To My Children, Ermal & Erkend
(Joni and Kendi)
By Agim Bacelli, New York, May 11, 2008
How time flies! One day I will not be with you. I hope that you are OK anytime when you will read this book, which I am dedicating to you with so much love and longing. I hope you will be together. It has been always my concern that you have got each other, no matter what happens in life. You have to know that this means a lot to me.
In the intervening years since I’ve written this book and you are reading it now, I hope that our world has changed for the better. I hope that there haven’t been any more wars, and that you’ve been safe from them if there have been any. I hope that the people you love most in your lives know that I’ve taught you to be very strong in life, so your life would be easier.
I hope that you’ve found someone truly special to spend your lives with, and they appreciate and enjoy you every day, as I did. You truly were my life, and I believe time will tell whether or not you know this.
I hope that always you will be just a phone call away from each other. You were always a wonderful big brother, so protective and caring. I hope that you will never forget to teach your own children how important is having a sibling.
I have the feeling that some crazy little things in your life, were done out of your huge sense of curiosity and wonder. Hopefully, you did not have your heart broken to often. I was there for you. I was lucky in my life to have had you.
Joni & Kendi! I was always so proud to be your father.
There was no one who could do better or be better at anything, smarter, cuter, and prettier, than my children. You rocked my world.
Love, your father Agim
Parathënie
Si do të ishte jeta pa të qeshurën? Vështirë të përfytyrohet, por një gjë është e sigurt: nuk do të ishte kaq e bukur. E qeshura lind bashkë me njeriun. Shumë njerëz i ka munduar enigma e të qeshurës së foshnjës disa muajshe, që nuk kupton asgjë nga bota; nuk di të thotë asnjë fjalë, megjithatë di të qeshë. Disa thonë se në ato çaste foshnja qesh me engjëjt. Ku dihet? Ndoshta në ato çaste i vjen ndërmend ndonjë anekdotë “e thekur” që ka dëgjuar, kur ka qenë në bark të nënës. Jo vetëm kaq; jeta e njeriut merr fund pikërisht kur ai harron të qeshë. Ndaj duhet të falënderojmë Krijuesin e t’i themi: “Të falemi! Nuk duam të na japësh asgjë tjetër, na ke dhuruar një pasuri të tërë, të qeshurën, kripën e jetës!”
Deri këtu nuk po them ndonjë gjë të re. Nuk është e re as thënia se në humor marrëzinë nga zgjuarsia e ndan vetëm një fije. Në këtë teh të mprehtë ka ecur autori i këtij libri dhe ia ka dalë me sukses. Çdo shkrim që do të lexoni në këtë libër, do t’ju sjellë së paku një buzëqeshje dhe jo rrallë të qeshura me lot.
Anekdotat, skicat, rrëfimet, dialogjet e këtij libri janë testuar më parë në publik: Agim Bacelli ka patur mirësinë që për vite me radhë, ta ndajë humorin me miqtë më të afërt, duke ua përcjellë nëpërmjet internetit. Them “mirësinë” sepse ai e njeh efektin kurativ të humorit dhe të qeshurës, që të zgjat jetën. Eshtë një “kredi pa interes” që e ka investuar tek të tjerët, për t’u sjellë çaste gëzimi dhe kënaqësie. Tani po bën të njëjtën gjë me ju, lexues.
Ilir Buzali
Test parlamentar
Sipas akuzave që i bëjnë njëri-tjetrit parlamentarët shqiptarë, del se:
65% e deputetëve janë hajdutë,
11% janë kurvarë,
10% janë “të tredhur politikisht”,
4% janë idiotë,
3% janë vrasës,
3% janë spiunë të papërcaktuare se të kujt,
2% janë grekë,
1% sërbë, dhe
1% terbeshë (maqedonas).
Të gjithë këta bëjnë 100% të Parlamentit Shqiptar.
Nëse nuk u besojmë këtyre shifrave, atëherë del se parlamentarët shqiptarë janë shpifës dhe se Parlamenti Shqiptar drejtohet nga shpifës!! Nëse u besojmë akuzave të mësipërme, atëherë parlamentarët janë ata që akuzohen. Kujt t’i besojmë?
Dy Statujat
Na ishte një herë e një kohë një vend në mes të Tiranës ku qëndronin dy statuja të mëdha ballë për ballë njëra-tjetrës. Të dyja statujat qenë ngritur në një nga vendet më të rrahura nga njerëzit dhe në mes të gjelbërimit të dy parqeve. Njëra statujë ishte ngritur tek një park fare i vogël, që kufizohej nga Muzeu i Arteve, Hotel Dajti dhe Bulevardi i Madh. Tjetra statujë, ishte ngritur tek “Parku Rinia”, që ishte jo fare i vogël dhe që kufizohej me Ministritë, Shallvaret, Lanën dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”
Monumentet, siç e thamë më lart, i ndante në mes bulevardi më i madh në Shqipëri, i cili, një natë dimri e mori emrin “Dëshmorët e Kombit” pas një badërdie e kasaphane të paparë në këto anë.
Statujat ishin ngritur të dyja në piedestale të larta, që arrinin lartësinë mbi 10 m. Statujat tregonin dy burrat më të mëdhenj të B.S. Njëri burrë-statujë ishte qeroz me kapelen në dorën e majtë dhe dorën e djathtë e mbante të fshehur në gjoks midis kopsave të jelekut, nën kapotën e rëndë dimrore. Ai dukej tepër energjik dhe të jepte përshtypjen se po lëvizte. Tjetra statujë, qe një burrë ushtarak hijerëndë, truprëndë, vështrimrëndë, mustaqelli dhe i veshur po ashtu me rroba dimërore. Njërën dorë e kishte të shtrirë si shpatë drejt kalimtarëve në Bulevardin e Madh dhe dorën tjetër, po ashtu si statuja përballë tij, e mbante të fshehur në gjoks, nën kapotë.
Sa herë kaloja atje, po të ishte behar, ata do më kujtonin dimrin dhe po të ishte dimër, do mendoja se ata “fatzinj” kanë vetëm dimër!
Sa herë i shikoja duart e tyre të fshehura, më kujtohej shprehja popullore, “ata hedhin gurin dhe fshehin dorën!” Hijerëndi dukej sikur i kërcënonte kalimtarët që bënin xhiron e mbrëmjes: “Ç’bëni, o shqiptarë të marrë që si kali në lëmë vini vërdallë?! Shumë liri ju ka dhënë ky Enveri im!” Ndërsa statuja tjetër përballë dukej sikur thoshte: “O Stalin, pse shqetësohesh kot, lëri shqiptarët dembela të lodhen pak në xhiro, pasi ata i kanë bërë mutin punës.”
Po le të tregojmë badërdinë e kasaphanën, pa u zgjatur shumë, që ata të dy bënë një natë. Ajo badërdi nuk do të harrohet kurrë, derisa sa të regëtijë edhe shpirti i shqiptarit të fundit mbi dhe!
Një natë tek ata vjen një Engjëll dhe u thotë: “Kam vendosur t’ju sjell në jetë vetëm dhjetë minuta, bëni kujdes që të mbaroni punë për çfarë ju ka ngelur më shumë merak ngatërë këto vite që shikoni dhe nuk veproni dot këtu në Tiranë.”
