ZEMRA PRINDËRORE
Ky libër u përgatit nga tre anëtarët e shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë;
Agim Bacelli, Këze (Kozeta Zylo) dhe Kostaq Duka, nën kujdesin e presidentit të saj,
Z. Gjekë Marinaj dhe kryetarit, Z. Dalan Luzaj.
Copyright © 2008 nga Memedheu All Rights Reserved
Email Address:Agideba @poetic.com
Redaktorë & Korrektorë: Agim Bacelli, Këze (Kozeta Zylo) dhe Kostaq Duka
Konsulentë: Mardena Kelmendi dhe Edmond Ismailati
Redaktor teknik: Albert Zholi
Sponsor: Mëhill Velaj, Mardena Kelmendi & Selaudin Velaj
Arti Grafik: Eva Saliu
E drejta mbi poezinë i ngelet vetë autorit, ndërsa të gjitha të drejtat e rezervuara mbi
librin i takon grupit të punës.
Mirënjohje që nuk shter kurrë
(Në vend të hyrjes)
Prinderit japin pa kursim gjithçka tek fëmijet e tyre, pa pritur që t'u kthehet kjo
mirënjohje.
A ka gjë më të bukur se sa fëmijët e rritur t'ju thurin vargje poetike prindërve që t'jua
shpërblejnë sado pak dashurinë prindërore pa shpërblim? Këtë gjë po bëjme sot me këtë
libër për prindërit tanë; për nënën, babanë, gjyshen dhe gjyshin, të cilët provuan të na
dhurojne çdo gjë, që ne të bëhemi më të mirë se ata vetë.
Ne, kurrë nuk e njohim atë dashuri të madhe prindërore, deri në momentin që ne
bëhemi prinder vetë. Çfarëdo që të bëjmë për prindërit, dashuria e tyre për ne nuk mund
të shpërblehet dot për nga gjërësia dhe thellësia e saj. Këtë dashuri le
t'jua transmentojmë femijëve tanë.
Një libër me poezi për zemrën e artë të prindërve, është pak, por sidoqoftë le të
shpresojmë të jetë si një lule erëmirë në thilenë e këmishës së tyre të dashurisë dhe t'ju
fali atyre buzëqeshjen e ditës dhe ëndrrën e bukur të natës.
S'mund të harrohet kurrë ajo puthje që merrnim nga prindërit kur ishim të vegjël dhe
shkonim të flinim të qetë dhe qe akoma ajo puthje na rri pranë për tërë jetën edhe kur
jeta jonë nuk shkëlqen! Me asgjë s'mund t'jua kthejmë dot atë puthje, por e vetmja
mundësi që kemi, të bëjmë dhe ne si ata me fëmijët tanë, që puthja prindërore të rrojë
sa të jetë jeta mbi tokë.
Kur e pyetën një prind të mënçur se cili gur është më i çmuar, ai duke buzëqeshur tha:
"Nga tëre gurët e çmuar s’ka më të çmuar se fëmija i mirë!"
Në kujtim të prindërve, 50 poetë shqiptarë, bashkuan ndjenjat e tyre të dashurisë
prindërore në vargje, për të lartësuar Monumentin Prindëror në këtë libër, si një mesazh
paqeje për shoqerinë shqiptare dhe veçanërisht për Diasporën, e cila ka nevojë më
shumë se kurrë, për t'ju transmetuar brezave respektin dhe dashurinë e tyre pa kufij.
Dashuria për prindërit është dashuria për vete, është dashuri për tjetrin, është dashuri
për Krijuesin, në fund të fundit është dashuri për jetën. Ne jetojmë sepse dashurojmë.
Sapo ne fillojmë të mësojmë fëmijët tanë me dashurinë për jetën, duhet të dime, që
fëmijët janë ata që duhet të na mësojnë ne, se çfarë është jeta në kohë dhe në hapësirë!
E themi këtë pasi jeta evoluon shumë shpejt bashkë me rininë.
Shpresojmë që vargjet e dala nga zemrat tona të miklojnë ëmbël zemrat e prindërve
tanë duke ju dhënë një kënaqësi të veçantë, që do t'jua zgjasë jetën. Njëkohësisht ky
libër le të ngelet imazh i pavdekshëm dashurie, kur ata të na mungojnë duke i patur
përherë në vargje dhe në këngën e jetës, Poezi!
Mirënjohje Sponsorve
Grupi i punës në emër të të gjithë pjesëmarrësve në këtë antologji titulluar “Zemër
Prindërore” falënderon sponsorin kryesor z.Mëhill Simon Velaj i cili me fisnikërinë
dhe bujarinë e tij bëri të mundur botimin e kësaj antologjie poetike.
Zoti Mëhill Velaj shquhet për një veprimtari në shërbim të çështjes kombëtare dhe
veçanërisht në shërbim të Kosovës.
Ai ka vite që është n/kryetar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë dhe me
botimet e tij, veçanërisht në poezi ka krijuar respektin në Diasporë dhe në shumë lexues
që e duan dhe e shijojnë poezinë.
Zoti Mehill Simon Velaj, jeton dhe punon në Stamford , Connecticut dhe drejton
biznesin “Spazzio Restaurant”
Një mirënjohje të thellë i japim dhe presidentes së shoqatës “CAMINIAMO
INSIEME,” shoqatës së gruas italo-shqiptare në Trieste, znj.Mardena Kelmendi.
Znj.Kelmendi e lindur dhe e persekutuar në diktaturë, me gjyshër dhe prindër
intelektualë të pushkatuar dhe të burgosur, ka ditur të ngrejë lart prestigjin e gruas
shqiptare në botë dhe të perhapë kulturën dhe traditën e mrekullueshme shqiptare në
zemër të Italisë dhe kudo! Kjo organizatë me drejtuese gra intelektuale, studente,
organizon herë pas here mbrëmje dhe ceremoni të ndryshme në Itali duke e ngritur dhe
më lart emrin e Shqipërisë dhe të Kosovës!
Një falënderim special i japim dhe z.Selaudin Velaj, intelektualit të persekutuar nga
diktatura, por që është një simbol i qëndresës dhe i dashurisë së madhe për Kombin.
Bamirësia e tij është e shprehur në forma të ndryshme, çka flet qartë për mirësinë e tij
dhe kulturën e veçantë dhe origjinën që ka. Nëpërmjet shkrimeve publicistike, librave
të tij ai ka ndihmuar mjaft njerëz në administrim të biznesit e më gjerë. Z.Selaudin
Velaj ka punuar dhe i është i përkushtuar çështjes kombëtare me shpirt dhe me vepra.
Me respekt e mirënjohje,
Grupi i punës
Prill, 2008 New York
Të Ftuar Nderi:
Agim Shehu & Dritero Agolli
Agim Shehu
(Në vend të parathënies)
POEMA E MËRGIMIT
Mirupafshim, Shqipëri!
Ika se të dua shumë,
që dhe për ty, sadopak,
të isha gjallë përsëri!
Motorin e avionit
që më largoi Shqipërinë,
e vunë në lëvizje
plumbat që më shtinë.
Te helika e tij
dridheshin në ndjekje
rrotat e motorit
që më shtypi për vdekje.
Natën e mirë, tokë Shqipërie!
Sot jam një meteor i djegur
që këputet, e s’di ku bie!
Një zog fluturonte pas avionit;
në cicërimat e tij me zëra atdheu
dëgjova emrin tim që më thirrte -
Kthehu!
S’më arriti dot;
u drodh nëpër erë
e ra, vuri faqen
mbi një luleshqerrë!
Zëri i të mbyturve në Otranto
zgjatej nën avion nga fundi i deteve :
«Atdheu na la këtu të harruar,
merrnai shpirtrat me vete»!
«Ku t’ju shpie,
si ta ngre kujen tuaj
që as varr nuk ka!?.»
Pulëbardhat vinin rrotull mbi ujëra
me shpirtërat e tyre në krah.
Fluturoj në veri - perëndim
me sy nga hapsirat e Ilirisë.
Në veshë më trokasin gozhdët e arkivolit
që Athina i bën Shqipërisë.
Mbi qiejt e Evropës -
vetëtima me përskuqje
si me gjak Shqipërie!
Një rrufé Kosove
mbante në krah një rënkim Çamërie.
Mbi Malin e Bardhë m’u zgjat Tomorri.
Një ylber i vëndlindjes buzë një shkrepi
më përsëriste legjendat pelazge
që nëna m’i thoshte te djepi.
Nga pas, vështrimet e njerëzve të mi
më përcillnin në heshtje,
pa folë.
Në sytë e tyre drejtuar nga Evropa
zbardhnin arkivolë:
Na mashtruan një «sekondë» të bukur: -
diktaturës i shkoqëm dhëmbët!..-
(i krasitën «gjethet»,
i shëndoshën rrënjët).
Natën e mirë, Shqipëri!
Pakëz terr mesnate
në shpirt me vete e kam marrë
(mëngjezi që pret,
mbase, më shpejt të të zbardhë)!
S’vdiqa nga goditja!
S’di ç’ëngjëll erdhi,
më pëshpëriti nën zë:
“kur Shqipërinë e kanë nisur të vdesë,
është pak të vdesësh për të”!
Shamia, me të cilën një biri do t’i fshije
plagën e prerë,
qe e njomë
me gjakun e bijve të tjerë.
Ika, Shqipëri.
Që të ruajaja mallin tënd,
zgjodha një vend të vogël
e të bukur si ti.
Në dyert e Zvicrës,
me plagët e mia ngarkuar në shpinë,
trokita ngadalë me patericë
mos t’i prishja qetësinë.
Hapi derën, më pa…
Nuk fola. Më dëgjoi.
Nuk sillja asgjë të bujëshme,
asnjë shenjë heroi.
Vilhelm Teli doli nga legjenda;
sa më pa, më njohu që rini
kur te libri i këndimit
e mbaja në gji.
Gjithëshka m’u lexua te heshtja,
në vështrimet e mia.
Në fytyrë kisha tkurrjen e Atdheut
gjymtuar nga historia.
…Paterica rënkon.
Filizën ia mbolla me «punë vullnetare»
të mbushnim blerim Shqipërinë(!)...
M’u kthye këmbë druri
të ngarkoj mbi të pleqërinë.
Ecij mbi të
nën pikat e shiut e nën dritën e hënës.
Në fundin e saj
më rri një lule nga varri i nënës.
Kaloj nëpër Zvicër,
i flas botës me dhimbje njeriu
(me fëshfërimë bari
mbi gjumin e tij në Lugano
më përkthen Aleksandër Moisiu).
…Takoj Ismail Qemalin
tek troket vigan nëpër shtete
e i them - Flamuri Kombëtar
ka mina greke nën vete!
Takoj Nolin në Lidhjen e Kombeve
me «Shtetin Sovran» në dorë
e i them - Shqipërisë
i rikthyen protektorë!
Takoj Mit’hat Frashërin
te një «mbledhje Ballkani»
në Lozanë,
e i them - Venizellos
është këmbëkryq në Tiranë.
Takoj Konicën
tek vazhdon artikujt rubinë
e i them - «politikanët»
e vranë Shqipërinë!
Takoj Bedri Pejanin
me Kosovën në krah
drejt Atdheut,
e i them - në Prishtinë
po të pret «Skënderbeu».
Në Lucernë Mbretit Zog
i them: - këto kohë dimërore
qielli “Shqipëri”
ka formën e kurorës Mbretërore.
…Presidenti Vilson…-
i përulem me lutje nderimi:
fjalët për kombin tim
t’ia kujtojë njerëzimit!
…Hyj me bastun në klubin zviceran.
Diku në një skaj
më del kafja e thjeshtë në Tiranë,
shokët te dera e saj…
I thërras çdo mbrëmje,
i pres me mëngjezin.
Tek vesh këpucët e mia,
lidh këpucët e tyre
të më presin.
…Mirupafshim, Atdhe!
Me retë e bardha të Alpeve
të dërgoj përqafimet e mia.
Aty brënda kam fëmininë
që ma mban Shqipëria.
Kam lodrat në lëndinat e tua,
vite me vaj e me këngë;
komentet e nxënësve në maturë
e trishtime spërkatur më hënë.
Aty lashë të parin takim
të dashurisë me gruan,
që ecën nëpër kohra
me bukën e fëmijve në duar.
Lashë lopatën time të punëtorit
në vitet me dënim të zi.
Lashë pa bërë vizitën e fundit
në varret e prindërve të mi.
Kam lënë hapur dhe një Dosje Sigurimi
me emrin tim në çdo resht,
që të ndjek pas
ku të jesh!..
…Sipër gjumit, vinë nga larg
zëra të ëmbël gjitoni…
Kam mallin e të ikurit
dhe për ata që s’e donin.
Për zogun, që largohej nga ballkoni
se s’gjente thërrime ;
për mimozën në oborr
që ma sillte pranverën
në janarin me thëllime.
Për rrugicën time tërë turp
tkurrur nga meraku i vetëm,
që buzë bulevardit
mbeti e shtrëmbër tërë jetën.
Dhoma ime e shtrenjtë,
e ngrohtë nga varfëria!
Format e gruas mbi çarçafin e bardhë
mbështjellin plagët e mia.
Gëlqerja tharë në mur,
ngrirë si muranë
me ankthe pa fund të familjes
që kurrë s’iu ndanë!
Llampa e shuar prerë nga shteti
sheh mbi fëmijët kthyer në hije.
Nëpër raftet e librave, shkrimtarët
pëshpërijnë në terr drama historie.
…Diç pëshpëriti matanë -
kolltukët bosh rënkonin;
fryma e tim eti, vetëm,
vazhdon pi duhan te ballkoni.
…Një shishe mbetur përgjysëm
siç e lashë në ikje
pret të pihet kur të kthehem,
a të thahet në pritje.
Vëndi im i shtrenjtë, Shqipëri,
lamtumirë me “mirupafshim” brënda!
Në s’qe fat të të shoh përsëri,
do jem fshehur prapa te hëna...
Zvicër, 2000
Dritëro Agolli
Poemë për Babanë e për Veten
Kënga III
S'e thur poemën aq të gjatë,
Me vargje si litarë,
Se kushedi e gris im atë
Dhe dredh me të cigare.
Nga kjo poemë e nisa rrugën
E vargjeve rinore,
Në rrokje e rima treta jugën
Dhe erën me dëborë...
Do bëj poema më të mira.
Po ti në mend do vish,
O moj e para më e vështira,
E thurur mes lajthish
Dhe do më thuash buzëplasur:
-S'më vure shumë fletë! -
Ahere ati im i dashur
Në varr do të jetë!
S'do futesh fare në botimet
E vargjeve të zgjedhur
Do mbetesh vetëm në kujtimet
E kaltër, e pazverdhur.
Po mund të ndodhë ndonjëherë,
Qeflinjtë e poezisë
Ty të të vënë në defterë
Si fakt të historisë:
"Dhe fshati ynë nxjerr poetë,
Siç nxorri trima shumë.
Vrapojnë vargjet me rëketë
Dhe piqen në një lumë,,...
Po ti, poemë, moj naive,
E thurur arë më arë,
Do sjellësh erën e lajthive,
Si dashurinë e parë
Dhe thellë rreshtave të tua
Ku zemra ime mbeti,
Do dal'e do më zgjojë mua
Çibuku i tim eti...
Vdekja e Nënës
U zvogelua nena dhe u tret e gjitha,
U be si pulebardhe e lehte
Dhe nje mengjes pa zbardhur ende drita
Renkoi e fluturoi mbi rete
Andej u fsheh si ylli Aferdita
Dhe ne pastaj s'e pame, paste ndjese!
Vec ndodh qe vale e endrrave te trishta
E sjell ne breg te shtratit tim si shpeze
Xxx
Adnan Mehmeti
Adnan Mehmeti,
lindi me 15 korrik 1964 në Bujanoc të Luginës së Preshevës.
Eshtë anëtar i Shoqatës të Poetëve Amerikanë, i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-
Amerikanë dhe i PEN Qendra Amerikane.
Veprat letrare:
Bota e mendimeve, aforizma, Tiranë, 1996
Diellin e kam futur në xhep, poezi, Tiranë, 2001
Ikje nga vetmia, poema, Dallas, 2004
Leave the door open, poezi në anglisht, Dallas, 2005
Gjekë Marinaj më shumë se poet, publiçistikë, Nju Jork, 2007
ZEMRA E DIELLIT
- Nënës –
Diellin
ndave
Por zemra
Në duart e
Miliona vite
Për ta
Të takohem
Itakë !
Nënë !
Ndaj kujt të
Thinjat
Në thinjat e mia
Fëmijët përkëdhelin
Bardhësinë e tyre.
Kujdes, mos u dashuroni me to,
Se në zbardhjen e tyre,
Sodis thinjat e babait tim.
Letër babait
Baba, mos e pre plepin e shtëpisë
Korbat do t’i gjuaj me gurë në ardhshin
Do t’i hapim zemrat-dritare
Për të numëruar vitet që na tradhëtuan
Aq tinëzisht. Aq të pabesë.
Do të vrapoj pas teje
Për të zanur hapin tënd të madh…
Në ëndërr e kërkoj buzëqeshjen e fytyrës sate.
Agim Bacelli
Agim Bacelli ka shkruar që në vegjëli. Eshtë i dhënë pas tregimeve të shkurtra dhe
poezisë.
Ka botuar tre libra ; një me poezi, një me tregime dhe një biografi të cilën është duke e
ribotuar të zgjeruar. Po punon të botojë edhe katër libra të tjerë këtë vit.
Eshtë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Nënë!
Ne lindëm në të njëtën kohë,
unë bir e ti nënë,
Bashkë u ngjizëm nga një frymë,
prej Zotit dhënë.
Po atë ditë prej teje,
yt shoq u bë im atë,
unë mes jush, përgjithmonë
urëartë!
Në prehrin e Nënës
Nëse mbështes një çast kokën
Në prehrin e nënës magjiplotë,
Më duket sikur sundoj tërë botën,
Parajsor e gjithë fuqiplotë!
Babait
(Adem Bacellit)
Si rrap i rëndë qëndroje mbi mua,
Un’ filiz i dobët ndër këmbët e tua,
Shpesh të shaja se më bëje hije
Kur diellin desha të shikoja një fije.
Ti më pengoje të luaja me stuhitë,
S’më lije të matesha as me perënditë!
Gardhet e tua më rrethonin ngado,
E buzët e tua thoshin përherë "Jo!"
Në ato çaste, baba isha i zemruar
E ndonjë fjalë të keqe pata lëshuar,
Po ti kurrë nuk u mërzite me mua,
Përherë më thoshe ëmbël, "bir të dua!"
Ku ta dija se do më shkoje pa kthim
Duke u rrëzuar tek "Gurrat" një agim!
Tani si saç diell' i dimrit më përvëlon,
Një fllad i lehtë për tokë m’rrëzon!
Njëzet vjet që jam pa ty o baba,
Kuptoj se ti për mua ishe gjithçka.
Kuptoj qe të kisha diell edhe dritë
Si s'kuptoja se s'do të kisha një ditë?!
Arra e Madhe e Bacellinjëve
Në një cep të avllisë,
Disa metra përmbi rrugë,
Ngrihet hijerëndë Arra e Madhe.
Degët e saj kapërxejnë rrugën,
Kapërxejnë vitet,
Prej andej zgjatin kokën si sorkadhe.
Lindjet, martesat, makar edhe vdekjet,
Luftrat, hallet, gëzimet; gjithë ç'kanë Bacellinjtë,
I di vetëm kjo Arrë e Madhe,
Prej qindra vjetësh,
M' e mira dëshmimtare.
Dëndur shkoj tek kjo Arrë,
Bije në gjunjë dhe i falem
Si nje stërgjyshe hallemadhe.
Prej saj, arra kam ngrënë unë,
Ka ngrënë babai, gjyshi...
Që të gjithë Bacellinj.
Sigurisht,
Do hanë djemtë,
Ndoshta dhe nip-sternipët e mij.
Arra e Madhe na mbledh të gjithëve,
Të vdekur-të gjallë, brënda kaçkave të saj
Si thelpinj, ca të mirë e ca të liq
Por që të gjithë Bacellinj.
Kur me vdiq babai, e besoni?
Arra lëngoi njëlloj si unë.
Kaçkat e saj, atë vit u thanë,
U t'kurrën, u bënë si thana,
Prodhimin dështuan,
Frut nuk dhanë!
Edhe at'herë,
Arra qau e mbytur në lotë,
Kur shtëpia jonë u dogj tri herë,
Dhe u zhduk pa farë e nishan!
Tashti Arra e Madhe e Bacellinjëve,
Me shtëpinë time më ngjan!
Kur më merr malli për strehën,
Te vdekurit apo të gjallët Bacellinj,
Në çantën e mëndafshtë kërkoj,
Këtu në New York-un plot halle,
Të qëruarët thelpinj,
Të Arrës së Madhe.
Zemra Prindërore
(Fëmijë!)
Kur ju ndiheni keq o të vetmuar,
Kur mëkati mbërthyer ju mban,
Kur të gjithë ju kanë harruar
Cila zemër për ju veçse qan?
Kur ju trembeni në gjumë,
Kur jeni të mërzitur o të sëmurë,
Kush gëdhin netët në gjunjë
Pa u mundur nga gjumi kurrë?
Kur beheni të këqinj e të pastisur,
Kur përbuzni gjithçka pambarim,
Kur edhe miqtë i'u kanë braktisur
Kush thotë, "ai eshte femija im"?
Askush në botë s'ju do më shumë
Se prindi që ju ka sjellë në jetë!
Prindi ju bëhet çadër apo gunë
Në stinën përvëluse a në qamet!
Agim Vatovci
Agim Vatoci ka lindur ne 1956 në Novolan, Vushtri, Kosovë.
Ka mbaruar Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Ekonomik.
Flet rrjedhshëm katër gjuhë dhe shquhet për bujari dhe patriotizëm.
Shkruan vazhdimisht në shtypin e përditshëm.
