Cover

Agim Bacelli


« Ne Carkun e Puthjeve »


I Shpirterore


Dhëmshuria

Dhëmbshuria është sa vetë jeta e vjetër
Si çdo ndjenjë shpirtërore e dhënë.
Dhëmbshuria mund t' ketë çdo emër,
Por mbi të gjitha, emëri i saj është Nënë.

KESHILLA
Duke lexuar Biblën

Kush veshët mbyll
Kur i varferi thërret,
Do ngelet gojë hapur
Në nevojën e vet.

Nëse përfiton thesar
Me gjuhën gënjeshtare
Jeta jote do të quhet
Një kotësi kalimtare.

Më mire në qoshen
E çatisë veten ngece
Se i varur në krahët
E një grua grindavece.

Nëse plas një sherr...
Fashite zemrimin !
Një dhuratë e fshehtë
Përze hidhërimin.

A do gjithmone mik
Të mos kesh fatkeqësi?
Kontrollo gjuhën çdo ditë
Dhe do të jetosh bukuri.
LUTJA
Porta e Brandenburgut u hap,
Dy gjysma u bënë përsëri një!
Copat e Kombit ngjiten prapë
Nëse lutja bëhet më një zë!


I mirë është veç ai...

I mir' është veç ai…
Kush zemrimin e vet di të ndalë,
Nga dhimbja kurrë s'mbart hidhërim
Dhe inatin di ta tretë nëpër valë.

I mir' është veç ai…
Kush larg zemrës mban stuhinë,
Kush bën zjarr në dimër e fresk n’verë,
Shpirt' i tij, kështjellë për fatzinë.

I mir' është veç ai…
Kur të gjithë në strehën e tij
Gjejnë veten e vet,
Falen në paqe si mëkatarë
Gjë që s'jua jep, asnjë mbret!


Këshillë

Mëndjet e mëdha kanë objektiva të mira,
mëndjet e vockla kanë vetëm dëshira.

Vrasja indirekte është më e tmerrëshme
se vrasia drejtpërdrejtë e menjëherëshme.

Mos u hidheroni e grinduni ashtu,
një ditë bota do të gëdhihet pa ju!

Mos u trembëni e mos ja vini vithet gurit,
frika dhe guri janë vrasëse të trupit e trurit.

Trupi jonë është si një kopsht plot bar
dhe dashuria është më i miri kopshtar.


Kutitë e Zotit.

Unë kam në dore dy kuti,
Të cilat ti mbaj mi dha Zoti.
"Futë gjithë hidhërimet - tha Ai
- Në kutinë e zezë në formë loti,
Dhe tjetrën ngjyrë ari mbushe plot
Vetem me lumturitë e gëzimet e tua.
Kurrë mos harro që unë jam Ati jot,
Kurrë mos harro që unë të dua."

Zbatova çfar më tha i Madhi
Për dy kutitë; njërën të zezë sterrë
Dhe tjetrën ngjyre të bukur ari.
Futa në të zezën gjithë pikëllimin;
mërzitjet,dertet,fyerjet,dhimbjet,
...me një fjalë, gjithë hidhërimin.
Në tjetrën, të bukurën ngjyrë ari,
Futa gjithëçka ka lidhje me gëzimin.

Për çudi, shikoja çdo ditë,
vinte dhe rëndohej kutia ngjyrë ari,
Përkundrazi, e zeza, ishte fare e lehtë
Sikur ato që futja ti digjëte zjarri!

I habitur,një ditë e hapa kutinë e zezë
Dhe pashë në fundin e saj një vrimë
Nga ku dilnin hidhërimet e mija!
"E shikon? - tha Zoti - Tek unë ato vijnë,
Të gjitha sa ti fut tek kutija..."

Pastaj Ai ëmbël më ledhatoi si bir.

Përfitova nga rasti ta pyes:
"Pse kutia ngjyrë ari ska asnjë birë?"
"Fëmija im, - Zoti mu drejtua,
- Kutia ngjyrë ari është për ty si dritë;
Nuk duhet të harrosh atë që të thotë të dua,
Atë që të bekon me fjalë gëzimi në sy.
Hape kutinë ngjyrë ari pë çdo ditë,
Kurrë të mos i harrosh miqtë e tu,
Veçanrisht ata që mirë kanë bërë për ty!"

***
Për këtë mos vono të kujtosh një shok e mik
Duke i drëgur këtë histori të thjeshtë sot,
Duke i thënë se nuk ke nevojë për një çiflik
Por për një mik që të dojë e ta duash fortë!

Përkthyer nga nje pyet anonin amerikan.


Fjalët e Ylberit

Kur të ndeshni një stuhi të fortë,
kur gjërat t' ju duken tepër keq,
kur qielli të nxihet si për mort,
atëhere un' do të vij ti ndreq.

Unë jam premtim i Zotit,
jam mirësia e Tij në stuhi
që ndal çdo zemrim të motit
për t'ju sjellë paqe përsëri?

Gjithmonë të më kujtoni mua,
në çdo tërbim e stuhi të motit,
unë do të vij tek ju se ju dua.
Jam besëlidhja mes jush e Zotit.

Një fëmijë kërkon Zotin

Një fëmijë qëndron i menduar
dhe Zotin kërkon ta gjejë aty.
« O Zot, sa shumë të kam kërkuar,
S’lashë vënd për të të gjetur Ty.

Zërin tënd le ta dëgjoj sot,
të lutem o Perëndi, folë një fjalë. »
Qielli shkrepi po djali s'kuptoi dot
dhe vazhdoi të lutet ngadalë.

"Sa qef kam të të shoh o Zot,
si do të jesh vallë?"
Një ylber i bukur u shpalos në qiell
dhe qielli vuri kurorën si Zanë.

"Të lutem o Zot bëj një mrekulli."
Djali vazhdon ti lutet Zotit.
Në çast lindi një i bukur fëmi,
një nur i këndshëm i ra motit.

"Zot, po të them për herë të fundit,
prekëm mua që të bindem se je ti."
Një fllad i ëmbël e rrethoi djalin
dhe i dha aq shumë lumturi…

I pa kuptuar, djali qau nga mërzia.
"Si nuk paska një Zot në këtë jetë!
Dil o Zot të të shohë njerëzia,
je apo nuk je një Zot i vërtetë?!"

Ankesë Zotit
Ç'të kam bërë o Zot,
të lutem as më thua?
Pse o Zot tërë këto vuajtje,
a nuk e di se sa të dua?

Zemërimin tënd ndjej kudo;
në kokë,trup e zemrën e çarë.
Çfar do nga unë o i Bekuar,
të lutem më thuaj një fjalë?

Nëse ndreqem në këtë zemërim,
lermë të heq e vuaj.
Kështu, i dashur Zot,
le të bëhet vullneti Juajë!


Përjetësia

Nga hiçi nuk vjen asgjë,
nga asgjëja nuk lind hiçi.
Nëse unë isha përseri jam
Nëse jam përsëri do të jem.

Se tërë kohës kam qënë,
që jam, s’kam nevojë ta them,
por do t'ju jap një të dhënë,
meqë kam qënë, do të jem.

Një shënjë për të gjithë,
Shënjë e sigurte do të jetë,
Kush shuhet, vrimëzeza e thith’,
atje i shuari do të rrojë përjetë.


Bajron - Poezi

Në njerëz të cilët dënojnë me ashpërsi
Unë gjej akoma kaq shumë shpirtmirësi.
Në njerëz të cilet thonë gjëra qiellore
Unë gjej kaq shumë pallavra përrallore
Sa hezitoj që një linjë midis tyre të ve
Kur Zoti i Madh mungon atje.


Disa Këshilla

Kush mallkon nënën e babanë
Llamba e tij do të shuhet në terr.
Nuk ka fitore për rrufianë,
Për ta ka veçse helm e një ferr!