Statuja e Leninit iu lut Engjëllit që t’ua zgjatë jetën edhe pak minuta më shumë si dhe t’u japë atyre çfarë ju nevojitej gjatë minutave të jetës. Për këtë, kjo statujë u lut që Engjëlli t’i sjellë ata në jetë, një ditë të shtunë.
Ndërsa Stalini i tha se si kohë sigurisht është shumë pak, por nuk është ndonjë problem i madh. Ai kërkoi vetëm një mitroloz me municion dhe asgjë tjetër.
Engjëlli i pranoi kërkesat e tyre, por kohën 10 minuta nuk pranoi ta rritë.
Erdhi e shtuna dhe fiks në orën 7:00, kur bulevardi mes tyre ishte plot e përplot me njerëz, Engjëlli zbriti në tokë dhe u dha të dyve jetë. Të parit i dha jetë Leninit, i cili menjëherë u bëri thirrje kalimtarëve që të shkonin në aksionin “E Shtuna Komuniste”. Shqiptarët qeshën me qesëndi dhe ashtu të qeshur e ngjeshur, disa prej tyre, megjithëse të mërzitur në kulm, iu bindën Leninit dhe shkuan në aksion. Me kokën ulur rrëmbyen kazmat dhe filluan të këndojnë e punojnë.”
Pas dhjetë minutash i dha jetë Stalinit, i cili i vrau të gjithë ata që nuk kishin ikur akoma në aksion, por vinin vërdallë në bulevard. Gjaku rrodhi rrëke dhe shkoi deri tek këmbët e statujës së Skënderbeut. Ai, hypur mbi kalë pa gjithçka, dhe me lot në sy, iu lut Engjëllit ta ngjallë të paktën vetëm për pesë minuta që ta shpëtonte Shqipërinë dhe djemtë e saj të ngelur pa një zot. Engjëlli nuk pranoi që ta ngjallte Skënderbeun sepse Shqipëria e kishte një zot; djalin e bukur të dy statujave.
Thonë, që nga ajo ditë edhe emri i bulevardit më të madh shqiptar mban emrin e atyre fatzinjve që u vranë për hiçmosgjë nga Stalini dhe në sytë e Kryetrimit Shqiptar, në sytë e Skënderbeut që për herë të parë u tregua shumë i paaftë.
Ndeshja Shqipëri - Greqi
Në përbërje të ekipit mbrojtës shqiptar bënin pjesë edhe Alfred Moisiu, Luan Memushi, Bashkim Zeneli, Filip Rrumbullaku dhe Roland Bimo.
Sulmi i ekipit grek përbëhej nga Kostandin Stefanopulos, Mariori Marieta Xhanaku, Evripis Stilianidis, Pantelis Karkabasis dhe Konstantinos Ailianos.
Loja fillon.
Kostandin Stefanopulos merr topin dhe sulmon portën shqiptare në qendër, atje ku ishte Alfred Moisiu dhe ndalet para tij duke i thënë: “Gomar! Po nuk më hape rrugën për në portë unë do të vras!” Moisiu mbledh me të shpejtë mbrojtjen e tij dhe konsultohet. Të gjithë janë në një mendje që Kostandin Stefanopulos të mos ndalet, se është miku ynë, por topi i tij të mos lejohet të hyjë në rrjetë! Kështu që ata bëjnë nja gardh në portë. Kostandin Stefanopulos gjuan fort. Gjuajtja ishte fatale sepse prek në kokën tullace të një mbrojtësi shqiptar, i cili vdes në vend.
Porta shpëtoi për mrekulli nga goli. Stadiumi “Qemal Stafa” brohoret me të madhe, sa oshëtin e tërë Shqipëria: “FITORE!!”
Kostandin Stefanopulos me keqardhje i afrohet një mbrojtësi të vet dhe e pyet: “Pse bërtasin kaq shumë këta shqiptarë? A nuk e shikojnë që ne vramë një nga ata?!”
Greku i zgjuar ia kthen përgjigjen: “Shqiptarët kanë më të shenjtë portën se sa kokën.”
Kostandin Stefanopulos kruan kokën dhe thërret: “Atëherë le t’i vrasim të gjithë shqiptarët dhe topin ta futim në portën tonë, kështu që ata do të dehen nga fitorja!”
Djali i Vogël, Zoti dhe Nano
Një djalë i vogël nga Poloska e Devollit, i lutej të atit përditë që t’i jepte 10.000 lekë të vjetra. I jati ia preu shkurt, “Mos u lut kot, s’të jap asnjë qindarkë!”
Djali shumë i mërzitur vendosi t’i shkruajë letër Zotit dhe kështu bëri.
Mori një fletë të bardhë letre dhe shkruajti me gërma të mëdha “I dashur Zot, babi nuk më jep asnjë lek të ble një palë atlete dhe unë eci zbathur. Të lutem më jep 10.000 lekë (të vjetra) të ble një palë atlete dosido. Të puth Maksi nga Poloska.”
E mbylli letrën në një zarf, i vuri dhe një pullë dhe po mendohej se ku do të jetë adresa e Zotit. E vrau sa e vrau mendjen e më në fund shkrojti “Merr Zoti Perëndi, Tiranë Shqipëri” dhe e hodhi në postë.
Postieri, të cilit i ra kjo letër në dorë, qëlloi njeri jo shumë i zgjuar dhe mendoi: “Perëndi dhe Zot për ne është Nano dhe unë do t’ia dërgoi atij.” I vuri adresën e Kryeminstrit dhe e nisi.
Nanos as i ra fare në dorë kjo letër, por e mori një nga ata dhjetra zyrtarë të tij që merren me letrat e popullit në kryeminstri. Zyrtari pasi e lexoi letrën, u vu në siklet të madh sepse s’mund t’i nxirrte nga xhepi ato 10.000 lekë që kërkonte ai vogëlush, kështu që vendosi t’i tregojë zotit Nano, i cili sapo e pa letrën, futi dorën në xhep dhe nxori një 1.000 lekëshe e ia dha zyrtarit duke i thënë “Jepja nga unë këtij vogëlushi këto 100 lekë” dhe iku tutje.
Zyrtari i nisi një letër djalit të vogël dhe i futi brenda 1.000 lekët e Kryeministrit dhe në fund vuri shënimin “Dërgon Fatos Nano. Djali, kur mori 1.000 lekëshin që ishte me emrin e Nanos, mendoi: “Zoti më ka dërguar mua 10.000 lekë por, Nano ka mbajtur 9.000 lekë si taksë shteti dhe më dërgon mua vetëm 1.000 lekë. Do t’i ankohem Zotit që Kryeministri jonë është një hajdut!”
Inteligjenca në politikën shqiptare -Test
Zoti Fatos Nano bëri një vizitë të shkurtër në Itali dhe takoi Presidentin italian, zotin Çampi. Pas përshëndetjes së zakonshme, presidenti italian i bëri një pyetje zotitNano: -Ju e flisni mirë italishten, a mund të më thoni se çfarë do të thotë në gjuhën tonë mbiemri juaj, z. Nano? -E di, zoti President, por ky mbiemër nuk ka të bëjë fare me italishten. Nano në shqip do të thotë “dorëdhënë”!
