Agim Adem Bacelli
Bacellinjtë (Familja Bacelli)
Nuk ka histori të vërtetë përveç biografisë.
“Ashtu si pema pa rrënjë është e vdekur, ashtu është edhe një popull pa një histori e kulturë të kaluar.”
“Mos ia thuaj askujt hallet e tua. Dhjetë për qind e atyre që të dëgjojnë, nuk të ndihmojnë dot t’i zgjidhësh ato, ndërsa nëntëdhjetë përqind të tjerë, do të gëzohen shumë që ti ke halle.”
Adem Bacelli
Hyrje
Ndoshta nuk do të ishte shkruar ky libër, i cili sjell të gjithë Bacellinjtë që prej rreth dyqind vjetësh e deri në dekadën e parë të shekullit të 21-të dhe i bashkon në mendjen dhe zemrat e të gjallëve, nëse, i ndjeri babai im, Adem Telha Bacelli, nuk do të kishte lënë ato shënime me aq vlerë për rrënjët e fisit dhe për përshkrimin e vendeve nga ne vijmë.
Shënimet e tij fillojnë me disa thënie shumë të vlefshme, me të cilat dua të hap librin “Bacellinjtë”. Po ashtu dua të bëj të ditur se rrëfimin tim dhe të Bacellinjve të tjerë do ta vë në gojën e atit tim, pasi atij i takon merita e bërjes së këtij libri. Historitë do të vazhdojnë sikur babai im të ishte gjallë edhe sot. Jam i bindur se gjithçka që tregoj unë apo xhaxhallarët dhe kushërinjtë e mi për të shkuarën e largët të Bacellinjve, njëlloj do të ishte thënë, ndoshta më bukur, edhe nga Adem Telha Bacelli, i cili nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka mbledhur gojëdhënat mithologjike të trashëguara nga Bacellinjtë. Mitologjia nuk është vetëm përrallë, ata perëndi, shenjtë, divë, me një fjalë ata njerëz të fuqishëm, kanë qënë njerëz të vërtetë që kanë jetuar, pavarësisht nga ekzagjerimi gojor, treguar brez pas brezi. Çfarë tregohet këtu, mendoj se është e vërtetë.
Dua të them edhe një gjë fare të sigurt, të cilën e dinë të gjithë njerëzit e afërm të babait, miqtë e shokët e tij. Babai im ka qenë vërtet një partizan që mbante teserën e PKSH në xhep e që besonte se luftonte për çlirimin e Shqipërisë, por kurrë s’ka qenë komunist nga botëkuptimi. Ai ishte një antikomunist i flakët dhe këtë e them sot, kur akoma janë gjallë disa nga vëllezërit, shokët, miqtë dhe njerëzit e tij që e kanë njohur nga afër. Po ashtu e kam njohur edhe unë. Me mendimet “e rrezikshme” në kokë, babai ka shkaktuar shqetësime dhe probleme gjatë gjithë kohës edhe tek nëna ime. Me ne fëmijët ai kurrë nuk hapej.
Një falënderim të veçantë atit tim të shtrenjtë dhe të paharruar, të cilit, në shenjë dashurie, respekti dhe admirimi ia kushtoj këtë libër.
Agim Bacelli
Kreu I
Në thellësi të shekujve
Origjina e shqiptarëve
Prapa në kohët parahistorike, para se poetët e Homerit të këndonin për perënditë e tyre dhe heronjtë e përrallave, përpara se të shkruhej gjuha greke, rronte një popull i quajtur Pellazg. Herodoti (484-425 p.e.s.) iu vesh pellazgëve historinë, e cila këto i përmend shumë më parë se sa qytetërimin e grekëve; punimi i ashpër që mbulon anët e Panteonit në Athinë akoma quhet pellazgjik. Këta ndërtuan mure të mëdhenj që quhen ciklopikë dhe për të cilët Prof. Pokok thotë se qenë ndërtuar shumë më përpara se të ekzistonin grekët e Homerit. Prej kësaj race të fortë parahistorike mbetën vetëm shqiptarët. Vetëm në kohë të vona u shkoqit se pellazgët qenë Ilirianët e vjetër, e para degë indo-europiane, perandoria e të cilëve shtrihej që nga Azia e Vogël, deri në Adriatik dhe nga Veriu deri në Danub. Nga studimet e shkrimtarëve të rinj, si Prof. Maks Myller dhe Prof. Pot, në gjuhën shqipe u bë e qëndrueshme kjo origjinë. (Një meritë të madhe për këtë ka Profesor Spiro Konda, i cili akoma nuk është njohur si duhet). Këta ilirianë që rrojnë akoma në Shqipëri si toskë, u shpërndanë edhe në Itali dhe njihen si toskë, toskanë, etruskë. Ndërsa ilirianët e veriut ruajtën origjinalitetin e kulturës pellazgjike, e cila kulturë ekziston edhe sot.
Është e kotë të kërkohet për perënditë e Greqisë në etimologjinë e gjuhës greke. Në gjuhën shqipe këto janë shumë të qarta dhe domethëniet e tyre shumë të drejta. Për shembull, Kaos është hapsi, hapësirë; Erebus, biri i Kaosit, është er-het-os, me e bërë të errët; Uran-os është i-Vran-os, domethënë zana e reve, vranët; Zeus, - Dheu-s; Athena është - e thëna, me thënë fjalën; Nemesis, nemës, domethënë nam, thirrje e djallit; Muse, Mosois, (Moisi) është mësuesi; Afërdita domethënë afër ditës, agimi. Kur do të jetë studiuar mirë gjuha shqipe dhe kur do të jenë zhvarrosur gojëdhanat e saj, atëherë shumë nga veprat e Homerit do të rishikohen dhe ca nga ato do të jetë nevoja edhe të korrigjohen. Herodoti nuk e pati ditur që emrat e heronjve të veprës së Homerit ishin fare qartë në gjuhën pellazgjike. E deri edhe emri i vetë Homerit mund të gjurmohet në gjuhën shqipe.
Në gjuhën shqipe është Agamemnon, Ai-ge-mendon, ai që mendon; Ajaks, ai gjaksi, gjakderdhës; Priamos, Prijës jam; Akili, (Aqili) i qiellit, një i zbritur nga qielli; Hektor, (Heqtor), ai që heq e vuan; Odhiseu, i udhës, udhëtari, ai që shëtit; Ithak-a, i thak, idhnak. Shumë të tjera mund t’i shtohen kësaj liste. Nuk është çudi nëse njerëzit që kanë studiuar gjuhën shqipe të thonë se kjo është gjuha origjinale e Homerit dhe që grekët e morën nga poetët pellazgjikë të shumtën e këngëve epike të trimërive heroike.
Sa dituri e madhe e pret arkeologun kur toka shqiptare do të hapë thesarin e historisë pellazgjike! Këta dhe shumë rrjedhime të tjera provojnë që shqiptarët sot janë mbi tokën e të parëve dhe flasin gjuhën e stërgjyshëve të tyre. Edhe përpara se dega helene të njihej në malet e Thesalisë, Shkodra (Trima), qyteti kryesor i Shqipërisë, qe pa dyshim kryeqyteti i mbretërisë madhështore të Ilirisë. Shqipja qe gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që pushtoi botën dhe e Pirros së Epirit, një nga gjeneralët më të mëdhenj që përmend historia dhe përballues i fundit i ushtrive pushtuese romake.
Një tragjedi, përtej përfytyrimit të tragjedistit, është kjo që një racë e vjetër dhe e fortë erdhi në një gjendje kaq të keqe dhe mizore, gjë e cila shikohet si skandal i qytetërimit europian. Nuk është çudi që romakët, otomanët, grekët dhe sllavët nuk lejuan ndonjë gërmim në tokën shqiptare, sepse ajo mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë që do të ishte fundi i lavdisë së pamerituar heleno-romake-sllave!
Brez i fuqishëm
Gjaku i shqiptarëve është gjak burrërie. Shqiptari është si punë e ujkut që nuk e njeh kurrë fuqinë e vet. Fuqinë e tij e njohin mirë të tjerët. Shqiptari i ka dhënë Turqisë gjeneralët dhe ministrat më të mirë. Vëllezërit e tyre në Itali, toskanët, vunë themelet e vertetë të madhështisë së Romës. Pesë perandorë të Romës qenë bij malësorësh ilirianë; ata e forcuan racën italiane. Në grykat dhe në malet e Atikës gjuha shqipe është në përdorim edhe sot. Në përpjekjet e Greqisë për liri, shqiptarët lanë emra fame. Ata trazohen me të tjerët, por në trazim nuk bashkohen, domethënë nuk i përziejnë gjakun dhe zakonet e tyre. Të ruajturit e gjuhës dhe të zakoneve të veta nën thembrën dhe tiraninë e shekujve tregon mundësitë e një race të fortë e të pamundshme. Do të shohim se si Europa e përdori këtë çelës të Ballkaneve (Maleve) për të mbajtur mbyllur dyert e mëshirës e të dritës mbi një popull, i cili tani po lutet për pavarësi e liri.
Shqipja dhe Shqipëria është çelësi për të zbërthyer fjalët e vjetra pellazge. Kush do të verë në përdorim këtë çelës, ai do të tronditë botën e përmbysur, të cilën do ta kthejë për së mbari. Është për të theksuar se është karakteristike që në veprën e Kondës për etimologjinë e çdo fjale, sillen aq argumenta, nga një herë edhe 15 ose 20, aq vërtetime e fakte, citohen aq autorë, sa nuk lihet asnjë shteg për dyshime. Dhe vërtetimet janë bindëse. Kështu, duke sjellë mjaft fjalë ku shqiptarët "takohen" me pellazgët, autori arrin në konkluzionin se shqiptarët janë pjestarë të familjes gjuhësore japetike ose indoeuropiane dhe shqiptarët e pellazgët janë të një race. Këto "takime" janë të shumta. Fjala dipatyron - siç e quanin pellazgët perëndinë, korrespondon me fjalën shqipe de -patër -patër -de = perëndi. Fjala - demetër = dhe - metër, pra dhe - mëmë, me kuptimin - dhe - dheu = mëma e të gjithëve. Fjala pellazge brazer takohet me shqipen - burazer që ka të njëjtën kuptim. Etimologjinë e fjalës pellazg, pas shumë ndryshimesh fonetike, Konda e lidh me fjalën shqipe pjell, pra lindur jam prej dheut = i dhelindur.
Bacellinjtë, si kanë qenë ata?
Thithi thellë tymin e cigares dhe pastaj më vështroi gjatë. Prisja me padurim që babai të më tregonte gojdhënën e trashëguar brez pas brezi, ndoshta mbi dy mijë vjet, për rrënjët e Bacellinjve. Flokët e zez e pak kaçurelë e të krehur përpjetë iu drodhën, siç dridhen fletët e pemëve kur fryn një puhizë e lehtë ere. Balli iu vrenjt dhe rrudhat u thelluan më. Ja numërova me kujdes ato, pashë se ai kishte 6 rrudha. Mendja më shkoi menjëherë tek ne gjashtë fëmijët e tij. Ç’koinçidencë! Shikimi im zbriti pak më poshtë tek sytë e tij. Sa të bukur! Sa të veçantë! Blu në jeshilë. Të pastër e kthjellët si ujët tek Kroi i Madh. Tërë ëmbëlsia e shpirtit të tij mbledhur me kujdes tek sytë. Fytyra e babait, në ngjyrën e grurit të pjekur. Hunda e drejtë, e trashë dhe e shkurtër përfundonte mes dy vetullave si shtëllungë. Çudi sa vetulla të trasha! Sikur të mos i presë, mendova, kushedi se sa të gjata do t’i bëhen, ndoshta do t’i varen përtokë! Ai, sikur të ma kishte kuptuar mendimin, i sheshoi me dorë dhe më pas i fërkoi ëmbël. “Ne jemi fis kalesh dhe fisnik. Fisniku nuk duket aq nga pamja se sa nga fjalët që flet dhe ato që bën. Të jesh fisnik duhet të kesh një të shkuar të denjë e krenare. Që të kesh një të shkuar të tillë duhet të punosh sot në këtë drejtim që nesër, brezat që vijnë të ndihen krenarë me jetën tënde. Agim, ne duhet të përulemi para të parëve tanë, njësoj sikur të përulemi para shenjtorëve. Ashtu do të përulen edhe brezat që vijnë, nëse ne do të kemi bërë diçka të mirë për ta. Të lutem mos e harro këtë gjë.
Jo të gjithë ne Bacellinjtë e kemi trashëguar kaleshllëkun dhe fisnikërinë, por ja që unë, siç duket i ngjaj shumë nga pamja, si kalesh, merhumit stër/stër/katragjysh Adiv-it ose Divi-it. Për nga fisnikëria, nëse jam fisnik, do më çmojnë brezat që vijnë. Po ashtu ty dhe pasardhësit e tu. Rro si fisnik. Mos gënje kurrë. Respekto ata që të sollën në jetë dhe të afërmit e tu dhe puno me ndershmëri.”
*****
Këtu e ndali tregimin babai dhe unë mbajta frymën duke pritur vazhdimin. Ai u ngrit dhe mori një gotë ujë nga kana mbi tavolinë. Desha t’i thosha pse s’më urdhëroi mua, por e lashë ta shijonte ujën nga dora e vet. Vëzhgoja me kujdes çdo lëvizje të tij. E kisha zili për trupin e shkathët si të ketrit, plot muskuj e pa dhjamë. I gjatë mbi 1m e 80 cm. Po më vinte keq që s’i kisha ngjarë nga trupi. Pasi u ul përballë meje më pyeti, “Ku e lamë?” I tregova se sapo e kishte filluar rrëfenjën me Adivin. “Divi ishte kalesh. Fytyrëbardhë e flokë zi. Vetulla të trasha dhe sy të kaltër zhbironjës. Ishte i gjatë mbi dy metra. Kishte lindur në vendin e divave në një fshat që ai e quante Mesmal pasi shtrihej në mes të maleve të lartë. Kasollet e babait të Adivit, Adamit, ishin afër majës së malit ku, në kohën e Noes, lidheshin barkat e drunjta. Ky fshat ishte gjashtë orë ecje larg fshatit të dëgjuar në fushë që quhej Pesështëpi.
Kur Adivi u bë njëzet vjeç, i ati e urdhëroi të shkojë larg e të krijojë një familje të vetën pasi e ëma e Adivit, Qava, kishte vdekur dhe njerka, Qefa, nuk e deshte. Me gruan e re Adami kishte katër vajza. I ati i dha një kalë të mirë të bardhë, para dhe e armatosi djalin duke e porositur të hapë sytë. I dha urdhër që të ruajë mbiemrin Bacelli dhe të martohet pasi të ketë rrëmbyer nëntë vajza azgane e të bukura nga raca jonë, në mënyrë që fisi i tij të mos humbasë kurrë. Adivi kalëroi pesë ditë e pesë netë në drejtim të jug-perëndimit. Kur u ndodh përballë disa maleve masivë që kishin vetëm një “portë” kapërcimi, mendoi të ndalet dhe ta ngrerë shtëpinë pikërisht në një kodër si kala që qëndronte përballë portës hyrëse natyrale. Në majën e kodrës ai ngriti një kullë druri dhe atje filloi jetën e tij. Një pas një ai rrëmbeu nëntë vajza të bukura dhe trime dhe i mbajti për gra sipas porosisë së të atit. Të nëntë gratë e tij lindën 80 fëmijë, të cilët u martuan dhe bashkë me bashkëshortët u bënë 160 vetë, plus dhjetë Adivi me nëntë gra, pra 170 vetë. Këta patën 641 fëmijë. Familja pati 811 shpirt njeriu që kur ishte gjallë Divi. Një fshat i tërë. Sigurisht ata ndërtuan shumë shtëpi në të dy faqet e maleve që formonin një luginë të bukur, ku mbollën dhe korrën prodhime të bollshme. Kullën e parë të Adivit e bënë prej guri dhe ajo shërbente si kala mbrojtëse dhe vëzhgimi. Kështu, ata mbronin jo vetëm veten e tyre, por edhe tërë territoret që vinin fill pas maleve të pakapërcyeshme. Me një fjalë tokën tonë epirote. Trimëria dhe guximi i tyre i kaloi kufijtë e Epirit shqiptar. Grekët u tërbuan kur morën vesh se në kufijtë e tyre rronin barbarë të epërm. Ata nisën ushtri pas ushtrie për t’i përzënë, por nuk mundën dot. Bijtë e bijat e Adivit luftonin si dragoj. Të epërmit, siç quheshin nga grekët, kishin në favor dy malet e larta e të pakapërcyeshme me pyjet e tyre të virgjër, plus kodrën me kështjellën mbrojtëse që ishte çelsi për të depërtuar në thellësi, të cilin e ruanin me fanatizëm. Kështu, bijve të Divit u lindi ideja e krijmit të rojeve të parë që dikush i quajti gjelosha nga emri gjelit si lajmëtar. Gjeloshat visheshin me rroba të kuqe, në mënyrë që të dalloheshin lehtë nga njerëzit e tyre në rast të ndonjë mësymje prej grekëve. Në kodrën e gjeloshave ata mbollën shumë pemë, kryesisht mollë, farën e të cilave fëmijët e Adivit e kishin marrë në dheun e tyre, në Mesmal. Mollët e Mesmalit ishin të shijshme dhe shumë të kuqe, por të vogla. Kjo qe arsyeja që vendi i tyre mori emrin Molla e Kuqe dhe ata u quajtën mollëkuqas. Molla e Kuqe mbahet dhe si kufiri jonë jugor ashtu siç mbahet edhe në veri të trojeve shqiptare kufiri i fundit tek Molla e Kuqe në afërsi të Nishit. Shqiptarët kudo kanë vepruar me të njëjtin mentalitet kufinor. Edhe sot Molla e Kuqe është epiteti i skajeve të sinoreve shqiptare.
“Deme, -iu drejtova babit me atë emër që e thërrisnin të gjithë, pasi më tingëllonte pak si Divi, - pse nuk i shkruan këto që më tregon?” I miri baba, qeshi. Sytë e bukur i shkëlqyen si dy burime në Mesmal, kur mbi ta bie dielli i majit. Ata sy që iu trazuan nga fjalët e mia siç trazohet uji në burimet tek Kroi i Madh kur hedh ndonjë guriçkë. Rrathët u zgjeruan dhe filluan të vallëzonin në sytë e tij. Më erdhi keq që ia turbullova mendimet, pasi e dija që atij i dridhej akoma dora nga paraliza që hoqi disa vite më parë. “Deme, ndoshta do të jetë më mirë t’i shkruaj unë pasi të m’i tregosh ti?” Këtë radhe përgjigjja erdhi rrufe. “Jo! Do t’i shkruaj vetë. Ty do të të duhen shkrimet e mia. Më vonë do kërkosh çfarë kam shkruar. Fjalët i merr era, e shkruara ngelet. Do filloj qysh sot, por më parë më ler të përfundoj tregimin për Divin. Si thua?” Pohova me kokë. Babai vazhdoi rrëfimin duke më shikuar përherë në sy. Ndoshta deshte të dinte se çfarë përshtypje më bënin fjalët e tij.
“Nga pasardhësit e Divit kanë dalë viganët e Epirit si Akili, Aleksandri, Pirro dhe qindra mijra të tjerë. Nëse të pëlqen, dua të them disa vargje që i kam bërë që kur isha i ri dhe i frymëzuar nga tregimet e babait, kur më fliste për Divin dhe divat e Mesmalit:
Bacellinjtë
Bacellinjtë mund t’i dallosh fare kollaj;
Janë faqekuq, krejt si mollët e verës,
Zë lartë që oshëtin si përroi në maj,
Me këmbë të shpejta, ia kalojnë erës.
Bacellinjtë janë bujarë si askush,
Janë mullixhinj, blegtorë dhe gjahtarë.
I pangrënë pranë tyre s'ngelet kërkush,
Në mbrojtje dhe sulm, më të mirët ushtarë!
Të dish si ka qen’ Akili, Leka i Madh,
Shko merr Bacellinjtë e kqyri me kujdes,
Ata, bashkë me Pirron dalin me radhë,
Mbajtur gjallë te Bacellinjtë, asnjë nuk vdes!
Ne Bacellinjtë e sotëm trashëgojmë vetëm gjakun e paraardhësve tanë ndërsa nderin dhe dinjitetin duhet ta fitojmë vetë nëpërmjet forcimit të virtyteve, pasi në një të ardhme jo të largët, ne do të jemi vetë paraardhës.
Midis të parëve tanë kanë qenë Bacellinj mbretër dhe skllevër. Kanë qenë të mirë dhe të liq. Kanë qenë heronj dhe frikacakë. Kanë qenë të bukur dhe të shëmtuar, si të gjithë njerëzit e botës. Vetëm në dy gjëra kemi qenë të ndryshëm nga shumica e botës, të cilat i kemi trashëguar deri vonë dhe ato dy gjëra kanë qenë gjuetia dhe mullinjtë me ujë që i kemi patur zanate të trashëguara për një kohë shumë të gjatë.
Të gjithë janë kuriozë se si kanë qenë të parët e tyre. Unë për vete nuk jam kurioz pasi e di se si kanë qenë. Mua më mjafton vetja ime që ta studioj me imtësi për të gjetur çdo Bacell të kohës së shkuar. Kështu, jam i bindur se, duke njohur të kaluarën, do ta kem shumë të qartë të ardhmen.
Arra e Madhe e Bacellinjve
Arra e Madhe na mbledh të gjithëve, Të vdekur - të gjallë, brenda kaçkave të saj Si thelpinj, ca të mirë e ca të liq Por që të gjithë Bacellinj.
Kur më vdiq babai, e besoni? Arra lëngoi njëlloj si unë. Kaçkat e saj, atë vit u thanë, U tkurrën, u bënë thana, Prodhimin dështuan, Frut nuk dhanë!
Qau Arra e mbytur në lotë, Edhe kur shtëpia jonë u dogj dy herë,
Ndoshta nga që s’e mbrojti dot!
Tani Arra e Madhe e Bacellinjve, Me shtëpinë tonë më ngjan! Kur më merr malli për strehën e vjetër, Të vdekurit apo të gjallët Bacellinj, Në çantën e mëndafshtë kërkoj, Kudo ku shkoj plot halle, Të qëruarit thelpinj, Të Arrës së Madhe.
Kaq për sot. Të tjerat gjëra, ku do flas për vete dhe për Bacellinjtë e tjerë do t’i le të shkruara. Dakort?”
Historia e paraardhësve shqiptarë
Alfons La Martin në veprën Histoire de la Turquie, 1854, midis të tjerave tërheq vëmendjen të mos u bienë në qafë shqiptarëve, se: “E vetmja gjë që ka mbetur e pandryshuar te shqiptarët, është pasioni i pavarësisë dhe i fitores. Kjo është toka e heronjve të të gjitha kohëve... Ne e pranojmë, se Homeri aty e gjeti Akilin e pamposhtur, Greqia Aleksandrin e Madh, Turqia Skënderbeun, njerëz këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak, të së njëjtës gjini”.
Mua më vjen kaq keq që s’jam historian dhe nuk u mora kurrë me historinë tonë ndërkohë që kam grumbulluar kaq shumë histori të dëgjuara nga babai dhe gjyshi im që kur isha fare i vogël. Ata më kanë treguar tërë historitë e Homerit pothuajse ashtu siç ato janë të shkruara në librat e tij Iliada dhe Odisea, libra që janë përkthyer në shqip, pas 30 vjetësh pasi unë i dija ato! Po ashtu, kam dëgjuar përralla për divat e Divës (Gorës), por meqë kam vendosur të shkruaj vetëm për rrënjët dhe trungun e Bacellinjve, një farë e të cilëve jam dhe unë, po them shkurtimisht mendimin tim se kush jemi ne shqiptarët, nga të cilët kemi dalë ne Bacellinjtë, ku kemi qenë dhe cila është gjuha jonë, të cilën e kanë folur paraardhësit e mi.
Për aq sa ne kemi fakte të njohura nëpërmjet trashëgimisë gojore, emri i vjetër kombëtar i shqiptarëve ka qenë Ar-bër, (ata që ishin si ar - të bërë nga ari) prej të cilit, ar-it, ka marrë dhe vendi emrin Ar-bë-ri. Përpara Arbërisë është një errësirë e plotë, si nga gojdhënat shqiptare, ashtu edhe nga të dhënat e historianëve të huaj. Kjo sipas mendimit tim mund të shpjegohet me dy arsyetime; i pari arsyetim, është vjedhja e historisë shqiptare nga të huajt dhe arsyetimi i dytë, është shpërngulja me forcë e shqiptarëve nga trojet e tyre dhe rikthimi pas një kohë të gjatë.
Emërtimi ARBËR dëshmohet jo vetëm nga gojdhënat tona, por edhe nga historianët e lashtë. Në shekullin II p. e. s., dëshmon gjeografi grek Ptolemeu. Në mesjetë njihet dhe varianti Arban e Alban, (ose Alvan dhe Arvan - deformime që kanë ardhur nga e shkruara prej të huajve “grekët dhe latinët” dhe jo e nga e folura e shqiptarëve) i cili, (emri Arban), ka qenë emri etnik i shqiptarëve në atë periudhë. Këtu dua të bëj një parantezë duke shpjeguar se rrënja e kësaj fjale vjen që nga kohët shumë të lashta, nga koha e të bardhëve si AR që zbritën në Europë e që më pas nga kjo fjalë janë krijuar fjalët e tilla si arg, arb e argo, prej të cilës rrënje vjen edhe fjala ar-jan, (janë ar – si ari). Me një fjalë, paraardhësit tanë ishin një racë e bardhë; racë e mirë, një racë si ari. Kjo dëshmohet nga fakti se këtë emër e mbajnë edhe sot shqiptarët autoktonë në Greqi në formën arvanit-arvanos-alvanos, pra rrënja formuese “ar” ngelet. Po ashtu, në Itali kjo fjalë për shqiptarët është ar-bëresh. Në Dalmaci kalon në formën ar-banesh, në Turqi, ar-naut. Siç shihet gjithkund, rrënja ar nuk ndryshon.
Arjanët kanë banuar në Ballkanin Perëndimor. Kryeqendra ose bërthama e qendrës së tyre ka qenë Larisa e sotme, për të cilën Homeri ka shkruar, “Pellazgët Hyjnorë janë banorë të Larisës Pjellore…” Ndërsa Herodoti, i cili ka jetuar para Homerit, ka shkruar se pellazgët kanë qenë në Greqi para grekëve, ata dallohen nga tërë popujt e tjerë nga flijimet e shumta që bëjnë dhe sidomos në malet e tyre të shenjtë. Qendra e fljimeve sigurisht që është Tempulli i Dodonës dhe Mali i Tomorrit.
Qendra kryesore ku zë rrënjë zanafilla e Bacellinjve
Mal ian (Mali Jon), qytet epirot, qendër e fisit të Bacellinjve që gjendet në qendër të Greqisë së sotme, përmendet për herë të parë në mesin e shek të II p.e.s. nga Ptolemeu, i cili e përcakton në tokën e ar-gonëve. Mendohet se ngrihej aty ku janë rrënojat e qytetit Lamia, më në veri të qytetit të sotëm, tek shtëpia e Div Bacellit. Emri Lamia ka qenë Lënie apo Lenie, në gjuhën e interpretuar sipas dëshirës greke, do të thotë qyteti i detarëve (e bija e Poseidonit) por në gjuhën origjinale shqipe do të thotë LËNIE për arësyen e thjeshtë sepse atje banorët e kësaj zone kanë gjetur me shumicë lëkurë gjarpëri të lëna gjithëkund, sipas së cilës flet dhe gojdhëna jonë fisnore duke treguar këtë histori për Laminë. Dheu-si (Zeusi), perëndia e tokës, duke bërë dashuri me Mollosën (Mollën), lindën një çupë të bukur, por gruaja e Dheu-sit, Era (Hera) sapo e mori vesh tradhëtinë e të shoqit, ia preu kokën fëmijës dhe e ropi duke e varur lëkurën e saj tek një Mollë e Kuqe divase. Mirëpo fëmija u ringjall dhe u bë shumë e fuqishme. Ajo të gjithë fëmijëve të Erës, si hakmarrje, ua preu kokat pasi i ktheu në gjarpërinj dhe i ropi duke hedhur lëkurët e tyre në tërë zonën. Molla e Kuqe u skuq më shumë nga gjaku i derdhur dhe do të bëhej sinonim i fundit i sinorit të paraardhësve tanë shqiptarë. Prej asaj kohe, dënimi kapital në këto zona u vendos me prerje koke dhe rjepje të lëkurës duke besuar se pas lënies së lëkurës, ashtu si gjarpëri, njeriu mund të jetonte në një jetë të re.
Nga pikëpamja antropologjike tek paraardhësit e mi mbizotërojnë tiparet adriatike (shqiptare), si koka e shkurtër dhe e gjerë, me pjesën e pasme të sheshuar, fytyra e lartë dhe e gjerë në pjesën e sipërme, hunda e trashë e spikatur me shpinë pak të thyer dhe një shtat mbi mesataren.
Në ndërtesat epirotase është një kompozim i veçantë monumental i pamjeve ballore (fasadave) të tyre. Ato paraqiten me madhësi afro mesatares dhe tepër të natyrshme. Në ndërtesat më të vjetra që janë akoma në këmbë, në trojet shqiptare paraqiten disa piktura murale që dëshmojnë prejardhjen shqiptare të perandorëve si ato të perandorit bizantin Mihal Paleologu VIII së bashku me Andronikun II Paleolog dhe me të shoqen, paraqiten me veshje karakteristike shqiptare, me kurora dafine dhe dëllinjash si dhe brirë dhish në kokë. Traditë kjo vetëm e epirotaseve (shqiptarëve) të lashtë. Këto janë veprat më të hershme që paraqet këta perandorë me prejardhje shqiptare, të cilët synuan të forconin pozitën sunduese në këto zona kyçe midis Perandorisë së Lindjes dhe asaj të Perëndimit pas fitores mbi evgjitët.
Afresket në Kishën e Ristozit në Mborje, afër qytetit të Korçës i takojnë vitit 1390 në stil paleolog (periudha bizantine). Ato paraqesin interes jo vetëm për ikonografinë dhe detajet e zhanrit të futur në skenat biblike nga ambienti real, por edhe se është vepra e fundit e piktorit Bacelli që ka stolisur në vitin 1369 kishën e Maligradit dhe në vitin 1385 kishën e Shën Thanasit në Kostur, por mbi të gjitha tregojnë vazhdimësinë shqiptare që nga Lamia, kufiri më jugor i shqiptarëve, dhe deri në tërë Epirin tërësisht shqiptar.
Pas pushtimit dhe shkatërrimit të zonës së Lamisë nga biri i vet, Aleksandri i Madh, fisi i Bacellinjëve u shpërngul më në veri, në afërsi të Selanikut.
Selaniku
Bacellinjtë që ikën nga Lamia dhe shkuan midis Selanikut dhe Kavallës, ndërtuan një qendër të vogël banimi së cilës i vunë emrin Molla e Kuqe, për nder të Mollës së Kuqe në Lamia. Selaniku ka qenë një kryeqendër ballkanike prandaj dua të them dy fjalë. Selaniku ka qenë një qendër urbane mijëvjeçare, themeluar në vitin 315 para Krishtit dhe që më së shumti filloi të përmendet në Bibël qysh në shekullin e parë të pas Krishtit, kur Apostull Pali, Timoteo dhe Silas erdhën nga Palestina e Vjetër dhe sollën për herë të parë Ungjillin ndër popujt grekë, maqedonas dhe shqiptarë, “deri në Illirik”. (Veprat, 17). Ka dëshmi të shumta që gjuha, të cilën ata përdorën për të komunikuar me popullin shqipfolës të Selanikut, ka qenë shqipja sepse dhe përkthyesi i Apostull Palit që e përdorte për jo shqiptarët ka qenë një me mbiemër shqiptar, SPATA; por meqenëse qëllimi i shënimeve të mia nuk është kjo temë, po i bie shkurt; ma do zemra, se një ditë do të jetë një temë mjaft e preferuar për shqiptarët dhe, më të zgjuarit e tyre, do të nxjerrin në shesh këtë të vërtetë kaq të madhe. Sipas gërmimeve të bëra kohët e fundit, (shekulli XX), është vërtetuar se banjat publike të zbuluara në gërmadhat e Selanikut të Vjetër, datohen të jenë ndërtuar në shekullin e parë dhe pikërisht në vitet 30. Ky qytet i lashtë ka qenë një nyje nervaligjike e lidhjes Lindje-Perëndim dhe Veri-Jug për Europën dhe Azinë pasi qyteti ngrihej në aksin rrugor Romak (Via Egnatia-Egiata-E gjata) që vinte nga Durrësi e përfundonte po këtu në Selanik e më pas për të shkuar në Azi. Po ashtu edhe rruga tjetër që vinte nga veriu, nga Danubi në Egje, kalonte po në Selanik. Është kjo kohë që ky qytet u shpall edhe kryeqytet i Maqedonisë Lindore dhe më vonë i tërë Maqedonisë Romake (146 para Krishtit deri në 42 para Krishtit). Pas betejës së bërë nga Filipi i Maqedonisë, ky qytet u shpall i lirë. Një gjë që s’duhet ta harroj, siç e përmenda edhe më sipër, është edhe gjuha e folur në Selanik dhe për rreth tij. Jetëshkruesit e Aleksandrit të Madh, të gjithë pa përjashtim kanë thënë se Aleksandri, kur u fliste gjeneralëve dhe ushtarëve të vet, u fliste në “gjuhën e nënës”, kur dihet mirë që nëna e tij ishte shqiptare, ose thënë ndryshe nga historianët e asaj kohe, “gjuha e Aleksandrit ishte një gjuhë barbare”, me të cilin emërtim ata u drejtoheshin gjuhëve jo greke. Sa për gjuhën maqedonishte, ajo nuk qe gjë tjetër, veçse një dialekt i gjuhës shqipe, pasi historianët e lashtë dhe të sotëm pranojnë se Iliria dhe Trakia kanë folur të njëjtën gjuhë. Këtë gjë e kanë thënë, babai i historisë Herodoti, mësuesi i Aleksandrit të Madh, Aristoteli, historianët: Plini, Straboni, Varroni, profesor Konda, profesor Robert d'Angely etj. Selaniku, si të gjithë qytetet kryesore të Ballkanit, ka kaluar lulëzimin dhe shkatërrimin sa herë ndërroheshin padronët e tij. Duhet përmendur edhe rasti i shkatërrimit të Selanikut si qytet në kohën e hordhive barbare sllave. Pas kësaj kohe, ky qytet nuk përmendet më deri në vitin 1846, kur turqit e rindërtuan dhe e ngritën në rangun e qytetit modern, duke e bërë kryeqytet të Vilajetit të Rumelisë, i ndarë në tre sanxhaqe: Drama, Selanik dhe Siroz, por pa fat pasi luftrat ballkanike bënë që edhe ky qytet më në fund të binte në dorën e grekëve. Ishte viti 1910. Por as këta nuk e mbajtën dot gjatë, pasi u pushtua nga bullgarët deri në vitin 1913, kur me anën e Traktatit të Bukureshit iu dha përfundimisht Greqisë. Në vitin 1917 i ra një zjarr i madh që dogji gati tërë qytetin dhe vrau mbi 1000 qytetarë, kryesisht shqiptarë dhe turq dhe u rindërtua nga korçarët oparakë edhe më i bukur seç ishte. Me kaq e mbyll rrëfimin tim për Selanikun tonë duke shtuar disa vargje nga kënga jonë e preferuar kur ne ishim çiliminj:
Selanik e tatëpjetë siç ka qenë do të jetë, Vend i tërë Shqipërisë me ndihmë të Perëndisë.
O ju fqinjët e pabesë ! Mos binie me atë shpresë, Shqipëria s'coptohet, shqiptari nuk ndërrohet.
Ashtu qoftë! Amen.
Një dëshmi tjetër është ajo që na jep Reshat Bacelli, djali i Xhaferit të xhaxhos, i cili thotë se Bacellinjtë kishin pasuri edhe në Kavallë e në Stamboll.
Një pronë e madhe e Bacellinjve ka qenë në Kavallë, atje ata kishin 40 mullinj; disa mullinj për bluarje drithrash, disa mullinj për nxjerrjen e vajit nga ulliri dhe susami si dhe disa mullinj për dërstilje rrobash të shajakta. Po ashtu ata kishin 150 hektarë tokë dhe mijra kokë bagëti. Kishin në Kostandinopojë një kala, e cila quhej “Bakall”, në atë kala kishte shumë dyqane, hane, shtëpi banimi etj. të cilat lëshoheshin me qira.
Në Zvirinë dhe fshatrat përreth kanë patur 9 mullinj bluarje drithrash dhe gjithashtu një punishte ku pastronin peshkun dhe ngjalat që i shisnin në tërë zonën e Korçës.
Një ligj familjar i Bacellinjve ka qenë se ata, në çdo tre djem, dy do të shkonin në Kostandinopojë të drejtonin pasurinë dhe njëri do të merrej me pasurinë në Molla e Kuqe dhe Kavallë. I pari i tyre, Barba Dhimitri kur vdiq u la një amanet, “Kurrë mos i shisni Kalanë dhe dyqanin e madh Bakall në Kostandinopojë, edhe nëse ngeleni pa ngrënë! Po le mallkim për atë që i shet. Qoftë i mallkuar e mos e sjelltë kokën në Shqipëri” (K Agim Adem Bacelli)
Bacellinjtë (Familja Bacelli)
Nuk ka histori të vërtetë përveç biografisë.
“Ashtu si pema pa rrënjë është e vdekur, ashtu është edhe një popull pa një histori e kulturë të kaluar.”
“Mos ia thuaj askujt hallet e tua. Dhjetë për qind e atyre që të dëgjojnë, nuk të ndihmojnë dot t’i zgjidhësh ato, ndërsa nëntëdhjetë përqind të tjerë, do të gëzohen shumë që ti ke halle.”
Adem Bacelli
Hyrje
Ndoshta nuk do të ishte shkruar ky libër, i cili sjell të gjithë Bacellinjtë që prej rreth dyqind vjetësh e deri në dekadën e parë të shekullit të 21-të dhe i bashkon në mendjen dhe zemrat e të gjallëve, nëse, i ndjeri babai im, Adem Telha Bacelli, nuk do të kishte lënë ato shënime me aq vlerë për rrënjët e fisit dhe për përshkrimin e vendeve nga ne vijmë.
Shënimet e tij fillojnë me disa thënie shumë të vlefshme, me të cilat dua të hap librin “Bacellinjtë”. Po ashtu dua të bëj të ditur se rrëfimin tim dhe të Bacellinjve të tjerë do ta vë në gojën e atit tim, pasi atij i takon merita e bërjes së këtij libri. Historitë do të vazhdojnë sikur babai im të ishte gjallë edhe sot. Jam i bindur se gjithçka që tregoj unë apo xhaxhallarët dhe kushërinjtë e mi për të shkuarën e largët të Bacellinjve, njëlloj do të ishte thënë, ndoshta më bukur, edhe nga Adem Telha Bacelli, i cili nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka mbledhur gojëdhënat mithologjike të trashëguara nga Bacellinjtë. Mitologjia nuk është vetëm përrallë, ata perëndi, shenjtë, divë, me një fjalë ata njerëz të fuqishëm, kanë qënë njerëz të vërtetë që kanë jetuar, pavarësisht nga ekzagjerimi gojor, treguar brez pas brezi. Çfarë tregohet këtu, mendoj se është e vërtetë.
Dua të them edhe një gjë fare të sigurt, të cilën e dinë të gjithë njerëzit e afërm të babait, miqtë e shokët e tij. Babai im ka qenë vërtet një partizan që mbante teserën e PKSH në xhep e që besonte se luftonte për çlirimin e Shqipërisë, por kurrë s’ka qenë komunist nga botëkuptimi. Ai ishte një antikomunist i flakët dhe këtë e them sot, kur akoma janë gjallë disa nga vëllezërit, shokët, miqtë dhe njerëzit e tij që e kanë njohur nga afër. Po ashtu e kam njohur edhe unë. Me mendimet “e rrezikshme” në kokë, babai ka shkaktuar shqetësime dhe probleme gjatë gjithë kohës edhe tek nëna ime. Me ne fëmijët ai kurrë nuk hapej.
Një falënderim të veçantë atit tim të shtrenjtë dhe të paharruar, të cilit, në shenjë dashurie, respekti dhe admirimi ia kushtoj këtë libër.
Agim Bacelli
Kreu I
Në thellësi të shekujve
Origjina e shqiptarëve
Prapa në kohët parahistorike, para se poetët e Homerit të këndonin për perënditë e tyre dhe heronjtë e përrallave, përpara se të shkruhej gjuha greke, rronte një popull i quajtur Pellazg. Herodoti (484-425 p.e.s.) iu vesh pellazgëve historinë, e cila këto i përmend shumë më parë se sa qytetërimin e grekëve; punimi i ashpër që mbulon anët e Panteonit në Athinë akoma quhet pellazgjik. Këta ndërtuan mure të mëdhenj që quhen ciklopikë dhe për të cilët Prof. Pokok thotë se qenë ndërtuar shumë më përpara se të ekzistonin grekët e Homerit. Prej kësaj race të fortë parahistorike mbetën vetëm shqiptarët. Vetëm në kohë të vona u shkoqit se pellazgët qenë Ilirianët e vjetër, e para degë indo-europiane, perandoria e të cilëve shtrihej që nga Azia e Vogël, deri në Adriatik dhe nga Veriu deri në Danub. Nga studimet e shkrimtarëve të rinj, si Prof. Maks Myller dhe Prof. Pot, në gjuhën shqipe u bë e qëndrueshme kjo origjinë. (Një meritë të madhe për këtë ka Profesor Spiro Konda, i cili akoma nuk është njohur si duhet). Këta ilirianë që rrojnë akoma në Shqipëri si toskë, u shpërndanë edhe në Itali dhe njihen si toskë, toskanë, etruskë. Ndërsa ilirianët e veriut ruajtën origjinalitetin e kulturës pellazgjike, e cila kulturë ekziston edhe sot.
Është e kotë të kërkohet për perënditë e Greqisë në etimologjinë e gjuhës greke. Në gjuhën shqipe këto janë shumë të qarta dhe domethëniet e tyre shumë të drejta. Për shembull, Kaos është hapsi, hapësirë; Erebus, biri i Kaosit, është er-het-os, me e bërë të errët; Uran-os është i-Vran-os, domethënë zana e reve, vranët; Zeus, - Dheu-s; Athena është - e thëna, me thënë fjalën; Nemesis, nemës, domethënë nam, thirrje e djallit; Muse, Mosois, (Moisi) është mësuesi; Afërdita domethënë afër ditës, agimi. Kur do të jetë studiuar mirë gjuha shqipe dhe kur do të jenë zhvarrosur gojëdhanat e saj, atëherë shumë nga veprat e Homerit do të rishikohen dhe ca nga ato do të jetë nevoja edhe të korrigjohen. Herodoti nuk e pati ditur që emrat e heronjve të veprës së Homerit ishin fare qartë në gjuhën pellazgjike. E deri edhe emri i vetë Homerit mund të gjurmohet në gjuhën shqipe.
Në gjuhën shqipe është Agamemnon, Ai-ge-mendon, ai që mendon; Ajaks, ai gjaksi, gjakderdhës; Priamos, Prijës jam; Akili, (Aqili) i qiellit, një i zbritur nga qielli; Hektor, (Heqtor), ai që heq e vuan; Odhiseu, i udhës, udhëtari, ai që shëtit; Ithak-a, i thak, idhnak. Shumë të tjera mund t’i shtohen kësaj liste. Nuk është çudi nëse njerëzit që kanë studiuar gjuhën shqipe të thonë se kjo është gjuha origjinale e Homerit dhe që grekët e morën nga poetët pellazgjikë të shumtën e këngëve epike të trimërive heroike.
Sa dituri e madhe e pret arkeologun kur toka shqiptare do të hapë thesarin e historisë pellazgjike! Këta dhe shumë rrjedhime të tjera provojnë që shqiptarët sot janë mbi tokën e të parëve dhe flasin gjuhën e stërgjyshëve të tyre. Edhe përpara se dega helene të njihej në malet e Thesalisë, Shkodra (Trima), qyteti kryesor i Shqipërisë, qe pa dyshim kryeqyteti i mbretërisë madhështore të Ilirisë. Shqipja qe gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që pushtoi botën dhe e Pirros së Epirit, një nga gjeneralët më të mëdhenj që përmend historia dhe përballues i fundit i ushtrive pushtuese romake.
Një tragjedi, përtej përfytyrimit të tragjedistit, është kjo që një racë e vjetër dhe e fortë erdhi në një gjendje kaq të keqe dhe mizore, gjë e cila shikohet si skandal i qytetërimit europian. Nuk është çudi që romakët, otomanët, grekët dhe sllavët nuk lejuan ndonjë gërmim në tokën shqiptare, sepse ajo mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë që do të ishte fundi i lavdisë së pamerituar heleno-romake-sllave!
Brez i fuqishëm
Gjaku i shqiptarëve është gjak burrërie. Shqiptari është si punë e ujkut që nuk e njeh kurrë fuqinë e vet. Fuqinë e tij e njohin mirë të tjerët. Shqiptari i ka dhënë Turqisë gjeneralët dhe ministrat më të mirë. Vëllezërit e tyre në Itali, toskanët, vunë themelet e vertetë të madhështisë së Romës. Pesë perandorë të Romës qenë bij malësorësh ilirianë; ata e forcuan racën italiane. Në grykat dhe në malet e Atikës gjuha shqipe është në përdorim edhe sot. Në përpjekjet e Greqisë për liri, shqiptarët lanë emra fame. Ata trazohen me të tjerët, por në trazim nuk bashkohen, domethënë nuk i përziejnë gjakun dhe zakonet e tyre. Të ruajturit e gjuhës dhe të zakoneve të veta nën thembrën dhe tiraninë e shekujve tregon mundësitë e një race të fortë e të pamundshme. Do të shohim se si Europa e përdori këtë çelës të Ballkaneve (Maleve) për të mbajtur mbyllur dyert e mëshirës e të dritës mbi një popull, i cili tani po lutet për pavarësi e liri.
Shqipja dhe Shqipëria është çelësi për të zbërthyer fjalët e vjetra pellazge. Kush do të verë në përdorim këtë çelës, ai do të tronditë botën e përmbysur, të cilën do ta kthejë për së mbari. Është për të theksuar se është karakteristike që në veprën e Kondës për etimologjinë e çdo fjale, sillen aq argumenta, nga një herë edhe 15 ose 20, aq vërtetime e fakte, citohen aq autorë, sa nuk lihet asnjë shteg për dyshime. Dhe vërtetimet janë bindëse. Kështu, duke sjellë mjaft fjalë ku shqiptarët "takohen" me pellazgët, autori arrin në konkluzionin se shqiptarët janë pjestarë të familjes gjuhësore japetike ose indoeuropiane dhe shqiptarët e pellazgët janë të një race. Këto "takime" janë të shumta. Fjala dipatyron - siç e quanin pellazgët perëndinë, korrespondon me fjalën shqipe de -patër -patër -de = perëndi. Fjala - demetër = dhe - metër, pra dhe - mëmë, me kuptimin - dhe - dheu = mëma e të gjithëve. Fjala pellazge brazer takohet me shqipen - burazer që ka të njëjtën kuptim. Etimologjinë e fjalës pellazg, pas shumë ndryshimesh fonetike, Konda e lidh me fjalën shqipe pjell, pra lindur jam prej dheut = i dhelindur. Pellazg- domëthëni pjell azgan, (pjell të bardhë)
Bacellinjtë, si kanë qenë ata?
Thithi thellë tymin e cigares dhe pastaj më vështroi gjatë. Prisja me padurim që babai të më tregonte gojdhënën e trashëguar brez pas brezi, ndoshta mbi dy mijë vjet, për rrënjët e Bacellinjve. Flokët e zez e pak kaçurelë e të krehur përpjetë iu drodhën, siç dridhen fletët e pemëve kur fryn një puhizë e lehtë ere. Balli iu vrenjt dhe rrudhat u thelluan më. Ja numërova me kujdes ato, pashë se ai kishte 6 rrudha. Mendja më shkoi menjëherë tek ne gjashtë fëmijët e tij. Ç’koinçidencë! Shikimi im zbriti pak më poshtë tek sytë e tij. Sa të bukur! Sa të veçantë! Blu në jeshilë. Të pastër e kthjellët si ujët tek Kroi i Madh. Tërë ëmbëlsia e shpirtit të tij mbledhur me kujdes tek sytë. Fytyra e babait, në ngjyrën e grurit të pjekur. Hunda e drejtë, e trashë dhe e shkurtër përfundonte mes dy vetullave si shtëllungë. Çudi sa vetulla të trasha! Sikur të mos i presë, mendova, kushedi se sa të gjata do t’i bëhen, ndoshta do t’i varen përtokë! Ai, sikur të ma kishte kuptuar mendimin, i sheshoi me dorë dhe më pas i fërkoi ëmbël. “Ne jemi fis kalesh dhe fisnik. Fisniku nuk duket aq nga pamja se sa nga fjalët që flet dhe ato që bën. Të jesh fisnik duhet të kesh një të shkuar të denjë e krenare. Që të kesh një të shkuar të tillë duhet të punosh sot në këtë drejtim që nesër, brezat që vijnë të ndihen krenarë me jetën tënde. Agim, ne duhet të përulemi para të parëve tanë, njësoj sikur të përulemi para shenjtorëve. Ashtu do të përulen edhe brezat që vijnë, nëse ne do të kemi bërë diçka të mirë për ta. Të lutem mos e harro këtë gjë.
Jo të gjithë ne Bacellinjtë e kemi trashëguar kaleshllëkun dhe fisnikërinë, por ja që unë, siç duket i ngjaj shumë nga pamja, si kalesh, merhumit stër/stër/katragjysh Adiv-it ose Divi-it. Për nga fisnikëria, nëse jam fisnik, do më çmojnë brezat që vijnë. Po ashtu ty dhe pasardhësit e tu. Rro si fisnik. Mos gënje kurrë. Respekto ata që të sollën në jetë dhe të afërmit e tu dhe puno me ndershmëri.”
*****
Këtu e ndali tregimin babai dhe unë mbajta frymën duke pritur vazhdimin. Ai u ngrit dhe mori një gotë ujë nga kana mbi tavolinë. Desha t’i thosha pse s’më urdhëroi mua, por e lashë ta shijonte ujën nga dora e vet. Vëzhgoja me kujdes çdo lëvizje të tij. E kisha zili për trupin e shkathët si të ketrit, plot muskuj e pa dhjamë. I gjatë mbi 1m e 80 cm. Po më vinte keq që s’i kisha ngjarë nga trupi. Pasi u ul përballë meje më pyeti, “Ku e lamë?” I tregova se sapo e kishte filluar rrëfenjën me Adivin. “Divi ishte kalesh. Fytyrëbardhë e flokë zi. Vetulla të trasha dhe sy të kaltër zhbironjës. Ishte i gjatë mbi dy metra. Kishte lindur në vendin e divave në një fshat që ai e quante Mesmal pasi shtrihej në mes të maleve të lartë. Kasollet e babait të Adivit, Adamit, ishin afër majës së malit ku, në kohën e Noes, lidheshin barkat e drunjta. Ky fshat ishte gjashtë orë ecje larg fshatit të dëgjuar në fushë që quhej Pesështëpi.
Kur Adivi u bë njëzet vjeç, i ati e urdhëroi të shkojë larg e të krijojë një familje të vetën pasi e ëma e Adivit, Qava, kishte vdekur dhe njerka, Qefa, nuk e deshte. Me gruan e re Adami kishte katër vajza. I ati i dha një kalë të mirë të bardhë, para dhe e armatosi djalin duke e porositur të hapë sytë. I dha urdhër që të ruajë mbiemrin Bacelli dhe të martohet pasi të ketë rrëmbyer nëntë vajza azgane e të bukura nga raca jonë, në mënyrë që fisi i tij të mos humbasë kurrë. Adivi kalëroi pesë ditë e pesë netë në drejtim të jug-perëndimit. Kur u ndodh përballë disa maleve masivë që kishin vetëm një “portë” kapërcimi, mendoi të ndalet dhe ta ngrerë shtëpinë pikërisht në një kodër si kala që qëndronte përballë portës hyrëse natyrale. Në majën e kodrës ai ngriti një kullë druri dhe atje filloi jetën e tij. Një pas një ai rrëmbeu nëntë vajza të bukura dhe trime dhe i mbajti për gra sipas porosisë së të atit. Të nëntë gratë e tij lindën 80 fëmijë, të cilët u martuan dhe bashkë me bashkëshortët u bënë 160 vetë, plus dhjetë Adivi me nëntë gra, pra 170 vetë. Këta patën 641 fëmijë. Familja pati 811 shpirt njeriu që kur ishte gjallë Divi. Një fshat i tërë. Sigurisht ata ndërtuan shumë shtëpi në të dy faqet e maleve që formonin një luginë të bukur, ku mbollën dhe korrën prodhime të bollshme. Kullën e parë të Adivit e bënë prej guri dhe ajo shërbente si kala mbrojtëse dhe vëzhgimi. Kështu, ata mbronin jo vetëm veten e tyre, por edhe tërë territoret që vinin fill pas maleve të pakapërcyeshme. Me një fjalë tokën tonë epirote. Trimëria dhe guximi i tyre i kaloi kufijtë e Epirit shqiptar. Grekët u tërbuan kur morën vesh se në kufijtë e tyre rronin barbarë të epërm. Ata nisën ushtri pas ushtrie për t’i përzënë, por nuk mundën dot. Bijtë e bijat e Adivit luftonin si dragoj. Të epërmit, siç quheshin nga grekët, kishin në favor dy malet e larta e të pakapërcyeshme me pyjet e tyre të virgjër, plus kodrën me kështjellën mbrojtëse që ishte çelsi për të depërtuar në thellësi, të cilin e ruanin me fanatizëm. Kështu, bijve të Divit u lindi ideja e krijmit të rojeve të parë që dikush i quajti gjelosha nga emri i gjelit si lajmëtar. Gjeloshat visheshin me rroba të kuqe, në mënyrë që të dalloheshin lehtë nga njerëzit e tyre në rast të ndonjë mësymje prej grekëve. Në kodrën e gjeloshave ata mbollën shumë pemë, kryesisht mollë, farën e të cilave fëmijët e Adivit e kishin marrë në dheun e tyre, në Mesmal. Mollët e Mesmalit ishin të shijshme dhe shumë të kuqe, por të vogla. Kjo qe arsyeja që vendi i tyre mori emrin Molla e Kuqe dhe ata u quajtën Mollëkuqas. Molla e Kuqe mbahet dhe si kufiri jonë jugor ashtu siç mbahet edhe në veri të trojeve shqiptare kufiri i fundit tek Molla e Kuqe në afërsi të Nishit. Shqiptarët kudo kanë vepruar me të njëjtin mentalitet kufinor. Edhe sot Molla e Kuqe është epiteti i skajeve të sinoreve shqiptare.
“Deme, -iu drejtova babit me atë emër që e thërrisnin të gjithë, pasi më tingëllonte pak si Divi, - pse nuk i shkruan këto që më tregon?” I miri baba, qeshi. Sytë e bukur i shkëlqyen si dy burime në Mesmal, kur mbi ta bie dielli i majit. Ata sy që iu trazuan nga fjalët e mia siç trazohet uji në burimet tek Kroi i Madh kur hedh ndonjë guriçkë. Rrathët u zgjeruan dhe filluan të vallëzonin në sytë e tij. Më erdhi keq që ia turbullova mendimet, pasi e dija që atij i dridhej akoma dora nga paraliza që hoqi disa vite më parë. “Deme, ndoshta do të jetë më mirë t’i shkruaj unë pasi të m’i tregosh ti?” Këtë radhe përgjigjja erdhi rrufe. “Jo! Do t’i shkruaj vetë. Ty do të të duhen shkrimet e mia. Më vonë do kërkosh çfarë kam shkruar. Fjalët i merr era, e shkruara ngelet. Do filloj qysh sot, por më parë më ler të përfundoj tregimin për Divin. Si thua?” Pohova me kokë. Babai vazhdoi rrëfimin duke më shikuar përherë në sy. Ndoshta deshte të dinte se çfarë përshtypje më bënin fjalët e tij.
“Nga pasardhësit e Divit kanë dalë viganët e Epirit si Akili, Aleksandri, Pirro dhe qindra mijra të tjerë. Nëse të pëlqen, dua të them disa vargje që i kam bërë që kur isha i ri dhe i frymëzuar nga tregimet e babait, kur më fliste për Divin dhe divat e Mesmalit:
Bacellinjtë
Bacellinjtë mund t’i dallosh fare kollaj;
Janë faqekuq, krejt si mollët e verës,
Zë lartë që oshëtin si përroi në maj,
Me këmbë të shpejta, ia kalojnë erës.
Bacellinjtë janë bujarë si askush,
Janë mullixhinj, blegtorë dhe gjahtarë.
I pangrënë pranë tyre s'ngelet kërkush,
Në mbrojtje dhe sulm, më të mirët ushtarë!
Të dish si ka qen’ Akili, Leka i Madh,
Shko merr Bacellinjtë e kqyri me kujdes,
Ata, bashkë me Pirron dalin me radhë,
Mbajtur gjallë te Bacellinjtë, asnjë nuk vdes!
Ne Bacellinjtë e sotëm trashëgojmë vetëm gjakun e paraardhësve tanë ndërsa nderin dhe dinjitetin duhet ta fitojmë vetë nëpërmjet forcimit të virtyteve, pasi në një të ardhme jo të largët, ne do të jemi vetë paraardhës.
Midis të parëve tanë kanë qenë Bacellinj mbretër dhe skllevër. Kanë qenë të mirë dhe të liq. Kanë qenë heronj dhe frikacakë. Kanë qenë të bukur dhe të shëmtuar, si të gjithë njerëzit e botës. Vetëm në dy gjëra kemi qenë të ndryshëm nga shumica e botës, të cilat i kemi trashëguar deri vonë dhe ato dy gjëra kanë qenë gjuetia dhe mullinjtë me ujë që i kemi patur zanate të trashëguara për një kohë shumë të gjatë.
Të gjithë janë kuriozë se si kanë qenë të parët e tyre. Unë për vete nuk jam kurioz pasi e di se si kanë qenë. Mua më mjafton vetja ime që ta studioj me imtësi për të gjetur çdo Bacell të kohës së shkuar. Kështu, jam i bindur se, duke njohur të kaluarën, do ta kem shumë të qartë të ardhmen.
Arra e Madhe e Bacellinjve
Arra e Madhe na mbledh të gjithëve, Të vdekur - të gjallë, brenda kaçkave të saj Si thelpinj, ca të mirë e ca të liq Por që të gjithë Bacellinj.
Kur më vdiq babai, e besoni? Arra lëngoi njëlloj si unë. Kaçkat e saj, atë vit u thanë, U tkurrën, u bënë thana, Prodhimin dështuan, Frut nuk dhanë!
Qau Arra e mbytur në lotë, Edhe kur shtëpia jonë u dogj dy herë,
Ndoshta nga që s’e mbrojti dot!
Tani Arra e Madhe e Bacellinjve, Me shtëpinë tonë më ngjan! Kur më merr malli për strehën e vjetër, Të vdekurit apo të gjallët Bacellinj, Në çantën e mëndafshtë kërkoj, Kudo ku shkoj plot halle, Të qëruarit thelpinj, Të Arrës së Madhe.
Kaq për sot. Të tjerat gjëra, ku do flas për vete dhe për Bacellinjtë e tjerë do t’i le të shkruara. Dakort?”
Historia e paraardhësve shqiptarë
Alfons La Martin në veprën Histoire de la Turquie, 1854, midis të tjerave tërheq vëmendjen të mos u bienë në qafë shqiptarëve, se: “E vetmja gjë që ka mbetur e pandryshuar te shqiptarët, është pasioni i pavarësisë dhe i fitores. Kjo është toka e heronjve të të gjitha kohëve... Ne e pranojmë, se Homeri aty e gjeti Akilin e pamposhtur, Greqia Aleksandrin e Madh, Turqia Skënderbeun, njerëz këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak, të së njëjtës gjini”.
Mua më vjen kaq keq që s’jam historian dhe nuk u mora kurrë me historinë tonë ndërkohë që kam grumbulluar kaq shumë histori të dëgjuara nga babai dhe gjyshi im që kur isha fare i vogël. Ata më kanë treguar tërë historitë e Homerit pothuajse ashtu siç ato janë të shkruara në librat e tij Iliada dhe Odisea, libra që janë përkthyer në shqip, pas 30 vjetësh pasi unë i dija ato! Po ashtu, kam dëgjuar përralla për divat e Divës (Gorës), por meqë kam vendosur të shkruaj vetëm për rrënjët dhe trungun e Bacellinjve, një farë e të cilëve jam dhe unë, po them shkurtimisht mendimin tim se kush jemi ne shqiptarët, nga të cilët kemi dalë ne Bacellinjtë, ku kemi qenë dhe cila është gjuha jonë, të cilën e kanë folur paraardhësit e mi.
Për aq sa ne kemi fakte të njohura nëpërmjet trashëgimisë gojore, emri i vjetër kombëtar i shqiptarëve ka qenë Ar-bër, (ata që ishin si ar - të bërë nga ari) prej të cilit, ar-it, ka marrë dhe vendi emrin Ar-bë-ri. Përpara Arbërisë është një errësirë e plotë, si nga gojdhënat shqiptare, ashtu edhe nga të dhënat e historianëve të huaj. Kjo sipas mendimit tim mund të shpjegohet me dy arsyetime; i pari arsyetim, është vjedhja e historisë shqiptare nga të huajt dhe arsyetimi i dytë, është shpërngulja me forcë e shqiptarëve nga trojet e tyre dhe rikthimi pas një kohë të gjatë.