Për Nënën
Mbrëmje tretë në andrime
Mbrëmje tretë në andrime
Por si zog tuj fluturu
Është mbledhur në kujtime
Sa herë malli më merr mu
II
Tash po të pys oj Hanë
Çë tan boten e shetit
Mos ma pe kun timen nënë
Ka shum koh që jam tuj prit
III
Nënë jote të kujton ty
Sa herë malli e molisë
Ti puth e të shem ata sy
Në vegime të vetëmis
IV
Një këta sy ti qoja pra
Për kujtim dhe dashuri
Sa her malli e molis
Let m’i pudh këta dy sy.
Për Baben
Sa herë kur bije shi
Sa herë kur bije shi
Unë rri naten pa gjumë
Rri i menduar për atë që e dua shum
II
Është babi imë i dashur
Që s’më len rahat
Shpesh më nguc lemza
Dhe më banë merak
III
Shpesh më pytë nana
Qke oj lara ime kush po të ngucat
Është babi im i dashur
Që s’më len rehat .
Argetina Tanushi
Ka lindur në vitin 1982, mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-
Filologji, dega "Gjuhë-Letërsi". Fillimisht punoi si gazetare kulture në Agjensinë
Telegrafike Shqiptare. Eshtë bashkëautore në vëllimin me poezi "Vargje poetike", si
dhe në antologjinë poetike "Nënës". Ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme lertrare,
si dhe është vlerësuar me çmime në poezi. Ka pasion pikturën.
Në këtë buzë-mbrëmje
(Babait tim)
Si petale e shkulur nga flladi
A flakë qiriu që dridhet lehtë
E mbledhur në lëkurën e buzë-mbrëmjes
Mbart mbi krahë ca grimca jete.
Sikur vetëm një moment shkujdesjeje
Në pëllëmbën tënde të strukem, si një fletë
Në atë çast që jam krijuar nga Ty
Në atë prag ku rrodhi jeta ime e qetë
Në këtë muzg jetën mëkova brenda një çasti
Në zemrën dhe bebëzat e syve të Tu
Në këtë muzg, psalmin e shartova me vargje
E solla afshin tënd pranë meje … këtu.
Tempull i mirësisë së përjetshme
(Medije Vraniqit)
Sa preka vellon e mirësisë tënde
Nga vesë e dlirësisë ndjeva krenari
asgjë bijë - më the -, si bën më mirë shpirtit
sa t'i falë një shpirti tjetër amësoren dashuri
Që nga ai çast mbeta në frymën tënde të dlirë
e shtrenjtë në afshin tim përjetësisht më je
Kokën mbi kraharorin tënd kam mbështetur
o Tempull i mirësisë së përjetshme
I falem...
(Falimjes Vraniqi)
Për një çast toka ndaloi diku
këtu ku puth agimet çdo moment
Në atë çast duart tuaja krijuan një urë
mespërmes dritës e puhizës plot shend
Në emër të fëmijërisë time të dlirë
I falem këtij pragu gjithë nder
Ju që minutat aq të rënda m'i kthyet
Në çaste që peshojnë veç vlere
Erdha ndër Ju me vesën
që rrezja e mengjesit ma thau mbi ballë
I falem... shpirtit tuaj të dlirë
I falem atij çasti që në jetë takohet rrallë
Se di kur do të të shoh më, babi im...
Ndër sy i mbaj lotët e tu
ashtu siç dolën nën një psherëtimë
se di kur më do të të takoj - më the
se di kur do vijë ajo ditë, - babi im
Kalova oqeanin, e tretur mbi re
si një zanë e vogël, e trishtuar
Në skajet e të të njëtit litar
mallin në sofer kemi shtruar
Mundohem hapësirës tek humb
të të prek çoftë nën një vegim
dallgës i lutem të më sjellë tek ti
të ndjej dridhjet e zemrës, si në atë agim
Jam pasardhëse e trungut të shtëpisë
dhe zemra tek ty më ka mbetur
e ndjej në rrahje tek frymon në Ty
... në Ty dhe shpirtin kam tretur
Arta Mezini
Ka lindur në qytetin e mrekullueshëm të Vlorës. Rrjedh prej një familjeje me tradita të
pasura qytetare vlonjate pranë të cilës kultivoi gjithmonë dëshirën për të ecur ne
gjurmët e dijes, të dashurisë per njerëzit, kohën dhe ndjenjat.
Mbaron Universitetin pranë Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike-Energjitikë Tiranë në
vitin 1996, po ashtu, paralelisht Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në gjuhët italishtfrëngjisht.
Arta Mezini jeton dhe punon në Romë.
…kërkova nëpër hartat e botës, alienet kozmike dhe objektin tokë, të mbledh e gjej
fjalët më të bukura për dashuritë e mia por, me kot…
…shëtita nëpër kopshtet e zëmrës dhe aty gjeta të vetmet lule që u dhurova kutive
sekrete të ndjenjës, atit e nënës dhe dashurive njerëz…dashurive te mia…
Buzeqëshja e penës
Kam frikë pena ime, kam frikë
Të ngjyej penën në dashurinë prindër,
Dora me dridhet, më tradhëton rrimën
Prej ndenjës së ëmbël por edhe intime.
Kam frikë pena ime, kam frikë
Prej botës së madhe asgjë nuk marr hua
Dhuratë kam gjithçka, veç zemrës që rreh
Udhën e jetës dhe udhëtarët që dua.
Jam e lumtur pena ime, jam…
E përkedhelur në dorën e një nëne
Prehem tek qesh në krahët e një ati
Si lozonjare që trazon veç ëndërrat
Kur jetën pa kushte dhe shpirtin më falin.
Jam e lumtur pena ime jam e lumtur
Kur si Prindër të dy bashkë u dashuruan.
Dea e bukurisë…Nëna!
Sa shumë xhelozi mblodhi sot mitologjia
Kur çiltër i fola me emrin tënd Afërditë,
Humbi titujt edhe kurorën, u tundua miti
Kur me këtë emër mbretëron vetëm një Nënë!
Legjenda e një Babai.
Herë ngjyrosur e zbardhur si vellot e stinëve në vite
Të kundroj me ëndjen e një bije…
Nëse përrallat janë te vërteta, ti je princi im i kaltër
Nëse legjendat janë të thënat e moçme, ti je heroi im i vetëm.
Nëse pema do të mbarojë frutat, ti do t’i çelje sythet për të m’i dhuruar
Nëse oqeani do të shteronte ujin, ti do të gjeje burimin pafund per mua
Nëse i ftohti do të ngrinte botën, ti do të ndizje zjarrin për të më ngrohur
Nëse yjet do të shuheshin prej qiellit, ti do të bëje dritë për të udhëtuar.
Nëse historia do të humbiste rrëfimin, ti do të bëheshe fjala për ta treguar
Nëse jeta do të humbiste vlerat, ti do të ishe krenaria për të më mësuar.
Nëse dashuria do të kishte një trofe
Ti do të ishe cmimi i parë që merret,
BABAI IM- njeriu më i thjeshtë dhe i dashur i zemrës!
Dalan Luzaj
Dalan Luzaj ka lindur në Vlore më 1944.
Ka botuar:
Jeta më gjeti vetëm (Life found me quite Alone)
Diejt të largët (Distant Suns),
Pa Rrugë (Routeless) .
Eshtë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Dielli u fsheh
(babait)
Trishtueshëm foli nëpër dhëmbë
dielli u fsheh
tej në re;
guri ishte aq i rëndë
askush s'mundi ta ngrinte nga ne.
Babai
Rëndojnë mbi të tetëdhjetë e ca vite
çdo vit i solli një dhuratë
Me shpirtin e pastër prej fëmije
Atdheut ia nisi për shpatë.
Mëmës
Shtrëngojnë vitet trupin me zinxhir
zemërzeza rreh në kraharor
thinjen vitet pa u rritur mirë
floku i zi
tretet nëpër borë.
Gjithë kjo etje,
kupa bën fire;
kthej vështrimin pas i dritheruar
dhe kërkoj një vënd
paqe
ku të ndihem mirë;
Vetëm ne prehëri yt,o nënë e adhurua !
Zemra e nenes
Qiell e det zemra e nënës
Dielli në mes
fëmija,
Jetës thekshëm le ta ngrohë
Pas vdekjes
shtrire dashuria
Me syte tuaj dua ta shoh.
Dhjetor,2007
Belul Shaqo Arapi
Belul Arapi
Lindi më 12 gusht 1928,n fshatin Ball të Përmetit.
Mori pjesë herët në Luftën Nac.-Çl. Ka mbaruar studimet e larta në degën Histroi-
Gjeografi.
Ka botuar vëllimin me poezi " BALA -DA JONÉ " ( 2000)
Babait
Sikur të mos isha plakur,
I mbytur me ngashërime,
Sedrën do ta kisha flakur,
Do qaja me ligjërime:
O babai im i urte,
Që aq shumë të rriti jeta,
I pa lodhuri si ti,
I drejti si e vërteta.
Këngëtar me zë të ëmbël,
Lis i pa lëkundur kurrë,
Tokën e bëje me lule,
Plot me misër e me grurë.
Rrite 13 fëmijë,
Vajza tre e djemë dhjetë,
Trungu pesëdhjetë e pesë,
Të ndritë shpirti për jetë.
Memaliaj 1994.
Çerçiz N. Myftari
Çerçiz N. Myftari
ka lindur në Dragot të Tepelenës më 27 dhjetor 1939. Diplomuar në Fakultetin e
Mjekësisë së Përgjithshme në Tiranë 1959. Në vitin 1967 specializohet për pediatër në
Tiranë dhe qysh nga viti 1968, vazhdon mjek pediatër në Memaliaj.Ka botuar :
Lundërtari ( Poemë) 1975
Fytyrën lumi e lë në det ( Poezi ) 1995
Gega i Labërisë ( Poemë) 1998
Më thërrasin engjëjt ( Poezi )1999
Mbretëresha e bletëve ( Përralla në prozë) 2001
Prushit vatra e mallit ( Poezi ) 2002
Njerëz të fatit tim( Mbresa, skica,tregime) 2003
Gjethja e Këngës ( Lirika 2006 ).
Në shuplakë të nënës
Gjermani te oborri krekosur mbi kalë,
shtëpinë tonë e dogji në zjarr.
Nënës iu mblodhëm nën sqetull,
sikur të ish ajo dyfeku.
Iku gjermani me trokëthin e kalit,
ne mblidhnim fushës fijet e barit,
Natën vonë kur doli hëna,
mbi bar na gjeti nëpër ëndra.
Veç zgjuar nëna shuplakat hap,
si tjegulla mbi ne e vesa s'na lag.
Çerçiz N. Myftari
Nga " Prushit vatra e mallit "
Diana Seitaj
Ka lindur në Korçë, njëri prej qyteteve më të shquar, për vlerat njerëzore, kulturore dhe
artistike.U rrit në një familje me ndjenjë të thellë atdhedashurie..Librat do të mbeten
bashkëudhëtarët e saja të përhershme.Në fillim të viteve 90-të,u vendos me familjen në
Chicago(Illinois),ku banon edhe sot. Përjetimet e një emigrimi të vështirë,do të linin tek
ajo gjurmët e veta. Mbi këtë sfond dhe shumë larg dashurisë se saj të përhershme për
vlerat që kishte lënë pas, morën formë librat;”Pafajësia e Largimit”,një përmbledhje me
poezi dhe prozë të shkurtër, më pas dy novelat,”Në krahët e një ëndrre” dhe “Ishulli i
palmave” e së fundi, novela”Hija e vetes”.
Një pjesë e imja...
Po të më pyesin sot,çfarë do të zgjidhja për ju,
do të thosha menjëherë,pavdekësinë!
Pa kërkuar në rrugën që kemi lënë pas,
pa pritur tek e nesërmja përsosmërinë,
mbi to,ju do të mbeteni përherë,dy prindër të mirë.
S'do të guxoja të gjykoja për asgjë,
në krahët e ngrohtë të dashurisë pa limit...,
edhe kur ndodh që veten, të mos gjej atje
edhe kur ndodh të shkel mbi të, prej gabimit tuaj,
s'do të mundja të mohoja, kurrë krahët nuk do të ktheja!
Dhe po të më pyesin nesër,çfarë do të zgjidhja për ju,
sërish, pavdekësinë do të thërrisja!
E nëse them, se jeni një pjesë e imja,
besoj se unë për ju..,jam e tëra.
Dhori Thanasi
Dhori Thanasi
Lindur në Tepelenë. Emri zyrtar Theodhor (Xhelil) Thanasi.
Diplomuar për Gjuhë Shqipe e Letërsi. Ka punuar mësues dhe gazetar.
Ka botuar vëllimin," Kërcitja" dhe antologjinë poetike," Bota s'ka gjumë",
"Perëndim i mallur"( redaktor dhe bashkëautor).Eshtë redaktor i revistës "Fotjonart".
Kujdes
Pothuaj asgjë
S’na mbeti prej tyre
Lufta, vitet, pleqëria
Trupat ua tretën
Më vonë shkuan
Dhe sendet
U zhdukën reliket
Si vetë ata
Muzetë e kombit
Boshatisen orë në orë
Të Qarqeve po ashtu
Si refren politik hiq e mos vur
Në shtëpitë nuk mundëm
Diçka prej jush të ruanim
S’kish vend as për ne
Me këmbë shtrirë të rinim
Po ju humbim pa e ndjerë
Si avujt e verës pa u parë
Ata që vijnë pas nesh
Faj s’do kenë në s’do thonë fjalë
Do lodhen si ndër shekuj
Shkërmoqur kemi rënë
E asgjë të saktë e të qartë
Për të shkuarën s’e thamë
Kështu do ngjasë dhe për ju
Si për Pellasgët apo Ilirët
Si për Biblën në foli shqip
Si për shqipen si gjuhë perëndie
E do na zhvatin si gjer tani
Me historinë e vjetërsinë
Me tokën ku njomi gjaku ynë
Me qiellin ku prehen shpirtrat tanë
Më vjen keq por s’më habit
E nesërmja pa prindër të na lërë
Se fqinjët e kanë merak të marrë
Ç’ lëmë pas dore, të tyren e kanë
Ndodhi që para e pas Krishtit
Mbollëm e stërmbollëm
Por s’u kujdesëm për të korrat
E me sa duket mësim s’kemi nxënë
Ti ruajmë “të lashtat”
Le të rrjedhin si lumë
Të duash është pak
Të kujdesesh është shumë
Edmond Ismailati
Edmond Ismailati
Lindur në Memaliaj. Ka përfunduar shkollën Teknik Ndërtim Miniere.
Vazhdon studimet e larta njëkohësisht për degët, Psikologji dhe Sociologji.
Eshtë bashkëautor në antologjitë poetike, " Bota s’ka gjumë'', " Perëndim i mallur"dhe "
Itaka e fjalës ".
Boton krijimtari letrare në organe të ndryshme të shtypit .Jeton në New York .
Tek loti mungesën përjetoj
( Babait Sherif Ismailati)
I trishtuar çohem çdo mëngjes,
Me shpresë se do të përqafoj,
Krahët bosh i mbledh me përtesë,
Mbushur plot dhimbje i shtrëngoj.
Nëpër trokitjet e portës po të pres,
I pikur nga malli, nëpër ëndrra të kërkoj,
Me të rrahurat e zemrës po të flas,
Të thërras e bashkë me ty të bisedoj.
Nëpër lotë eci, me shpresë të të shikoj,
Nëpër albume buzëqeshjet e tua i përjetoj,
Me mollezat, plot mungesë i ledhatoj,
Me shportë, lotët e shpirtit grumbulloj.
Të mos qash si femijë, pas largimit,
Por në heshtje si burrë, më ke mësuar,
Të kërkoja tek rrezet, me lutje drejt diellit,
Të përqafohemi, babë e bir të përmalluar.
Ai është i vetmi Zot në kupë të qiellit,
Mëngjezeve krahëhapur na bekon,
Tokës asnjëherë s'i ka munguar,
Perëndim nuk ka për planetin tonë .
Tek kjo dritë do të banoj përherë,
Si rreze, Zoti, çdo ditë do t'më dërgojë,
Mbrëmjeve si meteor do të zbresë,
Për ditë dhe natë, s'do të mungoj.
Qytet i heshtur
Befas mësova , babai më la jetim,
Në mbretërinë e qetësisë, ai banon .
Netëve psherëtima të heshtura dëgjon,
Mos vallë ai do t' kthehet, fshehtas na përgjon,
Të krisura, lotë dhimbjesh, ditën sërish vajton.
Dënesën shekullore, qyteti i pazhurmshëm trashëgon.
I fundosur tërësisht , ka vendosur të ekzistojë.
Vetëm dyert të ftohta , të mermerta i dalloj,
Të bindura nga dalta, gërma mbi gurë të mpirë lexoj,
Në krah të tij,një shoku im, jeta e ka vendosur të banojë.
Ky qytet kontrastesh, luleshumëngjyrshe populluar,
Me tinguj e rrebesh lotësh, e me lule ngushëlluar,
Ç'fat i keq, njëri ikën i ri e tjetri plak,s'ka ligj për t'a ndaluar.
Tek porta e banesës së fundit, fotografinë e tij shikoj,
Mendueshëm,me shikimin e mekur sikur më vështroi,
Bashkë me heshtjen diçka kërkon të thotë.
Në moshë rinore papritmas jeta e tij ndryshoi.
Largesat në këtë stinë, vetëm Zoti i urdhëron.
Kush largohet i ri e jetën e vet qiellit i dhuron!
Fjala nëne
(Nenes Zengjine Ismailati)
Nënë !
Kjo fjalë që buron jetë.
Nënë!
Kjo fjalë që shkrin ç'do trishtim.
Nënë!
Kjo fjalë ndal ç'do dallgë të hidhëruar
Dhe e kthen gëzim në shpirtin tim.
Nënë!
Kjo fjalë plot legjenda
Që mbart veçse madhështi.
Ç'do rrudhë e lënduar
Daton një histori.
Thinjat vetë flasin
Për sakrifica dhe dashuri.
Kush e vlerëson fjalën nënë
Ka bekim në përjetësi.
Eduard Dilo
Ka lindur më 1958, në Sheperin e shquar të njerëzve të penës e të pushkës.
Ka mbaruar me sakrifica të mëdha gjimnazin pasi e përjashtonin për arsye të biografisë.
Më vonë ka përfunduar të mesmen ekonomike. Gjyshi i tij është patrioti dhe
gramatologu Ilia Dilo Sheperi, si dhe nipi i trimave të pushkës Pano Xhamballo e Jani
Dilo, të cilët luftuan e punuan për “Shqiptarë të lirë ne një Shqipëri të lirë".
BABAIT TE BURGOSUR
E ndjej humbjen për Babanë
Vite kam që s'e kam pranë
I vogël , fëmijë unë isha
Kur të gjith' thirrnin Baba,
Unë atë s'e kisha,
Dhe pse gjallë, gjysmëgjallë,
Larg larg e kishin marr,
Nëpër hekura, syrgjynosur,
Vuajtjet për të nuk kanë të sosur!
Je pasqyrë e një Epoke
Atë Janar 91-shi,
Kur shpresuam te liria,
Zemrat me plumba u shpuan,
Natën u përgjak shtëpia!
Vranë , masakruan një nënë,
Nënë trime për cdo shtëpi,
Djajtë me hanxhar në duar,
Të therrën, o Nënë Kaliopi!
Dhe tani aty buzë rrugës,
Aty pranë tek nje arrë,
Gdhendur në mermer janë fjalët,
Për atë që lart ka ngjarë.
E masakruar flet Nëna,
Fjalët e saj i dëgjoni:
Jo hakmarrje, por drejtësi,
Masakrën , ju ta gykoni!
Ah , moj Nënë e masakruar,
Grua trime sheperjote
Ashtu ngrirë në mermer
Je pasqyrë e një epoke!
New York, Prill, 2001
Eleonora Gjoka
U rrit dhe u edukua në një familje, me merita të
vecanta shoqërore dhe intelektuale, në Qeparo.
Ka mbaruar arsimin e Lartë në Tiranë.
Eshtë bashkautore dhe në disa botime librash, si
"Nënës" " Kur e lë zogu folenë" dhe ka për botim librin me poezi
Jeton në New York me fëmijët dhe bashkëshortin e saj.
Une ti dhe koha
Ku je, si ike sot, s'te ndjeva,
Si sot si cdo dite qe shkon,
Ti nisesh me yllin e mengjezit,
As kafen s'mund ta pime tok.
Kur dita sjell mengjezin blu,
Ne kembet trenave coptojme,
Ti ne metro une ne autobuz,
Presim te dielat, te na gezojne,
Dhe javet rendin si veri,
Vitet furtune me tallaz,
A thua do vijme perseri,
Kush iku dhe u kthye pas!
Dekadat shkuan me revan,
Qe kur nisem jeten ne rini,
Tani qe forcat po shterojne,
Thua do gjejme pak qetesi.
Vjeshta afroi, gjethet zverdhojne,
Po shkojne te treten ne dimerim,
Dhe ne te dy kohen gjurmojme,
Deri sa te ndali dhe treni yne…
U mplak nena ime
U mplak nena ime,
U mplak si shume,
Pas asaj e kam rradhen une.
Pasi shkoj e gezoj nje periudhe,
“Mos u largo me thote,
S’ke ndenjur kete here shume”
Eh,
Kush u ngop me dashuri,
As nenat e gjithe botes, as nena ime,
As une me femijet e mi!.
Fatjon Pajo
Fation Pajo ka lindur në Kamëz të Tiranës më 06.10.1958, dhe tani banon në qytetin
Elmwood Park të Illinois. Në vitin 2000, botoi vëllimin e parë poetik të titulluar, "Të
kam pritur" i cili u prit mirë si nga lexuesi ashtu edhe nga kritika letrare. Pesë vjet më
vonë, me ndihmën e shtëpisë botuese "Guteberg", botoi edhe romanin e tij të parë
"Zemër nëne".