-Në fakt edhe xhuxhët janë “dorëdhënë,” -ndërhyri presidenti italian, -por... unë dua të di nëse ju në Shqipëri bëni teste të inteligjencës në politikë? Më pas Çampi i kërkoi Nanos të dijë se kush është filozofia e udhëheqësit sipas tij, Nano iu përgjigj se kjo është në vartësi të personit dhe inteligjencës së tij. Në këtë pikë Nano pyeti se si mund të gjendet se sa inteligjent jam. -E kuptoj. Për këtë duhet bërë një pyetje e drejtë, -përgjigjet Çampi. -Më lejoni, zoti Nano ta demostroj atë.
Presidenti italian atëherë i telefonoi Berluskonit duke i thënë: -Zoti Kryeministër, ju lutem përgjigjuni kësaj pyetje: Nëna juaj ka një fëmijë dhe babai juaj ka një fëmije, ky fëmijë nuk është as motra dhe as vëllai juaj. Kush është? Berluskoni përgjigjet shpejt dhe saktë: -Sigurisht që jam unë!-Faleminderit dhe mirë u dëgjofshim, -tha Çampi. Bashkëshortja e presidentit ndërhyri dhe e pyeti Nanon: -E keni kuptuar, zoti Nano? -Sigurisht. Faleminderit shumë. Kështu do të bëj edhe unë si ju, sapo të mbërrij në Tiranë. Kur Nano mbërriti atje, vendosi të parin të verë në provë kryetarin e Parlamentit, zotin Dokle. Telefonoi atë dhe e pyeti: -Kërkoj të di përgjegjen e një pyetje.
-Sigurisht, cila është pyetja? Për ndonjë lloj pije?
-Hëm, nëna jote, or Dokle, ka një fëmijë dhe babaj yt sigurisht që ka një fëmijë dhe ky fëmijë nuk është as vëllai dhe as motra jote.Kush është?
Kryetari u mendua pak dhe pastaj i zënë shumë ngushtë tha: -Më ler të mendohem mirë dhe pastaj të jap një përgjigje të saktë. Nano ra dakort dhe Dokle shkoi të organizojë një mbledhje me deputetët e tjerë të PS, të cilët e shtrydhën trurin për orë të tëra, por askush nuk dha ndonjë përgjigje të saktë.
Në këtë pikë Nano vendosi të thërrasë Ramiz Alinë e t’i shpjegojë situatën. -Të lutem dëgjo pyetjen, shoku Ramiz: Nëna jote ka një fëmijë dhe babai yt ka një fëmijë dhe ky fëmijë nuk është as vëllai dhe as motra jote; kush është?” -Jam unë! -bërtiti sa kishte në kokë Ramizi. - Jam unë sepse Shqipëria s’ka patur kurrë një fëmijë kaq të vlefshëm sa mua. -Dale, dale, shoku Ramiz... Më vjen keq,... Ju shoku Ramiz i ngatërroni gjërat.... Kjo pyetje s’është aq e thjeshtë, se kush do të jetë ky fëmijë?! Si përfundim Nano shkoi tek Meta dhe i tha: -Zoti kryeministër,... babai juaj... -dhe me radhë...blla, blla, blla... -Kush është? -Jam unë, se nuk kam vëlla, -tha Meta.
Nano ngeli i pakënaqur dhe i tha: -Tërë shqiptarët janë budallenj. Eshtë Berluskoni i Italisë.
Kanibalët dhe Peshkaqenët Shqiptarë
Një herë një grup kanibalësh kishin vendosur që të hanin zyrtarë nëpër zyrat shqiptare në ministritë e Shqipërisë. Kryetari i i tyre i mblodhi dhe u tha këto fjalë:
-Shkoni djemtë e mi të hani VIP-ër, me një fjalë “peshq të mëdhenj” dhe jo cironka. Njëkohësisht, nga VIP-at mos prekni Presidentin dhe Kryeministrin! Qartë? Nëse nuk zbatoni këtë urdhër, do ta paguani me jetën tuaj! Nisuni e ju vaftë mbarë!
Grupi i kanibalëve u nisën me dhëmbët e mprehur dhe me këngën në gojë për të ngrënë mish njeriu:
Hej, ju, o peshkaqenë shqiptarë! Mjaft më, është radha jonë sot! Do t’ju hamë duke ju lënë pa varre, kurrë të mos ringjalleni më dot!..
Më në fund arritën tek zyrat e Ministrive Shqiptare dhe e filluan me radhë të hanë ministra, zv. ministra, drejtorë drejtorish, këshilltarë të lartë dhe bosa të tjerë që e kalonin kohën nëpër kafenetë dhe nëpër sallat e thashethemeve.
Një kanibali të ri i vajti syri tek një punonjëse e thjeshtë dhe shumë e bukur, por mbi të gjitha e njomë dhe e tipit “shumë e shijshme” që punonte me kokën ulur dhe “peshkaqenë” të markave të ndryshme i vërtiteshin rreth e rrotull. “Po sikur ta ha këtë? - mendoi kanibali. -Besoj askush nuk do të më shohë, që të më raportojë tek shefi”. Kështu mendoi dhe kështu veproi. E bukura përfundoi në stomakun e kanibalit.
Kur kanibalët kishin mbaruar punë, dëgjuan që u dha alarmi dhe thirrjet “Një punonjëse e re mungon! Mbyllni të gjitha dyert dhe bëni kontrolle se ku mund të jetë!” Një ushtri e tërë rrethoi të gjitha ministritë dhe e bëri të pa mundur daljen e kanibalëve. Kanibalët e frikësuar u mblodhën në një qoshe dhe duke u dredhur e qarë filluan të diskutojnë se ku ishte gabimi i tyre, që ranë në sy. Më i vjetri i tyre u hodh e tha: “Kush nga ju ka ngrënë ndonjë punonjëse të thjeshtë? A nuk ju paralajmëroi shefi jonë për këtë?”
Kanibalët u arrestuan dhe me një gjyq të shkurtër u dënuan me nga 15 vjet burg secili. Aktakuza ishte: Kanë ngrënë një punonjëse të vogël të Administratës së Lartë Shqiptare! Asnjë fjalë nuk u tha për ministrat, zëvendësit e tyre, drejtorët, etj. pezzo grosso sepse mungesa e VIP-ave nuk ndihet kurrë në punët e Shqipërisë.
Çupka nga Devolli
Një devolli i vjetër kishte harruar hapur zinxhirin e pantallonave. Ai po ecte rrugës kryesore të Bilishtit. Papritur dëgjoi një të qeshur femre. Një vajzë e bukur po qeshte pikërisht me të. Për një moment devolliu u turbullua, por më pas e mori veten dhe e pyeti çupën e bukur: “Mos kam lënë gjë dyqanin hapur që argalisesh me mua?!”
Vajza qeshi akoma më shumë dhe ia ktheu serbes: “Jo zotëri, ju keni harruar zgjidhur koliben e qenit, por me sa duket, qeni juaj duhet të jetë aq plak sa nuk të kafshon dot!”