Kush tjetërit i ha në ç'do kandar;
Kush tjetërit nuk i jep as hakun,
Duar bosh do të qëndrojë mbi varr
Dhe në qafë do ta ketë lakun.

Kush premton pa menduar,
Kush nxiton për të bërë para,
Mbi sofër do të rrijë shtruar,
Bën të hajë por dot nuk ha.

Lavdia për t'rinjtë është forcë,
Nderi i pleqeve, thinjat e tyre.
Kush bën pa të drejtë divorcë,
Pa lejë largohet prej detyre.

Një e rrahur mirë që le plagë,
E largon të keqen nga njeriu.
Nëse tokën ti e mbjell në vlagë,
S'ka ç'far i bën era dhe veriu.

Sytë krenarë që shohin keq,
Jan' llamba pabesie dhe leqe.
Më mirë të rrish me një dreq
Se të kesh një grua grindavece.

Kur fatkeqi bërtet, ti mbyll veshët,
Në tënden do të gjendesh pa gojë.
Dhuratat mos i jep siç jep preshët,
Por jepi fshehur që askush t'shojë.

Kush ruan gjuhen e gojën e tij,
Ësht' ruajtur nga cdo fatkeqësi.
Përtacit mjerimi nat' do ti vij
Dhe ditën do t' ketë si robëri.

Dëshmitari i rremë s'rron shumë,
I pabesi zihet në çark të vet.
Ta lajë kurvën s'ka asnjë lumë,
Lum ai që me Zotin do të jetë.

II DASHURIA

Kush je ti?

Pse vjen erëkëndshëm ai varg i bukur,
vallë muzën mes trëndafilave ke futur?
Po ajo fytyr’ e ëmbël ëngjëllore,
mos vallë është made in qiellore?
Thuam’ e dashur e për fjalën e ngrohtë
që mua më mban gjallë në këtë botë?

Thuamë të lutem ç'far je ti;
Je hëm lule e bukur hëm njeri?!


Poete e Zemërave
M

Sapo pashë vargun tënd të parë
me vehte thashë ca fjalë:
"kjo vashë paska shpirt të bukur
dhe vargu prej zemre i ka dalë."
Por, ah ç' vuajtje kur të pashë!
Natyra paska punuar ngadalë…
Psherëtiva dhe me vete thashë!
“Zemrës prej floriri
dhe fantazisë qiellore
natyra i paska dhëne
edhe një pamje ëngjëllore!

Vargjet e tua fluturojnë poshtë e lartë
duke u ndalur zemër më zemër,
si bletët që mbledhin pjalmin e artë,
trazuar me nektarin tonë
për të na dhënë vetëm mjaltë.

Faleminderit poete e zemrave.

Femrës

Dy herë vara litarin në një pemë
dhe në hallkën e saj vura kokën time.
Dy herë kukati kukuvajk' e remë
dhe jetën ma shpëtoi për një qime!

Dy herë sulmova lodrën kukuvajkë,
të dy herët unë humba zemër.
Kukuvajka ishte shumë afër e larg,
atë në dorë seç e mbate një femër.


Zjarri i Fikur

Të pata mike që kur ishim të mitur,
bashkë kemi luajtur e jemi grindur,
për njëri tjetrin kemi qënë në merak.
Si u ndamë kaq papritur
pa pësuar zemërt tona ndonjë atak?!

Tani rruges shkëmbehemi si të verbuar;
unë luaj qorrin, bëj sikur s'të shoh,
ti ecën sikur zjarri të jetë shuarë.
As me njeh dhe as të njoh!

Ah sa do të desha
të ishim bashkë si më parë,
të luanim përsëri burrë e grua,
unë oksigjen e ti flakë lozonjare;
djegur në prushin që të ngjall,
dhe kur të përvëlon fare!


Ç'është Dashuria?

Një sirenë që zhytet dhe del nga ujë,
Një zemër që rreh shumë e pa bujë,
Një tramundanë q'i vjen e ikën jetës,
Një margaritar që si vlen fare kuletës.

Ç'është Kurvëria?

Një zjarr që digjet dhe s'të ngroh dot kurrë,
Një gojë hapur ku hyn e del çdo i paburrë,
Një bythë madhe që punon për tërë jetën,
Një vlerë që nuk ngroh shpirtin por kultën.

Lulja magjike

Nëse nesër nuk gëdhihem
Një amanet e dashur t' le unë,
Shko në pyllin e Dashurisë
Dhe qajmë me lotët lumë.

Lulen magjike që do rritet në lotë,
Merre dhe shpërndahe ndërkaq.
Gjithë brengat e dashurisë në Botë
Kjo lule do ti shuajë sa kaq!


Më vure flakën moj flokëverdhë!

Dorën vura mbi flokët e tu të verdhë,
Një rrymë korenti filloi t' më dredhë.
Menjëherë u ndeza në flakë e zjarr,
Thashë se s' isha njeri por i thati bar.

Ujë kërkova të fikem por s'gjeta dot,
Tu luta ty të më shuaje por më kot.
Dorën hoqa nga floku jot ndërkaq,
Çudi, zjarri e flaka mu fikën sa kaq!


Eja jeto me mua!

Eja jeto me mua,
Bëju e dashura ime.
Nuk të premtoj bollëk
Por s'të le pa përkëdhelime.

S’ të premtoj shumë
Nëse jeton me mua
Por, një fjalë ta them çdo çast,
Ajo fjalë është "të dua."

Një orë Dhëndër!

Sapo të pashë ty femër atë natë
në kokë më ra një dalledi e artë,
arsyes ja humba dritën lehtë
se Diell e dritë mu bëre ti vetë.

Fjalë e parë që të thashë unë
ishte se të dëshiroja aq shumë!
Ti pa u menduar aspak fare
më ndoqe si nje manare.

Të putha me aq zjarr un' kërkushi,
si marrok i marrë berë nga prushi.
Pashe qe edhe ti ishe ndezur flakë,
hiç s' ndjeje gushën e bërë gjakë.

Zjarri na kaloi shumë shpejtë,
ne u kthyemë si më parë në jetë.
Të dy kaluamë çaste me përfitime,
ti ike diku dhe unë në punën time.

Po si harruamë të njihemi për dreq,
të di kush je, për këtë ndihem keq?!
Atë çast ta quaj vetëm një ëndërr;
ti një ore nuse, unë një orë dhëndërr!

Fotoja jote më çmënd

Fotoja jote, befas më rrëmbu mua;
Zemrën,mëndjen dhe shpirtin tim.
Të kyçura ato në letër me ty thua,
Do të ma lënë trupin në vetmim?

Ndoshta kështu do jetë më mirë,
Trupi im kafaz bosh të jetë bërë,
Tërhequr zvarrë me zinxhirrë
Kur sëmundja e dashurisë ta lërë.

Vallë ç’të jetë ky fenomen i rrallë
Ku pas fotos së një gruaje
Burri të ngelet një trup i marrë?


Djalit në dasmen e tij

Djali im, ti do martohesh sot,
s’kam florinj, pasuri s'të le dot.
Një fjalë dua ta them tani,
me nusen gjithnjë ta mbani.

Mos e harroni o fëmijë të mi,
sa te jeni gjallë në këtë botë,
vetëm një çast dashuri,
vlen më shumë se çdo ar i kotë!


Kaq kisha me ju thënë
unë babai, dora vetë,
Tjetër s’kam cfar t’ju le,
këtë porosi mbaheni amanet.


Flaka

Shikoje flakën nga larg
por mos e prek.
Nxehtësi e saj
mërret pak e nga pak.
Nëse je i paduruar
ajo të djeg,
të le njolla që kurrë
s'kanë për tu shëruar...


Pse?

Nëse zogjtë dalin dy e nga dy
dhe lulet bëjne dashuri,
pse unë të mos jem me ty?

Nëse burimet derdhen në lumë
dhe pa njëri-jetrin s'rrojnë dot,
pse të mos duhemi kaq shumë?