Emërtimi ARBËR dëshmohet jo vetëm nga gojdhënat tona, por edhe nga historianët e lashtë. Në shekullin II p. e. s., dëshmon gjeografi grek Ptolemeu. Në mesjetë njihet dhe varianti Arban e Alban, (ose Alvan dhe Arvan - deformime që kanë ardhur nga e shkruara prej të huajve “grekët dhe latinët” dhe jo e nga e folura e shqiptarëve) i cili, (emri Arban), ka qenë emri etnik i shqiptarëve në atë periudhë. Këtu dua të bëj një parantezë duke shpjeguar se rrënja e kësaj fjale vjen që nga kohët shumë të lashta, nga koha e të bardhëve si AR që zbritën në Europë e që më pas nga kjo fjalë janë krijuar fjalët e tilla si arg, arb e argo, prej të cilës rrënje vjen edhe fjala ar-jan, (janë ar – si ari). Me një fjalë, paraardhësit tanë ishin një racë e bardhë; racë e mirë, një racë si ari. Kjo dëshmohet nga fakti se këtë emër e mbajnë edhe sot shqiptarët autoktonë në Greqi në formën arvanit-arvanos-alvanos, pra rrënja formuese “ar” ngelet. Po ashtu, në Itali kjo fjalë për shqiptarët është ar-bëresh. Në Dalmaci kalon në formën ar-banesh, në Turqi, ar-naut. Siç shihet gjithkund, rrënja ar nuk ndryshon.
Arjanët kanë banuar në Ballkanin Perëndimor. Kryeqendra ose bërthama e qendrës së tyre ka qenë Larisa e sotme, për të cilën Homeri ka shkruar, “Pellazgët Hyjnorë janë banorë të Larisës Pjellore…” Ndërsa Herodoti, i cili ka jetuar para Homerit, ka shkruar se pellazgët kanë qenë në Greqi para grekëve, ata dallohen nga tërë popujt e tjerë nga flijimet e shumta që bëjnë dhe sidomos në malet e tyre të shenjtë. Qendra e fljimeve sigurisht që është Tempulli i Dodonës dhe Mali i Tomorrit.
Qendra kryesore ku zë rrënjë zanafilla e Bacellinjve
Mal ian (Mali Jon), qytet epirot, qendër e fisit të Bacellinjve që gjendet në qendër të Greqisë së sotme, përmendet për herë të parë në mesin e shek të II p.e.s. nga Ptolemeu, i cili e përcakton në tokën e ar-gonëve. Mendohet se ngrihej aty ku janë rrënojat e qytetit Lamia, më në veri të qytetit të sotëm, tek shtëpia e Div Bacellit. Emri Lamia ka qenë Lënie apo Lenie, në gjuhën e interpretuar sipas dëshirës greke, do të thotë qyteti i detarëve (e bija e Poseidonit) por në gjuhën origjinale shqipe do të thotë LËNIE për arësyen e thjeshtë sepse atje banorët e kësaj zone kanë gjetur me shumicë lëkurë gjarpëri të lëna gjithëkund, sipas së cilës flet dhe gojdhëna jonë fisnore duke treguar këtë histori për Laminë. Dheu-si (Zeusi), perëndia e tokës, duke bërë dashuri me Mollosën (Mollën), lindën një çupë të bukur, por gruaja e Dheu-sit, Era (Hera) sapo e mori vesh tradhëtinë e të shoqit, ia preu kokën fëmijës dhe e ropi duke e varur lëkurën e saj tek një Mollë e Kuqe divase. Mirëpo fëmija u ringjall dhe u bë shumë e fuqishme. Ajo të gjithë fëmijëve të Erës, si hakmarrje, ua preu kokat pasi i ktheu në gjarpërinj dhe i ropi duke hedhur lëkurët e tyre në tërë zonën. Molla e Kuqe u skuq më shumë nga gjaku i derdhur dhe do të bëhej sinonim i fundit i sinorit të paraardhësve tanë shqiptarë. Prej asaj kohe, dënimi kapital në këto zona u vendos me prerje koke dhe rjepje të lëkurës duke besuar se pas lënies së lëkurës, ashtu si gjarpëri, njeriu mund të jetonte në një jetë të re.
Nga pikëpamja antropologjike tek paraardhësit e mi mbizotërojnë tiparet adriatike (shqiptare), si koka e shkurtër dhe e gjerë, me pjesën e pasme të sheshuar, fytyra e lartë dhe e gjerë në pjesën e sipërme, hunda e trashë e spikatur me shpinë pak të thyer dhe një shtat mbi mesataren.
Në ndërtesat epirotase është një kompozim i veçantë monumental i pamjeve ballore (fasadave) të tyre. Ato paraqiten me madhësi afro mesatares dhe tepër të natyrshme. Në ndërtesat më të vjetra që janë akoma në këmbë, në trojet shqiptare paraqiten disa piktura murale që dëshmojnë prejardhjen shqiptare të perandorëve si ato të perandorit bizantin Mihal Paleologu VIII së bashku me Andronikun II Paleolog dhe me të shoqen, paraqiten me veshje karakteristike shqiptare, me kurora dafine dhe dëllinjash si dhe brirë dhish në kokë. Traditë kjo vetëm e epirotaseve (shqiptarëve) të lashtë. Këto janë veprat më të hershme që paraqet këta perandorë me prejardhje shqiptare, të cilët synuan të forconin pozitën sunduese në këto zona kyçe midis Perandorisë së Lindjes dhe asaj të Perëndimit pas fitores mbi evgjitët.
Afresket në Kishën e Ristozit në Mborje, afër qytetit të Korçës i takojnë vitit 1390 në stil paleolog (periudha bizantine). Ato paraqesin interes jo vetëm për ikonografinë dhe detajet e zhanrit të futur në skenat biblike nga ambienti real, por edhe se është vepra e fundit e piktorit Bacelli që ka stolisur në vitin 1369 kishën e Maligradit dhe në vitin 1385 kishën e Shën Thanasit në Kostur, por mbi të gjitha tregojnë vazhdimësinë shqiptare që nga Lamia, kufiri më jugor i shqiptarëve, dhe deri në tërë Epirin tërësisht shqiptar.
Pas pushtimit dhe shkatërrimit të zonës së Lamisë nga biri i vet, Aleksandri i Madh, fisi i Bacellinjëve u shpërngul më në veri, në afërsi të Selanikut.
Selaniku
Bacellinjtë që ikën nga Lamia dhe shkuan midis Selanikut dhe Kavallës, ndërtuan një qendër të vogël banimi së cilës i vunë emrin Molla e Kuqe, për nder të Mollës së Kuqe në Lamia. Selaniku ka qenë një kryeqendër ballkanike prandaj dua të them dy fjalë. Selaniku ka qenë një qendër urbane mijëvjeçare, themeluar në vitin 315 para Krishtit dhe që më së shumti filloi të përmendet në Bibël qysh në shekullin e parë të pas Krishtit, kur Apostulli Pali, Timoteo dhe Silas erdhën nga Palestina e Vjetër dhe sollën për herë të parë Ungjillin ndër popujt grekë, maqedonas dhe shqiptarë, “deri në Illirik”. (Veprat, 17). Ka dëshmi të shumta që gjuha, të cilën ata përdorën për të komunikuar me popullin shqipfolës të Selanikut, ka qenë shqipja sepse dhe përkthyesi i Apostull Palit që e përdorte për jo shqiptarët ka qenë një me mbiemër shqiptar, SPATA; por meqenëse qëllimi i shënimeve të mia nuk është kjo temë, po i bie shkurt; ma do zemra, se një ditë do të jetë një temë mjaft e preferuar për shqiptarët dhe, më të zgjuarit e tyre, do të nxjerrin në shesh këtë të vërtetë kaq të madhe. Sipas gërmimeve të bëra kohët e fundit, (shekulli XX), është vërtetuar se banjat publike të zbuluara në gërmadhat e Selanikut të Vjetër, datohen të jenë ndërtuar në shekullin e parë dhe pikërisht në vitet 30. Ky qytet i lashtë ka qenë një nyje nevralgjike e lidhjes Lindje-Perëndim dhe Veri-Jug për Europën dhe Azinë pasi qyteti ngrihej në aksin rrugor Romak (Via Egnatia-Egiata-E gjata) që vinte nga Durrësi e përfundonte po këtu në Selanik e më pas për të shkuar në Azi. Po ashtu edhe rruga tjetër që vinte nga veriu, nga Danubi në Egje, kalonte po në Selanik. Është kjo kohë që ky qytet u shpall edhe kryeqytet i Maqedonisë Lindore dhe më vonë i tërë Maqedonisë Romake (146 para Krishtit deri në 42 para Krishtit). Pas betejës së bërë nga Filipi i Maqedonisë, ky qytet u shpall i lirë. Një gjë që s’duhet ta harroj, siç e përmenda edhe më sipër, është edhe gjuha e folur në Selanik dhe për rreth tij. Jetëshkruesit e Aleksandrit të Madh, të gjithë pa përjashtim kanë thënë se Aleksandri, kur u fliste gjeneralëve dhe ushtarëve të vet, u fliste në “gjuhën e nënës”, kur dihet mirë që nëna e tij ishte shqiptare, ose thënë ndryshe nga historianët e asaj kohe, “gjuha e Aleksandrit ishte një gjuhë barbare”, me të cilin emërtim ata u drejtoheshin gjuhëve jo greke. Sa për gjuhën maqedonishte, ajo nuk qe gjë tjetër, veçse një dialekt i gjuhës shqipe, pasi historianët e lashtë dhe të sotëm pranojnë se Iliria dhe Trakia kanë folur të njëjtën gjuhë. Këtë gjë e kanë thënë, babai i historisë Herodoti, mësuesi i Aleksandrit të Madh, Aristoteli, historianët: Plini, Straboni, Varroni, profesor Konda, profesor Robert d'Angely etj. Selaniku, si të gjithë qytetet kryesore të Ballkanit, ka kaluar lulëzimin dhe shkatërrimin sa herë ndërroheshin padronët e tij. Duhet përmendur edhe rasti i shkatërrimit të Selanikut si qytet në kohën e hordhive barbare sllave. Pas kësaj kohe, ky qytet nuk përmendet më deri në vitin 1846, kur turqit e rindërtuan dhe e ngritën në rangun e qytetit modern, duke e bërë kryeqytet të Vilajetit të Rumelisë, i ndarë në tre sanxhaqe: Drama, Selanik dhe Siroz, por pa fat pasi luftrat ballkanike bënë që edhe ky qytet më në fund të binte në dorën e grekëve. Ishte viti 1910. Por as këta nuk e mbajtën dot gjatë, pasi u pushtua nga bullgarët deri në vitin 1913, kur me anën e Traktatit të Bukureshit iu dha përfundimisht Greqisë. Në vitin 1917 i ra një zjarr i madh që dogji gati tërë qytetin dhe vrau mbi 1000 qytetarë, kryesisht shqiptarë dhe turq dhe u rindërtua nga korçarët oparakë edhe më i bukur seç ishte. Me kaq e mbyll rrëfimin tim për Selanikun tonë duke shtuar disa vargje nga kënga jonë e preferuar kur ne ishim çiliminj:
Selanik e tatëpjetë siç ka qenë do të jetë, Vend i tërë Shqipërisë me ndihmë të Perëndisë.
O ju fqinjët e pabesë ! Mos binie me atë shpresë, Shqipëria s'coptohet, shqiptari nuk ndërrohet.
Ashtu qoftë! Amen.
Një dëshmi tjetër është ajo që na jep Reshat Bacelli, djali i Xhaferit të xhaxhos, i cili thotë se Bacellinjtë kishin pasuri edhe në Kavallë e në Stamboll.
Një pronë e madhe e Bacellinjve ka qenë në Kavallë, atje ata kishin 40 mullinj; disa mullinj për bluarje drithrash, disa mullinj për nxjerrjen e vajit nga ulliri dhe susami si dhe disa mullinj për dërstilje rrobash të shajakta. Po ashtu ata kishin 150 hektarë tokë dhe mijra kokë bagëti. Kishin në Kostandinopojë një kala, e cila quhej “Bakall”, në atë kala kishte shumë dyqane, hane, shtëpi banimi etj. të cilat lëshoheshin me qira.
Në Zvirinë dhe fshatrat përreth kanë patur 9 mullinj bluarje drithrash dhe gjithashtu një punishte ku pastronin peshkun dhe ngjalat që i shisnin në tërë zonën e Korçës.
Një ligj familjar i Bacellinjve ka qenë se ata, në çdo tre djem, dy do të shkonin në Kostandinopojë të drejtonin pasurinë dhe njëri do të merrej me pasurinë në Molla e Kuqe dhe Kavallë. I pari i tyre, Barba Dhimitri kur vdiq u la një amanet, “Kurrë mos i shisni Kalanë dhe dyqanin e madh Bakall në Kostandinopojë, edhe nëse ngeleni pa ngrënë! Po le mallkim për atë që i shet. Qoftë i mallkuar e mos e sjelltë kokën në Shqipëri” (Kavalla në atë kohë quhej Shqipëri). Mirëpo ky mallkim u harrua dhe siç do ta tregojmë më poshtë, në një krizë trazire kundër shqiptarëve në Turqi, dy Bacellinjtë që u ndodhën atje, e shitën dhe hypën në një vapor për të shkuar në Zvirinë. Rrugës, diku nëpër ishujt grekë, u sulmuan, u plaçkitën dhe u mbytën.
Një gjë shumë e rëndësishme e Bacellinjve është sepse ata ruajtën miqësinë me shumë banorë të Voskopojës dhe fshatrave përreth, qofshin ata krishterë apo myslimanë, kjo ju dha mundësinë e mbijetesës në kushtet shumë të varfra që u krijuan për ata.
Nga Molla e Kuqe në Gorë
Kam dëgjuar të flitej shpesh nga pleqtë tanë, të cilët kurrë nuk kishin lexuar Homerin dhe veprat e tij, rreth historive që Homeri i verbër tregon në librin "Iliada" dhe “Odisea”! Edhe sot e kësaj dite i di përmendësh tërë legjendat homeriane, të cilat ne fëmijëve na tregoheshin si përralla shumë të bukura dhe që unë ua kam treguar fëmijëve të mi dhe sidomos Agimit, djalit tim të vetëm. Shpesh, në këto tregime-përralla përmendej fjala divë dhe njëherë unë e pyeta babanë se ç'deshte të thoshte me këtë fjalë. Ai më shpjegoi se Divë quhej krahina e Gorës dhe Voskopoja (Moskopole) pasi në kohët e lashta aty jetonin vetëm divat (gjigandët - kollosët - trupmëdhenjtë) dhe këtë gjë (gojdhënë) ne e kemi gjetur këtu në Gorë dhe nuk e kemi sjellë nga Selaniku, ashtu si tërë historitë e Iliadës që i kemi gjetur këtu në Gorë, (Divë). Qëllimi im nuk është të tregoj historitë homeriane, që për mua janë përrallat e Divës (Gorë - Oparit) të Korçës e që janë treguar 100 apo 300 vjet para se Homerit t’i hapeshin sytë. Jam duke treguar historinë e Bacellinjve dhe historinë time personale për t’ua lënë brezave që vijnë si një gjë të vyer se, kush di nga vjen, di se ku shkon, i thonë një shprehje gorarçe. Por, meqë historia familjare apo personale ndërthuret me atë fisnore, krahinore dhe kombëtare, po parashtroj pak gjëra rreth tyre, për të kuptuar më mirë se cilët ishim ne dhe në ç’vatër u lindëm, rritëm dhe u edukuam. Kjo vatër, ku Bacellinjtë e parë (që mbahen mënd dhe ka shënime) dolën në dritë ka qenë një fshat i madh në veri-perëndim të Selanikut, Molla e Kuqe (më kanë thënë se sot quhet Kalloraferis ose diçka e tillë) dhe që banohej i tëri me shqiptarë, si e gjithë krahina e Sealnikut. Ne flisnim gjuhën pellazge (shqipe) e cila është nëna e gjuhëve helene (greqishtja e vjetër) dhe latine (latinishtja me të gjitha derivatet e saj). Unë mendoj se kemi qenë të parët kristianë në Europë, pasi Apostull Pali, nxënësi i Jezu Krishtit, rrugën e parë e ka bërë tek ne, duke na sjellë Dhjatën e Re direkt prej mësuesit të tij Jezu Krisht. Bacellinjtë në fshatin Molla e Kuqe kishin në zotërim mbi 150 hektarë tokë të punueshme, disa shtëpi, mijra kokë bagëti, 9 mullinj me ujë, kullota të shumta dhe merreshin me blegtori dhe bujqësi. Hobi i tyre ishte mulliri dhe gjuetia, të cilat ne i kemi të trashëguara të gjithë si fis edhe sot e kësaj dite. Me aq sa mbaj mend nga babai im Telha Beqir Bacelli, ikja e Bacellinjve nga ky fshat u bë menjëherë sapo Greqia fitoi pavarësinë e saj, aty rreth viteve 1827-1831. Që nga ky vit dhe në vazhdim e deri më sot, Greqia nuk ka reshtur së përzëni të gjithë shqiptarët që ishin konvertaur në myslimanë; pjesën më të madhe i përzuri në Turqi, duke i cilësuar turq dhe një pjesë tjetër duke i dërguar në trojet e tjera shqiptare që nuk zotëroheshin nga Greqia.
Bacellinjtë e Mollës së Kuqe në Selanik u ndanë në dy pjesë; një palë u dërguan në Turqi (myslimanët) dhe tjetra palë (orthodoksit) në Shqipëri. (Duhet përmendur se në këtë rast, Turqia nuk ia kishte dhuruar Greqisë Vilajetin Shqiptar të Janinës që shtrihej deri afër Selanikut, por nuk prekte fshatin tonë). Nga këta shqiptarë që u përzunë në Shqipëri, shumë u vendosën në Çamëri, por edhe ata pas 100 e ca vjetësh, dhe pikërisht nga viti 1921 deri në 1928, kur Shqipëria kishte marrë atë formë të cunguar që ka sot, Greqia me anën e një marrëveshje me Qemal Ataturkun e Turqisë, i cili ishte vetë shqiptar, dërgoi në Turqi më shumë se gjysmën e myslimanëve shqiptarë. Edhe ata pak myslimanë që ngelën, Greqia i përzuri pas Luftës së Dytë Botërore duke i damkosur si nazi-fashistë! Disa nga shqiptarët e pakonvertar në fenë myslimane, ngelën në Greqi nën presion për t’u greqizuar. Ata kanë luftuar shumë për të ruajtur gjuhën e tyre shqipe, sidomos pas viteve 1850 kur në Greqi nuk lejohej të mësohej e të flitej shqip, por vetëm greqisht, e cila kështu u bë e detyrueshme për të gjithë. Gjyshi im më tregonte se deri në vitin 1850 më shumë se 80% e Greqisë fliste vetëm shqip. Kështu që Bacellinjtë, siç e thashë më sipër, u ndanë në dy degë; njëra shkoi e u vendos në Stamboll dhe tjetra në fshatin Zvirinë të Korçës. Ikja e Bacellinjve nga Selaniku qe shpërblimi si për gjithë shqiptarët, që morën për luftën e madhe që bënë derisa i sollën lirinë Greqisë! Në fakt, shqiptarët nuk luftuan për Greqinë siç flitet rëndom sot, por për vendin e tyre Epirin, duke i gënjyer mendja se shpëtimi nga Turqia do të ishte dhe shpëtimi i tyre i vërtetë! Greqia sapo mori pavarësinë, u riorganizua tërësisht. Gjëja e parë që bëri, pasi forcoi veten, ishte përzënia e shqiptarëve nga trojet e tyre mijëravjeçare dhe ndalimi i gjuhës shqipe; ngritja e shkollave greke edhe atje ku nuk kishte asnjë grek; përkthimi në greqishten e re i tërë literaturës së lashtë helene, që ishte në një dialekt të gjuhës pellazgo - iliro - shqipe. Pasi u bënë pastrimet e duhura, revanshi filloi me pretendimet për Epirin, i cili akoma kishte ngelur nën Perandorinë Otomane dhe kur Shqipëria fitoi pavarësinë, vetëm gjysma e Epirit iu dha Shqipërisë, pa marrë parasysh se i tërë Epiri historikisht ishte banuar vetëm nga shqiptarë dhe disa maqedonas që flisnin vetëm shqip.
"Në qoftë se ata vazhdojnë të ngrehin pretendimet e njohura dhe të vjetra territoriale ndaj Epirit, atëherë do të dridhen varret e etërve, vëllezërve shqiptarë që ranë për lirinë e grekëve dhe që kanë dhënë ndihmesë jo më pak se grekët në themelimin e Mbretërisë greke." Kështu do të publikonte në atë kohë patrioti Jani Vreto.
Bacellinjtë e Mollës së Kuqe
Sipas gjyshit tim, Beqir Bacellit, të parët tanë që mbahen mend janë dy vëllezërit, Llazar dhe Angjelin Bacelli, të cilët ishin djem të Barba Dhimitrit ose Veipit siç e thërrisnin turqit. Ne jemi dega e Angjelinit, kurse dega tjetër, ajo e Llazarit, humbi në Amerikë, Itali dhe në det.
Në këto rrethana, siç e thashë më lart, Bacellinjtë morën rrugën e muhaxhirit. Ata që shkuan në Stamboll dhe u vranë apo u mbytën ishin dy djem të Llazarit; Dhimitri (Ademi) dhe Aleksandri (Iskanderi). Dhimitri kishte katër djem; tre u bënë tregtarë në Stamboll dhe i katërti, Stavri pasi shiti disa toka në Liqenin e Prespës, (Mullirin e Akilit) shkoi në Amerikë dhe atje humbi targë. Aleksandri pati djalë Robert Bacellin, i cili studioi në Francë dhe u bë doktor i madh që luftonte malarjen, e cila në atë kohë bënte kërdinë. Robert Bacelli e mbylli jetën e vet në Itali dhe pasardhësit e tij janë atje (në Palermo të Siçilisë). Tre djemtë e Dhimitrit (i dyti) në Stamboll i shitën dyqanet e tyre dhe bënë para të madhe, hypën në një anije së bashku me familjet dhe u nisën për në Shqipëri (në Zvirinë) për t’u bashkuar me fëmijët e Angjelinit në Zvirinë. Anija e tyre u sulmua dhe u mbyt rrugës (kështu besohet) dhe përfundimisht dera e Dhimitrit u mbyll, po të kemi parasysh edhe Stavrin që humbi në Amerikë dhe derën e Aleksandrit që humbi në Itali.
Mulliri i Bacellinjve
Një mulli gërmadhë gjendet pranë Urës së Akilit,
Ku bashkohen Prespat, thirret Mullir’ i Bacellinjve.
I harruar i shkreti, asgjë s’ka ngelur nga mulliri,
Prapseprap’ është m'i bukuri i tërë mullinjve!
Zvirina
Ata që erdhën në Shqipëri ishin tre vëllezër, bij të Angjelinit; Xhafer (Gjergji) Bacelli, Pasho (Petro) Bacelli dhe më i vogli prej tyre që nuk vuri emër turk, Gjini, si dhe babai i tyre Angjelini i Dhimitrit dhe vëllai i Llazarit. Këta tre vëllezërit e fundit me babanë e tyre, ishin familje mullixhinjsh, pasi në fushat e Larisës deri në Selanik kishin 9 gurë mulliri me ujë. Kjo ishte arsyeja që ata u vendosën në Zvirinë, një fshat afër Maliqit të Korçës, pasi aty kishin blerë toka ose i kishin shkëmbyer me disa prona rreth liqenit të Prespës, (aty ku bashkohen të dy liqenet, përbri me urën e Akilit). Në fushën e Korçës ndërtuan një mulli, për të cilin kishin aq shumë nevojë fshatarët (ndoshta mulliri i parë në Fushën e Kakaçit). Ardhacakët nuk shikoheshin me sy të mirë nga disa pronarë tokash në Fushën e Korçës dhe pas shumë provokimesh që ata t’i shisnin tokat dhe të iknin nga kjo fushë, atyre u erdhi dhe fati i keq, pasi Gjini që ishte shumë i rrëmbyer, grindet me një nga bejlerët fqinj dhe e plagos atë, por qahallarët e tij e vrasin Gjinin, i cili la një djalë, Vangjeliun. Kështu filloi një luftë mes Bacellinjve të sapoardhur dhe bejlerëve të Fushës së Sovjanit, që përfundoi me vrasjen e Beut të Sovjanit, Ibrahim Beut. Ndërhynë shumë miq nga të dy krahët për pajtim dhe të dy palët ndërluftuese dolën në gjyq në Elbasan. Bacellinjtë e humbën gjyqin dhe si përfundim duhet të shisnin tokat për të dëmshpërblyer armiqtë e tyre. Kështu ndodhi. Ata i shitën të gjitha tokat në Zvirinë dhe paratë ia dhanë familjes së beut të vrarë. Në këtë kohë kishte vdekur edhe babai i tyre Angjelin Bacelli, i cili ishte varrosur po në fshatin Zvirinë ku ne kemi gjetur gurin e varrit me emrin e tij, shkruar greqisht, gur i cili ruhet deri më sot në varrezat e fshatit Vashtëmi. Ruhet në Vashtëmi sepse Sabriu, një kushëriri ynë (nga Bacelli, ata sot quhen Malësia në Vashtëmi) para se të vdiste, së bashku me Kodhelin (edhe ky Malësia-Bacelli) shkuan në Zvirinë dhe e zhvarrosën Angjelin Bacellin (Bpatselis), Plakun, dhe e varrosën në Vashtëmi, në varret e tyre familjare. Hasmëria dukej se ishte mbyllur, por miqtë i kishin këshilluar Bacellinjtë që të largoheshin nga fusha e Korçës, pasi ata ishin jabanxhinj (grekë!) dhe beu (turk!) i vrarë i Sovjanit kishte patur shumë miq e simpati përreth fushave të Kënetës së Maliqit, që zor se do ta harronin vrasjen e tij, pavarësisht nga dëmshpërblimi.
Gora – Diva dhe Krushova
Më vjen shumë keq që zona, ku unë linda dhe u rrita sot quhet Gorë, një emër i huaj siç janë edhe 70% e të gjitha toponimeve të qyteteve dhe fshatrave të krahinës së Korçës. Ky emër mund të ketë ardhur që nga pushtimi i Shqipërisë nga serbët me Stefan Dushanin në krye ose që nga koha e pushtimit bullgar dhe, për fat të keq, askush nuk ka bërë përpjekje që të gjejë emrin e vërtetë shqiptar të kësaj zone para pushtimit sllav. Unë me aq sa kam mundur, mund të sjell mendimin tim sipas gojëdhënave të pleqve të zonës për emrin e vjetër të kësaj zone malore me bukuri të rrallë dhe besoj shumë se e vërteta do të jetë kështu siç më ka treguar gjyshi im, histori të cilën po e tregoj më poshtë.
Le ta fillojmë që nga Zvirina ku e lamë. Xhaferi me Pashon morën familjet e tyre dhe sipas porosive të miqve shkuan dhe u strehuan në një lagje të Shipckës që tashmë ishte e shkatërruar dhe nuk banonte askush, por që ishte vend i begatë dhe shumë i përshtatshëm për të jetuar. Kjo lagje thirrej me disa emra si Shënkoll, Shëndiell,Katundas dhe Krushovë, (mbreti Zog i vuri emrin Pishaj ashtu si mendojmë se është quajtur në shekuj). Shënkoll quhej edhe kisha që gjendet në të dalë të fshatit, rrugës që të shpie në Zvarisht-Lozhan. Sot në vend të kishës ka ngelur vetëm një shkëmb i madh dhe gërmadhat rreth e rrotull ku akoma fshatarët myslimanë shkojnë e falen sikur të ishin kristianë. Kjo lagje e vjetër e Shipckës, sot quhet vetëm Krushovë, emër që i ka ngelur që nga pushtimi bullgar dhe që do të thotë Dardhë. Në fakt, aty bëhen shumë gorricat, por jo dardhat.
Le të them dy fjalë për linjën tjetër që është po gjaku ynë, atë të Vangjeliut, djalit të Gjinit, pasi ne akoma e kemi ruajtur dashurinë e lidhjes së gjakut me ata dhe duhet ta ruajmë pasi jemi nga i njëjti zjarr. Vangjeliu nuk shkoi në Krushovë, por u vendos në Voskopojë ku kishte shumë të krishterë, dhe la trashëgimtar Jorgon, që e ndërroi mbiemrin nga Bacelli në Pina pasi kishte hyrë dhëndër brenda. Jorgua la pas një djalë të quajtur Kosta, që u martua me Atën dhe ata patën një djalë, Jorgji Pinën dhe një vajzë, e cila quhej Pandorë. Pandorën, e cila qe martuar me Dhimitraq Falon, e kam dashur si nënën time. Pandora ka lënë tre djem, të cilët janë gjallë dhe me ta ne e ruajmë akoma dashurinë fisnore. Po ashtu ne kemi miqësi edhe me Pinat e Voskopojës që janë po nga vatra jonë. Ata nga fizionomia ngjajnë me ne, sidomos Jorgji Pina, vëllai i Pandorës. Po ashtu edhe nga bisedat që bëheshin nga pleqtë tanë, dilte se ne kemi qenë një fis. Kosta vdiq në 1941 në Voskopojë, në atë vit që vdiq dhe babai ynë.
Fallot & Pinat e Voskopojës (Bacellët)
Gjikë Fallo kishte djalë Dhimitraqin, që u martua me Pandora Pinën. Pandora ishte bijë e Kostë Pinës. Kostë Pina ishte djalë i Jorgo Pinës dhe Jorgua ishte djalë i Vangjelit (Vangjeliut siç i thoshin voskopojarët) të Gjinit të Vangjel Bacellit. Kosta pati dy fëmijë, Jorgjin që s’la fëmijë dhe Pandorën. Pandorën nga fisi jonë, martuar me Dhimitër Falon. Pandora ka lënë tre djem; Dhorin, Gaqon dhe Nikon.
Le të flasim dy fjalë për Dhimitraqin që mori për grua kushërirën tonë. Ky ka qenë shok i ngushtë i Ali Kelmendit dhe anëtar i Grupit Komunist të Korçës. Ishte më aktivi dhe më i zoti nga të gjithë, por jo aq komunist sa të tjerët, pasi ai kishte rezerva për komunizmin dhe, ndoshta kjo qe arsyeja që ai do luftohej nga ky grup dhe një ditë do të vritej në rrethana tepër misterioze.
Ali Kelmendi, kur bënte mbledhje të fshehta në Korçë, për ta hequr qafe, nëse do të zbuloheshin, kishte caktuar Dhimitrin, që të dilte i pari nga shtëpia bazë ku mblidheshin. Dhimitri e kishte pranuar këtë sfidë, siç i pranonte të gjitha sfidat dhe rreziqet që i kanoseshin nga shokët komunistë. Pas shumë debatesh dhe mosmarrëveshjesh, më në fund Dhimitri do t’i braktiste shokët e tij komunistë dhe do të bashkohej me nacionalistët, që më shumë deshën Shqipërinë sesa Rusinë. Dhimitri do të bashkohej me Ballin Kombëtar dhe do të arrinte detyrën më të lartë në drejtim të kësaj organizate për krahinën e Korçës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1943, në mos gaboj ishte verë, ndërsa ai ishte duke ecur rrugës, një njeri (sigurisht që ishte komunist) do t’i hidhte një bombë që nga ballkoni i një shtëpie. Dhimitri vigjilent arriti ta kapte bombën në dorë dhe ta hidhte diku larg vetes, por s’mund të kapte dot dhe largonte tre plumba të pabesë e tinzarë që nuk vonuan dhe erdhën drejt tij.
Bacellinjtë e Krushovës
Tani po e zgjeroj pak me dy vëllezërit që erdhën në Shënkoll apo Krushovë, siç thirret sot, nga vij edhe unë, para se të them dy fjalë për këtë fshat, ku u linda dhe jetova deri në moshën 30 vjeç.
Xhaferi (Gjergji) dhe Pashua (Petro). (Dega e Pashos u mbyll pa fëmijë)
Xhaferi pati vetëm një djalë, Telhanë dhe Telhaj pati tre djem; dy iu vranë në luftë dhe i treti, Beqiri rrojti gjatë në Krushovë, i cili la këta fëmijë: Qerimin, Pashon, Telhanë, Dilikon, Satliko (Xikon), Gjylen, Hatixhen dhe Tahirë.
Beqiri ishte gjyshi im dhe gjyshja ishte Diliko e cila ishte nga Gjyrasi. Ata kanë patur këta fëmijë:
Qerimi, lindi në Krushovë më 13.12.1850 e vdiq në Krushovë më 27.08.1947.
Xhaxhua siç i thoshim ne, ishte djali i madh i Beqirit, martuar me Hyrien nga Lozhani.
Xhaxhua si më i madhi i fëmijëve të Beqirit, pasi Shqipëria fitoi pavarësinë, shkoi në Greqi, në Selanik dhe kërkoi tapitë e pronave tona; grekët jo vetëm që s’ia dhanë, por i thanë që të mos dukej më në ato anë! Atëherë xhaxhua, që ishte njeri shumë kurajoz, trim dhe i zoti, nuk e la në mes punën e nisur dhe u nis për në Stamboll, ku ishin dublikatat e të gjitha pronësive, sepse siç kemi thënë më lart, Selaniku me rrethinat ishte pronësi e turqve deri në vitin 1912. Me anën e ndërhyrjeve të miqve të shumtë që xhaxhua kishte në Stamboll, arriti dhe i mori të gjitha dokumentet që i duheshin. Kur xhaxhua vdiq, tapitë e tokave e pasurive tona në Selanik ia la të birit, Xhaferit, të cilin kurrë s’e kam pyetur se ç'i bëri ato. (Reshati, i biri i Xhaferit, më ka thënë se tapitë u dogjën në kohën e luftës, kur u dogj shtëpia e xhaxhos).
Qerimi ka qenë anëtar i çetës së Shahin Matrakut, mikut të Pashos, Muharrem Moglicës dhe Mersin Starjes. Si Qerimi dhe Pashua u dënuan nga regjimi i Zogut me 2000 frënga ari për veprimtarin e tyre antizogiste, kurse Pashua bëri edhe tre vjet burg në burgun e Korçës. Qerimi së bashku me Tili Punmirën, mikun e shtëpisë sonë, vranë një nga turkoshakët më të poshtër të zonës sonë.
Qerimi në rrethimin e Zalo Zvarishtit dhe Shahin Matrakut (në Gjinikas) u bë një nga heronjtë kryesorë të shpëtimit të çetës së Shahin Matrakut. Ai së bashku me babanë tim Telha Bacellin, me xhaxhanë Pasho Bacellin, dhe me Sahit Bebrin, ngritën në këmbë shumë fshatarë të Krushovës, Zvarishtit, Dolanit dhe shkuan në ndihmë të Shahin Matrakut që gjendej i rrethuar në Gjinikas nga Zalo Prodani, një turkoshak shqiptar dhe e rrethuan atë duke i thënë, "ose ik dhe lere të lirë çetën e Shahinit ose do të luftosh mes dy zjarresh; me ne dhe me çetën e Shahinit." Zalo Prodani megjithëse qe me një ushtri të madhe dhe të rregullt turke, preferoi të largohet dhe kështu shpëtoi Shahin Matraku dhe çeta e tij.
Fëmijët e Qerimit (Xhaxhos)
Qerim Bacelli kishte gjashtë djem; Hekuran, Demir (Keko), Xhafer, Musa, Ramadan e Xhevit, si edhe një vajzë që quhej Sheqere, martuar në Biranj.
Demir (Keko) (Hekuran, por ne i theshim Keko) ishte i madhi i fëmijëve të Qerimit, ai emigroi në Australi në vitin 1924, ku punoi e beri ca pasuri. Vdiq më 07.12.1989, pa pasur fëmijë, megjithëse ishte martuar tre here por i ndarë (shkurorëzuar) kur ishte ende në Krushovë. Në Australi ishte i njohur si Demir Kerim. Keko, vdiq pa lënë testament, kështuqë qeveria Australiane ia shpërdau çfarë kishte tek nipërit dhe mbesat në Shqipëri si dhe vëllait të tij Musa që ishte i vetmi nga vëllezerit gjallë në atë kohë.
Imagjinoni vitet 1924 në Shqipëri kohën kur partia e parë demokratike fitoj, Fan Noli ishte udhëheqësi i kësaj partie e cila ishte kaq e mirëpritur nga populli shqiptar. Si shumica e shqiptarëve edhe Qerim Bacelli me vëllezërit e tij mezi prisnin çlirimin e vendit nga regjimi i Zogut.
Demir (Keko) Hekurani, kishte qënë ushtar antizogist në ushtrinë e Fan Nolit, i cili ishte në pushtet për një kohë të shkurtër prej 6 muaj. Kur Zogu riardhi në fuqi, shumë njerëz do të vriteshin nga ushtria Zogiste në qoftëse ata vazhdonin ta kundërshtonin regjimin e tij.
Kjo ishte arsyeja që djali i madh i Qerim Bacellit, Hekurani, mori rrugën e mërgimit, të shpëtonte kokën. Ai u largua ne 1924 së bashku me kushëririn e tij qe njihej me emrin Emin Hasimi dhe që ishte nga fshati Porodinë e Korçës. Këtu duhet bërë e ditur se për çdo shqiptar që ka emigruar në atë kohë është ndryshuar mbiemri, por nganjëherë edhe emri, arsyeja ishte sigurim i jetës së tyre që ishte në rrezik nga regjim i Zogut.
Hekurani dhe Emini arritën në Australi në shtetin perëndimor, në qytetin Perth. Qëndruan aty disa javë, dhe kur morrën lajmin se toka të reja po hapeshin në Biloela, udhëtuan për atje me tren, nga Perth, Adelade, Melboune, Sydney, Brisbane, Rockhampton dhe mbritën në Biloela ku u bashkuan me shqiptarë të tjerë ,të cilët kishin ardhur me tren nga vende të tjera.
Biloela është në qëndrën e shtetit Queensland. Emri përkthehet nga gjuha e vëndasve si "Papagalli i Bardhë". Qeveria ua jepte falas tokën atyre që e hapnin.
Shqiptarët janë të njohur për punëtorë të zellshëm dhe në atë kohë, sipas të dhënave të Sem Adil, prindërit e tij ishin dy nga dyqind shqiptarët që punuan bashkë me njerëz të ardhur nga 28 kombe të ndryshme të botës që punuan për hapjen e tokave të reja në Queensland. Në Callide Valley Biloela, shqiptarët ishin të njohur si pionierët e parë të Biloeles.
Xhaferi (djali i dytë i Qerimit), lindi në Krushovë më 14.06.1901 e vdiq në Yzberisht, Tiranë më 08.03.1986 me mend dhe gojë. La pas nëntë fëmijë. Xhaferi familjarisht në vitin 1956 u vendos në fshatin Vaqarr Tiranë, ku ishte kryetar i kooperativës Hekuri i Lozhani, kushëriri i parë i tyre. Pasi punuan e jetuan disa vjet aty, u zhvendosën me banim në Yzbarisht, ku jetojnë ende djemtë e tij Nekiu e Qerimi. Fëmijët e Xhaferit janë:
Feriku është fëmija e djali i tij i madh, lindi në Krushove më 05.09.1933. U martua në vitin 1964 me Reshide Haki Allko, nga Strelca e Oparit, jetojnë në lagjen 6 Kombinat Tiranë. Ata kanë një djalë dhe një vajzë, djali quhet Altin Bacelli i martuar me Mirën nga Orikumi, Vlorë dhe kane nje djale. Ndërsa vajza quhet Majlinda e martuar me Romeon dhe kanë një djalë, quhet Albi.
Reshati, lindi në Krushovë më 13.05.1935, në vitin 1970 është martuar me Nadiren Myrteza Cani, nga Tirana, banojnë në qytetin e Tiranës dhe kanë dy djem. Dritani është i madhi, ka emigruar në Australi, ku edhe është martuar me Donën nga Australia dhe kanë dy fëmijë;Tirona Fai dhe Dritan Reshat Xhejms Bacelli dhe Edis djali i vogel i martuar me Stelen me të cilën ka një vajzë.
Nekiu, lindi në Krushovë më 03.10.1937, martuar në vitin 1970 me Zade Latif Trimi, nga fshati Kërçukje e Tiranës, jetojnë në Yzbarisht Tiranë dhe kanë këta fëmijë: Ermalin, martuar me Migenën që kanë një vajzë Kristi dhe djalin Martin. Albana vajza është e martuar me Arjanën që kanë 3 fëmijë;
Edip (Eip), lindi në Krushovë më 01.06.1943, vdiq në Siçili Itali, më 02.01.2008, ku jetonte tek vajzat, dhe u varros në Tiranë më 04.01.2008. Ishte i martuar me Bukurie Tosun Agolli, nga Dolani Korçë dhe kanë dy vajza: Arta dhe Dona të dyja janë të martuara dhe kanë fëmijë, jetojnë në Italinë Jugore (Siçili), ndërsa Bukuria jeton herë aty me vajzat dhe herë në Yzbarisht.
Qerimi, fëmija dhe djali i vogël i Xhaferit, lindi në Krushovë më 29.11.1951, e banon në Yzbarisht Tiranë. U martuar më 29.12.1974 me Semiha Shaqir Hoxha, nga Yzbarishti e cila ka vdekur më 29.06.2001 me të ka lindur një djalë, Eltonin, lindi më 12.07.1975 beqar i cili punon në Greqi. Qerimi u rimartua ne fundvitin 2007 e cila quhet Adriana.
Vajbeja, vajza e madhe e Xhaferit, lindi në Krushovë më 07.04.1939, u martuar në vitin 1959 me Nezhdet Qamil Brankollari,ardhur në Kombinat Tiranë, nga Zvezda e Korçës. Ka tre vajza Rozeta, Zamira, Alma të martuar dhe me fëmijë.Rozeta ka dy djem (Alban,Dardan) dhe nje vajze (Iliriana),Zamira ka një djal (Gazment), Alma një vajzë (Aleda).
Rahime, lindi në Krushovë më 12.02.1941, vdiq m ë 25.11.1999. Ishte e martuar me Ferhat Kajo Metollari, ardhur në Yzbarisht nga Selca e Gorës, lindën dy djem, Edmondi Metollari, lindur në vitin 1968, vdekur aksidentalisht më 01 janar 1990. Djali tjetër quhet Ilir Metollari, lindi në vitin 1970, i martuar me nje vajzë, jeton në Yzbarisht.
Qazime, lindi në Krushovë më 17.09.1947, e martuar me Kujtim Fejzon në Laç, ka disa vjet që jetojnë në Tiranë, kanë një djalë, Julin, emigrant në Angli i martuar dhe ka dy vajza Klea dhe Melisa.
Ferdane (Farie), lindi në Krushovë më 01.07.1948, vajza e vogel e Xhaferit ishte e martuar me Bexhet Ajçe Fidani, nga Krushova, mjek veteriner në Yzbarisht Tiranë.Ferdane ka vdekur më 25.06.2001 dhe ka lënë dy vajza, Geriola është në përfundim të studimeve në Itali per mjekesi dhe Jonën studjon po në Itali, e cila ka filluar shkollën për arkitekturë këtë vit 2010. Pas vdekjes së Ferdanes, Bexheti, në verën e vitit 2002 u martua me Florën nga Laçi dhe pas vdekjes së Bexhetit më 09.08.2008, Flora jeton me vajzat e Bexhetit herë në Yzbarisht e në Itali, ku jetojnë vajzat.
Musai ishte i treti, nga djemtë e Qerimit, lindi në Krushovë në vitin 1912. Emigroi në Australi në vitin 1937, ku edhe punoi e jetoi. Vdiq në Brisbane në moshën 104 vjeç dhe 7 muaj, i dekoruar nga Mbretëresha e Anglisë me medaljen e 100 vjetorit, ishte anëtar i klubit të 100 vjeçarëve.Të cilët mblidheshin një herë në vit ku falas.u bënin drekë dhe i shëtisin me anije në lumin e Brisbanit Musai ka patur 10 fëmijë dhe ai vetë ishte i martuar dy herë.
Mbas disa viteve vëllai i Hekuranit, Musai arriti në Australi, në 1937, me kushëririn e tyre Shefqet Ismaili. Ata udhëtuan nga porti i Vlorës në Athinë, nga Athina në Stamboll dhe pastaj në Portugali. Që andej shkuan në Panama, kaluan nëpër Kanalin Panamez, që atje në Tahiti dhe nga Tahiti arritën ne portin e Sydney, në Australi. Ndërsa Hekurani kishte erdhur me një linjë tjetër nga Europa. Ai kishte bërë këtë rrugën; Durrës, Bari, Kanali i Suezit dhe, mespërmes oqeanit Indian, në Perth, Australi.
Musai filloj të punoi me vëllanë e tij, Hekuranin, në Biloela në fermën e vëllait për disa vjet. Musa morri borxh në bankë dhe bleu tokën e parë të tij, nga një shqiptar që quhej Adem dhe që iku në një vënd tjetër. Në vitin 1947 Hekurani e shiti tokën e tij tek familja Short dhe bleu një fermë tjetër në Monto. Hekurani kishte shumë dhi dhe filloi që të blinte edhe lopë, arsyeja ishte marka e kremit të qumshtit u rrit me hapjen e fabrikës së gjalpit që në vitin 1924 në Biloela dhe në Monto.
Musa u martua me gruan e tij të parë në fillimin të vitit 1940,ajo ishte Thelma Mildred, e bija e Paul Bebee dhe Florence Ann Welford. Paul kishte ardhur me vëllanë dhe motrën e tij nga Amerika në Australi kurse mamaja e tyre ishte nga Wells i Anglisë. Musa dhe Thelma patën gjashtë fëmijë, katër djem dhe dy vajza.
Fëmijet e tyre janë:
Djali i madh, David John Kerim (Bacelli), lindur në Biloela, 12 mars 1944. Martuar i ri për një kohë të shkurtër me Shirley .Më vonë David u martuar me Patricia Malone, 5/12/1981.Vetë ata nuk kanë fëmijë po rritën nipin e Patty si të tyren, Owen-in. David dhe Patty janë pensionistë tani. Duhet thënë se David ishte një mekanik dhe shofer i shkëlqyer.
Djali i dyte i Musa Kerim (Bacelli) është Edward James Kerim (Bacelli), lindur në Biloela në 27 Prill 1946. I martuar me Vicky dhe ka dy vajza, Jody dhe Paula, të cilat kanë lindur ne Biloela.Të dyja vajzat janë të martuara. Jody është martuar me Macabe Harper dhe ka dy djem,Stone Vincent dhe Estern. Punojn dhe jetojn në Gladstone. Paula është e martuar me Craig Ellis dhe kanë tre fëmijë,dy djem; Blake James dhe Mathew. Po ashtu dhe një vajzë që quhet Sophie. Punojn dhe jetojn gjithashtu në Gladstone.
Fëmija e tretë është vajza e madhe e Musait, quhet Margaret Mary, lindur në Biloela në 27 prill 1947. Ka dy fëmijë me martesën e parë me Robert Huth; një vajzë dhe një djalë.Të dy punuan në dyqanin e tyre të mobilerisë në Biloela,me ta jetonte dhe Emin Hasimi në pleqeri. Në 1988 e shitën dyqanin dhe vajtën afër baba Musait në Redclif, Brisbane. Margaret punoi për ca kohë në spital.Margaret gjithmon kishte një ëndërr të blinte fermën e saj, ëndërr që ju plotësua kur ajo bleu një fermë të vogël në Proston. Robert (Bob) kishte dëshirën e tij të bëhej aviator gjë që ai e plotësoi kur mori patentën për të drejtuar aroplanë të lehtë. Ai e bleu një aroplan me dy vende dhe fluturoi me vite në Biloela. Ata e kishin aroplanin edhe kur vajtën ne Redclif. E humbi aroplanin, kur një stuhi e madhe ra në aroportin e Brisbanit,dhe u bën shumë dëmtime, kjo bëri që ai të largohej nga fluturimi dhe hapi shtypshkronjën që e ka deri me sot. Vajza e Margaret-ës quhet Kathryn Odre Thelma, lindur në Biloela më 3/3/1977. Martesa e parë me Collin Marshall në 1997.Kathryn ka një djalë Jack Mathew Charlton, lindur më 17/12/2006. Ajo është shtatzënë me fëmijën e dytë, partnieri i saj është Jamie Charltone, të dy punojnë dhe jetojnë në Brisbane.Djali i Margarët është Malcolm Robert, ka lindur në Biloela më 1/7/1981, jeton dhe punon me partneren e tij Chub në fermën Mitchell Qld, së bashku me mamanë e tij Margaret dhe me John Eric Grocke. Ky u martua me Margaret, vajzën e Musait në Maj të 2006, John ka lindur binjak me një vëlla tjetër më 20/3/1939 në Stone Hut Awer, qytet në Adelide, në shtetin jugor të Australisë.John është biri i Eric Grocke dhe Rildah Marry Errington.Babai i tij Eric ishte me origjinë gjermane,mamaja është angleze. Margaret dhe John e blenë së bashku fermën ne Mitchell.Femijet e John Grocke me gruan e pare jane te martuara(2 vajzat)Vajza e madhe me të shoqin jetojnë e punojnë këto vitet e fundit në Londer, Angli. Vajza e vogel Amenda eshte e martuar jeton ne N.S.W. Deri tani, në 2010, vajzat e tij nuk kanë fëmijë.John mbasi u nda me gruan e parë u shpërgul në Thagool që është 11 km larg Biloela. E shiti atë fermë dhe së bashku me Margaret blenë fermën e tyre në Mitçell.
Allan Griffith Kerim (Bacelli) është djali I tretë, lindur në Biloela në 1 Maj 1949. Si vëllezerit e tjerë ai punoi në fermën e të jatit. Pasjoni i tij ishte bageti, toke dhe maqineri. Ai është i njohur për shkathtësinë dhe saktësinë e punës, është gjithmon i përpikët. Gjatë gjithë jetës ka punuar me zell. Shokët e tij të ngushtë ishin grekë me origjinë, mund të përmëndim Spiron, një nga shokët e tij më të mirë. Allan u martua i ri dhe martesa e parë e tij zgjati vetëm disa vjet. Allan u martua me Victoria Pacey në 1969 në Sydney, kanë dy djem, Jason dhe Adrian të cilët u rritën nga mamaja e tyre Victoria me të shoqin e saj të dytë Edward Kerim. Gjithë jetën mardhëniet e tyre kanë qënë njerezore dhe të respektueshme. Djemtë e tij janë të martuar dhe shumë të mbarë.Jason është i martuar me Dinah Upton dhe ka dy djem, Joel dhe Benjamin të dy janë në shkollën e mesme. Adrian është i martuar me Katrina Craig në Biloela.Djemtë u mësuan dhe edukuan me biznes tek shoqeria EVCO e Edward dhe Victoria Kerim e cila është e njohur prej vitesh në Biloela.Allan kur u martua me Dorine ishte në fermen e tij në Taroom. Më vonë u shpërngul në Brisbane dhe punoi me vëllanë e madh David për pakë kohë. Në vitin 1992 Allan u martua me Fatlinda (Linda) Bullari e cila ka lindur 3/1/1958 në Tiranë, Albania. Linda ka punuar 4 vjet në Zejmen dhe që andej pas një viti studimesh për Programim në kompjuter punoi në Qendrën e Mikroskopisë Elektronike në Fakultetin e Shkencave, si biologe. Kur Allan (Bacelli) Kerim, djali i tretë i Musait shkoi në Tiranë në dhjetor 1991, pasi e njohu Lindën për një kohë të shkurtër u martuan dhe u nisën për në Australi.Linda ishte 34 vjeç kur u martua me Allan. Në Australi filloi disertacionin në Queensland University, kur njëkohësisht u punësua në Fakultetin e Animal Production si tutore në Biokemistri dhe acociated lecture në Fiziologji. Pasi mbrojti disertacionin, kaloi në arsim të mesëm afër shtëpisë dhe atje Linda punon prej 14 vjetësh si Oficere Shkencore.Të dy jetojnë në Redbank Brisbane.
Trevor William (Kerim) Bacelli, djali i katërt dhe i vogël i Musait, lindur në Biloela më 19 janar 1953. Edhe pse ishte më i vogli i djemëve punoi përkrah me vëllezërit në Jambin, fermën e babait deri sa ferma u shit në 1975. Djemtë u shpërdanë në profesione të ndryshme . Vetëm Trevor vazhdoi pasjonin e tij që është blegtoria, lopet Brahman të cilat janë të njohura më shumë si racë në Australi, Brazil, Indi, Amerikë, Meksikë. Ju desh vite duke punuar tek fermerët e tjerë që Trevor të arrinte të krijonte Tre-Ker Brahman Stud të cilën e ka edhe sot, për një kohë u muar me bletori tani mban sa për vete. Pasjoni dhe ëndrra e Trevorit ishte që të shkonte në Shqipëri që kur ishte i vogël.1984 Musai i pyeti gjthë fëmijët e tij se kush deshte të shkonte në Shqipëri por të gjithë nguruan përveç Trevorit. Arsyeja e ngurimit ishte sepse Shqipëria, si vënd Socialist, propogandohej si një vënd i egër ku edhe të vrasin nëse nuk bën ç'far të thonë. Kështu që u nisën të dy për në Shqipëri, ku ndejtën tre javë duke shkuar që nga Tirana,Yzberisht, Korça, Bulgareci, Lozhani dhe disa vënde të tjera ku takuan për herë të parë familjen dhe farefisin mbas 48 vjetëve emigrim. Trevor erdhi në Shqipëri përsëri për çdo vit. Gjatë vizitave të tij ai udhëtoi shumë në tërë Shqipërinë si në Shkoder, lezhë, Fier, Lushnjë, Vlorë, Sarandë e Gjirokaster.I pëlqeu shumë vëndi i babait me bukuritë naturore. Artin shqiptar e vlerësonte shumë. Trevor ka mendimin se çdo fushë e jetës është art, sidomos për shqiptarët që kanë imagjinatë të mprehtë. Në vitet 1986-1987 Trevor hapi ekspozitën e parë me veprat e artit shqiptar në Rockhampton dhe Brisbane, pikërisht në City Hall, ky kryetarja e këshillit të Brisban-it do të ishte ajo që do të bënte përurimin e kësaj ekspozite. Në atë ditë ishin të ftuar dhe miqtë nga Shqiperia, z. Petraq Pojani që merrej me mardhëniet e jashtme në atë kohë, piktori i popullit Kel Kodheli dhe shkrimtari per kerkimet e artit Dr. Ferid Hudhri. Ishin kohë vërtet shumë interesante jo vetëm për Trevorin dhe bashkëshorten e tij Rozeta, por edhe per gjithë shqiptarët që erdhën nga gjithë Australia dhe që ishte hera e parë që shikonin artin e vëndit të tyre. Musai, babai i Trevor-it ishte shumë krenar për të birin e tij.Trevor (Kerim) Bacelli u martua në Tiranë me Rozeta Bankollari të cilët u njohën gjatë asaj kohe.Falenderoj pikërisht Rozeten për gatshmërinë e saj që të bashkëpunojë me mua për të shkruar për familjen e xhaxha Musait në Queensland të Australisë.Trevor dhe Rozeta kanë një vënd të nderuar në ndihmen e tyre për saktësinë e të dhënave për librin e Bacellinjve të pjesës që flet për bacellinjtë e Australisë, ashtu siç kanë një vënd nderi edhe Mark Telha (Bacelli) me të bijën Jody Telha e cila e ka përkthyer në anglisht këtë libër. Rozeta është bija e Nezhdet (djalë i Qamilit dhe Resmies) nga Zvezda e korçës dhe bijë e Vajbesë (vajza e Xhafer dhe Refie Bacellit) nga Krushova. Rozeta ka mbaruar shkollen e mesme në degën e topografisë në Tiranë, mbaroi gjithashtu një kurs për skulptore dhe punoi pesë vjet tek Alabastra, ndërmarrja Migjeni Tiranë. Në Australi, ajo së bashku me të shoqin kanë mbaruar kurset në elektronikën e trupit dhe vleresimin e ilaçeve popullore që e kanë pasjon të veçantë. Rozeta punoi në DPI në Biloela për një kohë të shkrurtër dhe në tre vjetët e fundit ajo punon në Wahroonga Retiremet Village.Rozeta tregon se kur ajo shkoi në Australi takoj edhe Hekuranin me Emin që në atë kohë ata mbushën nga njëqind vjet. Ndërsa babai i Trevor-it, Musai, kur vdiq ishte 104 vjet e 7 muaj dhe është varrosur në Caboolture pranë djalit të madh, Jeffrey me gruan e dytë.Trevor dhe Rozeta kanë tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.Alban Nezhdet Musa Roy është djali i madh, lindur në Biloela me 9/5/1987, është student, mbaroi degën (degree Bachelor agricultural, majored in Rual Tecnology) në UQ.Gatton Queensland 2009. Këtë vit,2010, po bën honores në SA University në Roseworthy Campus për Virusollogji. Në vitin 2011 është pranuar si student të filloi master-in në Waga Waga Charles Sturt University.Iliriana Thelma Vaibe Maria është vajza e vetme e Trevor dhe Rozeta, ka lindur në Biloela më 8/12/1988. është gjithashtu studente në ANU Canberra. Po vazhdon studimet në degën e shkencave dhe artit.
Dardan Michael Frederick, djali i vogël i tyre, ka lindur më 6/12/1990, gjithashtu është student në UQ. Gatton në Queensland në degën e shkencës bujqësore. Famija e Trevor-it është e njohur ligjërisht si Trevor William Bacelli, të tjerët nuk e kanë ndryshuar mbiemrin.
Diane Nellie, është vajza e vogël e Musait dhe Thelma, lindur në Biloela në 12 janar 1953. U martua me Terry Zabal dhe kanë katër femijë, dy vajza dhe dy djem; fëmijët janë: Tirana, vajza e madhe është e martuar dhe ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, jeton në Brisbane.Simon, është vajza e dytë e martuar, ka tre djem, jeton në Kingaroy.Kavin dhe Wayne janë djemtë e saj, jetojnë dhe punojnë në Brisbane. Me martesën e dytë, Diane u martuar me Malcolm Lampard, ka dy djem të tjerë. Malcolm ka vdekur dhe ajo jeton vetëm në Brisbane.
Në 18 dhjetor 1955, as një javë para krishtlindjes, në familjen e Musait ndodhi një fatekeqësi e madhe, e shoqja e tij, e pa besueshme, Thelma ndërpreu jetën e saj. U gjend e vetvrarë. Ai mbeti pa grua, pa shoqen e tij të jetës, fëmijët e tij mbetën pa nënë. Në ketë kohë kaq të vështirë, kusheriri i tij Rexhep Telah (Bacelli) (vëllai im i mirë nga Hobarti, Tasmania), u ndodh për të dhe fëmijët, ai shkoi në Biloela për ta ndihmuar në atë kohë aq të vështirë dhe ndënji atje tre muaj. Musai thoshte se nuk mund ta harronte kurrë këtë xhest të lartë vllazërie.Thelma Mildred ishte një nga pionieret e para në Callide Valley Biloela, e cila edhe sot përmendet me dashuri dhe respekt, ajo ishte njohur si një puntore shumë e madhe, gatuante gjellë shqipetare (të mësuar nga i shoqi i saj, Musai).
Zonja Short ishte fqinja e saj në fermë ku familja e burrit të saj kishin blerë tokën e Hekuranit në 1947. (Këto informacione janë marrë prej saj që ka jetuar në atë kohë.) Këto dy familje shkonin shumë mirë me njëra tjetrën, një vllazëri e vërtetë. Një tjetër fqinj i Musait, në atë kohë, ka qënë dhe familja Elliott. Të dyja familjet japin të njëjtat të dhëna për Musa dhe Thelma. Fqinjet eThelmes e kujtojne perhere me mirinjohje dhe dashuri,kur muhabeti bjie per kohet e kaluar.Këtë gjë e përmëndi edhe Musai kur u takuam në Bulgarec në vitin 1984.
Një e keqe e madhe për Musan ishte sepse ai i kishte fëmijët e vegjël dhe një ligj australian thoshte se, kur një prind vdes,dhe s’kishte se kush ti kujdesej per femijet ,shteti i mirrte femijet qe ti riste.Musaj u mundua qe ti mbante femijet se bashku duke marrë një dado për te ndihmuar,ai mori tre dado te cilat qendruan per pak kohe njera mbas tjetres. Në atë kohë David ishte vetëm 11vjeç, Edward 9 vjeç, Margaret 8 vjeç, Allan 6 vjeç, Trevor 2 vjeç dhe më e vogëla, Diane ishte nje vjeç.
Everlyn Rose erdhi për punë si dado për ta ndihmuar për rritjen e fëmijëve dhe mbante korespodencë edhe kur ajo shkonte në shtëpinë e saj. Kështu që ky ishte sebepi që ai u njoh me gruan e tij të dytë Everlyn Rose që në atë kohë kishte dy djem me burrin e parë. Ajo ishte katolike dhe kisha nuk jepte ndarje, kështu që ata bashkëjetuan dhe patën katër fëmijë dhe kështu, ligjerisht kishin mundësi që të martoheshin.
Fëmijët e tyre:
Jeffrey Miçeal Kerim (Bacelli) lindur në Biloela me 31/1/1958 dhe vdiq ne 23/4/1975 në një aksident automobilistik në rrugën që shkon në Gladstone dhe që është një orë e njëzet minuta nga Biloela. Ai ishte i njohur si një djalë i qeshur me plotë gëzim për jetën ,i pëlqenin shumë motorçikletat dhe makinat dhe kishte shumë dëshirë që ti ngiste.
Ronda Everlyn, është vajza e tyre e madhe, ka lindur në Biloela në 14/5/1960. Ka tre djem, Scott, Micheal, Christopher dhe një vajzë që quhet Shannonadoh. Djali i madh Scott ka dy djem. Ronda është e martuar me David Hervohn në 2004 dhe jetojnë në Kingaroy, QLD.
Vajza e vogel,Christine ka lindur në Biloela më 23/2/1962, ishte binjake, binjakja vdiq në lindje. Christine është e martuar me Geoffrey Alan Muller, lindur në 16/12/1960 dhe martuar në 1979. Ajo ka katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Vajza e tyre Fiona Ann, lindur në Biloela në 3/6/1980, martuar me Troy Watts lindur më 7/4/1980, kanë një vajzë që quhet Sienna, ka lindur më 9/12/2005. Fiona punon si llogaritare dhe jeton me familjen e saj në Gold Coast Brisbane. Djali i madh, Timothy Alan, lindur në Biloela më 22/2/1982. Martuar më 2005 me Dimothy e cila ka lindur më 22/9/1984. Jetojnë dhe punojnë në Brisbane. Timothy është inxhinier.Peter Asley, lindur në Biloela më 5/2/1986, beqar. Student, vazhdon studimet për inxhinier.Djali i vogel Mark Anthony lindur në Biloela /11/1988 ,beqar. Student, vazhdon studimet si grafist. Christine me të shoqin jetojnë dhe punojnë në fermën e tyre në Biloela.