Devolliu, i cili nuk e dinte se e kishte hapur zinxhirin e pantallonave, u vu në mendime. Mendoi se vërtet mund ta kishte lënë koliben e qenit hapur dhe nxitoi hapat drejt shtëpisë. Kur mbrriti atje, e gjeti qenin të lidhur brenda kolibes së mbyllur! Atëherë ai mendoi se vajza e kishte me të hedhur dhe u kthye përsëri në rrugë për t’u hakmarrë.
Për fat, vajza ishte akoma në rrugë duke ecur e shkujdesur. Devolliu e arriti dhe i tha: “Moj çupkë e bukur pe Devolli, mos patë gjë ndonjë ushtar që bënte roje atje në ballë të kolibes së qenit tim?”
Devolleshka u mendua pak dhe ia ktheu: “Jo, seriozisht nuk pashë ndonjë ushtar. Atje pashë një veteran lufte të shpartalluar nga lufta dhe vitet!”
Qethje falas
Një ditë tek një berber gjirokastrit erdhi të qethet një prift. Si mbaroi punë, prifti desh të paguante, por berberi nuk pranoi dukei i thënë se ai i shërbente Zotit. Të nesërmen berberi gjeti tek dera e dyqanit dhjetë bibla.
Një ditë tjetër erdhi të qethet një polic. Edhe polici provoi ta paguajë, por berberi nuk pranoi duke i thënë, se ai është ditë e natë në shërbim të qetësisë dhe ruajtjes së popullit. Të nesërmen berberi gjeti tek dera e dyqanit të tij disa petulla të ngrohta që policit ia bënte e ëma për t’i ngrënë në punë.
Një herë tjetër tek berberi erdhi për t’u qethur një avokat. Berberi nuk i mori para as avokatit, duke i thënë se avokatët i shërbejnë Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Të nesërmen tek dera e dyqanit, berberi gjeti në radhë tërë avokatët e qytetit të tij!
Budallai, më i mençur se i zgjuari
Një herë ka ndodhur kjo histor jo shumë e zakonshme; del drejtori i spitalit të të sëmurëve mendorë për të shkuar në shtëpi. Kur arrin te makina e tij në oborrin e spitalit, sheh se njërën rrotë ia kishin vjedhur. Drejtori nxjerr rrotën rezervë, por i mungonin bullonat për ta shtërnguar dhe mbetet duke shikuar nga rruga, nëse dikush do t’i vijë në ndihmë.
E vret mendjen se ç’mund të bëjë, por pa asnjë rezultat. Drejtori i zgjuar ngeli në rrugë i rrethuar vetëm nga budallenj. Nga një cep i oboorit të spitalit, një i sëmurë mendor i thotë: “O zoti drejtor, nxirrua të tri rrotave nga nji bulonë dhe bëji të gjitha rrotat me nga tri bullona, dhe kështu mundesh ta zgjidhësh problemin”.
Drejtori mbetet i habitur nga zgjuarsia e pacientit të tij.
Ku është më mirë, në Punë apo në Burg?
(Këtu bëhet fjalë për zyrtarët amerikanë dhe jo shqiptarë) Sidoqoftë, ju kurrë nuk mund të jeni në të njëjtën kohë, në Punë dhe në Burg. Prandaj ju duhet të vendosni qartë se ku do të qe më mirë të ishit.
NË BURG... ju harxhoni pjesën më të madhe të kohës në qeli, e cila është me këto përmasa: 2x3m.
NË PUNË... ju pjesën më të madhe e kaloni në kubikun tuaj që ka përmasat 1.5X2m.
NË BURG... ju merrni tre herë në ditë ushqim dhe falas.
NË PUNË... ju keni vetëm një pushim për të ngrënë dhe duhet të paguani për të.
NË BURG... ju keni shumë kohë pushim dhe nuk ju kërkohet të bëni asgjë për të fituar kohë të lirë.
NË PUNË... ju duhet të punoni shumë që të fitoni një kohë të lirë.
NË BURG... dera juaj hapet e mbyllet nga roja.
NË PUNË... duhet të mbash me vete një kartë sigurimi që të hapësh derën; nëse nuk e ke atë, ngelesh pas derës.
NË BURG... ju mund të shikoni TV ose të luani lodra.
NË PUNË... ju do të përzihesht nga puna nëse do të kapeshit duke parë TV ose duke luajtur lodra.
NË BURG... ju keni banjën tuaj.
NË PUNË... ju keni një banjë me shumë të tjerë dhe ndoshta ndonjë idiot mund të pshurrë në vendin ku ju vini bythën!
NË BURG... do t’ju lejojnë t’ju vijnë për vizitë nga familja ose shoqëria.
NË PUNË... ju as mund të telefononi dot familjen, pa le që t’ju vijnë t’ju shohin në zyrë!
NË BURG... taksapaguesit paguajnë të gjitha shpenzimet tuaja.
NË PUNË... ju do të paguani për gjithçka, bile do t’ju mbajnë taksa edhe për të paguar për të burgosurit.
NË BURG... ju kaloni shumicën e kohës brenda, prapa banakëve duke pritur që të dilni jashtë banakëve.
NË PUNË... ju mezi prisni të dilni jashtë, që të shkoni të rrini diku prapa banakëve.
NË BURG... ju mund të merreni vesh me shefat tuaj në çdo kohë.
NË PUNË... ju nuk keni shefa për të bërë marrëveshje, por keni vetëm drejtues që ju thonë çfarë duhet të bëni.
Tani, ju lutem, zgjidhni se ku duhet të shkoni?
Anyway. Have a Great Day at WORK!!
Mburrja
Një ditë mësuesja e një klase të ciklit të ulët të shkollës fillore në Progonat të Tepelenës i porositi fëmijët që të mbledhin nga një histori me moral nga familjet e tyre dhe t’i tregonin në klasë ditën tjetër.
Të nesërmen në klasë filluan të tregohen historitë e sjella nga fëmijët. I pari që e mori fjalën ishte Agroni: “Babai im është një rritës i mirë i pulave. Një ditë ai mori një shportë të madhe dhe mblodhi shumë vezë e i futi në të; pastaj mori “dumdumin”, (një traktor i vogël), dhe u nis për në market që t’i tregtojë. Rrugës “dumdumi” i babit u përplas lehtë me një “dumdum” tjetër, atje ku ishte shporta dhe të gjitha vezët u thyen. Morali i historisë është, mos i futni të gjitha vezët në një shportë.”
Mësuesja u kënaq dhe së bashku me nëxënësit e tjerë e duartokitën Agronin.
Pastaj e mori fjalën Maria: “Edhe ne jemi fermerë. Ne kishim 20 vezë për t’i vënë klloçkës (pula që çel zogjtë) dhe prisnim të na dilnin 20 zogj pule. Pas 21 ditësh shikojmë se vetëm 10 vezë çelën zogj! 10 vezë kishin qenë kllënqka, (të prishura).
Morali i kësaj historie është, të mos i numurojmë zogjtë që në vezë!”
“Shumë bukur,” tha mësuesja dhe të gjithë e duartrokitën Marien.
Pastaj e mori fjalën Luftëtari, ai e filloi historinë kështu: “Babi më ka treguar shpesh këtë histori për motrën e tij, pra për hallën time. Ajo ka qenë partizane dhe ka luftuar me trimëri. Njëherë, kompania e saj u rrethua nga gjermanët dhe nuk kishte për partizanët asnjë rrugëdalje. Komandanti u tha që të luftonin si luanë dhe të vdisnin si trimat, se shpëtim për ta nuk kishte! Halla ime mbante gjithmonë me vete një pagure me raki, një mitraloz dhe një jatagan turk që e kishte patur gjyshi.”