Tim eti
Megjithatë rrugën mora
Që pa gdhirë për ty
Pse e dija mirë
Po të mungoja këtë përvjetor
S’kishe për të ma falur lehtë
Jo kurrsesi.
Sharjen ta durova
Pse s’të solla nipat
Ta durova brengën
E nëntëdhjetë viteve
Por kur me ne u shtrove
Paçka se jashtë nxinte
Si dikur i vogël
Me mall të pushtova.
Në gropëzat e syve
Ndala pak vështrimin
Një jetë ndarë
Unë bar i njomë
Ti ende pa tharë
Dhe së brendshmi
Mallkoj “padrejtësinë”
Bërë ndaj ne të dyve.
Sot bie shi…
Mbështes ballin në gjoksin tend
E me vehte them:
-S’ka si Ti!
Zëri i nënës
Natën me ëndrra e gdhiva
Megjithëse rrallë më lodhën
Gruas gjumin, jo s’ia prisha
S’desha të trembja as të voglin.
I lashë në mbretërinë e tyre
Dola të qetësohem në ballkon
Para më del një shembëllim fytyre
Nga zëri ajo me nënën më ngjason.
M’u rrite bir e s’u çmallëm njëherë
Flokun e zi ta pushtoi një thinjë
Nëna s’ka durim gjer në verë
Mos m’i bëj sy e zemër përvëlimë.
Dhe lemza më hoqi këtë mëngjes
Ndoshta është nëna që më kujton
Shpejt u vesha dhe gruan pëshëndes
Drejt saj u nisa me të parin furgon.
Mars,2000.
Nënës
(Pas 6-të vitesh larg Atdheut.)
Ti je një engjëll në sytë e mi
Apasionatë shpirti në vlim
Je vesitje mëngjesesh
E ngrohtë…e malluar
Qerpiklagur ngaherë
Zemër përvëluar
Je i vetmi stacion
Ku unë falem pa vështirësi.
Do të lutem sot për Ty…
Do të lutem sot për Ty…
S’mund t’i mbaj dot brengat
Ankthin e pritjes
Gjer të të shoh
Vitet e tua ekran i mjegullt
Pa tretur mire ëndrrat
Më dhembin…
Kaltërsinë e detit tend
Sytë e mi mezi presin.
Për lodhjen e ballit tend
Nënëza ime
Për ngrohtësinë e pulsimit
Rrugëtimit të gjatë
Ndër kontinente
Për shpresën grusht mbledhur
Unë shpirtplagosur një jetë
Do të lutem sot për Ty…
FLORI BRUQI
Flori (Maxhun) Bruqi
U lind më 29 qershor 1952 në Isniq të Deçanit(Kosovë).
- Studimet e Defektologjisë i kreu në Beograd ,ndërsa ato posdiplomike (Magjistraturë)
në Universitetin e Prishtinës - në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit (2004).
Mr.sc. Flori Bruqi , deri më tash ka botuar mbi 15 libra letrare ; 6 libra shkencorë.
Shkrimet e tij lexuesi ynë shpesh herë i ka lexuar në disa web site interneti si në
“ALB-SHKENCË “; “ART-CAFÉ”,:” FLOART” FLORI-PRESS” - - “SPORT-RITMI
I ZEMRËS”,"METAFORA POETIKE" etj.
RREZE DRITE
Për Ty nga zemra
këtë poezi po e rris
asnjë hije muzgu
nuk i fus brenda
Ti kërkon dritë
se ishe dritë
siç janë dritë
të gjitha nënat.
Vije Ti
çdo mbrëmje
duke më pëshpëritur:
-Natën e mire bir
çelësin mos i’a vë derës
do të vijë nëna
(gjumin pa ta prishur)
me hapa të pranverës
Biro
të të shoh mos je shpluar
kur ike
Unë të putha
a thua më ke ndjerë
ndoshta vetëm koha
si rreze drite
në mua t’paska mbetur
Këtë poezi Nënë
nga zemra e shkrova
dhe hije azhuri
s’i futa brenda
Ti kërkon dritë
se ishe Dritë
siç janë Drita
të gjitha Nënat
Fotjon (Tony) Thanasi
Lindur në Tepelenë më 1982. Nisi studimet në Memaliaj,
i vazhdoi në Athinë, Tiranë,Sant Lake City dhe i përfundoi në Michigan.
I shquar në pikturë, kompozim, kitarist, këngëtar dhe poezi. Për rezultatet
e arritura është radhitur në top listën e studentëve më të mirë të
rreth 205 universiteteve të SHBA-së. Është bashkëautor në antologjinë
poetike," Bota s'ka gjumë'' , përmbedhjen poetike " Twilight musings'',
botuar prej " The International Library of Poetry"2005" dhe " Itaka e fjales".
Për ju
(Prindërve)
Duart e mia do t'i jepja,
Tuajat të mbroja.
Sytë e mi do të mbyllja,
Tuajat të ruaja.
Jetën time do të falja,
Për ditët tuaja.
Dhe botën,
Për ju do sakrifikoja.
Syri im do vazhdojë të shohë,
Mendja ime do të vazhdojë të hulumutojë.
Shpirti im për tek ju do udhetojë,
Duart e mia Zoti tek ju do drejtojë.
Gëzim Ajgeraj
Gëzim Ajgeraj
Që nga viti 1987, filloi të botojë thesar librash, si:1. “Klithmë malli”, poezi, “Rilindja
Prishtinë,1997; 2.”Ëndrra për parajsë”, poezi,“Rilindja“,Prishtinë, 1998; 3.”Qiellit po
digjem”, poezi, “Rilindja“, Prishtinë, 1998; 4.”Flakë në plagë”, poezi, „Rilindja“,
Prishtinë, 1998; 5.”Kënga e babait”, poezi për fëmijë, „Apolonia“, Prishtinë, 1998; 6.
“Urti popullore të Vërrinit 1”, (bashkautorësi), „Apolonia“, Prishtinë,1998; 7.
“Mallëngjimi”, poezi, „Rilindja“,2000; 8. “Balada e Vërrinit”, K.L. „F. S. Noli“,
Prizren, 2001; 9. “Rruga e lirisë”, dramë, „Meshari“Prishtinë, 2007; etj.
DITA KUR MË MORËN IKJET U MBYT NË SHI
Dita kur më morën ikjet
u bë plagë në zemrën tënde
Më fal nënë
Qielli u mbyt në shi
Vërshuan udhët
Dy dekada iken
nga ajo ditë plot lot
që t’i vrau shpresat
e nuk t’i ktheu më
NËNË, MË FAL PËR
LOTËT E TUA
Nënë
si të ta fshij lotin
Unë rob i udhëve
Largësia në mes
u bë lot në shami
E di
Po si t’ia bëj
me udhët
Unë zog i arratisur?...
pa strofull
SOT PO TA NIS MALLIN
Për sonte
po ta nis mallin
Nuk më ka mbetur
asgjë pranë
pos etjes për dorën tënde
mbi ballin tim
dhe zjarrmisë
që përvëlon
Oh,
ç'zjarrmi kam sonte
Nënë...
PRITMË NËNË
Pranë gurit të vatrës në pragun e shtëpisë
Nën strehën e llamarintë ku bari varet shi
Me shikimin kah dielli që djeg prej mërzisë
Ngrohu kujtimet e shpresës së kthimit tim
Unë do të kthehem plis bardhë pa plis
Me kujtimet e ikura moteve pa ty
Vetmisë sate e simes plot errësirë
E ta çlodhim mallin në vjeshtën e vonë
T’i djegim motet e hidhura të largësive
Nën tingujt e këngëve për nipat si lisa
E nuset që do të na i mbushin oborret
Stërgjyshes e gjyshit t’ia numërojnë
thinjat mbi ballë.
GËZIM LLOJDIA
Gzim Llojdia
Lindur në Vlore .Origjina e familjes nga fshati Progonat Tepelenë
Ka botuar librat:
1-“Ardhja e Naimit” –libër studimor viti 2000
2-“Dielli lind atje ku perendon” – studimor viti 2001
3-Beqir Skendo Rama-libër historik.
4-Frymeprerja-libër me poezi -2007
5-Rilindasi nga Katundishta e Permetit, Zahim Muharrem Brahimaj-viti 2007
Do ti mbledh lotët e gjyshes pas plisit
Mullarët e barit u kalbën,te konakët tanë,në katundin e largët.
Oborri gri i heshtur ditën dhe natën,kasollja e lopës me bajga tharë,
thupërishtet rënë,mbi thanë.Fener poçethyer,gjysmë i ngrënë.
Vivari i Goronecit, i shterpuar në zheg ,gurënxirë.
Në lëmin e Muhos,s’ka më kuaj hardall,grunjërrat janë shirë
mëllagat rrethuar,si nëpër ëndërr .
Zogjtë mbretëror çukisin grunjërat e fundit,druri i lofatës ,harku i madh i
portës,dhëmbëzuar,
shelgu i vetmuar lastarritur, mëndje harruar.
Zinxhiri i Kulos ,kaq kohë ndryshkur,ndjellur pas të zotit,natëikur.
Qenë i pabesë.
Varrezat dherrëzuar në hënë , rritur qiparisat,prekin mëngjese të pashpresë.
Dërstila gojëshqyer, tretur e plakur dhëmbgremisur
Ujërat s’vërtiten, mbi grumbullim drunjërash, bluanin dramën heshtje,
mbuluar nga hithrat.
Velenxë ende e patharë,hedhur mbi zgavrën e lisit,
fshehur unë mbledh lotët e gjyshes,nëpër gjurmën e plisit,
do t’i puth në muzg.
Gjekë Marinaj
Ka qenë e djela e fundit e muajit gusht të vitit 1990-të, kur në një cep të gazetës letrare
"Drita", një poezi e fare e shkurtër e titulluar "Kuajt", tërhoqi vëmëndjen e lexuesve të
shumtë dhe bëri një bujë të jashtëzakonshme, aq sa tirazhi i madh i gazetës së njohur u
përpi brenda ditës.
Marinaj është një figurë komplekse, e rrallë në letërsinë tonë: poet, përkthyes, editor,
gazetar, publicist, pedagog. Gjeografia e tij krijuese fillon nga Shkodra, nga Veriu i
Shqipërisë, dhe vazhdon deri në skajin tjetër të globit, në Dallas të Teksasit, në Jug të
Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kemi të bëjmë me një emër të dëgjuar në Shqipëri,
në Evropë, dhe në Amerikë.
BABAI DHE NËNA
Eh, sa barrë të rënda kanë tërhequr gjer këtu
Kurrizet e tyre të ikura prapa si harqe shigjetash.
Dhe prapë qepallat u hapen e mbyllen
Si kopertina të vjetra librash—
Ditarë të saktë legjendash.
Fundshekulli u shkrihet si një flok dëbore në pëllëmbë.
Sikur ligështohet para tyre i vrarë në ndërgjegje...
Se prindërit e mi prej tij nuk panë asgjë të bukur,
Përveç shtatë fëmijë, si shtatë ditë jave të kthjellta.
Përpiqen t’i thonë “Rrugë të Mbarë!” me buzëqeshje,
Sikur i kanë fshirë të gjitha mëritë ndaj tij dhe jetës
Me gomën e tyre të artë prej qëndrese dhe heshtjeje.
DUART E NËNËS
Lexoj duart e nënës
Që fytyra ime të ketë vlerë.
Gjithçka në vija të holla,
Ose brazda të thella...
Mozaikë hallesh
Duart e saj prej shenjti:
Porte ku vaporët e vuajtjeve
Ndalen për të kaluar natën.
NË DITËLINDJEN E NËNËS
Sapo e pashë në ëndërr nënën.
Si një trëndafil i velur në
Dorën e një shenjti, me
62 petale të rëna dhe të
Kalbura mbi tokë. Koka e
Saj akoma varur në
Qiellin e një jete me re të
Zeza që hezitojnë të kthehen
Në shi. E pastër dhe e qetë si
Një zonjë, për herë të parë i
Lejoi sytë e saj që nëpërmes
Syve të mi të njomin jastëkun
Tim prej puplash. Prej puplash të
Ndukura prej pulave të
Bardha që për të kënaqur dikë
Janë therë dhe përvëluar
Në ujë të valë. Si të fle, kur heshtja
Në dhomë më ngjan se avullon?
Në njërin vesh më bëhet se
Dëgjoj krismat e lugëve dhe
Pirunëve të zonjave më me fat në
Tavolina, kurse në veshin
Tjetër më duket se dëgjoj
Zhurmët e lopatës dhe
Të tërfurkut të nënës në arë...
O, e di, e di se burrat nuk
Qajnë (të paktën kështu më
Thoshte nëna kur isha i vogël),
Por më dhimbset në shpirt e shkreta:
Ajo është tepër e re që të vdesë
E tepër e lodhur që të rrojë.
HIMN PËR PRINDËRIT E MI
Rritja ime është vetëm një avull i ngrohtë
Në gishtërinjtë e tyre plot kallo
Njëzet shkopinj me nyje
Që mbledhur së bashku
Víglën më hyjnore të dashurisë,
Kompozojnë për mua.
Unë edhe mund të jem
Zhurma që nxjerr një fletë gjatë zhubulisjes,
Hapësira midis dy strofave të një kënge,
Apo era e freskët që lëshon boja gjatë shkarravitjes.
Por identiteti më i saktë i qenies sime
Gjithmonë do të gjendet i mbjellë thellë
Në dheun e mbetur gjatë punës
Nën thonjtë e gishtave të prindërve.
MALL PËR NËNËN
E mora gjithësinë në duar
Të shuaj mallin e nënës,
Por kjo ndarja e tërbuar
Qenka dhimbja e dhembjes.
Diku atje larg përtej detit,
Diku atje lart buzë qiellit,
Vështrimet e ftohta të hënës
Gjithnjë venisin sytë e nënës…
Jemi ndarë në këtë botë
Si substanca të truara malli;
Dëshirat sa nisën dështojnë
Kthehen në vdekje për së gjalli.
Tek i ndjek si foshnje ëndrrat,
Me duf ia shtyp dy polet globit,
Sepse boshti i tij prej flake
Rrotullon tokën kot së kotit.
NËNA E POETIT LUIGJ ÇEKAJ DHA SHPIRT
(për mua, prindërit e një poeti janë prindërit e të gjithë poetëve)
Jeta e nënës së poetit,
U mbyll me më pak fishkëllimë se një ombrellë.
Zemra e saj
Për herë të parë
Murmuriti vetëm për vete,
Sikur po citonte
Një alfabet të ri
Për profecitë e së ardhmes,
Shkruar diku midis
Botanikës dhe anatomisë së dy gjetheve.
Si një avokateje
Të mundur në mbrojtjen e të birit,
Gjaku në duart e saj e humbi finesën;
Pa shkruar asnjë ligj të ri njerëzor në këtë botë
U ngri si një deltë poetike mbi vdekjen.
E pafaj si vetë parajsa,
Formoi në fytyrë
Një helikë të dhembshme buzëqeshje,
Dhe përfundimisht lëshoi mbi gjoks,
Si dy fletë të shkëputura Bible,
Duart e saj të ndershme njëra mbi tjetrën.
Gjeto Turmalaj
Gjeto Turmalaj
Ka lindur në Razëm të Vrithit, në Shkrel të Malësisë së Madhe më 12 Gusht 1942.
Shkollën Fillore e ka kryer në Vrithë, shkollën 4 vjet "unike" në Fier, të mesmen të
përgjithshme pa shkëputje nga puna në gjimnazin "Hydajet Lezha" në Lezhë. Ka
shkruar shume poezi, vjersha e rapsodi. Shkruan tek revista "Kuvendi" në Michigan, në
revisten "Jeta Katolike" në New York, gazetën "Illyria", New York dhe në revistën
fetaro-kulturore në Tuz të Malsisë Madhe "Zani i Shëna Ndout". Ka botuar dy libra me
poezi dhe dy në prozë..
Ka botuar:
FJALA SI FILLIM, poezi (2002)
SA LARG, poezi (2004)
UDHA E AKNKTHI.proze (2007)
GJURM NE ZEMËR.proze (2007)
PËR NANËN
Është pak, kangë pa fund me këndue,
Është pak, vargje pa fund me shkrue,
Është pak, me thur hymne pa ja nda,
Është krejt pak me ja fal zemrën që ajo ta ka ba.
Prej krahnorit të saj vjen në jetë,
Në dashnin e saj shpresën e mbështet,
Në momentin ma të vështir “thrret o Nanë”
E bekimi i saj të mbulon në çdo anë,
Së është krijesa ma e madhe e dashnisë,
Se është shpirti ma i madh i ngrohtësisë,
Edhe kur të mbarojë drita e Diellit e Hanës,
S’ka për të mbarue madhështia e Nanes.
PËR BABËN
Emni babë është nderim,
Emni babë është edhe stuhi,
Emni babë është bekim,
Emni babë shembulltyre.
Kur thërret babë lumturohesh,
Kur thëret babë edhe përmallohesh,
Dhe vjen nji ditë që vdekja të nda,
E zemra për Atin fillon me kja.
Humbja e babës leshon rrufen e saj,
Se aty trupi ka pas rranjë,
Atëherë një vetmi e frikshme të rrethon.
Pikllim e drithem shpirtin e kapllon...
PARA VARRIT TE NANES.
Ju luta,ju luta,e ju luta hanës,
T’më lëshonte nje rreze mbi varrin e Nanës.
Më lot në sy iu luta ylllit sabahit,
T’ma ndriçonte varrin e Vëllait.
Em’u përgjigjën ato rreze prore :
Jo, nuk shuhet malli që për këto vorre;
Përse ike aq larg dhe u ktheve kurrizin?
Apo mendove se vetëm përtej oqeanit,
do gjeje parrizin?
Unë duhet ta dija se një gjë e tillë ishte e pa mundur,
S’shuhet malli për familjen dhe atdheun e bukur,
Për të gjallë e të vdekur sypërlotur e shpirtëkëputur,
Jeta humbiska njomsinë me shpejt se një lule e kputur.
Gjezide Isufi
U lind në Shipol të Mitrovicës, Kosovë, më 1952. Shkollën fillore e kreu në vendlindje,
kurse atë Normale pesëvjecare në Mitrovicë.
Ishte mësuesja e parë në Shipol. Pranimi i saj si mësuese në Shipol ishte një
gëzim i papërshkruar për banorët e kësaj lagjeje të Mitrovicës. Detyrën e
filloi në shtator të vitit 1972 në shkollën ” 29 Nëntori ” ku punoi 20 vjet me
plot impenjim dhe pa ndërprerje deri më 1992. Në po këte vit, familjarisht
për shkak të dhunës e represionit që kryente pushteti sërbo-slav në Kosovë, migron në
Suedi. Poezia eshte pasion i perhershem i saj.
Rrëfimet e babait tim
Kur frynte erë e fortë
e binte borë perjashta
nga babai kërkonim
rrëfime të lashta.
Pjeknim gështenja
në qoshe të stufës
e babai na rrëfente
tregimet e luftës.
Për luftën e drejtë
që zhvillohej për liri
ku morën pjesë
bashkëkombasit e mi.
Por, në Tivarin e bukur
që e viziton gjithë bota
shqiptarët u asgjësuan
për ideale të larta.
Luftonin të përqafuar
kundër të njejtit armik
duke menduar
se të gjithë janë “miq”.
Sa çudi e madhe
si s’ia patën frikën
kur pas shpinës së tyre
paskan pasë thikën.
Nënës sime
Në natën e errët
kur nis’ të ndriçoj’ hëna
në mendjen e fëmiut
ashtu duket nëna.
E bukur, e ëmbël
e gjithnjë krenare
më duket se e shoh
nënën në dritare.
Në përqafimin e saj
gjithnjë ish pranverë
edhe po të kishte
borë gjer në derë.
E urtë, e dashur
mikëpritëse e bujare
ashtu siç u ka hije
t’gjitha nënave shqiptare.
Sjelljet e saj
t’gjithë i kishim lakmi,
ndaj, ashtu mundohem
t’i edukoj fëmijët e mi.
Nënëloke e dashur
sa shumë qenke plakë
mungesa e fëmijëve
t’paska djegur flakë.
Por, ta jap fjalën
e të betohem
se këtu ku jam
nuk do harrohem.
Do kthehem së shpejti
e do t’i kthjelloj sytë
se e di, në fund të sokakut
je duke më pritë.
Do kthehemi të gjithë
e do të përqafojmë
se pa dashurin’ tënde
s’mundemi më të rrojmë.
Hasibe Alishani–Bllaca
U lind më 27 shtator 1937 në Prizren.
Fillimisht u punësua në Krushë, mandej në Sydeçan e Mushishtë. Pikerisht në këtë
fshat e njohu arsimtarin Gani Bllacen, me te cilin lidhi kurorë. Më 1975 kaloi ne
shkollen “Lek Dukagjini” ne Prizren, ku si mësuese shumë e dalluar e mbylli karrieren
e saj fisnike. Tani jeton ne Prizren, akoma jeton me kujtimet e ëmbla per nxënësit e saj.
Ka botuar librin me titull: ”Kam një mall”.
NENA IME-NENE E DESHMOREVE
Nëna ime traditë e kishte bujarinë,
Me dashuri na rriti, na edukoi;
Në zemër na e rrënjosi atdhedashurinë.
Dy djem Kosovës ia dhuroi.
Nga lufta çlirimtare ata nuk u ndanë
Për bashkimin e trojeve e te kombit shqiptar;
Dy djem, kunat e burrë dëshmorë ranë,
Të gjithë luftëtarë të Ballit kombëtar.
Humbi djem, vëllezër, kunat e burrë,
Ballë i bëri vuajtjes, po për lot s’diti;
Nuk lëshoi gjëmë, s’u ankua kurrë,
Nëna ime e fortë - si graniti !
Prej nesh çdo dhëmbje fshehu,
Fytyrën e kishte, prore, porsi nur;
Vujatjet e mëdha të shpirtit kurrë s’i shprehu
Nëna ime trime, nëna ime zemërgur.
