

 

Njëqind vjeçe shkoi Vitorja…

Orët e fundit , te shtrati

Thirri “Oh, boll me doktorët! Me sillni ullinje Berati! “

 

Edhe ngjau e papritura

Kur poetes i mbet goja

Zëmra i doli nga gjoksi

Shkoi  në flamur, te shqiponja

 

Vitore Leka - Stefa

 

 

Kush ?….Ky burri i bukur, mo?

E thërrisnin “Zotni Zefi”

Veç me femna – meazallah!

Për të tjera? …Nana e qefit!

 

Kanë shkuar plot dyqind vjet

Por…këndej e andej detit

Hala s’duel një fotograf

Që t’ia shkojë Zotni Zefit  

 

Zef Naçaj

 

Si u përgjigj Zotni Zefi kur qe gjallë

 

Unë për bejta kam tamah

për me mujtë njatë Riza Lah

por jo shumë se më vjen gjynah!

 

E kam mujtë tanë këta vjete

ja kam ba rrafsh dy me tetë

se ia shkruej , kur ai është  fjetë

  

 

Mirë e ke bacë, tungjatjeta

po e bajmë sofër me bejta

qit e prit e më rrej se te rrejta

 

Mblidhna të tanë dora dore

bashkë në sofrën bejtasore

me ne asht nana Vitore

 

Për me dalë sofra florinit

Qe! Pendkaltri i Traboinit

Qe, edhe panda e Tedeskinit

 

Baç  Alibal me ba me pase

  Hakut kish me i ardhë  Rizase

se ai i ka bejtat me thase

 

Me bejta me e mbushë nji barkë?

Qe,  Luigji në Danimarkë

N’daçi këngë me ashikni

është Alida ne Gjermani

 

Në se i bajmë bejtat mullarë

Rriku i Ndocit është kangëtar

Edhe në bejta – mbi samarë!

 

 

 

Zef Naçaj

 

 

Për këtë stërgjyshen pyeste

Ditpërditë radio Tirana...

...Tekste këngësh , more nipçe

Asnjë s’bënte si Xhuliana

 

Nga ”Parisi i Vogël” shkoi

Për ca kohë te ”Italia Bella”

Këngët e saja me erë blirësh

Nëpër Korçë si fustanella

 

 

Xhuliana Jorganxhiu

 

 

 

More tërë kjo listë përlot

Me stërgjysha e stërgjyshe

E kishin një strehënë Tiranë

Si ka strehë një dallandyshe

 

Sikur bredh ngado në qiell

E kthen prap një dallandyshe

Në Tirënë qe një gazetë

Që i mblidhte – gazeta “NDRYSHE” 

 

Qe një poeteshë atje

Zemërbukur si zambaku

Fatime quhej…Në qafë

Të merrte me vjersha maraku

 

Vët,   politikanëve u binte

Me dajak sa u dhimbshin ijet

E mandej tek pinte kafe

Shkruante vjersha ashiknijet

 

Atje qe dhe një Bashkim

Avokat nga Gjirokastra

Në dhe t’shtiente a të çonte në qiell

Pa dhunë, ore, me duar të pastra

 

Kujt s’ia shtriu dorën për pare

Kur botonte atë gazetë

Për nder ia ditën stërgjyshët

Në këtë jetë e në atë jetë

 

Gazeta “NDRYSHE”, Fatime Kulli dhe Bashkim Nikolla

 

 

Kushedi sa emigratëve

Do u ndërronte emri e feja

Të mos ishte Evi e Tani

Të mos ishte “Art kafeja”

 

Tan Mezini si motorri

S’dukej, si në prapavijë

Kurse Evi Kokalari

Një fjalë kish sa për një mijë

 

Ç’ua shtruan miqve të “Art kafesë”

Një darkë të madhe , or burrë

Eeeeh, ç’ishin plakur të tërë

Për fytyrë s’ishin parë kurrë

 

Tër  Nju Jorku  ndejt gatitu

Atë natë tek kriste qejfi

Valle, këngë  e barcoleta

   Qit  Bixh Shkodra e prit Zefi

 

 Në tribunë mes Nju Jorkut

U ngjit  Evi Kokalari

Njqëind vjeçe qe kur thërriti:

“Rron, or rron e s’vdes shqiptari”

 

“Art Kafeja”, Evi Kokalari dhe Tan Mezini

 

 

 

Po …unë që kam shkruajtur

Për ju këtë amanet

Kush kam qënë , more kotorra?