Edhe mali që është mal-kallkan
po mos puthi qiellin
qan e qan e shpërthen në vullkan!

Pa le të shohësh Hënën e bukur
për natë puth e kafshon tokën,
vdes nëse nga toka s’ ështe ndukur!

Asgjë s'është vetëm në botë,
ndërsa ne të vetmuarë
rrojmë a nuk rrojmë kotë?!

Le të digjemi

Dhe kur flokët ti merr era,
dhe kur zemra digjet flakë,
për mbi prush të dashurisë,
le të digjemi pakë e nga pakë.

Le të digjemi shkrumb e hi,
t'mos na ngelet nami fare,
le t' shkrihemi në dashuri,
mos pyesim më për halle!


Thellësia jote

Thellësia jote si e detit më tremb përherë,
atje bluja vjen e nxihet pak e nga pakë,
të provoj të hyj brënda në tëndin gji aq thellë
druaj se guximin më duhet ta laj me gjakë!


Të dy qiellorë
R

Kaltërisija e syve t' tu më ka thithur;
qiellorja e spërkatur me rreze dielli
vjen tek unë kaq ëmbëlsisht stolisur
sa brenda meje seç hyn i tërë qielli!

Prandaj unë qiellin e dua aq shumë
sa në tokë nuk dua të zbres kurrë.
E dashur, atje le të bëjmë çdo punë,
të dy qiellorë; ti grua e un' burrë!

Quidquid agis, respice finem


Kur shpirti më djeg

Kur shpirti më djeg,
të shuhem diçka tek ty kërkoj,
kur ti atë s'ma jep,
në oqeanin e dashurisë përfundoj...

S'kam frikë nëse kam me vdek,
mjafton zjarrin e shpirtit ta shuaj,
atë zjarr që aq shumë më djeg.


Kryeëngjëlli im

Disa thonë se kanë parë ëngjëj,
unë të kam parë ty e dashur.
Teksa u tregoja shokëve,
ata më thanë me një gojë,
"Ju keni parë një Kryeëngjëll!"
Epo, ju thashë, të më rrojë!


Zemrat tona

Dhe kur vargun derdh zemra,
e kur zemra derdh dashuri;
parajsa me dy emëra
jemi vetëm une e ti.

Dhe kur djellin zemra ngroh,
ngrohja vjen veç nga zemra,
atje ty e dashur seç të shoh.

Kur një ditë bota t'shuhet,
zemërat tona, moj zemër,
prap' do duhen sa më s'thuhet!

"Hearts are not to be had as a gift, Hearts are to be earned..."

Leshverdhës

Moj leshverdha porsi ari
pse më sjell mon' e shkuar
kur un' me dashuri djali
isha duke t' kërkuar?!

Sot ardhësh e artë n' pleqeri
si pranvera në mes dimnit
të më sjellësh kaq ngrohtësi!

Qofsh bekuar moj leshverdhë
që zbukurove shpirtin tim,
përzure vjeshtën gjethe-verdhë!


Shkëndia jote

Ishim komplet në errësirë,
nuk shikonim as afër as larg.
Papritur ti ndeze një shkëndijë
dhe ne u përfshimë në flakë.


Kontradikta Ime

Mëndjen e kam OK për dreq
e më thotë, tek zemra mos shko!
Shpirti, një metereolog i keq
i thotë zemrës, dashuro!


Luftoj ta meritoj...

Të gjithë më thonë,
"Ti dashuron gruan më të bukur,
pse akoma s'i ke thëne të dua?!"
Ju them miqëve të mij,
luftoj ta meritoj atë grua.


Që të rrojmë ne

Që zjarri të mos të fiket, ndizëm mua,
që deti të mos të thahet, bëmë krua,
që ajër të kesh, thithi buzët e mija
që jeta mos mbarojë, mërri të tria.


Puthja

Mërre kët' puthje deri në ëndërr
Mos u tremb, është një zhgjëndërr.
Mos harro të ma këthesh përsëri,
Nga puthja do të bëhem më i ri.

Puthja është m’e mirë nga ari
Nëse ajo është puthje zjarri.
Se do digjesh, mos ki fare frikë
Zjarrin e saj unë di ta fikë.


Dashuria

Dashuria është si deti,
Të gjithë e lakmojnë
Por brënda tij
Pakë kohë rrijne.
Dashuria është si ujë,
Të gjithë e pinë
Por vetëm ai që digjet
Ja di Magjinë!
Dashuria është si qielli,
Të gjithë duanë të fluturojnë
Por bashkë me frikën rrinë.
Dashuria është si toka,
I shtrirë mbi të
S'rrëzohet askush
Sado furtuna të vijnë.

NE...

Ti,
Trëndafil i Majit.
Unë,
Vesë në fletët e tua.
Ata,
Diell i mëngjezit
Që më heqin nga ty
Pa të thëne
TE DUA!


Dashuria

Në dashuri s'ka fukara dhe mbret,
Dashuria, ligjeratë pa fjalë,
Eshtë nënë e ngrohtë plot' jetë,
Eshtë një Parajs' e Rrallë!


Kur...

Dhe kur mendja ime te pushojë,
jeta ime të shuhet si qiri,
zemra ime më të mos të dojë,
dije, jam kufomë e jo njeri!


Për Mjaltën tënde


Si bletë shtriqesh në gjoksin tim,
Më gudulis si shall kashmiri,
Pastaj,
Ngadalë,
Thith polenin tim
Që rrjedh nga gjiri.

Humbas i tëri
Në thithjen që të fal.
I dalldisur prej saj
S'di ku jam.
E nëse luaj nga fiqiri,
Për mjaltën tënde
Ta bëj hallall!

Rob i Jugut...

Gjoksi jot si lëmsh zjarri,
E shoh siç sheh ç'do ashik.
Ta prek, frikësohem se me djeg,
Mbase vdes nëse nuk e çik’!

Gusha jote si burim mali,
I etur vec rri e veshtroj mirë
Nga frika se helmohem nëse pi,
Nga frika se s'rroj dot pa pirë.

Faqet e tua si petale trëndafili,
Bukuria e tyre më ka tërbuar.
Ti puth kam frikë se mësohem
Mos i puth ngelem i pamësuar!

Tentova të sulmoj veriun tënd,
Dështak ngela siç më thonë.
Sulmova jugun pa menduar,
Rob i jugut ngela përgjithmonë!


Konspiranci Qiellore!

Ora tetë e gjashtë minuta,
data Tetë Nëntor dymijë e tre.
Hëna e bukur errësohet e terë,
zhduket nga sytë e zes të tokës mëmë,
fshehur në qiellin e pastër të Nju Xhersit,
në këtë natë të akullt e të përdhosur,
në këtë natë të përgjimit dhe vesit.

I përqëndruar i tëri;
sy e veshë tek Hëna e Bukur,
që mundohej të fshihej
si një grua e përdale
që prit u zë pa u dukur
meshkujve të rinj a çfar ti dalë.

Një zë i largët në celular
më solli në vehte, "Alo!
Dëgjomë mirë, - thoshte zëri,
- unë jam Met Kalo,
a ma dëgjon zënë?
Hëna e Bukur vdiq!
Vdiq e Bukura Hënë!"

"Atë po shoh për dreq o Met",
ja ktheva mikut tim
tepër i qetë.
Zër' i dridhur dhe trishtuar
matanë kontinentit oshëtiu përsëri,
"Trap! Nuk më plasi për Hënën në qiell!
As dua ta di se çfar je duke shikuar!
Ngele tërë jetën i marrë
duke vështruar yje, hënë e Diell !
Po të them,
Hëna, Hëna jote, e bukura Hënë,
dha shpirt sonte ora tetë e gjashtë minuta,
dhe kjo që të them është e vërtetë,
jo si ajo hën' e vdekur...
Hëna jote s'është më në jetë!"