Durimin e saj akoma e admiroj,
Në shpirtbardhësinë e saj prore betohem;
Në stuhitë e jetës pa u lëkund qëndroi,
Me nënën time të shtrenjë prore krenohem !
Në ngrohtësinë e gjirit të saj, të prehem dua,
T’i dëgjoj të rrahurat e zemrës diellar,
Flokët e zbardhur të ma përkëdhel dua
Dora e saj e butë, me gështërinjtë qelibar.
HYSEN CIFLIGU
Hysen Cifligu
Ka lindur në fshatin Pilur të Devollit më 2 Prill 1957. Si pasojë e zbatimit të luftës së
klasave të sistemit komunist, nuk lejohet të dalë nga "kutia e zezë" e biografisë "kulak"
së familjes. Shkruan poezi, duke dhënë mjaft prej tyre për lexuesit në faqet kulturore të
internetit, dhe është gati për botimin e librit të parë.
Prej vitit 1997 jeton me familjen në Florida, SHBA.
.
Larg dhe afer
Bilbili këngën mori, mesnata kujton,
Nje e qarë foshnje, këngën shoqëroi.
Ish nipi yt që u lind, ne mërgim tani jeton,
Bilbili pyet mesnatën, ky djalë pse larg shkoi?
Një oxhak, tymin lart e ngreh ngadalë,
Dita, pa zbardhur, sa shpejt ke munguar!
Rruga me lëndine heshtje që kur ka vallë,
Hapat e njohur trokasin larg të mërguar.
Nën hije të qershisë, mbi breg kur pushon,
Zemrat që larg ikën, ndermënd Baba i sjell.
Ndarë prej dashurisë, ty loti të pikon,
Qershia hap kujtimet, ti bregut mallin mbjell.
Në zarf, një letër, ty të vjen papritur,
Me duar që dridhen, ti e hap ngadalë.
Mbi shkrim, pika loti i shikon të ngjitur,
Malli zgjedh tek deti, më të ngrohtën valë.
Më thuaj
Nuk mbaj mënd,
A ta dëgjova zënë?
Dy vjet isha, dy...
Kur vetëm më ke lënë.
Qava a qesha pë ty,
Më thuaj e mira Nënë!
Nuk mbaj mënd,
A kam qënë në të ëmblin gjumë?
Dy vjet isha, dy...
Dhe s'isha me shumë.
A kisha dashuri per ty?
Më thuaj ta di unë!
Nuk mbaj mënd,
Sytë si i kishe ti?
Dy vjet isha, dy...
Kur dritë mbi mua rrezatoje.
A ta ktheja unë me sy?
Më thuaj, sa fort më doje!
Nuk mbaj mënd,
Atë cast kur ti më le.
Dy vjet isha, dy...
Kur qiellit fluturove.
Shi apo lot të derdhën ata sy?
Me thuaj, për mua, si durove?
Se largu belbëzoj
Lamtumirë pëshpëritëm për një çast,
Dhe loti u derdh me ngashërim.
Kurbetit, hapat m'i mdoqe pas,
Tek ty unë mbeta me përmallim...
...Kur të lashë tek vatra, Babai im!
Lamtumirë pëshpëritëm ne të dy,
Dhe s'patëm zë, por belbëzim.
Urimin më dhe me lot në sy,
Do shihemi të thashë, pa diskutim...
...Kur të lashë tek pragu, Babai im!
Lamtumirë pëshpëritëm plot dashuri,
Dhe fort u përqafuam, si asnjëherë.
Një çast, ti mbete ngrirë, si një qiri,
Unë, si një flakë ndezur, u bëra erë...
...Fati, më the, të mbiftë në derë!
Lamtumirë pëshpëritëm ne përsëri,
Kur erdha të pashë ty atëherë.
Kurbeti dhe fati ngjasojnë, më the ti,
E ndjek për sa mund, ja si të të bjerë...
...Së largu belbëzoj, tek varri të vi përherë!
FJALA E NGROHTE E GJYSHES
Fjala e ngrohtë e gjyshes, ëmbël vjen e del,
Si stinë pranvere, që lule rrit e çel.
Rrjedh prej dashurie plot me mirësi,
Derdh polen ku bie, mjaltë e harmoni...
Të kujtoj o gjyshja ime, Nënë m'u beri ti,
Në prehër, me ledhatime, më rrite si fëmijë!
Jo! -- Askush s'e thotë të plotë atë fjalë,
Veç urtësia e gjyshes, qe qetëson çdo valë.
Se lule manushaqe, pas lule të tjera,
Që vine erë paqe, i rrit veç pranvera...
T'i puthja te fishkurat faqe, kur të sillja lule-shqerra,
Eh, sa më kënaqe, -- më thoshe, gjyshe, ngahera!
Julia Gjika
Julia Gjika
lindi më 11 Korrik 1949 në qytetin e Gjirokastres.
Ka botuar mjaft poezi në organe të ndryshme dhe dy vëllime “ Ditelindje”(1971)
dhe “Ku gjej poezinë”(1978) Nga viti 1996 u shperngul në SHBA ku jeton me familjen
e vet.Këtu, ka vijuar të shkruajë e të botojë poezi, portrete e kronika në gazetën Illyria
dhe organe te tjera.
I VETËM BRENDA KATËR MUREVE
Kushtuar babait tim që mbeti
jetim në pleqëri
Brenda katër mureve babai,
qëndron me orë të tëra.
I shtrirë në divan.
Ngrihet, sa për të çmpirë këmbët.
Hedh sytë nga ballkoni,
tulla të kuqe të pallatit tjetër.
Shkon në dhomat e fjetjes,
të ftohta.
Flet me objektet memece.
Del në ballkon.
Prek gjethet e gjelbëra të mëllagave.
I gëzohet lules që çel.
Këput piperkat e kuqe djegëse,
në dimër do t’i shijojë me fasulet.
Shikon orën që nuk ecën,
minutë pas minute.
Kur i telefonon dikush,
flet si femijë i braktisur, gati qan.
-Me kë je atje?- e pyes në telefon
-Vetëm, vetëm, me kë tjetër.
-Të vizitoi njeri sot?
-Një javë më parë ime motër,
me pleqërinë e saj.
-Si i shtyn ditët?
-Me albumet, thotë dhe qesh.
Ju kam të gjithëve në albume,
gruan, fëmijët, fëmijët e fëmijëve.
Më duhen ca albume të tjerë
Kur dikush i troket në derë,
ai nuk e dëgjon,
po të dëgjojë,
nuk beson,
se dikush troket për të.
Babai jetim në pleqëri
LARGIMI I NËNËS
Dimër
I ftohtë Dhjetori.
Ngricë.
Në çastin e fundit,
ajo thirri emrin e nënës së saj.
Pastaj hapi krahët.
Të gjallët,
për të, nuk ishin më .
Të vdekurit , o Zot,
ajo fliste me ta.
Ata ishin atje,
rrotull, pranë shtratit të saj.
Vetëm ajo i shihte.
Ajo fliste,
përçartje ishte, c’ishte?
Emra, emra, emra .
Erdha, po vij, prit.
Qeshte, e gëzuar ish.
Të gjallët qanin ,
ajo po ikte
Shikonte diku larg.
Nga syri një pikë lot,
Në heshtje pikoi,
në fund tek cepi syrit të djathtë,
pastaj u rrukullis e ra,
në shtepinë e ftohtë,
në Dhjetor.
Po largohej përgjithnjë.
Po shkonte diku lart,
ku e priste ngrohtësia ,
krahëhapur.
Vetëm ajo shihte atje.
Të gjallët, akoma s’besonin.
Ajo po ikte,
duke lënë pas akullnajë,
dhimbjen,
për ate që s’kthehet .
ÇFARË NUK MUND
TË JETË NDRYSHE
Përpiqem të shkruaj,
e më shumë shuaj,
e më shumë vuaj.
Era që fryu na ndau,
tanët u bënë të huaj,
me të huajt, rrimë kaq pranë.
Kërkoj diçka të ngjashme,
me fytyrën e nënës sime,
nganjëherë, gjej ngjyrën e flokëve,
por jo, krehjen e saj.
Një vajzë në rrugë,
eshtë elegante, si motra ime,
por, nuk ka zërin e saj.
Një burrë i moshuar,
i menduar, si babai im,
por, nuk bën zhurmën e hapit të tij.
Kërkoj timen,
ka mbetur larg,
ndaj shkruaj,
dhe pse shuaj,
dhe pse vuaj.
GJYSHJA
Kushtuar gjyshes sime Sotiro që
mbeti e ve në moshë të re ,duke ritur katër jetimë në
kohën e luftës.
Gjyshja ime ishte e forte,
më e fortë se shoqet e saj.
Binte erë sapun myshk.
Carcafët në diell i zbardhte si kartë.
Nuk e njihte klorin.
Dielli, miku i saj.
Më mungojnë duart e gjyshes,
më mungon lakrori me dy petë,
i pjekur në sac.
më mungon
e tëra shtëpia, kur binte erë gjalp.
Në kopshtin e vogël me trëndafila,
lëvizin duart e gjyshes.
Unë kolovitem tek hekuri prapa portës,
duke kërkuar të shikoj fytyrën e saj,
kur ishte e vogël,
duke kërkuar të shikoj dasmën e saj,
dua të shikoj kohën e saj,
kur ishte shtatzënë me fëmijën e pare,
kur lindi fëmijët,
Atje poshtë në qilar,
Dhe vetë u preu kërthizen.
Gjyshja ime,
me fustan të zi, të gjatë
me triko të zezë,
shami të zezë mbi vetulla,
misallën të zezë.
Në xhepin e saj,
Shamija e lotëve, e bardhë.
Gjyshja fshehur në të zeza,
mbështillte trupin e gjatë,
të bardhë, si një patë.
Si vishej kur ishte e re?
Si luante kur ishte fëmijë?
Ka qënë ndonjëherë fëmijë?
Kolovitem në hekurin prapa portës,
kolovitem të shikoj filmin e gjyshes,
bardh e zi.
2000
Kostaq Duka
Kostaq Duka, ka lindur në qytetin e Korçës në vitin 1952.
Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, duke u diplomuar për filozofi.
Poezitë e para i botoi në shtypin e kohës që në moshën 16-të vjeçare.
Në vitin 1976 botoi librin e parë me poezi me titull ‘Thjeshtësi” dhe në vitin 1998
botoi librin e dytë “Flas me barin”.
Perveç poezisë ka shkruar disa drama të cilat janë vënë në skenë nga trupa profesioniste
e teatrit “A.Z.Cajupi”, Studioja për Aktorë dhe grupe të tjera teatrore të qytetit të
Korçës.Se bashku me familjen nga viti 2000 jeton ne Chicago, SHBA.
Gëzimi e trishtimi im
Nëna ime,
nënokja ime!
Çfarë po bëni tani,
diku në shtëpinë time të vjetër?!
E vogël,
e kërrusur,
e grindur,
e zgjuar,
e patrembura nëna ime.
Ju jeni dashuria ime e parë.
Ju jeni dashuria e humbur.
Ju jeni dashuria e ribërë kaq shumë herë.
Ju jeni duke u larguar prej jetës
dhe ditë pas dite
lini diçka prej trajtës suaj,
diku në qoshe të vatrës,
diku brenda shpirtit tim,
diku brenda gjakut tim.
Ditë pas dite
ju lini diçka prej trajtës suaj,
jepni diçka prej inekzistencës,
prej harresës.
Ju jeni dhe ju më mungoni mua.
Disa herë ju jeni gëzimi im,
disa herë ju jeni trishtimi im.
Oh, Zoti im!Ju jeni jeta
dhe vdekja në të njëjtën kohë!
Të ka ardhur nëna!
-Vizita e parë e nënës në Qytetin e Studentëve-
Godina,
Kumboi nga dhjetra zëra:
-Zbrit të ka ardhur nëna!
Një mendim të trishtuar braktisa,
kapërceva tre shkallë, më dridhej zemra.
Në këtë qytet rinor,
dëgjohet fjala shok,vajzë, motër, vëlla
dhe rrallë fjala nënë, gjyshe, baba.
Dhe ja flokëthinjura,
e imja, e urta,pakëz e hutuar, me sy të gëzuar.
Nënë!
-Bir! Ja edhe unë erdha në këtë
qytetin tuaj,
tha me një zë malli si për t’u shfajësuar.
S’janë vetëm disa fjalë
“Im atë punëtor është,
nga më të thjeshtët, nxjerr gëlqere të bardhë”…
Ç’më erdhën ndërmënd këto vargje,
vargjet e parë për babanë.
Dhe ja po vjen ngadalë
Me torben prej doku në dorë,
torbën e hirtë nga gëlqerja dhe tymi,
me flokët gështenjë mbi ballin shkarrë.
Jap po vjen,
bëni vend aty, tek divani,
është ora tamam kur fillon televizioni.
Bisedoni përse të doni,
veç jo për gjëra meskine,në doni ta shlodhni.
“Im atë punëtor është
nga më të thjeshtët, nxjerr gëlqere të bardhë…”
O vargje zemre!
Ndër vite babanë po e mbani gjallë.
Mësalla e gjyshes
Jo, nuk ishte një mësalle e zakonshme.
Një copëz doku a fanellate e zezë sterrë,
me shumë xhepa.
Jo, ajo ishte supermarketi i mrekullive,
të fëminisë sime.
Nga një xhep,
gjithnjë e gjithnjë
një dorë lajthi do të vinte.
Nga tjetri
një mollçinkë e bryltë,erëmirë,
nga tjetri një ftua ngjyrë floriri,
nga tjetri
një gurabie
mbështjellë me aq kujdes
si të ishte një mine.
Eh, mësalla e gjyshes!
I vogël,
gati sa s’rrëzohesha
nëpër gurët e lëmuar të oborrit
cepin e mësallës të kapja.
I panginjur për dashurinë,
që s’shterrte pemën e xhevahirëve,
mes varfërisë.
Këze (Kozeta) Zylo
Këze (Kozeta) Zylo
Ka lindur në Tepelenë, nga nje familje mezhgoranase me tradita te shquara patriotike.
Pasi diplomohet ne Universitetin e Elbasanit “Aleksander Xhuvani” per Gjuhe dhe
Letersi (1979) punoi si mësuese e Letërsisë shqipe dhe botërore në disa gjimnaze të
Tiranës. Mori pjesë aktive në krijimin e Partisë Demokristiane të Shqiperisë dhe që nga
themelimi ishte anëtare e Partisë Demokristiane të Shqipërisë dhe në vitet 1994-1995,
Sekretare e Përgjithshme e saj.
Ka botuar në shtypin e përditshëm e periodik. Në shkurt të vitit 1997, me shpërthimin e
trazirave social-politike në Shqipëri, emigron në ShBA (New York)
Dallohet për një aktivitet të dendur për cështjen Kombëtare dhe Kosovën dhe në vitin
2008 u zgjodh “Gruaja e Vitit”
Është Sekretare për shtypin në Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Korrespodente e Gazetës “Illyria” në USA.
Libra të botuara:
1. Monumenti i Lotit (2005)
2. Pranverë pa Mimoza 2006
3. Një cikël me poezi në Antologjinë “Perëndim i malluar”
4. Në antologjine “Kur e lë zogu folene”
Ka gati për botim dy libra të tjerë.
AVE MARIA, MBRETËRESHA IME!
Në xhamin e muzgut,
U mbush nata me trishtim,
Dhe unë e plagosur shpirtërisht,
Vizatoja duart e tua të bardha,
Me frymën time të agimit,
Çliruar nga ty dhëmbshurisht!
U shua dhe nëna ime,
Nën kallkanin e Shkurtit,
Që ngrinin si statuja mermeri,
Në amfiteatrot e Jugut!
Aty ku luhej fati dhe drama e kohës,
Për pabesitë dhe hipokrizitë,
Fshehur në palcën e sëmundjes,
Ja papritur, gjeta balladën e pikëllimit,
Ku gdhenda lotin në gravurën fine.
Vetëtimthi një Iliadë më dukej se po ngrihej,
Ave Maria, Nëna ime! Ave Maria, mbretëresha ime!
NËNËMIRA JONË
Unë bija tënde e vetme per ty,
Shpesh kam vënë kokën mbi gjoksin tënd,
Kapja ëndrrat që kishje për ne,
E në syte e tu si liqene kaprollësh,
Merrja bekimin në brendësi, atje!
Sa herë na mbështillje pranë vatrës,
Fëmijët e tu si thëngjij ndezur,
Ngroheshin në agimet e kuqërremta,
Me të ëmblat ledhatime nëneje,
Si në hojëza mjalti derdhur!
Në flladin e mëngjesit, të odave me dritë,
Kanatet e dritareve të shpirtit hapje,
Oh, sa shumë dëshiroje dijen,
Në trishte Shtatori, mundoheshe t’i kapje!
Pranë zemrës tënde kemi folenë,
Në atë pemë të blertë, me gjethe ulliri,
Na mbledh përherë në udhën tonë,
Në age mëngjesesh, prane korijes me cicërrima,
Ti je aty, oh, Nënëmira jonë!
Rrudhnin fletët…
Oh mëmëza ime,
Edhe pse dhimbjet të kapluan të tërën,
Sytë e tu, në kapsallitje i fshihnin,
I mundje ti me buzëqeshjen tënde!
Nga malli i madh që kishja,
Më dukej sikur vështrimi tënd,
Çelte sythe pranverore,
Dhe xixëllonin në muzgun e dhomës,
Të bënin pakëz dritë, oh pakëz dritë,
Në retinën e fjetur të mjekëve.
Pikëzat e lotit si vesë mëngjezi,
Binin mbi lulet përreth tryezës tënde,
Sjellë për ty në shenjë respekti,
E petalet e kuqe rrudhnin fletët,
Nga kripa e currilit të lotit,
S’duronin dot këtë lloj vese,
Që buronte nga zërat e mekura,
Brenda pentagramit që s’buzëqeshte!
Thyer mbi dallgë
Në cdo moment më shfaqesh pranë,
Si krah fluturash mbi flokët e mi,
Lehtë, lehtë si polenë,
Ngadalë tretesh nën selvi.
Muajtë po ikin pa kuptuar,
Ca shkëndija shndrisin fshehur,
Brenda meje gjumëtrazuar,
Si qirinj qëndrojnë ndezur.
Nënë, o nënë, një brengë më djeg,
Për çfarë pashë e nuk të thashë,
Si pulëbardhë përmbi det,
Do rrah krahët, thyer mbi dallgë.
E kur shkuma në breg të dalë,
E të lag cdo gjë përreth,
Ti si ëngjëll lart nga qielli,
Do të lutesh midis nesh!
Babait tim Brahim Gjoni
Drithërohem e tëra kur të shkruaj baba,
Larguar nga prehëri yt qysh fëmijë,
E zhytur thellë në humnerën e mallit,
Lus Zotin që një ditë aty të vijë.
Ca lot si gur brilantësh,
Ku brenda kanë plazmën e dhimbjes,
Si katarrakt rrjedhin mbi supe,
E aty formojnë shtratin e pritjes.
Se zemra tënde eshte nje det,
Ku si shtëllungë mbledh kujtimet,
Në mendjen tënde sa brilante,
Pasurohem unë në ditë e vite.
Hap faqet e ditarit me fletë malli,
Të shoh nëpër letra vite dërguar,
Ndoshta të dy në të njëjtën kohë,
I shfletojmë ato si relike, çmuar.
Komunikoj me to qetësisht vështruar,
Më miklojnë shpirtin të ëmblat fjalë,
Edhe pse vitet si erë kanë shkuar,
I shtrenjti Baba, je shok i rralle!
Lekë Gjoka
Lekë Gjoka ka lindur me 6 Prill 1970 në Kallmet të Lezhës, një nga fshatrat më të
bukura në Shqiperinë e Veriut.
Në vitin 2001 botoi vëllimin e parë poetik "Lotët e puthjes", që pasoi në vitin 2003 me
vëllimin e dytë "Diellin e kapa për veshësh".
Cikle me poezi janë botuar në antologjinë poetike: 1- "Ballada e largësive" (1995), 2-
45 poetë për Lezhën" (1996), 3- "Pas Migjenit (2001), si dhe në mjaft gazeta si në
Diasporë, ashtu edhe ne Tiranë, Prishtinë, etj. Drejton në internet faqen Lezhe Online
dhe ne Yahoo, toplisten me te madhe shqiptare MEMEDHEU.
Që në vitin 1998 jeton në Jacksonville, Florida, SHBA së bashku me familjen e tij.
NËNËS ....
Sa jetë kemi që s'jemi parë bashkë
dhe mali i Veles dridhet prej mallit
ah nënë sa i shijshëm gjumi në dyshekun me kashtë
edhe të ftohtin atëherë e ngrohnim pranë zjarrit !..
Ah nënë s'po të rrej jam yt birë
jam pulsi i jetës tënde
por ika unë për të vrarë varfërinë
ika nënë me ty në mendje !..
Atëherë kur këmbët putheshin me të ftohtin
dhe në shkollë mësoja abc-në
trishtimi rrugës ma vrau të ngrohtin
por jo ngrohtësinë tënde nënë !..
Dhe ikja larg teje shumë herë
dhimbja lozte me këmbët e mia
mërzija frynte furishëm si erë
e çdo ditë prej mallit të mbinin thinja !..
Sa jetë kemi që s'u pamë bashkë
me not se kaloj dot lumin e mallit
me telefon fola me Velën e bardhë
as Vela mal s'ma shoi zjarrin !..
Nënë s'po të rrej me postën e ndienja
imazhin po ta nis
pritmë nënë ja ku erdha
po ti nënë kur do të vish ?!...
Dhimbja ka ngarkuar dhimbjen në shpinë!...
- Babës Gjokë që nuk jeton më
Dielli u fsheh disi i trishtuar
dhe bjeshka Vele mërzitur uli kokën
Kallmeti dhimbjen në shpinë kishte ngarkuar
dhe idhshëm sërisht kalëron më morden!...
Hejjj!...Lek Gjoka ti dhimbjen mjekoje me shpresë
lëre Atlantikun ta gjujë Floridën me shuplaka valësh
Në avionin e mërzisë nisu pa pendesë
që një grush dhe të hedhësh mbi varrin e babës!...