Brain Graham, lindur në Biloela më 4/3/1965, është djali i vogël i Musait. Ai është i martuar me Jayne Thorogood në 5/10/1985. Jayne ka lindur më 16/12/1964, së bashku kanë pesë vajza dhe një djalë.Rebbecca lindur më 1/6/1986 Melinda lindur më 26/8/1987Kelly lindur më 28/7/1989Bronica lindur më 16/11/1990. Brian djali lindur në 4/7/1994, është në vitin e tretë të shkollës së mesme.
Marry lindur më 16/7/1996 është në vitin e dytë të shkollës së mesme. Vajzat e tjera kan mbaruar shkollën e mesme dhe punojnë e jetojnë në Brisbane. Brian dhe Jayne janë bletorë dhe vazhdojnë deri sot të jetojnë në Woodford, Brisbane.
Ramadani, (Dania), lindi në Krushovë më 21.03.1913, ishte djali i tretë i Qerimit, ishte martuar më 1942 me Rukije Ismail (Mili) Fidani, po nga Krushova, kishin dy fëmijë, Ahmetin dhe Zinetin. Dania vdiq më 13.01.1945, në spitalin e Korçës, ku vuante prej disa muj dhe është varrosur në Biranj. Pas vdekjes së Ramadanit, Rukija u rimartua dhe fëmijët ishin shumë të vegjël; Ahmeti u rrit tek gjysh Mili në Krushovë, ndërsa Zineti, ishte vetëm 6 muajshe kur e mori në Biranj, halla e saj Sheqere dhe e rriti së bashku me 10 fëmijët e saj, të cilët e trajtuan si motrën e tyre të vogël. Kur u rritën, në maj 1961, Ahmeti e Zineti, u bashkuan të dy me familjen e Xhaferit, ku Zineti vazhdoj shkollën 7 vjeçare dhe më pas, me bursën e shtetit mbaroj pedagogjiken e mesme, e pastaj punoi mësuese në fshatrat e Tiranës, e më pas edukatore kopshti në Tiranë.
Ahmet Bacelli, lindi në Krushovë më 14.10.1942, u martua më 1970 me Enverie (Vera) Zenel Beshi, ardhur në Elbasan nga Bilishti, kanë lindur dy djem dhe një vajzë: Dritanin, Eltonin dhe Valbonën të cilët janë të martuar dhe me fëmijë. Djemtë jetojnë në Tiranë, ndërsa Valbona në Amerikë, ku Vera shkon e rri për disa kohë. Ahmeti vdiq parakohe nga infrarkti më 23.06.1998, ai ka qënë një djalë i shkëlqyer, me zemër të madhe, bujar dhe i dashur. Ne ruajme kujtimet më të mira për Ahmetin si edhe për të motrën e tij Zinetin.
Zinete, lindi në Krushovë më 14.11.1944, është e martuar me Dhimitër Margarit Mullisi, jetojnë në Tiranë dhe ka dy vajza; Enkelejda Mullisi dhe Margarita Mullisi, janë të martuara e me fëmijë, jetojnë në Tiranë.
Duhet përmëndur se Dania u nis nga Shqipëria për tu bashkuar me vëllezrit dhe kushërinjtë e tij në Australi. Në mes të udhëtimit, Anija u kthye, pasi Lufta e Dytë Botërore kishte shpërthyer edhe në Azinë Juglinfore, ku bëheshin luftime dhe ai nuk harriti të shkonte dot në Australi. Dania u kthye në Krushovë ku edhe atje bëhej luftë. Ai u lidh me partizanët dhe luftoi për çlirimin e vëndit. U plagos në luftë.
Xheviti, djali i vogël i Qerimit, lindi më 08.04.1915, në Krushovë dhe vdiq në Yzbarisht më 14.03.1987. Më 1938 u martuar me Feruze Hysen Bezhani, lindur më 14.05.1920 në Krushovë. Ka lënë dy djem e tre vajza. Xheviti familjarisht, në vitin 1957, u vendos në fshatin Vaqarr Tiranë, ku jetuan e punuan për disa vjet, më pas u vendosën në fshatin Yzbarisht ku ende banojnë dy djemtë e tij Shabani e Nefiu dhe Feruzja e cila vdiq më 13.11.2010, mbi 90 vjeçe dhe jetoj me këtë të fundit.
Zylfade (Zylka) lindi në Krushovë më 16.11.1937, u martua më 22.10.1961, me Shahin Refat Refati, ardhur në Tiranë nga fshati Lekas i Oparit, kane 5 vajza Elida, Adriana, Trendelina, Anila dhe Rudina te cilat janë të martuara.
Tre vajzat e tyre jetojnë me familjet e tyre në Angli. Dy të tjerat në Tirane ku jetojnë edhe prindërit e tyre.
Shabani, lindi në Krushovë më 04.02.1942, në shkurt 1967 u martua me Përparime Ferik Spaho, nga fshati Rakickë e Devollit, me të ka lindur dy vajza; Antoneta dhe Enkeleda, banojnë së bashku me të ëmën Përparimen në Itali. Pas divorcit me të, në vitin 1977 Shabani u martua me Gurie Shyqiri Hoxhallari, nga fshati Selcë e Gorës, me të ka lindur dy fëmijë Entela dhe Bledar Shabani me gruan e dytë jetojnë dhe djali jetojnë në Yzberisht, ndërsa vajza në Itali së bashku me motrat e tjera.
Haxhirje, vajza e dyte e Xhevitit, lindi në Krushovë, më 12.06.1943.Më 17.12.1964 u martua në fshatin Dushk, Lushnjë, me Elmaz Saliasi, ardhur aty nga Dobrusha Skraparit. Kane dy djem:Arian dhe Shpëtim Saliasi te cilet jane te martuar dhe së bashku me prindërit janë vendosur me banim në Tiranë.
Nefi, lindur në Krushovë më 14.04.1947, është djali i vogel, i Xhevitit, në tetor 1969 u martua me Shqiponja Islam Kadillari, nga fshati Lozhan Korçë, kanë dy vajza dhe nje djalë. Etleva, Gentian dhe Alketa.Te tre femijet janë të martuar. Vajza në Amerikë, e cila ka dy djem,Vajza tjeter ka nje djalë dhe jeton në Yzberisht. Djali ka një çupë dhe ky jeton ne Yzberisht, së bashku me prindërit. Hyrije, lindi në Krushovë në vitin 1952, është e martuar me Hysen Tosun Xhaja, ardhur në Tiranë nga Elbasani, kanë një djale dhe një vajze:Rusin dhe Rusena, të dy të martuar, Rusena me fëmijë, jetojnë në qytetin e Tiranës. Hyrija me te shoqin jeton në Tirane gjithashtu.
Sheqere Shkëmbi, vajza e vetme e Qerimit dhe fëmija e dytë e tij, lindi në Krushovë më 07.11.1897 e vdiq në Biranj, Korçë, më 08.01.1967, e martuar në Biranj me Bektash Shkëmbi. Ka lënë 10 fëmijë: katër djem dhe gjashtë vajza. Fëmijët e Sheqeres janë:
Demirali Shkëmbi, ishte fëmija i parë i Sheqeres, lindi në Biranj më 25.02.1921, vdiq në Jugosllavi më 17.12.1981. Demiraliu në janar 1939, u nis si emigrant ekonomik për në Australi, por për shkak të luftës që filloi Italia me Abisininë, ka ndenjur në itali për disa muaj, pastaj shkoj në Australi, ku punoi e jetoi së bashku me dajot e tij Keko e Musa Bacelli. U muar me punë të ndryshme dhe ka shëtitur disa vende të botës, ku është quajtur me emrin Denis Baker. Vdiq në Jugosllavi në rrethana të pa njohura për ne, në përpjekje për të hyrë në Shqipëri, rrugë ku edhe kishte ardhur për një vizitë tre mujore në vitin 1962. Nuk u martua dhe s’dimë të ketë fëmijë. Është marrë me punë të ndryshme, por më shumë njihej si një kuxhinier shumë i mirë dhe shumë i pastërt.
Muhamet Shkëmbi, djali i dytë i Sheqeres, lindi në Biranj më 14.09.1929 (1927), më 01.04.1956, u martua me Fiqirie Rushan Xhuti, nga fshati Zvezdë, Korçë, ka lindur tre fëmijë:
-Liljana, lindur në Biranj më 14.01.1958 e cila më 13.07.1980, u martua me Vait Halo Kabashi, nga Plovishti, kanë lindur një çupe, Eda dhe djalin, Andi. Fillimisht jetuan në qytetin Bajram Curri, ku Vaiti shërbente si oficer, pas vitit 1992 u vendosën në qytetin e Korçës ku jetuan deri në vitin 2003,kur familjarisht me dy fëmijët, banojnë në TIiranë.
-Ilir Shkëmbi, lindur në Biranj më 12.04.1960, ku edhe jeton, është i martuar me Elvirën nga Treni i Devollit, kanë dy djem.
-Enver Shkëmbi, lindur në Biranj më 14.03.1963, ku edhe jeton, së bashku me prindërit, është martuar me Zinet Dautllari nga Sovjani, kanë një djalë e një çupë.
Dervish Shkëmbi, lindi në Biranj më 08.04.1930, ku edhe vdiq më 16.04.2005, u martua në nëntor 1956, me Idajeten, e bija e Shyqyri Xhako nga Shamolli, me të lindi një djalë dhe rritën emrin e babait dhe e quajtën:
-Bektash Shkëmbi (i riu), ka lindur më 02.02.1958, më 28.08.1983 u martua me Valbonën, e bija e Hysni Fejzollari, nga Barçi, Korçë, kanë lindur, djalin Elvis dhe vajzën Elida. Elvisi në 2010 është fejuar një vajzë nga Vloçishti, Korçë, ndërsa vajza vazhdon shkollën e mesme. Bektashi me gruan e dy fëmijët, nga viti 2000 jetojnë në Itali dhe pothuajse çdo vit kthehen e jetojnë një ose dy muaj në Biranj. Pas vdekjes së gruas së parë Idajetes, më 18.05.1960, Dervishi u martua me Muazesin, e bija e Xhemal Lumi po nga Shamolli, me të ka lindur,
-Gëzim Shkëmbi, lindur në Biranj më 31.12.1962, martuar me Monika e bija e Mustafa Kutani nga fshati Vinçan, Korçë, me të cilën kanë lindur tre djem: Denis, Dorjan dhe Dario, jetojnë në Biranj.
-Adelina e lindur në Biranj, më 14.04.1967, e cila është e martuar me Arben Shkëmbi, djali i Skënder Shkëmbi,nga fshati Maliq, kanë lindur dy djem e familjarisht me prindërit e burrit jetojnë në Tiranë.
Ridvan Shkëmbi, lindi në Biranj, më 10.02.1945, djali i vogël i Sheqeres dhe fëmija i fundit i lindur prej saj. Më 10.09.1967, u martua me Shkëndijen, e bija e Hamdi Xhuti, nga Zvezda, kanë lindur tre vajza:
-Teuta Prifti, lindur në Tiranë, më 27.07.1968, ka kryer shkollën e mesme ekonomike, e martuar në Tiranë më 10.08.1990, me Petrika Prifti, djali i Koço Priftit ardhur nga Përmeti në Tiranë, kanë lindur dy djem: Enea Prifti dhe Ergi Prifti, vazhdojnë shkollat në Tiranë, i madhi, vitin e parë fakultetin e ndërtimit, dega arkitekturë, tjetri vazhdon klasën e nëntë.
-Vojsava, lindur në Tiranë më 16.12.1969, është inxhiniere ndërtimi, më 15.09.1996 është martuar në Tiranë me shokun e fakultetit Arben Jasimi, i cili është djali i Met Jasimit, ardhur familjarisht nga Paramithia e Çamërisë në vitin 1942 dhe banojnë në Tiranë. Vojsava ka lindur djalin Igli dhe vajzat, Anja e Xhulja, të cilët vazhdojnë arsimin fillor.
-Gentiana, është vajza e tretë e Ridvanit, ka lindur në Tiranë më 28.07.1979, ka kryr fakultetin e mjekësisë veterinere, jeton së bashku me prindërit në Tiranë.
Nevres Ropi, çupa e madhe e Sheqeres dhe fëmija i dytë i saj, lindi në Biranj më 07.09.1923, vdiq në Pojan më 25.09.1993, ku ishte e martuar me Beqir Ropi, me të cilin kanë lindur tetë fëmijë:
-Ahmet Ropi, lindur në Pojan, është martuar me Halidenë nga Babani i Devollit, kanë lindur dy fëmijë, Selimenë dhe Dritanin, jeton familjarisht në Itali.
-Lirie (Lira) Beqiri, lindi në Pojan në shkurt 1945 dhe vdiq më 22.04.2001, në fshatin Belorta, Korçë, ku ishte martuar prej vitit 1966 me Fejzi Beqiri, me të cilin lindën dy djem e një çupë.
-Fuat Ropi, lindi në Pojan më10.07.1947, më 1973 u martua me Zhanetën e bija e Hasan Rustemi nga fshati Orman Pojan, me të cilën ka lindur tri çupa Albana, Mirela e Rezarta e një djalë, Arbeni, të gjithë të martuar e me fëmijë. Familjarisht jeton në Pojan.
-Fiqret Ropi, lindi në Pojan në vitin 1949, në shtator 1978, është inxhinier ndërtimi, në shtator 1978 u martua me Veronika (Vera), e bija e Zak Ziu, nga Elbasani, ku edhe banojnë familjarisht, kanë lindur djalin Ervin e vajzën Elona, jetojnë me prindërit në Elbasan.
-Ramadan Ropi, lindur në Pojan më 03.06.1952. Më 29.11.1979 u martua me Medihanë, e bija e Meleq Keci nga fshati Baban Devoll, me të cilën kanë lindur djemtë Luljan e Ardi dhe çupën Eda. Ramadani familjarisht jeton në Korçë.
- Yllson (Ylli) Ropi, lindur në Pojan më02.12.1954, në nëntor 1980 është martuar me Floreta (Lola) e bija, bashkëfshatare, e bija e Sabri Rëmbi, kanë lindur djalin Altin dhe vajzën Rina. Familjarisht jetojnë prej disa vitesh në Itali.
-Pëllumbesha Zerelli, , lindi në Pojan në vitin 1958, në vitin 1976 është martuar në fshatin Voskop, me Arter Nevruz Zerelli, me të cilin ka lindur dy djem e një çupë, Bledar, Sonila dhe Renis..........?? Pëllumbesha familjarisht jeton në Greqi.
-Jetmir Ropi, djali dhe fëmija i fundit i Nevrezit, lindi në Pojan në dhjetor 1962, Më 16.09.1984, është martuar me Fatimen e bija e Baki Ganellari nga fshati Zboq i Gorës, Korçë, por skanë lindur fëmijë. Miri së bashku me gruan jeton në Pojan, ku edhe vazhdon të jetojë.
Donika Zerelli, lindi në Biranj më 24.04.1925, në janar të vitit 1946 është martuar, në Voskop, me Qamil Musa Zerelli, s’kanë lindur fëmijë, por kanë rritur fëmijën e vëllait të Qamilit, Fadil Rushan Zerelli, lindur në Gjirokastër më 25.06.1958, i cili ishte vetëm dyzet ditësh kur e sollën prindërit e tij biologjikë dhe e ka rritur Donika, njëlloj si djalin e vet. Me dëshirën e Donikës, më 18.08.1985, Fadili është martuar me Fatbardhën, vajza e dytë e Trëndafiles, motra e Donikës. Kanë lindur tri çupa, Fadili ka disa vjet që familjarisht jeton në Korçë, ndërsa Donika e Qamili jetojnë në Voskop, s’duan të largohen nga fshati, por janë të fortë megjith moshën e tyre, Qamili është mbi 90 vjeç (2010).
Trëndafile Sulllari, lindi në Biranj më 11.03.1936, në janar të vitit 1953 është martuar në fshatin Kuç i Zi, Korçë me Gani Adem Sullari, kanë lindur tre fëmijë. Ganiu ka vdekur në Maliq më 25 Maj 2007 , ndërsa Trëndafilja vdiq në Maliq më 27.05.2010, pas një paralize prej 6 vjetësh.
-Ferzilet Curma, lindi në Kuç i Zi në dhjetor 1953, në vitin 1973, u martua në Maliq me Vasil Curma, me të ka lindur dy djem e një çupë. Vasili ka vdekur në Maliq më 12.02.1994. Ferzileti ka disa vjet që jeton në Greqi së bashku me fëmijët.
- Astrit Sulllari, lindur në Kuç i Zi, në janar 1958, më 21.08.1983, u martua me Fatbardha Vilza, nga fshati Zëmblak, me të në janar 1985 me të ka lindur djalin Elton Sulllari, të cilin e mori me vehte e ëma pas divorcit me Astritin dhe tani jetojnë në Amerikë. Astriti u martua për së dyti më 10.12.1992 me Mirandën, e bija e Pertef Qose nga fshati Goskovë, Korçë, me të cilën ka lindur dy çupa jeton familjarisht në Maliq.
Vezire Pane, lindi në Biranj më 11.03.1936 (realisht ka lindur në vitin 1937, por gabimisht është regjistruar në vitin 1936) në nëntor të vitit 1960 është martuar në Tiranë me Rakip Pane, i biri i Xhaferit nga fshati Plovisht, i cili pasi ka banuar disa vjet në Pocestë (ku edhe ka lindur më 06.06.1927), në Korçë e Pogradec dhe në vitin 1956 është vendosur me banim në Tiranë ku edhe vdiq më 26.12. 1988. Kanë lindur tre fëmijë:
-Artiom Pane, lindi në Tiranë më 31.07.1961, ka mbaruar shkollën e mesme të material ndërtimeve dhe disa specializime në fushën e ndërtimeve, ku edhe ka punuar dhe vazhdon të punojë duke u bërë specialist i mirë. Më 30.06.1991, u martua me Kozetën, e bija e Xhemal Sinani nga Tirana. Kanë lindur dy djem:
Rakip Pane (i riu), lindur në Tiranë më 03.11.1991 dhe Aldo Pane, lindur më 10.01.1993.
Në fillim të vitit 1998 Artiomi fillimisht vetë e më pas familjarisht është vendosur në Italinë veriore, ku ushtron biznes në fushën e ndërtimeve.
-Arben Pane, lindi në Tiranë më 19.08.1963, ka mbaruar shkollën e mesme mekanike dhe ka punuar mekanik. Më 09.05.1993, u martua me Liljana, e bija e Bilal Karreçi nga fshati Bilalaj Durrës me të cilën ka lindur djalin e vetëm Elio Pane, lindur në Tiranë më 03.09.1994. Edhe Arbeni familjarisht nga viti 1998 jeton në Italinë veriore, e punon në fushën e ndërtimeve.
-Armeli Maxhari, lindi në Tiranë më 16.09.1965, më 04.08.1990 u martuar me Përparimin, djali i Shefqet Maxhari, ardhur nga Gora në Tiranë. Kanë lindur dy djem: Volfang Maxhari, lindur në Tiranë më 08.05.1991 dhe Tedin, edhe ky ka lindur në Tiranë më 08.07.1993, vazhdojnë shkollën e mesme. Armelia familjarisht e Vezirja jetojnë në Tiranë.
Salie Basha, lindi në Biranj më 16.01.1939, më 25 korrik 1962, u martua me Nazmi Basha, i biri i Osman Bashës, nga Shtiqëni i Kukësit, oficer me shërbim në Maliq, i cili ka vdekur shumë i ri, më 15 qershor 1981, ndërsa kishte shkuar me shërbim në Bilisht. Edhe Salia ka vdekur më 26 gusht 2003. Kanë lindur tre djem: Mirdash, Granit dhe Ardian.
-Mirdash Basha, lindi në Maliq, më 25.06.1963, më 24 shtator1989 u martua me Dianën, e bija e Zija Tuçi, nga Barç i Devollit, kanë lindur një djalë i cili quhet Fatjon. Mirdashi familjarisht prej vitesh jeton e punon në Greqi.
-Granit Basha, lindi në Maliq, më 25.02.1965, më 26 mars 1989 u martua me Valbona e bija Adem Bramka nga Kolaneci, më 07. shkurt 1990 kanë lindur një djalë i cili quhet Xhemstil. Edhe Graniti familjarisht prej vitesh jeton e punon në Greqi.
- Ardian Basha lindi në Sheqeras, më 015.06.1968, më 26 mars 1989 u martua me ........ e bija . nga ...., më 07. shkurt 1990 kanë lindur një djalë i cili quhet Xhemstil. Edhe Ardiani familjarisht prej vitesh jeton e punon në Greqi.
Sanie Dulo lindi në Biranj më 23.02.1942, në korrik 1962, u martua në Bilisht me Myfit Dulo, i biri i Bajram Dulo nga Rakicka, emigrant në Amerikë. Sanija ka lindur tri çupa e një djalë. Tatjana, Donika Rajmonda e Skënder.
-Tatjana Nastimi, lindi në Bilisht në shtator 1963, u martua me Lutfi Nastimi në Bilisht në mars 1984 me të cilin ka lindur dy djem, Olti e Marini.Lytfiu, vdiq në moshë të re më 04.11.1994. Tatjana jeton me dy djemtë, në Bilisht dhe në Greqi.
-Donika Cane, lindi në Bilisht më 20.01.1966, më 28 gusht 1988 u martua në Bilisht me Perlat Cane me të cilin ka lindur dy çupa, Rudina e Erisa..Jetojnë familjarisht në Bilisht.
-Rajmonda Berberi, lindi në Bilisht më 26.11.1971, në dhjetor 1988 u martua në Bilisht me Agim Berberi, i biri Qerimit, me të cilin ka lindur një djalë, Lisandër. Jetojnë familjarisht në Bilisht.
-Skënder Dulo, lindi në Bilisht më 04.06.1974, në vitin u martua dhe ka dy fëmijë.
Qerim Beqir Bacelli, vdiq në vitin 1947 në Krushovë, në moshën 101-vjeçare, pranë një gorice 101 vjeçe. Qerimi ka qenë një burrë i gjatë e i shëndoshë, faqekuq dhe me flokë të gjata mbi supe. Po ashtu edhe mjekrrën e kishte të gjatë deri në gjoks.
Kur ishim të vegjël, xhaxho Qerimi na mësonte këngë patriotike si kjo:
Të djelë u hapën ca fjalë,
Nuk e duam grekun,
Nuk e duam turkun,
Jemi gjithë shqiptarë.
Kur u dha haberi
Na erdh’ Gora sa më parë,
Nuk e duam robërinë
Se jemi shqiptarë.
Na erdhi Skrapari
me flamur në krahë
Nuk e duam robërinë
se jemi shqiptarë.
Na erdhi Kolonja e veshur,
Gunë larë
S’e duam robërinë
se jemi shqiptarë.
Na erdh’ Devolli
mbi kalë të bardhë
Nuk e duam robërinë
Se jemi shqiptarë, etj.
Kjo këngë fliste për një betejë të bërë kundër grekut dhe turkut me Sali Butkën dhe çetën e tij.
Duhet përmendur edhe një këngë tjetër që i këndohet Sali Kapedanit (Butkës) ku tregohet se si shqiptarët, “turq” e “kaurë” në 1913 u veshën me fustanella të bardha, me qylafe të bardhë me majë, me kallca të bardha dëborë e me guna të bardha në tërë Gorën, Oparin, Devollin, Fushën e Korçës dhe Mokrën për t’i treguar Komisionit Ndërkombëtar të caktimit të trojeve shqiptare se aty s’ka grekë, por vetëm shqiptarë.
Meritën më të madhe për këtë e kanë orthodoksët, që s’ranë preh e lajkave të fesë greke dhe parave të shtetit grek. Po ashtu, gjithmonë sipas tregimeve të xhaxha Qerimit, “ne i treguam Europës se të gjithë shqiptarët janë ushtarë për ruajtjen e trojeve tona”. Përfaqësuesi europian na pyeti se ku janë këta ushtarë dhe ne i thamë, “shko një ditë tek Kroi i Gjergjevicës dhe numëro ushtarët që shkojnë dhe mbushin ujë të shohësh se sa janë”. Kur ai europiani shkoi atje ne mobilizuam (aq sa mundëm) ushtarë shqiptarë nga krahina dhe u dhamë urdhër që të shkojnë të mbushin ujë tek Kroi i Gjergjevicës, por këtë punë ta bëjnë pa pushim vetëm duke ndërruar gunat dhe aq sa janë, të tregojnë se janë njëqind fish. Ashtu ndodhi. Komisioneri u habit se sa shumë ushtarë paskemi.
Mbushja e ujit filloi në nëntë të mëngjesit dhe mbaroi deri në nëntë të darkës! A e dini se sa arriti numri i ushtarëve që ata numëruan? 80.000 vetëm për Gorën!”
Megjithë propozimin e Europës se Gora është shqiptare, greku hyri dhe na pushtoi, na vu zjarrë dhe na shkretoi. Ne Bacellinjtë në atë kohë, s’duhet të harrojmë sot se na mbajtën me bukë dhe fjetje fshatarët e Kukurit e Sulovës në Gramsh, për muaj të tërë. Ne e ruajtëm këtë miqësi me sulovarët deri në vitin 1916, kur u dogj Voskopoja po nga këta fshatarë të dehur e të etur pas plaçkës dhe vjedhjes. Qerimi që ka qenë dëshmitar pasi ishte ushtar i Pashos (vëllait të tij) dhe u ndodh në Gjonomadh, na ka treguar se Sali Butkën kot e ngatërrojnë me djegien e Voskopojës. Shqipëria duhet të dijë të vërtetën dhe e vërteta është se Voskopoja u dogj nga sulovarët dhe vërçishtarët që hynë atje kur Voskopoja ishte e rrethuar nga çetat e Sali Butkës, të Gorës, Kolonjës, Oparit, Skraparit, pasi Voskopoja ishte e pushtuar nga grekët. Ata kishin ardhur në ndihmë të Sali Butkës, por gabuan. Sulmuan pa leje dhe pasi ranë në përpjekje me grekët, në inat e sipër i vunë zjarrë Voskopojës. Komandatët e çetave në atë rrethim kanë qenë, Sali Butka, Kajo Babjeni, Xhezar Senishti, Mehmet Dushari, Xhelo Selca, Pasho Krushova, etj. Ndërkohë, sapo morën vesh se çfarë po bëhej në Voskopojë, çetat e tjera shkuan me vrap dhe ndalën dorën katile e injorante të disa fshtarëve të dehur. Në këtë kohë popullsia e Voskopojës është vendosur në Krushovë, Korçë dhe Shipckë. Shtëpia jonë mori dhe strehoi kushërinjtë dhe miqtë tanë voskopojarë si Fallot dhe Pinat, të cilët na e shpërblyen duke na strehuar kur na u dogj shtëpia në Luftën e Dytë Botërore. Disa nga krerët e çetave të Sulovës dhe Vërçës që kishin dhënë urdhërin për djegien e Voskopojës, u kapën, u gjykuan dhe u pushkatuan tek përroi i Strugut në Voskopojë. Pashua tregonte se greku kishte lidhur dhe varur disa nga voskopojarët që s’kishin pranuar të luftonin kundër Sali Butkës, atje tek kisha e Shën Prodhonit, por disa të tjerë u shpëtuan nga Pashua dhe Qerimi që atë kishë e konsideronin si kishën e tyre. Po ashtu një dëshmi tjetër e Pashos është se ai së bashku me Sali Butkën, në kohën që u dogj Voskopoja, kanë qenë tek Kroi i Kuq i Gjonomadhit dhe për këtë gjë dëshmohej deri vonë nga pleqtë e Gjonomadhit. Mendoj se gjonomadhakët e sotëm, pasardhës të atyre që kanë qenë dëshmitarë, duhet ta dinë mirë këtë gjë me rëndësi të madhe për historinë e djegies se Voskopojës.
Për kulturën, besën, dashurinë dhe shqiptarizmin e voskopojarëve është një këngë gorare që u këndohet atyre për pritjen që i bënë Shahin Matrakut.
Kjo Voskopoja mbuluar me plloça,
Ik o Shahin ik, se po vijnë nga Korça.
Mihal Garbovari të hapi shtëpinë,
Ik o Shahin, ik se për ty po vijnë.
Kjo kunatë e madhe të shtroi gostinë,
Ik o Shahin, ik se për ty po vijnë.
Kjo kunata e dytë të ngriti dollinë
Për ty Shahin armiqtë po vijnë.
Kjo kunata e tretë të shtroi konakun,
Armiqtë po vijnë për Shahin Matrakun, etj.
Kjo histori tregon sesi Mihali e shpëtoi Shahinin duke e nxjerrë larg shtëpisë dhe fshatit nga një derë sekrete kur armiqtë u dhanë tek dera. Voskopoja sakrifikoi shumë për Shahinin dhe Shahini s’mund të digjte Voskopojën së toku me Sali Butkën. Këtë histori na e ka treguar Kosta Pina, i ati i Pandorës që e kisha si motrën time. Po ashtu, ishte Jorgji Pina ai që shpëtoi Qerimin nga vdekja e sigurt, kur në Voskopojë hynë turqit, i rrethuan dhe kërkonin kryepleqtë e Gorës. Një ditë më parë ishin pushkatuar tërë kryepleqtë e Fushës së Korçës dhe Kolonjës.
Problemi i Qerimit ishte kështu: Turku i kishte dhënë urdhër që më parë që ai të sillte në Voskopojë të gjithë kryepleqtë e Gorës, pasi ishte dhe si kryeplak i madh i Gorës. Ai kur mori vesh se çfarë u ngjau kryepleqve të Fushës dhe të Kolonjës, u dërgoi lajm kryepleqve të Gorës që të mos paraqiteshin në Voskopojë. Tani turqit kërkonin Qerimin dhe dikush u kishte thënë se Qerimi fshihej tek shtëpia e Kosta Pinës. Kur turqit hynë brënda, gruaja e Kostës e mori Qerimin dhe e nxorri tek porta prapa shtëpisë që binte mbi përrua dhe i tha “mbathja këmbëve sa të mundesh dhe largohu nga Voskopoja.” Qerimi që ishte langua nga këmbët u zhduk si erë. U fsheh tek miqtë në Shipckë.
Turqit pasi kontrolluan gjithçka dhe gjithkund dhe s’e gjetën, u larguan për në Korçë dhe dërguan grekët “që të merreshin vesh” me Qerimin. Pasi kaloi një farë kohe, kapedani grek vendosi të shkojë në Krushovë për të vrarë Qerimin. Fati i Qerimit ishte se në shtëpi në atë kohë kishte ardhur i vëllai, Pashua, me të cilin po bisedonin deri natën vonë kur lehu qeni. Qerimi e nuhati dhe i tha Pashos se ishin në rrezik, se kuptonte qenin kur lehte për një rrezik të madh. Grekët e kishin rrethuar shtëpinë. Pasi Qerimi me Pashon u bindën se rrethimi qe i plotë, bënë një plan për jetë a vdekje. Qerimi këmba-doras doli nga një penxhere dhe ra tek hauri i dhënve që ishte ngjitur me shtëpinë. Hapi derën e haurit dhe lëshoi të gjtha dhentë jashtë. Lëshoi dhe kalin, pasi e çpoi, i cili ja dha vrapit përpjetë, drejt Sheshit të Madh. Po ashtu ai lëshoi dhe qenin kalesh me katër sy që të ndeshej me grekët dhe vetë hyri brënda. Pashua ishte bërë gati për luftë. Kur grekët panë dhentë, kalin dhe qenin që morën të përpjetën, menduan se Qerimi do të ishte fshehur me dhentë si Odisea dhe u turrën të kontrollonin dhentë.
Ata u hodhën nga një derë e plevicës dhe dolën poshtë tek kroi që ka një mbrojtje të bukur natyrore. Prej andej shkuan tek një mik, Kame Bezhani, i cili i strehoi atë natë në shtëpinë e tij. Më vonë morën vesh se greku ishte kritikuar për këtë ndërhyrje në Krushovë dhe qe transferuar në një vend tjetër se “kishte prishur” marrëdhëniet e mira midis myslimanëve dhe krishterëve, siç i tha Qerimit miku i tij, Bitër Dollamaja nga Voskopoja, i cili emigroi për në Stamboll bashkë me familjen e tij. Kur iku, Bitri i dha Qerimit dy kandarë dhe i tha, “sa herë të peshosh mua të më kujtosh se kemi qenë miq shumë të mirë“. Jo vetëm Qerimi që e kujtoi mikun e mirë, por edhe ne pasardhësit e Qerimit e kujtojmë sa herë i shohim ata dy kandarë.
E përmenda Bitër Dollamanë sepse ai ishte mençuria e Voskopojës dhe Orakulli i tërë Gorës. Kur ai iku për në Stamboll, u la voskopojarëve tre pula; pulën e parë me kokë të rjepur, të dytën përgjysëm të rjepur dhe të tretën, krejt të rjepur. Kur e pyeti njëri pse i la ashtu ato pula, ai u përgjegj, “Këto tre pula do të thonë se ju duhet të largoheni sa më parë nga Voskopoja që po prishet fare. Ai që do të largohet në fillim do të dalë pak i dëmtuar, ai që do të largohet më pas, do të iki përgjysëm i dëmtuar dhe ai që do të largohet i fundit, do të iki pa brekë në bythë, siç e ka bërë nëna, duke e lënë pasurinë këtu në Voskopojë!” Ashtu ngjau.
Pas rënies së komunizmit në Krushovë ikën të gjithë Bacellinjtë, me përjashtim të një shtëpie, ajo e Naim Bacellit, i cili sot është pronari i vetëm i fshatit Krushovë, fshat që është kthyer në një gërmadhë të vërtetë. Edhe Naimi një ditë do të largohet pasi ka blerë shtëpi në qytetin e Korçës.
Krushova tani është vetëm Krushovë e Kishës dhe Xhamisë së bashku me varret e vjetra të gjysh-stërgjyshërve tanë.
Pyjet dhe pemët i ka prerë një dorë kriminale dhe kurora e bukur që e hijeshonte fshatin nuk ekziston më. As krojet me ujë të ftohtë akull nuk janë më, as luadhet e gjelbra me bar e lule erëkëndëshme nuk janë më. Bashkë me njeriun kanë ikur edhe bukuritë e fshatit. Nuk thonë kot që një shtëpi, një lagje, një fshat apo qytet e mban gjallë fryma e njeriut.
Pasho Bacelli
(1855-1951)
Pashua, xhaxhai tjetër, i cili ka lënë dy djem e tre çupa me gruan e tij Begzo; Refatin, i cili është dëshmor i kombit, i cili ka lënë vetëm një vajzë, Shegën, e cila është e martuar në Kamëz, Tiranë. Pasho ka lënë edhe Fajzlliun (Liken) i cili ka lënë vetëm tre çupa, Sadiken, Amerien dhe Eminen.
Tre çupat e xhaxha Pasho janë: Nilja e martuar në Dersnik me Feim Qazimin. Hysnia e martuar në Gjonomadh, e cila mendohet se fshehu floririn tonë në njerëzit e saj. I shoqi quhej Isuf Hoxhalli. Dilikoja, së cilës ne i thoshim Pupi që mbeti beqare dhe që vdiq në moshën 24 vjeçe.
Refati, ka lindur 1910 dhe është vrarë në Turan të Korçës në vitin 1944 nga ballistët e Lozhanit; nga Beqo dhe Saliko Xhengo, mbasi Refati qe një nga aktivistët e flaktë të Lëvizjes Nac.Çlirimtare, është varrosur në Porodinë.
Fajzli Bacelli, është djali tjetër, i cili u martua me Naimen nga Shkoza dhe pati 3 çupa që i përmenda më lart dhe një djalë, i cili vdiq i vogël nga minigjiti.
Xhaxha Pashua. Një nga aktivistët e parë të pas pavarësisë së Shqipërisë për ruajtjen e tërësisë territoriale të Krahinës së Korçës ka qenë edhe xhaxhai im Pasho Bacelli, një ish oficer i qeverisë autonome të Korçës.
Shkrimi i mëposhtëm, është marrë nga dëshmitarë të kohës dhe bën fjalë për këtë luftëtar të familjes Bacelli. Shënimet në kllapa janë të miat.(Adem).
Në zhvillimet historike të fundshekullit të 19-të dhe fillimshekullit të 20-të, kur rilindasit shqiptarë luftonin për formimin e kombit dhe shtetit të lirë e të pavarur shqiptar si dhe në zhvillimet e mëtejshme historike, këto anë u mbushën me luftëtarë nga të gjithë fshatrat e Gorës dhe Oparit, nga radhët e të cilëve u shfaqën shumë figura të shquara, si Shahin Matraku, Jashar Tudasi, Fejzulla Shahinasi, Xume Protopapa, Zalo Zvarishti (daja im), Pasho Bacelli (xhaxhai im, i cili qe oficer i Themistokli Gërmenjit), Kajo Babieni, Asllan Gurra, Malkë Zvarishti (kushëri i nënës sime), Ismail Dërdusha, Xhezair Senishti (djali i hallës), Agush Halim Gjergjevica e shumë të tjerë, që kanë nisur aktivitetin si komitë në krah të kapedanëve dhe atdhetarëve të shquar, që luftonin për formimin e kombit shqiptar dhe pavarësinë e atdheut, si Themistokli Gërmenji, Bajo e Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Muço Kapinova, Sali Butka, (mik i babait tim) Tefik, Qamil dhe Riza Panariti, (xhaxhallarët e bashkëshortes sime Ervehe Grabocka) Lace e Zoto Backa etj. Veprimet me armë ishin ndërprerë, por lufta për copëtimin e Shqipërisë në planet e shteteve imperialiste dhe shoviniste vazhdonte. Përpara këtij rreziku që i kërcënohej vendit, patriotët e shquar korçarë krijuan një komision dhe zgjodhën një komitet me emrin "Komiteti për Mbrojtjen e Korçës" ku bënin pjesë këta burra: Vasil Tromara, Thimi Çikozi, Qani Dëshnica dhe Refat Shtylla (daja i gruas sime). Ky Komitet, ndër detyrat kryesore pati organizimin e mbrojtjes së Korçës, duke armatosur dhe organizuar forca vullnetare, në krye të të cilëve u emërua patrioti dhe luftëtari i shquar Sali Butka. Takimi u bë fill pasi u përhap lajmi për dorëzimin e Korçës dhe Gjirokastrës trupave greke në emër të Antantës. Morën pjesë të gjithë krerët dhe kapedanët e krahinës së Korçës, Devollit, Gorës, Oparit, Skraparit, Kolonjës, Pogradecit, Gramshit, Beratit, Përmetit e krahina të tjera. Krahas tyre morën pjesë edhe klerikë ortodoksë, myslimanë e bektashianë me ide dhe veprimtari patriotike. Rreth 400 fshatarë nga Shkozanj, Lekasi, Tudasi, Xerja, Marjani, Gjonbabasi, Gurrmujasi, Gjokshtirasi, Protopapa, Denasi, Punmira, Mazreka, Pulaha, Gjinikasi, Karbanjozi, Moglica, Dushari u bashkuan me vullnetarët gorarë nga Krushova, Voskopoja, Zvarishti, Senishti, Dolami, Qëncka, Shipcka, Zbogjëria si edhe nga Tomorica, Skrapari e Kolonja të pozicionuar në Gjergjevicë e Gjonbabas për të mbajtur e mbrojtur kuvendin, i cili njihet si Kuvendi i Gjergjevicës.
Të gjithë ishin nën komandën e patriotit Jashar Tudasi dhe oficerit patriot Pasho Bacelli.
Shumë nga vullnetarët oparakë, bashkë me vullnetarë gorarë dhe të krahinave të tjera, qëndruan dhe morën pjesë në luftën patriotike, e cila solli data lavdiplotë me rëndësi për gjithë Shqipërinë, si Kongresi i Lushnjës më 21 janar 1920, mitingu i madh i Korçës me qeverinë e Tiranës, nënshkrimi i protokollit të Kapshticës më 28 maj 1920, luftën e Vlorës në 1920 etj. Takimi i patriotëve në Gjergjevicë, pati rëndësi të madhe pasi vendosi që në zonën e Korçës të mbaheshin forca të gatshme vullnetare të armatosura për të mos lejuar qeverinë franceze të largonte trupat e saj nga Krahina e Korçës, të mos lejonte trupat greke të pushtonin territore në kufinjtë jugorë të Shqipërisë, të bashkohej krahina e Korçës me qeverinë e Tiranës, për mbrojtjen e Korçës nga rreziku i pushtimit grek. Koordinator i gjithë këtyre lëvizjeve patriotike qe oficeri i Themistrokli Gërmenjit, toger Pasho Bacelli (Krushova).
Kryengritja “Vorio-Epirote” dhe Pasho Bacelli
Për organizimin e xhandarmarisë shqiptare ishte caktuar nga Konferenca e Londrës dhe kishte ardhur në Shqipëri një mision ushtarak holandez nën kryesinë e gjeneral De Werit, me nënkryetar kolonel Thomson. Në përbërje të misionit kishte dhe oficerë të tjerë të gradave të ndryshme. Këta oficerë, në bashkëpunm me oficerët shqiptarë, organizuan xhandarmërinë për viset e lira dhe njëkohësisht, në parashikim të çlirimit të viseve që ende mbaheshin nga grekët e serbët, pregatitën nga një batalion për çdo prefekturë. Për Korçën e Gjirokastrën batalionet komandoheshin përkatësisht nga major Mustafa Aranitasi dhe major Ismail Haki Tatzati. Pasho Krushova (Bacelli) ka qenë ndihmës i Ismail Tatzatit. Kur qeveria greke vendosi, e shtrënguar nga Fuqitë e Mëdha që kishin caktuar kufijtë e Shqipërisë, të tërheqë fuqitë e saj të okupacionit nga Korça dhe Gjirokastra, qeveria shqiptare nisi batalionet e saj të xhandarmarisë, bashkë me prefektët e kryetarët e zyrave të paracaktuara, për të marrë në dorëzim të rregullt ato prefektura. Dorëzimi i rregullt u bë për Korçën, Ersekën, Tepelenën, një pjesë të Dangëllisë, Këlcyrën dhe një pjesë të Kurveleshit. Nga mesi i marsit qeveria shqiptare dërgoi 300 xhandarë nën komandën e Mustafa Spatharës me dy oficerë holandezë, që marshuan nga Opari për Voskopojë e Korçë. Ushtëria greke e dorëzoi Korçën dhe u nis për në Bilisht e kufi. Por grekët në Korçë filluan të vënë në zbatim planin e kryengritjes që kishin përgatitur më parë dhe më 2 prill 1914, në Korçë plasi kryengritja e organizuar nga agjenti grek Jakovi, dhespot i Korçës, dhe nga këshilli I Metropolisë. Ky plan u vu në zbatim nga vullnetarët grekomanë të qytetit e të fushës, nën komandën e kapedan Sulos, si edhe prej ushtarëve grekë të fshehur në Korçë, të cilët zunë pozitat më me rëndësi të qytetit. Përnjëherësh u dha kushtrimi ndër fshatra, në të cilat patriotët filluan të grumbulloheshin e të organizoheshin. Forcat e Kajo Kapedanit u vendosën nën vreshtat e Korçës, ku shpartalluan fuqitë e Jorgji Bushos, ish deputeti i Serfixhës në parlamentin otoman, të cilat po marshonin për në qytet.
Nga ana tjetër, fshatarët e Mborjes, në Grykën e Mborjes, shkatërruan fuqinë e doktor Harisjadhit (korçar) të përbërë prej 400 vetash. Kështu qyteti u çlirua dhe dhespoti me këshillin e Metropolisë u transferuan në Elbasan. Nacionalistët ekstremistë të Korçës, të egërsuar nga tradhëtia e grekomanëve të Korçës, deshën të digjnin qytetin, por ndërhyrja dhe gjakftohtësia e Abdyl Ypit e shpëtoi qytetin nga rreziku i zjarrit. Fuqitë kombëtare shkelën Devollin, Arrzën, Nikolicën e Dardhën. Major Ismail Haki Tatzati dhe Basho Bacelli e bënë Hoçishtin qendër veprimi.
Bilishti mbeti në duar të grekëve.
Telha Bacelli, babai im
(1878-1941)
Lindi më 22 gusht 1878 në Krushovë dhe vdiq në 4 gusht 1941.
Në fakt babai ynë ështe i pari njeri që ka sjellë librat shqip në Krushovë, sepse ai ka qenë një nga delegatët e Kongresit të Gjuhës Shqipe në Manastir në vitin 1908. Ai shpërndante libra jo vetëm në Krushovë, por në tërë zonën e Korçës, së bashku me Kiço Miçolliun nga Voskopoja dhe Sahit Bebrin nga Krushova, ky i fundit ka qenë nje nga shokët më të afërt të babait, pasi që të dy kishin jetuar dhe punuar disa kohë në SHBA.
Në vitin 1917 Telha Bacelli, Sahit Bebri dhe Dalip Dango shkojnë në Amerikë (Çikago) përsëri për tre vjet. (Ishte hera e dytë) Në njëzetën ai kthehet nga Amerika dhe solli shumë libra e fletore që ia kishte dhënë shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, anëtar i së cilës ai ka qenë që nga viti 1906 kur ishte për herë të parë atje. Pas një viti ai shkoi përsëri në Amerikë dhe u kthye përfundimisht në Krushovë në vitin 1927, datë pas së cilës ai nuk u largua më nga Krushova derisa vdiq në vitin 1941. Nga viti 1929 dhe deri në vitin 1937 kur ai doli në pension, ka punuar si rojtar pyjesh. Pas daljes në pension, vështirësitë ekonomike u bënë më të mëdha dhe babai vendosi që mua të më dërgonte në mërgim, kështu që ai bëri gati të gjitha dokumentat e mia me anën e miqve të tij në Korçë dhe një ditë prilli të vitit 1938 më dha bekimin e unë u nisa për në Australi. Shkova deri në Durrës dhe prisja anijen e radhës për në Itali. Atje më vjen vëllai im i madh, Rexhepi dhe më thotë: "Ti Adem je shumë i vogël për kurbet. Në vendin tënd do të shkoj unë sepse jam mbi 25 vjeç dhe ti nuk i ke mbushur akoma 17 vjeç! Unë kam marrë dhe bekimin e babait."
Në fakt nuk ishte kjo arsyeja e vërtetë, por nga që Rexhepi qe bërë me hasm sepse kishte rrahur dikë dhe në zonën tonë marrja e hakut nuk zgjerohej në familjen e atij që bënte rrahjen, por vetëm mbi personin që e kryente atë. Sot ai është i vdekur në Hobart të Tasmanisë, por akoma dokumentat e tij janë në emrin tim dhe në varr të tij është shënuar emri im, Adem (Rexhep) Bacelli, kështu që unë do të kem dy varre. (Në fakt Ademi, babai im, ka tre varre që janë me emrin e tij; një në Hobart të Tasmanisë, një në Lezhë dhe një në Korçë. Shënimi im –Agim Bacelli)
Dua të kujtoj se gjatë regjimit të Fan Nolit (vetëm për gjashtë muaj), babai, si mik i Fan Nolit, dërgoi lajm që, "Të gjithë Bacellinjtë të punojnë e luftojnë për Fan Nolin." Porosinë e tij e kryen vëllezërit e tij Qerimi dhe Pashua, të cilët u bënë luftëtarë të Fan Nolit. Në këtë kohë Fan Noli gradoi Pashon oficer të Shqipërisë, një gradë më lart seç kishte mbajtur ai në kohën e Themistokli Gërmenjit, (koha e Francës).
Me ardhjen e Zogut në pushtet, Bacellinjtë u panë me sy të keq dhe bile iu ndalua që të lëviznin pa lejë, ky qe një lloj internimi për familjen tonë. Atëherë Bacellinjtë u lidhën më shumë me tokën dhe bagëtinë e tyre dhe për disa kohë nuk lëvizën më nga fshati.
Babai dhe shokët e tij që shpërndanin libra shqip, qendrën e kanë patur në kishën e Voskopojës, Shën Prodhon (Prodon). Miku i tij më mirë ka qenë Kristo Miçolliu, sot Dëshmor i Kombit. Për t’i shpëtuar përndjekjes së turkut ai shkoi në çetën e Kajo Babjenit. Në prill të vitit 1914 me porosi të kapedan Themistokli Gërmenjit, çetat e Gorës u bashkuan në Korpusin Vullnetar që komandohej nga vetë Gërmenji. Babai kujtonte me mburrje një nga luftrat e tij nën drejtimin e Themistokliut, atë të 19 prillit 1914 në Qarr kundër forcave shoviniste greke që e fituan pa asnjë humbje. Po ashtu ai kujtonte dhe betejën tjetër në Nikolicë që u bë në 24 prill 1914, ku komandonte dhe vëllai i tij Pasho Bacelli. Armiku grek u shpartallua, megjithëse dispononte shumë forca dhe material ushtarak. Kjo qe një betejë shumë e ashpër. Në fushën e nderit ranë katër dëshmorë; Jakup Strelca, Xhemal Krosnishti, Liman Çershniku dhe Rakip Sadurishta. Telha Bacelli u plagos rëndë. Telhai në këtë luftë ka qenë bashkë me dy vëllezërit e tij, Pasho Bacelli dhe Tahir Bacelli, të cilët së bashku me Met Bebrin i erdhën menjëherë në ndihmë dhe e transferuan në një spital për mjekim.
Vdekja e papritur e babait, Telha Beqir Bacellit
Babai im ishte një rojtar pyjesh dhe njëkohësisht mësues privat në fshat, që na mësonte ne Bacellinjve dhe ndonjë tjetri nga fshati, gjuhën e bukur shqipe, historinë dhe gjeografinë e shqiptarëve, sigurisht kur ai kishte kohë, pasi koha e lirë për të qe shumë e rrallë. Babai për vete kishte mësuar shkrim e këndim shqip në Amerikë nga mësues të shoqërisë “Vatra” dhe që nga Amerika ai kishte sjell libra shqipe, të cilat i shpërndante në zonën e Gorës dhe më tej sipas mundësisë që kishte. Ai thoshte se shqipen e mësova pasi në Amerikë më duhej të mësoja anglisht dhe ata shqiptarë që na mësonin anglishten, ne që s’dinim shqip, më parë na mësonin shqip. Ai kishte jetuar në Çikago, Boston, Jamestown dhe në Brooklyn të Nju Jorkut. Në Xhejmstaun ai ka dalë në fotografi me Fan Nolin në mars të vitit 1908, pasi babai ynë merrte pjesë rregullisht në takimet që bënin shqiptarët orthodoksë.
Një natë, babai u kthye nga Voskopoja shumë i sëmurë, i merreshin mendtë, kishte të vjella dhe mezi qëndronte në këmbë. Kali i tij e solli deri në oborr dhe atje unë e zbrita nga kali, e mora për krahu dhe e ngjita lart tek oda e miqve. Ai kërkoi një çaj dhe më pas i tha nënës t’i bëjë gati rrobat e fjetjes. U shtri në shtrat dhe kërkoi të pijë një cigare, që nuk mundi dot. Dëgjova që t’i thotë nënës, “Sanie, m’i bëj hallall të tëra dhe m’i rrit djemtë të bëhen burra të mirë.” Nëna e pikëlluar i tha të mos fliste ashtu së prapthi, pasi të tërë sëmuren, por ai ia preu fjalën duke i kujtuar ëndrrën që kishte parë disa ditë më parë, ku ai ishte takuar me të atin, Beqirin, i cili kishte qenë së toku më kushëriun nga Voskopoja, me Jorgon, dhe ata të dy hipur në kuaj mbanin me vete dhe një kalë tjetër të bardhë. Kur Jorgua i tha babait se përse e kanë marrë dhe një kalë tjetër, Beqiri iu përgjigj: ky kalë është për Telhanë. "Hë Sano, të kujtohet? Sonte është dita që unë të hip në atë kalë që më ka sjellë babai. Baba, pritmë se po vij tek ty.” Pasi tha këto fjalë, iu var koka dhe iu mbyllën sytë, që nuk do t’i hapeshin kurrë.
Në fshat flitej se ai ishte helmuar nga grekët, me të cilët ai ishte takuar tek një miku i tij në Voskopojë dhe kishin shkuar të pinin kafen tek klubi “Kafe Rinia” i Risto Tullacit. Në fakt unë u interesova që të dija të vërtetën e vdekjes së babait, por atë kurrë nuk e mora vesh. Mësova vetëm se babai vërtet kishte debatuar gjatë me grekët, bile ishte zënë me ta tek “Kafe Rinia” e Ristos. Këtë gjë e pranoi dhe Tullaci.
Sanie Halim Bashllari
(16 korrik 1888 – 11 prill 1977)
Nëna jonë ishte nga Zvarishti. Nënë Sania ishte e sertë, që s’dinte të përkëdhelte kurrë, pavarësisht se nuk tregonte e ashpër, por shumë më e re seç ishte dhe punonte si grua dhe si burrë. Babai kishte dy vjet që na kishte vdekur. Nëna në brez e kishte zakon të mbante një nagant dhjetësh austriak. Ajo kishte tipare shumë të bukura; qe e gjatë si selvi, me flokë të zez sterrë dhe fytyrë shumë të pastër e të bardhë, ku shkëlqenin dy sy blu, si dy liqej. Fytyra, flokët dhe sytë bënin një kontrast të jashtëzakonshëm dhe të bukur. Hundën e kishte shumë të bukur dhe qafën e gjatë. Nëna nuk ngjante fare si fshatare. Flokët i thurte gërshetë. Në fshat, kur ajo qe nuse, thoshin se kurrë nuk kishte ardhur një nuse kaq e bukur. Ajo vinte nga një familje luftarake nga Zvarishti, ku Rrahman Zvarishti qe i afërm i saj dhe kishte krijuar çetën e parë komite të Gorës, së bashku me Malkën. Kjo çetë luftoi me trimëri kundër turkut, grekut, italianit dhe gjermanit. Më pas ata u bashkuan me çetën e kushëririt të nënës, Zalo Zvarishtit, ku Kajo Babjenji ishte komandant. I ati i nënës, Halim Bashllari kishte luftuar me turkun dhe nuk dihet fundi i tij! E ëma quhej Hemlian (Hane).
Babai ka punuar rojtar pyjesh ndërsa nëna gjithmonë shtëpiake dhe ka përballuar një punë të madhe sepse ka rritur 7 djem, si dhe ka gatuar edhe për hyzmeqarët, pasi ne ishim një familje e mesme fshatari. Po ashtu ajo kujdesej edhe për argatët që vinin e punonin për ne dhe çobenët që na kullosnin bagëtinë. Vërtetë kur e mendoj sot, nënë Sania ka qenë një heroinë, pasi jo vetëm gatimin, por të gjitha punët e shtëpisë i bënte vetë dhe s’pranonte asnjë ndihmëse, pasi fati nuk i dhuroi asnjë çupë. Vetëm kur u rritëm ne, filluan pak t’i lehtësoheshin punët e shtëpisë. Nëna na thoshte neve para se të lindte Halimi se, “do t’ju bëj me një motër”, por s’qe e thënë.
Kur lindi përsëri djalin e fundit, nëna s’u mërzit, por tha, “Perëndia na jep mbarësi dhe gëzim në këtë ditë të shënuar të pranverës.” Më shumë nga ne vëllezërit u gëzua Beqiri, i cili tregonte se, “kur lindi Halimi, myzhdenë erdhi dhe ma dha Feko Agolli, çobani ynë i dhenve." Bequa në atë kohe ishte 22 vjeç dhe punonte në mulli me xhaxha Qerimin. Nga gëzimi i madh ai i dha Fekos një napolon flori dhe e dërgoi për tre ditë në shtëpinë e tij në Zvarisht. Dhentë i mori vetë t’i kullosë tek Kasollet e Thanës, pasi ai vend qe i bekuar, nuk e rrihnin erërat, nuk e mbante gjatë dëborën dhe ishte si një “Myzeqe e Vogël” në mes të maleve të lartë të Krushovës. Ne dhentë i shpinim për kullotë në Kasollet e Thanës gjithmonë në datën 3 mars Allaturka që i bie në 17 mars sipas kalendarit allafrënga (që është kalendari ynë sot). Halimi u rrit e u burrërua dhe nënës ia shpërbleu tërë atë përkujdesje dhe sakrificë që ajo bëri për të, me dashuri dhe kudes të veçantë. Kur ai doli në punë si mësues, sa herë merrte rrogën i blinte nga një dhuratë nënës sonë dhe i sillte gjithashtu për të ngrënë. Vërtet doli parashikimi i nënës dhe Beqos se ky fëmijë do të na sillte mbarësi në familje. Ne e deshëm shumë Halimin, por edhe ai na deshte shumë. Ai e gëzoi babain dhe nënën tonë. Si u bë mbi katër vjeç, Halimi filloi të dalë nga shtëpia “me shokë” dhe të imitojë të rriturit. Ai së bashku me vëllanë tjetër, Bajramin, dhe me kushërinjtë Ferik dhe Reshat që afërsisht të katër ishin në një moshë me diferenca 3-4 vjeç, luanin bashkë. Halimi, me që pinte sisë, ikte vjedhur nga shokët kur e merrte uria, ndërsa kur kishte njerëz të huaj në shtëpi, ai e thërriste nënën të dilte jashtë se, “ashtu kam një punë” !
Në moshën 4-5 vjeçare të Halimit na vdiq babai dhe Halimi megjithëse shumë i vogël e mban mend fare mirë atë ditë të zezë. Ai na tregon se i kujtohet xhenazeja në mes të dhomës dhe qarjet e Beqos me zë. I kujtohem unë që qaja pa zë dhe Bajrami që mbulohej me jorgan dhe qante poshtë rrobave. Vdekja e babait na varfëroi shumë pasi asnjë nga ne nuk ishte aq i zoti për të përballuar atë jetë të vështirë në Krushovë.
Vështroja Halimin që luante dhe mendoja se për mua kishte kaluar ajo kohë e lodrave. Për mua ishte turp që të luaja ashtu si Bajrami dhe Halimi me plloçkë, me cingël, me litar, me kolovajzë apo symbyllka. Bile nuk i lejohej më as Ramizit dhe Besimit. Ne duhet të punonim që t’i dilnim zot shtëpisë, pasi vëllai i madh Rexhepi kishte shkuar në kurbet në Australi, Beqiri merrej me mullirin dhe drejtonte hyzmeqarët, çobenët dhe argatët. Barra e babait i kishte rënë atij më shumë.
Ne kemi qenë 9 vëllezër (dy të vdekur që fëmijë) dhe asnjë motër nga prindërit tanë; Telha dhe Sanie. Vëllai i madh, Rexhepi, vëllai i dytë Beqiri dhe vëllai i parafundit, Bajrami ngjajnë pak a shumë nga nëna. Ata vijnë të gjatë (përveç Beqirit trup mesatar, 1.70), biondë, me fytyrë shumë të pastër e të bardhë ku shkëlqejnë dy sy të bukur, blu të thellë. Hundë të drejtë dhe veshë të vegjël. Ndërsa ne katër të tjerët, unë, Ramizi, Besimi dhe Halimi, vijmë pak ezmerë, shtatlartë mbi mesataren, me hundë të drejtë e pak të trashë, vetulla të trasha, qafë të shkurtër, flokë me onde e të ashpra dhe me sy po ashtu si tre të tjerët, blu të thellë me nuanca jeshile që bëjnë kontrast në kurorën e flokëve korb të zinj. Veshë mëdhenj.
Ne vëllezërit, kur ishim beqarë, kemi patur një shkuarje të shkëlqyer me njëri-tjetrin. Mbaj mend se Rexhepi, po të dëgjonte se dikush kishte sharë ndonjë nga ne më të vegjëlit, menjëherë kërcente dhe nuk e mbate vendi derisa "t'ia thyente turinjtë" ngacmuesit! Rexhepi ishte gjaknxehtë dhe i rrëmbyer, por i dilte shpejt zemërimi dhe nuk mbante inat kurrë. Në fshat e kishin frikë, por për ne ai ishte krenaria më e madhe. Ne mburreshim duke thënë se, "jemi vëllezërit e Rexhepit". Kishte qejf gjuetinë dhe kuzhinën. Rexhepi bëri shumë armiq në fshat dhe përreth dhe kjo ishte arsyeja që ai iku në Australi në vendin tim. Unë kisha shumë merak se mos e vrisnin dhe sa herë që ai shkonte e punonte në tokat tona, merrja pushkën e babait dhe rrija e ruaja, pa i rënë në sy, fshehur nëpër gëmusha. Ai do më zbulonte një ditë dhe do më lutej të mos e ruaja më. Këtë gjë ma ka përmendur edhe në letrat që më dërgonte nga Australia.
Shtatë djemtë e Telha dhe Sanie Bacellit janë:
Rexhepi, i cili emigroi në Australi (Hobart të Tasmanisë). Name: (Rexhep) Adem Telha Bacelli. Birth: 04 Aug 1915 - Albania Death: 31 Oct 1978 - Hobart, Tasmania, Australia.
Rexhep (Adem Telha Bacelli) u nis nga Italia më 18 mars 1939, ai lundroi nga Italia në Brisbane të Australisë në linjën Orient BIGLIETTO CI PASAGGIO me numër CLASSE TURISTICA B. Bileta 473 - Kostoja e biletës 43 paund. Mbërriti në Australi në prill 1939.
Lufta e Dytë Botërore u shpall një vit më vonë, vëllai im Rexhep së bashku me të gjithë emigrantët nga vendet e tjera, jo emigrantë të natyralizuar, (që bënin pjesë në ato shtete të Boshtit Gjermani-Itali- Japoni ku futej edhe Shqipëria e pushtuar nga Italia) u mbikëqyrën nga qeveria australiane duke u vendosur në një kamp internimi. Në atë kohë Rexhepi kishte një fermë në Queensland. Ferma iu muar nga ana e Qeverisë pa u paguar për tërë pronën, e cila ishte më shumë se ajo që u pagua në vlerë.