“Jepi Luftëtar, se qenka histori e bukur,” i tha mësuesja.
E që thoni ju, halla ime ngriti paguren e rakisë dhe e piu të gjithën, pastaj rrëmbeu mitralozin dhe me të në shpinë shkoi dhe hyri në mes të gjermanëve, të cilët kur e panë që halla ime ishte një vajzë e re, e bukur dhe e vetme me mitralozin në shpinë, nuk u trembën, por e lanë që t’u afrohej duke qëndruar vigjilentë! Halla me shpejtësi e hodhi mitralozin në dorë dhe i kositi gjermanët. 100 gjermanë u këputën siç pritet prasi. Shiriti i fishekëve kishte mbaruar dhe ajo e hodhi mitralozin në tokë. Nxori shpatën dhe iu vërsul gjermanëve që kishin ngrirë si të hipnotizuar, duke ua këptur kokat siç këputet bostani! Nja tridhjetë gjermanë ngelën pa koka. Më në fund kur jatagani nuk priste më, ajo e flaku atë dhe iu turr gjermanëve me duar, duke mbytur nja dhjetë! Gjermanët e tjerë ikën nga sytë këmbët, duke u munduar të fshihen. Kompania e hallës shpëtoi.”
“Histori është shumë e bukur, po ku është morali i kësaj historie sipas babit tënd?” e pyeti mësuesja Luftëtarin dhe ftoi fëmijët që ta duartrokisnin.
“Qëndroni larg nga halla ime, kur ajo është e dehur...”
Zoti do ta shkatërrojë Botën!
Bush, Putin dhe Bill Gates u ftuan për darkë nga Zoti. Gjatë darkës Ai u thotë: “Kam nevojë për tre persona të rëndësishëm për të përhapur mesazhin tim tek i gjithë njerëzimi, sepse nesër unë do ta shkatërroj tokën!” Putin menjëherë mblodhi Këshillin e tij dhe u thotë: “Kam dy lajme të këqia; e para që Zoti ekziston me të vërtetë dhe e dyta që nesër Ai do të shkatërrojë tokën!” Bush thirri me urgjencë Senatin e Kongresin dhe u tha: “Kam dy lajme; një të mirë dhe një të keq, lajmi i mirë është se Perëndia ekziston me të vërtetë dhe lajmi i keq është se Ai nesër do ta shkatërrojë tokën!” Bill Gates kthehet tek Microsoft i qeshur dhe i lumtur si pas një Pashke dhe deklaron: “Kam dy lajme fantastike; e para, unë jam një nga tre personat më të rëndësishëm në tokë dhe e dyta se problemi BUG (i virusit) për vitin 2006 është zgjidhur përfundimisht.
Thashë Një!
Për të festuar 25-vjetorin e martesës, gruaja dhe unë, vendosëm të shkojmë diku jashtë kallaballëkut dhe zhurmës së qytetit, pasi gruan e kam nga ato tipa që flet vetëm njëherë në hënë.
Për të bërë këtë udhëtim lexuam në gazetë se është një vend i përshtashëm shumë i qetë në Malin e Tomorrit, diku afër Tyrbes së Kulmakut. Atje ka një motel me një restorant shumë të qetë, i cili vetëm një javë në vit është plot e përplot, në Ditën e Baba Tomorrit, pastaj atje nuk shkon më njeri, vetëm ndonjë çoban a kalimtar i rastit. Për të shkuar atje, ne morëm në Berat dy gomerë me qira dhe u nisëm. Më parë, unë lajmërova radion lokale Tomorri për të bërë të ditur vizitën tonë. Gomerët tanë lëviznin me shumë kujdes dhe ecnin pa u ndalur. Befas gomari i gruas ndali. Gruaja që nuk kishte folur tërë rrugës, thirri me zë sfidanteje: “Thashë Një!” Pas pak gomari i gruas ngeci përsëri. Gruaja foli: “Thashë dy!” Nuk kishim bërë as dy km, kur gomari i gruas ngeci përsëri dhe nuk lëvizte më. Unë i futa një dru prapa dhe ai u çapos përpara, por gruaja këtë radhë bërtiti shumë fort: “Thashë tre!” Pastaj e qetë i zbriti gomarit, nxori një kobure nga xhepi dhe ia mbajti në lule të ballit gomarit të shkretë! Veshgjati ngordhi sakaq. Unë renda t’i vija në ndihmë gomarit e me lot në sy po i fërkoja kokën e skuqur nga gjaku. I kthehem gruas duke i thënë: po ç’na bëre moj lanete?! Gruaja fare e qetë, pasi i fryu grykës së kobures, e futi në xhep dhe ashtu e qetë si përherë m’u drejtua mua, “Thashë një!”
Macja dhe njeriu
Një burrë ishte bezdisur tmerrësisht nga macja e së shoqes. Një ditë mori vendim ta përzejë macen nga shtëpia. E merr me makinë, shkon nja 2 fshtra larg dhe e lë macen aty. U kthye në shtëpi, por sapo hapi derën për të hyrë brenda, macja hyri para tij! Të nesërmen shkon 4 fshtra larg. Kur vjen në shtëpi, macja kishte mbërritur para tij! I mërzitur dhe i nevrikosur e merr macen përsëri dhe e dërgon në cepin tjetër të rrethit. Macja prapë në shtëpi. Ky burri kishte qëlluar tip shumë këmbëngulës, ndaj një të dielë e merr macen me vete dhe niset, kalon një urë, futet në një rrugë fshati, kalon një urë tjetër, futet në një pyll, ngjitet në një mal, shkon ku as vetë nuk e di se ku dhe kur i mbushet mendja se kësaj radhe macja s’kishte sesi ta gjente më rrugën e kthimit, e lë macen në një vend ku iu mbush mendja. Pas 3 orësh merr në telefon të shoqen:
-Eshtë macja aty? -Po, -i thotë e shoqja, -ç’ke që pyet? -Ma nxirr pak në telefon se kam humbur rrugën.
Një ari në mes të Tiranës
Në mes të Tiranës, në një nga baret e shumta që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, një ditë hyri një ari dhe pasi i dha porosinë banakierit, u ul. Kamarieri i shpejtë ia solli me vrap porosinë duke i thënë, mirëserdhët i dashuri ari. Ariu thartoi turinjtë dhe e kapi kamarierin për zverku:
-Dëgjo këtu, spurdhjak! Unë nuk e kam emrin ari, por Panda dhe herë tjetër mos e bëj më këtë gabim, se ta heq kokën. Qartë? -Më fal z.Panda. Kurrë s’do ta bëj këtë gabim. Panda, pasi hëngri dhe piu, pagoi duke i lënë kamarierit një bakshish të mirë. Në dalje e sipër ndaloi dhe qiti një revolver, ia drejtoi kamarierit në kokë dhe qëlloi. Plumbi fluturoi sipër kokës së tij dee goditi në banak një shishe “Raki Rushi Skrapari”, duke e bërë atë copë e cikë. Pastaj tha faleminderit dhe doli jashtë. Tek dera mbrriti pronari i lokalit dhe i tha: -I dashur Panda, ku është e meta jonë që ju qëlluat me revolver në lokal? -Po ku duhet të qëlloja sipas jush? -Asgjëkundi. Armët në Shqipëri janë të ndaluara dhe të qëllosh me të në publik mund të hash 3 vjet burg. -Spurdhjak! Hajde me mua të shkojmë në rajonin Nr. 3 të policisë së Tiranës dhe të shohësh që unë kam lejë për të bërë atë që bëra. E kapi për zverku pronarin dhe shkuan në polici. Tek hyrja e rajonit policor, mbi mur qëndronte një pikturë e madhe dhe e bukur; një Pandë me një shishe birre në njërën dorë dhe në tjetrën një revole e poshtë diçitura:
”Panda, ha, pi, paguan dhe qëllon me revolver.”