Eklipsin e Hënës e kisha parë i qetë,
për vdekjen e Hënës sime në Lesh,
qimja mu ngrit lart, u hodha përpjetë.
"Jo! Jo! Jo! Të lutem më thuaj jo!
Më thuaj që Hëna ime është gjallë,
Si është e mundur kjo?!
Të lutem, mos ma thuaj atë fjalë!"

Qava me dhimbje pa lotë,
shpirti më shpuri larg në Lesh.
Rijetova atë të shkuarin mot
ku jetën ma ndriçonte Hëna ime.

"Dëgjo i dashur, ma bëj të qartë
- më thoshte Hëna shpesh -
kush është më e bukur,
unë në tokë apo hëna atje lartë?"

"Sigurisht që është Vajza ime",
i thosha duke i lëmuar flokët e artë.
Qeshte e shkreta vajzë,
bashkë me të qeshte tërë Zadrima,
qeshte Mali i Kakariqit,
qeshte qielli me yjet bashkë,
me ta edhe unë.
Nuk qeshte vetëm hëna zheloze
dhe dielli, arjan i saj
të cilët sot Hënën time ma përzunë.


Gruaja

"Shpesh herë gruaja ndërron,
Është i marrë kush e beson."
Hygoi i madh thoshte përherë
ama,
u martua vetëm njëherë!

"Ambjenti ku jeton ti o grua
është tepër i helmuar.
Ik tutje se unë s'të dua
laneti qoftë me ty
nga unë për jetë e zbuar!"
Thoshte Tolstoi i madh
dhe me këtë bindje
i rrethuar plot me gra,
vdiq beqar!

"Nga kafshët e egra
ti o grua je m'e dëmshme..."
Do të thoshte Zhak Ruso
dhe natën me orë të tëra
duke përgjuar sokakëve,
filozofi rokëzonte, "Të du-a",
me lakun në dorë
gjuante 'kafshë'
me emrin grua!

Dhe Shekspiri
do të psherëtinte gjatë,
"Tradhëti e ke emrin grua!"
për gra do të vriste me imagjinatë
qindra djem të rinj
të cilët drejt vdekjes
do ti thoshin gruas, "Të dua!"


Nëse duhemi

Nëse ti do të fluturosh me mua
krahët tanë do shkruajnë "Të Dua".
qiellin do ta mbledhim nëpër thasë
e do spërkasim Tokën-Parajsë.

S'do lëmë vend pa zbuluar,
s'do lëmë rërë pa numuruar.
Do ti ngjitemi Himalajës përpjetë
përtokë do ti ulim të gjitha retë.

Në çdo kohë do puthemi ne
dhe këmbët nuk do të na zënë dhe.
Do ta ndjejmë veten të mrekulluar,
e do themi, "Kjo na paska munguar!"


Si është dashuria

Dashuria është si vera,
sa më e vjetër të jetë ajo
aq më të re e do "enën".

Si era është dashuria,
nëse dikush i vë pengesa,
egërsohet kaq shumë ajo,
fërshëllen me tërbim,
rrit presionin mbi pengesë
dhe s'pyet nëse kalon në flijim!


Në palzhin e Dashurisë

Rreth meje vetëm rërë dhe zbrazeti,
rreth teje shumë dallgë dhe melankoli.
Detrat tona vinin drejt njëri tjetrit
ndërsa këmbët na shkonin anës detit.

Mendoja për ty me dashurinë time
duke ecur bregut të detit ndër agime.
Ti për mua mendimet hidhje valë-valë
duke ecur bregut të detit si pulbardhë.

Rrugët tona zgjateshin në pafundësi
pa u takuar asnjëherë gjithësesi.
Në në plazhin e dashurisë si dy hiçë,
Unë Heminguei dhe ti Marlenë Ditriç.


Dashuria s'është fjalë

Nuk lashë fjalë dashurie pa thënë
vajzës së bukur që desha shumë.
Edhe në gjunjë asaj i pata rënë
por çe do as kjo s'bëri dot punë...

Një i huaj që kaloi aty pranë
një shenjë fare të vockël se çi bëri,
të dy si një çift zogjsh ikën e vanë,
unë u ktheva në fjalë i tëri...!


Në çargun e puthjeve jam zënë

Çështë kjo pamje magjepëse që po shoh sot
ku me mijra puthje të ëmbëla si përballoj dotë?!
Të jenë si puthjet e Helenës që pas sjellin gjak
apo si puthjet e Zonjës së Zezë kur merrte hak?!
Sido të jenë puthjet, të jem rob i tyre qënka thënë
s'mendoj aspak se në çargun e pabesë jam zënë.


Qenushes

Dale moj qenushe,
syçkën hidhma pak,
Nuk jam i ri,
s'jam as i bukur
Por i dashuruar
cak me cak!
Si paske harruar
të bukurat naze
Si dikur
kur shkoje sokak me sokak!
Edhe këtu, në New York,
përdridhesh si llastar,
Moj qenushe e bukur
për ty kam vënë merak.
Ndalu pak,
të lutem
qenushkë nazemadhe,
Ngrije atë vetull
mos e bëj hark!
Të më qëllosh mua
e kam hak!


Kur s'dimë të dashurojmë


Të desha si i marrë
unë i marri,
Për ditë i thosha vetes
se të dua.
Ti më fëshfërije pranë si era
dhe buzëqeshje
Pa më thënë asgjë mua.
Kjo punë me ty
vazhdoi gjatë,
Dashuria e refuzuar,
apo si ta quaj,
Mu kthye në shoqëri.

Ishte për fajim tim
apo tëndin,
Kurrë se kuptova,
plasa ta di!


Dashnor i Padukshëm

E dashur!
Sigurisht që të bie rruga
Jashtë qytetit tënd të potershëm.
Të lutem,
Zbriti makinës ndonjëherë,
Ec kodrës përpjetë,
Ja këtu, ndënë qiparisat,
Në këto roje të mistershëme,
Është bota ime përjetë.

Të më gjesh bëj kujdes!
Nëse sheh të rjepur një qiparis,
Në bythë të tij jam çdo herë.
Eja! Kam mall të të shoh ty,
Le të çmallemi pa bërë dashuri.
Ashtu, i padukshëm si përherë,
Më i urtë se kurrë jam aty!


Edhe nëse s'më do, të dua!

I thashë vetes "numuro"!
Kërkoja në petalet e këputura
Dashurinë me ty,
"Më do, s'më do..."!
Duke qethur Luledelen fare,
Më rritej tensioni,
"Më do, s'më do..."
Për ç'do petale...

Nuk jam superticioz,
Petalet i numuroj
Se të ty dua,
Në dashurinë tënde jam tekanjoz!
E nëse një Luledele
Më thotë se ti s'më do,
Do provoj të gjitha
Luledelet e kësaj vere!

Pastaj do të vij të marr grua,
Do të rrëmbej,
Do të çoj në folenë time
Mos e hap gojën të më thuash "s'të dua!"


III MORALI


Njeriu & ujë

Njeriu është vëlla binjak
Me të uruarën ujë
Njëlloi sikur të kenë dalë
Nga i njëjti bark!

Njeriu dhe ujë
Marrin formë sipas vendit,
Ndryshojnë drejtim sipas shtratit,
Pastrohen përgjatë rjedhjës,
Strehohen atje ku gjejnë hapsirë,
Bashkohen me të tjerë
Për tu bërë më të fortë e më të mirë!

Duartë !

Dora e majtë
Shan dorën e djathtë:
"Djathtanike plaç!"
E djathta pa e vrarë
Mëndjen e kotë,
Mblidhet dy kaç...
Dhe befas i thotë:
"Plaç ti majtanike,
Thatanike,
Zvarranike..
Që askush
Për dore s'të ze,
Ti moj shtrigë
Që e ke vëndin
Në hale!"