Fëmijët trishtueshëm shpërthejnë në lot
të fërkojnë ndienjat e dhimbjes e bërtasin me të madhe
tashti o babi që humbëm gjyshin Gjokë
a do shkojmë më në Shqipëri apo përjetë do të kemi ndarje?!...
Dhimbja mi ka ngrirë ndienjat e gojën ma ka kyqur
fërkoj dy fëmijët engjuj dhe dot nuk flas
në shpinë të avionit ngrarkoj dhimbjen në shpinë
e drejt Kallmetit me mungesa shpirtërore sërisht ngas!...
Vjen nëna si në një ëndërr të artë.
Kur dhimbja në shpirt të gjuan me shuplaka mërzije
dhe dielli shpirtëror të shikon me inat
kur dita e lodhur ta fiku semaforin e fatit
vjen nëna si në një ëndërr të artë.
E dhimbja në çast ikën rrëshqathi të mbytet në det
dhe dielli shpirtëror të fal ledhatime
fati të merr në krahë pa përtim e tuj qesh
mërzija e mbyll rubinetin e nuk ka më shi dhimbjeje!
Nëna kjo ndienjë e qeshur si vetë pranvera
por kur ajo është mungesë
ke gjithmonë tallaze shpirtërore
dhe asnjëherë ndienjat nuk kanë me qeshë !..
Në apelin e dashurive a do mungojë NËNA ?!..
Papritmas kur nata shtriqet e përgjumur
ca grimza idhnije notonin në vena
dhe dielli shpirtrorë padashje gjunjëzohet
se në apelin e dashurive mungonte NËNA !..
Dhe hëna tashti kish ndërruar ndriçimin
dhe era kishte tjetër shije
dhe dallgët e gjuanin me shuplaka resh zhgënjimin
në diell dhe në hije!...
E telefonit i ishin këputur gjunjët
se nuk e dëgjonte dot me zërin e nënës
psherëtin mërzija e përgjumur
e larë pakëz me vesën e hënës !...
Nata po mundohet të flejë
e hëna të hedh një vështrim vetmie
në apelin e dashurive s'kishte mungesë
se NËNA po pushon pak në ndjenjat e fëmijëve !
..Nëna s'ka kurrë vdekje
vetëm të ëmblën rilindje !....
Llemadeo Dukagjini
Lindur në gjysmën e dytë të shekullit të njezete, në brigjet e Adriatikut. Rritur prej
prindërve Dukagjinas nga Shkodra. Që prej vitit 1995 gjendet në emigracion në
Europë, ku krahas aktivitetit të jetesës familjare e personale, krijon poezi, pikturë,bën
fotografi, si dhe punon si gazetar i Mediave Gjermane. Motoja e tij është: Jam udhëtar
ndër udhëtime, gjithnjë në kërkim të së resë, të së bukurës, të së përkryerës njerezore,
atë të cilën do ta ndriçoj dhe ta lartësoj sa më bukur, kudo që ta gjej!
Porosi e Etërve
Ati im m’u çfaq në ëndërr një herë
Dhe një porsi të fortë më dha;
…“O bir, kur të hysh në Pyll,
Fol me vete, me zë të lartë bërtit“, ai më tha !
“Folë me vete, këndo ndonjë këngë´ si të të vijë,
Se kushedi o bir çfarë ndesh´ pa pritur atje tej…
Ndoshta dhe kushëririn me të kushërirën…,
Ndoshjta dhe ndonjë tufë me cakenjë…“!
Ndërsa nëna pranë atit, vazhdojë sërish porosinë;
“O bir, mbyll sytë para së keqes dhe kalo…
Por më pas ruhu prej tyre´ shumë o bir,
Se mundet që dhe helmin ta hedhin në gotë…
Nga frika se mos ti´ për çfarë pave´ i kallxon njeriu…”!
Ndërsa njëzëri, etrit, që të dy më thanë;
“Sa të mundesh o bir të ligun e duro,
Por largohu prej tij po munde´ një ditë udhe larg…
Kurrë besë mos i fal, as borxh´ kurrë mos i kërko”!
Moj e shtrenjta Nënë
Ngado që sytë i lëshoja në vegjëli
Ty të kërkoja moj e shtrenjta nënë !
Në çdo udhë të jetës prapë ti,
Më çfaqesh gjithmonë siç ke qënë.
E dashur, e ëmbla nëna ime,
Sa vetë dhëmbja më dukej aq e butë,
aq herë kur emrin ty ta thërrisja,
sa herë në gur i vrava gjunjtë !
Kjo jetë e çuditshme na ndau,
Edhe pse përsëgjalli nuk u ndamë kurrë!
Tash kokën gjithmonë e kthej pas
Sa herë e marr i vetëm këtë udhë…
Më duket sikur´ ti më flet si atëherë,
Me një mijë porosi e përlotur…
Më duket sikur prapë kthehem tek ty
Që ti fshijë nëpër faqe lotët !
Ah shpirt i bukur, ti ke kohë që ke shkuar
Tek të shumtit e largët në amshim.
Por unë ty s’të kam harruar
Dhe kurre s’të harroj o Ëngjëlli im !
Unë të shoh në ëndrra aq herë
Ku më tregon çdo rrezik…
Ndaj më duket se je e gjallë përjetë,
Ndaj kokën e mbaj pas´ kur udhën e nis!
Nënës
Moj e shtrenjta nëna ime,
Që në truallin tonë´ Atdhe,
Në të butën Tokë të amshueme
Madhnueshem pushon´ kah mot, atje.
Në atë jetë të pafundme,
Ku shpirtmirët kurrë nuk vdesin
Por në dritën e prarueme
Porsi yje´ qiejve mbesin !
Unë e di se më kujton
Nëpër kohën tënde të heshtur
Kur në pirg të gjithësisë…
Atje lart´ rri e mbështetur.
Më shikon tej nga hapësira
Me ata sy të buzëqeshur,
Me mendimin e merzitur,
Me merakun aq të vjetër.
Nëpër mijra pyetjet e tua
Me aq mall të tallazitur,
Don të dish´ si më shkon kjo jetë mua…?
Dhe më sheh ashtu tronditur!
Po ç’të them moj nënë e dashur;
Si gjithnjë e liga sulet…
Herë më gjen dimri të zbathur…
Ndërsa´ vera m’i than lulet…!
Nuk vajtoj dot me zë të lartë,
Sepse çjerrur jam që moti…
Si poet-rrebel i vrazhdë…
Që shkruaj vargje kot së koti !
S’ka lexeues moj nëna ime,
Janë mërzitur...´ jo me mua!
Por me njësoj shkarravine…
Që servilët patën shkruar!
Nuk besojnë më në poetë,
Nuk besojnë më njerëzia,
pse të zënë besë moj nënë,
kur sot vritet dhe madhështia!
Po të njëjtët marrin rrogat…
A´ pensionet e shërbimit,
për çfarë shkruan me poterë
në shërbim të barbarizmit !
Po të njëjtët marrin titujt…
Pushtojnë skenat në festivale…
Ca lektorë diktatorësh…
Kanë zënë dyer edhe dritare…!
Vit për vit botojnë “libra”,
Marrin tituj e lëvdata…
Nëpër darkat e njëri-tjetrit
Që ua shtron e vjetër´ banda !
S’lëshojnë udhë´ ujqrit e vjetër,
kanë pushtuar tërë pyllin…
ndërsa unë me miq të ri,
dhëmbjeve´ sy nuk po mbyllim!
Na dhemb zemra o moj nënë
Për gjithë vuajtjet që ka njerëzia,
Për vajtimet aq me gjamë,
Që vazhdojnë nga Shqipëria!
Vriten njerëz për çdo ditë…
Po moj po, me njëri tjetrin,
S’duan të dinë qeveritë
Pse tja dinë kur kanë poetin…
Kanë poetin…gazetarin…
Profesorin dhe policin…
Po të njëjtët, që diktaturën
Në qiell´ me këngë ata e ngritën!
S’po të shkruaj moj nënë për të tjera,
pse kësaj bote s’ndjej gëzim,
kur atdheut është mbyllur dera…
nga një dhunë gjithë me sundim…
Ku nuk shkoj dot´ se nuk ndihem qetë,
Nuk duroj dot të shoh si vidhet…!
Nuk duroj dot t’i shoh njerëzit
Se si hahen e si grinden…!
Nuk duroj dot të shoh pseudot
Në çdo lloj fushe, tek abuzojnë…
Në darkë flejnë si hajdutë…
Në mëngjes gdhijnë „Profesorë“!
Nuk duroj dot të shoh të mjerët
Tek thahen udhëve duke lypur,
S’duroj dot tek i shoh trojet…
tek vajtojnë pushtimit mbytur…!
Mos më pyet moj nënë për të tjera,
Sot për sot s’të tregoj dot !
Ndoshta mbarë do të fryjë Era…
Ndoshta shihemi prap mot, mot!
Maliq Lila
U lind në Dukaj të Tepelenës më17 shtator 1937.
Laureat i të gjitha festivaleve folklorike kombëtare,
autor i teksteve të këngëve të grupeve më të spikatura të
Shqipërisë( veçanerisht atij të Bënçës,Tepelenë).
Ka botuar përmbledhjet poetike " Zilia e erës"
dhe “Jashtë hënë e pjekur".
Udhët e tim eti
...Ma kish thënë im atë,
Shtegu të një mali:
-Bir ,dy vdesin udhës,
Burri edhe kali!
Vonë ,më erdh' ndërmend:
Pse ashtu më tha ?
Udhës vdiq dhe vetë,
Udhën peng ma la ...
Udhës, më ngjan ,vjen,
Unë dal për ta pritur!
Ngas pas tij si era,
Dot s'e kam arritur!
Bëj të të arrij,
E shoh,dot s'të ngjaj...
në udhë të babait,
S'rendke dot kollaj.
Nga libri " Jashtë hënë e pjekur"
Mardena Kelmendi
Mardena Kelmendi
Ka lindur në Berat,-kosovare nga i ati, beratase nga e ëma, dy familje te njohura për
atdhetari e kulturë, por i takoi të lindte në “kohë të gabuar”:gjyshi i saj nga e ëma,
atdhetari dhe intelektuali i spikatur Kostaq Stefa ishte pushkatuar në vitin 1948 nga
diktatura komuniste si filoamerikan, më 1956, i dënohet nga i njëjti regjim me burgim
politik edhe i ati, intelektuali dhe mesuesi Bardhyl Kelmendi.
Këto “njolla të zeza” në biografi do ta ndiqnin Mardena Kelmendin me tërë pasojat,
privacionet dhe reperkusionet dramatike që sa lindi e gjer ne fillimin e viteve ’90.
E shkelqyer në mesime, ju mohua e drejta për arsim të lartë, e pasionuar pas këngës e
arteve skenike.
Motoja e saj në jetë është “FALA, SEPSE DUA QE TE JETOJ”.
Krijimtaria letrare:
Fala që të jetoj, poezi (2003)
Casti im shekullor, poezi (2004)
Pëshpërij me erën, poezi (2006)
Pejsazhe permes Kohës ( 2007)
“Da suflet a suflet”…”Nga shpirti në shpirt” rumanisht-shqip (2006)
Metafora e arratisur, përmbledhje me poetë shqiptar, nga Bislim Ahmeti, (2003)
Antologjia “Mozaikë të një porteti” (2004)
Antologjia “ Gjuha e dashurisë poetike” (2007)
Antologjia “Kur leshon zogu folenë” (2007)
Përmbledhje poetësh e shkrimtaresh nga Ballkani, rumanisht, (2007)
Vuajtjen tende bën dashuri
Nënës sime Vitore Stefa Leka
Sa herë hyj në zemrën tënde,
M’i hap portat qiell i pastër.
Të kërkova pranë më erdhe,
Në çdo çast në ditë a natë.
Syri yt më ndjek në jetë
Në çdo hap e në çdo stinë
Dorën ke lëndinë të blertë,
Ku mbështetem si fëmijë.
Sa herë hyj në shpirtin tënd,
Ndjej aty veç ngrohtësi.
Dhe kur fjala jonë të dhëmb
Si askush të falësh di.
Më ësht’ ajër fjala jote,
ku buron veç urtësi.
Zemërmadhe e kësaj bote,
Vuajtjen tënde bën dashuri!
M I J Ë R A H E R Ë
F A L E M I N D E R I T !
Gjyshes sime Eleni Stefa
Dhembjes tënde hyra ngadalë
Ku ta dija unë fëmia
Ç’kob i kish rënë zemrës së bardhë,
Ç’zi mbi kokë mbante shamia?!
Ta vranë gjyshe dashurinë
Thinjur pe rininë në çast,
Për tim gjysh njeri të mirë
Si, martir, vrarë, pa faj.
Nuk i çoje dot një lule,
Për të shpirtit mbyte vajn.
Zotit netëve i bëj lutje:
“Të vijë dita t’i gjej varrin!”
E pyes veten unë tani:
Kush të dha forcë nëpër ditë?!
Dhembje fshehur ti në gji
Me nder rrite pesë jetimë!
...................................................
Sa kujtoj unë fëmijërinë,
Fytyrëdashur shfaqesh ti,
Fjalë ëmbël çdo këshillë,
Vetëm ti ta japësh di!
Si s’u lodhe moj e mirë!
Për çdo natë një përrallë
Ku më sillje urtësinë,
Si një xhevahir të rrallë.
Puth tani duart e tua,
Jetën rrite përmes Ferrit...
Të puth ballin e menduar,
Mijëra herë, faleminderit!
Kostaq Stefa, intelektual i shquar, pushkatuar më 3 mars 1948 nga
diktatura komuniste. Vetëm në 1993 iu gjetën eshtrat dhe i’u dha
titulli:“Martir i Demokracisë”
Mund të them më ke munguar
Nuk më tregove kurrë ku ish sekreti i asaj buzëqeshje
e cila me ty jetoi një jetë të tërë, në sytë e tu dhe shpirtin tënd.
Nuk më the se ku forcat kaq herë i gjete
kur të rrëzonin e ti ngriheshe buzëqeshur përsëri në këmbë.
Vitet kaluan, fytyra jote ëngjëllore mbeti në heshtje përsëri
buzëqeshur
rrudhat mbi ballë si rrugë të kohës së kaluar shtriheshin mirësisht
Dorën në zemër i vije humbjes me trishtim veshur,
me një ofshamë të thellë, i qeshur mbi dhimbje qeshje sërisht!
‘’Mos u mërzit bijë, më thoshe, me humbjet e jetës që vijnë
se ato për njeriun janë më i vyeri mësim
Mjerë kush ka frike të rrëzohet e mos njohë
lotin e dhembjes që fati të sjell në kohë”
Eshtë fat të provosh gjithë shijet e natyrës
që Zoti i ka falur për njerinë
Mjerë kush ato ja mohoi vetes
e jetoi duke dhënë dhembje mbi njerëzinë!”
E unë shpesh të sjell në mend si shembull i rrallë i urtësisë,
ashtu të heshtur e menduar, buzëqeshur mbi zhgënjim
Se kush vërtet dhimbjen e provon
heshtja i flet edhe pse koha shpesh vonon!
Më mungon aq shumë, ti ndoshta e di,
Më mungon shpesh herë këshilla hyjnore,
Më mungojnë netët me ty në këtë largësi
ku fjalët bëheshin gurë të kështjellës atërore
E në shpirtin me lanë kaq gjurmë e nostalgji!
Të dua dhe kujtoj buzëqeshjen tënde të dashur
dorën tënde të ngrohtë që aq shumë më mungon, babi im!
S T A T U J A T Ë D A S H U R I S Ë
Kushtuar gjyshërve të mi Kostaq dhe Eleni Stefa
Në gërmadhat e një kështjelle dashurie të rrëzuar,
nëpër duar të buta të asaj ndjesie, që ende mbijetonte,
dërgova qënien, që në fillesë të njohjes për të kërkuar,
veten dhe dëshirën më të bukur, që koha e harronte...
Si një ëndërr të jetuar,
për të mos e lënë shuar,
e kërkoja...
Një libër poezish franceze në fund të sëndukut të vjetër,
ndriçoi me gërmat e arta titulluar “Pansé”, (“Mendomë”)
shfletoj nëpër udhëtime shpirtërore fjalësh
edhe të pathëna,
brenda fletëve gjej një lule të tharë “Ponsé”
tashmë pa aromë...
Një lule këputur dikur me dëshirë,
fle, me mendimet fjetur,
nga duar dëshirash gjetur.
Statujës së Dashurisë, që më jepte përkëdheljet
e moshës fëminore,
renda dhe ja lashë atë libër, si vetë kohës nëpër duar
e ngriva, si vetë sytë e saj malit ngulitur,
që shihte dëborën e një pranvere këputur, syve të saj fiksuar.
Oh!... Një ofshamë...
“Ai ngante me lule frazat e jetës,
ia dinte fletëzat e së vërtetës!”
Mbështolli në gjoksin e bukur kujtimin e hershëm të jetuar,
ku zemra kristalinë melodi nxorri një ofshamë besimi,
rrëzoi puthje pa mbarim fytyrës sime lotuar gëzimit,
kur shihja si shkrihej koha mes nesh, në kështjellë rrezatimi.
Kur rilind të prekësh ndjesitë dikur rrëzuar,
merr puthjet e saj përgjigje të kohës, që kurrë s’ka harruar
BEKUAR!
Të falem gjyshja ime Eleni, të falemi ne,
Marjeta Ismailati
Marjeta Ismailati ka lindur në Tepelenë. Vazhdon studimet për
Madical Assistant në Bramsonort College .Është bashkëautore e
antologjisë poetike "Itaka e fjalës''. Jeton në New York .
Më kujtohet gjyshi im!
(Shahin Tusha)
Më kujtohet gjyshi im !
Këngë labe seç këndonte,
Kur arat me parmendë lëronte,
Unë ecja si flutur pas tij,
Nëpër gjurmët që ai lëshonte .
Më kujtohet gjyshi im !
Sa herë që ai pushonte,
Unë ne prehër i qëndroja,
Isha kaq e lumtur, saqë duart,
S'pushoja t'ja ledhatoja.
Më kujtohet gjyshi im ,
Për ujë në burim më dërgonte,
Si drenushe unë vrapoja,
Më parë vija sesa shkoja ,
Që unë gyshin ta gëzoja.
Më kujtohet gjyshi im ,
Për Rabien më tregonte.
Qytezë ilire që prej lashtësie
Krenare të jesh moj mbesë,
Se je shqiponjë arbërore
Per ty o nënë !
(Xhik -Hima-Tusha)
Stinët shtegtojnë,
Por ju e fortë qëndroni,
Asgjë nuk të ndryshon
Në dashurinë që na dhuron.
Lotët më djegin si prush belbëzor,
Që vlon zemrën time me dashuri.
Me dhimbje e mall të kujtoj,
Ledhatimin tënd s'mund ta harroj.
Si pranverë që lulëzon,
Fjala nënë gjithmon të ngroh.
Si ç'do stinë që sjell flladin e vet,
Dashuria për ty o nënë,
E shenjtë do të ngelet për jetë.
Macja e pupuzhitur
Bora malet kishte zaptuar,
Dhe pemët kishte mbuluar.
Ulur pranë oxhakut e menduar,
Gjyshen time qëndroja përqafuar,
Por Pepsina na vështronte e hutuar,
Dhe sytë i ngurrcëllonte duke vështruar.
Gjyshja,tutje i thotë moj e uruar,
S'e nga prushi k'e për t'u përvëluar,
S'e ndien që po bëhesh e shkrumbëzuar,
Flaka s'të pyet,asgjë s'lë pa harruar,
Prandaj largohu shpejt pa u penduar,
S'e prushi po kërcet, si shpirti i bekuar.
U tremba,e vogël isha ,e frikësuar,
Fillova Pepsina t'i bërtisja si e hutuar,
Se mos më kishte kuptuar?!,
Por gjyshja, ujë seç i hodhi ,e fluturuar,
Nga zjarri , qimet e arta, për t'ia shpëtuar,
Pepsinën e pupzhitur gjithëmon e kam menduar.
Medije Vraniqi
Ka lindur në Prizren në një familje me tradita shqiptare. Në moshë të re emigron në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Prizren ka nënën, motrat, vëllezërit kushërinjtë e
miqtë e shoqërinë e rinisë së hershme.Jeton në Teksas me familjen e saj,dhe
njëkohësisht është e angazhuar në mbrojtje të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj
të Kosovës në veçanti.
Ende te pret ...
Babi ende të pret aty mbeshteur
si fluturat qe drites hynore i kthehen
syve te tij tu kthehesh perseri
i mbyllur ne dhome,te te ndjej hapin e lehte
i heshtur prane telefonit,te degjoje zerin embel
dhe zemra i dridhet ngadale pa zhurme me pa fjale
Shpesh ngritet,
dhe del oborrit perseri
nga dritarje ne rruge shikon,
se diku mos dukesh Ti moj bije
e shpirti i tij i ndezur,
te pret ty e ende mendon pastaj ...pastaj nje renkim,
Ai hesht,
Nje lot faqeve te reshkura pa puthjen tende i reshket
e ne shpirt nje lemsh perhumbur tashme e rendon,
Nje ndjenje, Nje shpres drite , nje Enderr per ne ,
ishe ti bijeza jone Valon.
Ne enderr
Mbreme erdhe ne enderren time
ashtu e dashur sic ishe
floku qe mbi sy te kishte rene
shkelqimin e tyre s'ta fshihte
Erdhe e pushtove qenien time
nga membrane e qelizes trunore
dridhesha si flete tek perpiqesha
te t'ledhatoja, te t'zija perdore
Ti - ike aq shpejt sic erdhe
Une - e shtangur me mish e thua
ne enderr doja te qendroja gjate
dhe nese zgjim t'mos kish me per mua
Interval
Flaka e qiririt dridhet lehte
Asgje s⤙merr fryme, shkretetire
Asgje veç eres qe fryn e lire
Dhe mbart mbi krahe ca grimsa jete...