-Çfarë bëra unë më shumë në lokalin tuaj se sa thotë kjo pankartë e policisë së Tiranës?! E shikon guak? Eshtë detyra ime të ha, pi, paguaj dhe qëlloj. Tani mbushu dhe mos më pengo më në detyrën time. Të rrojë shefi i Rajonit të Policisë Nr. 3 në Tiranë!
Humor amerikan
Një djalë i ri pasi mori lejën e qarkullimit rrugor, i kërkoi të atit hua makinën që ta ngiste. I ati e mori mënjanë, duke i shpjeguar që marrja në dorë e makinës është një përgjegjësi e madhe, pastaj i tha:
-Le të bëjmë një marrëveshje, bir! Studio pak më shumë, që notat t’i çosh nga B në C, lexo dhe pak Ungjillin, qethi flokët si njeri e pastaj flasim për makinën. Djali u mendua për një moment dhe ra dakord. Kaluan gjashtë javë dhe ai vendosi t’ia bëjë sërisht kërkesën të atit. I ati e merr mënjanë e i thotë: -Bir, jam i kënaqur me ty, notat i ke përmirësuar e të kam parë që çoku lexon dhe Biblën, se të dielave ke filluar të marrësh pjesë edhe në klasën e studimit, por punës së flokëve si i bëhet? I riu i tha: -Baba, jam menduar edhe për flokët, por në bibël kam mësuar që Samsoni kishte flokë të gjatë, Gjon Pagëzori, Moisiu,... të gjithë, deri edhe Jezusi i kishte të gjata... I ati u përgjigj: -Po, or bir, por a nuk lexove ti se ata të gjithë ngado që shkonin, ecnin më këmbë?
Martesa e djalit 6-vjeçar
Një djalë i vogël 6-vjeçar i thotë të atit: “Babi, unë kam rënë në dashuri me çupën që e ka shtëpinë përballë nesh dhe të dy duam të martohemi. Ne e biseduam këtë gjë sot dhe ramë dakort të pyesim njëherë prindërit. Si thua, babi, do të më japësh lejë të martohem me Mozën?”
I ati, një njeri me kulturë të lartë dhe shumë i edukuar, mendohet pak dhe i përgjigjet: “Mirë, biri im, po a e keni menduar gjatë këtë punë?” Djali nuk priti dhe ia ktheu: “Ne kemi një vit që flasim vetëm për martesën tonë.”
Babai i zënë ngushtë, mendohet të gjejë argumenta që djali i tij të mos mendojë për këtë punë. Më në fund i bie ndërment që ata s’kanë shtëpi, s’kanë para dhe s’mund të jetojnë bashkë. Ia thotë këto gjëra djalit, por ai përgjigjet shpejt: “Ne, more babi, e kemi menduar dhe këtë gjë, një javë do të rrimë në dhomën time dhe një javë në dhomën e saj!” I jati u vu në mendime, pasi nuk po gjente dot një argument që t’i mbushte mendjen djalit të hiqte dorë nga ky mendim, më në fund i shkrepi në mendje një ide: “Dakort, biri im, por nëse unë dhe mami bëjmë një vëlla apo motër vitin tjetër, dhoma jote na duhet për bebin?” -Atëherë në do të rrimë në dhomën e Mozës, -ia pret menjëherë djali. -Po sikur dhe nëna e Mozës të lindë? -e pyeti babi. -E kemi menduar dhe këtë gjë. Ne do të rrisim fëmijët tuaj. -Po mirë, po sikur ju të lindni fëmijë? Si do bëhet me fëmijët tanë? -Eh, more babi, po unë nuk jam budalla, sa herë ta shikoj Mozën të rrijë mbi vezë, do t’ia thyej vezët dhe ne s’do të kemi fëmijë derisa të rritemi dhe ca!
Këtu babi u dorëzua dhe filloi të qeshë me të madhe. -Ju qoftë për hajër martesa!
Plaku dhe “papagalli”
Eshtë bërë e modës që disa të rinj e të reja të vishen e ngjyhen e lyhen sikur të ishin shpendë pylli e të sillen në një mënyrë të egër, që të kujtojnë vërtet faunën e një xhungle! Po t’i pyesësh pse vishen kështu, ata të përgjigjen me krenari se u pëlqen e veçanta dhe egërsia!
Një ditë në një stol në një park afër një pazari të madh, ishin ulur pranë e pranë një plak dhe një djalë lara-lara, arna-arna, pala-pala, me flokët e ngrira përpjetë, ca të kuqe e ca jeshile, me fytyrë të verdhë e hundë të kuqe... Ishte aq qesharak djali sa plaku i shkretë mezi po e mbante të gajasurën dhe shtërngohej që të mos shpërthente por, ...nga kjo i shpëtoi një pordhë. Djali e pa me egërsi dhe e pyeti:
-Xhaxho! Çfarë qe ajo që bëre? -Më pyeti për ty... -E çfarë të tha? -Kush je ti... -E ti si i the?
-Unë i thashë le ta pyes, mbase është im bir pasi një herë e një kohë unë isha i dehur dhe bëra seks me një papagalle...
Babi im është magjistar
“Çfarë pune bën babi juaj?” pyeti sekretarja e shkollës një djalë në ditën e parë të shkollës.
“Ai është magjistar, zonjë”, tha djali.
“Sa i zoti është babai juaj magjistar të bëjë magji dhe cila magji është më e preferuara e tij?”
“Ai mund t’i bëjë njerëzit përgjysëm.”
“Çudi!! Tani unë kam një pyetje tjetër. Sa vëllezër dhe motra ke?”
“Unë kam një gjysëm vëllai dhe dy gjysma motra.”
Nuk është babai jot!
Një djalë i ri kishte rënë në bela të madhe, pasi nuk po martohej dot. Sa herë që ai binte në dashuri me një vajzë të mirë e të bukur dhe vendoste të martohej, i ati e këshillonte që të mos lidhej me atë, pasi ajo ishte motra e tij nga babai...
U bënë disa raste që i ati ia prishi djalit dhe më në fund i biri vendosi që t’i hapet së ëmës: “Nëna ime e dashur, unë nuk do të martohem dot kurrë, sepse babai im paska kaq shumë vajza me të dashurat, sa po më duket se gjithë çupat e fshatit qenkan bijat e tij! Çfarë të bëj?