Trupi i dëgjon
më nge.
Mendohet...
Befas,
I soset durimi.
Hidhërimi në grykë
I bëhet nyja-nyja.
Bubullin
Si qielli me re:
"Ç'far thoni?
Unë kam nevojë
Për ju të dyja.
Pushoni!"

Dy Vëllezërit dhe Dhentë

Dy vëllezër çobenë dhensh
filluanë të grinden kot së koti.
Njëri e quajti vëllanë "sofërqenësh"
e tjetri "një debil të pa zoti."

Nuk mposhtej asnjëri me fjalë,
as duartë e këmbet s'bënin punë.
Më në fund, të dy nxorrën nga një pallë,
me vra vëllai vëllanë u vunë.

Ujqërit për rreth vathës - shqyer sysh,
shikonin të kënaqur sa më s'ka.
Me lëvdata e bis të ndarë në dysh
shtynin të vriteshin vëlla me vëlla.

Kur vëllezërit të mbytur në gjakun e vet
ranë të vdekur të dy për tokë,
ujqërit e uritur u vërsulën mbi dhentë
dhe s'lanë të gjallë asnjë kokë!


Puthja e Fundit

E ç’vlen ta kujtoj puthjen e parë
Kur aromën e saj më se ndjej dot,
Harruar përvëluesen prush-zjarr,
Që hiç nuk më vjen aspak sot?!

Gjithçka është vjetruar,
Peng i azgjëje më s’ka mbetur,
Nuk ndihem më i dashuruar,
Lezet i puthjes diku është tretur.

Atë që para mëndjes më kalon
Është kotësia që un’ kam sot,
Lumturia e shkuar më mundon,
Vetëm tisi i saj është i plotë.

Provoj buzet e puthjes ti fshih
Nga ky dreq tis i mallkuar
Po ai me futet thellë në gji
Pak nga pak duke më pushtuar.

Lutem e bie në gjunjët që dridhen,
Qaj e qaj zë mekur në brëndesi,
Me lotë hidherimi që vidhen
Siç qan jetim’ i gjorë fëmi…

Pastaj befas një pyetje më shkrep,
Të jetë kjo shëmti e pleqërisë
Që si hajdute nga pas mu qep
Dhe unë të pi të sajën sisë?

Përgjigjen me mund e jap po vetë,
I sigurtë pa asnjë lloj dyshimi,
Mendoj, puthja e fundit do të jetë,
Melhem i saj është si krimbi.

Unë & TI

Ti bredh lendinave në Parajsë
bashkë me dashurinë...
Unë mbyllur mes katër muresh
luftoj me melankolinë.

Ti fton në plazh
Diellin që trupin të pushton,
Une mezi laj syte nje here ne dite,
Çezma ime si lotët e mi pikon!

Ti qesh mes klubit që gumzhin,
mbushur plot me kakofoni,
unë mundohem të ve rregull
në timen të shkretë shtëpi!

Ti jeton edhe unë gjithashtu,
secili në menyrën e vetë.
Në këtë botë askush s'është njësoj
perveç atje ku ngelesh përjetë!


Disa Gra

Disa gra pa dashuri
Seç kanë për dashnorë mall
Zemra e tyre mbushur plot pusi
Për një mashkull kush tu dalë!

S'mendojne gratë e shkreta
Se mashkulli
Mund të jetë veçse horr
Lule me lule i kalon jeta
Pa dhënë aspak dashuri
Në mall të botës vetëm hamshor!

Vëndi Im
Populli që vjedh dhe vidhet
Është një popull i ashpër fatkeq,
Qafa e ndyrë e tij
Shtrëmbrohet për dreq!
Syte e goja i çaplohen nga mjerimi
Në vënd të shikimit i dalin xhuxhë të zinj
E në vënd të fjalëve i del belbëzimi.

Burri ç’burrerohet shumë keq
Gruaja shkon në krevat ndërzimi.
Për çudi aty ska më çudira;
Rolet e paradokset mbretërojnë
Princat shkojnë të kullosin dhentë,
Mbretërit arat lërojnë,
Ministrat bashkë me zhabat
Këngët ngrenë përbi retë!


Komshimashtrimi

Nëse shkojmë tek komshiu
Orë e çast pa pushim
Do na merzitet mik-ziu
Do të mbushet plot zhgenjim.

Nëse për ditë i bëjme kërkesa
E shpesh i trokasim në derë
Apo i përplasim ca ankesa
Komshillekut do ti vijë erë.

Nëse e ftojmë në shtëpine tonë
Të na pajtojë kur grindemi ne
Kemi kaluar çdo cak e zonë
Komshiu do na bëhet zot e fe.

Por nëse një komb bën kështu
Tek një komb tjetër komshi
Ai popull do të ngelet pa atdhe
Pa shtëpi, pa besë e pa Perëndi.


Jam skllav

Ringer on,
Voice mail,
Log, dial, web,
Dhe një email.
Kjo është tëra
Bota ime sot
Që më bën skllav.
Sidoqoftë, besomni,
Pa këtë skllavëri
Nuk rroj dot!


Dy të panjohura...

Me dy të panjohura një natë fjeta;
Njëra ishte ndoshta gjashtëdhjetë,
Shtatëdhjetë ndoshta ishte tjetra.

Mua, - thotë më e reja,
Askush s'më ka zgjidhur
Sepse jam shumë e veshtirë
Nga që jam fare e palidhur...!

Ndërsa unë, - vazhdoi m'e vjetra,
Për të rinjtë që mundohen shumë
Zgjidhem vetë, nuk jam si tjetra,
Djalëria pa mua s'mbaron dot pune...

I dëgjova mirë dhe u thashë:
Njëra e pa lidhur e tjetra zgjidhet vetë,
Me kë do ta filloj së pari unë?!
- Te flesh! - më thanë të dyja me të shpejtë.
- Kur të vjen gjumi bëje të plotë.
Ne jemi ushtrime shumë te vështira
Që në krevat askush s'na zgjidh dotë!


Midis dy pikave...

Distanca me shkurtër
midis dy pikave
është në ndërtim e sipër,
na thatë...
Dhe ne,
për të shkuar nga njëra pikë tek tjetra,
i ramë rrugës më të gjatë.


Paburrëria

Një breshkë e ngathët,
bashkë me një kermill
i kanë hypur sipër
të shkretit Lis.
Lisi i prerë,
shtirë për tokë,
nuk ngjall më krenari e frikë,
tani edhe nga ferrat
duket me i lig.
Po kështu
ngjet në jetë,
nëse të rrëshqain këmbët,
paburreria të hypën sipër
e të ngul dhëmbët.
Kjo quhet besë prerë,
si kërmilli dhe breshka
që mbi Lisin e rrëzuar
kanë perrmjerë!


Pika dhe Lumi

Një lumë i mburrej një pike ujë:
'Pika të rëntë moj pikë!
Rroj une që jam tamam lumë,
Rron dhe ti
Kaq e vogël shumë?!'

'Ti nga unë je bërë
mor i shkretë.-
Ja kthen pika.
-Pa mua,
Ti s'do të kishe as një sekondë jetë.
Thirri mëndjes
Se të bëra pika-pika...
Njihe veten dhe fatin
Se pa mua
Ti nuk e mbush dot shtratin."


Kali i Plakut

Plaku,
një kalorës i hasdisur
që me mamuze
rreh e rreh të urtin kalë të vet.
Kali ngordhalaq
mezi lëvis kryqet e thyerë
mbyetet në banjë djersësh
sikur të dilte nga një det.

Plaku,
nxirë nga epshi kalorsiak,
në vënd të butësisë përkëdhelake
i jep goditjen e fundit kalit dhe e vret!
Kali duke ngordhur
fsheh kokën nën krifën leshtake,
vdes pa bërë dot hapin e vet.

Rruga që priste vrapin e kalit,
nga lotët e dhimbjes
kthehet në një det.