Në atë kohë, kushëriri jonë jetonte në Queensland, emri i tij ishte Musa Kerim (Musa Qerim Bacelli). Rexhepi qëndroi në kamp për një periudhe kohe (dhe me ndihmën e Musait) u lejua të dalë nga kampi me një çertifikatë nga mjekët, ku thoshin se ai ishte i sëmurë. Ai hapi një restorant në qytetin Brisbane, tek Rexhepi do të hante mëngjesin Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë amerikane, Sir. McCarthur. Pas luftës ai qëndroi në Brisbane deri në vitin 1949, kur ai u transferua në Sidnei, ku hapi një tjetër kafe, qëndroi aty deri në 1953. Pastaj u transferua në Tasmania, ku punoi në hotele të ndryshme si kuzhinier. Rexhepi u takua me gruan e tij të ardhshme në 1953, ata të dy punonin në një hotel të quajtur Wrest Point. Ata ranë në dashuri. Pastaj u martuan (gruaja e tij quhej Kathleen Curtis, lindur 26 janar 1930 në Victoria, Australi (dhe vdekur në Hobart në 2002). Prej tyre erdhën në jetë, në lindjen e parë një djalë me emrin TELHA Dennis TELHA, lindur më 26 shtator 1954. Djali i tyre i dytë, Mark Rexhep TELHA, lindi më 9 gusht 1956. I treti është djali tjetër Adrian JAMES TELHA që ka lindur më 7 dhjetor 1957. Djali i katërt i tyre është Ricky JOHN TELHA që u lind më 21 janar 1958.
Rexhepi vazhdoi duke punuar si kuzhinier për pjesën tjetër të jetës së tij në Tasmania, ai ishte i sëmurë për një kohë të gjatë para se të vdiste. Kishte dhimbje në gjoks dhe kur u bë keq, hyri në spital më 15 shtator 1978. Doktori tha se nuk ishte mirë, vëllai im kishte kancer dhe nuk ishte e mundur për ta shpëtuar. Ai vdiq më 31 tetor 1978, në moshën 63-vjeçare.
Ai ka lindur në Shqipëri në 4 gusht 1915. Emri në pasaportë - Adem Telha Bacelli që e ndryshoi në emrin e tij, Rexhep Adem Telha, kur ai ishte në Australi në vitin 1945.
Beqiri, (1919-1989) I martuar me Hasie Kulen nga Kopeshi i Moglicës (1921-1996). Ata kanë lënë një vajzë dhe një djalë: Sofikën dhe Rizanë.
Sofika është martuar në Fier, s’ka fëmijë.
Rizai jeton në Bulgarec, Korçë. I martuar me Bylyre Mullaymerin nga Moglica. Rizai ka dy vajza dhe një djalë. Vajzat quhen Denisa dhe Aurora. Djali quhet Elis.
Beqiri kur ishim fëmijë vinte i "urtë" në dukje, i qetë dhe s'para trazohej me njeri por, nëse dikush e ngacmonte, ai bëhej xhind dhe pa e marrë hakun nuk flinte as gjumë. Inatin e mbante gjatë. Kishte vetinë e parashikimit të gjërave dhe dëndur përdorte fjalë të urta popullore. Këshillat e tij ishin shumë të vlefshme për ne. Beqiri ishte pus i thellë me sekrete. Pasioni i Beqirit ishin mullinjtë dhe florinjtë. E ngrysi jetën si mullixhi.
Ademi, (Adam Telha Bacelli. Lindi: 20 Aug 1921. Vdiq: 14 Mar 1987 – Lezhe. Shënimi im, Agim Bacelli), jam unë, martuar me Ervehen nga Grabocka e Panaritit dhe ne kemi gjashtë fëmijë;
Dhurata është fëmija im i parë. Ajo është martuar në Maliq me Ylli Pashollarin nga Velçani dhe ata kanë këta fëmijë; Gentianën, Enean, Olën, Mamicën dhe Kostikën. (Gena është beqare, Ola dhe Mamica në Greqi. Enea jeton në Greqi dhe Kostika po në Greqi. Mamica ka burrë Jorgon dhe një djalë që quhet Dhimitër.)
Agimi është fëmija im i dytë, i vetmi djalë. Oficer në Aviacionin Luftarak Shqiptar. Martuar me Evrion Avxhi nga Bulgareci. Ata kanë dy djem; Ermalg dhe Erkend.
E treta është Shpresa, martuar me Shefqet Bahri Vila nga Zbogji i Korçës dhe që banojnë në Tiranë. Shpresa ka dy vajza dhe një djalë; Olsën, Joridën dhe Skerdianin.
Nexhmija është fëmija e katërt, martuar me Zylfi Bektash Dilko nga Voskopi i Korçës (vdekur në janar 2000. Shënimi i Agim Bacellit.) dhe që kanë dy djem; Enin dhe Erindin.
Valentina është e martuar me Agim Irfan Bengën nga Maliqi i Korçës, me origjinë nga Belortaja dhe kanë dy djem; Erin dhe Denisin. (Greqi-Agria).
Mimoza është vajza ime e vogël, martuar me Leonard Prel Toma nga Shëngjini i Lezhës (me origjinë nga Dukagjini) dhe që kanë dy djem; Aldon dhe Serxhon. (Brooklyn-New York).
Fallxhori
Isha fare i ri kur nga pakujdesia më shpëtoi naxhakja (sëpata) dhe preva këmbën në një pyll kur isha duke bërë dru. Isha me kushëririn tim Bezat Bacelli. Naxhakja kishte prerë një damar kryesor në këmbë dhe gjaku po rridhte lumë. Grisa këmishën dhe e lidha pak më sipër plagës për të ndaluar gjakun. Bezati menjëherë se ku gjeti disa “fëndë ujku” dhe pak “bar të prerë” dhe pasi i përzjeu mirë dhe i shtypi, i vuri përsipër plagës së thellë, të cilën e lidhi më këmishën e tij. “Deme, kaq e pat kjo plagë! Fënda e Ujkut dhe Bar i Prerë jo vetëm që ndalin gjakun, por edhe mbyllin plagën.” Çudia ndodhi. Pas dy ditësh plaga u mbyll për mrekulli.
E tregova këtë pasi dëndur më qëllonte që plagosesha dhe vritesha dhe nëna më lutej që të shkoja të “këndohesha” tek një hoxhë. Nuk besoja në Zot dhe fe dhe këtë gjë e lashë pas dore, por një ditë, babai, ndjesë pastë, më urdhëroi të shkoja tek hoxha i Gjergjevicës. Si për të mos më besuar, një ditë më mori me vete dhe pa më thënë asgjë më shpuri tek hoxha. Pasi foli nja 30 minuta, hoxha m’u drejtua, “e shoh që asgjë nuk ke dëgjuar për çfarë të fola dhe s’ke besim as tek unë as në Zot e fe. Dua të them disa gjëra dhe meqë ditke shkrim e këndim, shkruaji që të mos i harrosh. Je shumë i shkujdesur për jetën tënde dhe do ta vësh shpesh në rrezik. Pas katër vitesh (ishte viti 1938) ty do të të rrezikohet seriozisht jeta. Nëse shpëton nga ky rrezik, do rrezikohesh të vdesësh në moshën 66 vjeçare, po shpëtove dhe në këtë moshë, në moshën 77 vjeçare dhe pikërisht kur të bëhesh 77 vjeç e shtatë ditë e shtatë minuta e shtatë sekonda, do të vdesësh.”
Vetëm këto gjëra më ngelën në mendje dhe s’mund t’i harroj. Deri tani është vërtetuar ajo “pas katër vitesh” të cilën e kalova për bukuri kur më kapën ballistët e Tele Baçit dhe më dënuan me vdekje dhe unë u shpëtova. Pas pak vitesh unë bëhem 66 dhe do shohim se si do ta kaloj dhe këtë rrezik. (Vërtet babai nuk e kaloi dot këtë moshë. Ai vdiq pikërisht kur u bë 66 vjeç; shënimi im -Agim Bacelli)
Ramizi (1928-) është djali i tretë i Telhait, i martuar me Idaete Fejzo nga Pirgu i Korçës dhe ata kanë tre fëmijë, Zijan të martuar në Moglicë me Bukurie Mullaymerin dhe kanë dy djem. Djali tjetër i Ramizit ka emrin e babait tonë.
Telha, ai është martuar në Gjonomadh të Voskopojës dhe ata kanë dy çupa.
Voltisa ështe fëmija e fundit e Ramizit, e cila është e martuar në Korçë.
Ramizi fëmijë ishte disi i pakuptuar. Ishte trim, por jo i rrëmbyer. Muhabetçi dhe diplomat i lindur. Kur prindërit e shanin, tërhiqej mënjanë dhe mbante inat. Me ne vëllezërit grindej nganjëherë, por kurrë nuk zihej siç bënin Bajrami me Halimin, që rriheshin përditë, por dhe duheshin si askush! Pasioni i Ramizit ishte gdhendja në dru e gur dhe tregtia. Gjynah që nuk u bë piktor. Punoi disa kohë si drejtor i tregtisë në Voskopojë.
Ramizi ka rrëzuar një avion italian që ka rënë në Fushë Maliq në vitin 1943. Ishte vetëm 15 vjeç.
Tregimi i Ramizit
“Ishte muaji qershor, viti 1942 kur Italia Fashiste kontrollonte vendin tonë dhe kur në familjen time flitej përditë kundër pushtimit. Vëllai im Ademi ishte bashkuar me njësitet guerilje që luftonin Italinë, bile udhëhiqte njësitin gueril të fshatit.
Ndodhesha mbi Majën e Saçit, sipër Luadhit të Dules ku ka burime me ujë të pijshëm. Më poshtë ndodhet një pellg natyral që ne e thërrasim Rezervuari i Shipckë-Krushovës. Atë ditë kullosja dhentë e familjes megjithëse isha vetëm 14 vjeç. Një kaçator italian vërtitej mbi kokën time. Me vete kisha dhe një pushkë të gjatë italiane. Iu mata njëherë t’i bija... Befas kaçatori filloi të qëllojë mbi mua. Plumbat më fërshëllyen afër veshit dhe ranë në tufën e deleve, nga të cilat disa ngordhën në vend dhe shumë u plagosën. Kaçatori iku dhe pas pak u kthye përsëri, por këtë radhë unë isha fshehur mes një grope të një shkëmbi dhe me pushkën gati, shikoja nga qielli. Sapo më doli në shteg e qëllova. U ngrita në këmbë dhe e mbusha përsëri dhe pasi mora shenjë, e qëllova prapë. Drejtimi që mori avioni ishte fusha e Maliqit. Më vonë mora vesh se avioni kishte rënë në afërsi të Maliqit, në Sovjan. Dëshmitarë kanë qenë Safet Butka, shoku Nexhip Vinçani dhe shokët e tyre.
Po ashtu kuptova se qëllimi i ardhjes së kaçatorrit ishte të zbulonte dhe qëllonte bazën në Shipckë ku ishin mbledhur krerët e Ballit Kombëtar dhe krerët e Lëvizjes Nacional Çlirimtare të zonës së Korçës me qëllim të bërjes së një marrëveshjeje të përbashkët për të luftuar Italinë Fashiste. Ballistët kishin dërguar Safet Butkën etj., ndërsa partizanët kishin dërguar Behar Shtyllën, Nexhip Vinçanin etj. Nuk dihej se kush kishte dekonspiruar këtë takim dhe italianët dërguan avionin, me qëllim ose të bënin presion që të mos arrihej një marrëveshje për ta luftuar pushtuesin, ose të godisin bazën nëse do ta gjenin dhe ta shkatërronin që në embrion atë nismë të luftëtarëve shqiptarë.”
Besimi (1933-) i martuar me Pullumbeshën nga Bulgareci, nga familja e Bido Cakes me origjinë nga Panariti. Ata kanë dy fëmijë; djalë e vajzë. Djali quhet Leonard Bacelli dhe është martuar në Korçë me Anën. Kanë dy fëmijë; djalë e vajzë. Djali quhet Besian dhe vajza quhet Sanie.
Adelina (Lina) dhe është e martuar gjithashtu në Korçë me Ëngjëll Lartin dhe kanë dy djem Erlinin dhe Eraldin.
Besimi ka qenë autokombajner, traktorist dhe brigadier SMT. Ka qenë shumë punëtor dhe mban disa dekorata dhe Fletë Lavdërime, midis të cilave është ky më poshtë:
D E K R E T
Nr. 2640, datë 15.4.1958
për akordim dekoratash
Në mbështetje të nenit 58, pika 8, të Kushtetutës së Republikës Popullore të Shqipërisë:
Me propozimin e Ministrisë së Bujqësisë;
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
DEKORON:
ME MEDALJEN E PUNËS
Besim Telha Bacelli
Besimi ka qenë fëmijë i shkathët dhe shumë i zgjuar. Ishte qejfli i mbaruar pas gjërave të bukura, sidomos pas çupkave të bukura. Ne ia kemi ndrydhur pasionet e tij "të çmendura", sidomos pasionin e madh për armët në përgjithësi dhe për ato të gjahut në veçanti, pasi ato ishin nën "pronësinë" time, që kam qenë jashtëzakonisht i dhënë pas tyre. Besimi kujdesej shumë për dy vëllezërit më të vegjël, Bajramin dhe Halimin. Përditë i pyeste nëse dikush i kishte ngacmuar apo sharë dhe u dilte në mbrojtje si në shtëpi dhe jashtë. Mbaj mend njëherë kur Halimin e rrahu një fshatar i madh, Besimi i shkoi brenda në shtëpi me një koburen time në dorë duke i thënë, "Do të të vras nëse ma ngacmon më vëllanë!" Pasioni i tij ngelën armët, hekurat dhe shoqëria. U bë traktorist dhe më pas brigadier në SMT e Korçës. Punëtor shumë i dalluar.
Barjamin (1934-) e kam vëllanë e parafundit. Ai është i martuar me Zhaneta Vllazënia (Lindur 1940, vdekur në 2002) nga Porodina dhe ata kanë pesë fëmijë:
Barjami ka lindur në Krushovë në vitin 1934. Ka bërë 4 klasë fillore në Krushovë. Në Bulgarec shkoi në vitin 1956, kur sapo kishte mbaruar ushtrinë në Kukës në forcat e mbrojtjes së kufirit tre vjet. Ka punuar tërë kohës në bujqësi. U martua në vitin 1964 me Zhaneta Vllazenia nga Porodina. Kanë këta fëmijë; Anida, Ana, Mira, Alketa dhe Fatos.
Anida martuar me Nikon në Odesë. Ana martuar me Haxhi Mero (Xhikun) në Maliq. Mira e martuar me Jorgon dhe banojnë në Odesë. Alketa e martuar me Hekuran Çukën nga Sovjani.
Fatosi ështe martuar me Redinan nga Lubonja e Vithkuqit në vitin 1996 dhe kanë tre çupa.
Zhaneta ka vdekur në 16 mars 2002.
Bajrami ka bërë shtëpi të re tek Ura Buzos në Bulgarec. Ka qenë qejfli gjahu dhe tifoz sporti.
Kur ishte fëmijë Bajrami pëlqente të na gacmonte dhe të gjithëve na kishte vënë nofka përbuzëse. Qejfi i tij ishte të ngacmohej me të gjithë, por kishte dashuri shumë të madhe për neve. I pëlqenin “shëtitjet” larg shtëpisë. Mbaj mend se ai së toku me kushëririn tonë, Reshatin, djalin e Xhaferit, kur ishte veçse fëmijë 8-9 vjeç, shkon në Biranj tek Sheqerja, duke kapërcyer nëntë male dhe kodra! Bajrami zihej shumë me Halimin, por edhe bashkë s'ndaheshin kurrë.
Bajrami i "urrente" çupat dhe Zoti i dha katër çupa! Hobi i tij ka qenë gjuetija dhe të dukej më i madh se ç'ishte.
Kur Bajrami ishte vetëm 10 vjeç dhe Halimi 8 vjeç, ndodhi një çudi që dua ta kujtoj. Ata të dy ziheshin shumë, por edhe duheshin shumë. Në një rast ata shkuan në Thanëz (kasollet tona) për të ngrënë thana. Befas Halimi sëmuret rëndë me të vjella dhe temperatur. Nuk kishte fuqi të qëndronte në këmbë. Nëse do të ngelej në pyll, mund të rrezikohej nga egërsirat. Bajrami pa e vrarë fare mendjen, e hipën në shpinë dhe me një sakrificë të habitshme, e solli shëndoshë e mirë në shtëpi. Këtë gjë do ta përgjithësonte nëna tek ne dhe do të na këshillonte që gjithmonë të jemi bashkë në të mirë e në të keq. Kjo ishte e pabesueshme për një fëmijë 10-11 vjeç të bënte kilometra të tëra në terren malor e një fëmijë tjetër në shpinë.
Halimin (1938-) e kam vëllanë e vogël. Ai ka marrë për grua tek Bido Cake, të motrën e Pëllumbeshës së Besimit, e cila quhet Shpresa. Halimi ka dy çupa dhe një djalë:
Albinën, Entelën & Aurelin.
Albina është martuar në Korçë me Fredi Saliun dhe ata kanë dy fëmijë, Ardën dhe Klausin. Entela është e martuar me Musa Demollarin nga Bicka dhe ata kanë dy fëmijë; një djalë e një çupë, djali quhet Stuart dhe çupa Melisa. Musai ka punuar në policinë e Korçës. Në vitin 1999 atyre u doli llotaria për të shkuar në Amerikë ku jetojnë edhe sot. Ata janë qytetarë amerikanë. Aureli është i martuar me Elona Mezinin nga fisi fisnik i Kaninës së Vlorës. I ati mban titullin doktor i shkencave. Ata kanë dy djem, Elajdon dhe Halimin.
Nëna ka dashur të ngjallë babanë e saj nga Zvarishti, të ndjerin, gjyshin tonë Halim Bashllari, për të cilin dimë shumë pak dhe askush nuk e di se si përfundoi jeta e tij. Kur lindi vëlla Halimi, unë isha 15 vjeç. Babai pas një viti do të dilte në pension nga puna që bënte si rojtar pyjesh.
Halimi lindi në një ditë të shënuar, ishte Dita e Verës, 14 Marsi i 1936. Ky vëlla lindi shumë i shëndetshëm dhe nëna do ta përkëdhelte më shumë se ne të tjerët, pasi rriti emrin e të atit siç e thashë më lart. Halimi vazhdoi të kishte një shëndet të mbarë dhe nëna nuk ia ndau gjirin derisa ai u bë 6-7 vjeç. Ndoshta kjo qe dhe arsyeja që Halimi po rritej shpejt dhe i bukur. Edhe ne vëllezërit e deshëm më shumë se njëri-tjetrin pasi ai ishte i sjellshëm, i urtë dhe i zgjuar.
Që në klasën e shtatë ka qenë sekretar rinie i klasës dhe anëtar byroje i shkollës në shkollën “Fuat Babani”, Korçë. Në të njëjtën kohë Halimi aktivizohej edhe jashtë klasës së tij, kështu ai ka qenë dhe udhëheqës i pionierëve në klasat e ulëta. Kishte aftësi organizative dhe drejtuese. Gjatë pushimve të verës ai vinte në Krushovë dhe ne çmalleshim e qëndronim shumë kohë bashkë. Unë kurrë s’i kërkoja Halimit që të punonte pasi e dija se detyra e tij ishte të mësonte sa më shumë. Kur Halimi mbaroi klasën e shtatë, ne e festuam dhe vërtet që ishte një gëzim i madh, pasi unë dhe Halimi kishim bërë shkollë nga të gjithë vëllezërit dhe kjo, për atë kohë ishte një sakrificë dhe këmbëngulje e madhe për fshatarë si puna jonë. Pas mbarimit të shtatëvjeçares erdhën disa vajza nga Seksioni i Arsimit Korçë dhe e kërkuan Halimin në një kurs dyvjeçar për mësues, pasi kishte shumë nevojë vendi ynë i prapambetur dhe analfabet. Shkolla do të ishte në Shkodër. Nëna pati merak, por me këmbënguljen time Halimi u lejua dhe ai shkoi për studime në Shkodër.
Në shtator të vitit 1953 Halimi u diplomua mësues. Meqë shefin e arsimit në Korçë e kisha mik, Kristaq Cepën, Halimi u emërua mësues në Krushovë. Në atë kohë kohë unë isha sekretar lokaliteti në Voskopojë dhe më pas Kryetar i Këshillit të fshatit Krushovë dhe e përkraha Halimin edhe si vëlla dhe si mësues me aq sa munda dhe kështu shkolla fillore e Krushovës për mbarëvajtje u bë model në zonë. Por kjo gjë s’vazhdoi shumë gjatë, pasi Halimin e thirrën ushtar. Në fillim Halimi u trondit pasi të gjithë i trembeshin ushtrisë, por unë mendova se ushtria do ta kalitë dhe bëjë më të fortë dhe më trim për të përballuar jetën e vështirë. Halimi u bind dhe kështu në vitin 1955, më 29 Nëntor, ai iku ushtar. Në fillim ai shkoi në Currilat e Durrësit në një bateri kundërajrore dhe më vonë tek Bishti i Pallës po në Durrës.
Në Durrës Halimi kaloi shumë mirë, pasi një toger që shërbente në baterinë ku ishte Halimi i dha të njohur si mik, pasi ai ishte nip tek dajllarët tanë në Zvarisht. Kështu që për Halimin rrodhën tërë ato privilegje nga miqësia me togerin. Ndërkohë togeri e dërgoi në një kurs që bëhej tek Plepat – Durrës dhe Halimi u gradua kapter.
Në 29 Nëntor 1958 Halimi u lirua nga ushtria dhe shumë shpejt u paraqit në Seksion të Arsimit Korçë për punë. Sigurisht që në këtë kohë vendet ishin të zëna pasi shkollat kishin filluar që në shtator. I thanë të presë derisa të lirohet ndonjë vend. Priti katër muaj dhe më në fund e lajmëruan të punonte si zëvendësues në disa shkolla. Kur mbaroi viti shkollor ‘58-‘59 e emëruan në Krushovë. Në këtë kohë të gjithë ne të shtëpisë kishim shkuar në Bulgarec dhe Halimi pati vështirësi të banonte në Krushovë, pasi vetëm njëherë në javë mund të na vizitonte. Një përkujdesje të madhe për vëllanë tim të vogël dhanë Naim Bacelli bashkë me të shoqen, Sofijen, një grua vërtet fisnike dhe shumë e dashur. Ajo sillej sikur ta kishte vëlla Halimin dhe Halimi e deshte shumë dhe e respektonte mbi të gjithë. Sofija vinte nga një familje e nderuar nga Këmbëthekri.
Dëgjuam se kërkonin të rinj për të bërë shkollën e mesme në Tiranë për mësues. Halimi ishte i zgjuar dhe do ta kalonte shumë lehtë këtë shkollë e më pas do të kalonte direkt në institut për mësues. Por atë vit mësimor Halimit nuk iu dha kjo e drejtë. Unë shkova dhe e takova mikun tim Kristaq Cepa, (Kapa*), autori i vargjeve të serenatës së pavdekshme: S'kam ç'e dua pasurinë/ Po s'ma deshi zemra sot,/ Nuk e ble dot dashurinë,/ Me të holla është e kotë... dhe i kërkova që të shkonte Halimi. Ky burrë kaq i drejtë dhe i mirë nuk ma prishi pasi në këtë rast ai më tha se nuk bëhej aspak shkelje ligji, vëllait tënd të vogël i takon bursa dhe bile me të drejtë rroge pasi është nga një familje luftarake dhe me qëndrim të shkëlqyer politik e moral që ka dhënë shumë për luftën dhe ndërtimin socialist të vendit. Njerëz si Halimi duhet të jenë në krye të listës për të përfituar. Kështu pra në shtator 1960, vëllai im Halim filloi gjimnazin në Tiranë për mësues në profilin matematikë.
Në pushimet e verës, në Bulgarec, Halimi shkonte shpesh tek fqinji ynë Mehmetali Daci, hoxha me famë i Bulgarecit, të cilin e frekuentonte dhe djali im Agimi. Në fakt Mehmetaliu ishte më shumë një doktor sesa hoxhë. Metodat e tij shkencore të aplikuara për mjekim sëmundjesh të koordinuara me fenë ishin të habitshme dhe Halimi pothuajse po bëhej një hoxhë. Ai na tregonte gjëra të çuditshme. Unë nuk i thosha gjë, por në fakt në fshat kjo gjë shikohej me një sy qortues për familjen tonë komuniste. Hoxha e deshte shumë Halimin duke e përgatitur për ta bërë një hoxhë-mjek-praktik. Ishte ajo kohë kur Halimi kishte parë për herë të parë në Bulgarec Shpresa Caken, gruan e tij të ardhshme dhe ndjenja e dashurisë i vlonte në zemër. Për kushtet e fshatit dhe fanatizmin që mbizotëronte në atë kohë Halimi “takohej” me Shpresën vetëm nëpërmjet letrave, të cilat vazhduan edhe për katër vitet e tij në Tiranë. Lidhjen e tyre e bënte Selmani që ishte djali i tezes së Shpresës, po ashtu Halimi përdorte dhe Agimin, djalin tim, i cili u krijonte mundësinë që të takoheshin, kur vëllai vinte me lejë në Bulgarec.
Shkollën në Tiranë Halimi e përfundoi shumë mirë në vitin 1964 dhe e emëruan nëndrejtor shkolle në Barakat e Zvarishtit, ku punoi deri në qershor të vitit 1968. Duhet thënë se në shtator të 1965 Halimi u martua me Shpresën. Disa nga vëllezërit e mi nuk e deshën këtë martesë dhe i dhanë Halimit një shqetësim të madh. Ata mendonin se dy kunata në një derë nuk ishte gjë e mirë, por kjo gjendje u kalua me durim. Në Krushovë Halimi ishte pranuar në parti. Për kontributin e tij të pakursyer ndaj partisë, Halimi u zgjodh dhe zv/sekretar partie për lokalitetin, konsumin dhe shkollën. Po ashtu ai u zgjodh dhe kryetar i B.P.SH për tërë zonën e Gorës. Vaskë Koli e propozoi për ta bërë sekretar i BPSH të rrethit, por Halimi nuk pranoi. Këtë gjë Halimi nuk e pranoi pasi kishte frikë se i dilte që kishte një kunat (vëllanë e gruas) të arratisur.
Ardhja në Bulgarec qe një rastësi pasi në Tiranë ai u njoh me Nezhdet Meron që ishte shef i Inspektoriatit te Arsimit dhe flinin në të njëjtin dhomë në hotel dhe hanin bashkë. Halimi i kishte thënë që ta ndihmonte të transferohej në fshatin Bulgarec dhe ai e mbajti fjalën. Kur u bënë organikat e reja në fillim të vitit të ri shkollor ai e transferoi Halimin në Bulgarec, mësues matematike në tetëvjeçare.
Edhe në Bulgarec Halimi pati suksese. Ai u zgjodh Kryetar i BPSH të fshatit, sekretar Partie i shkollës tetëvjeçare, drejtor i shkollës bujqësore, natën. Halimi në fshat pati një karrierë të shpejtë dhe u bë kështu i fuqishëm, pasi pati dhe mbështetjen e kuadrove si Todo Rizës, Vjosa Beçkës, Njazi Shahollarit, etj. Halimi na propozoi, mua dhe Ramizit, që të zinim nga një post në fshat, mua më tha të bëhem kryetar këshilli dhe Ramizit i tha të bëhej përgjegjës sektori, por që ne të bëheshim ashtu siç deshte Halimi, duhej që të aktivizoheshim shumë në punët e fshatit dhe Ramizit i duhej që të përfundonte natën edhe shkollën e mesme bujqësore. Unë kisha një punë shteti dhe iu shmanga ndërsa Ramizi nuk shkoi dot në shkollë dhe kështu dëshirat e vëllait tonë të vogël u shuan. Halimi deshte krahë dhe mbështetje. Pas kësaj u ndie i vetmuar dhe dalëngadalë ambicjet e të tjerëve e detyruan që të tërhiqej edhe ai nga beteja për të kapur majat e pushtetit në fshat e më gjërë.
*Kristaq Cepa ka pasë shkruajtur në revisten "Bota e Re" me pseudonimin Kapa poezi satirike therëse.
Halimi ka punuar me përkushtim në fshat. Atë e gjeje në arat, në stallat, nëpër familjet e nxënësve problematikë dhe në shkollë sigurisht. Ditën e natën. Halimi është sjellë me të gjithë vëllezërit e tij në mënyrë shembullore, sidomos me Beqon, që e konsideronte në vendin e babait dhe me nënën, të cilën e shikonte çdo ditë pasi ajo, kur u ndamë, jetonte me Bajramin pasi ai kishte shumë fëmijë dhe ajo deshte ta ndihmonte. Me gruan ai ka shkuar tërë kohës në mënyrë shembullore. Shpresa qëlloi një grua e dashur dhe punëtore, veçanërisht me mua ajo ka qenë shumë e dashur, por edhe unë e kam dashur si çupat e mia.
Vonë, pasi ne u zgjeruam shumë, u ndamë në familje më vete, na hyri disi sherri dhe një farë xhelozie që s’ishte parë më parë.
"Pas vitit 1990 kur Shqipëria po liberalizohej dhe ekonomia po fillonte të privatizohej, Halimi u lehtësua shumë nga punët e rënda shoqërore, të cilat i hanin një kohë të gjatë dhe e lodhnin shumë. Në fillim koperativa filloi të shpërndajë lopët dhe më pas tokat dhe tërë pasurinë e kooperativës, nga e cila neve nuk na u dha asnjë majë gjilpëre! Nëna ime kishte pashaportizimin në Bulgarec, por anëtarët e komisionit e panë të udhës të mos i jepnin asgjë. Kryetar komisioni ishte Abedin Cake, nipi i Pëllumbeshës dhe Shpresës. Po ashtu Besim Bacelli ishte anëtar i komisionit.
Halimi doli në pension në vitin 1991. Halimi, pasi u sistemua ne Korçë në vitet ’90, filloi të aktivizohet me një shoqatë e quajtur “Gora” për të mbledhur të gjithë gorarët në këtë organizatë dhe sigurisht për të bërë diçka në ndihmë të kësaj krahine shumë luftarake dhe patriotike, lënë në mëshirë të fatit nga çdo regjim. Kryetar i kësaj organizate, për tërë gorarët e Shqipërisë, ishte Bajram Tresova, i cili propozoi që kryesia e shoqatës “Gora” në Korçë të kishte këta drejtues, kryetar Selami Krekën, n/kryetar Halim Bacellin dhe sekretar Latif Çuçllari. Pas votimit ata morën detyrat. Një nga më punëtorët e kësaj shoqate që ka ofruar ndihmë në para ka qenë mjeku Ahmet Hoxhallari. Ndërsa mjeku tjetër, Syrja Jahollari na ka dhënë ndihmë duke ofruar lokale për mbledhje dhe aktivitete.
Halimi në kohën e demokracisë ka disa prona toke në Bulgarec ku ka ndërtuar dhe një stacion gazi dhe jeton në një gjëndje ekonomike të mirë.
Tani Halimi dhe Shpresa jetojnë në Amerikë dhe në Shqipëri pasi bënë bashkimin me çupën e tyre, Entela. I shoqi i Entelës, Musai është një njeri jashtëzakonisht i mirë.” (Shënimi i Agim Bacellit)
Dekorimet e Halimit
Dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 6121 data 26/1/1980
I jep Halim Bacellit medaljen e “Naim Frashërit” me motivacionin: ka punuar me frymë revolucionare dhe është dalluar në plotësimin dhe tejkalimin e detyrave në sektorin e arsimit duke u bërë shembull për të tjerët.
Kryetari i Kuvendit Popullor,
Haxhi Lleshi
Dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr.7052 data 18/7/1986
I jep Halim Telha Bacellit medaljen”Naim Frashëri, Klasi i Parë” për arritje të mira në proçesin mësim-edukim dhe për zbatimin e metodave të reja pedagogjike.
Kryetari Ramiz Aliaj
Sekretari Nehat Tozaj
Halimi ishte pika më e dobët e babait, por sidomos e nënës, e cila i kishte vënë emrin e të atit. I përkëdhelur tej mase jo vetëm nga prindërit, por edhe nga ne vëllezërit më të mëdhenj, Halimit i dukej vetja i pari i shtëpisë! Këtë gjë s’e duronte dot Bajrami, i cili ëndërronte të kishte një vartës...
Halimi u rrit me shumë dashuri dhe pati shumë dashuri për të gjithë neve. Na dëgjonte dhe bindej për çdo gjë që t’i thoshim. Unë e kam dashur shumë. Dëshira e tij ishte shkolla dhe librat. Halimi punoi si mësues dhe zv/drejtor shkolle, derisa doli në pension.
Këta ishin nga dega e Telhait. Tani le të vazhdojmë degët e tjera.
*****
Satliko
Hallua e madhe e çupa e gjysh Beqirit, e martuar në Senisht me Ali Senishtin (Tahirllari) në vitin 1872. Grua shumë e urtë, punëtore, mikpritëse, përpunonte si askush bulmetin. Në Senisht e deshën pasi ajo të bënte për vete dhe e mbanin si vajzë që vinte nga një derë e madhe. Satlikoja me Aliun lindi tre djem; Xhezar Senishtin (1975-1964), Qamilin (1878-1943), Mustafain dhe Muçon, (1881-1975).
Xiko
Ishte hallua ime e dytë, e martuar në Krushovë me Hajçe Fidanin, të cilët patën dy djem, Dervishin dhe Manin, ky i fundit u vra nga ballistët tek ura e Turhanit dhe sot është Dëshmor i Kombit. Mani la një djalë, Nuri Fidanin, ndërsa Dervishi ka lënë dy djem dhe katër çupa; Dalipin, Servetin, Myslimen, Lirine, Xikon dhe Beçen.
Gjyle
Është hallua e tretë, e cila u martua në Porodinë me Kasëm Baçellarin, e cila pati këta fëmije; Sadiken martuar në Porodinë me Islam Pashollarin,Veselin,Tekiun, Saliun, në Australi, Xhezikon të martuar në Vashtëmi me Jasharin, Fatimen e martuar në Pojan me Rexhep Kelon, të cilët kanë lënë këta fëmijë, Selmanin, Myzejenin dhe Serverin.
Hatixhe
Hallua e katërt, që u martua në Zvarisht me Brahim Agollin, të cilët patën këta fëmijë: Bidon, Veizin, Refikon në Grybec, Zirkën në Gjyras, dhe dy çupa martuar në Tresovë. Veizi shkoi në Amerikë dhe atje humbi.
Tahiri
(1887-1970)
Tahiri (xhaxhai im) rrojti dhe vdiq në Krushovë. Lindi në vitin 1887 dhe vdiq në vitin 1970. Ai la këta femijë; Bezatin, i cili është gjallë në Voskopojë (vdiq në vitin 1996, shënimi –Agim Bacelli) i martuar me Selimen dhe kanë këta fëmijë; Aliun, Vaitin në Voskopojë, Filin në Bulgarec, (në Amerikë. A.B.), Barizen në Yzberisht, Petritin në Voskopojë, Trëndafilen në Bulgarec dhe Salushen në (Melçan) Korçë. Po ashtu ai kishte edhe Yzeirin, i cili u vra nga gjermanët teksa po nxirte bagëtinë nga fshati dhe kur pa gjermanët vrapoi të lajmëronte fshatin. (Yzeiri ishte djali i vogël i Tahirit) Djali i dytë quhet Naim. Ai është i vetmi banor i Krushovës sot, nga i gjithë fisi i Bacellinjve. (Në fakt, Krushova s’ka më asnjë shtëpi tjetër përveç shtëpisë së Naim Bacellit dhe është kthyer në një gërmadhë të vërtetë. Unë e kam vizituar për herë të fundit në tetor 2009, (shënimi im –Agim Bacelli) Naimi u martua me Sofijen nga një familje e madhe dhe e mirë nga Këmbëthekri. Ajo vdiq në vitin 2008 në Korçë tek djemtë e saj. Sofia ka qenë një zonjë grua, ashtu siç thotë dhe vëllai im Halimi, e mirë, e qeshur dhe shumë e pritur. Të shkoje në shtëpinë e saj, kurrë nuk dilje pa ngrënë dhe pa pirë diçka, por ajo që ka më shumë rëndësi është se, në shtëpinë e saj miku është ndjerë fare i lirë dhe i qeshur. Fisnikëria e njeriut dhe fisit në mikpritje duket. Ata kanë këta fëmijë: Nexhipin, kryetar komune në Voskopojë, gruaja e tij quhet Shpresa dhe ajo është nga Lekasi. Ata kanë dy djem. Agroni është djali i dytë i Naimit dhe banon në Tiranë, i martuar me Merjemen nga Krushova, çupë e Rushan Bebrit. Këta kanë tre djem. Djali tjetër i Naimit quhet Besnik dhe ka grua Valentinan nga Stërkanji i Pogradecit. Kastrioti është djali i vogël i Naimit i martuar me Elonën nga Krushova, e bija e Nuri Bezhanit dhe kanë dy djem. Natasha është e vetmja çupë e Naim Bacellit. Natasha është martuar në Maliq (Strelcë) të Korçës me Ylli Gurabardhin.
Naimi ka lindur ne vitin 1928 dhe është vërsnik me tim vëlla, Ramizin. Unë jam vërsnik me vëllanë e madh të Namit, me Bezatin. Kush është Naim Bacelli? Naimi ka punuar tërë jetën rojtar pyjesh duke trashëguar zanatin e babait tim, Telhait. Naimi ka qenë një ndër rojtarët që ka patur emër të mirë për ruajtjen e vlerave drusore në zonën e Voskopojës dhe në Gorë. Ai gjatë tërë jetës, ashtu siç e mbaj mend, ka qenë një njeri shembullor përsa i përket sjelljeve dhe ndershmërisë. I qetë, i shtruar në bisedë dhe i ëmbël me të gjithë. Tolerant me mikun, por edhe me armikun, të cilin e ka bërë mik. Ne kemi shkuar shumë bashkë.
Krushova
Krushovë. Ky emër nuk është shqiptar. Emri para 200 vjetësh do të ketë qenë Shipckë dhe pas djegies së parë të Voskopojës së bashku me Shipckën, i ngeli emri Shëndelli (Shënt Dielli) sipas lagjes së vjetër me këtë emër. Më pas është quajtur Pishaj i cili emër, u ligjërua edhe nga Mbreti Zog. Por mund të jetë thirrur më parë edhe Sheshi i Madh ose Kroi i Madh sipas dy lagjeve që ka sot.
Në këtë fshat, që është shtrirë në luginën e një përroi që e ndan fshatin në mes dhe përfund tij kalon Lumi i Voskopojës, ku unë u linda dhe u rrita. Ky fshat me tradita patriotike e liridashëse më burrëroi e më bëri luftëtar.
Pllaja ku shtrihet fshati është në lartësinë e mbi 1480 m dhe me një pjerrësi që vende-vende shkon deri në 60 gradë.
Krushova kufizohet me këto fshatra; në jug-lindje me Shipckën, në jug me Voskopojën, në jug-perëndim me Punëmiren dhe Osojën, në veri-perëndim me Gjinikasin, Lozhanin dhe Zvarishtin, në veri me Dolanin dhe Senishtin, në veri-lindje me Gjyrasin. Fshatin e ndan një përrua në dy lagje. Sipër fshatit gjenden vende të sheshta e me luadhe e lëndina të bukura, të ndara me brezare natyrore. Rreth e rrotull ka shumë pyje me shumë lloj drurësh si ahu, dushku, lisi e boriga ose pisha e zezë. Siç e thashë më lartë, përposh fshatit shkon lumi i Voskopojës që është një lumë i qetë dhe jo shumë i thellë.
Nga bimët e arave që rriten në Krushovë janë këto: gruri, thekra, urofi, patatja dhe një lloj misri shumë i mirë që ne e quajmë shëngjin dhe që po zhduket. Nga drufrutorët që rriten janë: dardhat por më shumë bëhen gorricat, një lloj dardhe e egerr, koker vogël dhe shumë e shijshme, kumbullat e egra, arrat, qershitë belica, vadhët dhe mollçinkat (një lloj molle e egerr, koker vogël, që rron shumë gjatë.)
Bagëtia është e shumtë dhe e shumëllojshme, por mbi të gjitha ka më shumë dhen.
Të gjithë banorët e fshatit janë blegtorë dhe gjahtarë shumë të zot. Pasioni im më i preferuar është gjuetia dhe kam mbajtur një arsenal me armë gjahu; çifte, teke, pushkë (belxhik) për derra, revole dhe disa thika gjuetie shumë të mira.
Gërmadha të shumta ka përreth fshatit, gjë që tregon qartë se Voskopoja nuk qe e vetmja që u dogj e shkatërrua. Gjurmët e ndërtimeve tregojnë që edhe në këtë fshat si në Voskopojë, ka patur shumë kisha si ajo e Shënkollit dhe e Shëndëllisë dhe se qytetërimi ka qenë i hershëm.
Fshati ka shumë burime ujore dhe në dy-tre shtëpi ka një krua me ujë të ftohtë. Njerëzit janë të shëndetshëm dhe faqekuq. Të gjithë kur bisedojnë flasin me zë të lartë, karakteristikë e tërë zonës së Gorës (Divës). Krushovarët janë trima si tërë malësorët dhe shumë bujarë, gjë që i bën të kenë shumë miq dhe të jenë simpatikë në shoqëri.
Të parët që erdhën në këtë fshat nuk dihen, pasi të gjithë fshatarët e Krushovës, ashtu si edhe një pjesë e madhe e voskopojarëve dhe të shipckarëve, pas djegies së fshatrave nga turku, greku dhe bandat shqiptare, shkuan në zonën e Elbasanit dhe sidomos në Shpat dhe Gjinar. Nga të ardhurit e rinj të parë, pas shkatërrimit të Krushovës, jemi ne Bacellinjtë me në krye dy vëllezërit paraardhës që erdhën nga Zvirina, për të cilët folëm më sipër.
Bacellinjtë u shtuan shumë, por edhe nga këta kanë ikur prej Krushove, shumica u vendosën në Voskopojë, rreth dhjetë familje, në Tiranë gjashtë familje, dy në Korçë, në Vashtëmi gjashtë familje, në Bulgarec dymbëdhjetë familje, në Vloçisht 4 familje, në Pocestë një familje, në Lushnjë një familje.
Një pjesë e madhe e këtyre familjeve mbajnë akoma mbiemrin e origjinës Bacelli, por ka edhe nga ata që e kanë ndryshuar si psh, në Bulgarec dy familje e mbajnë mbiemrin Agolli, dy familje quhen Krushova, dy familje Guga dhe gjashtë Bacelli. Në Vashtëmi që të gjashtë familjet e Bacellinjve e kanë ndërruar mbiemrin në Malësia, në Voskopojë janë akoma Bacellinj, në Tiranë po ashtu quhen Bacellinj, Vloçisht akoma janë Bacellinj, në Lushnje po Bacelli dhe në Pocestë janë me mbiemrin Agolli pasi i pari Bacelli hyri dhëndërr brenda.
Nga anët tona jo vetëm burrat kanë qenë luftëtarë, por edhe gratë. Më kujtohet nëna ime, Sanije (Bashllari) Bacelli, e cila mbante një nagant dhjetësh austriake në brez; kur i vdiq burri u bë nënë e babë për ne shtatë djemtë e saj jetimë.
Në Krushovë në mëngjes dielli puth Sheshin e Madh dhe tërë fshati ndrit e qesh. S’kalojnë veçse pak orë dhe dielli i paduruar në puthje e puth përsëri horizontin, ndërkohë Mali i Voskopojës dhe Ostrovica skuqen e bëhen prush nga zjarrmia e puthjes dhe Krushovën e mbulon nata.
Malet e larta plotë me boriga, pisha dhe ahe, me një faunë e florë të pasur përfundojnë me maja lisi. Krushova e vendosur në një pllajë, mbi njëmijë e katërqind metra, shikon nga Perëndimi. Përballë i qëndron madhështor Ostrovica dhe në shpinë, si një mantel gri në të gjelbër, që e mbron nga erërat e Veriut dhe Lindjes, qëndron maja e Sheshit të Madh. Nganjëherë shpejtësia e erës në luginën e Përroit të Krushovës i kalon 100 kilometra në orë. Retë e dendura formohen dhe zhduken në moment. Degët e ndërthurura të drurëve dhe bari i gjatë bashkë me kaçubet e shkurret janë pjesë e pandar e këtij peisazhi sa të bukur aq dhe kërcënues.
Fshati ndahet në dy lagje nga një përrua. Në zonat veriore, peisazhi është i mbuluar me gurë të thyer të ngrirë. Bimët duhet të jenë të forta për të mbijetuar në këtë mjedis. Megjithatë sistemi ekologjik këtu është shumë delikat. Në këtë lartësi, pranvera zgjat vetëm disa javë dhe sezoni i prodhimit 40 ditë. Shtigjet malore fillojnë mbi majat e pemëve dhe një ecje e shkurtër të çon drejt pamjeve piktoreske. Në agim të ditës dhe në perëndimin e saj, sorkadhet dalin për të kullotur në shpatet me bar dhe shkurre. Lëndinat kanë një aromë të veçantë në pranverë dhe verë. Nuk ngopesh dot nga kënaqësia e erëmirës. Këtu rriten shumë mirë gruri i vendit, thekra, urofi, patatja, misri i ëmbël Shëngjin, etj. Nga pemët frutorë rriten më shumë gorricat, dardhat, arrat, qershitë, manazezat, vadhët, kallanjat (e mira në greqisht - një dardhë shumë e shijshme) etj. Bagëtia është e shumëllojshme sidomos dhentë. Moti këtu mund të ndryshojë shpejt e dramatikisht. Në dimër nën një mantel dëbore, peisazhi kthehet në një mjedis magjepsës. Ndërsa arinjtë dhe ujqit strehohen në guvat e tyre nën dhe, forma të tjera jete gjallojnë. Në dimër njerëzit marrin pjesë në aktivitete të shumta në natyrë, një pjesë e tyre shkasin në dëborë, edhe pse të gjitha këto mbartin njëfarë rreziku. Një pjesë tjetër shkojnë për gjah e një pjesë tjetër mbarështojnë kafshët dhe kujdesen për të miturit. Jeta bujqësore dhe blegtorale ka vdekur për rreth 6-7 muaj.
Fshati Krushovë është me origjinë te lashtë. Aty duhet të kenë banuar njerëz prej disa shekujsh më parë, para sundimit Osman. Deri tani nuk janë gjetur shkrime apo dokumente të ndryshme që të hedhin dritë mbi këtë çështje. Për të krijuar një ide mbi lashtësinë e fshatit, na kanë shërbyer gojëdhënat e mbledhura nga pleqtë e fshatrave për rreth, gojëdhëna që kanë kaluar nga njëri brez tek tjetri e që kanë arritur deri në ditët tona. Teza jonë për lashtësinë e fshatit gjen mbështetje sidomos në ndërtimet e vjetra, siç janë ato të dy kishave, themelet e të cilave ekzistojnë akoma edhe sot. Njëra prej tyre ka qenë e ndërtuar brenda në fshatin e atëhershëm, që sot gjendet në perëndim, pikërisht në dalje të fshatit, në rrugën që shkon për në Zvarisht dhe tjetra, tek vendi i quajtur sot "Arra e Kuqe" që gjendet në jug të fshatit. Vendi përreth të dy kishave edhe sot quhet "Katundi i Vjetër". Aty gjenden gjurmët e rrënojave të një fshati të vërtetë, ndërtuar i tëri me gurë të bardhë dhe të latuar. Në afërsi të kishës së jugut, janë varrezat ortodokse të fshatit dhe përreth varrezave kanë qenë mbjellë shumë plepa, dy plepa janë akoma në këmbë dhe ekspertët kanë përcaktuar se ata janë të moshës mbi 300 vjet. Nga kjo ne mendojmë se ardhja e myslimanëve në këtë fshat (ose kthimi i fshatarëve orthodoksë në myslimanë) ka ndodhur jo më larg se 200 vjet. (Kjo është koha më e largët që mendohet nga ne se fillon me ardhjen e Bacellinjve). Që nga kohët e vjetra në këtë fshat janë bërë punime për të sjellë ujin e pijshëm, të cilin e kanë marrë nga dy drejtime; njëri punim është bërë për të sjellë ujë që nga vendi i quajtur "Kroi i Bardhë" dhe që vjen deri tek oborri i kishës së jugut dhe tjetri është marrë nga vendi i quajtur "Guri i Madh" dhe kanali i tij vjen deri tek ish shkolla e fshatit. Në të dy rastet ekzistojnë tubacionet prej balte të pjekura mirë që janë edhe sot, por sigurisht të thyera nga koha dhe punimet e reja. Kjo na tregon se fshati do të ketë qenë me kushte të përshtatshme për jetë normale dhe fshatarët kanë qenë të zot e punëtorë të mirë. Sipas gojdhënave të pleqve, mendohet se myslimanët nuk janë vendasit e konvertuar në myslimanë, por janë ardhacakë nga vende të tjera, siç jemi dhe ne Bacellinjtë. Kështu thuhet se Fidanet kanë erdhur nga Moglica, Bezhanët nga Dërsniku dhe nga Bezhani i Kolonjës. (Bacellët janë me origjinë nga fshati Molla e Kuqe e Selanikut të Greqisë të vendosur në Zvirinë, në Fushën e Korçës dhe më pas kanë ardhur në Krushovë si blegtorë dhe si mullixhinj.) Zerellarët kanë ardhur nga Mokra, Danellarët nga Protopapa dhe Bebrit nga Rehova e Korçës. Largimi i ortodoksëve dhe ardhja e myslimanëve në këtë fshat tregon se shqiptarët kanë lëvizur shumë për të gjetur kushte më të mira jetese, por edhe nga shtegëtimi i shqiptarëve ortodoksë nën regjimin antikristian turk. Kjo është pjesërisht e vërtetë, pasi lëvizje do të ketë patur patjetër, por një ikje masive e të gjithë fshatit ndodh vetëm në raste të një fatkeqësie të madhe, siç ka qenë djegia dhe shkatërrimi i Voskopojës për herë të parë, Shipskës dhe pse jo dhe i Krushovës.
Pasi erdhën në këtë fshat, myslimanët me shumë vështirësi i kanë bërë ballë jetës për vetë kushtet e këqia të asaj kohe dhe nga që Turqia i shfrytëzonte dhe shtypte barbarisht. Duke u vendosur në këtë fshat, në thellësi të maleve, të parët tanë kanë menduar t’u shpëtojnë disi detyrimeve skllavëruese të pushtuesve, por faktet tregojnë që ata nuk kanë shpëtuar nga taksat tejet të rënda dhe nga më e keqja më e madhe që burrat e Krushovës zgjidheshin nizamë e dërgoheshin në Anadoll, Jemen etj. ku ata shërbenin në një periudhë prej 6-7 vjetësh. Disa prej tyre nuk u kthyen kurrë në vatan. Disa nga ata që lanë kokën në dhe të huaj, sipas gojëdhënave, janë Tako Metro, Sali Ymeri, Jonus Sinan Bezhani, Demo (Adem) Bacelli, Bare Zguro, etj. Por edhe ata që ktheheshin gjallë vinin të plakur dhe të raskapitur, duke gjetur një shtëpi akoma më të shkatërruar dhe një ekonomi që mezi përballonte jetën e tyre.
Rreth viteve 1850-1860, Krushova ka patur vetëm 15 shtëpi dhe sipas tregimit në vitin 1941 të plakës 105-vjeçare, Shaniko Malësia (ish Bacelli) e shpërngulur në Vashtëmi të Korçës, çdo shtëpi ka patur nga 4 deri 6 vetë, pra del se në atë kohë i tërë fshati mund të këtë patur vetëm 75-80 frymë. Në krye të çdo familje qëndronte një plak që drejtonte familjen. Familjet kanë qenë në unitet të brendshëm. Rregulli e thoshte që më të vegjëlit duhet t’u bindeshin më të mëdhenjve pa hezitim dhe pa diskutuar nëse kishin të drejtë. Midis familjeve të fshatit ka patur marrëdhënie shumë të mira, gjë që vinte nga dashuria e respekti për njëri-tjetrin në halle e vështirësi, por sidomos nga respekti për pleqtë. Vetëm respekti për pleqtë e mban gjallë dhe në unitet të shëndoshë dhe të fortë një familje. Ky fshat nuk ka patur shkollë, shkollë për fëmijët ka qenë plaku i shtëpisë, që u tregonte gojëdhënat e të parëve dhe kështu rriteshin fshatarët duke marrë histori që u rritnin dashurinë për njerëzit, për fshatin, për vatanin dhe për Perëndinë. Kjo lloj tradite ka vazhduar deri në ditët tona kur, me ardhjen e liberalizimit të komunizmit dhe pluralizmit demokratik, fshati Krushovë u shkatërrua pothuajse fare. Sot atje banon vetëm një familje, ajo e Naim Bacellit dhe vetëm dy nga katër djemtë e tij.
Për të treguar se si jetohej nën pushtimin turk duhen thënë disa fjalë për pronësinë dhe të drejtën mbi të. Çdo familje krushovare kishte ngastrën e tokës që e punonte me pjesëtarët e vet. Ngastrat që u ndodhën në duart e fshatarëve të krishterë, u quajtën si dhe më parë bashtina, kurse ato që ishin në përdorim të fshatarëve myslimanë u quajtën çifligje (çift-një palë qe). Meqenëse bashtinat dhe çifligjet ishin tokë feudale, dmth turke, fshatari gëzonte mbi to vetëm të drejtën që ta punonte dhe ta shfrytëzonte kundrejt detyrimeve që duhej të jepte. Fshatari gëzonte disa të drejta të kufizuara, ai nuk mund të dëbohej nga toka prej spahiut, po qe se e punonte dhe paguante detyrimet. Gjithashtu fshatari raja mund t’ia shiste të drejtën e përdorimit të bashtinës pa e copëtuar atë, një fshatari tjetër, por vetëm me lejen e spahiut, të cilit me këtë rast, blerësi duhej t’i paguante taksën e tapisë (resmi tapu). Kur fshatari nuk paguante rregullisht detyrimet e caktuara ose kur e linte tokën pa punuar më tepër se tre vjet, spahiu kishte të drejtë t’ia merrte tokën dhe t’ia jepte një tjetri, duke i marrë këtij taksën e tapisë.
Duhet përmendur që çifligje krijoi edhe feja e cila u bë dhe ajo një shtypëse e rëndë e fshatarësisë. Kështu psh në fushën e Korçës teqetë kishin tërë tokat në fshatrat Melçan, Dvoran, Turan, Qatrom, Plasë etj. Me kalimin e kohës edhe kisha ortodokse i zgjeroi pronat e saj tokësore. Në fushën e Korçës kishte disa kisha e manastire, pronarë të mëdhenj tokash, si mitropolia e Korçës, e cila në fillim të shek. XIX kishte të ardhura vjetore 100.000 groshë, dy manastiret e Boboshticës, kisha e Ristozit dhe manastiri i Shën Ilisë në Mborje, si edhe manastiri i Shën Pjetrit në Vithkuq. Manastiri i Shën Naumit, buzë liqenit të Ohrit me të ardhurat nga toka mbante 60 murgj. Voskopoja kaloi e tëra nën Pushtetin Kishtar Orthodoks. Në ato kushte as që mund të mendohet se fshati ka qenë i zhvilluar dhe lulëzuar. Blegtoria dhe bujqësia mbaheshin me vështirësi shumë të madhe. Kështu që shtypja do të sillte dhe reagimin kundër shtypjes.
Në njëzet vjetët e fundit të shekullit të XIX, si në tërë Shqipërinë, filloi lëvizja për pavarësinë e vendit. Edhe fshati ynë krijoi çetën e vet në luftë kundër Turqisë, e cila iu bashkua asaj të Shahin Matrakut dhe më vonë asaj të Kajo Babjenit. Të dy këto çeta kanë patur bazë edhe në fshatin Krushovë, pasi Pasho Krushova ishte një nga anëtarët më aktivë të këtyre çetave. Thuhet se Shahini ka patur baza edhe në Voskopojë dhe në Punëmirë. Kur qe gjallë Thanas Punëmira, na tregonte se kur turqit vinin dhe na rrethonin fshatin sepse kishin marrë të dhëna që Shahini ishte në fshat, ne e nxirrnim Shahin Matrakun nga një dritare që binte sipër "Shkëmbit të Thepisur", i cili nuk dukej nga asnjë pozicion i fshatit. Turqit e zemëruar largoheshin duke menduar se kishin marrë një informacion të gabuar. Po ashtu na tregon edhe Dalip Malësia (Bacelli) i cila ka qenë anëtari më i vogël i çetës së Shahin Matrakut, se kur ai ishte një herë me Zalo Bashllarin në Zvarisht tek Shahin Matraku, u rrethuan nga turqit, por ata luftuan si burra dhe jo vetëm që shpëtuan gjallë të gjithë, por edhe vranë dy turq dhe turqit e tjerë që ngelën gjallë ua mbathën këmbëve nga Zvarishti. Po kështu ka ndodhur edhe në Krushovë, në fshatin tonë, ne i kemi thyer turqit dhe e kemi shpëtuar Shahin Matrakun sepse i tërë populli e deshte shpëtimin nga Turqia dhe e donin Shahin Matrakun se urrenin Turqinë dhe donin Shqipërinë. Për herë të parë, në fillim të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XX, filloi mësimi i gjuhës sonë në fshatin Krushovë. Të parët kanë qenë dhjetë djemtë e fshatit të moshave 20 deri 27 vjeç, që filluan të mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë shqip. Mësuesi i parë ka qenë Arif Kodra nga një fshat i Maliqit dhe më pas (1908-1920) babai ynë Telha Bacelli. Për shkollë kanë shërbyer shtëpitë e fshatarëve tanë; si ajo e Saitit, Muhametit dhe sidomos e Telhait. Mësimi bëhej fshehur. Kur turqit e morën vesh, behën befas dhe e arrestuan mësuesin patriot Arif Kodra dhe askush nuk mori vesh më se ç’u bë me atë njeri. Ndërsa Telhai iku në Amerikë dhe u kthye në 1912 kur Shqipëria fitoi pavarësinë. Saiti, Muhameti dhe dhjetë nxënësit e parë ikën nga fshati dhe rrinin fshehur nëpër miq. Turqit bënë raprezalje dhe kërcënime, derisa rrahën edhe Qerim Bacellin, vëllanë e Telhait. Mustafanë e kërcënuan se do t’i digjnin shtëpinë. Po atë ditë Qerimi largohet nga fshati dhe turqit arrestuan vëllanë e tij Pashon dhe një fshatar tjetër, Litin. Po atë ditë u largua nga shtëpia së bashku me Qerimin edhe Nevruzi dhe ata iu bashkuan çetës së Kajo Babienit. Kur xhonturqit shpallën Hyrjetin, të gjithë të larguarit u kthyen në fshat. Turqia po propagandonte se Shqipëria do të kishte liri dhe se do të hapeshin shkollat shqipe. Natyrisht që kjo qe një manovër e turqve për të lehtësuar sadopak barrën e rëndë të luftimeve të shumta në Shqipëri dhe kudo që ata sundonin. Asgjë nuk erdhi nga premtimet e tyre derisa Shqipëria u shkëput nga Turqia në vitin 1912. Në dhjetor të vitit 1912, pas largimit të turqve nga Korça, ne ramë preh i grekëve, të cilët mezi e prisnin largimin e Turqisë nga Korça e Gjirokastra. Filluan aventurat e lakmive të vjetra greke për të ashtuquajturin Vorio-Epir. Pas një viti ata u larguan nën presionin e austro-hungarezëve dhe të Europës, por vitin tjetër ata erdhën përsëri. Këtë radhë çetat shqiptare qenë krijuar dhe forcuar, por s'mund t’i bënin ballë një ushtrie të rregullt kombëtare siç qe ajo greke. Megjithatë, çetat i dolën përpara ushtrisë greke dhe luftuan si burrat në kufirin e sapovendosur. Shumë burra nga Krushova të ndarë në dy grupe, morën pjesë së bashku me çetat e vendit; në zonën e Gramozit dolën të luftonin nën komandën e Pasho Bacellit këta fshatarë: Qerimi, Kodheli, Tahiri, Lamja, Dokoja, Ferko, Baze, etj. Dhe në anën tjetër, në malet e Pilkatit, dolën këta krushovarë: Muharrem Moglica, Temua, babai im, Ferrua, Dalipi, Seiti, Jonuzi, Taipi, Qerimi, Meti dhe Maliqi, të cilët iu bashkuan një çete të Moglicës.
Në ditën e parë të luftës, çetat shqiptare patën shumë sukses sepse grekët nuk e mendonin këtë sulm. Më pas çetat u thyen dhe u tërhoqën pasi nuk kishin as municion të mjaftueshëm. Nga fshati ynë nuk pati të vrarë, por vetëm dy të plagosur, Dalip Bacelli në dorë dhe Telha Bacelli në këmbë. Si rrjedhim grekët e morën Korçën dhe hynë deri në Maliq. Kjo kohë ka qenë aty nga fundi i shtatorit, kur fshatarët grumbullonin të lashtat. Në këto kushte të reja pushtimi, fshatarët tanë, për të ruajtur fshatin, kishin marrë masa për mbrojtjen tonë duke hapur disa transhe dhe duke vënë roje në vendin e quajtur Nikolli, deri tek Boriga e Osmanit, ku ishte i vetmi shteg për të hyrë në fshat. Brenda në fshat erdhi edhe çeta e Mokrës, e cila u bashkua me çetën e Gorës dhe të dy çetat u pozicionuan tek Sheshi i Madh, sipër fshatit. Grekët nuk vonuan të vinin duke patur me vete edhe disa fshatarë të Kozicës (Shën Kostandin) që bashkëpunonin me grekun dhe hynë në fillim në Shipckë e pastaj u varën poshtë për nga Krushova nëpërmjet rrugës që të shpie tek Saçi. Ata kishin marrë të gjitha të dhënat për dy çetat e pozicionuara në Krushovë.