”Mos u shqetëso më, biri im. Merr për grua cilën të mbushet mendja se ai nuk është babai jot i vërtetë.”
Një kauboj në Nju Jork
Një kauboj ndaloi kalin afër një klubi në Nju Jork dhe zbriti për të pirë një birrë e për t’u freskuar pak. Eci tërë pordhë, siç dinë të ecin vetëm kaubojsat dhe posa arriti tek banaku, i ra tavolinës me grusht. -Hej, banaaa-kier! Shpejt një krikëll birrë! Banakieri ia solli me vrap. Kaubojsi e piu birrën me një frymë dhe pasi qiti tërë tangërllëk një pesë dollarëshe e përplasi mbi banak me forcë. -Mbaje kusurin, zuzar! -i tha banakierit. Të gjithë njujorkezët e klubit shikonin këtë mostër. Askush nuk fliste dhe kjo i dha akoma më shumë zemër kaubojsit që të shesë më shumë pordhë. Ashtu siç erdhi me hapa sikur i numëronte, ashtu filloi të dalë nga lokali... Kur vajti tek vendi ku kishte lidhur kalin, ai nuk ishte atje. “Të dhjefsha tangërllëkun”, -i tha vetes. Befas i lindi ideja që të tregohet tamam kauboj. Rrëmbimthi kthehet përsëri në lokal dhe sapo hapi derën, qiti revolverin e qëlloi më tym mbi kokat e njujorkezëve, pa parë asnjë në fytyrë.
-Pandehët se jam një klloun, një lolo? Jam një kauboj i vërtetë nga Teksasi. Vetëm 5 minuta kohë keni sa të pi një birrë tjetër dhe kalin e dua në vend, përndryshe do t’jua bëj siç bëra në Teksas...
Pasi piu birrën me një të ngritur, fshiu mustaqet me kurrizin e dorës së majtë, ia dha një të qeshure të llahtarshme, sa vërtetë atyre që ishin atje u hyri frika. Pistoletën e vuri mbi banak dhe mendoi, “s’paska ndonjë budalla të vërtetë që të vijë e të ma marrë revolverin e të më japë një grusht turinjve e unë t’i ha mutin!” Kaluan pesë minuta dhe kauboj para se të dilte jashtë mori pesë dollarëshin, që pagoi më parë, nga banakieri. Doli jashtë. Kali i tij ishte atje! U turr me vrap që ta hipte kalin pa e vënë këmbën në yzengji që ta shihnin ata se ç’ishte në gjendje të bënte, por u pengua dhe ra përtokë. “Gomar! -i tha vetes. -Kur s’ke bythë, pse i bën këto numra?” Shpejt e mblodhi mendjen dhe u shtri si pa ndjenja. Kur klubistët u afruan për të parë çfarë i kishte ndodhur, ai vërtik u ngrit dhe hypi mbi kalë duke u thënë: -Shpëtuat paq sot. -Kauboj, -ishte zëri i banakierit që i vërtiteshin në mendje fjalët e kaubojt “...do t’jua bëj siç bëra në Teksas...” , -të lutem më thuaj çfarë ke bërë në Tekasas?
Kaubojsi u mendua një copë herë dhe i vinte t’i theshte që “u hëngra mender mutin” teksasasve, por e mbajti veten dhe iu përgjegj sinqerisht: -Shkova në shtëpi.
Plaka dhe Piloti
Avioni amerikan “Delli” bënte fluturimin rutinë nga New York në Tiranë. Një nga
pjestarët e ekuipazhit kishte marrë detyrën që të qëndronte tek dera gjatë kohës që pasagjerët do të hynin në bord. Ai qëndronte me një buzëqeshje në fytyrë duke u thënë të gjithëve: “Mirësevini në bordin e avionit xyz dhe faleminderit që na zgjodhët ne.” Ndërsa aviatori thoshte këto fjalë mundohej që të mos i shikonte njerëzit drejt e në sy pasi dikush mund të bënte ndonjë pyetje shumë të mençur dhe ai nuk do të dinte t’i jepte përgjigje. I kishin thënë se shqiptarët bëjnë pyetje që askush s’mund t’u përgjigjet! Më në fund, një plakë nga Vaqarri hyri në avion dhe qëndroi përballë tij. Aviatori për t’iu shmangur ndonjë pyetje, i futi krahun duke i thënë: “Ku e keni vendin që t’ju ndihmoj të shkoni atje?” Plaka e shkathët i përgjegjet: “Mos u shqetëso se unë e gjej vetë. Nuk jam aq plakë sa më kujton ti, por më ler të bëj një pyetje çuno?” Aviatori i zënë ngushtë, iu përgjigj pa qejf: “Me gjithë dëshirë, zonjë e nderuar.” Plaka vazhdoi: “A mundesh me më dhënë një përgjigje ekzakt, nëse ne do të ulemi në pistë apo do të rrëzohemi diku e të thyejmë qafën?”
Dy turistë në Voskopojë
Dy turistë të huaj mbrritën në Voskopojë, dhe duke shkuar përgjatë rrugëve të qytetit, mundoheshin të shqiptonin emrin e qytetit. “Unë mendoj se shqiptohet kështu: Vozzzz=kappppp-osss-oiiiiii” tha i pari. “Më duket se shqiptarët e shqiptojnë kështu: Vassss-koppppp-aseiiii-aaaaaa” tha i dyti.
Erdhën sa erdhën vërdallë me emerin e Voskopojës në gojë, më në fund erdhi koha e drekës dhe shkuan në një vend për të ngrënë diçka. -Le ta pyesim këtë shitësen ezmerkë se ku jemi që të dëgjojmë emrin e qytetit, -argumentoi i pari turist dhe kështu bënë. -Zonjë, ju lutem mund të na thoni se ku jemi? -Ju jeni në një burrrrr-ekkkkk-torrrrr-eeeee, -tha shitësja.
Gruaja që “s’dëgjon mirë nga veshët”
Një burrë shkon tek doktori dhe i thotë se gruaja ime nuk dëgjon mirë nga veshët. Doktori e pyet se në çfarë distance nuk dëgjon gruaja. Burri përgjigjet se nuk e di. Atëherë doktori i thotë që të shkojë në shtëpi dhe të bëjë këtë provë; në distancën 15 këmbë larg gruas të pyesë gruan se çfarë është duke bërë, kur është duke punuar në kuzhinë. Nëse nuk e dëgjon, ai të afrohet edhe 5 këmbë më afër, nëse ajo përsëri nuk do ta dëgjojë, ai të bëjë edhe 5 këmbë të tjera më afër asaj. Por edhe në se ajo përsëri nuk mund ta dëgjojë, le të afrohet edhe 5 këmbë të tjera.
-Zemra ime çfarë je duke gatuar? -e pyet burri nga distanca 15 këmbë.
Asnjë përgjigje. Burri bën të njëjtën pyetje nga distanca 10 këmbë, por nuk merr asnjë përgjigje. Afrohet edhe 5 këmbë dhe e pyet përsëri, por pa asnjë përgjigje. Më në fund i qëndron ngjitur tek shpina dhe e pyet:
-Zemra ime, çfarë je duke gatuar sot?