Shpergjumem, diçka nuk shkon
Matem te thyej qetesine
Por, ja, se largu me tersellime
Nje here te vetme qielli gjemon
Dhe mbart serish grimca jete
era qe hyn pa krahe nder flete
Shkretetire! Asgje s'merr fryme
Flake e qiriut dridhet lehte-lehte
Mëhill Simon Velaj
U lind në Gllogjan të Pejës, Lugu i Baranit më 1957. Ka filluar të merret me
krijimtari letrare që në fëmijëri. Pas mbarimit të studimeve për gjuhë dhe letërsi shqipe,
punoi si mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë më se nëntëmbëdhjetë vite. Në vitin 1995
Shtëpia Botuese “Pionieri” në Prishtinë botoi librin e parë të tij me poezi “Gërshetat e
Aulonës”. Mëhill Velaj është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë që
nga themelimi i saj, në vitin 2001, kurse që nga viti 2004 është nënkryetar i saj. Jeton
dhe punon në qytetin e bukur të Stamfordit në Connecticut, ku menaxhon me sukses
bizneset familjare.
FRAGMENT HISTORIE
(Atyre që na e dhuruan jetën)
Jeni fije të holla mendimi
që lidhin kohëra të prera keq
dhe i bashkoni me majë gjuhe
për t`i bërë Flamur Mendimi
Ne jemi lisa me rrënjë
në gurë e varre
jehonë zërash të rinj
oshëtimë zërash të të parëve
Mimoza Ahmetaj
Mimoza Ahametaj lindi në Vlorë, me 10 Maj 1960. Banon në Itali ku është specialiste
në ndërmjetsinë e kulturave, në ndihmë te emigracionit dhe koordinimin e të gjitha
shërbimeve sociale për emigracionin. .Shkruan në mas median elektronike në mënyrë
aktive duke botuar poezi, tregime dhe shkrime të tjera që jane të pëlqeshme nga
lexuesit për vlerat edukative dhe shijen artistike. Është pjesmarrëse si bashkëautore
në disa antologji poetike dhe prozaike.
ELEGJI PER GJYSHEN
Kët’ gusht u bënë sa shpejt, pese vjet!
Me ty s’flas dot, ti dot s’më flet...
Më ike ti me dallendyshet,
Por, ti e ikur s’më vjen, o gjyshe!
Sa të kam dashur, sa më ke dashur !
Sot ty të qaj un’ zemërplasur.
U ndamë gjyshe, oh, për së gjalli
Mermerin tënd me lot lan malli !...
DIKUSHI DHE ASKUSHI
At’ i atit tim - gjyshi
Në fshat ishte kryeplak
Ish dikushi!
Nënë e nënës - gjyshja
Gatoi si për mbret,
Gjersa e ngrysi
Dhe ish dikushi.
At’ i nënës - gjysh i dashur
Jetën burgjeve e plaku.
Ish dikushi.
Fqinja ime, zonjë e mirë
Si pasqyrë e mban shtëpinë
Dhe ësht’ dikushi.
……
DIKUSHI,
ishte president...
Sot pa fron në këtë vend
Esht’ASKUSHI!
X X X
“Kush ësht’ në jetë njeri i fortë
dhe kush i dobët ësht’ si njeri?! "
E pyeti gjyshin mbes’ e vogël
Ca fjalë të arta i tha ai:
“Kush dashurinë e ndan mes njerëzve,
Mendon t’i bëjë mirë gjithkujt,
S’jeton ai vetëm për vete,
I fortë në jetë ësht’ si askush!
I dobët ësht’ ai njeri,
që kurrë s’mendon për të tjerë.
E vret dhe vëllanë për pasuri,
por shpirt i tij mbetet i mjerë."
Tim eti
Sa herë të kam menduar tërë inat:
"Më gdhënde drejtësinë me principe,
Rrumpallës botë i erdha rreth e qarkë.
E ti më thoshje:-mbete prapë naive"
Po pjekuria s'ardhka me një ditë.
Tani do të të puthja si një zot
Ty filozof pa shkollë e mëndje ndritur.
Me sytë që kullojnë rrjedhshëm lot.
Më dhe esencën që s'e humba kurrë.
Dhe kur intriga më shtrëngoi mbi kokë.
Kur udhëhoqa qindra mijra burra.
Dhe poshtërsia, nuk më mundi dot.
Tani i mençëm jeton pleqërinë.
Me hallet që s'mbarojnë në këtë jetë.
Pi një kafe... ulesh në tavolinë.
Dhe më mendon.. në heshtje më pret.
Mamasë rrobaqepse
Duart e tua qepën kilometra
gjatësi stofrash po ti bësh bashkë
Tyle të bardha ,basma lino terital,
Mëndafsh ,dhjetra ngjyra taftash
Duart e tua stolisën gjithë nuset
Dhe gratë nazëlie
Magjepsesh nga gjithë bukuritë
Me shpirt prej fëmije
Vajza Vlora
Kam parë shumë perëndime të përflakura
Tej portit me anije mbi detin e Ankonës
Por në kujtesën time nuk s’vanitet
Dielli i përgjumur mbi detin e Vlorës
Që si ylber mbështillte ishullin e Sazanit
Dhe që zili e kishte çdo piktor.
Kujtoj baticat dhe zbatizat në breg
Rërën e lagur gjurmët mbi rërë
Algat jeshile erën e jodit
Të Adriatikut të mrekullushëm
Që me shoqëroi gjer këtu.
Në Ankonën qytet port që s’e kisha dëgjuar
E për çudi mësova nga im atë
atë qe për shumë vjet s’kish treguar…
Dikur kur ishte i ri e marinar
Një ditë na Ankona kish ndaluar…
Dhe i kish mbetur një kujtim thesar
Poetit dhe të riut marinar.
E dini se Ankona ngjan me brylin
Ashtu si hartë e Vlorës ngjan me dorën
Këtu e nga monumenti i madh i bardh
Rrethuar me kollona prej mermeri
zbresin në det dy degë me shkallë
E nga posht afër detit ngjajnë me Kusbabnë
Në këtë vend dikur qënka kënduar
Një këngë proteste nga gratë bujare
“Nuk duam të nisemi nga porti i Ankonës
Për të pushtuar popullin e Vlorës”
Një ditë kur të “ndaloj” në shtegëtim
E Thonë që shpirti mbetet ende gjallë
Dua që hi të bëhet trupi im
Të shkrihet përmbi detin plot me dallgë.
.
Ndue Hila
Ndue Hila ka lindur në fshatin Rraboshtë-Lezhë, më 28 tetor te vitit 1960.
Eshte gazetar ne disa organe shtypi si ne Shqiperi dhe ne diaspore ku shkruhet fjale e
bukur shqipe.
Ka botuar këto libra:
1 – “E gjeta ku ta shkruaj emrin tënd”. Poezi
2 – “Meteor dhembjesh”. Poezi
3 – “Kitaristi i Kabarese” Tregime.
4 – “Humbësi i Emrit” Roman.
5 – “Vraje Vetminë” Poezi.
6 – “Heroi i Dy Kontinenteve” Monografi
Malli për nënën.
U rrita kudo me hallet e jetës
E lotët si shiu më bien në faqe
Dua që çdo sekond të dëgjoj zërin e saj
Por edhe ashtu prap nuk kënaqem.
Si nuk munda vargjet t’i mbaroj
As lotët që bien në faqe e mjekër
Nuk po mundem mallin ta kaloj
Asgje në botë më të dashur nuk paska tjetër
Marr të flas me të, por nuk mundem
Marr t’i shkruaj por jo.
Sa shumë unë për të po vuaj,
Siç vuan për mua dhe ajo.
Gjyshes time
Shumë vite kishte mbi shpinë ngarkuar,
E shumë dimëra në shpirt i kishtë strukur.
Pak pranvera në jetën e saj ishte gëzuar,
Kujtimet e këqija prej zemre i kishte zhdukur.
Ah këto rrudhat e thella në ballë,
I jepnin asaj shenjë fisnikerije
Të rrija me të çdo ditë kish mall
Në buzëqeshjën e saj kishtë diçka rinie.
Fytyrën e kishte si engjëll kur zbret nga qielli.
E të plotë si hëna në vjeshtë
Syte e saj flisnin më shumë se çdo gjë
Shpirtin e kishte të bardhë si bora në bjeshkë.
Në çastet kur unë e pyesja për moshën
Duke qeshur shtrinte duart me ngadalë.
Numëroi rrudhat e tyre, o bir, se ato të tregojnë
Si rrathët e drurëve shekullor në mal.
PËR KË DUHET TË DERDH LOT.
Shumë herë lajm të zi mora,
hidhërimit nuk po i gjëndet skaji,
zemra më është ngarkuar me lotë,
kërkon të shpërthejë si shirat në maj.
Babai, sot ndërroi jetë...
Lotët po më tradhëtojnë.
-Bëhu burrë, -më thonë mua 44 vjeçarit,
nuk duhet kush lotët t’i shikojë.
Vullkan sikur shpërthejnë malet,
llavën mbi mua lëshojnë.
Dikush tjetër më thotë:- Qëndro, o bir i këtij njeriu!
Lotët, poshtë mjekrës më bashkohen vetvetiu.
Nga krahu tjetër dikush më shtrëngon.
Burrat nuk e kanë kështu.
E di,-u përgjigjet zemra ime e copëtuar.
Po për kë,- pyes veten i inatosur,
duhet të derdhi lotë në këtë jetë?
Për vëllain e motrën jo e babën gjithashtu.
Nga dhimbja
pemët shekullore do ishin tharë,
gurët mijëravjeçarë thërmuar.
Lumi i tharë prej kohësh nga lotët
shtratin do ta kishte kaluar...
Sa e fortë zemra më paska qëlluar...
Jam ulur t’i puth duart e t’i marr hallallin,
atë çast sikur thotë:
-Erdhe o bir, por nuk më gjete të gjallë!
-Perëndia më paska dënuar të jem larg jush...
Të lutëm, o Zot i Vërtetë,
më thuaj për kë duhet të derdhi lotë në këtë jetë?
Bekuar qofsh o babë,
tokën e paç të lehtë!
MIRË SE ERDHE, BIR!
Trupin ma çlodhi puthja jote gjithë mall,
kur në krahërorin tënd mbështeta ballin tim.
Në atë krahëror ku thitha gjënë më të ëmbël në botë,
me një frymë hyjnore tani u mbështjell
prap shpirti im.
Mirëseerdhe, bir, ushtoi krahërori yt,
buzëqeshja jote ishte e ëmbël si përherë,
nga malli mua më rrëshqitën lotë...
buzëqeshja jote, o nënë,
gjithmonë lotin ma terë...!
E kuptoj që tinëz ma shikon kokën e thinjur,
e ato pak flokë që kanë ngelur të zi.
I lutem Zotit që të puth dorën dhe njëherë,
pa frikë tani u them viteve se për ty nuk ka pleqëri.
Kjo gotë që mbaj në dorë etjen për ta shuar,
sa më rëndë ta godasësh ti, ajo nuk derdhet asnjë pikë,
unë jam qeliza e trupit tënd të bekuar,
për mua i lutesh Zotit ti çdo ditë.
E di se për mua shpirtdjegur gjithmonë ke mbetur,
po me kokën ngritur,
si perherë, edhe sot, përpara teje, në gjunjë po bie.
Ti mos u zemro me mua se po plakem,
këtë e di, nuk ke dëshirë të ma shikosh,
kjo është plagë perëndie, askush nuk ka për t’i shpëtuar.
I brengosur jam për rininë tënde nga vitet gërryer,
për këtë asnjëherë viteve të mia
nuk kam për t’ju gjunjëzuar.
POEMA E NDERIMIT
(Kushtuar prindërve)
Pabesia e moshës do ta bëjë të sajën,
e pa deshirë kokën do ta mbulojnë thinjat,
buzëvarur asnjëherë nuk i shikuam,
megjithëse rininë tuaj jua shkatërruan dimrat.
Të gjithë së bashku kemi një armik,
që po na e mban peng dy palëve rininë,
duke u munduar drejt varrit të na dërgojë,
po na e afron para kohe pleqërinë.
Supet tuaja të larta sa malet,
e kokën me thinja si majat e tyre me borë,
ju s’e kënduat asnjëherë këngën e harrimit.
Për këtë, me germa të arta për ju, poetët në botë,
do shkruajnë Poemën e Nderimit.
Petraq Pali
Ka lindur në Qeparo në vitin 1944. Eshtë një nga autorët më pasionantë që ka emigracioni
shqiptar.
Petraq Janko Pali, bir i Mësuesit Të Merituar" Janko LL Pali nga Qeparoi i Himarës.
Në moshën 14 vjeçare u largua nga fshati për të kryer studimet, në fillim në Pol. Mjekesor
në Tiranë e më pas në shkollën Pedagogjike Jani Minga Vlorë. Po aty mbaroi gjimnazin si
edhe shkollën teknike të ndërtimit.
Në fillim mërgoi me gjithë familjen në Greqi e qysh prej vitit 1997 jeton dhe banon në
SHBA.
Jeton e punon në Virxhinia të Amerikës.
Librat e botuar:
Prozë
1. Gjëma e madhe (Novela e tregime)
2. Vise dhe njerëz perëndie (Publicistikë)
3. Aventura për lirinë (Tregime e proza të shkurtëra, Albini) novel 2007
4. Gruaja me të Zeza (Novele) 2000
Poezi
1. "Eci nëpër vite", 2004
2. "Bronx permbi Stërkalë" , 2003
3. "Një tufë vjersha qeparotasve", 2002
4. "Jam larg", 2001
5. "Vij mes jush me krahë malli", 2007 Albi
Nene them..!
Malli shumë më ka marrë
Për nënoçkën time zogë.
Janë vite pa e parë
Në "parajse" nënë tokë !
Dergjet viteve me radhë
Dhe një mall po më mundon.
Ike nëna ime e mbarë...
Nënë shpirt e dashuro !
Ata sytë e tu të blujtë
Me nje ngjyrë të mrekulluar.
Buzëqeshja jote e ngrirë..
Vetëm mall më ka dhuruar !
Ai shpirt brilant i joti
Kur më mbaje përmbi gjoks
Përkëledhje, ledhatime
Mall janë kthyer edhe lot !
Edhe malli nëpër vite
Më mundon më tret ngadalë...
Ike nëna ime e dashur
Shumë vite pa qenë pranë.
Po unë shpesh e mbaj të ndezur,
Malli përvëlon në gji
Vetëtimë e kam derdhur
Për cdo ditë në varg të ri.
Nënë them për cast e kohë
Kur jam mirë e kam siklet.
Nënë them pse frymëzimi
Kthyer mall e bërë det?!
Nënë flas me ligjërime
Dhe kur dua të vajtoj.
Nënë e prapë në ëndërrime
Me ty jam e po jetoj !
Malli djeg sërish i zjarrtë
Porsi vlaga mbi vullkan
Edhe vargu shkrepëtimë
Nënë thotë me mall e zjarr !
Nënëzo !
Furishëm e marrosura erë po fryn,
dritarja kërcet gati sa s'shqyhet.
Dhe shiu "litarët" hedh pa pushim
një natë e egër sa s'çahen dhe qiejtë !
Nga brenda mendueshëm natyrën sodis,
me cigaren në buzë më zgjohet kujtimi.
Një mall i pa parë si dritë vetëtimë,
më tundi më zgjoi i ëmbël mendimi !
Nga nëndheu, tretur venitur...
më duket se nënën dëgjoj...!
Habitem dhe vetë sa zërin ka ndryshuar,
sa zemrën dhe shpirtin rrufeshëm lëndon !
Me shaminë e zezë të grisur mbi ballë,
një fytyrë e zvenitur që shpreh veçse mall.
E pashë të gjallë e pashë të vdekur...
tek xhami i dritares më qortonte pa fjalë'!
Pse ikët të tre menjëherë kurbetit...,
dhe varret tona nje lule s'e kanë' ?
Pse latë vendin, pse latë mëmëdheun...,
dhe lotët i fshinte me lutje ,O... xhan ?
Shkrepi vetëtima dhe bubullima ushtoi,
dhe e hapa dritaren në atë rrebesh.
Cigarja e ndezur më ra përtokë...
Dhe stuhinë e egër e mora peshqesh !
Pse ike ku vajte ?.. Ti kurrë s'ke vdekur,
merakun për Ty unë përditë shikoj.
Si ditën dhe natën kur unë jam në ëndërr..
Veç nënë thërres...Ku je NËNËZO !
Në dhjetë-vjetorin e vdekjes së babait.
Kur më dilje çdo mëngjes
Flokët lart të shpupuruar.
T’i rrih era e vetë detit
Nga një fresk i mrekulluar.
Veshur mirë me elegancë
Porsi kont i zbukuruar.
Si cdo dite në shetitje
Buzë Bregut në kundruall !
Nëpër xhepa dhe në duar
Plot gazeta edhe libra
Tek potoni i shfletoje
Qysh mëngjez pa rënë drita.
I përjetshëm në Qeparo
(Diten kur eshtrat e babait mbëritën në Atdhe)
C'kanë kambanet që trishtim ndjellin ?
C'kanë njerëzia që sytë kanë me lot ?
A mos vallë dikush ndërroi jetë,
Dhe hidhërimi në zemër i shpon ?
Jo, vitet shkojnë e mësuesin e kthyen
Ne një të vogël arkivol
Atij eshtrat po i sjellin, Korfuzit
Të prehet i përjetshëm për në Qeparo !
Kambanat s’rreshtin e s’rreshtin
Tringëllima përmbi Gjivlash jehon.
Tingujt përhapen mbi rrafshin e detit,
I vogël i madh atë e kujton !
Ate gojë mjaltë e njeri të mencur
Ate ndriçim që shkelqeu si nur.
Xha Jankos lamtumirë sot i japin
Çdo skaj çdo cep çdo vend edhe gur !
Veprën tënde o mësues i artë
Kurrë s'ka per të harruar askush.
Punove në jetën tënde të gjatë
Drit’ e kulturë, i fale gjithëkujt !
Le të jetë e lehtë balta
Atje ku doje, prehu në qetësi.
Ti s’doje Stamboll, as France as Greqi
Po në shpirt e në zemër veç një Shqipëri !
Dhe ja eshtrat e tua dhe shpirti
Do prehen mbi shkëmbinjtë mbi Jon.
Do jenë për jetë të jetëve të qeta
Në këngë, në vaje përmbi Qeparon.
Bucela.....
Kur litari nëpër supe
Të kish prerë e të kish grirë
Mbushur bucela me uje....
Tharë buza shkretëtirë !
Gjithe jetën u merove
O nëna ime e mirë...
Nëpër brigje, gërxhe shkove,
Ikur natën qe pa gdhirë.
S’të lodhi puna e rëndë
Sa të lodhi egërsia.
Vije nga një vend i butë,
I bekuar nga Perëndia !
Për cudi të times këngë
Je dhe ngelesh bukuri.
O ti nëna ime e dashur,
O ti nënë plot dashuri !
Ikin vitet pa kuptuar
Qe kur ika në kurbet
Dhe bucelën e kujtoj,
Thellë litarin nëpër dej.
Në ate të flamur jete,
Në atë jetë të shkretë
Qysh kur linde edhe ike...
Lidhur kishe litarin vetë.
Dhe mbi kokë një shami
ngjyrë e jetës në të zezë...
Veç të jepte madhështi,
Si sorkadhja mbi shkëmbenjtë !
Raimonda Moisiu
Kush është Raimonda Moisiu!E lindur dhe e rritur ,në qytetin juglindor ,të serenatave dhe blirëve ,Korcës
Ka botuar librin" Jeta mes dy dashurive" dhe një libër me poezi" Dashuria nuk ka emër."Ka ne proces botimi një roman dhe një libër me publicistikë. Gjithashtu është bashkautore në disa antologji shqiptare.Bashkepuntore e disa gazetave me emër në shtypin shqiptar si Tirana Observer ,Albania ,Panorama ,Ndryshe ,në Shqipëri dhe Illyria në SHBA,etj.
Gurët e rrugicës sime
Nata, para se të nisesha për në kurbet,
kishte hënë - si fytyrë e vdekjes nata- e qetë.
E vetme dola, në rrugicë numëroja gurët
Hënë e bukur çuditej, s’më kish parë ashtu kurrë
Si qënie të gjalla nisen e më flisnin gurët
Veç dy nga ata heshtnin, si dy fëmijë të urtë
Ngjyrë të argjendtë u faltë hëna nga brenga e vet
Prej përtej oqeaneve, ashtu i kujtoj shpesh.
Dy gurëve, dy - që rrinin si fëmijë të urtë
U blatova nga një emër – 5 dhe 20 shkurt –
Besoja se prej Korçës sime për jetë isha ndarë
Gjithë gurët e saj argjendi, ata të dy – krejt ar…
Nga larg në telefon sa herë me nënën flisja
Për gurët, një nga një, gjithmonë e pyesja
"Ah, guri i argjendtë...? Është nisur për parajsë
Po gurët prej floriri, yt at dhe unë jemi, moj vajzë!"
E dija përgjigjen, por pyesja, në ishin gurët të tërë
"Oh, ikën, Monda ime, në parajsë...edhe dy të tjerë..."
Dhe, ah, një natë nëna ... mezi dëgjohej në telefon
Jo "mos u bëj merak", si herë tjetër, në heshtje linja kumbon
Nuk fliste, dot, qante, me gulç, pa zë...
"Një gur floriri, Monda, tani nuk është më..."
S'më bëhet më, të shkoj në Korçën time
E vetme qaj e qaj, mbytur nëpër kujtime
Do duroj dhe pak në kurbet, në vetmi
Mes gurëve të shtrenjtë do shkoj përgjithnjë...
P.S.Poezia i kushtohet babait tim dhe miqve të tij, fqinjëve që nuk
jetojnë më.
Malli i mërgimtares!
Kur ty të lashë përgjithmonë plot lotë atë pranverë......