Duke parë këtë gjendje, të gjithë burrat e fshatit qenë afruar tek çetat e Gorë-Oparit, me armët e tyre, gati për të luftuar përkrah vëllezërve komitë. Grekët, siç qe parashikuar, mbërritën në mëngjes herët. Filloi një luftë e tërbuar për jetë a vdekje. Lufta përfundoi afër mbrëmjes, kur fshatarëve po u mbarohej municioni dhe kur forca të shumta greke po u vinin në ndihmë ushtarëve që luftonin në Krushovë. Atëherë krushovarët, filluan tërheqjen, por duke u mbrojtur dhe pa panik e duke dërguar një lajmës në fshat që fshatarët të lagoheshin. Ata e dinin se grekët do të hakmerreshin ndaj familjeve të tyre, kështu që gjatë tërheqjes ata morën me vete edhe ndonjë nga familjarët që kishte ngelur në fshat dhe kështu u larguan. Kishin ngelur vetëm pak pleq dhe fëmijë. Në këtë përpjekje prej dhjetë orësh mbeti i plagosur rëndë Nevruz Bebri, i cili është larguar nga fronti duke u tërhequr zvarrë, pasi askush nuk e kishte parë.
Forcat greke hynë në fshat duke i vënë zjarrin pasi e plaçkitën dhe tërë fshati u dogj e shkatërrua. Ata pleq e fëmijë që u kapën, u vranë me sëpatë si Metush Bezhani, Bilal Bacelli me të birin e vetëm, Riza Bacellin. Po ashtu ata kapën e vranë edhe Qazim Bacellin. I gjithë fshati u largua në drejtim të fshatrave të tjerë të Gorës, në Opar, Mokër dhe disa ikën deri në Myzeqe. Kjo luftë, megjithëse e humbur, tregoi se krushovarët ishin patriotë dhe se ata kishin shpirtin e lirisë, të cilën e kërkonin me çdo kusht, edhe me gjakun e tyre. Këtu është edhe rëndësia më e madhe e kësaj beteje të pabarabartë. Rëndësia tjetër e kësaj beteje është edhe ajo që trimat që luftuan, u dhanë mundësi fshatarëve që të largohen nga fshati e të mos ndodhte siç kishte ndodhur gjetkë, ku grekët i kapnin fshatarët shqiptarë myslimanë dhe u prisnin kokat, si kishin bërë psh me Panaritin ku brenda një dite therën 384 panaritas. Nuk kishte kalur as dy vjet nga Pavarësia e Shqipërisë dhe vendi që bërë një shesh lufte, ku nuk merrej vesh se kush luftonte. Grekët mënjanë, italianët në anën tjetër, sërbët po ashtu, austro-hungarezët po luftonin me të gjithë, francezët deshën edhe ata pjesën e vet në Korçë! Shqiptarët e shkretë, të paorganizuar dhe pa ndihmën e vërtetë të askujt, luftonin me të gjithë. Grekët për ne korçarët ishin më të rrezikshëm pasi ata Korçën e konsideronin greke dhe e deshën pa shqiptarë myslimanë, për këtë ata ringjallën shërbimin e vjetër kriminal, në funksion të zbatimit të përpjekjeve të vjetra të “Megalidesë”. Ata filluan menjëherë nga veprimi i dispozitave të Protokollit famëkeq të Korfuzit të vitit 1914, i cili iu imponua popullit shqiptar me thikë në fyt nga ushtria greke, e cila për t’ia arritur këtij qëllimi atëherë dogji dhe shkretoi gjithë Shqipërinë e Jugut dhe veriun e Greqisë, ku kishte vetëm shqiptarë.
Kur Korçën e morën francezët, kushovarët filluan të riktheheshin në fshatin e tyre të shkatërruar, duke bërë nga një barakë sa për të futur kokën. Në fillim atyre u mungonin të gjitha, që nga buka e gojës, por me punë e durim ia arritën që të mbjellin, të blenë ndonjë bagëti dhe të fillonin kështu jetën e re plot halle e vështirësi. Krushova e bukur rifilloi jetën nga e para.
Fakte gjeografike nga Krushova Emri Krushovë (Shën Koll ose Mesmal) Gjërësia Gjeografike: 40.6763889 Gjatësia Gjeografike: 20.5666667 Popullsia: 9 banorë Lartësia mbi nivelin e detit: 1480 m Ora: Njëlloj si në Tiranë Lindja e Diellit: E shtunë 28 Nëntor 2009 – 06:39:00 Perëndimi i Diellit: E shtunë 28 Nëntor 2009 – 16:12:00 Koha me Diell 4 deri 8 orë në ditë Shikimi Drejt Perëndimit
Regjimi i Zogut
Kështu e gjeti Krushovën regjimi i Zogut, i cili nuk bëri asgjë për ta lehtësuar dhimbjen e tyre, përveçse krijoi njëfarë mundësie për emigrim nëpërmjet një marrëveshjeje me Italinë. Taksat e shumta që vuri regjimi i Zogut, e lanë popullin e Krushovës shumë të varfër. Vështirësive të natyrës iu shtua dhe shtypja e shfrytëzimi i shtetit. Krushovarët paguanin: xhelepin, vergjitë, të dhjetat etj. Për të paguar tërë këto taksa fshatarit i duhej që pjesën më të madhe të prodhimeve, t’i shiste në treg, paçka se i ngelej pak ose aspak për veten e vet. Krushovari i shkretë mezi arrinte që me tokën e tij të prodhonte drithë për bukë vetëm për tre-katër muaj të vitit. Kur prodhimi bëhej i mbarë, ai arrinte të siguronte bukë për familjen e tij deri në 6 - 7 muaj.
Në muajt e tjerë ata bëheshin argatë të fusharakëve të Korçës ose shkonin në krahina të tjera për të bërë lëndë druri e duke u bërë kështu sharrëxhinj që të siguronin familjen me bukë. Kishte familje të dobëta që s’kishin më shumë se një krah pune dhe toka u ngelej djerrë, pasi i zoti i shtëpisë bridhte sa andej-këndej për të bërë punë hamallëkshe e për të siguruar bukën për tërë vitin. Edhe në këtë rast kur toka nuk punohej, shteti merrte taksat njëlloj si për tokën e punueshme. Xhandari rrinte tek dera e çdo fshatari që s'paguante takasat e shumta dhe kur taksidari s'merrte dot gjë, hynte xhandari e konfiskonte ç'të gjente me dhunë.
Një rast tipik që ne s’mund ta harrojmë ishte ai i dy fshatarëve tanë; Hasan Metushi dhe A.Selimi, të cilët pasi nuk mund të paguanin dot taksat dhe s’kishin asgjë në shtëpitë e tyre për t’ua marrë, xhandari i mori në Voskopojë. Siç na ka treguar më vonë vetë Hasani, në xhandarmërinë e Voskopojës ata u rrahën nga postkomandanti Bajram Gega dhe nga xhandari Zalo Grybeci. Kur u kthyen në fshat së bashku me një nga Panariti, Bido Kopaçja, ata tregonin të lemerisur, sikur të kishin qenë në një postkomandë turke apo greke. Kështu që në fshatin Krushovë kishte filluar të rritej urrejtja edhe për Mbretin Zog. Edhe për ne Bacellinjtë situata qe pak a shumë e rëndë. Na duhej të punonim tokën kur tërë jetën qemë marrë me mullinj dhe gjah. Kjo s’ishte e lehtë. Deri në vitin 1938 fshati kishte arritur të kishte vetëm 40 shtëpi me 300 frymë. Jeta e tyre nuk kishte ndryshuar aspak nga e kaluara. Të gjitha shtëpitë ishin pa tavan dhe me dritare pa xhama, atje ku nuk kishte kandila për dritë, përdornin pishtarë që nxinin gjithçka. I vetmi ndryshim nga disa zona të tjera të Shqipërisë ishte se krushovarët si shumica e korçarëve, nuk i mbanin kafshët në shtëpi dhe nuk përdorin rrogoza për shtroje, por rrobe si qilima, vurca, poste, etj. dhe mbuloheshin po me rroba, jorganë ose guna dhe mbulesa të tjera të bëra vetë në vegjë. Nuk përdornin kërcunj në vend të jastëkut, por jastëkë të mbushur me lesh deleje ose me kashtë të regjur.
Një e metë e madhe qe se në fshat mungonte shkolla. Disa nga fshatarët shkonin në Voskopojë për të bërë 5 klasë fillore. Rreth 90% e fshatarëve qenë analfabetë. Unë shkollën pesëvjeçare e bëra në Porodinë, dy vjet, tek hallo Gjylja dhe në Voskopojë, tre vjetët e tjerë. Si dhe dy vjet në Liceun Francez të Korçës. Kështu e gjeti Krushovën edhe pushtimi fashist i Italisë më 7 Prill 1939. Mbreti iku në Greqi e më pas në Egjipt, Angli dhe Francë ku vdiq.
Ushtarët grekë në Krushovë
Ndryshe nga andartët e parë grekë që therën, vranë e plaçkitën fshatin, ushtarët grekë të Luftës së Dytë Botërore (kur u thye Italia) ishin fakir fukarenj. Gjynahqarë. Ata si ca ketra hanin misër pa pjekur se kishin ngelur pa bukë. Fshati im i mbajti mirë, u dha bukë e shtroje në dhoma të ngrohta. I trajtoi si miq e jo si armiq ata që na kishin vrarë dhe djegur para 30 vjetësh. Mbaj mend që xhaxha Qerimi u dha urdhër tërë Bacellinjve që të mbanin 60 grekë me bukë dhe ushqim për sa të kishin nevojë, brenda shtëpive tona. Ata u sollën shumë mirë dhe u vëllazëruan me ne. Unë u njoha më një grek, të quajtur Jorgo. Ai ishte vëllai i shtatë, njëlloj si unë. Me Jorgon unë fillova të kujtoja atë greqishte që më kishte mësuar babai dhe që e kisha harruar. Shkëmbyem plaçka dhe lidhëm besën për t’u takuar pas luftë. Besa e grekut u mbajt. Në vitin 1949, ndërsa unë isha me punë në Voskopojë, më vjen haberi nga një partizan grek se Jorgua ishte vrarë në 1945 në Itakë të Greqisë dhe se para se të vdiste, i kishte dhënë adresën time dhe amanetin të më takonte.
Ishte maji i vitit 1941. Grek mavria para se të tërhiqej nga Gora, bëri një poshtërsi të radhës. Greku pasi gjeti listën e gjuetarëve të Gorës, bënë njoftim që të gjithë gorarët që kishin çifte, armë gjahu të paraqiteshin në Voskopojë për “kontroll sigurie armësh” dhe “për të na dhënë lejë gjuetie të reja”. Gorarët e shkretë e hëngrën këtë mashtrim dhe u paraqitën bashkë me armët të cilat grekët i morën, i ngarkuan në dhjetë kamionë dhe i nisën për në Greqi. Vetëm nga Krushova u morën mbi tetëdhjetë armë gjahu. Mallkimi I fshatarëve I ndoqi grekët pas. Kur autokolona me armët e vjedhura po kalonte mespërmes Follorinës, i kap gjermani dhe ua mori të gjitha dhe i nisi për në Gjermani. Ato armë neve nuk na i kishte marrë as mbreti Zog, as Italia Fashiste dhe asnjë pushtues tjetër.
Krushova & krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare
Në kohën e okupimit fashist dhe pikërisht më 8 Nëntor 1941, në Tiranë u krijua Partia Komuniste Shqiptare, sigurisht që këtë gjë ne nuk e dinim në atë kohë. Kjo parti erdhi në një kohë që populli kishte filluar të organizohej vullnetarisht në rezistencë spontane antifashiste. Komunistët filluan të punojnë qytet më qytet e fshat më fshat për të bërë propagandën e tyre, jo vetëm për çlirim kombëtar, por edhe për një vëllazërim mbarëkombëtar dhe për mirëqenie të të gjithëve. “Luga e Floririt” që na premtohej hynte vesh më vesh e derë më derë e nuk ngeli njeri pa e marrë vesh. Bile nuk munguan as premtimet si në përralla se "ne jo vetëm do hamë me lugë floriri, por s’do të kemi padronë dhe nëpër zyrat e shtetit do të hyjmë si në shtëpinë tonë!" Apo përralla të tilla si "ne do të jemi edhe punëtorë edhe drejtues të shtetit." Këto lloj fjalësh të bukura marramendëse na bënë që ne të mendojmë seriozisht për të ardhmen tonë dhe të bëhemi preh e kësaj propogande kaq joshëse! E kush nuk do që të jetë vet zot, vetë shkop?! Askush s’mund ta dinte me të vërtetë se çfarë qe në fakt komunizmi që na propagandohej me aq bujë dhe aq bollëk. Këtë gjë e dinin vetëm ata që kishin dalë jashtë Shqipërisë dhe që kishin mësuar për komunizmin rus dhe që e dinin mirë se Rusia qe një nga vendet më të varfëra të botës.
Në Voskopojë vetëm Dhimitër Falo dhe Dhimitër Fundo e dinin të vërtetën, pasi kishin qenë për studime në Rusi. Fatkeqësisht, në këtë kohë nuk jetonte babai ynë që kishte jetuar shumë vite në Amerikë dhe që ishte njeri i kënduar e që mund të na mësonte të vërtetën e kësaj propagande. Ne Bacellinjtë ramë në influencën e propagandës komuniste pasi miqtë tanë të shkolluar si dy Dhimitrat, Xhezar Senishti, Malkë e Zalo Zvarishti nuk na thoshin asgjë rreth këtij problemi. Ata, kur binte biseda rreth komunizmit, na thoshin se, "Ne jemi luftëtarë të kombit dhe si të tillë do të luftojmë armikun, paçka se na thonë apo jo kumunistët që të luftojmë. Ne do të luftojmë." Vetëm djali i Sali Butkës, Safeti, na këshilloi që të mos i besojmë propagandës komuniste, por ndikimi i tij qe i largët pasi ai vetë nuk erdhi kurrë në fshatin tonë, siç bënte i ati. Ndërsa komunistët vinin e iknin për ditë.
Miqtë tanë në Voskopojë ishin bërë komunistë, kështu, unë rashë nën ndikimin e tyre. Ndër më aktivët prej komunistëve kanë qenë Teki Kolaneci (nga Kolaneci i Maliqit), Nuri Resnja nga Resnja dhe Jorgji Pina nga Voskopoja. Takimi i parë që ne krushovarët bëmë me këta shokë në shtëpinë e Novruz Bebrit dhe puna ime përgatitore e bërë që më parë, solli që fshati ynë, totalisht ra nën ndikimin komunist.
Si rashë unë nën ndikimin komunist?
Ishte dhjetor i vitit 1941. Një ditë duke shkuar tek miku jonë Jorgji Pina në Voskopojë, ai më ndali dhe më tha: "Deme, dua të bisedoj shtruar me ty." Unë i thashë se isha përherë i gatshëm të dëgjoja këshillat e tij, pasi ai ishte mik i shtëpisë sime. Jorgji kishte punuar si gazetar, por fashistët e kishin pushuar nga puna si propagandist komunist. Atë ditë Jorgji më foli gjërë e gjatë për Partinë Komuniste dhe për çlirimin e Shqipërisë. Të them të drejtën, unë kurrë nuk kisha dëgjur për komunistët dhe as për Bashkimin e madh Sovjetik, kjo gjë më la pak të habitur, por më ngelën në mendje fjalët "barazi", "vëllazëri", "qeverisje nga vetë populli", "se nuk do te trokasim në zyrat e qeverisë, por do hyjmë atje si në shtëpinë tonë", "do të hamë me lugë floriri" etj. Ika në Krushovë dhe tërë kohës vetëm këto fjalë përsërisja në mendje. Më dukej sikur një ditë edhe tek ne do të agonte ajo ditë e bukur sovjetike dhe ne do të hynim në Parajsën Komuniste. Ia vlente të sakrifikoje për këtë qëllim kaq të lartë, ku brezat që do të linim pas do të na bekonin. Por edhe ne do të iknim një ditë nga kjo botë me mendjen e fjetur, duke i lënë pasardhësit të sigurt në paqe dhe mirëqenie.
Në muajin shkurt të vitit 1942 Jorgji më thirri përsëri në shtëpinë e tij në Voskopojë dhe më tha se në dyqanin e tij (ai kishte hapur një rrobaqepsi) do të më takonte me disa shokë të mirë. “Po deshe merre dhe vëllanë e madh, Beqirin, pasi ai është dhe kryeplak i Krushovës." Shkuam atje dhe pashë pesë burra, të cilët porsa më panë, u ngritën në këmbë dhe na përqafuan sikur të ishim miq të vjetër. Siç mora vesh më vonë ata qenë komunistët Nuri Resnja, ish sekretari i komunës të Voskopojës (atë vend do ta zija unë pas çlirimit), Mihallaq Dollaku, një rrobaqepës nga Korça, shok i Jorgjit, Naum Mençalliu dhe Ali Zbogji. Ata na folën gjatë për idetë komuniste dhe vendin e parajsës popullore, siç i thoshin ata Bashkimit Sovjetik. Në fund ata më ngarkuan edhe disa detyra, e para ishte që këto ide të reja që mësova, t’ua shpërndaja fshatarëve të mi besnikë në Krushovë, e dyta, të kryenim sabotime dhe të krijonim pengesa për armikun fashist, që ai të mos komandonte në fshatin tonë. Beqir Bacellit i dhanë detyrë që të punojë me fashizmin në dobi të luftës kundër pushtuesit, të cilin gjë Bequa e pranoi me shumë dëshirë, bile u tha se, “Do të bëhem ‘fashist’ për t’i shërbyer Shqipërisë.” U larguam mes të qeshurave dhe urimeve të miqve komunistë.
Shkova në fshat dhe bëra ashtu siç më porositën ata shokët e Voskopojës. Këtë detyrë e bëra me shumë zell. Bile fshatarëve të mi u shtoja akoma më shumë fantazira për një parajsë në botë që e ka emrin Rusi. Fshatarët më dëgjonin të habitur dhe më bënin qindra pyetje që nuk dija t’u jepja përgjegje, por duke patur fantazinë e madhe, i lëshoja pa doganë premtimet, zbukurimet, jetën në Parajsën Komuniste! Në këtë frymë fantazie dhe pas disa takimesh me shokun Nuri, ne në fshatin tonë krijuam njësitin gueril.
Në 15 shtator ne krijuam këshillin nacional –çlirimtar, i cili më ngarkoi mua detyrën e sekretarit të këshillit dhe kryetar shokun Haxhi Ferko, i cili nuk e kreu siç duhet detyrën e tij dhe u përjashtua duke m’i lënë mua të dyja detyrat. Në këtë mbledhje kanë qenë të deleguar shokët Teki Kolaneci dhe Nuri Resnja.
Në detyrën e sekretarit të këshillit nacional-çlirimtar qëndrova deri më datën 10 shkurt 1943 kur dola partizan, në fillim në çetën e Zalo Zvarishtit dhe më pas në Batalionin Gorë-Opar, fillimisht në kompaninë e dytë me komandant kompanie Mehmet Senishtin dhe përfundimisht në Brigadën e katërt Sulmuese me komandant, mikun tim Nexhip Dervishi (Vinçani). Në brigadën e katërt fillimisht u inkuadrova në batalionin e tretë dhe më vonë në atë të katërt, por shumë shpejt komandant Nexhipi do të më merrte në shtabin e tij si korrier dhe si shoqërues i tij.
Krushova, fshat partizan
Po në muajin dhjetor ne ndërtuam edhe Këshillin e Luftës Nac.-Çlirimtare për fshatin tonë dhe pak më vonë u bë mbledhja e parë e këshillit në shtëpinë e Maliq Bebrit. Këtë ditë ne zgjodhëm edhe kryetarin e parë të këshillit nacional-çlirimtar, shokun Haxhi Ferko. Siç e thashë më sipër, ky fshatar nuk u tregua shumë aktiv në punë, por e tërë puna e tij u bë nga dy ndihmësit e tij, Suleman Bebri dhe Osman Fidani dhe nga unë si sekretar. Po në dhjetor të atij viti u krijua edhe njësiti i parë gueril i fshatit me 15 anëtarë dhe me kryetar të njësitit Refat Bacellin e mua nënkryetar i njësitit dhe lajmës për të rejat që vinin nga Voskopoja. Refati ra dëshmor në korrik të vitit 1944 në një pritë nga ballistët e Beçe Turanit.
Në janar te vitit 1943 u krijua Organizata e Gruas me kryetare Qerime Bebrin dhe në shkurt u krijua Organizata e Rinisë me kryetar Bezat Bacellin. Në mars të vitit 1943 u krijua në Voskopojë Këshilli Krahinor i luftës nacional- çlirimtare. Përfaqësues i Krushovës u zgjodh Samit Bebri. Nga vera e atij viti, filluan të dalin partizanët e parë nga fshati ynë. Ata luftuan deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë dhe në fund të luftës nga fshati ynë numëroheshin 19 partizanë dhe këta kanë qenë: Adem Bacelli, Adem Dango, Adevije Bezhani, Alush Zere, Baftjar Bebri, Besim Bebri, Idriz Fidani, Isuf Bebri, Jashar Zere, Mersin Bezhani (një muaj), Muharrem Fidani, Rahman Bebri, Ramadan Bacelli, Ramiz Bacelli, Sadik Bebri, Samit Bebri, Shefki Bebri, Tefik Zere dhe Xhemal Zere.
Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare u vranë katër partizanë dhe u plagosën tre të tjerë. Këta tre të plagosurit janë: Seamit Bebri në Grykën e Pocestës në luftë me italianët, Adivije Bezhani dhe Sadik Bebri po në luftë me italianët. Në vjeshtën e vitit 1943 me vendim të shtabit të qarkut të Voskopojës, në Krushovë u ngrit spitali partizan në godinën e shkollës së fshatit që sapo ishte hapur me gjithsej 20 shtretër dhe me një doktor bullgar që udhëhiqte punët e spitalit. Komisar i spitalit ishte Kiço Shamblli. Doktori qe një agjent i fshehtë i italianëve dhe ai punoi që të sëmurët dhe të plagosurit të vdisnin duke u prerë edhe damarët e gjakut ose duke u dhënë helm! Një nga të vdekurit prej tij ishte dhe Rexhep Demollari nga Bicka, i cili u shtrua në spital me një gërvishtje dhe doli i vdekur duke humbur komplet gjakun e tij nga një prerje në damarët e duarve bërë prej doktorit, i cili u dyshua, por akoma nuk u zbulua. Zbulimi i tij u bë në rastin flagrant të vdekjes së komisarit të batalionit Gorë-Opar, Skënder Çaçit dhe plagosjes së vetë komandantit T.Kolanceit. Doktori u arrestua dhe u gjykua. Ai i pranoi të gjitha akuzat dhe kështu u pushkatua nga një skuadër partizane. Kryetar i gjyqit që gjykoi doktorin qe vetë Teki Kolaneci. Mbas tij në spital erdhi një mjek shqiptar i quajtur Vasil Tomço, i cili shërbeu shumë mirë dhe spitali u ndihmua shumë nga fshatarët e Krushovës dhe veçanërisht nga nëna ime Sanie Bacelli e cila kishte dy djemtë e saj partizanë, mua dhe Ramizin. Në shtator të vitit 1943, me vendim të shtabit të Qarkut të Voskopojës dhe atij të Këshillit të Krushovës, në këtë fshat u strehuan misionarët anglezë. Ky mision u vendos në shtëpinë tonë, pasi vetëm shtëpia jonë i kishte dritaret me xhama. Përkthyes u caktua Tashuli nga Voskopoja dhe ndihmës i tij fshatari ynë dhe mik i babait, Seit Bebri, i cili kishte qenë në Amerikë së bashku me babanë tim, tashmë të vdekur. Pas ardhjes së tyre filluan zbarkimet me veshmbathje, armatim dhe municion për partizanët. Parashutat hidheshin në krye të fshatit, tek vendi i quajtur Sheshi i Madh. Anglezëve u shërbente nëna ime, xhaxha Tahiri dhe vëllai im i madh Beqiri, i cili ishte dhe kryeplak i fshatit. Magazinë e materialeve u bë shtëpia e Osman Fidanit, i cili ra dëshmor në luftë. Intendent i materialeve të misionit anglez u bë partizani trim, Raqi Qirinxhi që më pas do të bëhej edhe intendent i Brig. IV S. i cili u vra në rrethana akoma të panjohura. Për këtë zhdukje do të jap mendimin tim në fund të këtij kapitulli. Kështu, Krushova jonë u bë një qendër shumë e rëndësishme për të ndihmuar Luftën Nacional-Çlirimtare. I gjithë fshati pa përjashtim u vu në dispozicion të luftës, po ashtu edhe kafshët e tyre u përdorën për transport të materialeve të luftës, sidomos ato që hidhnin anglezët dhe që dërgoheshin nëpër bazat e tjera të luftës si në Bakull e në Shën Kostandin. Gjithashtu u ndihmua shumë edhe spitali qendror i Lavdarit, ku fëmijët e fshatit e bënin me radhë për të shpënë ndihma. Një nga më të palodhurit dhe udhëheqës i adoleshentëve të karvaneve u bë vëllai im Besim Bacelli së bashku me Ferik dhe Reshat Bacellin. Ne Bacellinjtë, siç e kam përsëritur dëndur, si traditë kishim mullirin, prandaj kishim ndërtuar edhe në Krushovë dhe në Shipckë dy mullinj dhe në ata mullinj punonte Bequa me Xhaferr Bacellin ditë e natë pa pushim, duke bluar kështu edhe për partizanët. Ballistë në fshatin tonë nuk ka patur, por simpatizantë të tyre ishin dy familje. Për të përcaktuar se kush qenë ballistët shqiptarë, po them vetëm dy fjalë që ata i kanë thënë me gojën e tyre: "Ne ballistët në fillim patëm një rrugë të suksesshme sepse ne akoma nuk qemë bashkuar me armikun, por kur disa nga ne u bashkuan me gjermanët, puna jonë mori fund pasi nuk na mbështeti më populli, kështu që në atë rrëmujë të përgjithshme që kishim krijuar, ku s'merrte vesh i pari të dytin, ku s'mund të jepeshin urdhëra, as mund të mbahej rregulli dhe ku terrori gjerman u bë si një ankth i padurueshëm, Balli Kombëtar pësoi tronditjen më të madhe. Një pjesë e elementevet të tij (ata që ishin grumbulluar në të rastësisht) nisën të shkëputeshin dhe të shkonin si banda pas gjermanëve. Anarkia dhe rrëmuja s'kishin se ku të shkonin më tutje. Ata që jetonin në shpirt dramën më të tmerrshme ishim ne udhëheqësit e Ballit Kombëtar, që u përpoqëm të bënim çdo gjë që ballistët të ndaleshin në këtë rrëmujë po të ishte e mundur, për të frenuar pasionet e dobëta, për të ndaluar anarkinë, për të vënë disiplinën, rregullin, për të mbrojtur e shpëtuar atë që mund të shpëtohej... por më kot." Kjo e thënë nga vetë Abaz Ermenji.
Këtu po jap një dëshmi të Reshat Bacelli se si Krushova përjetoi tmerrin e luftës:
“Krushova nga natyra është shumë e mbrojtur, sidomos pjesa e kishës së saj ose Shkëmbi i Krushovës siç e thërsnim ne, e cila e rrethuar me mure guri natyralë e me shpellat e shumta e të frikshme bëhet shumë e sigurtë për një mbrojtje që s’ka ç’i bën as shejtani siç i themi ne.
Pikërisht aty u mblodhën 20 fshatrat e zonës sonë për t’u mbrojtur nga gjermani.
Siç e thamë, gjermani nga që s’gjeti njeri të gjallë në Voskopojë, u nis për në Krushovë, të cilën e bombardoi para se t’i afrohej. Por ne as bomba atomike s’kish ç’të na bënte ku ishim futur. Për fat të keq shumë nga bagëtitë tona nuk i kishim futur nëpër shpella dhe ato u vranë nga bombardimi.
Në këtë kohë Rushit Çobani që ruante dhentë e Pashos, por edhe disa të tjerëve dhe që ishte jashtë shpellës na tha se shumica e predhave pëlcisnin në ajër, prandaj mos dilni jashtë sepse ciflat e tyre shpërndahen gjithkund si re shiu. Unë e vëllai im Feriku ishim jashtë për të marrë një dhi shytë që kishte pjellë dy keca e që lëpiheshin nga nëna e tyre. Rushti na bërtiti, shkoni brënda në shpellë se kecat jua sjell unë. Pa mbaruar ai fjalën, një predhë ra afër nesh dhe vrau vetëm dhinë, por jo kecat, të cilët i mori në krah xha Rushiti, që me lot në sy na u afrua dhe na i dha dy jetimët.
Ne nuk iu bindëm Rushitit dhe për të shpëtuar bagëtinë tonë, i morëm ato dhe nëpërmjet kories së fshatit, u futëm prapa Shëndëllisë (Shën Diellit) tek vendi i quajtur Varri i Dhimës, kaluam përmes një bushi të trashë në luginën e lumit të Voskopojës, e cila anash ka guva të shumta për t’u strehuar së bashku me bagëtinë. Edhe atje ne gjetëm njerëz dhe bagëti, që kishin ardhur që nga Rrëza e Korçës dhe zona e fushës. Ata na thanë se partizanët janë nëpër pikat e larta të kodrave dhe maleve përreth, për të na mbrojtur ne, që gjermanët të mos hyjnë dot në këtë zonë. Atje ndenjëm disa dite.
Një partizan që erdhi të na pyeste se si ishim, unë e njoha se ai ishte mik i shtepisë sonë dhe quhej Raman Petriti, ishte nga Strelca e Lozhanit, (sot ai jeton në Florida të Amerikës). Ai na tha se partizanët i kishin goditur gjermanët në dalje të Voskopojës dhe se i kishin detyruar të tërhiqeshin për në Korçë. Ai na tha se “nja 3-4 makina që u zumë pusi, u shkatërruan fare dhe asnjë gjerman nuk doli i gjallë prej tyre. Pastaj pasi morëm armatimin e tyre, shkuam drejt Qafës së Gjarpërit, sepse na thanë që një grup alpin gjerman po vjen që nga Berati dhe unë, pasi i lamë hesapet edhe me atë grup, erdha tek ju që t’ju them se tani jeni të sigurtë.”
Ramani na tregoni edhe për luftën tek Qafa e Gjarpërit. Ai tha se atje është bërë një luftë shumë e fortë, pasi edhe gjermanët kanë luftuar me tërbim. Maja e Qafës sulmohej të zihej herë nga njëra palë dhe herë nga pala tjetër, por asnjëra s'mundej ta merrte për terrenin e vështirë. Bile lufta arriti të bëhet edhe trup me trup dhe këtu shqiptarët ishin më superiorë si vendalinj dhe malësorë të shkathët të rritur shkrepave... Në fund pasi u vranë shumë gjermanë, por edhe disa partizanë, të dy palët të lodhura dhe raskapitura u tërhoqën pothuajse në të njëjtën kohë... Në fakt ndryshe është interpretuar kjo ngjarje nga disa udhëheqës ushtarakë shqiptarë pas çlirimit të vendit, por unë e besoj shumë variantin e mikut tonë Raman. Kjo betejë kishte për fitues partizanët, pasi gjermanët u kthyen mbrapsht drejt Beratit dhe kështu ne shpëtuam pa na ndodhur gjë prej tyre.
Dua të përmend këtu se për aq sa ndenjëm shpellave e me ushqime të pakta, ne u detyam të hanim edhe gjethe ahu dhe rrënjë bimësh nëpër pyjet përbri lumit të Voskopojës. Për të qenë akoma më të sigurt, na u tha të shkonim drejt Skraparit, pasi atje gjermanët nuk kishin mundur të shkelnin dot për arsye të terrenit shumë të vështirë. Kur arritëm tek stanet e skrapallinjve të parë që gjetëm, u pritëm me bujari të pashoqe dhe hëngrëm mirë, deri mish të pjekur.”
Raqi Qirinxhiu
Dy fjalë siç kam dëgjuar se si u vra Heroi i Popullit, Raqi Qirinxhi, vdekja e të cilit akoma është një enigmë e madhe e mbuluar me një mister të çuditshëm. Raqin e njihja shumë mirë dhe e kisha mikun e familjes time. Ai ishte një djalë shumë i gjallë dhe i zoti. Raqi ka banuar në shtëpinë time për disa kohë gjatë Luftës Nacional -Çlirimtare. Ai ishte i dashur me nënën time, e cila edhe ajo e deshte njëlloj si ne djemtë e saj. Raqi qe i qeshur dhe i dashur, si me familjen time dhe me të gjithë fshatarët. E meta e Raqit ishte sepse ishte shumë dorështrënguar me partizanët. Kisha parë raste kur partizanët me opinga të grisura i luteshin atij për një palë këpucë ushtarake angleze, por ai kurrë nuk ua plotësonte dëshirën pa një urdhër nga komanda e brigadës. Raqi i linte ata të vuanin me këmbët tërë gjak e dhimbje!! Nganjëherë mendoja se kjo është disiplinë ushtarake. Shpesh nëna ime, fshehur Raqit, ia vidhte atij këpucët dhe ua jepte partizanëve. Po ashtu ajo u jepte edhe çorape që i thurte vetë enkas për ata.
Disa fshatarë më kishin treguar një episod të çuditshëm dhe të trishtueshëm për Raqin. Ai një ditë ngarkon një mushkë me dy arka të mëdha me florinj nga të anglezëve dhe shkon drejt Kozicës, diku afër kishës së Shën Konstandinit së bashku me katër italianë, atje i urdhëroi italianët që të hapnin një gropë të madhe dhe pasi i fshehu florinjtë duke i mbuluar, i vrau të katër italianët dhe i hodhi në përruan përtej. Kur unë u ktheva nga Dolani ku kisha shkuar me shërbim si korrier, fshatarët ma dhanë këtë lajm të tmerrshëm dhe unë për të vërtetuar rrëfimin shkova në Kozicë dhe pashë me sytë e mi 4 italianët e vrarë që akoma ishin atje në përrua. Kërkuam gropën e floririt, por nuk e gjetëm, bile asnjë shenjë të saj dhe kjo gjë më bëri që të mos e besoj këtë histori të tmerrshme. Vrasjen e italianëve do t’ia lija një misteri akoma më të madh që as sot nuk e di se nga kush dhe në ç’rrethana u vranë.
Në 4 janar 1944, dita kur u dogj shtëpia ime, Raqi së bashku me kapitenin anglez, Viktor Smith dhe me një partizan tjetër, mik dhe shok i afërt i Raqit nga Korça, i cili në mos gaboj quhej Lefter, pasi Raqi e thërriste me emrin Teri, të shoqëruar edhe nga tre fshatarët e mi, dy vëllezërit, Seit dhe Shupe Bebri dhe një tjetër, ngarkuan një pjesë të floririt që mundën të shpëtonin si dhe plaçkat e anglezëve në dy mushka dhe morën rrugën për të shkuar në depot e Voskopojës ku i priste Brig.IV dhe pasi morën atje gjërat më me vlerë të Brig.IV, u nisën për në Lavdar dhe që nga Lavdari u nisën për në Skrapar ku ishte destinacioni i fshehjes së brigadës sonë për t’i shpëtuar operacionit famëkeq gjerman të dimrit ‘44. Brigada ishte nisur disa orë përpara. Me aq sa kam mundur që të mbledh të dhëna për rrugën e këtyre gjashtë burrave, mund të them se kjo është rruga e fundit e Raqit që humbi në mënyrë tepër misterioze. Një mendim më bën të besoj se Raqi u vra nga kapiteni anglez Smith. Ja pse i besoj këtij varianti; sapo ata kalojnë fshatin Xerje, papritur, Teri qëlloi me pushkë kapitenin Smith dhe plumbi i shpoi vetëm kapotën. Kapiteni shumë i shkathët, nxori revolverin dhe i ra Terit në ballë! Më pas Raqi u grind me tre fshatarët e mi dhe i cilësoi bashkëpunëtorë të Terit, ose më mirë, nxitës për këtë incident dhe i përzuri duke qëlluar me kobure mbi kokat e tyre. Seiti, Shupja dhe ai tjetri, të frikësuar dhe pa armë, ia mbathën nga sytë këmbët duke lënë kafshët e tyre në dorën e Raqit dhe Smithit. Rruga që nga Xerja deri në Potom të Skraparit u bë nga ata të dy, Kapiteni Smith dhe Raqi Qirinxhiu. Rrugës Raqi humbi (!!!) dhe të nesërmen majori anglez mbërriti në Potom të Skraparit vetëm pa asnjë shoqërues, pa mushkat dhe pa floririn! Smithi raportoi se Raqi së bashku me mushkat me florinj dhe plaçka i kishin humbur rrugës dhe kjo gjë u besua. Vetëm kapiteni Viktor Smith e di të vërtetën e kësaj zhdukje të mistershme të Heroit të Popullit, Raqi Qirinxhiut.
Krushova në luftë
Ne kishim një entuziazëm të papërshkrueshëm për të punuar dhe luftuar nazi-fashizmin dhe tradhtarët e vendit. Nuk na mbante vendi dhe mezi duronim që ta çlironim Shqipërinë. I tërë Atdheu qe mbushur me partizanë, rreth 70.000, kur ne nuk ishim më shumë se një komb i vogël me 800.000 banorë dhe gati një në 10 vetë qe partizan. Kjo e paparë ndonjëherë që nga koha e Skënderbeut, ku shqiptarët luftonin secili për hesap të vet në çeta komitësh e në organizime të vogla në bazë krahine, fisi apo shtëpie.
Zalo Zvarishti shkonte fshat më fshat dhe thërriste djemurinë për t’iu bashkuar atij në luftë kundër Italisë. Një ditë ai erdhi në fshat dhe pikërisht në shtëpinë tonë, pasi për ne ai ishte dajo. Zalo na tha që duhet të dalim malit komit për të luftuar pushtuesit. Nga të gjashtë ne djemve, ai m’u drejtua mua: "Ti Adem duhet të vish me mua." Mua më shkëlqeu fytyra dhe i thashë i gatshëm: "Qysh tani, daji Zalo!" Ai më përqafoi dhe më tha: "Sapo unë të dërgoj sinjalin, ti do të vish në Zvarisht të bashkohesh me çetën time. Çeta e xha Xhezarit nga Senishti është gati dhe ne mund t’i bashkohemi atij një ditë. Janë duke u krijuar shumë çeta në Gorë dhe Opar dhe mos harroni që jemi shkëndia e parë në Shqipëri që po ndezim zjarrin ku do të digjen të gjithë pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Hasan Bardhi nga Moglica e ka krijuar çetën e tij dhe po punon në Opar për krijimin e çetës së Oparit së bashku me Agush Gjergjevicën e të tjerë. Në Protopapë, Çome është duke krijuar një çetë. Po ashtu ne kemi dhe shokë që janë milicë e duan të luftojnë për vatan si Ibrahim Ruka (Kovaçi) etj. ndërsa Sali Pilurin ne kemi marrë vendim që ta vrasim se është një pengesë e madhe për bashkimin e milicëve me ne."
Ne dëgjonim Nuri Resnjën dhe sytë na ndizeshin flakë nga urrejtja për okupatorin dhe dashuria për lirinë e Shqipërisë. Ne si Bacellinj i dhamë luftës 15 partizanë dhe ndihmës të luftës Nac.- Çlirimtare, nga të cilët dy dëshmorë: Rifat dhe Yzeir Bacelli, pa thënë për Metin që ishte nipi ynë. Unë dhe vëllai im Ramizi u bashkuam në luftë kundër Italisë që në fillimet e saj si vullnetarë me të rinjtë e zonës së Voskopojës dhe më pas, pikërisht në datën 10 shkurt 1943 unë iu bashkova çetës së parë të të gjithë zonës së Korçës që mbante emrin Çeta e Gorës me zv.komandant daiun tim, Zalo Vesel Zvarishti dhe Xhezar Ali Senishtin komandant. Komisar i çetës ishte Nuri Resnja. Më vonë çeta jonë u bashkua me çetën e Oparit të Agush Gjergjevicës dhe mori emrin Çeta Gorë-Opar, por edhe kjo u bashkua me disa formacione të tjera të vogla dhe kështu ne krijuam batalionin e parë luftarak të zonës Gorë-Opar me komandant Teki Kolanecin dhe komisar Skënder Çaçin. Zv.komandant ishte Hysni Selca. Ende pa u formuar mirë ky batalion u pagëzua me luftë. Unë u caktova në kompaninë e dytë me komandant kompanie Mehmet Senishtin. Në atë kohë isha 21 vjeç djalë. Qëndrova në këtë batalion deri në fund të vitit, kur ne u shkrimë për t’u bërë në dhjetor embrioni i Brigadës IV Sulmuese me komandantin legjendar Nexhip Kareman Vinçanin (Dervishin).
Në fillim më inkuadruan në batalionin e tretë dhe pas një periudhe të shkurtër u caktova korrier i Shtabit të Brigadës së Katërt Sulmuese. Pas disa muajsh, Nexhip Vinçani më mori shoqëruesin e tij personal dhe njëkohësisht isha edhe korrier i komandës që ai drejtonte. Në këtë detyrë do të qëndroja deri në nëntor të vitit 1944, kur u plagosa në Lozhan dhe ngela për t’u mjekuar në spitalin partizan të Lozhanit. Brigada jonë e ndoqi armikun edhe në tokat tona në Jugosllavi, por unë nga që isha i plagosur, ngela në komandën e vendit që ishte pranë Brig. së 15-të Sulmuese në Pogradec, ku u njoha edhe me shoqen time të ardhëshme (Ervehe Grabockën) e cila qe partizane e Brig. së 15-të Sulmuese. Pas çlirimit ngela efektiv i repartit ushtarak Nr.830 në Pogradec dhe jam liruar në nëntor të 1947.
Mbaj tre medalje të Luftës Nac.Çlirimtare dhënë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë; Medaljen e Çlirimit të datës 5-2-1953 dhe me nr. dekreti 17198, (kjo iu dha të gjithë atyre që morën pjesë në luftën partizane deri në çlirimin e vendit), Medaljen e Kujtimit, numri nuk lexohet pasi është dëmtuar, (kjo u jepej vetëm atyre që kishin më shumë se një vit në formacionet e Luftës Nac.Çlirimtare dhe Medaljen e Trimërisë me nr. dekreti 1948 të datës 25-10-1954 (e cila u jepej vetëm atyre që kishin bërë akte heroike gjatë luftës për çlirimin e vendit dhe që ishin dalluar në luftime.) Medalja e Trimërisë m’u dha pas insistimit të komandant Nexhip Vinçani, i cili propozoi:
“Adem Telha Bacelli ka qenë një ndër partizanët më trima të Brig.IV Sulmuese. Ai ka qenë gjatë tërë luftës shembull trimërie për të nxitur guximin dhe trimërinë në radhët e partizanëve të brigadës që unë komandoja. Ademi në luftë ka qenë një i ri i shkathët, i zgjuar, i papërtuar dhe luftëtar që nuk njihte tërheqjen në çdo betejë që ne kemi bërë. Unë e kam për nder ta propozoj Adem Telha Bacellin të mbajë medaljen e Trimërisë. Deklaruesi, Gjeneral Lejtnant Nexhip Dervishi (Vinçani). 14 mars 1950.”
Pas këtij propozimi N/Kolonel Teki Kolaneci do të më jepte një deklaratë, të cilën e ruaj edhe sot e kësaj dite dhe që është kjo:
“Deklaroj unë i nënshkruari N-Kolonel Teki Kolaneci se shoku Adem Telha ka qenë partizan që nga shkurti i vitit 1943 dhe ka pas përgjegjësi në Batalionin Gorë – Opar, në fillim skuadër komandant dhe ka qenë luftëtar i mirë, është dalluar në luftë, ka qenë i patrembur, është lavdëruar për trimërinë që ka patur në luftimet në Kurtes të Kolonjës, në Gur i Kamjes në Gorë, në Pogradec, etj. E lëshoj këtë deklaratë për daljen e dekreteve për dekorim me medaljet e Kujtimit, Çlirimit dhe Trimërisë, prandaj ja lëshoj këtë deklaratë ku t’i lypet nevoja. Deklaratë dhënësi. N-Kolonel Teki Kolaneci. 14 mars 1950”
Po ashtu kam marrë edhe nga Nuri Resnja këtë deklaratë:
“Korçë, e hënë 15 janar 1951. Deklaroj nën përgjegjësinë time si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv K.P. Rrethit Korçë, Nuri Resnja, se Adem Telhaj nga katundi Krushovë i lokalitetit Voskopojë, ka marrë pjesë në lëvizjen N.Çl. që nga viti 1942 dhe në shkurt të vitit 1943 ka shkuar vullnetar në radhët e çetave partizane, në bataljone dhe në brigada dhe në vitin 1945 pasi u plagos, ka mbetur në prapavijë nën Komandën e Vendit, Pogradec. Gjatë periudhës së luftës ka qenë përgjegjës dhe udhëheqës në skuadra dhe kompani luftimi. Është dalluar në luftimet dhe ka qenë luftëtar i mirë dhe i dalluar. Ia lëshoj këtë deklaratë që t’i jepen dekoratat që i takojnë, një medalje Kujtimi, një medalje Trimërie dhe një medalje Çlirimi. I jepet kjo deklaratë pasi njihet fare mirë prej meje dhe ta përdorë ku t’i lypet nevoja. Deklaruesi (Nuri Resnja/ Firma).”
Për fat të mirë, por edhe për fat të keq kam mbajtur ditar në kohën e luftës. Them për fat të mirë pasi kisha kryer shkollën pesëvjeçare “Mikste të Voskopojës” me nr. amze 147 dhe me nota të shkëlqyera dhe dy klasë të liceut në Korçë me nr. amze 1277. Them për fat të keq sepse isha shumë i lidhur me misionin anglez që banonte në shtëpinë tonë dhe kjo do të shikohej me dyshim, kur u prishëm me anglo-amerikanët. Sigurisht që kisha patur një simpati për kapitenin fytyrëkuq (Viktor Smith) që rrinte në shtëpinë tonë dhe këtë gjë e dinin të gjithë të shtëpisë e në veçanti nëna ime e dashur, po ashtu dhe fshati bashkë me Voskopojën. Kur partia i zboi anglezët dhe i shpalli armiq, nëna nga frika se mos ditari im binte në dorë të ndonjë spiuni, i mori dhe dogji shumë nga shënimet e mia. Kështu që s’ mund të vë dot të gjitha datat e sakta për disa ngjarje të jetës dhe luftës sime, por që muajin apo stinën, dhe nganjëherë edhe datën, nuk i harroj kurrë. Po ashtu nuk harroj as emrat dhe dëshmitarët e ngjarjeve, të cilët për fat të mirë janë gjallë edhe sot. Ne kemi bërë sakrifica të shumta dhe i jemi vënë me mish e me shpirt luftës, e cila vetëm ajo do të na sillte lirinë. Duke gjykuar veten time në atë kohë, por edhe shumë bashkëluftëtarë, kam dalë në konkluzionin se ne, një popull shumë i vogël, kemi mbetur gjallë vetëm nga ky shpirt i madh luftarak dhe nga përkushtimi e dashuria për çdo gjë shqiptare. Ne kemi qenë dhe jemi fanatikë të shqiptarizmës. Këtë gjë e kishin kuptuar shumë mirë ata komunistë që na dirigjuan dhe që më vonë korrën tërë atë përpjekje dhe luftra që ne bëmë. Por përsa i përket luftës, unë nuk mendoj kurrë se dikush nga ne që luftuam është bërë pishman për atë sakrificë sublime, meqë frytet e saj ranë në dorën e disa individëve të udhëhequr nga Enver Hoxha. Por le t’ua lë radhën kujtimeve të mia të Luftës Nac.Çlirimtare.
Voskopoja
Në veri të Voskopojës është vazhdimi i rrugës së Beratit me përroin Pelltek dhe me kishën e Shën Thanasit, që vazhdon në drejtim të kishës së Shën Mërisë e më pas, duke u ngjitur deri te kryqëzimi i rrugës për Shipskë, shkon pranë përroit të Zhombrit. Në lindje është kryqëzimi i rrugës për në Shipskë. Ndërsa rruga në jug të lumit të Voskopojës shkon deri te kryqëzimi me rrugën në jug të Shën Gjergjit.
Në jug përsëri është rruga që të çon tek Shën Gjergji dhe që vazhdon për nga rruga Korçë-Voskopojë, më tej është rruga që kufizon zonën e banuar deri te kisha e Shën Kollit. Në perëndim gjendet Kisha e Shën Kollit, në drejtim të kishës së Shën Ilias që gjendet po në kodrën me të njëjtin emër, duke ndërprer përroin e Strugut deri te kryqëzimi i rrugës së Beratit me përroin Pelltek. Në veri është rruga e Beratit me kurrizin e kodrës në veri të përroit Pelltek (lagja Poshtenikë), e cila lidhet me rrugën që shkon për në Shipskë dhe më tutje tek kisha e Shën e Premtes. Ndërsa në lindje, atje ku fillon kisha e Shën e Premtes, vjen lumi i Voskopojës deri te kryqëzimi i rrugës së Korçës me lumin e Voskopojës. Në jug Voskopoja kufizohet me rrugën e Korçës dhe me lumin e Voskopojës, me rrugën për Lavdar, me rrugën për në urën e Zhombrit deri te kisha e Shën Mëhillit. Në perëndim, Voskopoja shkon që nga Kisha e Shën Mëhillit dhe deri te kryqëzimi i rrugës së Beratit dhe përroit Pelltek.
Qyteti ka qenë i banuar që në vitin 1330 e që arrin kulmin e lulëzimit të tij në vitin 1764. Popullsia e atëhershme ishte rreth 30.000 banorë, 24 kisha, një akademi, një bibliotekë, një shtypshkronjë dhe shumë institucione të tjera arsimore e kuturore. Kryeqendër ballkanike që kishte marrëdhënie tregtare me shumë vende të huaja si Venedikun, Vjenën, Lajcpigun, Athinën, etj. Voskopoja shtrihet në një pllajë mbi 1160m të lartë, rrethuar prej maleve me pyje, përrenj dhe dy lumenj: ai i Voskopojës dhe ai i Strugut.
Shkatërrimi i parë erdhi më 1769, i cili u pasua nga dy të tjerë (1789 dhe 1916) që sollën fundin e një epoke të ndritur për Voskopojën dhe braktisjen masive të saj.
Më 1630-ën, kur dhe ngrihet kisha e Shën Prodhonit, thuhet se qyteti kishte një moshë 250-300-vjeçare. Por ekzaktësisht, vitin e themelimit të Voskopojës na e jep konsulli austriak J.G.V.Han, i cili thotë se i qyteti Voskopojës i përket vitit 1338 dhe është themeluar nga Petro i shtëpisë së madhe të Muzakajve.
Voskopoja ishte ndërtuar mbi shtatë kodra që përshkoheshin nga tre lumenj; Strugu, Pelteku dhe Zhombri. Të tre lumenjtë (në fakt dy janë përrenj) derdhen në Lumin e Voskopojës. Këto kushte të favorshme i dhanë shkas një zhvillimi ekonomik e shoqëror dhe arsimor të mbarë. Qyteti i lulëzuar i Voskopojës është shkatërruar në luftën e parë ruso-turke në vitin 1767-1774, pasi voskopojarët mbajtën anën e rusëve.
Arsimi në gjuhën greke është më i hershmi që dokumentohet të jetë zhvilluar në trojet e banuara nga paraardhësit e shqiptarëve, sidomos kur greqishtja u imponua në Shqipërinë e Jugut si gjuhë zyrtare dhe kishtare e shkruar.
Si qendër e rëndësishme e zhvillimit të arsimit në gjuhën greke ndër shqiptarë ka qenë Janina. Shkolla më e vjetër greqishte e atij qyteti që njihet e dokumentuar është shkolla e manastirit të Spanjot, në ishullin e Janinës, e ngritur në vitin 1206 prej themeluesit të despotit të Epirit, Mihali I, apo Engjëlli i Parë.
Shkolla greke ndeshim edhe në qytete të tjera, si: më 1728-ën në Korçë, më 1741-shin në Vlorë, më 1736-ën në Elbasan, 1860 në Qestorat, në Berat etj. Shkollat me alfabet grek e arritën nivelin më të lartë kulturor-pedagogjik në Voskopojë.
Pater Kurilla, në veprën e tij “Voskopoja dhe Akademia” na jep 26 emra akademikësh të Voskopojës, që ishin “konceptonjës të idhesë së punimit të shqipes”.
Ky fakt bën të mendosh se fenomeni i futjes së shqipes në shkollën e Voskopojës flet për ekzistencën e një presioni nga poshtë të elementëve atdhetarë, përfaqësues të një populli, i cili fliste gjuhën shqipe në jetën e përditshme dhe dëshironte që gjuha e vet të mësohej nga fëmijët e tij në shkollë.
Shkolla e Voskopojës ishte me nivel të lartë arsimor e pedagogjik për kohën. Zhvillimi dhe lulëzimi i arsimit në Voskopojë nuk ishte një fenomen i rastit dhe i shkëputur. Ai ishte rezultat i zhvillimit ekonomik, shoqëror e politik dhe i asaj klime të përshtatshme që krijonte vetë populli ynë mësimdashës në këtë krahinë, i cili nuk kursente për arsimin e fëmijëve as asprat, groshët dhe lirat, por as arat, vreshtat dhe dyqanet, pavarësisht se ky arsim, për kushtet e robërisë së gjatë, u zhvillua në gjuhën greke dhe jo për qëllime kombëtare, rrjedhojë kjo e politikës arsimore të pushtetit otoman që vinte fenë mbi kombësinë.
Në vitin 1710 u ngrit një shtypshkronjë dhe një bibliotekë. Biblioteka e Akademisë së re të Voskopojës ishte e pasur me dorëshkrime e shtypshkrime të dhuruara nga voskopojarët ose me botime filozofike, teologjike, didaskalike, që u botuan nga shtypshkronjat e asaj qyteze. Biblioteka që numëronte atëherë mbi 700 volume librash të rrallë, përveç dorëshkrimeve, u dogj gjatë Luftës së Parë Botërore nga ushtritë ndërluftuese. Sistemi pedagogjik praktik i Voskopojës u përhap edhe në Korçë, Vithkuq, Elbasan, Gjirokastër, Berat, Janinë e gjetkë, duke vazhduar deri rreth viteve 1802-1822. Theodhor Kavalioti që punoi në vitin 1743 si mësues në shkollën e Voskopojës, më 1746-ën emërohet drejtor i shkollës dhe e ngriti atë në rangun e një shkolle të mesme.
Një nga më të shquarit e Voskopojës është dhe Mihal Gora, i cili shumë pak njihet sot. Mihal Gora ishte nga Shipcka ose Katundi (Krushova), (fshat afër Voskopojës), ka qënë një nga gorarët me një kulturë të gjërë dhe që ka lënë një trashëgimi të pasur kulturore, historike e letrare në Voskopojë. Kultura e tij intelektuale qe formuar në gjuhën greke dhe turke pasi shqipja qe një “mollë e ndaluar” nën regjimin turk. Në fillim ai u arsimua në shkollën greke të Kosturit, ku veç lëndëve fetare zhvilloheshin dhe lëndë të shkencave të natyrës dhe shoqërorë si matematika, fizika, kimia, historia, filozofia, logjika, pedagogjia, psikologjia, gjuhë të huaj si greqishte e vjetër dhe latinishte, etj. Mihali pasi mbaroi shkollën greke, u kthye në Shipckë-Katund, ku u caktua drejtues i fshatit. Sipas tregimeve te voskopojarëve, ai njihet si gorari më i ditur. Ai ka qenë autor, redaktor, pedagog, në Voskopojë. Pas Grigor Voskopojarit, Mihali ka qenë redaktor i qindra librave që shtypeshin në Voskopojë.
Të mos harrojmë që Shipckë-Katundi ka qenë qytet para Voskopojës dhe është shkatërruar nga ushtria turke pasi shipckallinjtë luftonin për pavarësi dhe nuk deshën t’i dorëzoheshin Turqisë. Pas shkatërrimit, një pjesë e tyre u vendosën në Voskopojën që sapo kishte filluar të ndërtohej, aty nga viti 1333 dhe jo siç thuhet në vitin 1670. Në Voskopojë ata sollën kulturën e tyre të lashtë shqiptare. Shipcka më pas, ashtu si Voskopoja pas djegies, erdhi dhe u bë vend i barinjve dhe vllehëve që sollën bagëtitë për verim. Me ndërmjetësinë e Greqisë, një pjesë e shipckallinjëve u kthyen përsëri në Shipckë dhe rindërtuan fshatin. Një ndër ato familje ishte dhe familja nga do të dilte Mihali.
Mihal Shipcka njihet si shkrimtar, poet, kronist, redaktor, mësues dhe patriot. Ai vlerësohet për mjeshtërinë e fjalës në disa nga veprat e tij si “15 Martirët e Shenjtë”, “Jetëshkrimi i Shën Naumit” etj. Ai ka botuar disa vëllime me poezi të titulluar, “Mbi zinë në Maqedoni”, “Ballada e Lirisë”, “Katundi” etj. Ka shkruar gjithashtu librin e tij më të rëndësishëm, “Kronika të Voskopojës”, ku ka përshkruar bukur të kaluarën dhe kohën që ai jetoi në qytetin e Voskopojës. Ndërsa kryevepra e tij dhe libri me shumë rëndësi për Voskopojën dhe Shqipërinë është pa dyshim “Kodiku i Manastirit të Shën Prodhomit”, monument i madh i kultit të Voskopojës dhe Shqipërisë. Libri ka një kronikë të saktë dhe të shkruar bukur, duke filluar që nga viti 1630 deri në vitin 1880. Aty jepen të dhëna jo vetëm për manastirin, por edhe për Voskopojën, Gorën, Mokrën dhe Korçën.
Në vitin 1750 Mihali ka qenë kryeredaktor i Shtypshkronjës Voskopoja.
Duhet përmndur një gjë. Kur shipckallinjtë ikën nga qyteti i djegur, një pjesë e mirë e tyre u vendosën në Bullgari, ku kanë krijuar një fshat me emrin “Heronjtë e Shipckës”.
Kolegji grek (Frondistidhio) ngritur në vitin 1710, qe një hop i madh cilësor në fushën e kulturës. Nxënësit, të ardhur nga anë të ndryshme të Shqipërisë e nga Maqedonia, futeshin në një ambient të ri intelektual, pajiseshin me ide të reja , me pikpamje filozofiko-fetare të ndryshme nga ato të vjetrat, stërviteshin të përdornin “arsyen” për abstraksione, konkluzione deduktive, duke u bazuar në “teoritë” dhe njohuritë e kohës. Frondistidhio-ja ishte e vendosur në qendër të qytetit, në godinat ngjitur me kishën e Shën Kostandinit. Edhe pas prishjes së qytetit shkolla gjendej përsëri aty dhe pllaka e shtruar te dera e Akademisë (Nea Akademia) u soll dhe u vendos te hyrja në fjalë (nuk dihet ku humbi mbas kohe) siç na thotë Dhori Falo.
Po kush ishin voskopojarët e parë, ishin ata shqiptarë apo vllehë? Trashgimia gojore flet për një qytet të pastër shqiptar, i cili pas djegies së parë dhe ikjes së voskopojarëve nëpër Shqipëri dhe botë u mbush me çobenët e malit, të cilët flasin një gjuhë midis latinishtes dhe shqipes dhe që janë edhe ata latinë të shqiptarizuar. Pretendimi se rumenët kanë themeluar qytetin e Voskopojës është krejt i pathemeltë, pasi vllehët endacakë kurrë s’kanë ndërtuar qytete, bile as fshatra, ata kanë hyrë në vende vakante, siç është rasti i Voskopojës, por sidoqoftë vllehët janë po aq shqiptarë saç jemi dhe ne.
Sot në Voskopojë jetojnë rreth 300 familje me mbi 2000 banorë që përbëjnë fshatin Voskopojë të ditëve tona e cila, si qendër e komunës me të njëjtin emër, ka filluar të japë shenjat e mira të zgjimit dhe ringjalljes. Le të shpresojmë.
Dy fjalë për Brigadën IV S.
Brigada IV Sulmuese u formua në 28 dhjetor 1943 në Voskopojë me partizanët e kuadrot e batalionit "Shqiponja" si dhe të tjerë të ardhur nga batalionet "Fuat Babani", "Hakmarrja", "Tomorri", "Reshit Çollaku", "Gorë-Opar" si dhe të rinj të tjerë nga Korça dhe rrethi i Korçës. Të gjithë të lajmëruarit erdhën po atë natë duke u gdhirë dita e martë, 28 dhjetor. Për të shmangur ndonjë përplasje me armikun në kohën që ne akoma s’ishim organizuar mirë, u dha urdhëri të shkojmë në Shipckë. Atje u bë organizimi i plotë, duke u emëruar dhe kuadrot drejtuese. Në datën 31, pra në natën e Vitit të Ri, na u dha urdhëri që të nisemi në marshim. Nuk e dinim se ku shkonim. Dëbora kishte bllokuar gjithçka dhe trashësia e saj arrinte vende-vende mbi një metër. Herë pas here ndërroheshin partizanët pararojë që çanin dëborën, e cila na raskapiti, sidomos ata djem e vajza që vinin nga fushat dhe qyteti. Ne malësorët e mblodhëm mendjen shpejt dhe i përjashtuam qytetarët dhe fusharakët që të çanin dëborën, por ishte e vështirë që t’i ndaloje ata. Kaluam Krushovën, Bodenë dhe hymë në Lozhan. Unë e njiha shumë mirë vendin dhe nuk u ndërrova për asnjë çast nga pararoja, megjithë urdhërat që më jepeshin nga eprorët. Me mua u bashkuan të gjithë gorarët.