Kanë shkuar dyqind vjet.!!!

 

Xake më thonin të gjithë

E dini si ndërrova jetë?

Njëqind vjeç kur fluturoja

Mes Tiranës me biçikletë

 

E kuptova  se qeshë mplakur

 Mu nën rrotat e makinës

Tër jetën s’e pashë  Nju Jorkun

As akropolin e Athinës

 

Tridhjetë vjet  sa qeshë i ri

I kam grahur aeroplanit

Shkruajta libra e gazeta

Djalë, nip e stërnip shkodranit

 

 

 

 

 

 

 

           Riza Lahi

  Qe, flakëpërflakë  ky stërgjyshi që, pastë dritë, e kanë quejtë Ded Kola

 

 

Po per ty ore Riza Lahi,

kush do beje biografine?

Lemë të shkruaj dy fjalë,

megjithëse s'ta di shtëpinë

 

I lindur pilot dhe poet,

pranë Bunës e Cukalit.

Në Tiranë u bëre "mbret",

Mbret i Mergimtarit.

 

Një bust e ke në Shirokë,

tjetrin në Tiranë,

një e ke në Nju Jork

dhe tjetrin në Teheran.

 

Po dhe aviacioni sot

emrin tënd Riza mban.

Pas dyqind vjetësh plot

vijmë ke varri jot në Tiranë.

 

Ded Kola

( Vazhdon Xakja) :” O Kapidan shkodret! A thue ke me kenë gjallë mbas 200 vjetësh e me ardhë te varri jem?Ishalla, ty ta marrsha të ligën, ta marrsha!”

 

 

Epilog  

Në respekt të sponsorizimit të këtij botimi

 

Ka rrah “mob” i në Tiranë

Ka rrahë “chati” në internet

Një dikush …s’po ua them emrin

Prej xhepit do lek po i qet

 

“Le ta kenë kujtim prej mejet

Tanë shqiptarët në planet

Na e boto poemën Xake

Se paret do t’i nap vetë”

 

Dhashë e mora me i mbushë mëndjen

“Shif na gjej ndonjë biznesmen!”

“ Jojo! Unë!…Sa euro duhen?

I kam ba si mos me kenë”

 

xxx

 

Ndërkohë qenë të lutun nga unë

Këndej detit , andej detit

Miqtë tanë të dashur shumë

Në poemën e internetit

 

Nëse dojshin me u përgjigjë

Si Fatmiri e  Përparimi

Si Ndue Hila, Deda, Monda

Zefi , Bixhi e Traboini…

 

Tuj u qeshë me njënitjetrin

Tuj ba hoka me lezet

Le t’m’i çojshin në adresen teme

A t’i hedhin n’internet…

 

“ Kush t’i dha  paret e librit?”

Tash  ju thotë nji ditë Rizaja

A asht “mik” a asht “mikeshë”

Nga BE ja a SHBA ja….

 

xxx

 

Dhashë e mora me i mbushë mëndjen

Që t’ia shkruejshe emrin në letër

“Mos ma shkruaj! Çfar jep një dorë

S’bën ta dijë as dora tjetër

 

Mos ma shkruaj emrin askund

Se paratë t’i nisa unë

Më mirë është…”Një anonim

Që të gjithë i deshi shumë!”

 

Do të pyesin njëritjetrin

“Ti ishe ai zemëraar?”

E supengritur do  mburren

Rrofsh sa malet, or shqiptar!”

 

 

 

 

 

 

 

Impressum

Texte: Agideba
Lektorat: Agim Bacelli
Tag der Veröffentlichung: 20.09.2013

Alle Rechte vorbehalten

Widmung:
Të gjithë miqëve të mij anë e mbanë botës, me shumë mall e dashuri. R.L.

Nächste Seite
Seite 1 /