Pela e Re

Pela,
e pa vrarë nuk mbahet dotë,
hidhet e përdridhet tërë lezet,
po s'dite ti afrohesh është e kotë,
se e pagun me kokën e vetë.

Betohem!
Do të bëhem kalorës i saj
e nën frena do ta ve menjëherë,
më parë do ta rrah dhe shaj
e do ti hypë të fluturoj,
do bëhem vetëm erë!


Kur vjen pleqëria?

Kur vjen pleqëria
ne nuk e marrim dot vesh,
prandaj ca shënja
po i servir sot në shesh...

Pleqëria vjen atëhere
kur ti s'shkon në punë
por rri në shtëpi
e bën sherr e potere.

Pleqëria të vjen atëhere
kur të tjerët zvishen,
ti hedh sipër një gunë.

Pleqëria të vjen atëhere
kur del jashtë si një bole
dhe kthehesh brënda
pa e ditur pse dole.

Pleqëria të vjen atëhere
kur di aq shumë
por askush s'të pyet
e dituria s'të hyn në punë.


Ah, Kjo Jetë!

Kur ishim të vegjël,
shpesh na pyesnin
se kë deshëm më shumë,
na puthnin pa pushim
sa na i bënin faqkat
gjithë jargë e shkumë.

Për ne, tërë bota
ishin vetëm ata;
mami dhe babi
tërë dashuria jonë
ishte vetëm për ta.

Kaluanë vite,
ne u rritëm ca nga ca.

Kur na pyesnin përsëri
se kë deshëm më shumë,
ne në mëndje sillmin
të parën dashuri;
fytura vajzash të bukura
nëse ishim djem,
çuna besnikë e pelivanë
nëse ishim vajza,
të cilët përziheshin
me fytyrat e prindërve tanë.

Më pas,
për tu dukur më të pjekur,
shtonim edhe fytyrën e Atdheut
duke vënë buzën në gaz
natyrshëm e pa u përpjekur.
Por, natën kur ëndërrat marrin dhenë,
ne përpëliteshim në gjumin plot tallaz
dhe zëmra na qante
vetëm për ndonjë Helenë!

Kur u plakëm,
askush më s’na pyeti
se kë deshëm më shumë!
Na la
edhe Helena,
ashtu siç ka emërin,
askush "ju dua" më s'na tha.
Kërkush s’u afrua të na puthte
me puthjet lumë...!
Askush s'pyeti më për ne
në se ishim gjallë a vdekur
sikur të mos kishim qënë
kurrë mbi dhe!

Mallkuarë qoftë e pleqërisë botë!
Rroftë vdekja e pleqërisë mbi tokë!


I ligu, mbret i kësaj bote

Njerës të liq ka kjo botë,
më shumë se sa të mirë,
që ti thyejmë
mundohemi kot'
të liqëve zinxhirrë.

Por, i ligu është m'i lig
kur pushtetin ka në dorë;
te mirët i shikon në varg si fiq
që të ngop' të tijën zorrë.


Kundërshtitë e jetës

Thonë, një njeri jetoi shumë gjatë,
aq gjat' sa atij ju mërzit jeta e vetë!
Unë them se kjo do të jetë e saktë.
Pa vdekje a do kish kuptim kjo jetë?

Ç'kuptim do të kishte shëndeti i jonë
pa pasur kurrë sëmundje dhe ligështi?
Ç'kuptim do të kish dashuria pa zënka?
Ç'kuptim do të kish pasuria pa varfëri?

Kundërshtitë e gjallërojnë njerinë
këtu them, qëndron kuptimi për jetën.
A e keni vënë re ç'dodh me dashurinë
kur zihen dashnorët? Thoni të vërtetën!

Po kur koha prishet çdodh me motin pas?
Thonë se Dielli del më i bukur nga ç'ish.
Këtë punë më unë s’ po e nagas,
secili le të mendohet vetë sinqerisht.


A jemi mekatarë?


Pse u kënaq Zoti kur nga Adami nxorri Evën
e cila të shoqit do ti bënte të zezën?
Zoti e dinte qe Adami do binte viktimë
e lakmitares Evë prej së cilës ne vijmë!

Nëse mëkati trashëgohet, ne s'jemi fajtorë,
dhe Ati ynë mbi ne të mos vejë më dorë.
Le ti paguajë Eva të gjitha mëkatet prej soti
nëse vetë mëkati nuk ndalet nga Zoti.


Zogun që mbajta në shtëpi...*

Një zog fare i pa rritur
Ra një ditë nga foleja.
Nxitova un' për ta pritur
Më shpejt se ç'vjen rrufeja.

Zogu ra në dorën time
Sikur bije frut i pa bërë.
Ndjeva t'zogut drithërime,
Un' si ai u drodha i tërë.

E mora n'shtëpinë time,
E ngroha; fërkova butë,
E mëkova me thërrime,
Për ta rritur vrava trutë.

Një ditë zogu im u rrit
Dhe puplat ju bënë pëndë.
E nxorra jashtë në dritë,
Ai foli rëndë-rëndë:

"Të fluturoj jam vet zot,
S'jam si ty, jam tjetër soj,
Lëshomë të më shohësh sot!"
Tha kështu dhe fluturoi.

E pashë zogun lart sa kaq,
Krenar në hapsirë u zhduk.
Prita mjaft të kthehet prapë
Por shpendi im më s'u duk.

Prita ditë e prita netë,
Syt' mbajta mbi zogjërinë
Koka me ngeli përpjetë,
Shok u bëra me mërzitinë.

Një ditë fare pa pritur,
Në xham pash' atë t' trokasë,
Zogu më tha duke klithur,
"O mik! Po të le një glasë!"

* E shkrova këtë vjershë për ata miqtë tanë mosmirënjohës që i mbajmë në shtëpi dhe pasi i rregullojmë mirë e mirë, me aq sa mundemi, si kurbetçinj që jemi, kur largohen nuk u bie më ndërmënd të na kujtojnë...


Ja bëjmë vetes

Nuk i thonë kot asaj shprehjes se, "inati i botës, dëm i kokës."

Seç më hipi një inat i tëbuar,
Befas zgjata dorën kapa Afërditën,
Ja hodha Merkurit të përvëluar
Dhe terr të zi e bëra tërë dritën.

Pastaj kapa Aga Marsin për veshi
E përplasa kaq fort tek Jupiteri,
Saturni seç u drodh dhe Urani qeshi
Ndësa Neptuni shahu, derr pe derri!

Platoni plakush u kollit shumë fortë,
Kërcënueshëm ma tundi mua kokën;
Tani, më tha, ti do ndjesh vetëm ftohtë,
Kurrë s'do mundesh ta gjesh më Tokën!


Në Xhungël!

Një herë në një xhungël plot me halle
Lepuri bëri një thirrje për paqe të madhe,
Ku të gjitha kafshët do vellazëroheshin,
kurrë me njëri tjetrin s'do zëmeroheshin.

***

I pari që ju përgjegj thirrjes ishte kaprolli
I cili lavdëroi ujkun që fëmijet ja vodhi,
Më pas me zërin sopran foli zotëri miu
I cili lavdëroi bufin që desh e përpiu...
Nuk vonoi edhe milingona punëtore
Ti bëje thirrje ariut ta zerë për dore.

-Me leje! Hidhet ariu duke gogësitur
Kurre s'kam qënë ndonjëher i uritur,
Prandaj milingonën e dua guzhiniere
Kur të mundet t' më bëjë top-sheqere.
Jam për paqen, e vendosa qysh tani
Mua më keni vellazëror në shoqeri.

***

-Unë, hidhet ujku, bariut ndihmë i kam dhënë
Dhe në paqe përherë me ju kam qënë,
Kaprollin do ta kam vëlla edhe kur të jem i uritur,
Ai kur të dojë të hyjë në shpinë time pa trokitur.