Pasi u çlodhëm mirë në Lozhan dhe pasi hëngrëm dhe pimë, dy batalione, i pari dhe i treti, u nisëm për në Malin e Bofjes. Duhej të rrethonim fshatin Dushar, ku ishin përqëndruar shumë forca balliste. Ky fshat gjendet në majën e malit rrethuar me pyll të dëndur. Në datën 2 janar ne mbërritëm rreth fshatit. Po shkruaj pak për këtë luftë, pasi qe dhe pagëzimi i luftës së Brigadës IV Sulmuese. Ne lëshuam tërë breshërinë e armëve tona kundër ballistëve, por ata u mbrojtën mirë. Ata luftuan derisa u err, me qëllim që të përfitonin nga errësira dhe të largoheshin. Ashtu ndodhi. Ballistët sapo u err lëshuan tërë baterinë e zjarrit mbi ne dhe ia dhanë vrapit në drejtime të ndryshme, por të studiuara mirë për të shpëtuar. Ata çanë rrethimin dhe ikën në drejtim të Tomorricës. Në krye të tyre ishte Maliq Dushari. Po atë ditë, më 3 janar 1944 gjermanët dogjën disa fshatra si Gjergjevicën dhe Lavdarin. Të nesërmen do më digjej mua shtëpia nga gjermanët, të cilët dogjën gati tërë fshatin. Po ashtu ata dogjën disa shtëpi rrugës për në Krushovë që nga Senishti, Lozhani, Zvarishti, Dolani dhe përfunduan në Shipckë dhe Voskopojë. Atë ditë gjermanët vranë dhe kushririn tim, korrierin tonë, Yzeir Bacelli.
Që në fillim Brigada IV Sulmuese numëronte 550 partizanë, nga të cilët ishin komunistë rreth 70 vetë, që ishin dhe motori i brigadës. Më vonë, deri në çlirimin e Shqipërisë, brigada arriti të kishte 2000 partizanë dhe numri i komunistëve shkoi deri në 600.
Kjo brigadë ka një histori shumë të lavdishme dhe ka qenë për mendimin tim një nga brigadat më shembullore në Shqipëri. Unë mendoj se një meritë të veçantë për këtë ka patur komandanti i brigadës, shoku Nexhip Vinçani që Partia më vonë e ka goditur. Me urdhërin e komandës së brigadës, ne që dinim shkrim e këndim u bëmë “mësues” të partizanëve analfabetë, të cilëve u mësuam shkrim e këndim, por kjo nuk ishte detyra jonë kryesore. Ne kemi bërë beteja me gjermanët dhe ballistët dhe e them me mburrje që ne nuk kemi patur asnjë disfatë si disa brig. Të tjera. Ne kemi bërë mbi 250 beteja dhe veprime luftarake ndaj armikut dhe që të gjitha me fitore. Komandantët tanë trima kanë qenë komunistët Nexhip Vinçani, Rita Marko, Petro Papi, Josif Pashko, etj. Po ashtu dhe shokët drejtues Vaskë Gjino, Spiro Shalësi, Kristo Isak, Pano Xhamballo në Brigadën IV Sulmuese.
Ne vramë mbi 2300 gjermanë (pa përmendur ata që u vranë në bashkëveprim me brigada të tjera), kemi kapur robër mbi 200 gjermanë, po ashtu një sasi të konsiderueshme armatimi.
Ne çliruam gati tërë rrethin e Korçës, Pogradecit dhe Kolonjës duke bërë shumë beteja si në Dushar, Shtyllë, Gjergjevicë, Tudas, Lavdar, Protopapë, Punëmirë, Osojë, Qafë e Beçit, Potom, Treskë, Trebickë, Luaras, Qafzes, Gostivisht, Kaltanj, Vithkuq, Gurmujas, Moglicë, Gopesh, Shënepremte, Lozhan, Dolan, Kolanec, Maliq, Melçan, Porodinë, Symiz, Dardhë, Arrzë, Guri i Kamjes, Guri i Bletës etj. Ne çliruam Korçën, Kolonjën, Devollin dhe ndihmuam në çlirimin e Pogradecit e me radhë deri në Kosovë. Ne kemi thyer edhe forcat fashiste bullgare në Tushemisht e Peshkëpi. Luftrat tona më të ashpra kanë qenë: Grabovicë, Pllocë, Moçan, Qafë Thanë, Krosnisht (në këtë fshat unë u kapa rob), Osojë, Gjinikas, Mali i Dusharit, Qafë e Gjarpërit dhe Bitinckë.
Gjatë datave 15-20 qershor të vitit 1943, në Vithkuq u mblodhën shokët e Shtabit të Qarkut të Korçës: Nexhip Vinçani dhe Pëllumb Dishnica, si dhe disa shokë të Shtabit të Zonës së Parë Operative, Vlorë-Gjirokastër: Islam Radovicka dhe Tahir Kadare. Në këto data unë kam bërë një heroizëm që dua ta shkruaj më vonë në një kapitull më vete.
Koçi Xoxe, miku i Adem Bacellit
“Nëse sot shkon tek shtëpia e Niko dhe Rrapi Zgurit, djemve të ndjerit Ndino Zguri apo tek Rrako Zguri në Voskopojë, ata do të flasin shumë për miqësinë e babait tim me Koçi Xoxen dhe Vangjel Shkodranin, të cilët takoheshin shpesh tek kisha e Shën Përdhonit dhe bisedonin gjatë duke ngrënë mish të pjekur dhe duke pirë raki të zjerë dy herë. Stafan Zguri ruan akoma një fotografi ku kanë dalë së bashku Adem Bacelli, Koçi Xoxe dhe Llambi Shkodrani. (Shënimi im, -Agim Bacelli)”
Misioni anglez në shtëpinë tonë
Para se të flas për misionin anglez dua të them dy fjalë për 13 infermieret amerikane që u strehuan në shtëpinë tonë që nga 1 dhjetori deri në 8 dhjetor të 1943. Ato ishin si drita, si zana mali që erdhën në shtëpinë tonë atë natë dimri të ashpër. Ato qenë 13, njëra më e bukur se tjetra. Ajo që na tregoi se kush ishin qe Anjeza (Agnes Jensen Mangeriç, shënimi im –Agim Bacelli) dhe ngjarja fillon në 8 nëntor 1943. Ajo tregon për atë grup infermieresh, dhe të tjerë (gjithësej 30 veta) në kohën e Luftës së Dytë Botërore, të cilat po transportonin me avion të plagosur nga Siçilia në Bari, por për shkak të kohës së keqe si dhe territoreve mbi të cilat nuk mund të fluturonin sepse ishin në gjendje zjarri, avioni bën një ulje të detyruar në tokën shqiptare, nën pushtim gjerman atë kohë. Ato tregojn kështu forcën e grave amerikane të cilat mbijetuan, kjo falë mirësisë, bujarisë dhe mikpritjes shqiptare. Gjithashtu ajo tregon për kushtet e Shqipërisë në atë kohë, të ilustruara këto edhe me foto. (Duhet patur parasysh se secili e tregon një ngjarje sipas pikpamjes së tij. Në librin “Albanian Escape: Shënimi im –Agim Bacelli. The True Story Of U.S. Army Nurses Behind Enemy Lines” - Historia e vërtetë e infermiereve të ushtrisë amerikane, prapa linjave armike, - sipas tregimit të Agnes J. Mangeriç-ut, ashtu siç iu tregua Evelin M. Monahan-it dhe Rosmary I.Neidel-it publikuar nga Universiteti i Kentucky-t në 1999. Agnes Jensen Mangeriç, ishte infermiere në shtëpinë tonë dhe këtë e ka përmendur në libër. Për Krushovën në këtë libër shkruhet në faqet; 100-102; 105; 116; 117; 118; 119; 120; 121; 130; 138 dhe 152.
13 infermieret kanë ndenjur në shtëpinë tonë prej 1 dhjetorit, ditë e mërkurë, 1943 deri në datën 8 dhjetor 1943. A.B.)
Victor Smith vajti i mori në Lavdar dhe për të përcjellë i përcolli Lietnant Gavin B. Daffy për në Gjergjevicë.
Anglezët
Siç e thashë më lart, në nëntor 1943 në shtëpinë tonë, me vendim të Këshillit Nacional Çlirimtar të Zonës së Voskopjës, mbërriti një mision anglez i kryesuar nga kapiteni V. Smith që më vonë u gradua major. Ata në fillim erdhën dy vetë, por më pas edhe disa të tjerë. Dy të parët ishin kapiteni Viktor Smith dhe një major i quajtur Alen Palmer. Kapiteni ishte një shukalaq i kuq, por shumë zemërmirë dhe majori ishte një i ri, me trup atleti që s’para të jepte muhabet. Atyre u shërbente vëllai im Ramizi (para se të dilte partizan) dhe nëna jonë, Sanija me Beqon dhe xhaxha Tahirë. Unë në atë kohë vija në shtëpi pasi isha korrier partizan. Isha në moshën 22 vjeç dhe Ramizi po bëhej gati që të vinte me mua. Ramizi ishte vetëm 15 vjeç. Vëllai i dytë Bequa, (Beqiri) ishte 27 vjeç, ai punonte në mulli ditë e natë së bashku me xhaxhanë tonë Qerimin. Vëllai i madh kishte pesë vjet që jetonte në Australi dhe ishte 30 vjeç. Ndërsa Besimi, Barjami dhe Halimi ishin të vegjël; Besimi 14, Bajrami 11 dhe Halimi 9 vjeç. Më shtatë dhjetor erdhën edhe dy anglezë të tjerë që u hodhën me parashutë tek Sheshi i Madh; Markus Llajani dhe Toni Northropi. Pas një jave u hodhën me parashutë edhe Xhek Dimulani e Norman Uilleri, ky i fundit zëvendësoi komandantin e misionit anglez në Shqipëri, Gjeneral David-in që kishte rënë rob tek gjermanët. Përkthyes ata kishin Tashul Bardhin nga Voskopoja.
Një natë unë munda të bisedoj me Smithin dhe bile ai më fali në shenjë kujtimi një kapelë stof leshi anglez, një palë qillota dhe një xhaketë po stofi të trashë, të cilat i kam ruajtur deri më sot pasi janë material i mirë. Këto rroba kanë një ngjyrë të gjelbër të hapur, shumë të këndshme.
Me ndihmën e përkthyes Tashulit ne biseduam gjatë. Smithi më tregoi se ai kishte ardhur nga Kajro në natën e 15 duke u gdhirë 16 tetori i 1943 dhe kishte zbritur me parashutë në Bizë të Martaneshit së bashku me komandantin e ri të misionit anglez në Shqipëri, Gjeneral Brigade, Z. Devis “Davies” (Trocki siç ai e quante) i cili zëvëndësonte Gjeneral David Smajlin e zënë rob nga gjermanët, Kolonel Nikollas dhe Major Alen Palmer. Ay tha se së bashku me Smajl-in kishte takuar në Helmës Enver Hoxhën në 12 korrik për t’i shpënë atij mendimin anglez të pajtimit të partizanëve me nacionalistët, të cilin mendim Enver Hoxha e hodhi poshtë me përbuzje.
Tashul Bardhi
Një burrë trupvogël nga Voskopoja. Me një fytyrë të fishkur si oshafe e tharë. Me mustaqe si të Çarli Çaplinit, me dy sy tepër zhbirilues dhe të gjallë. Tashuli kishte qenë 20 vjet në Amerikë dhe ishte kthyer në Voskopojë fukara! Ai u miqësua shumë shpejt me anglezët dhe me ta luante letra, domino, tavëll. Hanin e pinin dhe si përfundim Tashos po i fryheshin xhepat nga stërlinat e verdha angleze. Një ditë kur vizitova shtëpinë, ai më tha, “Gjynah që nuk je këtu, pasi anglezët e kanë zgjidhur qesen, paguajnë vetëm me flori dhe janë shumë dorlëshuar. Dëgjo Deme, dua të them një sekret, më kërkuan ndonjë femër ‘për të luajtur letra’ duke më thënë se paguajmë sa të doni. Ku mund t’jua gjejmë ndonjë nga qyteti se këtu në fshat të vrasin për këtë?” Bëra sikur s’e dëgjova fare dhe ika.
Me sa di, pas çlirimit, të shkretin Tashul e dënuan për agjitacion e propagandë. Të gjithë thoshin, “Tashuli e gjeti nga që i flet edhe bytha”!
Anglezët në shtëpinë tonë
Kapiteni e kishte emrin Smith, por ne e thërrisnim për kollaj Miti, ndërsa majorin ne e thërrisnim shqip Garib. Ata mua më thërrisnin Adem dhe Ramizit i thoshin Ram. Nënës i thërrisnin seç e thërrisnim ne, nënë. Ata nuk mësuan dot asnjë fjalë shqip dhe ne e kishim të vështirë të komunikonim, por kur natën vonë vinte Seit Bebri (i ati Selami Bebrit që kishte qenë në Amerikë me babanë) pasi Tashuli ikte Voskopojë, ne bisedonim gjatë me anglezët dhe ata nuk mërziteshin të na dëgjonin e të na përgjigjeshin. Mbaj mend njëherë kur Smith më tha mua: “Ju partizanët po luftoni si luanë dhe mua më vjen shumë keq kur ju shikoj të zveshur dhe zbathur. Ne do t’ju ndihmojmë që juve të mos u mungojë më asgjë. Ne do t’ju sjellim edhe armatim”, mua s'mu durua dhe i thashë: “Po ju po ndihmoni edhe armiqtë tanë, ballistët!” Ai qeshi dhe m’u përgjigj, "Ne kemi udhëzime që t’i ndihmojmë të gjithë shqiptarët që luftojnë gjermanin, por unë po shoh që ballistët nuk po luftojnë armikun tonë të përbashkët dhe këtë gjë ua kam thënë atyre që më urdhërojnë mua. Me zemër, unë dua që t’ju ndihmoj vetëm juve.”
Avioni katërmotorësh "Alifaks" (Alifax) vinte çdo dy ose tre javë dhe hidhte me parashuta armatim, e veshmbathje sipër fshatit tek Sheshi i Madh. I gjithë materiali grumbullohej tek një tjetër shtëpi, ku ishte bërë depoja e anglezeve dhe rinia e fshatit që akoma nuk ishte mobilizuar në luftë, bënin transportimin e tyre tek magazinat qendrore në Bakull të Osojës dhe në Staraveckë, por edhe disa materiale transportoheshin në Lavdar, Leshnjë-Vithkuq dhe deri në Panarit e në Backë të Skraparit, ku gjendeshin depot e ushtrisë partizane. Në krye të djemve të Krushovës printe vëllai im Besimi, i cili e bënte këtë punë me dëshirën më të madhe, pasi anglezët i jepnin ndonjë “verdhushkë”, të cilën ai ja jepte nënës tonë. Kështu që kur Ramizi erdhi në mal tek mua, shtëpinë e mbanin Bequa, i cili flinte në mulli dhe Besimi që megjithëse fare i vogël, ishte bërë zot shtëpie.
Në fillim ndodhi një incident me anglezët. Dy avionë, (ndoshta një, por u rrotullua dy herë) hodhën materialin jashtë Sheshit të Madh dhe fshatarët, nga që nuk e dinin akoma se ç'po ndodhte, sulmuan dhe morën kush mundi e çfarë mundi, pasi parashutat ranë në Gradishtat, Luadhi i Madhe dhe në Përroi Gjeçi i Madh.
Atë ditë në fshat u ndodh edhe shkrimtari Fatmir Gjata, që shoqërohej nga Bequa, i cili këtë episod e përshkruan tek romani i tij "Përmbysja" dhe për fat të keq ai përmend emrat origjinale si Hanushen e Dervishit, e cila qe shumë e vafër, por grua trime, familja e saj qe më e varfëra në fshat. Hanushja u turr të marrë sa më shumë gjëra për fëmijët. Për fat të keq, ajo kishte marrë brekë për bythë që rëndonin me kuintal dhe jo për bythët e thata dhe të çjerra të krushovarëve. Po ashtu Fatmiri thotë se anglezët hidhnin materiale që nuk i hynin kujt në punë si, brekë grash, këpucë vetëm të majta ose vetëm të djathta, rrobe fëmijësh ose uniforma për qikllopë e diva! Etj., etj. Fatmiri ka patur shumë të drejtë. Mua m’i ka thënë këto Bequa, të gjitha siç Fatmiri thotë, bile, për mendimin tim Fatmiri ka thënë pak.
(Këto gjëra që thotë babai im dhe Beqiri me Fatmir Gjatën nuk janë tërësisht të vërteta, pasi ata kanë qenë të detyruar të thoshin ashtu siç PKSH përgatiste gënjeshtrën e madhe anti anglo-amerikane, viktima të së cilës propagandë ata kanë qenë. Unë personalisht kam folur me z. Naim Bacelli, i cili është dëshmitar okular i asaj ngjarje dhe më ka treguar që vetëm 20 kepucë te djathta u hodhën gabimisht në Krushovë dhe për këtë gjë ai më thotë që të pyes edhe dy dëshmitarë të tjerë nga Krushova si Teki Bebri që banon në Korçë dhe Adil Bebri në Voskopojë. Shënimi im –Agim Bacelli)
Të nesërmen erdhi xha Rizai (Riza Kodheli) dhe i dha urdhër njësitit të fshatit që ta ruajë zbarkimin me armë në dorë. Nëse dikush nuk dëgjon të largohet, të qëllohet në mënyrë që të venë mend të gjithë e të mos afrohet askush tek Sheshi i Madh. Mësymja vazhdoi edhe javën tjetër dhe njësiti i fshatit s'bëri dot asgjë për t’i ndalur. Atëherë me urdhër të komandatit të Brig.IV sulmuese, shokut Nexhip Vinçani, u caktua një togë mbrojtëse, e cila do të komandohej nga intendenti i brigadës Raqi Qirinxhi, që qëndronte në shtëpinë tonë. Gjatë kësaj kohe partizanët plagosën rëndë një fshatar dhe gjendja ndryshoi. Askush s'guxoi më t’u afrohet parashutave angleze që binin tek Sheshi i Madh në Krushovë.
13 amerikanet në shtëpinë tonë
(Parathënie e librit të Agnes Jensen)
“Më 8 nëntor të vitit 1943, infermierja e ushtrisë amerikane Agnes Jensen linte pas krahëve një shi të ftohtë në Katania, Siçili dhe hynte në një C-53 aeroplan për transport.
Por, ajo dhe dymbëdhjetë infermieret e tjera nuk arritën kurrë në Bari, Itali, ku duhej të transportonin ushtarët e plagosur, në spitale larg linjave të frontit. Një stuhi e fuqishme dhe ndjekja nga Messersçmittët gjermanë, ishin shkaqet e uljes së detyruar të avionit në një vend të humbur të Shqipërisë, duke lënë infermieret, skuadrën e mjekëve dhe ekuipazhin e fluturimit të bllokuar dhe të humbur në një territor të pushtuar nga nazistët. Ajo që vjen pas kësaj ishte një lojë e rrezikshme “kukamshefthi” me armiqtë, një situatë kjo për të cilën Presidenti Roosvelt kërkonte të vihej në dijeni çdo ditë.
Partizanët shqiptarë i ndihmuan amerikanët e humbur për të gjetur një Mision të Inteligjencës Angleze dhe grupi filloi kështu një udhëtim të gjatë dhe të rrezikshëm drejt bregut të Adriatikut, gjatë javëve që ndoqën, ata kaluan malin e dytë në Shqipëri për nga lartësia, nëpër stuhi të forta bore, u goditën nga aeroplanët gjermanë, arritën të braktisin një qytet pak çaste para se të bombardohej dhe u gjendën në pamundësinë për të bërë diçka, se si një përpjekje për t’i shpëtuar ata, dështoi duke u penguar nga forcat naziste.
‘Ikje nga Shqipëria’ është një tregim i mbushur me të papriturat e të vetmit grup infermieresh të ushtrisë, që kaluan një kohë të gjatë në një territor të pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Infermieret dhe ushtarakët duruan kohën me ngricë, me mot shumë të keq, mbijetuan me shumë pak ushqim dhe ‘lanë’ në kuptimin e vërtetë të fjalës, këpucët e tyre, në ato 800 milje të ecuri në ato rrugë pa rrugë.
Të shtyra kundër vullnetit në një situatë të rrezikshmë dhe të vendosura për të mbijetuar, këto gra gjetën guximin dhe forcën tek njëra-tjetra dhe tek zemërgjërësia e shqiptarëve, të cilët i fshehën ato nga gjermanët.
Më 1995, e shoqëruar nga djali i saj Jon dhe nga vajzat Karen, Jensi u kthye në Shqipëri. Në shtëpinë e Stefës, ajo foli për disa orë me të venë e tij. Stefa ishte pushkatuar nga komunistët në një burg shqiptar afër Beratit në vitin 1948. Ajo zbuloi gjithashtu, që djali më i madh i Stefës, Alfredo, të cilit ajo i kishte dhuruar “krahët e fluturimit” ishte i sëmurë në spital. Ai vdiq të nesërmen e asaj dite, përpara se ajo të kishte mundësinë ta takonte. Ajo hetoi edhe për Hasanin, por u njoftua që kishte vdekur më 1988. Ramiz Bacellin (Xhonin e vogël) që i shoqëroi nga Krushova për në Lavdar, nuk e takoi.(A.B.)”
Djegia e shtëpisë
Shtëpia jonë në Krushovë është djegur nga gjermanët ditën e martë, ora 16 të datës 4 janar 1944 dhe u bë shkrumb e hi me gjithçka kishte brenda.Të njëjtin fat pësuan edhe 70% e shtëpive të fshatarëve të mi.
Mbaj mend se dimër më të ashpër se ai, ne kurrë nuk kishim parë. Dëbora kishte arritur një shtresë prej dy metrash në disa vende dhe rrugët qenë të bllokuara. Vetëm gjermanët mund të lëviznin me mjetet e tyre të blinduara, të cilët erdhën nga Plerinat, që është në rrugën që vjen nga Dolani. Po ashtu dua të shtoj se operacioni gjerman i dimrit kundër partizanëve u bë në këtë qamet të madh. Ne, brigada jonë e katërt që sapo ishim formuar, mbijetuam mirë dhe iu shmangëm goditjes frontale të gjermanëve, mirëpo disa brigada të tjera si ajo e dytë dhe e tretë, na thanë se ishin shkatërruar fare. Shumë partizanë të Brigadës së parë ishte shpërndarë pa urdhër dhe Mehmet Shehu mundohej që t’i mblidhte ata shtëpi më shtëpi.
Atë mëngjes, para se gjermanët dhe ballistët t’i drejtoheshin fshatit tonë, një ballist, mik i familjes sonë, vjen dhe i thotë nënës sime se, "gjermanët do t'ju djegin shtëpinë si shtëpi partizane dhe si bazë angleze. Largo fëmijët, anglezët dhe plaçkat. Kaq mund të bëj për ju. Kurseni ç’të mundni." Nëna, e cila ishte lajmëruar edhe njëherë tjetër më parë (të mërkurë më datën 1 dhjetor 1943) se do t'ja digjnin shtëpinë, i kishte nxjerrë të gjitha plaçkat me vlerë si qilima, sixhadera të bukura persiane, enë kuzhine farfurie, plaçka të saja dhe të djemëve që babai i kishte sjellë nga Amerika etj. dhe i kishte depozituar në një vend sekret afër Kroit të Madh, por të nesërmen gjermanët nuk na e dogjën shtëpinë. Kur ajo kur shkoi tek vendi ku kishte fshehur plaçkat, nuk gjeti shumicën e tyre! Tani vijnë përsëri dhe i thonë që t’i nxjerrë jashtë të gjitha plaçkat pasi do t'ja djegin shtëpinë dhe nënës nuk iu besua. Për këtë ajo iu përgjegj ballistit se ishte betuar që të mos i nxirrte jashtë plaçkat dhe se, vetëm kur të nxirte xhenaze (të vdekur) të shtatë djemtë do t’i nxirrte plaçkat jashtë shtëpisë! Ballisti i mirë iku i çuditur.
Nëna, megjithatë u dha alarmin anglezëve, të cilët për 5 minuta u bënë gati dhe u nisën në drejtim të Shën Kostandinit afër Voskopojës, ku ishin forcat e shumta partizane të Nexhip Vinçanit, ku ishim edhe ne: Ramizi dhe unë dhe ku kishim depot me materiale si veshmbathje dhe armatim dhe të tjera materiale luftarake. Raqi këtu bëri një gabim të madh, pasi u dha alarmi që gjermanët po vinin në atë drejtim, partizanët i kërkuan që mallin ta merrnin duke iu shpërndarë secilit partizan aq sa të mundej, por Raqi Qirinxhiu nuk lejoi të merret asgjë nga depot. Ai vetë ngarkoi vetëm dy mushka me pajisjet personale të anglezëve dhe u nis drejt Lavdarit ku kishte shkuar N.Vinçani dhe Koçi Xoxe që në mëngjes.
Të parët që mbërritën në Lavdar qenë rreth 4000 partizanë e civilë, ndërsa Raqi me anglezin, Terin dhe dy krushovarët i ndoqën nga pas. Në Lavdar u mblodh shtabi i brig. ku asistonte dhe Koçi Xoxe si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac-Çlirimtare për të diskutuar si ta kalonin Qafën e Beçit, pasi kjo qafë ishte zënë nga gjermanët. Nexhipi mendonte që forcat partizane të kalonin në krahun e majtë të Ostrovicës dhe Koçi ngulte këmbë që të kalonin në krahun e djathtë. Koçi i nxehur e urdhëroi Nexhipin që të bëhej ashtu siç ai urdhëronte, por Nexhipi i tha këto fjalë: “Nëse ti dëshiron që partizanët t’i kalosh drejt kasaphanës, mblidhe brigadën, shkarkomë mua nga detyra si komandant i saj dhe pastaj bëj si të duash! Ndryshe, unë do të bëj ashtu siç mendoj.” Këtu Koçi u dorëzua, pavarësisht se që të dy mendonin për t’i shpëtuar partizanët. Rruga që deshte Koçi të bënim ne partizanët, ishte rruga më e gjatë, por jo më e sigurt, pasi gjermanët e zgjuar kishin kapur të gjitha qafat, luginat, rrugët dhe shtigjet e mundshme nga ku do të kalonim për t’i dalë rrethimit tonë në Voskopojë.
Kalimi u bë natën jo më shumë se 100 m larg gjermanëve në njëshkolonë, pa bërë asnjë fjalë, pa pirë duhan, pa bërë asnjë zhurmë dhe në një distancë prej 10 m larg njëri-tjetrit. Edhe kollitja duhej të mbahej duke kafshuar dëborë. Kushdo që do të gabonte, do të vritej në çast, duke u mbytur me një shall a me një rryp! Në fund të kolonës ishte majori anglez, Raqi Qirinxhi, Lefteri dhe dy krushovarët, Seit e Shupe Bebri me Isufin e Ademit, të cilët udhëtuan bashkë deri në Lavdar, ku Raqi u dha urdhër që të kthehen në shtëpitë e tyre në Krushovë, pas një incidenti të ndodhur. Gjatë kthimit dy vëllezërit mundën të arrijnë në shtëpi, ndërsa Isufin e kapën gjermanët. Në një vend gjermanët panë një lepur dhe filluan ta ndjekin lepurin, në këtë kohë Isufi së bashku me një korçar që edhe ai qe zënë rob, ua dhanë këmbëve dhe ikën. Korçari nuk arriti dot të largohej aq shpejt sa Isufi dhe kështu ai u vra ndërsa Isufi ra në përruan e Osojës dhe pastaj në lumë duke ecur përpjetë lumit derisa arriti arriti tek Ura e Koços. Atje doli nga lumi dhe u kthye tek kasollet e Qerim Bacellit. Atje Isufi ngeli dy ditë sa iu shëruan nga këmbët që ishin enjtur dhe i rridhnin gjak.
Ne partizanët e brigadës së katërt e kaluam me sukses Ostrovicën dhe arritëm të gjithë gjallë në pyjet e Zaloshnjës duke ecur për tërë natën. Në mëngjes gjermanët u çuditën se si gjurmët e një autokolone partizane u kishin kaluar aq afër pa i dëgjuar! Kjo qe situata kur gjermanët na dogjën shtëpinë ne Bacellinjve.
Në kohën që ne kalum në drejtim të Qafës së Beçit, vëllezërit e mi të vegjël, Besimi, Bajrami dhe Halimi shkuan nga xhaxha Tahiri. Beqiri ishte në mulli dhe Rexhepi kishte 5 vjet që kishte emigruar në Australi. Në shtëpi ngeli vetëm nënë Sania.
Sapo kaloi mezi i ditës, gjermanët dhe ballistët erdhën dhe u dukën sipër mbi Shullë të Krushovës. Pasi e mitraluan për disa çaste fshatin nga sipër Shullërit dhe vranë kushëririn tim të parë, Yzeirin, djalin e xhaxha Tahirit, ata zbritën në fshat dhe i vunë zjarrin. Ata spërkatën tërë shtëpinë tonë me benzinë dhe i vunë zjarrin. Shtëpia jonë ishte e madhe dy katëshe dhe të gjitha gjërat e shtëpisë u bënë shkrumb e hi. Nuk shpëtoi asgjë, bile një gjerman kur pa qenin tonë të madh me emrin Xebo që ishte strukur i frikësuar në një qoshe afër ashefit (kuzhinës) e qëlloi me plumb në kokë. Nëna, siç më thanë fshatarët më vonë, kishte qëndruar trimëreshë dhe nuk kishte bërë fare zë.
Si ikën gjermanët, nënën e mori kunati, Pasho Bacelli, në shtëpinë e vet, i cili banonte 20 metra më lart shtëpisë sonë. Ne kishim tre vjet, që nga vdekja e babait, që nuk flisnim me xhaxhanë për një çështje të ngatërruar dhe jo fort të qartë; punë vjedhje. Thuhej se 16 dhen ishin vjedhur nga disa miq të tij.
Duhet thënë që të vetmen gjë që bëri nëna për të shpëtuar para se të vinin gjermanët të digjnin shtëpinë, ishin monedhat e floririt (disa kilogram) që babai i kishte grumbullar nga shitja e tokave dhe bagëtive tre vjet më parë se të vdiste dhe paratë e Amerikës që i kishte kthyer në flori. Po ashtu, edhe anglezët, në ikje e sipër, kishin lënë disa monedha floriri, të cilat nëna i numëroi dhe i bashkoi me arin e vet për tua dhënë anglezëve kur të ktheheshin. Të gjithë sasinë e floririt e fshehu diku prapa shtëpisë, në selishtën pranë lëmit që shtrihej midis shtëpisë sonë dhe asaj të xhaxha Pashos, në një vend të sigurt. Këtë gjë e bëri sapo ajo mori lajmin se do të na digjnin shtëpinë, pra, në atë mëngjes që u dogj shtëpia. Si u vra Yzeiri ajo shkoi nga shtëpia e xhaxha Tahirit, ku kishte rënë zija.
Gjermanët vinin nga Dolani. Yzeiri kulloste dhentë tek Shullëri dhe kur pa gjermanët bëri të shkojë në shtëpi të lajmërojë ardhjen e gjermanëve. Në atë kohë në shtëpinë tonë sapo kishin ikur anglezët e lajmëruar nga nëna. Gjermanët dyshuan për ikjen e tij me vrap dhe i ranë e vranë. Yzeiri ishte 14 vjeç djalë. Ai u vra përtej Shullërit. Kjo sipas tregimit te vëllait të tij më të madh, Naim Bacellit, i cili e kishte parë me sy ngjarjen.
Pas ikjes së gjermanëve, nëna shkoi të marrë floririn, por nuk e gjeti. Hysnia, e bija e xhaxha Pashos që ishte martuar në Gjonomadh ishte parë duke hyrë në shtëpin e të atit me teneqenë e floriririt në dorë. (Në fakt askush nga ne nuk e ka parë, kjo është një e thënë nga një fqinj i joni.) Në këtë kohë ajo kishte lënë florinjtë brenda dhe pastaj mori nënën për krahu dhe i thotë se në këtë fatkeqësi ne do t’ju jemi pranë dhe se nëna duhet të shkonte tek i kunati, që ishte i ati i saj. Nëna tepër e traumatizuar, për çastin, nuk mendoi gjatë dhe e shkeli amanetin e babait tonë që i kishte thënë se me Pashon të mos kishin asnjë marrëdhënie dhe të mos flisnin kurrë. Në shtëpinë e të kunatit ajo gjeti ngushëllimin e çastit dhe kaloi ditën e natën e parë të fatkeqësisë. Kur erdhi koha që t’i jepnin florinjtë, ata e mohuan grabitjen!
Floriri
Xhaxha Pasho, një ish oficer i Themistrokli Gërmenjit, në atë kohë ishte në moshën mbi shtatëdhjetë vjeç, por i mbajtur mjaftë mirë. Nëna pas kësaj filloi të ishte e lemerisur jo vetëm për floririn, por edhe për humbjen e gjithçkaje tjetër përveç jetës së saj dhe të shtatë djemve. Ajo zbriti me vrap poshtë duke qarë dhe shkoi tek shtëpia e kunatit tjetër, Tahirit, i cili banonte disa dhjetra metra më poshtë se shtëpia jonë. Shtëpia jonë ka qenë midis shtëpisë së Pashos dhe asaj të Tahirit.Vendi vinte i pjerrët dhe me një bregore që ngjante si një tarracë nga ato që hap sot rinia në bregdet.
Xhaxha Tahiri megjithë hallin e madh që kishte e priti ëmbël dhe e futi brenda duke u munduar që ta qetësonte nënën e cila dridhej e tëra nga fatkeqësia dhe inati që kunata, "su ngop me shtëpinë dhe mallin e djegur, dhentë që i shiti në Senisht por më mori edhe floririn që e ruaja për të rritur djemtë jetimë!" siç do të thoshte ajo në ato momente. Më në fund pasi e mblodhi mendjen, ajo iu lut Tahirit që të më lajmëronin mua dhe Beqon. "Nëse ti Tahir nuk i lajmëron djemtë e mi, Demen dhe Beqon, qysh nga ky moment, unë nuk qëndroj asnjë minutë në shtëpinë tënde." Tahiri i tha se duhet të priste deri të nesërmen, dhe se ajo duhet të pushonte pak e ndërkohë ta diskutonin se kë të dërgonin deri në Dushar apo gjetkë, ku unë isha në luftë me batalionin e tretë ndërsa brigada po bëhej gati të shkonte në Skrapar. Kjo gjë paraqeste rrezikshmëri shumë të lartë, pasi kudo ishin gjermanët.
Fati që isha korrier më shpuri në vendin ku qe dislokuar brigada ime. Unë pasi dëgjova nga anglezët që erdhën nga fshati jonë se, "Krushova është djegur" mora leje dhe u nisa. Qe akoma natë kur mbërrita në Krushovë. Nuk e di nëse eca rrugës apo fluturova! Nuk ndieja asgjë, nuk shikoja asgjë, nuk mendoja asgjë tjetër veçse nënockën time dhe vëllezërit e mi të vegjël të ngelur në dyertë e botës, pa asnjë mall e plaçkë pasi e kisha ditur me kohë që ajo thoshte se "nëse na djegin shtëpinë, unë kurrë s'kam për të nxjerrë asgjë jashtë shtëpisë!"
Mbërrita në krye të fshatit tek vendi që ne e quajmë "Vadha e Varreve" dhe nëpër dritën e pishtarëve pashë shumë shtëpi të djegura dhe midis tyre shtëpinë time që dukej nga larg si një pirg i zi, i cili akoma nxirrte tym. U lëshova tatëpjetë siç lëshohet një shqiponjë kur gjuan dhe për disa minuta mbërrita tek porta e madhe e xhaxha Tahirit, të cilën e gjeta mbyllur. Nuk u drejtova nga shtëpia e Pashos, pasi babai para se të vdiste më kishte thënë: "Biri im, po vdes nga dora e vëllait." Kjo është një histori më vete që nuk dua ta tregoj në këto kujtime, pasi atë e dënoi Perëndia siç do t’i dënojë të gjithë atë që gëzohen me fatkeqësinë e tjetrit dhe sidomos ata që ia rëndojnë atë.
Trokita tek shtëpia e xhaxha Tahirit dhe bile e shtyra me tërsëllimë. Nga brenda dëgjova zërin e xhaxhait: "Ja, ja erdha. Kush je ti?" Unë e pyeta nëse është nëna atje. Xhaxhai më hapi derën dhe më përqafoi duke më thënë, "Sanija është këtu, biri i xhaxhait. Ruani gjakftohtësinë bir! Mos ia shtoni më hallet vetes." Nuk e dija se Yzeiri i shkretë qe vrarë.
Hyra brenda dhe e rrëmbeva nënockën në krahë dhe e putha. "Nënockë, - iu drejtova, - ne jemi të rinj dhe ti ke 7 diva që mund të ngrenë shtatë saraje si të Sulltanit e jo më një shtëpi si ajo që iku." Nëna më puthi dorën.
Pas pak heshtje ajo më tha: "Bir i nënockës, nuk më erdhi aq keq për shtëpinë, por..." Dhe nëna heshti. "Çfarë ka ndodhur?! Më thuaj nënockë!" i thashë.
"Na vodhën floririn e shtëpisë dhe ca nga ato që lanë anglezët kur ikën dje ashtu këmba - këmbës."
Gjaku më hipi në kokë dhe pyeta se kush e vodhi. “Ndoshta xhaxhai yt, Pashua...” Po ky nuk u ngop me babanë që na e vdiq të ri, por edhe këtë na bëri që të na vrasë të gjithëve! Mendova këto dhe rrëmbeva pushkën e ika si veriu jashtë pa bërë asnjë sqarim. Mbërrita tek porta e Pasho Bacellit dhe i dhashë një shqelm e ajo u shqye e u rrëzua për tokë. I futa plumbin në gojë pushkës dhe ngjita shkallët për tek oda e Pashos që binte pas ballkonit të shtëpisë. U betova se nëse xhaxhai nuk do të më jepte floririn, unë do ta vrisja si një qen!
Nga dritarja prapa shtëpisë dëgjova që largohej me vrap i biri, Fazlliu (Likja). E shoqja më doli përpara dhe më kapi për xhakete, por i dhashë një të shtyrë dhe ajo u rrëzua nëpër shkallë. Hyra tek oda e Pashos. Ai ulur këmbëkryq me tespie në dore rrinte ulur në një shilte të trashë jeshile dhe pa e prishur shumë terezinë m’u drejtua, "Erdhe bir!"
FLORIRI
Xhaxha Pasho në atë kohë ishte mbi shtatëdhjetë vjeç por i mbajtur mjaft mirë. Nëna pas kësaj vjedhje filloi të ishte e lemerisur jo vetëm për floririn por edhe për humbjen e gjithçkaje tjetër përveç jetës së saj dhe të shtatë djemve. Zbriti me vrap poshtë duke qarë dhe shkoi tek shtëpia e kunatit tjetër, Taqit, i cili banonte disa dhjetёra hapa më poshtë se shtëpia jonë qё ishte midis shtëpisë së Pashos dhe asaj të Taqit. Vendi vinte i pjerrët, me një bregore që ngjante si atp tarracat në bregdet. Xhaxha Taqi, megjithë hallin e madh që kishte, e priti ëmbël dhe e futi brenda duke u munduar që ta qetësonte nënën e cila dridhej e tëra nga fatkeqësia dhe inati që kunata "s’u ngop me shtëpinë dhe mallin e djegur, dhentë që i shiti në Senisht, por më mori edhe floririn që e ruaja për të rritur djemtë jetimë!" siç do të thoshte ajo në ato momente. Më në fund pasi e mblodhi mendjen, iu lut Taqit që të më lajmёronin mua dhe Baton. "Nëse ti Taqi nuk i lajmёron Demen dhe Baton, qё nga ky moment unë nuk qëndroj asnjë minutë në shtëpinë tënde." Taqi i tha se duhet të priste deri të nesërmen dhe se ajo duhet të pushonte pak, ndërkohë ta diskutonin se kë të dërgonin deri në Lavdar apo gjetkë ku ishte disllokuar Brigada e Katërt Sulmuese që po bëhej gati të shkonte në Skrapar. Kjo gjë paraqeste rrezikshmëri shumë të lartë pasi kudo ishin gjermanët.
***
Pasi dëgjova nga anglezët që erdhën nga fshati jonё se Mesmali është djegur, mora leje dhe u nisa. Në orёn pesё të mëngjezit mbёrrita në fshat. Nuk e di në se eca rrugës apo fluturova! Nuk ndjeja asgjë, nuk shikoja asgjë, nuk mendoja asgjë tjetër veçse nënockën time dhe vëllezërit e mi të vegjël të ngelur në dyert e botës, pa asnjë mall e plaçkë, pasi e kisha ditur me kohë që ajo thoshte se në se na djegin shtëpinë, unë kurrё s'kam për të nxjerrë asgjë jashtë shtëpisë!
Tek vendi që e quajmë Vadha e Varreve pashë shumë shtëpi të djegura, midis tyre shtëpinë tonë që dukej nga larg si një pirg i zi dhe që akoma nxirrte tym. U lëshova tatëpjetë siç lëshohet një shqiponjë kur gjuan prenë dhe për disa minuta mbёrrita tek porta e madhe e xhaxha Taqit të cilën e gjeta mbyllur. Nuk u drejtova nga shtëpia e Pashos pasi babai para se të vdiste më kishte thënë: "Biri im, po vdes nga dora e vëllait."
Kjo është një histori më vete që nuk dua ta tregoj, pasi atë e dënoi Perëndia siç do t’i dënojë të gjithë atë që gëzohen me fatkeqësinë e të afërmit të tyre.
Trokita tek shtëpia e xhaxha Taqit dhe e shtyva me tërsëllimё. Nga brenda dëgjova zërin e xhaxhait: "Ja, ja erdha. Kush je ti?"
Unë e pyeta nëse është nëna atje. Xhaxhai më hapi derën dhe më përqafoi duke më thënë: "Sano është këtu biri i xhaxhait. Ruani gjakftohtësinë, bir! Mos ja shtoni më hallet vetes."
Nuk e dija se Yzi i shkretë qe vrarë.Hyra brënda dhe e rrëmbeva nënockën në krahë dhe e putha. "Nënockë, - iu drejtova, - ne jemi të rinj dhe ti ke shtatё diva që mund të ngrenë shtatë saraje si të Sulltanit e jo më një shtëpi si ajo që iku."
Nëna më puthi dorën. Pas pak heshtje më tha: "Bir i nënockës, nuk më erdhi aq keq për shtëpinë por..." Dhe nëna heshti.
"Çfar ka ndodhur?! Më thuaj nënockë!" - thashë.
"Pashua na mori tërë floririn e shtëpisë dhe ca nga ato që lanë anglezët kur ikën dje ashtu rëmba - këmbës."
Më hipi gjaku në kokë. Po ky nuk u ngop me babanë që na e vdiq të ri por edhe këtë na bëri që të na vrasë të gjithëve! Mendova këto dhe rrëmbeva pushkën e ika si veriu jashtë. Mbёrrita tek porta e Pasho Dardhës dhe i dhashë një shqelm, ajo u shqye e u rrëzua për tokë. I futa plumbin në gojë pushkës dhe ngjita shkallët për tek oda e Pashos që binte pas ballkonit të shtëpisë. U betova se në se xhaxhai nuk do të më jepte floririn, do ta vrisnja si një qen!
Nga dritarja prapa shtëpisë dëgjova që largohej me vrap i biri, Likua. E shoqja më doli përpara dhe më kapi për xhakete por i dhashë një të shtyrë dhe ajo u rrëzua nëpër shkallë. Hyra tek oda e Pashos. Ai ulur këmbëkryq me tespie në dore si musliman i konvertuar rrinte ulur mbi një shilte të trashё jeshile dhe, pa e prishur shumë terezinë, m’u drejtua: "Erdhe bir?"
I drejtova pushkën por ai dukej fare i qetë, ndërsa unë isha në kulmin e egërsisë.
“Pasho! Nxirr floririn e vjedhur! Nuk bëj asnjë muhabet me ty. Për shpirtin e babit të pres vetëm pak minuta dhe ti bashkë me këdo që do të më dalë përpara do vdisni si qenër!”
Ai më vështroi drejt e në sy.
“Ngadalë, o bir, merre shtruar. Le të bisedojmë si është puna…”
Më dridhej trupi dhe kjo zgjatje e tij më dukej një dredhi apo më keq akoma, ma shtonte egërsinë.
“Jo Pasho! Asnjë bisedë. Fjala e fundit, do të ma japësh floririn që na keni vjedhur apo jo? Nuk dua asnjё fjalë më shumë, vetëm një “po” ose një “jo”!”
Ndërkohë sytë po i bëja katër. Ai uli kokën dhe po mendohej. Koha që ai s’po fliste m’u duk kaq e gjatë sa e humba durimin. Qëllova me pushkë mbi kokën e tij. E dija se Pasho ishte trim, bile shumë trim dhe këtë e tregonin të gjithë ata që e njihnin. Mendova ta vras dhe më pas të vras dhe veten. I dhashë karar mëdyshjes.
“Pasho edhe një herë po të them, do na i kthesh floririn apo jo? Ke vetëm një minutë kohë.”
Fillova të numëroj. Nuk e di se sa kisha numëruar, kur ai i qetë më tha: “Deme! Unë s’të kam marrë asnjë flori. Dëgjova nga gratë që Hysnia ka marrë diçka dhe e ka nisur në Gjonomadh. Më jep kohë ta verifikoj dhe, nëse ajo ju ka marrë floririn, le të shkojmë në Gjonomadh ta marrim.”
Kur kisha shkrehur pushkën, ishte dëgjuar nga xhaxha Taqi dhe nëna së bashku me Baton që sapo kishte mbёrritur nga mulliri dhe ata erdhёn me vrap tek xhaxha Pashoja. Nëna m’u hodh sipër dhe më mbajti pushkën, ndërsa Batoja hyri mes meje dhe Pashos.
“Deme, - do të më thoshte Bato, - Qetёsohu! Ne do t’ua marrim floririn. Si thua, xhaxha Pasho?”
Pashoja nuk foli derisa Beqoja ia përsëriti disa herë pyetjen. Ai premtoi se kjo punë do zgjidhet shumë shpejt dhe se ata të dy do të merreshin vesh bashkë. Mua, nënёn dhe Beqon, na nxorën jashtë dhe unë ika ashtu siç edhe kisha ardhur. Brigada ishte nisur për në Skrapar dhe u nisa për atje.
Këtu babai ndaloi një cop herë dhe pasi psherëtiu. Dukej fare i qetë. Më buzëqeshi dhe më ra krahëve.
"Ishin kohë shumë të vështira, biro. Mos ardhshin kurrë ato kohë!"
BATO
Pas disa ditësh në shtëpi, ashtu siç më kishte premtuar, im atë m’u afrua dhe, pasi më pa gjatë në sy, më pyeti: "Ke kohë të vazhdojmë bisedën e lënë..?"
"Po si jo. Me gjithë dëshirë."
"Këto që të tregoj, nuk i di njeri. Nëna ime ka vdekur, Batoja po ashtu. Pashoja dhe Likoja janë harruar nga kjo botë. Vëllezërve nuk ua kemi thënë kurrë pasi nëna na ishte betuar për këtë. I vetmi njeri sot që i di këto ngjarje të këqija jam unë dhe s'dua t'i marr me vete."
Ndaloi bisedën, u ngrit e shkoi tek soba e ngrohjes, trazoi prushin si për të shtuar nxehtësinë. Ishte muaj mars dhe moti ishte akoma shumë i ftohtë.
"Do një çaj mali të ta bëj, sikur nxehesh pak, nëse ke ftohtë?" - e pyeta.
"Jo, dua ta përfundoj rrëfimin e floririt dhe historinë më të keqe të familjes sonë. Dua të më dëgjosh me vëmendje sepse dëshiroj shumë që ti të mësosh nga kjo histori. Më vjen keq që ti nuk beson në Zot por, gjithsesi, do shohësh se bota nuk është pa një Zot i cili kontrollon gjithçka dhe që i jep gjithsecilit të 'hajë' atë që ai gatuan për tjetrin prandaj mundohu të 'gatuash' për tjetrin ato gjëra që ti i pëlqen t'i hash vetë.
Gone, para se të vazhdoj historinë dua që ti të më japësh fjalën se këto që po të them sot s'dua t'ja tregosh askujt por ti dish vetëm ti derisa të vish në moshën time."
Unë tunda kokën në shënjë miratimi dhe ai vazhdoi të më tregojё.
"Siç të thashë, - vazhdoi im atë, - ika në mal tek shokët partizanë dhe historia e floririt nuk u zu më në gojë derisa u ktheva nga lufta. Pasi fillova punë si sekretar lokaliteti në Voskopojë dhe kisha dëshirën të filloja të bëja një shtëpi për nënën dhe për gjashtë vëllezërit, ia hapa nënës bisedën e floririt.
“Nënë, - i thashë, - unë kam disa para, por nuk na dalin të bëjmë një shtëpi të rehatshme për nëntë vetë. Batoja ishte i martuar dhe kishte një vajzë një vjeçe. Një ditë, kur të martohemi edhe ne të tjerët, të jetë disi e bollshme. Nëse Batoja i ka marrë florinjtë që na grabiti xhaxha Pasho, le ta fillojmë një shtëpi më të madhe, ose edhe dy. Si thua?”
"Dëgjo, Deme, Batoja më tha një ditë se mori disa florinj nga i ungji por me ata florinj ai ndërtoi një mulli dhe një dërstilë afër Shipckës dhe s'i kanë ngelur më."
"Si ka mundësi?! Florinjtë ishin afër një kuintal, të ndërtoje jo një mulli por tërë mullinjtë e Shqipërisë. S'ka mundësi?"
"Kështu më tha."
"Thirre ta bisedojmë bashkёrisht."
"Unë s'dua sherr. Di se xhaxha Pashua nuk ia dha të gjitha."
"Dhe ju heshtët?!"
"Po, kemi heshtur."
"Të lutem, thirre Baton."
Pas disa ditësh u mblodhëm të tre tek ashefi dhe, pasi mbyllëm derën që të mos na shqetësonin vëllezërit e vegjël, hapëm bisedën e florinjve.
"Bato, - filloi nëna e para, - ju kam thirrur të dyve të sqarojmë punën e florinjve. Ti e di se ne kishim gati një kuintal flori. Më the se i ke marrë Pashos aq sa bëre një mulli dhe një dërstilë. Aq janë shumë pak. Ku janë florinjtë e tjerë?"
Batoja uli kokën dhe u mendua gjatë. Nëna ndëryri përsëri:
"Ty po të them, më jep përgjigje, ku janë florinjtë e tjerë?"
"Dëgjo, nënë. Të kam thënë se sa florinj kam marrë."
"Jo, s'më ke thënë asgjë se sa. Ti më ke thënë vetëm se ia more florinjtë Pashos. Ku janë florinjtë!"
"Unë i mora aq sa ai më dha."
"Jo, s'të besoj. Ti nuk i ke marrë të gjithë dhe heshte?!"
"Po, heshta. S'desha sherr. Pastaj ai m’u betua se vetëm aq kishte. Nuk ia kthyen ata të Gjonomadhit."
"Jo, ti s'më ke thënë asgjë nga këto. Ku është floriri? Mos e ke fshehur?"
Këtu Batoja kërceu përpjetë sikur ta kishte kafshuar gjarpëri, por unë e kapa fort për shpatullash dhe e detyrova të ulej e të fliste shtruar. Kam qenë shumë herë më i madh me trup dhe më i fuqishëm se sa Batoja, por s'mund të them se isha më rezistent se ai pasi Batoja kishte një shpirt të pamposhtur, një shpirt vigan që nuk ia ulte kokën askujt. E këshillova ta dëgjonte me kujdes nënën dhe të mos kërcente më përpjetë.
"Unë fshehur?! Jo, nënë. Je gabim. Unë s'kam më flori dhe mos kërkoni nga unë. Kaq ju them."
Po më dridhej trupi nga inati. E ndjeja se Batoja gënjente. Iu vërsula me të shara dhe kërcënime. Ai nuk lëvizi nga e tija. Ndoshta do bënim jo vetëm sherr por edhe do godisnim njëri- tjetrin në se nëna s'do ndërhynte me shumë zgjuarsi ta shuante atë sherr.
"Dëgjo, Bato! Dëgjo edhe ti, Deme. Ne s'do merremi dot vesh, por unë s'dua sherr. Kjo bisedë do mbyllet sot këtu pasi Batoja të më betohet ashtu siç dua unë se nuk ka flori."
"Betohem si të duash ti, nënë."
"Dëgjo, Bato! Unë dyshoj prandaj dua që betimi jot të bëhet i nxehtë dhe të lerë një shenjë për tërë jetën që, sa herë ta kujtosh nëse ke gënjyer, të të dhembë dhe të të shkatërrojë jo vetëm ty por edhe familjen tënde. Je gati të bësh atë që dua unë?"
"Jam."
Nëna mori mashën, trazoi zjarrin në vatër dhe e la atë pak në prush.
"Do ta qis mashën e nxehtë nga prushi dhe ti, Bato, do ta kapësh me dorën e djathtë të mbështjellë me një leckë. Dua që dora jote të digjet disi dhe ndërkohë të thuash ato fjalë që do them unë. Dakord?"
Nëna nxorri mashën nga zjarri dhe ia zgjati Batos.
"Kape!!
Batoja e kapi mashën e nxehtë me një leckë e cila u dogj sakaq dhe më pasi i dogji dorën. Ai nuk bërtiti dhe nuk e lëshoi. E dija guxmin e tij dhe po ndieja keqardhje.
"Nënë, të lutem lёre mashën. Batoja po djeg dorën. Të lutem?"
"Bato, betohu! - bërtiti nëna. - Betohu kështu: I kam marrë Pashos aq flori sa kam prishur."
"I kam marrë Pashos aq flori sa kam prishur."
"Sot unë s'kam asnjë flori nga ato që i mora Pashos."
"Sot unë s'kam asnjë flori nga ato që i mora Pashos."
"Betohem në Zot dhe nëse gënjej, Zoti më dënoftë!"
"Betohem në Zot dhe nëse gënjej, Zoti më dënoftë!"
"Mos e gëzofsha jetën nëse gënjej dhe mos pafsha asnjë ditë të bardhë dhe çupa ime mos u trashëgoftë!"
"Mos e gëzofsha jetën nëse gënjej dhe mos pafsha asnjë ditë të bardhë dhe çupa ime mos u trashëgoftë!"
"Hiqe mashën nga dora!"
E tmerrshme! Batoja ishte djegur keq, por as rënkoi dhe as lotoi! Ai qëndronte triumfant mbi nënën dhe mbi mua. Fillova ta besoj se dënimi i tij ishte i pamerituar. E përqafova me keqardhje dhe i thashë të më falte për dyshimin. Ndërsa nëna dukej e palëkundur në atë ndëshkim.
"Nga sot kjo bisedë do të jetë e mbyllur dhe kushdo që ta rihapi qoftë i mallkuar nga unë", - na tha të dyve nëna.
Ajo u ngrit e doli jashtë. Unë u mora me dorën e Batos. Ia futa në ujë të ftohtë për disa minuta pastaj ia lava me të verdhë veze, i vura duhan mbi plagë dhe ia lidha. I propozova të shkonim në spital në Korçë po ai s'pranoi.
Kanë kaluar kaq shumë vite dhe kam konstatuar se Batoja na pati gënjyer. Ai vërtet nuk ia mori të gjitha florinjtë Pashos, por mori aq sa çupa dhe djali i tij kanë edhe sot e kësaj dite. Këtë konstatim e kam bërë me disa raste që më japin të drejtën të dyshoj. Të dy fëmijët e Batos i kanë dhëmbët prej floriri. Të dy kanë orë prej floriri që ua ka bërë vëllai ynë Markoja në Australi, sepse Batoja i dha florinj kur ai u largua nga Shqipëria. Një shqiptar emigrant më ka treguar për këtë, quhet Islam Riza nga qyteti ku banonte Markoja. Kam parë se Ollga i ka dhënë florinj edhe gruas së pilot Flamurit për të vënë një dhëmb floriri. Kur e pyeta Ollgën, më tha se Flamurit i nxjerr flori vjehrri nga rezervat e shtetit. Edhe unë nga ai kam marrë!! Rasti solli që Flamuri më erdhi në shtëpi dhe e pyeta. Ai m’u përgjigj se Ollga i ka shitur disa monedha floriri. Siç e shikon, Batoja ka fshehur floririn por kjo temë është e mbyllur sepse unë i jam betuar nënës. Shoh se deri sa vdiq im vëlla vuajti për bukën e gojës dhe këmbët i hoqi zvarrë pasi i ra në pjesë dhe një grua e keqe. Po ashtu, e bija e tij sot është gjashtëdhjetё vjeçe dhe akoma beqare. Mallkimi i nënës do ta ndjekë edhe në varr.
POROSI
Nga disa gjëra të tjera që dua të them sot, është edhe një sekret për disa nga florinjtë e Pashos. Mbaje shumë sekret për sa do të them dhe në të rëntë rasti, shko e kontrolloje. Një teneqe me florinj gjendet nën shkallët e gurta të jashtme të shtëpisë së Pashos që sot është gërmadhë. Po ashtu, disa florinj të tjerë fshihen tek kisha e Shën Aragjeras, në një bodrum me dy qemere dhe që s'ka asnjë hyrje! Për të hyrë atje duhet të shkosh tek kisha tjetër ajo e Shën Marisë. Përballë hyrjes kryesore të saj gjendet vendi sekret për të shkuar tek bodrumi i floririt në kishën e Shën Aragjerit. Hyrja bëhet nga një vrimë e vogël në mur e cila mbulohet me një ikonë dhe një shandan qirinjsh."
"Kush e ka fshehur atë flori atje?"
"Një grek, mik i Pashos."
"Kur e ke ditur, pse nuk ke shkuar vetë ta marrësh?"
"Sot, në regjimin komunist, floriri është monopol i shtetit dhe s'ka vlerë por antivlerë për ne. Do vijë dita që floriri do jetë i lirë dhe të tregojë vlerat e tij. E fundit që dua të them, është se anës lumit Shёnepremte, pranë urës, është një livadh i madh nën ujë, livadhi i Dhespotit. Ai livadh me tapi është livadhi im. Babai më ka thënë atë livadh ta ruajmë dhe trashëgojmë brez pas brezi pasi është Livadh i Shenjtë dhe i vaditur me gjakun e gjyshit tim Bato Dardha. Kur të vijë koha e privatizimit, atë livadh mos ia lësho askujt!"
Përfundimi i porosive:
Teneqeja në shkallët e shtëpisë së Pashos ishte hapur prej kohësh nga kushëriri i babait, djali i vogël i xhaxha Taqit.
Kisha e Shën Aragjerit ishte shkatërruar dhe me tё krejt tuneli ku babai mendonte se fshihej floriri.
Livadhi i Dhespotit u shit nga vëllezërit e babait tek djali i vogël i xhaxha Taqit i cili e vetёburgosi veten në fshat dhe nuk ekziston më.
Kreu II
Disa nga luftrat e mia
Stërvitu fort, lufto lehtë... dhe fito.
Stërvitu lehtë, lufto fort... dhe vdis.
Nuk besoj që të ketë një vend, fshat, mal, luginë apo grykë në rrethet Korçë, Kolonjë, Përmet, Skrapar dhe Pogradec ku të mos ketë luftuar çeta, batalioni dhe brigada ime. Ndër luftimet më të ashpra që kemi bërë, janë ato të Voskopojës, Snosit, Gurit të Kamjes,Gurit të Bletës, Zbogjit, Babjenit, Korçës, Turanit, Maliqit, Qaf Luçit, Qafa e Gjarpërit, Dusharit, Kapinovës, Leskovikut dhe Frashërit. Disa episode nga këto luftëra ku unë kam marrë pjesë po i tregoj këtu më poshtë.
Aksioni im i parë - prerja e shtyllave telefonike në udhën Voskopojë - Korçë:
Në mos gaboj ishte mëngjesi duke u gdhirë 23 korrikut 1942 kur në Krushovë erdhi Naun Mençalliu nga Voskopja dhe më kërkoi mua. Ai më tha se komanda na ka ngarkuar një detyrë tepër të rëndësishme dhe se unë duhet të merrja me vete dy-tre djem të fuqishëm nga fshati dhe në orën tre pas mesnatës, duke u gdhirë dita e 24 korrikut, të jem tek Dheri i Kuq matanë Shën Prodhonit, karshi Urës së Kovaçit, atje do më priste Nauni. Ai na porositi që me vete të merrnim edhe armët. Bëra siç më porositi, me vete mora kushëririn Qamil Bacelli dhe vëllanë tim Beqirin. Fiks në orën tre të natës ne u ndodhëm tek vendi i caktuar ku na priste Nauni. Ai na tha se ne kemi marrë urdhër të presim shtyllat e telefonit që lidh Voskopojën me Korçën. Na porositi që ne t’i prisnim të qetë shtyllat sepse një skuadër e armatosur vullnetarësh nga Voskopoja do të na ruanin, por nëse do të shikonim italianë në rrugë, pa marrë sinjalin e Naunit, nuk do të qëllonim, por do të iknim pyllit pa rënë në sy të tyre dhe pastaj të shkonim në shtëpi ku do të vinte edhe ai të na takonte. Aksioni shkoi shumë mirë, italianë nuk pamë fare dhe pasi premë shumë shtylla, nga ora 6 ose 7 e mëngjesit u futëm në pyll dhe morëm një shteg që na çonte në fshat.
Nga dreka, një fshatari ynë që vinte nga Voskopoja, na tha se në Voskopojë janë prerë shtyllat e telefonit dhe dhe se italianët kishin filluar të ngrinin shtylla të tjera. Rruga është mbushur plotë me italianë.
Mbasdite doli urdhëri nga postkomanda e milicisë italiane që të gjithë kryepleqtë e fshatrave përreth të vinin në Voskopojë. Atje oficeri i xhandarmërisë Sali Piluri dhe një major italian i kanë mbajtur kryepleqtë deri në mesnatë duke i kërcënuar se "po nuk i gjetët banditët, këtë dëm do ta paguani ju." Bequa ishte nga Krushova kryeplak dhe më tregoi përsa ndodhi atje.
Haxhi Tabaku (Dolani), një kryeplak i tha italianit: "Gjeji vetë banditët, ne nuk jemi për këtë punë! Nuk është detyra jonë të gjejmë banditët." Dhe iku nga mbledhja. Vëllai im Beqiri që ishte edhe "bandit", edhe kryeplak i tha italianit: "Na armatosni, na jepni edhe nga një xhandar me vete dhe ne do t’i gjejmë banditët. Ne kemi vetëm nga një çifte apo teke, armë gjahu që nuk mund t’i përdorim dot as për derra dhe as për banditë, pasi banditët kanë pushkë automatike." Të gjithë qeshën dhe fashistët u tërbuan më keq.