Fuqi nuk kisha kokën pas ta ktheja edhe njëherë........
Moj Korçë, Korça ime, të ika përgjithmonë
Dhe mora oqeanet andej nga perëndon
Te Varri i Mirahorit , kujtoj, buzët ndala pak
“Mos më braktis, moj bijë,”, tha Mirahori plak
“Do të pres deri të kthehesh do duroj pa u tharë”
Më dha një lulebliri që kish çelur mbi varr
Zëri i Mihallaqit më ardhi me kitarë
“ Monda , mos e harro shtëpizën ku ke qarë
Diku ta ruan fshehur ajo dashurinë e parë”
Kalldrëmet e rrugicës veç heshtnin si kokalla
Që papritur nisën të britnin porsi qënie të gjalla
Avioni me së fundi u nis lart nëpër erë
E di që kisha lënë pas nënën e mjerë
Zemra e saj qante papushim
Ndërsa mua avioni më mori në fluturim
Korçë, po të vi me thinja, kam ikur si zambak
Më fal që s’i mbaj lotët, o Mirahori plak
Dikush pranë luleblirit paska mbjellur zambak
Ky zambak i panjohur me lutet ta puth pak
Po buzët po më dridhen e nuk e puthin dot
Ti do sy të qeshur, zambak, por i kam me lotë
Tej zëri i Mihallaqit më vjen këtu mbi varr
Dhe plakut i tregon dashurinë time të parë
Tej duket Korça ime me flokët onde – onde
“Sa kohe ke pa erdhur…Sa të kam pritur, Monda!”
Kur ty të lashë përgjithmonë plot lotë atë pranverë......
Fuqi nuk kisha kokën pas ta ktheja edhe njëherë ....
Resmi Corbaxhi
Ka lindur në Korcë në 10 tetor 1955. Ka mbaruar arsimin fillor dhe atë të mesëm në qytetin e Maliqit dhe më pas ka kryer studimet e larta për Gjuhë Letërsi. Ka punuar mësues letërsie në shkollën tetëvjecare Kolanec dhe në shkollën e mesme Fan Noli Maliq. Që nga viti 1997-2001 ka punuar gazetar në gazetën Koha Jonë.Në vitin 2001 ka emigruar në SHBA ku jeton edhe sot. Aktualisht banon në Albany.
Hija e tij
Në shtëpine e re ,
e shoh,
rreth meje
vjen vërdallë
Dëgjoj hapat e tij
tek ngjitem e zbres
nëpër shkallë
E ndiej
ai me ndjek
nga pas
Kur unë jam i qetë
kur mbushem me marraz.
Edhe pse jam burrë
Ai më do të mirë
shpesh më kap për dore
si dikur fëmijë.
Herë më rri në krah
më jep një këshillë
Bir!
Shokë pa gabime mos kërko,
është e kotë
nëqoftëse se ti do
të mos mbetesh pa shokë.
... Babai ndërroi jetë
po rrotull është ai.
E shoh,
rreth meje vjen vërdallë
në shtëpinë e re
tek ngjit
e zbret nëpër shkallë....
RIZA LAHI
Riza Xhevdet Lahi, lindur në Shkodër në vitin 1950.
Riza Lahi është aviatori, poeti dhe shkrimtari, me prodhimtari shumë të pasur letrare. Ka
shkruar mbi 24 vepra letrare të të gjitha gjinive në shqip dhe në anglisht. Po ashtu ka
përkthyer një sërë veprash nga poetet më të njohur iranianë, amerikanë, anglezë dhe të
tjerë.
Disa nga veprat e tij më kryesore janë:
"Varri i Ashikut", "Marathonomaku nga Shkodra", "Dinosauri i Fundit", etj.
Eshtë në proces të përfundimit dhe botimit të shumë librave të tjerë si;
"Piloti i Katër Presidentëve", "Foleja Zvicerane e Rezidencës Kosovare", etj.
VAJZA E PILOTIT TE VRARE
Deri vonë ka besuar se babai ruan te retë
dhe te flokët i vjen natën kur ajo flë me meleqetë.
Dhe, kur zgjohej në mëngjes – “Babai sapo u largua.
Është nisur prap te retë, ja, të paska lënë një ftua!”
...Unë hyj te dyqani i saj, ajo më sulet me sy
një moment
dhe i mbledh
si manare që të dy.
“Ç’dëshëroni zotëri... – pyet dhe mban lëmshin në fyt
do t’më pyesë “E di... Babi ka qënë shoku yt!”
Unë blej c’kam për të blerë edhe largohem në cast,
dy sy gati me të qarë ndjej nga xhami më vijnë pas.
Unë bëj sikur s’e di, ati i saj vite më parë,
qiejve me reaktiv, mu si burrat është vrarë.
Vec plansheta qe e padjegur në kabinë, mu në skaj.
Pranë hartës luftarake ish fotografia e saj.
S’dua ta shoh duke qarë, ndaj largohem menjëherë.
Kur për te dyqani i saj më cojnë këmbët nganjëherë
bëj sikur s’e di kush është , sapo më sulet me sy
që i mbledh brënda sekondës
si manare që të dy.
MOJ NËNË
Moj nënë, shpesh më thua, “po lëri tash vjershat,
u lodhe, u këpute, s’t’u botua asgjë”.
Po prap rri me mua tok me llampën e ndezur,
tek grindem me vete deri më dymbëdhjetë a më një.
E kur ndodh e nisem për rrugë të largëta,
Lehtë - lehtë, si mbaron tëre punët e shtëpisë,
m’i mbledh fletët e mia të shkruara e të bardha
dhe m’i mbyll te arka e saj e nusërisë.
KAPITENIA PLAKË
Junik, qershor, 1998
Ranë gjylet që nga qielli
drejtë qiellit derdhet flakë.
Mure derdhen nëpër dhe
pandërperë, dy orë e pak;
Fëmijë, gra të lemerisura
flokëpërzhitura në panik
Ah, këta “Tigrat e Arkanit”
kishin hyrë në Junik
Por dikush është mbërthyer
e s’shqitet nga dhoma e miqve.
Me rrobet e varrit veshur,
pala e shtëpisë së Krasniqëve.
Trerët nisën e po bien
dhe minderet morën flakë
Plaka e vjetër e Krasniqëve
si ikonë mbi konak.
“Dil, moj nënë, se po digjesh
dil, për mua”, qan e mbesa
“T’i puthë nëna sytë e ballit.
Ik, se unë do të vdes, qe besa.”
Kur kam ardhur këtu nuse
mbi duvak më hodhën oriz.
Këtu kafe u kam qitë miqve
të keqen nëna, nuke lëviz!
Ik, moj fëllanxë, moj lulja e nanës.
Ik, më lër vetëm, mos qaj.
Kur të nisë të më dalë shpirti
do të shoh nuse me pajë.
Velin unë do ta ujdis.
Unë do të të hyp në kalë.
Kur t’i vë buzët mbi ball
atëherë shpirti do më dalë.
Amanet, moj bijë , për mua
kur të lindësh një bebush,
po qe vajzë, ma kujto emrin
se të desha si askush.
Dheu s’lëviz, e unë dheu jam
se u mplaka në këtë konak
Një copë shpirt, gja tjetër s’kam.
për Kosovo, njatë do ta nap!”
xxx
Kur anijen veterane
ta përpijë nis oqeani,
të gjith hipin nëpër varka
por nuk hipën kapedani.
Kapedani përshëndet
varkëtarët dhe një herë,
para se , tok me anijen
ta përpijë për jetë humnera
Një anije kosovare
panë si e mori oqeani
atë qershor në Junik
kriminelat e Arkanit
GJYSHJA
(Nënës sime, Shemsijes)
Si pëllumb i bardhë
mbi fletëzën e bardhë
je ulur e shkruan në një cep.
Dhe qesh, qesh me vete
si u qeshin sytë pëllumbave
kur shkruajnë me sqep.
Aulona atje larg
Kushedi ç’mall që ka.
Dhe mes librave përhumb
Asgjë nga kjo botë s’të gëzon , moj Aulona
Si kjo letër ...nga një flokëbardhë
si pëllumb.
Robert Martiko
Robert Martiko lindi në 7 qershor të vitit 1948 në Gjirokastër.
Mbas rënies së Murit të Berlinit, në verën e vitit 1990 Roberti mori rrugën e mërgimit
duke u vendosur familjarisht në Korfuz, ku jeton e punon edhe sot, duke iu përkushtuar me pasion letërsisë.
Në vitin 2006 botoi veprën e tij të parë letrare, romanin “Dritëhije shprirtash të humbur”, i
cili u prit me interes nga lexuesi dhe kritika letrare. Vijoi, një vit më vonë me “Flijime të
skajëshme”. Vijon të botojë tregime dhe të japë mendime të shumta për letërsinë dhe
shoqërinë në shtypin e emigracionit apo në internet.
NË KËRKIM TË NJË VARRI
Një të diel
Në të ftohtë e mjergull...
Mëngjes,
Mal i lartë: rojet flinin
Sëbashku me Cerberë
Mes varresh marshoja
Kockash të hedhura,
Nën dhe të fshehura...
Me xhybe të uriturish
Këpucë të shqyera,
Të shqepura,
Të burgosurish
Pa lidhëse.
Pengmbajtura....
Rrugës një skllav gjeta.
Kock e lëkurë,
Varrmihës qe.
Para meje printe.
Pas i shkoja. I bindur.
I heshtur. Pa gojë.
Në dorë çelsa s’mbante,
Dyer për të hapur
Hapsane apo skëterre...
Veç një copë gazete:
Prej tij cep zhgarravitur...
Mes të tjerash gërma:
Helm e avull
Thonjë e dhëmbë
Rruaza djajsh. Të zeza
Si klone të zhdërvjella
Atomesh faqezinj...
Vendi... Parcela...
Në fund do shfaqej
Varri.
Fëmijë errësire qesh.
Agimin nuk e njihja.
Dritë zaptuar,
Qumësht thartuar
Lopësh kockëdala...
Diell fletësh, të kalbura
Mes vranësirash humbur...
Çudi e parë:
Papritur varrmihsin
Në ëngjëll e pashë,
Të shndërrohej.
Të zbardhej.
Të ndriçohej...
Çudi e dytë:
Nga zemra, brinjët,
Kraharor i çarë
Babanë tim linda.
Sa shumë u gëzova...
Foshnjen e porsalindur
Në varrin me barishte
Lakuriq e hodha.
Përplasur ra...
Nga savani i tretur,
I lirtë
Pa nxjerrë asnjë klithmë.
Pa u ankuar.
Pa derdhur pikë loti.
Në fund, çudi e tretë:
Një e panjohur fjalë
Në kokën time mbiu:
Matusalem!...
Në Histori i judenjve
Patriarh.
Në botë njeriu më jetgjatë...
Vjeç:
nëndëqindëegjashtëdhjetë.
Papritur, shi filloi të binte
Me gjyma e rrëmbim
Maj’ e nxirë e malit
Gjëmonte, bubullinte:
Gjithë dheu tundej...
Dhëmbëzime thyerjesh
Ahenge djajsh
Plumbash, saçmash...
Në ajër të hedhura
Kocka të tejçpuara!...
Të nxira. Të përdhosura...
Më duhet të largohem.
Thashë.
Zbardhen xhamat...
Akujt e ngurtë...
E nuk flenë
Mishngrenësit!...
Frankenshtaini Vetë.
Qëntë fillojnë të lehin...
Pronë e tyre janë.
Ende. Edhe të nxira,
Kockat e tim eti.
Rozi Theohari
Rozi Theohari vjershat dhe prozat e veta i botoi qysh në vitet’ 60 në gazeta e revista të
ndryshme si “Drita”, “Hosteni”, “Shqiptarja e re”, “Fatosi” etj.
Rozi emigroi ne Amerikë në vitin 1994 me familjen e saj. Përvec dy fakulteteve, atij
Ekonomik dhe të Historisë e të Filologjisë, të kryera në Universitetin e Tiranës, në vitin
2000 ajo perfundoi me sukses e u diplomua nga North Shore Community College në Lynn,
Mass, USA, në degën “Artet Liberale.”
Në vitin 2002 ajo botoi në anglisht vellimin me poezi “Two Halves”, në vitin 2003 botoi në
anglisht e shqip poemën “Rozafat”, në vitin 2004 romanin “Lajthitje Dimërore”, në vitin
2005 librin “Mbi thinja fryn erë”, ne vitin 2006 librin publicistik “Jehona Skënderbegiane”;
në vitin 2007 vëllimin poetik “Rozafa’s Tears On The River Drina” në tri gjuhë, anglisht,
rumanisht dhe shqip.
NËPËR TEL FLASIN DY ZEMRA
Kushtuar vajzës sime për
“Mother’s Day” (Ditën e Nënës)
-- Alo, mama! Pse nuk më ke treguar?
-- Ç’të të tregoj?
-- Pse nuk më ke treguar?
-- Nëna e rrit, e mëson vajzën besëplotë,
Si të sillet e ta dojë këtë botë…
Ç’të ka munguar?
--Pse nuk më ke treguar?
-- Të mësova si ta duash e të lutesh për atë Zot!
-- Pse nuk më ke treguar?
-- As një nënë tjetër të ketë
Nuk di! Sa vargje përkëdhelisht të kam recituar
Me tone të ëmbla—sa histori zemërdhembshuruar!
-- Pse nuk më ke treguar?
-- Dhe ti u rrite e po rritesh mrekullisht
Krahëlehta e nënës. Respekti im
Për ty…Me nderim e admirim bashkuar…
-- Pse nuk më ke treguar?
-- Dëgjo, bijë! Dashuria e nënës—si Ora e Malit
Të sjell ditë orëmira e fatdhuruar,
-- Pse nuk më ke treguar?
-- Natyrisht, e dashur,
Disa herë ditët janë gri,
Kthehen e bëhen…më tepër gri…
Por ti ke nje bashkëshort për zili!
Lavdi Zotit!...qofshi lavdëruar…!
-- Pse nuk më ke treguar?
-- Shiko…Të doli aq mbarë
Me shtatzëninë e parë,
E dija…e ndjeja ne krahëruar
Nuk gjen vajzë në botë më të zgjuar
Me të cilën nëna është krenuar!
-- Pse nuk më ke treguar?
-- Oh…tani e ke tepruar!
Ç’të të tregoj, fëmija im?
-- Sa shumë mund ta dua bebin tim…!
Skender Rusi
SKËNDER RUSI
Ka lindur në Vishocicë të Devollit më 15.07.1952 dhe ka mbaruar studimet e larta për
gjuhë-letërsi në vitet 1971- 1975. Më pas,në vitin 1984 është diplomuar për dramaturgji
dhe në vitin 1998 është specializuar për drejtues biblioteke në Kajro.
Ka botuar 10 libra me poezi,1 libër me përkthime si edhe janë vënë në skenë nga trupa e teatrit”A.Z.Çajupi” 1 komedi dhe 1 dramë ,me të cilën është laureuar edhe me çmim
kombëtar. Po kështu është fitues i disa çmimeve të para në poezi në shkallë kombëtare dhe ballkanike.
Ka publikuar poezi në Sh.B.A dhe në disa vende të Europës si në
Gjermani,Zvicër,Maqedoni,Kosovë dhe Greqi.
Për 12 vjet me rradhë ka drejtuar Klubin e Shkrimtarëve”Bota e Re” dhe sot është kryetar I Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve në Korçë.
Prej 9 vitesh Skënder Rusi organizon dhe drejton aktivitetin më të madh kulturor në
Korçë:”Netët-korçare-të-poezisë”me-poetë-nga
Kosova,Maqedonia,Greqia,Turqia,Rumania,Bullgaria etj
Aktualisht është drejtor i bibliotekës”Th.Mitko” Korçë.
-Nënës sime-
Gjithnjë po bëhesh më e krrusur,
Sikur po i afrohesh tokës!
Unë jam atje,në sytë e rrudhur,
Ku është fillimi i gjithë botës!
Gjithnjë po bëhesh më e vockël,
Ku e ke futur gjithë atë shpirt!?
Si hënëz e ngrënë brenda dhomës,
Mbi kokë më rri edhe më ndrit!
Gjithnjë po bëhesh më e lehtë,
Mos ke ndërmend që të largohesh!?
Më bëj një shenjë e ngjitem vetë,
Qiellit t’i them që do vonohesh!
SOT NË MËNGJEZ
-sipas Zh.Prever-it-
Shkova në dyqanin e dëshirave,
Bleva një shall të bukur për nënën.
(Nëna më qortoi që u harxhova!)
Shkova në dyqanin e dhuratave,
Bleva një orë xhepi për tim atë.
(Ai më tha ta ktheja ku e mora!)
Shkova në dyqanin e dashurisë,
Bleva një varëse tjetër për gruan.
(Ajo më kërkoi edhe një byzylyk te dora!)
30 tetor,2005
NUK I NJOH EKUINOKSET
-për tim atë-
Sa herë që shkoj e shoh
nis përlotet,
Mbi supet e mi i harron krahët,
Nëpër klithmat e ngrira
të syve,
Veç fëmijë të verbër
tani luajnë!
Ndoshta kot që vështroj
brenda tyre,
Drita ime atje më, nuk arrin!!
Është një portë që
veç një herë mbyllet,
Siç hapet veç një herë në fillim!
Dhe s’ka ndodhur asnjë lloj
ekuinoksi,
Unë s’i besoj kësaj here
as shkencës(!)
Janë sytë e tim eti
që po ikin,
Ndaj kanë nisur
të zgjaten edhe netët!
11 nëntor,2004
KUR VDIQA UNË
Më hodhët dhe` sa mundët,
Më ngjeshët,
Më vutë një mal përsipër!
Më pas ca lotë,
Më pas ca lule artificiale,
Më pas ,më latë e ikët!
Më pas i latë duart,
( nga dheu
edhe nga unë!)
Dhe shkuat,
Drekuat(!)
Dhe nisët
Të qeshni përsëri,
Të thoni barcoleta banale,
T’i shkelni syrin njëri-tjetrit
Me djallëzi!
Ç’aktorë horrorë!
Në tërë këtë lojë
Me gjoja dashuri!
Veç nëna,
Eh,nëna!
Hyri fshehtaz atje,brenda,
Si një reze dielli në dimër!
Për të ndarë me mua,
Gjithë atë mal dheu,
Që më vutë përsipër!
Veç nëna tani,
Me zogjtë e gishtave,
Më çuket si dikur,
Më shpupuris flokët!
M’i thërret
Me emra,
Shokët…
BASTUNI I NËNËS
Nuk është,thjesht,
një shkop i drunjtë,
Ku mbështetet nëna ime,
kur ecën!
Ai është krahu im
(kur s’jam unë!)
Kur i mungoj
dhe i duhem më tepër!
E çka
Më shumë
Një skeptër!?
15 tetor,2007
Shefqet Dibrani
Shefqet Dibrani lindi me 03. 08. 1960 ne fshatin Gërdofc të Podujevës.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Zvicër që nga viti 2001, anëtar i Shoqatës
Interkulturore “International Kulturbrücken”, Zürich 2002 etj.
Sh. Dibrani, kryesisht merret me gazetari, shkruan poezi, ese dhe kritikës letrare. Poezia e
tij është përkthyer në gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht, rumanisht dhe sllovakisht.Ka
botuar 9 vepra letrare, poezi,kritike letrare dhe publicistike.
Shefqet Dibrani, jeton në Zvicër.