***

Çakalli nuk vonoi të thotë ca fjalë,
"Vëllezer, unë për paqen jap një djalë,
Nga vendimi im askush s'më leviz dot,
Mjaft hëngrëm njëri tjetrin deri më sot,
Kemi erdhur në këtë jetë gjithë njësoj
Prandaj kjo ditë le të na vëllazërojë."

***

"Unë kam një muaj që jam si i fjetur,
në bark kam një gjarpër duke e tretur,
Fateziu mu lut shumë atë ditë
kur unë i pabesi i bëra të zezën pritë..."
Thotë gjarpëri larushan duke qarë
Nga pendimi kërkon ti bëjnë varrë.
Të gjithë u mallëngjen me këtë pendim,
Gjarpërit ju luten të mos qajë me rënkim.

***

"Mua, - tha Tigri, - ju lutem më lini të qetë
Unë e di mirë se çfar duhet të bëj vetë.
Nga unë kurrë sdo t'ju vijë asnjë e keqe,
Bëni kujdes mos u bjenë këmbët në leqe.
Për mua vetëm njeriu është i pabesë,
Bashkim-Vëllazerimi për jetë të mbesë!"

***

Dhelpra pasi lëpiu buzët e holla,
u hodh e tha, "paqen e dua pa njolla.
Nëse vendosim për një paqe sot,
Duhet të betohemi për jetë e mot,
E betimit ti vëme edhe disa vula,
Shkelesit të shkojenë në fshat për pula."

***

Luani i qetë dëgjonte kafshët me radhë
Dhe në fund ngriti flamurin e bardhë.
Ju e dini që në këtë xhungël jam mbret
Por nga sot e tutje jap dorëheqjen vetë,
Kush të dojë nga ju le të ma zerë fronë
Çdo i huaj le të hyjë në timen zonë!

***

"Me lejë! Kam akoma dhe një fjalë,
Ç’të bëjme kur njeriu në pyll të na dalë?"
Hidhet dhe thotë lepurushi i frikësuar,
Prej Luanit Mbret pret një fjalë të zgjuar.

Hem! Hundët e Luanit turfulluanë...

"O kafshët e mija, unë e njoh mirë njerinë
Le ta zgjedhim atë mbret të na ruajë shtëpinë!
Se po të dojë ai, asnjë nga ne gjallë s'mbet,
Lëvdatat për të le ti ngremë deri në re
Edhe nëse njeriu vret ndonjë nga ne!"


Jam agimi

Unë lind dhe perëndoj për ditë,
njëlloj si lind e perëndon Dielli.
Rrugës time të shkurtër sjell dritë
paçka se mund t’ jetë krejt i nxirë qielli.
Ata që më shohin në mot të keq
mund të m' akuzojnë me këto fjalë:
Qënka ngritur sot agimi si për dreq,
pa ndriçuar mirë, iku turi vrarë!
Në fakt, unë lind njëlloj çdo ditë.
Kohën s’ndryshoj, jam vetëm agim;
Nëse rreth meje s'ka shumë dritë,
Më besoni nuk është aspak faj im.

Unë nga Dielli e kam farën
ndonse furtunat e stuhitë me nxitim
fyturën time sulmojnë të parën,
pasi kane inat Diellin plotë shkëlqim.

Si njihet një njeri

Si njihet një bos bastard dhe gëdhë?
Ai s'pyet kurrë sa mund të bëhet punë,
Ai kërkon të punohet akoma më...
Nuk do t'ja dijë nëse është shumë!

Si njihet një zuzar i vërtetë?
Para seksit ai është shpesh i dashur
Se pas aktit si bishë, çirret dhe bërtet
Sikur Djallin vetë ta ketë hasur!

Si njihet një grua q’ është shkërdhatë?
Pas tradhëtisë me burrin sillet ëmbël,
Nuk harron ti bëjë edhe ndonjë dhuratë
Duke ju betuar që e do me gjithë zemër!

Si njihet një zemërlig - katil-guak?
Shpesh ai flet për krime dhe ligësi,
Sipas tij, shpata e tjetërit kullon gjak,
I mirë në këtë botë ka ngelur vetëm ai!


Kritikë Çabejt

"Profesor Çabej,
Pse dorën ua dhe armiqve?!
Në Laipcing ti një ruseje i puthe dorën,
Ndoshta dhe një amerikane, që ne se dimë ?!"
Zëri komunist filloj të regëtinte
E më pas u kthye në bubullimë...

Profesori syte ngriti përpjetë,
Buzëqeshi,
Pa ju zbehur fytyra dhe qetë
Një cingare ndezi.

"Profesor,
Asnjë përgjigje s'më dhe!
Po flas me ju,
Dreqi ta haje!
Luftën me armiqtë pse e zbute, pse?"

Profesori fiku cigaren,
Kokën uli përdhe,
Pa ju dredhur zëri
Foli shtruar dhe më nge:
"E di çë?
Jam shumë plak,
Ma besoni, mënd nuk vë.
Kjo punë zgjidhet fare lehtë.
Që të mos kem punë me të liqtë
E të jemi mirë të dy palët,
Mos më dërgoni më tek armiqtë!"

Tha kështu dhe cigaren prap' e ndezi,
Tymin thithi tërë kënaqësi,
Kotë u mundua t’mbajë tymin brënda,
Se jashtë e hodhi përsëri.


Poeti Alkimist

Poeti është alkimist në poezi,
Ekzaltimi e tij mbush gjithësinë;
Ai ngre në qiell të pastër
Furtuna, komedi e tragjedi.

Të gjithë atyre që rrezikon
Ju jep si përfundim poezinë,
Varur si një xhaket shpetimi
E cila qetëson më pas stuhinë.


Poeti & Poezia

Poezia është si gruaja;
shpesh grindemi më te,
nga njëherë s'flasim,
Bashkë edhe s'flemë.
Ç'far do që të bëjmë
E nga do që të vemë
Përsëri ne poetët
Në gjunjë asaj i bjemë!


Socializmi Fitimtar

Socializmi është si bajga e kuajve
lëshuar në mes të një rruge.
Zoqtë që e hanë ndihen të gëzuar;
jashëteqitja për ta
është burim jete.
Në këtë rast,
edhe kuajt jane te fituarë
pasi ata nga barku qisin jashte
të panevojshmen e shëmtuar.


Sëra e klasave...*

Lepuri pa një Luaneshë,
vehtja ju duk Luan i rënë.
- Zonja Mbretëreshë,
trashi pak zënë.

Mund t'ju them dy fjalë?
Luanesha kapsalliti sytë,
kur pa lepurin para ti dalë
dhe shpejt ju hodh në fyt!

Duke u përpëlitur lepurushi
mundi të thotë vetëm kaq,
- Ç' desha tek ti unë kërkushi?!
Luaneshë! Ma bëre paq.

*Shpesh ndodh që nga deliri i madhështisë mundohemi të hymë në shoqerinë e më të mëdhënjeve, më të fuqishmëve dhe, përfundimi, mbarojmë në 'dhëmbët e ingranazheve' që kanë shoqëritë e superpotentëve. Këshilla ime; rrini larg sërës së cilës nuk i përkisni.


Freri

Fre i vihet qenit
të mos kafshojë botën.
Fre i vihet kalit
të mos thyejë rrotën.
Fre i vihet makinës
të mos vrasë gjëkafshë.
Fre i vihet njeriut
të mos bëhet kafshë.


M’ e bukura...

Dashuria m’ e bukur është ajo që s'kemi shprehur,
Pushka m’ e bukur është ajo që s'kemi shkrehur,
Dhurata me e bukur është ajo që s'kemi dhënë,
Thënia m’ e bukur është ajo që s'kemi thënë,
Toka m’ e bukur është ajo që s'kemi lëruar,
M'i bukuri det është ai që s'kemi lundruar,
Burri m' i mirë është ai që s'eshte tredhur
Dita m' e bukur është ajo që ende s' ka erdhur,
M' e bukura pasuri është ajo që s’kemi vënë,
Vëndet më të bukura janë ato ku s’kemi qënë.