Me sa më kujtohet, ata burra të zgjuar dhe patriotë kryepleq e dinin se kush e kishte bërë aksionin e prerjes së shtyllave telefonike, pasi atë natë disa prej tyre erdhën së bashku me Beqon dhe qëndruan në shtëpinë tonë. Ata ishin Azem Adili nga Lozhani, Rakip Bashllari nga Zvarishti, Haxhi Tabaku nga Dolani, Nevrus Hamit Pejani nga Tresova dhe Lluka Naqi nga Shipcka. Ata më përgëzuan mua si iniciatorin kryesor dhe Nevruzi më fali një pistoletë me një dorezë të bardhë prej sërmi të punuar me disa figura shpendësh grabitqarë, të cilën e kam edhe sot si kujtim.
Gjithë natën e gdhimë me biseda patriotike dhe përgëzime për këtë akt të parë patriotik në zonën tonë dhe disa aksione të tjera në Korçë dhe në tërë Shqipërinë. Ndihesha shumë krenar dhe ky aksion më dha guxim e forcë që të vazhdoj luftës kundër pushtuesve. U tha se atë natë ishte djegur edhe Selia e Federatës Fashiste të Korçës. Këto aksione janë shkruar edhe në Historinë e Shqipërisë.
“Nata e 24 korrikut duhet të jetë një natë sulmi të përgjithshëm mbi armikun. Prisni telat, shtyllat telefonike e telegrafike të qarkut tuaj, goditeni armikun atje ku e dëmtoni më shumë!” Kështu thoshte direktiva e Komitetit Qendror (Shih: “Dokumenta kryesore të PPSH”, vëllimi I, faqe 75.)
Më shtatë gusht morëm vesh se në Korçë qenë varur dy organizatorët kryesorë të djegies se SFF-së Midhi Kostani dhe Kiço Greço.
Lufta e Voskopojës
Kjo qe lufta e parë që unë kam bërë me batalionin partizan Gorë-Opar. Përsëri më ra rasti pas gjashtë muajsh që të pres shtyllat e telefonit që lidhte Korçën me Voskopojën dhe kjo ishte organizuar në kuadër të prishjes së postës së milicisë në Voskopojë nga ana e oficerit të milicisë Riza Kodhelit, i cili qe lidhur me partizanët. Këtë radhë unë nuk isha një guerilas civil, por isha një partizan.
Ishim vënë në njëshkolonë dhe po ecnim mes pyjeve të lartë me pisha të Shipckës dhe këndonim kënge partizane. Papritur na doli përpara korrieri i batalionit dhe u takua me shokun Teki Kolaneci duke i thënë se, "Në drejtim të Voskopojës po vjen një autokolonë e madhe me italianë dhe ballistë për të shpëtuar postën ushtarake të Voskopojës..." Kjo postkomande, siç morëm vesh më vonë, ishte duke luftuar mes vetes pasi komandanti i postës, Riza Kodheli me 13 milicë ishte ndarë nga pjesa tjetër e postkomandës dhe lufton kundër italianëve dhe milicisë shqiptare, të cilët i ishin bashkëngjitur grupit të italianëve. Në ndihmë të italianëve po vinte një autokolonë nga Korça që një dreq e di se si e kishin marrë vesh se ç'po ndodhte në Voskopojën pa telefon dhe neve na duhej ta shpëtonim Riza Kodhelin me shokët e tij. Për këtë, shoku Teki na dha detyrat e duhura dhe na urdhëroi që të dalim e të zëmë pritë në të dy anët e rrugës Korçë –Voskopojë tek Ura e Kovaçit, e cila është në hyrje të Voskopojës. Rrugë tjetër nga do të hynin italianët që vinin nga Korça nuk ka. Pozicion prite më të bukur për të luftuar dhe mbrojtur nuk ka rruga Korçë-Voskopojë. Ai që ka kalon në këto anë, do të shohë se në afërsi të urës ka shkëmbinj dhe gurë të shumtë që përbëjnë një mbrojtje të përsosur natyrale. Është e pamundur që t’u afrohesh këtyre shkëmbinjve që nga rruga.
Ne zumë pozicionet tona dhe pritëm. Pas pak kohë në rrugë u duk autokolona që gjarpëronte drejt Voskopojës me shpejtësi të madhe. Urdhëri na ishte dhënë që kur të qëllonte vetë komandanti, vetëm atëherë ne do të hapnim zjarr mbi armikun. Sapo "koka e gjarpërit", pararoja armike, doli nga prita jonë dhe porsa hyri autokolona italiane, Tekiu shkrehu pushkën e tij dhe ne që i kishim tërë kohës sytë në shënjestër qëlluam njëheresh. Pastaj hodhëm bombat dhe me dhënien e sinjalit "para partizanë" u ngritëm nga pozicionet që kishim dhe u hodhëm poshtë rrugës me tërbim. Dy makinat e fundit të autokolonës, manovruan me shpejtësi dhe u kthyen mbrapsht për në Korçë, të gjitha makinat e tjera u shkatërruan plotësisht. Ngelën të vrarë 9 vetë; shtatë italianë dhe dy ballistë. Tetë italianë dhe 5 ballistë u kapën robër. Ndërsa Riza Kodheli kishte vrarë 8 italianë të tjerë në Voskopojë, midis tyre edhe një major italian, si edhe disa milicë shqiptarë së bashku me majorin shqiptar Sali Piluri. Xha Rizai dhe rreshteri Ibrahim Ruka së bashku me 13 milicët e tij erdhën dhe na përqafuan dhe qysh nga ajo ditë ata dolën malit partizanë.
Nga ana jonë, duke përfshirë edhe humbjet në postkomandë, u plagosën dy partizanë, Hazis Çaçi nga Peshtani dhe Samit Qëncka, mbiemri i tij s'me kujtohet, por di që ishte nga Qëncka e Gorës, i cili pas dy ditësh vdiq. Ne kapëm një sasi të madhe armatimi, të cilën e grumbulluam në pikën tonë të grumbullimit në Shipckë.
Nuk do të kalonte as një javë dhe ne do të ndesheshim përsëri me italianët në Vërçë, por këtë radhë lufta do të ishte edhe më e ashpër për arsye se italianët rezistuan shumë, gati dy ditë. Këmbëngulja jonë bëri që italianët të thyhen keq, duke lënë të vrarë 36 vetë dhe duke u shpartalluar komplet një batalion i tërë me italianë. Shumica e italianëve ikën nga sytë këmbët. Ne zumë robër 20 vetë, të cilët qenë të plagosur dhe s'mund të iknin dot. Ne u sollëm shumë mirë me të plagosurit dhe i mjekuam duke i dërguar në një kamp pune që kishim ngritur në Punëmirë. Nga radhët tona u plagosën vetëm dy veta.
Sipas dëshmisë së një italiani, “...partizanët kishin krijuar në Punëmirë, në veri-perëndim të Voskopojës, nji kamp përqëndrimi për ushtarët italianë, të cilët mbaheshin në kushte çnjerëzore, me shumë pak ushqim dhe detyroheshin të punonin në shërbim të komandës së kampit. Figura më e urryer e kampit të Punëmirës ishte komisari i komandës partizane të Voskopojës, nji kriminel sadist, që përdorte gjithfarëlloj torturash mbi robërit italianë. Një sulm gjerman detyroi më vonë partizanët t’ia mbathnin e vetëm atëherë robërit fituan lirinë dhe u nisën drejt bregdetit, edhe pse shumica vdiqën rrugës apo u kapën prej fshatarëve dhe u detyruan të punonin për ta për një copë bukë. (Shënimi im –Agim Bacelli)
Luftrat tona s'kishin të pushuar; pas dy ditësh ne sulmuam e çliruam Babjenin dhe të nesërmen luftuam tek Guri i Kamjes në Pogradec. Pas tre ditësh u kthyem në Pleshisht për t’i përzënë ballistët që atje. Në këtë luftë u vranë 4 ballistë dhe zumë robër 6 të tjerë. Nga ne u plagos lehtë komandanti ynë Teki Kolaneci.
Në Dolan
Një nga ato luftra që më ka ngelur akoma në mendje për aktin heroik të pleqve të Dolanit, fshat afër Lozhanit, ka qenë lufta që ne bëmë atje. Pasi e rrethuam Dolanin plot me gjermanë dhe i bëmë thirrje popullit të largohej nga zona e luftimit, ne sulmuam. Ishim të bindur se atje s’ka më asnjë fshatar. Kur hymë brenda në fshat, pamë që disa pleq e plaka nuk kishin ikur, por luftonin me gjermanin nga brenda shtëpive të tyre. Ata, me këtë akt të pashembullt, na nxitën që të luftojmë akoma më me furi kundër gjermanëve. Nuk e harroj një plak të vjetër që më doli përpara në rrugë dhe që ishte me një këmbë. Ai me një dorë mbahej pas patericës dhe në dorën tjetër mbante një nagant. -Ç'bën?! -i thashë. -Futu brenda se do të vritesh! -Nuk ka gajle, o djali im. Për Atdhe po vriteni ju që jeni nipat e mi e jo unë që jam me një këmbë në varr. Po si mund të duroj vallë pa luftuar këtë ditë?! Më është bërë trupi me mornica meqë s'jam aq i zoti sa ju e të vras ca nga kjo farë e keqe që kanë mbirë në tërë botën. Plumbat na fërshëllyen rrëzë veshit. E mora në krah plakun trim dhe e shpura deri tek porta e parë që më doli përpara dhe e futa brënda. -Si quhesh? -e pyeta. -Mua më quajnë Tahir. Po ti i kuja (i kujt) je mor djalë? Mos je gjë Bacell? -Po -i thashë. -Unë jam Bacell po, si më njohe vallë?! -Ju njiheni në tërë krahinën se jeni kaleshë. Unë në atë kohë nuk e dija çdo të thoshte ajo fjalë, të cilën e kisha dëgjuar shpesh të flitej për delet, por jo për njerëzit prandaj qesha. E përqafova xha Tahirin dhe u largova. Dolani u çlirua dhe gjermanët u shpartalluan plotësisht. Disa u vranë, disa i kapëm robër dhe disa ikën nga sytë këmbët. Nga ne pati vetëm dy të plagosur.
Guri i Bletës
Beteja e Gurit të Bletës në Grybec do të mbahet mend si një nga betejat më të ashpra që ne kemi bërë. Si gjithmonë, ne partizanët do të kishim më shumë inat me ballistët dhe më pak me gjermanët. Kjo luftë është bërë në 16 tetor 1943 kundër 600 armiqve ballistë të kryesuar nga Jani Dilo, Demir Staravecka, Hetem Frashëri që ishte burri i hallës së Skënder Çaçit dhe Maliq Dushari. Ne, me batalionin e Teki Kolanecit, zumë majën e malit përkarshi Gurit të Bletës, dhe nga ana e Çereshnikut kishte zënë pozicion një çetë partizane e Mokrës. Që nga Zbogjëria erdhën partizanët e Riza Kodhelit në batalionin Tomorri dhe kështu bëmë një rrethim të plotë të armiqve. Ky rrethim u bë në një fshehtësi të madhe dhe për këtë është një nga betejat më të papritura për nga befasia e sulmit. Kishim urdhër që të sulmonin në të njëjtën kohë.
Sulmuam me tërë fuqinë e armatimit tonë në të njëtën kohë dhe për pak orë i shpartalluam armiqtë, duke vrarë mbi dhjetë trupa dhe midis tyre komandantin gjerman. Zumë afër njëqind robër dhe një shumicë armatimi dhe municioni. Në këtë luftë neve na u vranë dy shokë: Skënder Çaçi, komisar i batalionit tonë dhe një partizan trim nga Senishti i Gorës me mbiemrin Matraku. Duhet përmendur që Skënder Çaçi i plagosur rëndë u tërhoq menjëherë nga prapavija jonë dhe u dërgua urgjentisht të mjekohej tek doktori ynë bullgar, siç kam folur më lart. Në këtë kohë edhe komandanti ishte plagosur lehtë dhe shkoi të shikonte komisarin, kur fati e solli që doktori bullgar u kap në flagrancë duke i prerë damarin e dorës Skënder Çaçit. Doktori u arrestua, u gjykua me gjyq të shkurtër dhe u pushkatua. Komisari vdiq. Në këtë luftë unë kam qenë një nga më të dalluarit dhe pasi pushoi zjarri i luftës, Teki Kolaneci më nxori para batalionit duke më falënderuar, por edhe duke më kritikuar pasi unë, në gjaknxehje e sipër kisha hyrë thellë në zonën e armikut dhe qe fati im që nuk u vrava. Në fakt e kisha menduar mirë sulmin që bëra. Vërtet hyra shumë thellë në radhët e armikut, por arrita të zija një vend ideal midis dy gurëve të mëdhenj që krijonin një bunker natyral shumë të mbrojtur. E gjithë batareja e armëve të tyre godisnin në shkëmbinjtë që më mbronin dhe plumbat fërshëllenin, duke bërë rikoshetë apo duke thyer copa shkëmbi. Nga një e çarë e shkëmbinjve qëlloja më nge dhe me shumë preçizion. Kjo gjë i bëri armiqtë që t’i lënë pozicionet që ishin përballë nën zjarrin tim dhe të dalin në një zonë që nuk ishte shumë e sigurt. Për këtë Tekiu do të më thoshte me shaka "langoi im" sepse unë ua nxora gjahun nga strofulla.
Ja se çfarë shkruan Shuaip Panariti, komisar i batalionit Tomorri për këtë betejë: "...Pas luftimesh shumë të ashpra, batalioni “Gorë Opar” i theu keq armiqtë në sektorin e tij dhe vazhdoi sulmin e papërmbajtur për të pushtuar Gurin e Bletës.” Ndërsa në raportin që Komanda e Shtabit NÇ të Qarkut të Korçës i dërgoi Shtabit të Përgjithshëm, ndër të tjera bën fjalë edhe për luftën e Grybecit ndërmjet forcave partizane dhe atyre balliste. "Në goditjen e Grybecit, u plagos një partizan dhe komisari i Batalionit Gorë-Opar, shoku Skënder Çaçi. Të dy pas tri ditësh vdiqën. Prej plumbave tradhtare të Ballit Kombëtar humbëm një nga shokët më të mirë dhe më të guximshëm. Humbjet e Ballit janë këto: 5 të vrarë, disa të plagosur dhe 4 robër. U plagos rëndë dhe Demir Staravecka, komandant i Ballit, i cili vdiq të nesërmen në Teqe të Melçanit. Goditja doli me sukses dhe përfitimi politik ishte i mjaftë."
Siç shihet edhe nga kjo komunikatë e Shtabit Nac-Çl, lufta e Grybecit ishte një luftë civile midis shqiptarëve. Në këtë dokument dhe në dokumentet e tjerë arkivorë si edhe në kronikën e betejës nga Sh.Panariti, nuk thuhet asgjëkundi që forcat e Ballit luftonin së bashku me gjermanët kundër partizanëve, por për një goditje me armë ndërmjet shqiptarëve që doli "me sukses" dhe "përfitimi politik qe i mjaftë", ndonëse u plagosën e u vranë shumë luftëtarë ngë të dy anët, midis tyre edhe komisari komunist Skënder Çaçi dhe komandanti nacionalist Demir Staravecka.
Skënder Çaçi ishte një i ri idealist, antifashist i orëve të para, i internuar nga italianët në Ventotene, luftëtar aktiv dhe drejtues i Luftës Nacionalçlirimtare, që i mori armët për të luftuar pushtuesit nazifashistë, por që PK e ideologjizoi dhe e drejtoi kundër shqiptarëve në luftën civile, ku edhe ai gjeti edhe vdekjen.
Është për t'u shënuar se në fillimet e lëvizjes nacionalçlirimtare Demir Staravecka ishte komandant i çetës së parë partizane të Kolonjës, ndërsa Skënder Çaçi, Petrit Dume e të tjerë kanë qenë luftëtarë të thjeshtë të çetës së tij që luftonte kundër pushtuesve, mirëpo prishja e marrëveshjes nga komunistët i ndau dhe lufta civile i hodhi në luftë me njëri-tjetrin, madje në këtë luftë vëllavrasëse ata gjetën edhe vdekjen. Ndërsa Skënder Çaçi u shpall dëshmor dhe iu dha titulli i Heroit të Popullit, Demir Staravecka u quajt për gjysmë shekulli dhe konsiderohet edhe sot e kësaj dite bashkëpunëtor me okupatorët e kriminel lufte!
Kapiten Jani Dilo, ishte nga një familje atdhetare dhe intelektuale e Zagorisë, i biri i Ilo Dilo Sheperit, intelektual i shkolluar në Perëndim, oficer i karrierës, nacionalist, lider i Ballit Kombëtar, koordinator i tij me misionin britanik, luftëtar dhe komandant në disa beteja kundër italianëve e gjermanëve si në Pocestë, Qafën e Thanës etj. Po Maliq Dushari?
Një atdhetar nga Gora, luftëtar i Pavarësisë, antifashist që u nis më 7 prill 1939 me 200 vullnetarë dusharakë për të ndaluar zbarkimin e italianëve, luftëtar i rezistencës dhe i luftës kundër tyre, misionar i bashkëpunimit ndërmjet Nacionalçlirimtares dhe Ballit Kombëtar (në shtëpinë e tij në Dushar janë bërë mbledhjet për marrëveshje ndërmjet përfaqësuesve të këtyre organizatave: Spiro Shalësi, Nexhip Vinçani, Kahreman Ylli, Mestan Ujaniku, Dhimitër Falo, Pasho Kolaneci dhe Dr.Hamdi Kasimati, komandant i një çete nacionaliste që luftonte kundër italianëve. Ai u përpoq shumë të ndalë luftën civile, duke biseduar me krerët e të dy organizatave, por e pëson edhe vetë kur u sulmua në Grybec nga forcat e tre batalioneve partizane dhe humbi nga çeta e tij 7 luftëtarë dhe 3 të plagosur.
Ja si e përshkruan komandanti Jani Dilo, fundin e M.Dusharit: "Maliqi qëndroi. Ai e dinte mirë se ç’e priste duke rënë në duart e katilave, të cilët e morën ashtu siç ishte, gjysmë i vdekur, e lidhën mbi një gomar dhe, në një tufan erë e bore, e suall dhe e shëtitën nëpër rrugët e Korçës, të asaj Korçe që Maliqi i kishte falur vitet më të bukura të jetës së tij. U bë gjyqi "i popullit", e goditën me shuplaka, e pështynë dhe, së fundi, e vranë në fushën e aeroplanëve duke ia prerë kokën…"
“Vdekja” ime!
Në betejën e Grybecit dhe sidomos pas kësaj beteje, lashë pa thënë diçka që dua ta shkruaj më vete pasi është një ngjarje që jo vetëm s’mund ta harroj unë, por asnjë nga familja ime, nga të afërmit e mi dhe nga tërë miqtë e shokët e mi. S’mund të harrohet pasi unë “vdiqa” dhe u qava për së gjalli!
Në kohën kur dola nga “bunkeri” im, komandant Teki Kolaneci më nxori para tërë batalionit për të më lavdëruar, pastaj më mori mënjanë dhe më urdhëroi të shkoja urgjentisht në Krosnisht t’i shpija një letër me shumë rëndësi shokut Haxhi Lleshi. Kisha nevojë të pushoja, të pija ujë dhe të haja diçka, por urdhëri ishte, “gjallë a vdekur sonte letra duhet t’i bjerë në dorë Haxhi Lleshit!” Krosnishti nuk ishte larg nga Guri i Bletës, por rruga qe shumë e vështirë pasi përgjatë Luginës së Devollit kishte gjermanë dhe ballistë dhe më duhej që të udhëtoja maleve. Duhet të kaloja Zbogjërinë dhe të dilja në Lozhan e të merrja rrugën përpjetë për në Krosnisht. Në mendje më vetëtiu mendimi që të zbrisja tatëpjetë e të dilja në Babjen ku kisha disa kushërinj dhe të haja e të pija diçka. Nga Manastireci deri ne Babien rruga qe tatëpjetë dhe e bëra udhëtimin me vrap dhe kjo nuk u bë më shumë se 30-40 minuta megjithë dredhat që i bëra rrugës. Në Babien trokita tek shtëpia e xha Faslliut dhe pasi piva një sahan me dhallë e mora një copë kulaç me djathë me vete, ia thera rrugës për në Moçan, poshtë Dolanecit pasi siç e thashë Lugina e Devollit ishte plot me armiq. Urdhëri më ishte dhënë që të mos kapesha nga forcat armike dhe në rast rreziku, të asgjësoja letrën. Koha ishte e ftohtë, por pa dëborë dhe pa shi që mund të më pengonin. Pemët vende-vende, kishin filluar të zhvisheshin dhe kjo bënte të mundur që të diktohesha më kollaj. Një mendje më thoshte të kaloja Devollin dhe të hidhesha për nga Senishti, pasi që andej e njihja rrugën më mirë. Atje qe martuar halla ime e madhe, Diliko, e cila kishte vdekur e re. Kur isha i vogël, unë shkoja dëndur atje dhe dilja maleve me senishtarë.
Kështu bëra. Në Senisht nuk gjeta asnjë burrë. M’u desh që të largohem vetëm për në Krosnisht. Pashë dhe një herë me mall shkëmbin “Nusja dhe Dhëndërri” dhe renda tatëpjetë. Vrojtova njëherë nga rruga poshtë, mbi Devoll, dukej fare qetë. Mendova që të dal në rrugë dhe të vrapoj se do të qe më e lehtë dhe ashtu bëra. Nëse do të shikoja diçka të dyshimtë, mund të fshihesha sakaq. Kështu, po thyeja urdhërin që më ishte dhënë se, “në asnjë mënyrë s’duhet të shkoja rrugës së Lozhanit.” Në krahun tjetër të lumit më zunë sytë një fëmijë me dhi. Fëmija pasi më pa, ia dha vrapit i trembur. Pas pak, nga një gëmushë dolën edhe disa fëmijë të tjerë, por unë nuk e ndala vrapin. Befas dëgjova zërat e tyre që kënduan në kor:
O ballist të rëntë pika
Të gënjeu gjermani
Me ca gorrica-fica…!
Fëmijët pandehën se isha ballist. Qesha me vete dhe ika tutje. Në lumë po shikoja kurrizin e një mushke. Ndala vrapin dhe dhe me kujdes po afrohesha për të parë se kush mund të ishte me mushkën. Dy gjermanë ngarkonin mushkën me bidona me ujë! U tremba. Ndala dhe u ktheva mbrapsht, por ata më diktuan dhe dolën në rrugë. “Alt!” bërtitën me një zë. Pastaj se çfarë thanë dhe shkrehën një batare mbi kokën time. Leshtë e kokës m’u ngrit përpjetë. Më vranë, mendova. Isha me shpinë nga ata. Gjermanët vazhdonin të flisnin, por unë vetëm fjalët, “alt!”, “partisan”, “stoppen!” dhe “kaput!”, kuptoja. I vrarë se i vrarë jam, mendova. T’i qëlloj sapo të kthehem drejt tyre dhe t’ja mbath! Po shpëtova, shpëtova! U ktheva rrëmbimthi drejt tyre dhe qëllova sakaq me revolverin tim disa herë në drejtim të tyre. Si duket ata s’e pritën këtë reagim rrufe. Njëri, ai që kishte automatikun, u rrëzua dhe tjetri u hodh anash shtratit të lumit. Ja mbatha vrapit me sa fuqi që kisha. Kur arrita në Goçë kalova urën e Goçës dhe hyra përsëri në Zbogjëri. Që andej mora rrugën për në Krosnisht. Nuk e di se si mbërrita dhe nga ika, por di që vajta në kohë dhe letrën ia dorëzova në dorë Haxhi Lleshit në atë shtëpi që më ishte dhënë adresa. Ai më dha për Teki Kolancenin një letër tjetër. Gjatë kthimit nga Krosnishti për në Marjan, përsëri rashë në pritë më ballistët. Ata ishin shumë dhe nuk kundërshtova, por më parë grisa letrën. Më kapën, më çarmatosën dhe m’i lidhën duart, pastaj më morën me vete për tek komandanti i tyre bashkë me copat e letrave që mundën të mbledhin.
Kur më shpunë tek komandanti i tyre, njëfarë Tele Baçi. Në fillim puna ndryshoi për mirë. Tele Baçi urdhëroi të më zgjidhin dhe më pyeti ëmbël se i kujt isha; kur i thashë se isha djali i Telha Bacellit nga Krushova, ai i zbriti kalit dhe më zgjati dorën. E dinte që babai më kishte vdekur dhe foli me shumë respekt për tim atë. Sigurisht m’u bë qejfi. “Dëgjo djalka i Telhait! Nëse do të ishte gjallë yt atë, ti nuk do të shkoje pas partizanëve, pas të paudhëve, por do të ishe me ne. E njihja mirë tët atë.” Ndërkohë u hodh një nga ballistët që më shoqëronte dhe i dha copat e letrave që kisha grisur. U munduan të kuptonin se çfarë shkruhej atje, por më kot. Disa copa unë i pata ngrënë. Në fakt as vetë unë s’e dija se çfarë shkruhej. Kjo gjë do të më dilte për keq. Tele ngrysi vetullat dhe më tha prerë: “Na thuaj që nga vjen, kush ta dha këtë letër dhe çfarë shkruhet atje?! Pastaj do të jesh i lirë.” Dikush i tha se letra ka një emër, “Dibrani”. Tele më në fund m’u drejtua: “Dëgjo djalë i mbarë, na thuaj të paktën kush është ky “Dibrani”, mos është Haxhi Lleshi? Na trego këtë gjë, përndryshe do të të dërgoj në Krosnisht ku do të bëhet gjyqi! Ne para një muaji kemi luftuar bashkë me partizanë dhe jemi vrarë. Të kujtojnë gjë këto vargje?
Ballista me partizanë, ndezën luftë me gjermanë, Drashovicë te ura mbanë, ç'bëre moj paç belanë...
Nejse. Të dola borxhit. Merreni dhe shpjereni në Krosnisht dhe gjykojeni!”
Atje, një gjyq fare i thjeshtë më dha dënimin me vdekje. U çudita se sa kollaj mund të vritet një njeri për një copë letër, apo se partizanët kishin vrarë disa ballistë në Drashovica apo tek Guri i Bletës! Dy ballistë më morën me duar të lidhura dhe më nxorrën në një bregore ku do të më pushkatonin. Ndërsa ecnim, pa ju dhënë kohë as të mendonin për të më qëlluar, u hodha në një rrëpirë në krahun tim të majtë që po ta shohësh sot, thua se është e pamundur që të hidhesh atje e mos vritesh, aq më keq me duar të lidhura. Plumbat më fërshëllyen rrëzë veshit dhe degët e shkurreve përreth u coptuanë por jo unë! U gjeta në një përrua dhe prej andej vazhdova rrugën për në Grybec. Një fshtar që takova rrugës më ndihmoi të pres litarin e duarve.
Ndërkohë, një ballist nga Dërsniku, mik i familjes sonë, (siç e mora vesh më vonë), shkoi dhe hapi fjalë se Ademin e Telha Bacellit e pushkatuan. Në Krushovë fjala se unë isha vrarë, kishte mbërritur sakaq. Më qau jo vetëm nëna e vëllezërit e mi, por tërë fshati. Për kujtimin tim, një fëmije që lindi atë ditë i vunë emrin tim.
Kishte kaluar gati një javë nga "vrasja" ime dhe lajmi i dërguar në Krushovë u kthye mbrapsht me lajme të reja nga fshati. Komandant Teki Kolaneci më dha lejë të shkoja pranë shtëpisë sa më parë.
Kur mbërrita në fshat, Krushova qau dhe një herë, por këtë radhë nga gëzimi. U putha, u përqafova dhe u gëzova bashkë me nënën time, vëllezërit e mi dhe tërë fshatin. Vetja më dukej si personazhet e përrallave që më tregonte babai kur isha fëmijë. Si ai vëllai i vogël i papërfillshëm që triumfonte ndaj kuçedrave, divave dhe shtrigave. E kush s'do pranonte nga vajzat e fshatit të martohej me mua tani?! Mendja më shkonte vetëm tek njëra, të cilën e kisha pjesë të ëndërrimeve të mia, por që ajo mbahej mbyllur në shtëpi si e Bukura e Dheut. Unë heroi i Krushovës, tani mund ta çliroja atë nga "burgu" dhe bashkë të bënim një jetë të lumtur. Ky ishte vetëm një mendim sepse isha i dyzuar, mendimi tjetër, ai më kryesori ishte se unë isha një luftëtar dhe duhet të luftoja me "Bajlozin e Zi" derisa ta vrisja.
Bofje
Ky vend quhet Bofje dhe është një vend shumë i ashpër dhe me gremina e hone të frikshme, që edhe kafshët e egra nuk afrohen dot. Nga lindja vendi vjen i thepisur, sa askush s’mundet dot ta kalojë, nga perëndimi është mali i larte i Lenies, nga veriu është i vetmi shteg kalimi dhe nga jugu mali tjetër shumë i lartë i Ostrovicës. Batalioni jonë u thirr në ndihmë të partizanëve të Skraparit dhe të Lushnjës, së bashku me batalionin "Tomorri" të Riza Kodhelit që luftonin kundër ballistëve në Potom të Skraparit dhe kjo ka ndodhur vetëm disa ditë me vonë nga lufta tek "Guri i Bletës". Atje është bërë një luftë e ashpër, që ka zgjatur dy ditë e dy netë dhe si përfundim ballistët u shpartalluan, duke lënë të vrarë disa dhjetra dhe disa qindra robër, midis tyre edhe komandatin e Ballit Aliko Kello, të cilit iu bë gjyqi në vend dhe u pushkatua së bashku me disa ballistë të tjerë që kishin bërë krime. Ballistët e tjerë u lanë të lirë.
Kurtesh
.
Në ditët e para të dhjetorit 1943 ne shkuam në Kolonjë dhe pikërisht tek "Përroi i Zi" i Kurteshit, ku shpartalluam po ashtu një batalion ballistësh dhe morëm të gjithë sasinë e materialeve luftarake që ata dispononin.
Lufta e Leskovikut
Sot dëgjohen zëra se partizanët kërcisnin një pushkë aty-këtu dhe ua mbathnin këmbëve! O Zot, sa harbutëri ka tek disa shqiptarë, sa urrejtje kanë disa për partizanët, të cilët kanë qenë idealistë të mëdhenj, që luftonin për Mëmëdhenë dhe kanë sakrifikuar jo pak. Unë, që e kam jetuar atë luftë heroike, e kam kaq të freskët dhe kaq të të afërt, sikur ka ndodhur dje. Vetëm një gjë nuk e kuptoj sot, si kishim aq dëshirë për të luftuar, si nuk kishim aspak frikë dhe ku e gjetëm atë shpirt aq të sakrificës sa me vetëdije të plotë të përballonim gjithçka të keqe që binte mbi ne?! Ishim të pangrënë mirë, të paveshur mirë, me pak municion, pa shtëpi dhe pa qejfet e sotme. Bënim një betejë dhe pa na zënë mirë e nesërmja hynim përsëri në betejë. Çanim me gjokse dëborën dy metroshe, rrinim me orë të tëra të lagur dhe të ngrirë. Pa bukë e pa gjumë. Të lodhur e të raskapitur trupërisht, por me vullnet dhe me shpirt qëndrese. Nuk na detyronte askush të bënim këtë sakrificë, e bënim më dashuri dhe përkushtim. Kemi qenë heronj të vërtetë. Kjo gjë nuk duhet të nënvleftësohet kurrë dhe t’u tregohet brezave të ardhshëm sepse është një epope e lavdishme, me të cilën mund të krenohet në çdo kohë populli ynë.
Një nga ato luftra që ka qënë shumë e vështirë për ne, pasi ne rrethuam italianët dhe u gjendëm vetë të rrethuar, është lufta e Leskovikut, të cilën po e tregoj shkurtimisht më poshtë.
Në Leskovik ishim grumbulluar 10 çeta të qarkut të Korçës, për të goditur garnizonin armik të Leskovikut. Në këtë kohë, përfaqësuesit ushtarakë të qarkut të Korçës, shokët Nexhip Vinçani dhe Pëllumb Dishnica, mblodhën komandantët dhe komisarët e çetave për t’u dhënë detyrën luftarake. Sulmi kundër garnizonit italian do të bëhej në tre drejtime. Çeta e Gorës në të cilën bëja pjesë unë, çeta e Oparit dhe çeta Devollit u ngarkuan të godisnin gazermën e karabinierisë brenda në Leskovik. Çeta e Rrëzës së Korçës, Tomorit, ajo e Kurorës dhe Leskovikut do të sulmonte garnizonin e rojeve te financës. Ndërsa çeta e Kolonjës dhe dy të tjera, u ngarkuan të sulmonin gazermën e ushtarëve të këmbsorisë italiane. Çeta e Vithkuqit do zinte pritë tek ura e Shalësit. Ajo e Ostrovicës në rrugën e Çarshovës. Sulmi pritej të fillonte rreth orës 3, afër mëngjesit të 16 majit 1943. Sulmuam të gjithë në befasi dhe me rrëmbim. U turrëm mbi armikun si një ortek i madh dëbore sa oshëtiu e tërë zona, mund të them se edhe malet përreth u drodhën. Forcat armike u kapën në panik, u futën brënda nëpër gazermat. Që andej ata na hodhën tërë arsenalin e zjarrit që patën duke përdorur qendrat e zjarrit dhe dritaret. Nga të dy krahët, forcat partizane, kryen disa sulme kundër armikut, por nuk ia arritën qëllimit. Na mungonte artileria dhe armatimi i rëndë për të rrëzuar muret mbrojtëse. Pas 9 orë luftimesh, garnizonit armik i vijnë përforcime nga ajri, një çift avionësh gjuajtës-bombardues. Ata na mitralonin dhe ne e patëm të vështirë të qëndrojmë nën zjarrin e tyre. Po ashtu një autokolonë me italianë nuk e di se që nga mbërriti! Dy batalione këmbësorësh të përforcuar me artileri e autoblinda erdhën nga Erseka dhe ishin të divizionit ARESO. Disa thoshin se që nga Tepelena po vinin edhe disa batalione të divizionit PARMA. Në këtë situatë, komandantët e çetave me porosi të komandës drejtuese, urdhëruan tërheqjen e forcave partizane nga Leskoviku dhe riorganizimin për ta goditur armikun jo në Leskovik. Kështu, çetës së Ostrovicës iu dha urdhëri t’i bënte pritë divizionit PARMA, që vinte nga Tepelena me 47 kamionë dhe 4 autoblinda. Kjo çetë e dëmtoi shumë rëndë armikun në Çarshovë, duke i shkaktuar 13 ushtarë dhe 2 oficerë të vrarë si dhe 7 makina të djegura. Çeta e Vithkuqit i bëri pritë batalionit armik që vinte nga Erseka e që ishte pjesë e divizionit ARESO me 43 kamionë dhe 2 autoblinda. Prita jonë u bë tek ura e Shalësit duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe mjete dhe duke i gozhduar në vend ushtarët italianë, të cilët me shumë vështirësi arritën në Leskovik në mëngjesin e 17 majit. Natën e 17 majit, komanda e përbashkët operative me disa forca partizane, kreu me shpejtësi disa lëvizje mashtruese nga Leskoviku për në Ersekë. Partizanët organizuan 20 prita të vogla sa për ta çorientuar armikun dhe pastaj katër të mëdha që e dëmtuan rëndë. Këto prita u bënë tek ura e Shalësit, shkalla e Sanjollasit, kthesat e Barmashit, Pylli Plakës, etj. Pastaj forcat partizane në fshehtësi u larguan nëpër pyje. Italianët menduan se partizanët ikën dhe u turrën nëpër shtëpitë dhe dyqanet e fshatarëve dhe qytetarëve duke i grabitur e duke pirë pije alkoolike.
Korrierët tanë që vëzhgonin me hollësi të gjitha lëvizjet e armikut, lajmërojnë për këto bastisje. Bile u tha se kanë vrarë dhe disa fshatarë pa asnjë faj. Menjëherë u dha urdhëri për t’u dalë zot fshatarëve dhe qytetarëve kolonjarë. U bë sakaq plani goditës dhe na u dha urdhëri. Kur batalioni i Divizionit Areco po kthehej në mbasditen e 18 majit për në Ersekë, ne e sulmuam në 4 prita që i bëmë tek Ura e Shalësit e më tutje. Sulmi qe si rrufeja. Hodhëm bombat dhe qëlluam me tërë forcën e armëve. Mes breshërisë së plumbave dhe tymit të bombave ata mundën të largohen më shpejtësi duke lënë disa të vrarë dhe dy makina të shkatërruara. Pak më tutje tek fshati Sanjollas i priste goditja tjetër. Po ashtu edhe në Kurtes. Italianët pasi kaluan katër pritat, lanë të vrarë mbi 50 ushtarë. 24 ushtarë u dorëzuan robër, u shkatërruan 14 makina, u zunë 12 mitralozë, 30 pushkë, 28 arka me municion dhe materiale të tjera që kishin vjedhur në Leskovik. Nga ana jonë mbetën të vrarë 2 partizanë dhe 12 partizanë të plagosur. Aty, në Kurtes të Kolonjës, në një betejë tjetër, u vra shoku im i luftës, italiani Pepe (Giuseppe Pignatelli).
Xhuzepja
Një mendim i keq ekziston për ushtarët italianë në Shqipëri, sikur ata ishin njerëz të qejfit dhe jo luftëtarë. Ky mendim nuk është aspak i saktë. Italianët në Shqipëri, në Luftën e Dytë Botërore, ishin mercenarë që ishin të detyruar të bënin atë që urrenin. Po ashtu, dita me ditë italianët po ndërgjegjësoheshin se fashizmi ishte një aksident në Itali që duhej shporrur. Këtë mendim ma ka përforcuar miku dhe bashkëluftëtari im italian në Brig.IV S. Xhuzepja ose Pepja, siç i thoshim ne italianit Giuseppe Pignatelli. Xhuzepen e pata shumë shok dhe unë kam shumë kujtime për atë djalë trim, të zgjuar dhe të dashur. Ndoshta do të kem kohën e duhur që të shkruaj më gjatë për Xhuzepen e mirë, i cili në betejën e Leskovikut e tregoi se kush ishte duke dhënë jetën për çlirimin e Shqipërisë.
Komanda e brigadës ma besoi mua dhe italianit Xhuzepe, shoqërimin e shokut Haxhi Lleshi nga shtabi i brigadës që ishte në Dolan për në Lozhan. Siç kam thënë, kjo rrugë ishte si tërë zona përreth shumë e njohur prej meje, por ne, nuk e dinim që rruga ishte zaptuar nga ballistët. Ashtu të shkujdesur po zbrisnim tatëpjetë rrugën kur befas, shumë afër, nga prapa një gëmushe, na urdhëron një zë: “Ndal! Hidhni armët për tokë!” Kthej kokën dhe dallova dy shqiponjat në dy kapelat e ballistëve, të cilët nuk ishin më larg se 10 m nga ne. Sigurisht që ndalëm. Zëri buçiti përsëri, “Hidhni armët! A jeni partizanë?” Pastaj ata dolën nga shkurrja dhe po na afroheshin duke na mbajtur në shënjestrën e pushkëve. Ne u ndodhëm fare të papërgatitur dhe ishim gati të dorëzoheshim sikur Xhuzepja në çast të mos kishte punuar një rreng të bukur. Ai kishte në dorë një gur dhe bëri sikur e kishte bombë dhe “i hoqi” me dhëmbë siguresën. Me atë shqipen e çalë u tha: “Nëse ju do të na vrisni neve, bomba do pëlcasë dhe do vriteni dhe ju. Na lini në punën tonë.” Këtë ua thashë dhe unë më mirë në shqip dhe ballistët u trembën. Filluan të largohen mbrapsht dhe pastaj ia dhanë vrapit në drejtim të Bodesë.
Pas Operacioni të Qershorit & Lufta për çlirimin e Tiranës
Pas Operacionit të Qershorit trupat gjermane ndoqën një taktikë tjetër të luftës së tyre, ata u përqëndruan pranë rrugëve tona nacionale si Korçë - Bilisht, Korçë - Tiranë, Korçë - Ersekë, etj. Kjo gjë solli që pjesa e brendshme, sidomos pjesa jug - lindore, nëpër male dhe kodra, ta ndiejë lirinë e vendit. Në këto vende fshatarët filluan ta rindërtojnë jetën e tyre më me hov se përpara lufte. Rifilloi ndërtimi i shtëpive, urave, rrugëve të dëmtuara dhe gjithçka që ishte prishur nga lufta. Në atë kohë edhe familja e Bacellinjve filloi të ndërtojë dy shtëpitë e djegura nga ballisto-gjermanët; shtëpinë tonë, pra shtëpinë e Telhait, siç e thërriste fshati, dhe shtëpinë e Qerimit, që ishte djegur pjesërisht. Shtëpia jonë siç e kam thënë me lart, qe djegur tërësisht, me gjithçka kishte brenda, pa shpëtuar asgjë, siç i thonë fjalës, ne u dogjëm me kuç e maç. Në fillim gjermanët e bombarduan me top që nga Shullëri.
Lufta pas Operacionit të Qershorit solli shumë ndryshime edhe tek partizanët, të cilët ishin më të formuar e kalitur në luftë, po ashtu ata ishin më shumë të furnizuar nga ushtria anglo-amerikane se më parë. Tani ne kishim në përdorim edhe radio-dhënëse e marrëse, kishim fishekë gjurmëlënës dhe burie për çdo njësi partizane. Mua si korrier i shtabit të Brig. IV sulmuese m’u lehtësua shumë puna pasi nuk vrapoja si me parë të shpërndaja çdo lajm me postë. Kjo qe një gjë shumë e mirë për mua, tani vetëm shpërndaja letra personale të komandanit Nexhip Vinçanit dhe ndonjë lajm shumë të rëndësishëm për brenda brigadës, e cila shtrihej e shpërndarë në pothuaj tërë Gorë - Oparin e Korçës.
Ishte koha kur Gjermania hitleriane po hante përditë “dru” nga forcat aleate dhe shumë trupa të saj në Ballkan po tërhiqeshin drejt fronteve kryesore; në perëndim drejt trupave anglo -amerikane dhe në lindje drejt trupave të BS.
Siç duket Shtabi i Përgjithshëm i forcave partizane e kuptoi këtë gjë dhe luftën partizane e drejtoi kundër autokolonave gjermane nëpër rrugët tona nacionale dhe sidomos në rrugën Greqi - Jugosllavi që kalonte nëpërmjet territorit të Shqipërisë.
Gjermanët, pas betejës së Qafë-Krrabës në afërsi të Tiranës, nuk udhëtonin më natën nga frika e goditjes së befasishme partizane. Ata, si përherë, kur kalonin në autokolona të mëdha, godisnin me mortaja për të bërë zhurmë dhe për të frikësuar partizanët.
Gjatë luftës për çlirimin e Tiranës ku morën pjesë Brig. e Parë, e Katërt, Brig. VIII, dhe Brig. XVII, si dhe disa pjesë të brigadave të tjera, lufta u bë shumë e furishme. Unë u ndodha rastësisht në këtë betejë pasi i shpura N. Vinçanit një porosi të komandantit të brigadës XVs. Në këtë luftë, për herë të parë në Shqipëri u ngrit i tërë populli i Tiranës në luftë. Këta banorë trimalehtësuan shumë punën e partizanëve, pasi ata ngrinin barrikada të pakapërcyeshme për nazistët që tërhiqeshin drejt veriut. Avionë zbulimi gjermanë zbuluan pikat e vrojtimit që i kishin partizanët përreth kodrave të Tiranës dhe artileria e tyre filloi të godasë pa pushim. Në një nga këto goditje, në datën 4 nëntor 1944, gjermanët në vend të godisnin ndërtesën e shtabit të luftës ku u ndodha unë, goditën ndërtesën përballë nesh, një ndërtesë e bukur dykatëshe, të Z. Myrteza Stefa, një tregëtar qe kishte ndihmuar shumë luftën tonë. Predha ra në sofrën e tyre ku u vranë 12 vetë; gjithë familja e Myrtezait me përjashtim të gruas së tij. U vranë Myrteza Stefa 60 vjeç, vëllai i tij 24 vjeç me gruan dhe një fëmijë, Hysen Stefa, djali i Myrtezait 22 vjeç, Mustafa Stefa, djali tjetër më i vogël 18 vjeç Bajram Stefa, vajza 16 vjeçe Fatime Stefa, vajza e vogël 14 vjeçe Bedrie Stefa dhe njerka 50 vjeçe, Emineja. Mes tyre edhe miqtë nga Elbasani; Hysen Shyti 50 vjeç, gruaja e tij 35 vjeçe dhe djali i tyre Resmiu që ishte 5 vjeç. Ndërsa vajza e tyre Teuta u plagos rëndë duke lënë një këmbë dhe tjetra vajzë e miqve që ishte 9-muajshe shpëtoi gjallë nën gërmadha. Nga familja e Myrtezait, siç e thashë më lartë, shpëtoi vetëm gruaja e tij Zyraja (Laja) e cila në këtë kohë kishte shkuar në ashef për të marrë pak lëng armeje. Laja mori një plagë të thellë në zverk. Zyraja në atë kohë ka qenë shtatzënë dymuajshe me Nadiren, e cila sot është gruaja e nderuar e kushëririt tonë Reshat Bacelli në lagjen Ali Demi në Tiranë.
Forcat partizane të batalionit të dytë të Brig. së Parë i morën të plagosurit dhe në fillim i dërguan në spitalin e çetës së Dajtit, më pas në atë të Pezës dhe në fund në Krujë, nën kujdesin e mjekut të dëgjuar Hamdi Sulçebegut.
Në 29 mars 1945, Zyraja lindi Nadiren në Shijak tek vëllezërit e saj. Nadirja u rrit dhe edukua nga nëna e saj dhe u bë një infermjere e talentuar që punoi për shumë kohë në abulancën qendrore të Tiranës. Zyraja, e ëma e Nadiresë, vdiq në vitin 2002.
Familja e nënë Lajes (Zyrasë) ka vuajtur shumë dhe është persekutuar si familje tregëtare, pavarësisht gjakut të derdhur dhe parave të grabituara nga Pushteti Popullor!! Asaj nuk iu dha asnjë ndihmë nga ky pushtet dhe ajo jetoi në një kasolle që e ngriti vetë pranë 12 varreve, në kodrën ku pranë saj sot është shkolla “Mihal Grameno”. Edhe atë pak tokë që asaj i kishte ngelur pas reformës agrare, ia mori më pas qeveria komuniste për të ngritur shkollën duke e lënë nënë Lajen “pronare” vetëm të dymbëdhjetë varreve. Ajo kërcënohej të vdiste urie dhe në një depresion të madh mund të vriste veten. Përherë thoshte pse e la Zoti gjallë që të vuajë kaq shumë. Më mirë e vdekur me familjen e saj sesa kështu buzë varrit. Më në fund kryetari i Kp. të lagjes, Sabri Pilkati, kur Laja ishte në moshën 60 vjeçe, e vendosi në punë si sanitare në shkollën e ndërtuar mbi truallin e burrit të saj, që nuk vazhdoi gjatë, por vetëm 10 vjet dhe në vitin 1970 ajo u pushua nga puna si borgjeze!!
Po atë ditë që u godit shtëpia e M.Stafës u godit në Priskë edhe shtëpia e Daji Cenit (Bazi i Cenës) ku lanë të vdekur 14 vetë!
Kreu III
Paslufta
O tempora! O mores! (O kohë! O zakone!)
Fituam apo humbëm?
Çlirimi dhe paqja erdhën. Në Traktatin e Paqes që u nënshkrua më 1947, Italia hiqte dorë nga të gjitha të drejtat, konçesionet, pasuritë dhe interesat që kishte pasur në Shqipëri (Neni 29), dhe njihte gjithashtu se ishulli i Sazanit të ishte pjesë e Shqipërisë (Neni 28). Kurse Greqia kërkoi që "çështja e Epirit të Veriut" të vihej në bisedim në Konferencën e Paqes, në Paris, më 1946. Propozimin e Greqisë e kundërshtuan Molotovi dhe nën kryeministri jugosllav Kardelji. Por sidomos ndërhyrja e Sekretarit të Shtetit Amerikan, Byrnes, që e hodhi poshtë propozimin grek dhe e ashtuquajtura çështje e Epirit të Veriut nuk u muar fare në bisedim. Shqipëria u bë një shtet i pavarur, megjithëse ishte i cunguar dhe shumë se gjysma e territoreve dhe popullsisë së saj ngelën jashtë.
Regjimi i Tiranës, i shtyrë nga dinakëria greko-sërbe që Shqipëria të prishej me Amerikën, nuk e kuptoi qëllimin e tyre dhe vazhdoi që të mbante një qëndrim armiqësor kundrejt amerikanëvet dhe të pengonte çdo veprim të misionit të tyre në Shqipëri. Në ato kushte Amerika i njoftoi qeverisë së Tiranës, më 5 nëntor 1946, se nuk kishte më asnjë arsye që misioni i saj të qëndronte në Shqipëri. Atëherë policia e shulingut Koçi Xoxe u vu menjëherë në lëvizje për të kurdisur proçesin e inxhinierëve të Maliqit, të cilët kishin qenë gjoja në lidhje me misionin amerikan dhe qenë shtytur prej këtij për të sabotuar punimet e tharjes së liqenit. Gjashtë inxhinierë u varën!
Misioni amerikan iku prej Shqipërie, Atdheu komunist ngeli si një teneqe e lidhur pas Jugosllavisë qene! Kulmi i komedisë ishte se vetë Jugosllavia, ku kishin varur të gjitha shpresat "të mençmit" e Tiranës, është mbajtur me ndihmën e Amerikës!
S’do të ngelej pas as prishja me Anglinë, vetëm kështu Shqipëria në dorën e budallenjve hoxhistë do të tërhiqej pas nga Jugosllavia si një rrosoke për të fshirë këmbët e Titos dhe shokëve të tij. Po në atë mënyrë u godit edhe misioni ushtarak britanik, sikur kishte dashur gjoja të organizonte një komplot kundër regjimit enverian. Kjo e ndaloi Anglinë t'i vazhdonte më tej bisedimet e nisura me Shqipërinë më 10 nëntor 1945 për njohjen e qeverisë së Tiranës. Po prisheshim me tërë botën që na deshën, duke u afruar me miqtë tradicionalë të grekëve dhe sërbëve, me tërë Pan Orthodoksinë Sllavo-Komuniste!
Shqipëria e ndodhur në mëshirën e fatit ku e përplasnin valët e oqeanit orthodoks sllav, do të ngelej tash e mbrapa si një leshterik që s’di nga vjen dhe ku shkon. Populli shqiptar do përdorej si raja në Çifligun Komunist Botëror, de jure drejtuar nga çobenët e maleve shqiptare dhe de facto nga mjeshtrit çobenë të komunizmit botëror.
Në këtë situatë u ndodh dhe Familja Bacelli si tërë familjet e shqiptarëve të shkretë. Partia, nën drejtimin e së cilës ne u vumë dhe i dhamë besën pasi qëllimi i luftës që bëmë qe i drejtë, u vu kokë e këmbë nën shërbimin e armiqve tradicionalë antishqiptarë dhe në këtë mënyrë filloi të shuhej e fashitej ndjenja kombëtare, liria individuale dhe ëndërra për një Shqipëri Etnike e të vërtetë. Kjo situatë solli që në vend të dënoheshin tradhëtarët e vërtetë të kombit, filluan të dënohen pa mëshirë ata që dënuan këtë tradhëti. O tempora! O mores! siç thoshte Ciceroni.
Fatkeqësisht jo të gjithë shqiptarët e mësuan se, në regjimet diktatoriale, fillimi është një entusiazëm i masave të papërmbajtura për të ndërtuar një jetë të re. Ku njerëzit shkojnë me valle dhe këngë drejt një grope të thellë të hapur e nga ku s’dilet më. Në grykën e gropës ka vetëm lule dhe erë të këndshme. Brenda gropës gjenden ferra dhe driza ku njeriu që bie brënda, lufton të shpëtojë, por s’mundet. Mund t’i shpëtojë një ferre apo drize, por më tutje e pret ferra a driza tjetër. Aty njeriu kthehet në një Sizif. Aty zhduket edhe ajo që jashtë kësaj grope nuk zhduket kurrë, shpresa.
Dua të them dy fjalë për njeriun tim më të afërt, njohur në zjarrin e luftës dhe farkëtuar në kudhrën e punës për rindërtimin e Shqipërisë së shkatërruar. Jetuamë një kohë shumë të vështirë por të lavdishme.
Shënim: Shkrimin e babait e plotësova unë më tutje pasi ai e kishte lënë pa përfunduar. (A. B.)
Ervehe Grabocka
Ervehe Grabocka është gruaja më heroike që ka nxjerrë Grabocka, ajo edhe sot ruan akoma tiparet e një gruaje trime dhe të zonjën. Është një shembull i gjallë i një gruaje të moshuar, (sot ajo i ka kaluar të 90 vjetët), e cila të jep përshtypjen e një zonje që mundohet të ruajë tiparet e një gruaje të re, të fortë, të paepur dhe trime. Kujtdo që i bie rasti të takohet me Ervehenë, ngelet i çuditur me vitalitetin e saj. Mosha ka bërë të sajën, por nga goja e Ervehesë askush nuk ka dëgjuar asnjë ankesë për shëndetin, pleqërinë, apo çfardolloj ankese që zakonisht, sot bëjnë njerëzit në përgjithësi, sidomos pleqtë.
Kujtesa e saj është e plotë, e saktë dhe e veshur me një humor që të kënaq. Ne biseduam gjatë dhe u çmallëm.
Kush është Ervehe Grabocka?
Ka lindur në Grabockë, fshat në thellësi të maleve të Korçës, në zonën ku ndahet Korça me Skraparin. (Fshatin e saj e ndan një përrua me fshatin Backë të Skraparit.) Është e bija e Bektash Grabockës (1870-1956) nga Panariti, dhe Zylfie Shtyllës (1890-1981) nga Shtylla. Dy prindërit e saj vijnë nga familje me tradita të mëdha luftarake, patriotike, arsimdashëse që i kanë dhënë Shqipërisë burra të mëdhenj si luftëtarë për liri apo burra shteti, si Dëshmorin e Kombit, Qazim Panaritin, (1866-1918), i cili ka qenë xhaxhai i Ervehesë, Medar Shtylla, (1888 - 1963), daiu i saj, Behar Shtylla,(1918-1994), kushëriri i parë.
Myftar Grabocka, (1917) është vëllai i madh i gruas, Ervehesë. Myftari është një njeri i jashtëzakonshëm dhe unë s'kam fuqinë e duhur që të bëj portretin e tij sado të thjeshtë. Myftari ka një fuqi mendore që rrallë njeriu e has në jetë. Është i zoti t’i japë rrugë çfarëdolloj problemi dhe në çfarëdolloj fushe. Gjenialiteti i tij kurrë nuk është gërshetuar me pozitën shoqërore që ai ka patur në jetë. E them pa frikë se për Myftar Grabockën do të qe shumë pak të ishte një ministër në Shqipëri, megjithatë ai ka qenë në rang ministri. Fuqinë e tij mendore Myftari nuk e la kurrë t’i hypte vetja në qejf, po ashtu, atë fuqi e përdori me dashuri dhe bamirësi. Nuk gjen njeri në Shqipëri që të ankohet për Myftarin, pasi gjithësecilit i ka dhënë hakun, por dhe ka falur shumë nga ata që e kishin hak të dënoheshin. Sot ai është mbi 95 vjeç dhe e vë kokën i qetë në jastëk dhe e zë gjumi rehat. Ky është pak a shumë fisniku Myftar Graboca. Martuar me Leonora Hazendari nga Berati. Kanë lënë një djalë dhe tre çupa; Katjusha (Alkyz) Cerga, vdekur në 2006, Vera Grabocka e martuar me Timo Fllokon; Gëzim Grabocka, Paterson Nju Xhersi. Ira Grabocka në Tiranë.
Motra e madhe e Ervehesë ka qenë Reshiko Fejzullah, e martuar në Rehovë të Vithkuqit me Fekrih Fejzullain. Reshikua ishte një grua e ëmbël dhe shumë fisnike. Ka lënë një djalë dhe tre çupa; Izet Fejzullai, Rehovë, Afërdita Liço, Korçë, Pëllumbesha e martuar me Jonuzin në Poliçan të Skraparit dhe Fatmira Sejamini në Tiranë.
Vëllai tjetër ka qenë Zenel Grabocka në Korçë, martuar me Nazife Fejzullai nga Rehova. Një burrë i qetë, i zgjuar dhe shumë i dashur. Zeneli ka qenë drejtor i komunales së banesave në Korçë. Vdekur në 2006. Ka lënë dy djem dhe një çupë, Sokol Grabocka, Teksas, Luljeta Kaçani, Teksas dhe Fatos Grabocka në Korçë.
E motra e vogël ka qenë Fadile Eminaj, martuar me Hysen Eminaj nga Kolonja. Kush s’e ka njohur Fadilenë dhe Hysenin dhe s’ka thënë mashalla! Një çift ideal I bukur. Ata kanë lënë dy vajza të bukura si drita: Merita e martuar me Sejfi Meron dhe Zhuli e martuar me Agim Saden, të dyja në Korçë.
Burra dhe gra të shquarë që i ka njohur Shqipëria nga fisi i Ervehesë.
Duhet përmendur se paraardhësi i shtatë i Ervehesë takohet me themeluesin e Korçës, Iliaz Bej Mirahorin, (Ilia Panariti) që ishte nip i Papa Petro Panaritit (1360-1440), stërgjyshi i Ervehesë.
Vetë Erveheja ka qenë luftëtare në radhët partizane që me krijimin e formacioneve të para luftarake. Ajo është dalluar në luftime me armikun dhe mban dekorata dhe distinktiva të shumta që tregojnë se ka qenë një luftëtare dhe punëtore e palodhur në shërbim të kombit dhe shqiptarëve. Që në fillim të vitit 1942 Erveheja u aktivizua nga Lëvizja Nacional - Çlirimtare për të ngritur në luftë fshatrat Grabockë dhe Panarit së bashku me tre shoqe të tjera, të cilat kanë qenë: Noi Polena, Antigoni Gjançi dhe Anie Vila. Këto gra bënë të mundur që disa vajza prej këtyre dy fshatrave të dalin partizane. Erveheja doli partizane në fillim të vitit 1944 së bashku me tre vajza të tjera nga Grabocka; Sedie Sejfulla Selenica, Përparime Brahim (Abazi) Cane dhe Vajide Jaupi. Erveheja u inkuadrua në Brig. XV S. në batalionin e parë me komandant Selman Vishocicën dhe komisar Hamdi Babanin.
Pas çlirimit Erveheja ka punuar në Kryqin e kuq Shqiptar, në fillim në Voskopojë së bashku me tre shoqe, Përparime Cane, Meleqe Protopapën dhe Dadenë e Porodinës. Në Voskopojë ajo u njoh me burrin e saj të ardhshëm, i cili punonte si sekretar lokaliteti. Më pas ajo punoi në Korçë derisa u martua me Ademin, një nga ish partizanët më trima, i cili ka mbajtur medaljen e Trimërisë dhe ka qenë korrieri i Shtabit të Brig. IV S.
Rrëfimi i vetë Ervehe Grabockës
"Në shtëpinë tonë një ditë erdhi Safet Butka që ishte mik shtëpie dhe i tha babait tim, Bektash Canes se ku i kishte djemtë. Babai i tha se djemtë e tij ishin partizanë. Safeti iu lut që t’i thërresë djemtë dhe nipërit që ta braktisin luftën partizane dhe të luftojnë më forcat balliste. Babai nuk pranoi, pasi ai më parë kishte biseduar më Medar Shtyllën që e kishte kunat, të cilit i kishte dhënë fjalën se shtëpia e Canellarëve do të mbante anën e partizanëve.
Në atë kohë erdhi në shtëpinë tonë, Katina Starja, Noi Polena dhe Antigoni Gjançi dhe takuan babanë tim, të cilit i kërkuan që unë të dal partizane. Ato kërkuan që të dalin partizane edhe Përparimja, çupa e xhaxha Brahimit, edhe Vaideja, komshija ime, çupë e Jaup Grabockës. Prindërit tanë nuk nguruan dhe na dhanë lejën duke na pyetur neve nëse pranonim te dilnim malit partizane. Ne mezi prisnim që të luftonim pasi në shtëpitë tona në ato kohë s’kishte bisedë tjetër veçse trimërisë, guximit dhe gatishmërisë së shqiptarëve për të luftuar pushtuesin. Ne kishim punuar në terren për një kohë të gjatë dhe ishim përgatitur për këtë punë.
Ishte muaj prill i vitit 1944 kur na mblodhën në Katund, fshat i vogël afër Trebickës. Atje, në një lëndinë ishte një mur një metër i lartë. Ne na rreshtuan të gjitha vajzat e fshatrave të zonës së Panaritit dhe na thanë se, kalimi i këtij muri do të jetë simbol i pranimit të kapërcimit të mentalitetit patriarkal dhe dëshirës për të kapërcyer çdo vështirësi që do të na dilte përpara në luftën kundër pushtuesit. Ne ishim rreth nja 50 vajza të zonës sonë. Siç e thashë më sipër, nga Grabocka ishim vetëm tre çupa; Përparimja, Vaideja dhe unë. E para që kaloi murin qe Përparimja, e cila thirri, “Nuk do të ketë asnjë mur që do të na pengojë në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë!” Pas ne vajzave, murin e kapërcyen edhe disa djem nga zona. Nga Grabocka ishin edhe dy kushërinjtë e mi, Kadri dhe Arshin Cane së bashku me tre të tjerë. Pastaj shkuam në Lavdar të Korçës ku na veshën partizane. Atje gjeta kushëririn tim të parë Behar Shtylla, i cili u gëzua shumë dhe ka qeshur pasi dikush i tha që Erveheja do të bëhet një luftëtare më e madhe se ai. Na caktuan fillimisht në prapavijën e forcave partizane dhe pikërisht të punonim në spitalin partizan të Lavdarit. Atje ndenja rreth katër muaj. Në atë kohë spitali i Lavdarit u transferua diku gjetkë dhe ne na dërguan në Brig.XV S. ku do të kishim të njëjtën detyrë, pra do të punonim në prapavijë. Me mua qenë edhe Përparimja së bashku me Vaidenë. Të plagosurit ne i shpinim në Gurmujas dhe atje i mjekonim. Atje punova rreth dy muaj. Në tetor më dërguan në brigadë si partizane me përgjegjës kompanie Avni Babanin dhe komandant batalioni Selman Vishocicën.