BALADË PËR NËNËN DHE MOTRËN XIFË
DUKE IKUR NGA PRISHTINA
Përmes zërave të ngrirë më thuaj fjalën e mërdhirë
Motra ime Xifë me Nënën si u ndave atë ditë
Dhembjet bien si breshërima zjarri mbi faqet e tua
E përpive kupën e helmit të shpirtit të trazuar
Motra tha: "Po zbrazet qyteti, vajtën moj nanë"
Nëna iu përgjigj: "Nuk më tremb ushtri e pafarë"
Motra ia ktheu: "Ikim nga tirani i Serbisë"
Nëna ju përgjigj: "Nuk dal jashtë dhe sikur të kallet kulmi
i shtëpisë"
Dhe mendja trandej atë çast të lig
Vargoni pafund, njerëz në panik
Dikund në rrugët e Prishtinës, Nëna ra
Lemeria e klithmës sate shpirtrat shurdhon pa pra…
Nëna mbet me frymë të ngrirë diku në rrugë e thëllime
Ndarja juaj Motra Xifë vjen nga kohërat bizantine
Ik moj bija ime, Nëna ndër dhëmbë emrin tënd mbllaçiti
Mbarë të vaftë rruga, fëmijët kujdes, ah , sa i ka dashur
nipërit
Amanet djemve atje ku bren miza hekur, në ato vende…
Nëna mbet me frymë në Prishtinë e komën ia solli policia
serbe
S'të la barbari as t'ia puthësh ballin atë fundmarsi
Motra ime
Nëna mbet me frymë. Ajo rron diku në rrugë e gjëmime
Prishtina e zbrazur përtej Vetërniku
Vargu ikanak trondit Kaçanikun
Në mes të egzodit e ankthit të ngrirë
Motra ime vrapon të gjejë fëmijët
Të fundit herë kokën ktheu atje ku filloi tragjedia
Për të përgjuar mbi trotuar ndarjen nga Hyjnia
Gjëmtarët shtoheshin në zbrazjen e Prishtinës
Në thua merrnin mbi dhembjet e Hamides
S'ma thotë zemra sytë s'më besojnë
Shpirti m'u dridhka pse jam në këtë botë
Rron Nëna ime sa të rrojë Prishtina
S'mund të vdesë Nëna sa nuk vdes Liria
Ajo do t'i bëjë ballë vdekjes e shtrëngatës
Se Motra Xifë s'deshti ashtu të ndahet
Lokja shqiptare të zi e ka shikimin
Ushtari, polici serb, po na shtypin syrin
Ushtojnë topat granatohet përditmëria
Vetëm me robër në shtëpi të vet ka mbetur Prishtina
Tërë ditën e lume rrinte ulur, natën si engjëll bënte roje
Është grua e fortë dhembjet e qytetit mundi t'i duronte
Tragjedia e ndarjes ndodhi atë ditë në Prishtinë
Po zoti për t'i bashkuar shpirtrat kishte lënë mirësinë
Parajsë të shpëtimit kishte bërë në Shkup, Kukës e Kumanovë
Dhe urën e pjekjes e kishte lënë në Tetovë
Ajo është trimëreshë, i bëri ballë mortjes bizantine
Dhe motra Xifë do të kthehet një ditë rrugëve prishtinase
Në pranverë ikanakët do të kthehen palë-palë
Nëna që ngrysi tragjedinë i shikon me fytyrë të vrarë
Pastaj nga dritaret e shtëpive sodit këtë mrekulli të shkretë
Gruaja fisnike që sfidoi demonët e shekullit XX
Ke shpresë Motër në këtë ditë që avitet si pishtar
Se një fund i fundshëm është dikund... e ne mbetemi
Shqiptarë
BALADË PËR BABAIN DHE MOTRËN BAHRIE
(Tim eti vrarë në ofensivën serbe mbi fshatin tonë, më 18 prill 1999)
Uturimë shkoi fshati atë mëngjes prilli
Barbari vuri putrën në gardhe dielli
U trandën dhe të vdekurit në varre
Si teh kose befi vdekja bizare
Bija tha: "Barbarët erdhën, kullat po i kallin"
Babai ju përgjigj: "Nuk braktis shtëpinë pa e pëlcitur
ballin"
Bija ia ktheu: "Ikim Baba nga serbët e tërbuar"
Babai ju përgjigj: "Udha të shpie… matanë mali s’është
rrëzuar"
Ec moj bija ime luginës së përroit, kujdes, pa panik
Do të Qëndroi, pragu i shtëpisë nuk më le të ik…
Motra ia puthi ballin Atit atë ditë prilli
Në ndarjen tragjike sikur pushoi dielli
Shpejto drita ime, rrënjë e ardhmërisë
Babai po shkon në altarin e lirisë
Motra mori malin nën breshërtë…
Babai mbyllte dyert nga hordhitë
Njerëzit shumoheshin në zbrazjen e katundit
Lamtumirë Troje për herë të fundit
Babai tha: "Nuk iki sa të jam gjallë"
Bija ia ktheu: "Nuk zhbihemi as nga ky djall"
Qëndroi im At’ pas pragut të shtëpisë
Ah, qe thyer vetë kulmi i gjithësisë
Gërdofci pëlciti dyerve iu vunë skllapë
Vetëm Babai e Xhaxhai kanë mbetur zhapë
Me bastun në dorë ah sikur malin ta kishte mësyrë
Në ninxat e syrit nxinte një mënxyrë
Ecte Bahria si zog i plagosur në përpjetën e malit
Apo mbi dhembjen e gurtë në ballin e Babait
Sa shekulli zgjati ajo ditë
Bjeshka largohet, bjeshkë më prit!
Në çdo krua Motra lëngonte
Të Atin e vet mbi ujëra shikonte
Kaluan ditët, hekur, hekur, hekur
Pa marrë lajmin për t'et se ka vdekur
Babai ra në pragun e shtëpisë
Motra u kthye në agun e lirisë
Me duart e saja varrin ja zbuloi
Plagët e plumbta me lot ia mbuloi
Mortën e sollën plumbat e barbarëve…
Ndjesë pastë në tokën e të parëve
_________
Gërdofc, 9 korrik 1999, në ditën e zhvarrimit të babait
Thani Naqo
Lindur në vitin 1953 në fshatin Zicisht të Korçës.Ka mbaruar Fakultetin Ekonomik,si dhe
kursin pasuniveristar në degën e skenarit kinematografik,pranë Institutit të Lartë të Arteve,
Tiranë.Botimet - Vëllimet me tregime dhe novela: “Shtëpia e Përgjumur”,1977,”Kabina e
kuqe”,1985,”Vatra Njerëzore”,l987.”Përsëri Pranverë”l985, skenar filmi artistik. Romani
“Përgjumje iluzionesh”,2006,vëllimi me lirika “Fate paralele”2006.Së shpejti del në
qarkullim vellimi me lirika “Sinfonite e Stinëve”.Jeton se toku me familjen ne Florida.
ME PYETËN NJË DITË
-Cili është djepi më ledhatar në botë?
Gjaku më zhurmeroi në trup.
Symbushur lot.
Ninullat e dikurshme kumbuan në vesh
Dhe psherëtiva sa gjithë bota u drodh:
I magjishmi,prehëri i gjyshes!
NËNËS
Më pret gjithnjë tek prag’iportës,
Duart nën përparese sikur fsheh dicka,
Njëlloj si nënat në mehallët e botës,
Nëna ime,e plakura.
Ndodh që kthehem vonë nga puna
Pret dyshimzemërdredhur:
“Mbase im bir pi raki me çuna,
Dhe sonte vjen në shtëpi i dehur”.
Një mijë këshilla mban në gjuhë,
Pret sa të kalojë pragun e portës,
Por,oh,sa shpejt i kalon ai duf!...
Një lloj si nënat e mëhallëve të botës.
DERIÇKËN E OBORRIT GJETA HAPUR
Vuri përparësen nëna ime plakushkë
Shtriu petet e holla me brumë të bardhë
-Të vish biro,hapur është kjo derushkë
S’harrohet shtëpi’ e vjetër rrethuar me gardh
Dhe karthjet e thata në vater flakëzojnë
Shpina e saçit nxehet dhe hiri bëhet me gri
Kaq vite larg vatrës,ku flakët sot lodrojnë
Me miell me leu hundën si dikur në fëmijëri
Tepsinë e vendosi mbi një kosh të madh
Nën tendën e pjerrgullës,përfund atij oborri
Gjersa lakrorin mbarova,më kqyri me mall
Dhe pjerrgulla e vjetër mbi mua lotoi…
TRASHEGIMI
(poemth per babain)
Une s’jam gatuar me balte a gur,
Me balte dhe gure dikur kam lodruar.
Qysh te vogel me mesoi si te mbjell grure,
Si shtrohen hamshorat dhe si duhet kaleruar.
Si hapet kanali dhe si mbillet pema,
Flluskat t’i duroj gjersa ato te behen kallo.
Pse ferra dhe murizi jane veshur me gjemba,
Pse ne shkolle une duhej te merja vec “bravo”.
Mbi supa sot mbaj gjysemshekullin e jetes,
Ngarkesen e qelizave te te pareve te mi.
Pervoja aterore me instinktin e bletes,
Per mua jane e madhja trashegimi.
Oqeane le pas dhe hapesirave te botes,
Dallget e shekullit me shpatulla i caj.
Gjithe kete fuqi e mora nga vlag’e tokes
Dhe Perendia At’Dhe qe ne zemer mbaj.
Valbona Dardha
ka lindur ne Durres , ku u arsimua dhe punoi per nje kohe te gjate ne fushen
e edukimit te femijeve parashkollor . Emigron se bashku me
familjen ne SHBA, ku jeton e
punon prej nje dekade, periudhe ne te cilen i dha jete dy vellimeve
te saj te para me poezi
" Vjeshte ne Waterford " dhe "Ne boten e 36 cicerimave", eshte
bashkautore e disa antologjive letrare,
"'Mozaik te nje portreti ", Perendim i Malluar ", Gjuha e dashurise
poetike " .
Po vij sic vjen zeri neper ere.
( Ne kujtim......)
Ju kisha premtuar,
se do te vij ,
sic vjen tingulli i larget ne vesh ikur neper ere
dhe frymen e pare do ta mbaj ne ate ngaster dheu te zi
ngrehine e nje jete mbi mermer
Ndersa nisa te shkruaj
nje hurrikan lotesh malli e faji largimi
me hedhin mbi detra kujtimesh si anije pa busull,
levozhge arre harruar ne te oqeanit bote
mua spartanen e skllaveruar largesish,
fituese dhe e mundur
Cdo me thoni ndersa gjunjezuar
gishtat e mi pikelluar permallimit
do ledhatojne mermerin vishnje?
Oh te urtit e mij qe aq shume me deshet,
ne syte tuaj skeptrin mban dshuria , pa folur rri qortimi
se natyrisht ishit te sigurte,
nje satelit kthim-ndalese ka vetem pike-fillimin , ska te tjera ligje
e pra dhe levozhga e arres sime si mund te harroj token e premtimit
ku fara ju ngjiz ne te zemres brigje..
A do te me pyesni valle
ne ju kam mbajtur gjalle ?
se ne c'gjuhe i kendova ninullat e djepit
ne mungesen tuaj,
se ne c'gjuhe pasardhesit e mij,
nenes i thone nene e babes babe
i tregova endrren e shqiponjes me krahet e perbotshem
qe kurre se gjet folene e saj ne dhe te huaj.
Ngulci mallit eshte nje kokrrize ,
qe une e parrahura ne fshikullimen mungeses suaj kete e dija ,
por nuk dija se larg shume larg u beka shkretetire.
Ti po iken - me thate dikur , kur me jepnit bekimin
- Por dije dhe behu e forte se syte do te lodhen se kerkuari gjelberimin
ne kerkim te ndonje fije bari diku te kete mbire .
Po vij , po vij tek ju qe me deshet aq shume deri ne dhimbje
sic vjen zeri neper ere ,
trokitja e pergjerimit tim mbi dere do te gjemoj
por pas saj ka mbetur vetem heshtja pa kthim
pas saj s'do te ndjej feshferimen e avashte e pandoflave te dashura
dy fjalet fondamentale te dashurise ' "mire se erdhe shpirt"
kurre me ne kete jete nuk do t’i degjoj..
Ja ku po kthehem serisht si shpirti ne zemer te tokes
bere kallkan polesh te akujt ,ku s'gjeta prehje larg jush
i zgjaz duart amshimit e lutem me fusni dhe nje here ne gji
si dikur kur perdellimi juaj me therriste " e vogla, e vogla bij '
me mbuloni me llave dashurie divine qe buron vec prej gjoksit
se prej jush i kam degjuar fjalet e nje gjuhe qe nuk vdes,
" Tek cdo plak jeton nje femij "
Po vij , si etyd mengjesi po vij pas kaq vitesh qe kini vdekur
ne token idilike te premtimit tim atje ku flitet shqip
e do tju gjej rilindur tek nje nje tjeter brez
tek nje fije bari, tek nje nip e sternip . .
Mall etern
Mbreme me erdhe disa caste mbi qepallat e endrres
sepse ndjeja mallin dhe nevojen per ty nene.
Ulur mbi nje dege dafine
zbret nga kaltersite
e me qendron si engjell mbi harkun e djepit tim stermadh.
Ti akoma vazhdon te me perkundesh
per ty , une akoma femije i parritur
mbuluar me thinja .
Vangjush Ziko
Poet,dramaturg,përkthyes.Diplomuar për letersi.Ka punuar pedagog i letërsisë dhe i gjuhës ruse në arsimin e mesëm dhe atë të lartë.Vëllimin e parë me poezi dhe dramën e parë letrare i ka botuar në vitin 1959.Deri tani ka botuar apo vënë në skenë mbi njëzet
vëllime:poezi,drama,skenarë filmi dhe përkthime poetike.Ka botuar studime,kritika letrare dhe ese në shtypin lokal dhe atë kombëtar.I është dhënë Urdhëri "Naim Frashëri" i klasit të parë. Në vitin 2006 ka marrë "Kurorën e Krijimtarisë" nga Klubi Letrar "Bota e Re".Që nga viti 2004 jeton në Kanada pranë fëmijëve te tij.
NËNA
Nëna end çorape,
Tringëllijnë shtizat.
Nëno,syza s'pate,
Sot s'i heq dot syzat.
Nëna thurr fanellë,
Mez'i natës vate.
Nëno,kaqe thellë
Syte nuk i pate.
Nëno,ler çorapet!
Nëno,ler fanellat!
Rrudhat nëpër faqe
Si brazda te thella.
-Po të rri,mor bir,
Rrudhat do më shtohen.
Po të rri,mor bir,
Sytë më qorrohen.
1959
NËNËS
Të është lodhur zemra,nënë,
Përtej lodhjes ajo ka shkuar.
I shqetësuar EKG-në
Shpalos doktori nëpër duar.
Hutimin s'dimë si ta fshehim,
Nuk dimë si ta zbutim dhimbjen.
Me syt'e trembur buzëqeshim
Që mos kuptosh ti gjëndjen.
Por ti,e zgjuar dhe e mençur,
Si sfinks i lasht'i dashurisë,
Na buzëqesh ashtu mbështetur
Përmbi jastëk të pleqërisë.
E qetë je si mbretëreshë,
Cakun e vdekjes ke kapërcyer.
Për diagnozën përse të pyesësh:
Ti zemrën kurrë s'e ke kursyer.
1985
Ikja e babait.
Si na e bëre kështu,baba?!...
Flisje,buzëqeshje,rënkoje ngadalë.
Brym'e verdhë mbi fytyrën tënde ra,
Tingëllove dhe heshte si një këmbanë.
1994
VITORE STEFA
Vitore Stefa –Leka ka lindur në Tiranë nga dy prindër intelektualë: Kostaq dhe Eleni Stefa.
Pas vuajtjeve 40 vjeçare nën regjimin komunist largohet nga Shqiperia dhe vendoset në
Trieste të Italisë ku edhe sot jeton dhe vepron.
Shquhet për humanizmin e saj dhe për ndihmat e pakursyera që u ka dhënë emigranteve që në
fillim të eksodit në vitin 1990. Për veprimtarinë e saj patriotike dhe humane, ka disa mirënjohje
nga orgnizata të ndryshme në atdhe apo në Itali ku jeton. I është dhënë nga mbreti Leka, nga
shoqata Nënë Tereza, si dhe Medalje nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me motivin për
humanizmin e saj dhe ndihmat që u ka dhënë emigrantëve që nga viti 1990.
Është antare e kryesisë së lidhjes shqiptare në botë. Eshtë anëtare e këshillit të emigranteve pranë Komunës së Triestes si dhe presidente nderi e bashkimit të shoqatave shqiptare - arbëreshe. Vetëm në 90 u bë realitet ëndërra e saj që t’i botohen shkrimet.
Disa nga poezitë e saj janë te përkthyera në Rumanisht, Frengjisht dhe Italisht.
Është bashkëpunëtore dhe shkruan në disa gazeta : si në Shqiperi dhe në vendin ku jeton.
Eshtë anëtare e lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë.
Është autore e disa vëllimeve poetike:
"La liberta", "Jetoj Ringjalljen", "Vetmi e Largësise" Ne te denuarit". Libri i saj i parë në
prozë eshte “Plage shpirti" . Ka në dorë dhe nje roman e dy libra me poezi te gatshme për në shtyp.
NËNËS SIME
(Mësueses së popullit Eleni Stefa)
Buzëqeshi sot fytyr' e saj
Largoi një çast gjithë trishtimin
Si bllok i mbyllur që prap e hap
La pas vet-dhimbje hidherimin.
E unë them -Sa u rinua!
Shikoni nënës i ikën thinjat
Nga rrudhat nëna na është çliruar
E moshatare ndjehet me bijat.
Sot nëna ngjan si atë ditë
Të parën njohje me babanë
Kur zemr' e saj vet dashurisë
i tha: "As vdekja s'do na ndaj "
E lodhi jeta , e rrudhi e zbardhi
plumba derdhën mbi babanë
Por dashurinë shpirti ja mbajti
Si borën që krahëve Tomorri mban.
E veshën zi , por dot s'ja nxinë
Atë të vërtetë që ajo di
Një jetë e priti ajo këtë çast
Ringjalljën tënde demokraci!
Ajo e urta nëna ime!
Na pret, percjell tek ai prag
Nga buz' e saj çelin bekime
Si t'ia shpërblejmë?!
Një jetë është pak!
Pushkatimi
(Sipas një emisioni televiziv të RTSH 18 janar 1993,kur ndër të pushkatuarit , është dhe im atë Kostaq Stefa , martir i demokracisë)
Tre plumba
Pa klithma
Vdekje pa sy
Dy mars ora njezet e dy
Vitit dyzetë e tetë:
Dhe heshtja vetë
Shpirti befas shkoi në qiell
Policët ja morën këngës shtruar
Këndojnë si në marrëzi
Pastaj hedhin krahë qafe
Automatikët e zi
Dhe këndojnë përsëri..
Kostaq!
Hamit
Tajfur
Baba Bedri
Një jetë e përhershme në rini
Bri varrit pa varr!
Rritet bar
Dhe vet përroi i mbuluar
Hesht me acar.
Policët largohen ngadalë,
Kënga shpon natën e ftohtë,
Pas lanë krismat pa varr..
(Kostaq Stefa , Hamit Myftiu, Tajfur Haznedari , Baba Bedri Carkanji vrarë më 2 Mars
1948 në Uznovë të Beratit)
Zaho Balili
1951-2001
Është lindur në tetor të vitit 1951 në Rexhin të Kurveleshit. Shkollën tetëvjeçare
e të mesme e ka mbaruar në Tepelenë. Vargjet e para i ka nisur qysh në moshën
gjashtë vjeçare. Autor i shumë teksteve të këngëve labe të asaj zone.
Ka botuar gjashtë libra me poezi e tregime.
Nënë moj e mira nënë
Udhë e largët më kish marrë
Gji e zemër më kish çarë
Nënë moj e mira nënë.
Det i thell’ e i pamatur dhembshurie,
Sa më prite atë natë ti e dije
Nënë moj e mira nënë.
Era vjen më thotë dy fjalë
Ulërinë si e marrë
Nënë moj e mira nënë.
Erdha s’të gjeta të gjallë
U ula të putha në ballë
Nënë moj e mira nënë.
Të putha gjirin e tharë,
Po dot nuk ta nxora mallë,
Nënë moj e mira nënë.
Zeqir Gërvalla
U lind më 15 maj 1942 në fshatin Lupç i Poshtëm të Llapit. Përfundoi studimet për gjuhë e letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Është dënuar,
persekutuar e burgosur për çështjen kombëtare. Ka botuar vëllimet poetike: “Prania e
sfinksit”, “Det e moçal ballë për ballë”,
“Daullet e pranverimit”, “Në rrugën e dritës”, “Ekspozita e mëmëdheut” dhe “Lulëzimi i
rrënjës”. Është bashkëautor në antologjinë, “Bota s’ka gjumë” dhe “Perëndim i mallur".
Jeton në Rochester, New York .
DASHURI E DHIMBJE NÉ TRI KOHÉ
Pak biografi
Në kujtim e mall të pashuar
për nënën time, Ajshen
I
Më kujtohet
sipas rrëfimeve të tyre
...tetë fëmijë u lindën prindërve të mi
e u vdiqën shtatë...
E unë - i shtati...Qe ...Ende gjallë...!
(Eh,ç'panë sytë e mi! Ç'përjetoi kjo zemër...
si dje si sot...!
...Edhe të dytin - pas të parit
në filiz të ri shtrirë
edhe të tetin më të riun
ende pa e mbushur motmotin
unë, me sytë e mi, i kam parë në teneshtirë...!
E nënës...Ah, nënës zemërvrarë
aso çastesh
lotin e dhembjes duke ndrydh e shtrydh shpirtin
ia kam parë!
( O,vetëm buzën ia kam parë
duke iu dridhur...!)
II
Ah,sa nënë e fortë
nënë Ashja ime !
Po a ka fund
më të forta se nënat tona, o Zot!
(Edhe në skamje -
edhe në vuatje e mjerim
ato
lindnin shpresa
rritnin shpresa
përkundnin djepin
mbanin qëndrim
furtunave të jetës
p ë r n g a d h ë n j i m )
III
"Jetimët...-thanë
kurrë s'do të shohin dritë...!
Ah,edhe dy motrat
që m'i falnin sytë e nënës
shkruan e më lanë...
(E madhja me sy çelë
ta shohë bimën e vteme të përtërirë
e dyta,para saj iku e la
shtatë filiza xhevahirë...)
E unë ...unë, ja, ende duke pritur t'Ylberit ngjyrën
e pestë
e gjashtë
e shtatë...
Zeqir Gërvalla
Nga "Lulezimi i rrënjës"
AI DHE QARRI
Babait tim,Bajramit
Sa herë vjen pranvera
Qarri i fshatit divan të rri
degëve të hapura gjethet përtërinë...
Aty -
prore ka erë bari,bliri e lulesh
përzier me fjalë burrash
dredhje mustakësh nëpër tym duhani
maje plisash në dritë syri të djemve të rinj
këngë trimërie në qifteli...
-Po Ti ç'ke, or Plaku im?
(Ti që në rini përjetove katrahurën
në hekurudhën e Kërçovës...)
Përse Bjeshkët e Nemuna mbi ata sy t'kanë ra?!
Më thuaj, o më thuaj
kush tymin e duhanit prish ta ka?
më bëhet se e shoh ulur nën degët e Qarrit -
në lendinë
edhe pse ai ndërroi jetë gjashtë vjet më parë
kur mua më dënuan korbat karpatianë
( me 12 vjet burg të rëndë)
e mbetëm kurrë më pa u parë
me mall...
-Askush , biro,askush... -
sikur dëgjoj ofshamën e Plakut tim të thinjur
duke vështruar mallshëm lëndinën...
Sërish pas një heshtje im atë sikur ngre ballin:
- Isha, biro, duke biseduar me tim shoq-Qarrin
Për vetminë!
Për vatanin!
Eh,sashokë! Sa luftërat!Sa plagë i pamë...
Sa herë u ringjallëm, biro,e sa herë na vranë!
*
Po... Edhe sot sa herë vendlindjen e vizitoj
Qarrin jetik me sy e përqafoj
e ai sikur me flet
me ato degë gjetheblerta
me ato degë gjetheshterta
nga kujtimi i tim eti.
(1970)
Nga "Lulezimi i rrënjës"
Tag der Veröffentlichung: 01.11.2010
Alle Rechte vorbehalten