Gjenerator i Dashurisë

Botën nuk e ndriçon drita
por Buzëqeshja jonë.
Bota s'ngrohet në diell,
ngrohet në zemrën tonë.
Jeta vjen prej njëri-tjetrit,
ëmbëlsia e fjalës
bën të rrojë gjithësia.

Gjenerator i të gjithave
është vetëm dashuria.


Çfar dua të shoh

Unë jap gjithëçka
Të shoh Diellin kur perëndon
Të shoh Hënën e plotë që natën driçon
Të shoh yjet si perla në qiellin e lartë
Të shoh vashën me fytyrë të artë
Të shoh një kalë që vrapon në arë
Të shoh si thithet ujë në tokën e tharë
Të shoh virgjëreshën e ç'virgjëruar
Të shoh tokën djerrë të punuar
Të shoh gjurmën e gjarpërit mbi shkëmb
Të shoh pilivesën që dashuron përmbi gjëmb
Të shoh krahët e shqipnjës të shtrirë
Të shoh barin e njomë që sapo ka mbirë...
Dua të shoh gjithëçka që më kënaq
Por nuk dua të ndalem me kaq
Dua të të shoh ty e dashura ime
Zveshur në natyrë, mbuluar me ledhatime!


Qetësia

Një pyll që rritet s'bën zhurmë,
pylli që pritet bërtet e rënkon shumë,
Një yll që këputet vetëm ndriçon,
kush s'ruan vëndin, rrëmujë krijon.
Ashtu ështe edhe jeta jonë,
vetëm qetësia, forcën tonë tregon.


E ardhmja

Edgar Cayce (1877-1945)
Mbahet një nga psikollogët më të mëdhenj amerikanë.


Për kohën që vjen mendojmë të gjithë
dhe ekzakt askush ate nuk e di.
Kam një ide, me të ardhmen do ta lidh,
kushdo mua le të më besojë,
kjo do të jetë e sigurtë se kam përvojë.

Pabesia do të shtohet shumë në jetë,
pangopësia do të ulet si një mbret,
dashuria dhe martesa do të jenë hedhur,
burrat si dërrat do të jenë tredhur,
gratë do të përkëdhelin ëmbël mace e qenë,
imoraliteti me kafshët do të marrë dhenë.


Të lidhur pas hunjëve të jetës...

Çfar është në këtë anë të botës ku ne jetojmë?
Shpesh besime të kufizuara, qëndrime, pozicione, etj.
që prindërit tanë dhe të tjerët me to na brumojnë.
Ne, të lidhur si këlyshët e elefantëve në cirk
që lidhen pas shkopinjëve të drunjtë,
cirkut të jetës nuk i largohemi dot
megjithëse kemi aq fuqi sa ti këputim hunjtë.


Disa Keshilla

Fitorja m’ e madhe
është ajo ndaj vehtes
dhe jo lufta dhëmb për dhëmb
e sy për sy.

Të zotrosh mëndjen
do të thotë që mendja
të mos të zotërojë ty.

Vlerën e ujet e njeh në thatsirë
dhe vlagën e dheut
e njeh në bimën e mbirë.

Unë s'mund të ndryshoj botën
si një person që jam
por mund të ndryshoj
veten time që në dorë e kam.

Mëndja është si parashuta
ajo punon vetëm nëse hapet.

Pa një zemër të pasur
mëndja është lypsare
që në postin e lypjes kalbet.

Udhëheqsit e mëdhenj
u flasin zemrave dhe jo mëndjeve.
E vërteta frikson nuk gjykon kuturu.

Më mirë të ndalesh tekat e tua
e jo armiqtë e tu.

Piksynimi i jetës
është një jetë e qëllimtë dhe e plotë.
Provoni të bëni ato gjëra që mendoni
se nuk mund ti bëni dotë.


Njerzve si derra

Më lini të qetë nga Zoti të vdes
O ju që gjithëçka hetoni tek unë,
Ju që kënetave laheni çdo mëngjez,
Ju që si dërrat me batakun keni punë!

Ju lutem, më lini të vdes i qetë.
Paçi Perëndine mos më gjurmoni mua,
Punët e mija kush i di më mirë se vetë?
Mënd e pordhë nga ju zagarë nuk dua!

Çfar kërkoni nga une o njerez si dërra,
Gjë nuk leni pa gërmuarë tek mua?


Dembeli

Satirike

Një ditë teksa po rrija përkrah avllisë
Pashë djalin që me vrap ju afrova shtëpisë
Mendova se ndonjë punë urgjente do kish ai
Menjëherë i shqetsuar hyra dhe un’ në shtëpi
Ç'të shoh! Ai me pultin e TV nëpër duar
Kërkonte një kanal me frymën e pezulluar
Ja, mendova, se ç'na qënka tërë ky nxitim i tij!
U largova më i shqetsuar se problem të kish ai

Një ditë tjetër e pashë luante me video game i zveshur
Pasi i djersitur si fëmijë lunte duke zgërdhir e qeshur
Ditë të tjera bën chat me fëmijë në internet
Pa e çarë kokën për vrasjen e jetës së vet
Dhe kështu ditët e netët e tij vazhdojnë bosh
Nga trupi shkon përpjetë e nga mëndja përposh.

Një ditë dëgjova kur një gocë ja thoshte në sy
Se mëndja e tij e lehtë i ndante ata të dy
Ajo kishte ndërmënd të mësonte shumë mirë
Jo si fëmija që tek gjiri i nënës shkon për të pirë
Bile, edhe të punonte, të mos i bëhej barrë shtëpisë
E të mos qante tek nëna e saj për të pirë sisë
Zullapi im dëgjonte pa përpjekur të bënte dredha
Si një bebush që vjen nga kopshti apo çerdha.

Nëse do më pyesni se sa vjeç është ky djalë
Po ju them, tridhjetë e ca vite më parë ka dalë!


Ku shkove diktaturë?

O ti katile, mizore, ti xhelate pa maskë,
Ti që vrave e preve aq sa munde,
Ku vajte, ku u fute, në ç'vrimë a vaskë
Ti që për pesëdhjet vjet na hoqe për hunde?!

O ti satrape, gogol e lugete e varreve,
Ti që "armiqtë" i fute nëpër burgjet ferr
Dhe "miqtë" i nxorre me shkelma arave
Duke u thënë se po ju bënje nder!

Ti lanete plot me xhindë kuqaloshë,
Ti shushunjë, kërpushë që s'ngopesh dot,
Në ç'vrimë je futur që s'të vemë përposhë?

“Jam mes jush, nuk më shikoni?!
Thërrisni veten tuaj kurdoherë
Nëse vërtetë të më gjeni doni!

Poetët

Poetët s'janë si kënetat e moçalit,
Janë burime që rrjedhin në ç'do krua.
Ata ujën e nxjerrin nga zëmra e malit
Pa vjedhur o marrë askujt hua!
Poetët na shuajnë etjen si burimet;
Buza që laget prej tyre s'thahet kurrë;
Nuk lodhen ti afrojnë natës agimet
Prej shpirtit të tyre që rjedh si gurrë.

Çuditë

Një grua ka ngelur pak me barrë,
Një anije mbytet në detin e tharë,
Një qose ka lënë mjekër të gjatë,
Nje qorr vrapon vetëm nëpër natë,
Një qeros se qethin dot dy berberë,
Një mi mbars macen kur pi verë,
Një burrë ka hyrë andej nga ka dalë, *
Një nga ju a çuditet për këtë vallë?!

*Një milion turistë e vizitojnë duke i hyrë e dalë në bark, për çdo muaj, gruas me emrin Statue of Liberty në Liberty Island, New York.


Impressum

Tag der Veröffentlichung: 23.09.2010

Alle Rechte vorbehalten

Nächste Seite
Seite 1 /