Mora pjesë në disa beteja së bashku me brig. XV Sulmuese. Më kujtohet një rast kur na u plagos shoqja jonë Neta, e cila po këndonte dhe një plumb i ra grykë. Sa e shpunë në spital ajo vdiq.
Pasi u çlirua Shqipëria, mua më dërguan të punoj në zonën e Vithkuqit, Panaritit, Treskë, Trebickë, Qinam dhe Radovickë. Më pas në Voskopojë dhe Korçë. Me mua ishin dhe Përparimja, Meliqe Protopapa dhe Mynever (Kolaneci) Shtylla. Detyra jonë ishte të ngrinim organizatat e grave atje ku nuk kishte dhe të forconim ato organizata grash që ishin ngritur gjatë luftës. Në Vithkuq na erdhi për vizitë Enver Hoxha që na përgëzoi për detyrën tonë. Enveri bëri dhe një foto së bashku me ne. Atë e shoqëronte kryetari i Këshillit të Vithkuqit, Miti Rrapi. "
Bacellinjtë pas Luftës së Dytë Botërore
Shpërndarja e Bacellinjve:
Në Shqipëri Bacellinj ka në Krushovë, Voskopojë, Tiranë, Yzberisht, Korçë, Bulgarec, Vloçisht, Pocestë, Vashtëmi, Lushnjë, e gjetkë. Në Amerikë Bacellinj ka në Nju York, Virginia, Florida, Miçigan, etj. Në Australi Bacellinj ka në Queensland, Tasmania, Victoria, etj. Në Greqi Bacellinj ka në Athinë. Në Stamboll janë disa Bacellinj. Po ashtu dhe në Itali, sidomos në Siqili.
Krushovë - Kooperativa
Nga 1 shkurti 1948 deri në 15 qershor 1952 isha sekretar lokaliteti në Voskopojë.
Në vitin 1956, ishte gusht, më thirrën në Korçë shokët Mitaq Vodica, sekretar i parë i partisë në rreth, Loni Kotelli, kryetar i k.p. të rrethit, si dhe nën praninë dhe kujdesin e shokut Gaqo Kita, m’u dha urdhër për të krijuar kooperativën e Krushovës, e cila u krijua menjëherë dhe unë mbajta detyrën e kryetarit të këshillit për dy javë, pasi po atë muaj shkova familjarisht në Bulgarec tek nëna dhe vëllezërit e mi.
Xhafer Bacelli nuk pranonte të hynte në kooperativë. Kur e pyeta pse, ai m’u përgjegj se, “unë jam vetë 11 në familje; kam gruan dhe 5 djem e katër vajza. Murati psh është vetë i dytë; burrë e grua. Kur të ndahen prodhimet, unë do të marr më shumë se ai dhe kështu në fshat do të hyjë pakënaqësia. Më parë i mbushni mendjen Muratit dhe ndonjë tjetri dhe në fund hajdeni tek unë”. Kështu u veprua, por Muratit nuk i mbushej kurrsesi mendja dhe një ditë ai u gjend i varur në xhaminë e fshtatit. La prapa gruan shtatzënë. Sot i biri, Gëzim Bacelli, është në Tiranë pasi ka shërbyer për disa vite në sigurimin e udhëheqjes së lartë të Partisë dhe shtetit shqiptar.
Fshatarëve të Krushovës nuk u mbushej fare mendja për të hyrë në kooperativë. Mbledhje pas mbledhje në shkollën e fshatit dhe delegat pas delegati nga Korça për t’u mbushur mendjen. Koop. kishte vetëm dy anëtarë; mua dhe Bezatin, djalin e xhaxha Tahirit!
Një ditë erdhën disa të deleguar nga Korça dhe thirrën Xhafer Bacellin e i thanë se duhet të hyjë në koop. pasi vetëm ai po e mbante varur ndërtimin e saj. Xhaferi u tha se, “unë e dua partinë prandaj më jepni diçka që t’ju jap besën”. Të gjithë prisnin se çfarë ishte ajo diçkaja që ai kërkonte, kur befas i deleguari nxori koburen dhe ia zgjati. Xhaferi e mori në dorë dhe e mbushi sakaq. Të gjithëve iu ndal fryma. Mos vallë bën ndonjë të pabërë!! Por Xhaferi nuk ishte i pabesë, ai u ngrit në këmbë dhe të shtatë plumbat i futi në tavanin e shkollës dhe pasi u zbraz e tërë karikatorja tha: "Të na rrojë kooperativa!” Të gjithë të pranishmit duartrokitën dhe ky moment qe fillimi i kooperativës së Krushovës.
Kryetar i koop. u zgjodh Liko Bebri, nën kryetar Reshat Bacelli, brigadier Bezat Bacelli dhe Myslim Bebri, llogaritar Ferik Bacelli. Vendet e tjera të drejtimit u plotësuan më vonë. Për 15 minuta i gjithë fshati prej 80 shtëpish u bë me koperativë. Unë në atë kohë kisha dorëzuar detyrën time si sekretar lokaliteti në Voskopojë dhe po bëhesha gati të shkoja tek vëllezërit e mi në Bulgarec, ku ata kishin vite që ishin larguar dhe atje ne ishim duke ngritur një shtëpi të re dykatëshe dhe kishim përfunduar një tjetër njëkatëshe, prandaj nuk pranova asnjë detyrë.
Largimi nga Krushova
Si u largova unë, filloi edhe largimi i të tjerëve në masë, të parët pas meje u larguan Seit dhe Shuaip Bebri që shkuan në Maliq, Xhafer e Xhevit Bacelli shkuan në Yzberisht të Tiranës, familja e Murat Bezhanit shkoi po në Tiranë, në Vaqarr. Pas tre katër-vjetësh u larguan të tjerë, mes tyre Ahmet Bacelli dhe Ferik Bacelli, kështu që në Krushovë ngelën vetëm dy familje Bacelli; familja e Pashos, dhe ajo e Tahirit.
Ferik Bacelli punoi në batalionin e ndjekjes me Çobo Rapushin dhe Reshat Bacelli u bë polic në legatat e huaja në Tiranë.
Bido Bacelli, i biri i Beçes, vdekur në Krushovë. Ka lënë dy djem; Ali Bacellin dhe Selim Bacellin.
Feko Bacelli, i biri i Beçes, vdekur në Krushovë. Ka lënë tre djem; Zalon, Beçen dhe Fazlliun, të cilët banojnë në Vloçisht. Ka lënë dhe një çupë, Resmien.
Zaim Bacelli ka lënë një djalë; Veli Bacellin në Krushovë.
Hybe Bacelli, kushërirë e Zaimit dhe Osmanit martuar në Krushovë, kishte tre djem, Sulon, Tekinë dhe Dilkën.
Bacellinjtë e Tiranës
Hamet Bacelli që ka grua Verën, punoi si shofer në ushtri dhe më pas ai u bë shef i oficinës së transporteve për Tiranën derisa doli në pension. Demokracia e bëri përsëri shofer dhe atje duke ngarkuar një makinë i ra infarkt i miokardit dhe vdiq.
Dy çupat e Xhafer Bacellit në Yzberisht u shkolluan me arsim të lartë. Po ashtu dhe Bacellinjtë e tjerë në Tiranë punuan kudo në industri e bujqësi, në fshat dhe në qytet; Qazime Bacelli mësuese letërsie, Ferdane Bacelli mësuese rusishte, Zinet Bacelli mësuese, Hyrije Bacelli shefe llogarie në Karburantet e Tiranës, Zylka punoi në industri, Vajbeja në Kombinatin Tekstil, Rrahimeja punoi në fermë bujqësore, Shabani punoi në ndërtim, Nefiu në minierën e Valiasit, Qerimi punoi shofer urbani në Tiranë, Aipi punoi si eskavatorist në tullat silikate, etj.
Murat Bacelli, i biri i Sune Bacellit ka lënë dy djem; Gëzimin dhe Bardhin, të cilët jetojnë në Tiranë.
Bacellinjtë e Bulgarecit
Ishte kjo gjëndje kur unë u lirova nga ushtria dhe pikërisht nga reparti ushtarak nr.830 në Pogradec ku shërbeva për tre vjet. Në fund të 1947 mbërrita në Krushovë dhe menjëherë fillova të ndërtoj një shtëpi të vogël me tre dhoma dhe një korridor përballë me arrën qindravjeçare të Bacellinjve. Në hyrje u ndërtuan 7 shkallë dhe një verandë. Kështu që familja ime shpëtoi nga ashefi që ishte kthyer në shtëpi gatimi, ndënjie dhe fjetje. Megjithatë shtëpia qe e vogël për 7 vetë sa ishim ne. Beqos i lindi ideja që të shkojmë në Bulgarec, ku ne kishim disa toka të blera nga gjyshi. Një vit më vonë unë u martova dhe Bequa mori nënën me katër vëllezërit e tjerë dhe përfundimisht u largua për në Bulgarec, ku ai kishte ndërtuar një shtëpi fare të vogël dhe kushtet për banim akoma ishin shumë të këqija pasi Bequa kishte vetëm një shtëpi përdhese me dy dhoma; në një dhomë flinte Bequa me Asijen dhe dy fëmijët dhe në tjetrën flinin, nëna, Ramizi, Besimi, Bajrami dhe Halimi. Dhomat ishin të dimesioneve 2.5m me 2.5m. Të gjithë flinin përdhe.
Me mund dhe përpjekje Bequa që shquhej për inisiativë dhe shpirt krijues iu fut punës për të ndërtuar një pallat. Pallati përfundoi në vitin 1955 dhe ishte i bollshëm për të gjithë pasi kishte 8 dhoma në dy katet e saj. Mirëpo paratë mbaruan dhe shtëpia vetëm sa u ngrit si karabina. Brenda ajo ngeli bosh.
Krushova s’ka patur një shkollë të mirëfilltë para çlirimit. Ndërtesa ka qenë, por pa mjete mësimore dhe pa mësues. Vetëm në vitin 1946 u hap shkollë e rregullt dhe Halimi që ishte dhjetë vjeç u dërgua të mësojë shkrim e këndim. Ai për gjashtë muaj mbaroi klasën e parë dhe në vazhdim për tre vjetë të tjera ai kreu filloren dhe në vitin 1953 e dërguam të përfundojë shtatëvjeçaren në shkollën “Fuat Babani” në Korçë. Në atë kohë të gjithë vëllezërit e mi, siç e thashë më lart, banonin në Bulgarec. Bequa në atë kohë kishte hapur Mullirin e Bulgarecit. Në atë kohë qe martuar edhe Bequa. Ai kishte dy fëmijë, Sofikën, 1948, dhe Rizanë, 1952. Unë kisha Dhuratën, 1949 dhe Agimin, 1951. Ramizi s’kishte akoma fëmijë pasi u martua në vitin 1955.
Për të gjithë kujdesej shumë Bequa me Asien, sigurisht dhe nëna. Bequa me Asien ishin shumë të dashur dhe bujarë ata sakrifikuan rehatinë e tyre vetëm e vetëm që ne të mos ngeleshim në Krushovë, e cila pasi u bë kooperativë, u bë e padurueshme nga varfëria. Bulgareci ishte një kooperativë e përparuar me të ardhura të larta.
Halimi tregon se në vitet 1950 -1951 ka qenë një krizë e madhe për bukë, por meqë Bequa punonte në mulli, ne s’ngelëm kurrë pa bukë. Ishte koha kur shteti i pajiste qytetarët e saj me triska buke, ku jepte vetëm 500 gr bukë për frymë dhe vetëm bukë misri. Racioni im aq ishte, thotë Halimi, një e kafshuar dhe unë kur dilja nga shkolla desha përsëri bukë dhe Asia e hiqte nga goja e saj e ma jepte mua. Nuk mund t’i harrosh ato ditë e vite.
Në Bulgarec banonin këta Bacellinj të tjerë përveç vëllazërisë sonë:
Zenun Bacelli (Kodra). Ka lënë tre djem e dy çupa.
Ramadan Bacelli. Ka lënë një djalë e pesë çupa.
Shaban Bacelli (Agolli).
Zylfie Bacelli, martuar në Senisht dhe zbritur në Bulgarec.
Dilkë Bacelli (Krushova). Ka lënë këta djem; Xhemalin, Enverin, Rustemin, Guraliun. Ndërsa çupat quhen Sheriban dhe Hane.
Bacellinjtë e Vashtëmisë:
Dy vëllezër: Temo dhe Çaush.
Sabri, Kodhel, Nuri, Kalem, Shefki, djem të Dalip Malësisë (Bacelli).
Bacellinjtë e Fermës dhe Libonikut:
Osman Bacelli ka lënë dy çupa; Guren martuar në fermë dhe Çelniken martuar në Libonik me Shefki Shemen.
Bacellinjtë në Pocestë:
Refat Bacelli (Mban mbiemër tjetër).
Zija e bukës!
Parazitizmi është kanibalizëm që ha veten.
Që të mos dukem i çuditshëm në teorizime të kota, po jap pak shembuj se si njeriu nganjëherë del jashtë ligjeve të natyrës dhe këtë gjë e pëson në kokën e vet.
Po marr një pemë që rron në saje të punës së vet dhe që thith nga toka ushqimin, gjithashtu po marr edhe një pemë tjetër që rron parazite në kurriz të një peme tjetër dhe rrënjët e saj nuk janë në tokë, por në trupin e pemës mike. Çfarë do të ndodhë nëse pema mike do të vdesë? Të gjithë ata që e njohin natyrën e pemës parazite, e dinë fare mirë që edhe ajo do të vdesë. Në këtë rast, ligji natyror për këto dy pemë thotë: "Nëse vdes pema punëtore, do të vdesë edhe pema parazite." Në këtë ligj nuk ka ekuivoke dhe as mëshirë. Kjo gjë nuk ndodh me natyrën njerëzore. Psh kur një fëmijë dembel e parazit rritet dhe bëhet i paaftë të rrojë vetë, ai preferon të hajë në kurriz të prindërve dhe kur prindërit vdesin, ai vazhdon të rrojë në kurrizin e ndonjë tjetri, nëse prindërit nuk i kanë lënë pasuri, ose bëhet lypës, por kurrë s’mund të rrojë nga duart e veta! Po ashtu edhe në shoqëri ose në një shtet, turma të tërë parazitësh dhe dembelësh, mjelin shtetin e tyre pa mëshirë dhe rrojnë edhe kur ai shtet vdes, në këtë rast ata i bashkëngjiten shtetit tjetër që vjen në pushtet. Jeta e tyre parazitare dëmton shumë rëndë “shëndetin” e prindërve apo të shtetit të tyre, po ashtu ata rrojnë pa asnjë qëllim në jetë dhe pa dhënë asgjë marrin çfarë u duhet. Ata rrojnë vetëm për të marrë, ata janë vetëm konsumatorë dhe kurrë nuk bëhen prodhimtarë. Në këtë rast, ligji i natyrës thotë: "pa dhënë nuk merret" ndërsa ligji parazit njerëzor thotë, "merret edhe pa dhënë asgjë!"
E keqja më e madhe në ligjet njerëzore është kur kthehen në parazitë liderët e shoqërisë dhe shtetit. Në këtë rast ata do të prodhojnë ligje antihumane, të cilat do të favorizojnë shumë drejtuesit parazitë të një shteti e kombi dhe duke e shpënë dita-ditës varfërinë absolute në ekstrem për ata që punojnë, e shpien në skajet më të lemerisshme, bile në vdekje të tërë shoqërisë! Pastaj? Kjo shkelje e ligjeve të natyrës (që janë dhe ligje të shoqërisë) patjetër do të sjellë një reagim pasi ligjet e natyrës, siç është ligji "goditje-kundërgoditje" do të fillojnë të veprojnë pa pyetur asnjëri. Çfarë do të ndodhë? Parazitët drejtues, ose do të vrasin popullin e tyre, gjë që është e pamundur, ose do të hanë kokat e tyre, gjë që është përherë e mundur. Pra, në këtë rast, atë që nuk e bënë njerëzit, do ta bëjë natyra dhe ligjet e saj që veprojnë edhe atëherë kur njerëzit i shkelin dhe i përbuzin ato.
Goditja cerebrale
Më dhjetë prill 1983, ndërsa po prisja një kumbull të egër rrëzë kanalit që ndan tokën time me rrugën që shkon për nga ish xhamia e fshatit, m’u morën mendtë dhe desh u rrëzova në kanal. E lashë kumbullën pa prerë dhe hyra në shtëpi. Isha vetëm. Nuk qëndroja dot në këmbë dhe u shtriva ashtu siç isha në minder dhe më zuri “gjumi” në aneksin që shërbente si dhomë ndënjie. Dikur kishte ardhur vëlla Ramizi dhe më kishte mbuluar me një batanije pa më “zgjuar”. Ku ta dinte ai se unë po vdisja! Nuk isha në gjumë, por në koma. Pasdite kur erdhi gruaja ime, Erveheja, nga kopshti ku punonte si edukatore, më gjeti në atë gjendje. Ajo e trembur, pasi më kishte thirrur për t’u zgjuar dhe unë s’kisha lëvizur, më hodhi ujë në fytyrë. Mezi kisha hapur vetëm sytë pa kuptuar asgjë se ku isha dhe çfarë më kishte ndodhur. Ajo kishte thirrur sa kishte në kokë. Për gruan time trime e të mirë s’gjej dot fjalë falënderuese dhe lavdëruese për të thënë, pasi ajo më është gjendur pranë si grua, si shoqe, si kujdestare, si nënë shembullore e fëmijëve dhe si engjëlli im qiellor. Në atë gjendje tepër të rëndë, ajo nuk e humbi logjikën, por lajmëroi ambulancën e qytetit dhe urgjentisht më shtruan në spital. Doktor Gaqo Kane më tha, kur u përmenda pas disa ditësh, se ia hodha! Kisha pësuar një hemoragji cerebrale të pjesshme.
Kur u mundova të flas, pashë se goja më kishte shkuar shtrembër dhe se nuk e lëvizja fare dorën e djathtë. Erveheja lajmëroi djalin, Agimin, në Lezhë, i cili erdhi shumë shpejt dhe qëndroi me mua 21 ditë derisa dola nga spitali. Ai flinte në një krevat bosh aty pas meje dhe nganjëherë vinte dhe e ndërronte Erveheja. Në dhomë ishim dy të sëmurë, unë dhe një oficer, i cili vdiq ditën e tretë. Më erdhi shumë keq kur mësova se Agimi kishte djegur lejën e zakonshme për të më shërbyer mua. Bile ai kishte marrë një fletë kavalishence për në Durrës në muajin qershor dhe ia dha një shokut të vet.
Hysni (Hajdaraga) Selca, një nga miqtë më të mirë të babait
"Ka qenë një nga bulgarecarët më të dëgjuar në tërë krahinën e Korçës. Kjo, në radhë të parë, për origjinën e tij fisnike dhe patriotike, në radhë të dytë për jetën e tij tepër kontradiktore dhe për pamjen e sjelljen e tij prej një xhentëllmeni të vërtetë. I ati, Xheladin Selca ka qenë një figurë qendrore në luftën e shqiptarëve korçarë kundër turqve dhe grekëve. Ai vinte nga një familje e pasur nga Selca e Gorës.
Ka qenë i biri i Xhelo Karafil Hajdaragës (Selcës). Xheladini lindi në Selcë të Gorës në vitin 1874 në një familje patriotike që për çështjen e atdheut ka luftuar me armë në dorë kundër çdo pushtuesi. Vetë Xhelo ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe më besnikë të Th.Gërmenjit dhe është shumë për të çuditur se si ky hero e theror është harruar nga të gjitha regjimet shqiptare! Xhelo ka qenë anëtar i Komisionit të Popullit të Qarkut të Korçës, i cili kishte 18 anëtarë. Dy nga këta anëtarë që ishin më aktivë në luftën kundër pushtimit grek, Xhelo Selca dhe Besim Vinçani, komanda franceze i pushkatoi menjëherë tek Lumi i Mborjes mbi Korçë, pasi një shqiptar grekofil, i shtyrë nga agjentët grekë, kallëzoi veprimtarinë patriotike të tyre, tek forcat franceze, për një Korçë pa asnjë pushtues të huaj. Francezët hynë papritur brënda në sallën e mbledhjes dhe pa thënë asgjë arrestuan duke i tërhequr zvarrë të dy patriotët shqiptarë. Kjo u bë me një qëllim që Th.Gërmenji dhe patriotët e tjerë të trembeshin dhe t’u shërbenin me besnikëri francezëve. Një vit më vonë të njëjtën gjë do të bënin dhe me Gërmenjin, të cilin ua dhuruan grekëve në Selanik duke e mashtruar burrin trim korçar se do të shkonte atje për bisedime. Grekët menjëherë e lidhën, e nxorrën në gjyq dhe e pushkatuan me shpejtësi.
Është gjetur një material shumë interesant nga Myftar Grabocka ku përshkruhet momenti i pushkatimit. Qëndrimi i Themistokli Gërmenjit para pushkatimit është tepër madhështor e burrëror që s’mund të përshkruhet dot. Ai kërkoi t’i lironin sytë dhe në fjalën e fundit u tha grekëve se kërkonte që skuadrën e pushkatimit ta drejtonte vetë.
Xhelua la dy djem; Fetah Selcën dhe Hysni Selcën. Fetahu u vra në Kavajë në një betejë kundër gjermanëve dhe sot është dëshmor i kombit. Shkolla 9-vjeçare e Selcës mban emrin e tij. Ai ishte një partizan trim i Brigadës së Parë Sulmuese. Ndërsa Hysniu, në fillim ishte partizan, bile zv.komandant i Çetës Gorës, kur komandant ishte Rahman Bashllari (Zvarishti) dhe komisar Gaqo Peristeri. Pas një beteje në afërsi të fshatit Zboq, komisari mbledh çetën dhe lajmëron se ka marrë një rekomandim nga Shtabi i Luftës Nac.Çlirimtare që në çetë të pranojnë edhe luftëtare femra. Më pas plasi sherri mes komisarit dhe komandant Rahmanit; ky i fundit, nuk pranon elementin femër në njësinë luftarake pasi çeta nuk kishte asnjë lloj kushti higjeno-santitar apo një strehim të veçantë për femra. Do t'u duhej që ato të përballonin kushte mizerabël mes burrash! Kjo qe e papranueshme për kushtet e tyre, që gdhiheshin e ngryseshin në mes të pyllit, në një fushë apo mal, pa shtroje, pa bukë, pa rroba të përshtatshme, ku kuzhinë, WC dhe për dhomë gjumi do të kishin natyrën. Gaqua e kundërshtoi ashpër pasi, sipas tij, qe urdhër dhe urdhëri duhej zbatuar. Rahmani i nxehur dhe duke qenë i papërmbajtur nga natyra, e qëlloi me shuplakë komisarin. U desh ndërhyrja e shokëve të tyre dhe veçanërisht e Hysni Selcës që gjakrat të uleshin. Rahmani menjëherë doli mbi një bregore dhe duke mbajtur flamurin shqiptar në dorë u bëri thirrje partizanëve që të braktisin Luftën Nac.- Çlirimtare dhe t’i bashkoheshin Rahmanit, i cili mbahej fort pas moralit të traditës shqiptare, ku femra respektohet si shenjtore. Menjëherë atij iu përgjigjën 13 partizanë të cilët shkuan pas tij. Ata morën rrugën drejt Gurit të Kamjes ku ishin dislokuar forcat balliste. Në këtë situatë, Hysniu që priste ta bënin komandant, u zhgënjye. Vendimi për të emëruar një komandant të ri u vonua shumë. Një ditë kur përfaqësuesit e Ballit Kombëtar të kryesuar nga Safet Butka dhe ato partizane të kryesuar nga Nexhip Vinçani u takuan në Shipckë të Voskopojës dhe ku ishte dhe Hysniu së toku me Kom. e Brig. së Katërt, Nexhip Vinçani, në mbarim të mbledhjes, Safeti ia bëri me shenjë që të rrijë pak mbrapa. Hysniu doli së toku me Nexhipin jashtë dhe i tha atij se kishte harruar diçka brënda në shtëpinë ku ishin mbledhur. Kthehet atje dhe Safeti midis të tjerave i tha: "I dashur fisniku Hysni! Unë kam menduar që ti të vish me ne dhe do të bëjmë komandant. Si thua? Hysniu nuk u mendua fare dhe ia preu, 'Qysh nesër më ke gati!'
Hysniu pas çlirimit u arrestua dhe u dënua më vdekje si një nga eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar. E ëma dhe gruaja e vëllait Fetah që ishte dëshmor, shkuan në Tiranë dhe takuan Enver Hoxhën. Nëna e dëshmorit dhe ballistit ra në këmbët e Enverit dhe iu lut që t’i falte djalit jetën pasi ajo nuk kishte djalë tjetër dhe Enveri e fali. Hysniu, nga i dënuar me vdekje u burgos me dhjetë vjet. Ai bëri tetë vjet burg dhe doli nga burgu. Kur erdhi në Bulgarec ishte po ai Hysni, burrë i pashëm, mustaqe spicë, veshur me sqimë dhe i pispillosur si askush në fshat. Bleu dhe një kalë të bardhë dhe bridhte fshatit vetëm me të. I dhanë punë të rëndë, por nuk pranoi dhe luftoi derisa u bë bostanxhi e më pas roje. Pispillosjen nuk e harroi kurrë dhe ai mbahet mend edhe sot si teptil-bandill-rrufjan. Qejfli si ai dhe ktheu mbrapsht. Nuk e kishte fare për turp të ngacmonte gratë, sidomos vejushat e fshatit por, siç duket edhe ato e kishin qejf Hysni Selcën. Hysniu ishte mik me babanë tim dhe kur takoheshin rrinin me orë të dy në vende të fshehta. Unë mbaj mend se babai im e riarmatosi dhe të dy shkonin për gjah dhe bënin qitje me të gjitha llojet e armëve që kishin në përdorim si, çifte, teke, gjahu, revolver, nagant, pushkë dhe automatikë të vegjël. Babai im ka qenë ndoshta i vetmi person në fshat dhe ndoshta në tërë krahinin që mbante të fshehura një arsenal të madh armësh, të cilat ne i zbuluam pas vdekjes së tij, pasi i kishte fsheur në hatullat e shtëpisë në fshat. Nëna ime, si merak nëne, i mori të gjitha ato armë dhe një natë, së bashku me motrën time Mimoza, shkuan dhe i hodhën në lumë.
Më kujtohet një histori e vonshme, ndoshta ka qenë viti 1970 kur kosarët e Bulgarecit kostitnin barin në aerodromin rezervë të Lumalasit, shkon dhe ulet Il-14 apo siç njihej atëherë, avioni qeveritar. Nga avioni zbriti Kryeministri, Mehmet Shehu. Ai përshëndeti kosarët dhe kur pa Hysniun mes tyre e thirri, 'Ti, mos je Hysni Selca?' Hysniu bëri përpara dhe e nderoi ushtarakisht duke iu përgjigjur, 'Si urdhëron zotrote. Shoku Mehmet, unë jam Hysni Selca!' Mehmeti ia ktheu, 'Po akoma gjallë qenke ti mustaqe mut?!' Hysniu i skuqur në fytyrë ia ktheu serbes, 'Se u bëra mut pa jam gjallë' po Mehmeti i ktheu krahët dhe bëri sikur nuk e dëgjoi." Agim Bacelli
Vdekja e babait
"Ëndërrat janë një paralajmërues i mirë. Interpertuesit e tyre, të cilët kanë përfituar nga përvoja mijravjeçare e vëzhgimit të kujdesshëm të ëndërrave, janë në gjëndje të parashikojnë me saktësi të ardhmen. Dikur edhe unë nuk besoja, si shumica e shqiptarëve, por vdekja e babait tim më ka bërë të mos dyshoj më që “ëndërrat janë kallzuesi më i mirë” siç thoshte ai.
Babi im, ndjesë pastë, ka qenë një njeri që parashikonte gjithçka dhe këtë gjë e kishte të trashëguar nga i ati. Unë nuk besoja në asgjë sa qe gjallë ai, pasi këtë frymë na i kishte futur nëna ateiste.
Të mos tregoj historira, por mjafton të them vetëm kaq, babai parashikoi me ekzaktësi ditën edhe orën e vdekjes së tij dhe këto ia tha nënës sime një javë përpara se të vdiste duke qenë shëndoshë e mirë, çudi! nëna e kishte besuar! (ajo është gjallë edhe sot) po ashtu, ai i tregoi edhe vëllait të tij të vogël Halim Bacellit në Korçë, i cili sot banon këtu afër meje, po një javë përpara, ku i shkruante: "...I dashur vëllaçko, unë jam mirë, por do të vdes Ditën e Verës, (14 Mars –shënimi im, Agim Bacelli) në mëngjes, ndoshta ti këtë letër do ta marrësh pasi të më varrosësh mua se letrat vonohen mbi një javë në fshat... Më vjen keq që po vdes në ditën e lindjes tënde dhe të djalit tim..."
Dhe kështu ndodhi! Halimi e mori letrën vetëm pasi erdhi në Lezhë ku ne varrosëm babanë! Halimi e ruan edhe sot e kësaj dite atë letër. Ndërsa mua babai më tha vetëm dy ditë para vdekjes se do të vdiste dhe qau. Ishte hera e parë në jetën time që shikoja babanë të qante. Unë të gjitha sa më tha, i mora jo seriozisht dhe kjo më ka vrarë shumë më pas.
Midis të tjerave, ja çfarë më tha im atë dy ditë para se të vdiste:
“Agim, babai im ka vdekur duke i thënë nënës që t’i përgatiste shtratin e vdekjes! Ajo ia bëri gati dhe ai u shtri atje dhe nuk u ngrit më! Kështu do të vdes edhe unë dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe me ty kur të të vijë ora e fundit. Të le porosi biri im, mos bëj alarm dhe qëndro si burrë. Të gjithë jemi vdekatarë. Më vjen keq për ty se nuk do të më shohësh derisa të vdesësh edhe ti, ndërsa unë do të shoh ty, ndoshta edhe përditë!”
Unë kam qenë disa herë në Voskopojë dhe Krushovë dhe kam folur me fshatarë që e njihnin babanë tim dhe për këtë po jap përshtypjet e dy burrave më të vjetër të Voskopojës dhe të Krushovës; ato të mikut të babait tim Dhori Fallos dhe ato të kushëririt të tij Naim Bacellit.
Ja se çfarë më ka treguar Dhori. “Demja, - kështu thirrej im atë nga voskopojarët dhe krushovarët, - ka qenë sekretar i lokalitetit të Voskopojës pas çlirimit të Shqipërisë. Ai banonte bashkë me ne në shtëpinë tonë derisa u martua. Ai qe tamam si vëllai ynë më i dashur. Nëna jonë, Pandora e mbante me hatër si djalin e saj më të përkëdhelur dhe neve nganjëherë na ngelej hatri e bëheshim nga pak xhelozë. Demja qe nga të pakët në Voskopojë që kishte shkollë dhe qe më i papërtuari që t’u jepte rekomandime, t’u bënte kërkesa, t’u shkruante letra dhe t’i mësonte sesi të kërkonin të drejtat e tyre. Nëse Demja të jepte një letër për në zyrat në Korçë, puna qe e mbaruar pasi në Korçë të gjithë zyrtarët e njihnin dhe e respektonin si njeriun dhe komunistin më të drejtë të zonës sonë. Ata të thoshin, nëse të ka dërguar Adem Bacelli, puna është e mbaruar. Ai merrte përditë uratat dhe bekimet e voskopojarëve dhe fshatarëve të tjerë përreth Voskopojës. Neve si shtëpi na vinte zor t’i luteshim për kërkesat tona dhe nëna na thoshte të mos i binim në qafë se Demja ka shumë probleme. Njëherë neve na duheshin dy qe dhe bënim shamatë me nënën Pando që s’na jepte leje t’i kërkonin Demes dy qe për të lëruar. Ai na kishte dëgjuar dhe një ditë papritur e papandehur ai na dërgon në shtëpi dy qetë që na duheshin. Një fshatari ynë që na e solli, na tha se një burrë pe Korçe m’i dha t’jua sjell këta dy qe. Siç duket ju keni bërë kërkesë për këtë gjë. Ne të habitur pamë njëri-tjetrin, por edhe e kuptuam që këtë gjë e kishte bërë njeriu ynë i shtëpisë, Demja. Atë natë kur Demja u kthye në shtëpi për të ngrënë darkë, nëna i tha se, 'sonte ti Deme nuk do hash darkë pasi ke bërë me kokën tënde pa më pyetur mua'. Demja, ashtu buzëqeshur siç e kishte zakon, u ngrit i puthi dorën nënës duke i thënë se ai ishte i kënaqur edhe pa darkë të rrinte, vetëm arat të lëroheshin se po u kalonte koha.
Në atë kohë kryetar lokaliteti ishte Vangjel Shkodrani, por asnjë fshatar nuk shkonte tek ai për kërkesa dhe ankesa, pasi Vangjua qe shumë hijerëndë dhe mezi të mbaronte punë.
Kam kaq shumë kujtime të bukura për atë burrë shtatlartë, faqekuq, me sy të bukur larushanë dhe vetulla të zeza korb e të trasha dy gisht. Demja qe i pastër nga jashtë dhe nga brënda. Ai mbante rroba të bukura e përherë të lara. Fliste dhe qeshte me zë të lartë sa të gjithë kthenin kokën. Ai ishte trim sa asnjë tjetër. Këtë e them jo për të bërë qejfin ty si djalë i tij. Ai ishte gjahtari më i mirë i zonës dhe mbante përherë 4 armë gjahu sa askush tjetër. Ishte i apasionuar pas armëve dhe gjuetisë. Më kujtohet një herë kur një baldosë na vinte dhe hante misrin në arë. Ne të shqetësuar vumë roje për çdo natë, por askush nuk e vrau dot. Një natë Demja na tha se ai do të qëndronte roje në arat me misër. Në mëngjes ai na e solli baldosën e vrarë në shtëpi.
E çfarë të them më parë për Demen? Ai ka lënë emër e nder kudo ku ka jetuar, punuar dhe luftuar. Ti të jesh krenar që je i biri, ashtu si ne jemi krenar që e kemi patur vëlla, shok dhe mësuesin tonë më të mirë.”
E përqafova Dhorin dhe u largova të takohem me Naim Bacellin, i cili më tregoi shumë histori për babanë, por po shkruaj vetëm disa, të cilat më lanë më shumë mbresa.
Naimi midis të tjera më tha: 'Demja qe i vetmi djalë me shkollë nga ne Bacellinjtë dhe ne e kishim mësuesin tonë për gjithçka. Ai qe edhe njeri i gjesdisur dhe njihte shumë gjëra në jetë. Kishte shumë veti e cilësi të larta. Qe më i miri nga ne të gjithë. Gjëja më e bukur e tij ishte besa dhe dashuria për ne Bacellinjtë dhe për fshatarët tanë. E them këtë pasi kur komunizmi mori pushtetin, u dha orientim që për çdo fshat të shpallej nga një kulak. Ne në fshat kishim dy familje që e kishin mbështetur Ballin indirekt dhe njëri prej tyre qe xhaxhai ynë Pashua. Motra e Pashos i pat vjedhur florinjtë nënës së Demes gjatë djegies së shtëpisë nga gjermanët më 4 janar 1944. Demja, tani kishte shumë pushtet dhe mund ta bënte kur të duash Pashon kulak, por ai nuk pranoi. Ai i tha të deleguarit të partisë që kishte ardhur nga Korça se, “Krushova nuk ka asnjë kulak'. Për këtë gjë Demen do ta thërrisnin në Korçë për t’i bërë presion që të shpallte të paktën një kulak në fshat. Demja si trim që ishte u dha emrin e tij në një copë kartë dhe doli jashtë duke ua përplasur derën turinjve dhe erdhi në Krushovë, ku më tregoi se çfarë i kishte ngjarë. Të them të vërtetën unë u tremba se komunizmi të bënte gjëmën, por Demja më tha të rrija i qetë se ata s’mund të bënin dot asgjë, pasi një Deme tjetër në Krushovë ata s’mund ta gjenin dot sepse asnjë nuk kishte aq shkollë sa ai dhe asnjë nuk meritonte aq respekt dhe dashuri sa Demja që kishte qenë luftëtar i dalluar. Në fakt ata i punuan një reng, një ditë e thirrën dhe i dhanë një bursë që të studionte në B.S. për t’u bërë doktor. Këtë ofertë Demja e refuzoi. Unë nuk i di arsyet sepse e refuzoi, por them se këtë gjë ai e bëri nga inati pasi shokët e tij më të mirë po arrestoheshin e disa vriteshin në kurthe një e nga një. Ndoshta ai mendote se ata deshën ta heqin qafe e më pas ta zhduknin, por këtë gjë ata s’mund ta bënin dot hapur, pasi Demja i kishte shpatullat e ngrohta nga gruaja e tij, nëna jote që ishte motra e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Korçës dhe një dajua i saj ishte Kryetar i Kuvendit Popullor dhe një kushëri i parë i saj ishte Ministër i jashtëm i Shqipërisë. Të gjithë njerëzit e Ervehesë kishin pozita kyçe në pushtetin komunist. Shumë ishin në rang ministrash dhe drejtorësh drejtorie të shpërndarë në tërë Shqipërinë.
Ne Bacellinjtë kemi qenë mullixhinj nga zanati dhe gjahtarë nga pasioni. Demja i kishte këto gjëra, por ai gjënë më të dashur kishte leximin dhe shkrimin. Ai lexonte kaq shumë sa fshatarët e quanin hoxhë megjithëse ai nuk kishte shkelur kurrë në ndonjë xhami! Demja qe ateist që besonte vetëm në Zot. (Në fakt Naimi donte të thoshte se babai im qe deist por ai nuk e dinte këtë fjalë. Shënimi im, -Agim)
Dua të them edhe diçka tjetër, diçka të vërtetë që askush nuk ta ka thënë deri më sot, pasi nuk kanë guxuar ose nuk e kanë ditur. Unë bëja shpesh biseda kokë më kokë me Demen dhe ai më thoshte hapur: “O Naim, më mirë të kishte fituar Balli Kombëtar sesa ne. Edhe ne komunisët do të rronim më mirë po të kishin fituar armiqtë tanë!” Këtë gjë ja thashë një ditë në verën e vitit 1996 Nexhip Vinçanit që e kisha mik në shtëpinë time në Krushovë dhe ai më tha: “Demja ka qenë partizani që unë kam njohur më mirë nga të gjithë të tjerët, pasi e kisha korrierin e shtabit të Brig.IV dhe një nga partizanët që unë e kisha lavdëruar para tërë brigadës, pasi ishte shumë trim. Ai shpesh më bënte mua që të dyshoja, pasi më fliste hapur se jam takuar me X ballist dhe Y zogist pa u bërë fare merak se unë mund ta dënoja. Bëja sikur nuk e dëgjoja dhe ai ndërronte sakaq temë. Ademi ka qenë shumë i çuditshëm për mua. E mbylli gojën për ballistët vetëm atëherë kur ballistët e morën ta pushkatonin. Hahaha...”
Agim Bacelli
Kreu IV. Shënime
Degradimi i pyjeve në Voskopojë
Statistikat zyrtare arrijnë në përfundimin se prerjet ilegale të lëndës drusore arritën kulmin në vitin 1997, kur vendi u shkatërrua nga një konfuzion i vërtetë i ndjekur nga falimentimi i një sërë firmash piramidale. Sipas studimeve të bëra, pjesa më e madhe e prerjes ilegale të drunjve në Shqipëri është shitur në fshehtësi jashtë vendit, gjithashtu, janë përdorur dru për ndezje zjarri dhe si materiale për industrinë e ndërtimit pa asnjë kriter.
Hapësirat pyjore mbulojnë 36% të sipërfaqes së Shqipërisë, por që janë duke u shkatërruar rëndë në këto dy dekadat e fundit të ashtuquajtur demokraci.
Degradimi i maleve të Voskopojës dhe Krushovës në komunën e Voskopojës nuk është një rast i veçantë në Shqipëri. Janë mijëra hektarë hapësira malore që priten në masë siç janë pyjet midis Voskopojës dhe Krushovës tek Boriga e Bregshipckës, Boriga e Saçit, Boriga e Maçokut, dhe më lart, nën dhe mbi Murin e Krushovës që është një mur ndarës antik i shtruar me gurë e plloça midis Sheshit të Vogël dhe Sheshit të Madh. Tek Plevicat, Plerinat, në Korie, apo tek Varri i Plakës, në Porogjeç, në Kroi i Bardhë, tek Gëmushë e Stanet, apo Pylli i Kozicës, që kanë të njëjtin fat të hidhur duke u shpyllëzuar. Shumë kamionë dhe ekskavatorë punojnë dhe ngarkohen me drunj të prerë ilegalisht dhe kalojnë në rrugën e tyre duke u nisur për në qytetin e Korçës dhe që andej nëpër Shqipëri.
Vjedhësit s'kanë fare probleme me rojtarët e pyllit. "Kur policët e pyllit na ndalojnë neve, ne thjesht paguajmë një ryshfet prej 1.000 lek të reja dhe ata na lejojnë të kalojmë pa na shqetësuar," - thotë një hajdut. Shumë kompani që merren me prerje e drunjve ilegalisht janë banorë vendas. Disa janë të varur nga qyteti Korçës dhe Tiranës.
Voskopoja me Krushovën lidhen me një rrugë qindravjeçare, të pamirëmbajtur, të parihapur dhe të pashtruar që paraqitet shumë rreziqe gjatë kalimit me makinë në kohë vere se në dimër as që bëhet fjalë të kalohet. Kur e pyeta Nexhip Bacellin që është kryetar komune pse nuk e rindërton këtë rrugë, ai m’u përgjegj, "Nëse unë do ta bëj të kalueshme këtë rrugë nga makinat e mëdha, brënda një nate, pyjet e Shipckës, Krushovës dhe tërë pyjet rreth e rrotull tyre do të zhduken si me magji.”
Dy Kuriozitete:
Sekreti i jetëgjatësisë
Sipas të dhënave të studimeve, botuar në disa revista shkencore, njerëzit janë më të lumtur në vendet ku cilësia e jetës është e lartë. Kjo cilësi varet nga disa faktorë ku më kryesorët janë; pavarësia individuale, liria e lëvizjeve, ajri i pastër, jeta në natyrë dhe patja e një jete seksuale shumë aktive. Të gjitha këto gjëra i gjen me shumicë në Krushovë. Po t’i shikosh krushovarët, ata janë faqekuq, shpatullgjërë, flasin lirshëm me zë të lartë si dhe pjellin shumë fëmijë deri në moshën e thyer. Fatkeqësisht, sot s’ka më krushovarë në Krushovë.
Nga ne bacellinjtë, deri më sot nuk ka asnjë tullac, a e di pse? Ta them unë siç ma ka thënë babai im dhe ti t’ua thuash djemve dhe nipërve të tu. Sekreti qëndron tek mbajta e flokut të shkurtër apo edhe të rrojtur fare në fëmijëri në mënyrë që ta rrahë mirë dielli skalpin.
Në djalëri dhe burrëri të mos mbahet kapele, e cila lejon djersitjen e kokës dhe mosajrimin si duhet.
Disa dëshmi si amanete
Alfons La Martin në veprën "Histoire de la Turquie", 1854, midis të tjerave tërheq vëmendjen të mos u bien në qafë shqiptarëve, se:
"E vetmja gjë që ka mbetur e pandryshuar te shqiptarët, është pasioni i pavarësisë dhe i fitores. Kjo është toka e heronjve të të gjitha kohëve... Ne e pranojmë, se Homeri aty e gjeti Akilin e pamposhtur, Greqia Aleksandrin e Madh, Turqia Skënderbeun, njerëz këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak, të së njëjtës gjini".
Tek kristianët e Shqipërisë është ruajtur shqiptaria e paprekur.
"Ne jemi pellazgët e Shqipërisë"
Sotir Dhanil Bregu, një 90-vjeçar plot energji dhe bisedë të pareshtur urtësie, që në fillim e shpreh me krenari faktin e lindjes dhe rritjes në fshatin Shipskë. Sipas tij, Shipska ka ekzistuar para qytetit të Voskopojës, pa le më pastaj qytetit të Korçës. "Gërmadhave të fshatit Shipskë, edhe sot nuk u vjen dot rrotull që t'i vizitosh brenda një dite", thotë ky i moshuar me një kujtesë të admirueshme. Ai tregon se Shipska dikur ka qenë një lloj qyteti me gati 12 mijë shtëpi, me dhjetra kisha qysh në kohën e Bizantit, me mbi 20 çezma e 19 mullinj, me tregti e blegtori të zhvilluar. Ende sot, në këtë fshat jo të largët malor ruhen më këmbë 7 kisha, ndër të cilat më të njohura janë, ajo e Shën Gjergjit, manastiri i famshëm i Shën Spiridhomit etj.
"Ne e kemi prejardhjen nga pellazgët, pastaj këtu sunduan rreth 600 vjet romakët, nga të cilët ne kemi trashëguar gjuhën e vjetër shqipe të romanizuar, atë që sot njihet si gjuha vllahe", thotë 90-vjeçari Sotir Bregu, pinjolli i një familjeje autoktone të Shipskës.
Punëmira
Pleqtë e fshatrave përreth Punëmirës, siç ishim dhe ne krushovarët, përdornin një nofkë tipike për punëmirësit, kuqaloshët! Shumëkush nuk e ka vrarë mendjen për këtë gjë, por unë i kam rënë në të pasi kam pyetur shumë për këtë fjalë. Dikur fshatarët e Punëmirës besonin se ngjyra e kuqe tremb çdo gjë të ligë dhe veçanërisht kafshët që vrasin ose hanë njerëz apo kafshë të tjera. Ngjyra e kuqe, sipas tyre, përdorej nga ata që besonin se kafsha ka aftësi të shikojë rrjedhën e gjakut të kuq nëpër damarë. Nëse vishesh me ngjyra të ndezura të kuqe, kafsha grabitqare nuk do ta dallojë më gjakun që lëviz nëpër damarë, por thjesht një njollë gjaku të stërmadh dhe trembet... Kjo do ketë qenë arsyeja që fshatarët e Punëmirës visheshin me të kuqe, si feste të kuqe, xhaketë të kuqe, këmishë të kuqe, çorape të kuqe dhe madje edhe opinga të kuqe! Kjo traditë ka vazhduar deri shumë vonë. Është ndërprerë një shekull më parë. Ndërsa sot ata mbajnë vetëm një shenjë të kuqe, një shall apo ndonjë jelek sa për të thënë se tradita nuk vdes. Kam vënë re se nga një shenjë të kuqe kanë shumë fshatarë të tjerë shqiptarë në disa fshatra të Shqipërisë dhe besoj që kjo vjen nga e njëjta arësye. Por le të kthehemi e vazhdojmë të flasim për Punëmirën dhe Krushovën ashtu siç më kanë treguar pleqtë tanë, të cilëve ua kanë treguar pleqtë e tyre, stërgjyshërit tanë.
Punëmira dhe Krushova janë fshatra fqinj, i ndan një përrua, përroi i Voskopojës. Ne kemi patur shumë miq në Punmirë, ose e thënë ndryshe, miqtë tanë më të mirë kanë qenë nga Punmira. Një ndër ata është Nisi i Punmirës (siç thirrej Nasi Sofroni). Në një bisedë që kam bërë me xha Nisin, ai më ka thënë këto fjalë që s'do t’i harroj kurrë dhe besoj se vlejnë shumë t’i dinë edhe pasardhësit e mi:
"Muslimanët e Gorës (Divës) kanë mbijetuar shqiptarizmin në saje të mençurisë së tyre, duke u lidhur ngushtë me orthodoksit. Në kohën që feja muslimane e importuar nga Turqia detyronte çdo musliman shqiptar që të përthithte kulturën orientale, gorarët muslimanë e shtuan më shumë dashurinë me ne orthodoksit. Ata filluan të marrin pjesë në të gjitha gëzimet dhe hidhërimet tona dhe këtë gjë e bënë bashkë me fëmijët, në mënyrë që në kulturën e tyre të mos hynin sjelljet e reja turke, por zakonet tona shqiptare. Kështu ata ruajtën të paprekur zakonet e tyre që ishin dhe tonat. Këtë gjë keni bërë dhe ju Bacellinjtë e Krushovës, duke u lidhur ngushtësisht me ne sofronët e Punmirës. Gjyshi yt ka qenë shumë i zgjuar kur bëri këtë gjë dhe ja sot, ne dhe ju jemi njëlloj, kemi të njëjtën kulturë shqiptare. Po të shikosh me kujdes fshatarët shqiptarë të fshatrave të një zone tërësisht muslimane, atje do të gjesh tronditjen e humbjes së pjesëve të kulturës kombëtare.
E di ti Deme se shqiptari i konvertuar në grek, turk, sërb, italian apo çfarëdo tjetër është më antishqiptar se vetë shovinistët e këtyre vendeve? Gjyshi dëndur sa qe gjallë na thoshte, kujdes nga asimilimi se ju bën tjetër lloj dhe të poshtër!"
Letrat
Një letër dërguar nga vëlla Rexhepi
Po e prezantoj këtë letër, pasi është një nga ato letra që tregon dashurinë e madhe vëllazërore që ne Bacellinjtë kemi patur kur ishim beqarë. Midis të tjerave vëlla Rexhepi nga Hobarti i Tasmanisë shkruan:
“Hobart, dita e martë më 18 korrik 1967
I dashur vëlla Deme. I lutem Zotit të jesh mirë dhe të takoj një ditë. Mëso i dashur vëllaçko se me ndihmën e Zotit, unë dhe familja ime, kemi qenë mirë dhe atë lusim edhe për ju të gjithë e sidomos për nënockën time.
Malli më djeg xhanin për ditë. Bie të fle, vetëm ëndërra nga vendi ynë shikoj. Zgjohem, përsëri për Krushovën dhe juve mendoj. Mos kujtoni se ju kam harruar, mos e dhëntë Zoti, me shpirt e mëndje jam atje me ju. E si mund të harroj ty, o Deme?! A mundet unë ta harroj vëllanë tim të vogël që më ruante me pushkën e babait në dorë, kur unë lëroja në arat tona tek Kasollet?! Ti fshehur pas gëmushava, pa m’u shfaqur mua, rrije i gatshëm që hasmi të mos më bënte ndonjë të keqe. Hasmi im kishte vendosur të më vriste dhe këtë ma patën thënë dhe unë ja thashë babait ndërsa ti i fshehur pas dere na përgjoje. I di të gjitha, o vëlla. E di që për ty unë isha më i shtrenjtë se jeta jote. Vëllezërit e tjerë ishin fare të vegjël, përveç Beqos, dhe ata s’mund të mbanin dot pushkën në dorë pa edhe ata si ty do të vepronin. Ndërsa Bequa rrinte ditë e natë në mulli. Sa do të desha që të ishim përsëri bashkë! Shpresoj dhe dëshiroj nga thellësia e zemrës që akoma ta keni atë dashuri për njëri-tjetrin… Sa të hapen rrugët dhe unë do të jem atje.
Edhe këtu punët nuk janë aq mirë. Britania ka deklaruar se do të mbyllë bazat e saj ushtarake në Malajzi dhe Singapor. Ne kemi frikën e çajnezëve dhe japonezëve. Ata janë si miza e lisit dhe nuk i mban më vëndi i tyre.
Tani vij dhe nënës i puth doçkën. Ty, gruas tënde dhe fëmijëve ju rrok së largu me mall e dashuri. Vëllazërisë të fala dhe qafime. I juaj për jetë, Rexhep Telha Bacelli.”
Letra tjetër është e Mark telha i cili guxoi dhe erdhi vizitë në vëndin ku ka lindur i jati.
“Tungjatjeta Agim, ..... Duhet të falenderoj ty për mikpritjen tënde dhe kujdesin pas meje në udhëtimin tonë, ishte diçka që unë kam kërkuar për ta bërë që kur isha fëmijë, pasi ishte shumë e rëndësishme për mua për të takuar të gjithë të afërmit e mi në Shqipëri, Ishte një udhëtim që kurrë nuk do të harroj. Duke shkuar në fshatin ku babai im ka lindur dhe duke vizituar varret e gjyshit dhe gjyshes tonë,ishte shumë emocionuese dhe unë kurrë s'do t'i harroj këto kujtime. Ti Agim, vëllai im, ke bërë aq shumë për mua sa të jam shumë mirënjohës pasi ti fole për mua duke përkthyer dhe kjo gjë ishte e lodhëshme për ty. Pa ty unë nuk do të kisha shkuar në Shqipëri. Duke takuar të gjithë njerzit e mi, ishte një eksperiencë e shkëlqyer për mua. Tani kam mall për të gjithë dhe jam duke menduar ti vizitoj përsëri se bashku me gruan dhe fëmijët e mij (të cilën gjë ai e bëri në vitin 2005 A.B.) dhe shpersoj që herën tjetër të flas vetë në shqip. Shpresoj që xhaxhallarët e mij dhe familjet e tyre të jenë shëndoshë e mirë dhe nëse ti i takoni jepu të falat dhe dashurinë e të gjithë neve këtu në Hobart. Kaq për tani duke të thënë mirëupafshim. Me mall e dashuri për ty. Vëllai yt, Mark."
Bacellinjtë nëpër Botë
"Zbulimi më i madh në botë nuk është të dimë ku kemi qëndruar, por në çfarë drejtimi lëvizim: Për të arritur në Portën e Parajsës na duhet të lundrojmë jo vetëm në drejtim të erës, por ndonjëherë edhe kundër saj dhe gjithmonë të lundrojmë, asnjëherë të gënjejmë veten duke hedhur spirancën dhe të qëndrojmë." Marjorie Holmes
Sot Bacellinjtë janë shpërndarë në tërë botën prandaj me të drejtë do të quhen Qytetarë të Botës.
Vetëm nga Bacellinjtë e Krushovës dhe Voskopojës në Amerikë numërohen këto 12 shtëpi:
Agim Adem Bacelli
Emy Bacelli
Erkend Agim Bacelli
Eric Agim Bacelli
Ermal Bacelli
Entela Halim Bacelli
Ilirian Vait Bacelli
Halim Telha Bacelli
Mimoza Adem Bacelli
Tatjana Bacelli
Trëndafile Bezat Bacelli
Valbona Ahmet Bacelli
Ndërsa në Australi njohim këta bacellinj të tjerë apo miq të bacellinjve:
Abedini mërgoi në të njëjtën kohë me Hekuran Kerim (Bacelli ) dhe Emin Hasim. Abedini ishte nga fisi ynë, ai ishte kushuriri I Emin Hasim nga e jëma. Ai fillimisht shkoi në Argjentinë dhe që andej shkoi në Biloela ,Australi. Abedini punoi dhe jetoi atje gjithe jetën dhe nuk u martua kurrë. Puna e tij ishte të jepte me qera apartamente. Edhe sot apartamentet e tij quhen Apartamentet e Abedinit. Kur vdiq, ai pronën ja la Eminit dhe Emin ja la Margaret ,vajzës së Musait e cila e plëqeroi deri në fund të jetës. Në atë kohë ajo ishte e martuar me Bob Huth,të cilët ndërtuan apartamente të reja por mbajtën të njëjtën emër në biznes, emrin e Abedinit. Vetëm në vitin 1988 ata i shitën apartamentet dhe u shpërngulën në Redclif afër babait të saj, Musait.
Shefit Ismail ishte kushëri gjithashtu, ishte nga familja Fidani, nip i tij është Bexhet Fidani i cili ishte i martuar me Ferdane Bacelli, vajzën e Xhafer Bacellit. Ai shkoi në Australi në të njejtën kohë me Musa Kerim (Bacelli) dhe atje u bashkuan me Hekuran dhe Eminin dhe shqiptarë të tjerë. Shefiti punoi për ca kohë në Biloela dhe më vonë shkoi në Brisbane ku kishte një dyqan ushqimor.
U martua me një Australiane që quhet Thora. Të dy kanë dy fëmijë.
Vajza quhet Veronika dhe djali quhet Adem. Të dy janë të martuar.
Veronika ka një vajzë dhe Ademi ka një vajzë. Jetojnë në Caboolture.
Shefiti, mbasi shiti dyqanin bleu një fermë për duhan në Caboolture dhe jetoi atje gjithë jetën. U varros në Caboolture me të shoqen e tij e cila vdiq më parë se Shefiti.
Si Emini dhe Abedini u varrosën në Biloela. Në varrezat e Biloelas janë dhe shumë shqiptarë të tjerë po që nuk i dimë se kush janë pasi nuk janë nga fisi ynë. Ata jetuanë dhe punuanë në Callide valley dhe ishin të njohur si pionierët e parë të këtij Valley. I kujtojmë me respekt dhe dashuri si shqiptarë që kanë qënë.
Peter Strati. Një shqiptar tjetër që mendojmë se ka qënë mik, po e po, por ndoshta edhe fis me ne pasi ai ka qënë shumë i lidhur me Kekon dhe Musanë sikur të qenë vëllezër. Ky ishte i njohur si Peter Strati dhe vinte përher për vizit në fermë. Ai ishte i martuar me një grua greke që quhej Meri.
Kanë lënë tre fëmië, dy vajza dhe një djalë.Vajza e madhe quhet Aspasia e cila është e martuar me vëllanë e Zonjës Simmons që kanë një dyqan buke dhe ëmbëlsirash atje në Biloela. Aspasia Jeton në Brisbane. Djali quhet Nasi dhe jeton po në Brisbane. Vajza e vogël është Maria.
Peter ishte shumë i afërt me Musan dhe Eminin, erdhi këtu mbas lufte, nuk dihet saktësisht viti dhe nga çfar rruge apo ku ka kqënë gjatë luftës.
Disa të dhëna për Peter ne i morëm nga nje burrë i moshur që quhet Elemer Danny Santa (hungares, miku jonë që punonte me Peter) e njihte dhe kishin punuar së bashkur në minierë që është afër nja 46 km, ai tregon këtë histori.
Peter vdiq në Biloela në fund të vitit 1960 .
Me largimin njerëzve nga vendlindja e tyre dhe me largimin e viteve, vjen një ditë dhe humbasin rrënjët e origjinës. Për ata që s'kanë lënë asgjë të shkruar, do të jetë e vështirë në mos e pamundur, t’i gjejnë rrënjët e origjinës. Mbiemri nganjëherë nuk do të thotë asgjë; mund të jetë një koinçidencë, apo mund të jetë edhe një ndërrim i mbiemrit origjinal. Kështu ka ngjarë edhe me Bacellinjtë.
Në Itali ka shumë me mbiemrin tonë, Bacelli, por po të shikosh fjalorin italian, bacelli ose baccelli në gjuhën italiane do të thotë "bishtajë" (bizele), (Pisum sativum) në gjuhën shkencore.
Nuk dihet se cilët do të jenë pasardhësit e Stavrit nga Molla e Kuqe ikur në Amerikë apo Robertit ikur në Itali. Ajo që dihet është se një pasardhës i Robertit ka emigruar në SHBA, po ku? Në Shtetet e Bashkuara janë mbi 122 familje me mbiemrin Bacelli dhe ata janë kryesisht në Nju Jork, Pensillvenia, Florida, Kaliforni, Ohajo, Uashington DC dhe Illinois. Në Itali janë mbi 300 familje, kryesisht në Siçili, Kalabri dhe Peruxha. Bacellinj ka në Angli, Skoci, Zvicër, Francë, Greqi, Turqi, Australi, Brazil, Argjentinë dhe Kili.
Me aq sa kemi parë në librin "The New World Book of Bacellis" që e kemi në pronë, dhuruar nga "World Book Enciclopedy" dhe publikuar nga "Halbert's Family Heritage" në Amerikë, kuptojmë që shumica e Bacellinjve janë me origjinë italiane dhe skoceze.
Në këtë libër është shënuar edhe emri im. U sugjeruam atyre të "Bacelli International Registry" se Bacelli ka edhe në Shqipëri. Ata na thanë se në botimin tjetër do të vendosin të gjithë emrat e kryetarëve të familjeve të Bacellinjve në Shqipëri, ashtu siç ua dërgova unë.
Do të merrnin shumë faqe të librit nëse unë do të shënoja të gjithë Bacellinjtë e botës, për të cilët nuk dihet origjina e saktë dhe besoj se nuk do të qe e nevojshme. Ne duhet të vazhdojmë vetëm me njerzit e fisit tonë që aktualisht i kemi lënë jashtë por në një libër tjetër.
Me këtë libër, nisur nga im atë dhe përfunduar prej meje, nuk pretendojmë se kemi thënë gjithçka për Bacellinjtë, por ama s'kemi ndënjur në vend, por kemi lëvizur në drejtim të duhur duke vendosur një gur në Godinën Bacelli.
Shënim:
Ky libër u bë tërësisht me mundin dhe sakrificat e mija, Agim Bacelli.
Një kntribut të veçantë me materiale kanë dhënë, Ramiz Bacelli, Halim Bacelli, Reshat Bacelli, Rozeta Bacelli, Trevor Bacelli dhe Linda Kerim. I falenderoj përzëmërsisht.
Tani na pret “beteja” për librin e dytë i cili do të këtë të gjithë bacellinjtë dhe miqtë e tyre në Shqipëri dhe në botë.
Dua të përmënd dhe falenderoj dy djemtë e mij, Joni dhe Kendi, të cilët më ndihmuan nga ana financiare të paguhet libri.
Agim Adem Bacelli
Korçë, tetor 2010
Përmbajtja
Hyrje.....................................
Kreu I. Në thellësi të shekujve.............................
Kreu II. Disa nga luftrat e mia.......................
Kreu III. Paslufta.....................................
Kreu IV. Shënime, letra, Bacellinjtë në botë...............
Texte: Bio & Foto
Lektorat: Klubi Korçar "Bota e Re"
Tag der Veröffentlichung: 05.04.2010
Alle Rechte vorbehalten
Widmung:
Adem Telha Bacellit