-Po gatuaj pulë, o burrë i dashur, po sa herë të të them se po gatuaj pulë?! Eshtë e katërta herë që të jap përgjigje dhe ti vazhdon të më pyesësh. Shko tek doktori dhe vizitohu!
Vetëm në Amerikë
Këtu më poshtë po përshkruaj vetëm një nga anët më të ndritshme të amerikanëve...
1. Vetëm në Amerikë pizza mund të vijë në shtëpi më shpejt se ambulanca!
2. Vetëm në Amerikë invalidët mund të parkojnë brenda në fushat e patinazhit në akull!
3. Vetëm në Amerikë i sëmuri duhet të shkojë deri në fund të dyqanit për të blerë ilaçet dhe i shëndoshi mund të blejë cigare që tek dera!
4. Vetëm në Amerikë njerëzit porositin dopio hamburger me djathë dhe shumë patate të skuqura, që i shoqërojnë me një Koka Kola dietike!
5. Vetëm në Amerikë lihen hapur të gjitha dyert e bankave dhe lidhen me zinxhir stilolapsat që plotësojnë llogaritë bankare!
6. Vetëm në Amerikë të gjitha makinat e mira lihen në rrugë dhe ato që nuk bëjnë, i mbyllin në garazhet që quhen Junk Yard!
7. Vetëm në Amerikë bëhet dashuri me telefon!
9. Vetëm në Amerikë përdoret fjala “politics” për të përshkruar shumë mirë një proces: “Poli” në latinisht do të thotë “shumë” dhe “tics” do të thotë “shushunja” (krijesa gjakpirëse)
10. Vetëm në Amerikë uikendeve kurrë nuk bie shi. (Kjo vetëm në lajmet televizive!)
Doni më për Amerikën?
Shakaja e Ditës
Në derën e Shën Pjetrit, që pret shpirtërat pasi ne vdesim, dikush trokiti. Pjetri hapi derën dhe pa një burrë. Sapo Sh. Pjetri hapi gojën të flasë, burri u zhduk. Pas pak u dëgjua përsëri një trokitje. Sh.Pjetri mbrriti menjëherë tek dera dhe pa përsëri atë burrë. Sapo hapi gojën ta pyesë se kush është, burri përsëri u zhduk. Pas pak minutash një trokitje tjetër. Shën Pjetri e hapi dorën me njëherë dhe pa të njëjtin burrë!
Sh.Pjetri i nervikosur i bërtiti fort: “Je duke luajtur kukufshehtas me mua? Kush je ti?” Këtë radhë erdhi një përgjigje që vinte duke u vagëlluar, pasi burri përsëri ishte duke u larguar si hije: “Jo, nuk jam duke luajtur me ty, por doktorët po mundohen të më ringjallin.”
Për Gratë dhe Burrat
Burra! Hapni sytë nga gratë!
”Ato nuk janë më të zgjuara, por janë më dhelparake nga ne.”
Nga një burrë anonim
Një burrë dhe një grua që udhëtonin në drejtime të kundërta me makinat e tyre, befas u përplasën dhe makinat u shkatërruan plotësisht. Për fat të mirë, që të dy shpëtuan për bukuri. Gruaja doli e para dhe e ndihmoi burrin të dilte nga makina e tij. -Je plagosur gjë mjalti im? -pyeti ajo gjithë delikatesë. -Një çiçkë, zemra ime e ëmbël, po ti? -Një çiçkëz. Deshte i Madhi Zot që ne të ngeleshim gjallë, -shtoi gruaja.
-E di zemra? -vazhdoi gruaja e bukur, -Zoti ka menduar për ne që të bashkohemi si makinat tona, si thua? -Buzët e saj morën formën e një sulmi. -Je shumë e bukur dhe një dhuratë të tillë kurrë nuk e kam patur. - Tha burri dhe i shkëlqyen sytë si dy bula vese nën dritën e diellit. Ai u bë i gatshëm ta përballojë “sulmin” e saj.
-Por prit, o shpirt, prit pak se pa e lagur një çikë nuk festohet... -Dhe shkoi zonja e bukur tek makina e saj dhe se ku gjeti një shishe verë të pathyer. Ia zgjati burrit: Ngrije, o mjalti im! Dhe burri e ngriti duke e pirë me një frymë gati gjysmën e shishes, pastaj ia zgjati përsëri gruas. Gruaja nuk pranoi. -Shpirti, pse ti nuk pi një çiçkë? Hajt pije se të bën mirë, - dhe ia ngjiti buzët në faqe... -Jo zemra. Unë nuk do pi, sepse jam duke pritur policin.(!!)
Dy bashkëshortët...
Një grua shoqëronte burrin e saj tek doktori. Pasi e vizitoi burrin, ai thirri gruan në një dhomë më vete dhe i tha: “Dëgjomë mirë se çfarë do të të them. Burri yt ka sëmundje të keqe dhe mund të vdesë brenda disa muajve. Për t’i zgjatur jetën, unë do të të jap disa këshilla që t’i kesh parasysh. Nëse do të veprosh pikë për pikë sipas porosive të mia, ai do të rrojë të paktën edhe 4 vjet e ndoshta nuk do të vdesë për një kohë shumë të gjatë. Puna jote me të konsiston vetëm në 10 muajt e parë, sa t’i kthehet vullneti për të jetuar, pasi ai ka një stres të jashtëzakonshëm, nga i cili i vijnë të gjitha të tjerat si edhe rreziku i vdekjes.
Ti do të veprosh kështu; çdo mëngjes do t’i përgatitësh një ushqim shumë të mirë, sipas dëshirës së tij, duke i thënë fjalët më të ëmbla që një grua ia thotë të dashurit të vet. Po ashtu edhe për drekën dhe darkën. Nuk do të lejosh kurrë që të bëjë punë në shtëpi dhe jashtë saj. Çdo ditë të javës, pa fundjavën, do të bësh dashuri dhe seks me burrin, duke e përkëdhelur butë. Nuk do të lejosh askënd që ta prekë ose lëndojë me fjalë. Nëse ti je e mërzitur, mos ia thuaj atij këtë gjë dhe mos diskuto me të rreth stresit tënd dhe problemeve të kësaj natyre.
Nëse vepron kështu, atij do t’i ripërtërihen qelizat e trupit dhe do të ndihet mirë. Sëmundjen do ta luftojë me një kurajë të madhe, sepse do të jetë i dashuruar me jetën. Pas 10 muajsh ai do të jetë si më parë. Garancia është 100% e sigurtë.” Këtu e mbylli doktori bisedën me gruan dhe i shtërngoi dorën, duke i uruar suksese.
Burri që e priste me ankth, e pyeti: “Zemër, çfarë të tha doktori?
-E do ta them tani, apo do të presësh sa të shkojmë në shtëpi?
-Tani, zemra ime, se kam merak ç’do ndodhë me mua...
-Doktori më tha se burri yt do të vdesë brenda një ose dy javësh!
Kujdes nga pleqëria!
Një çift i vjetër vlonjat, që ishte duke festuar 60-vjetorin e martesës në Tiranë, vendosën të kthehen në vendin e lindjes, pasi i martuan dhe i rregulluan të gjithë fëmijët e tyre. Kështu, ata shkuan të pleqërojnë në Vlorë. Një ditë duke u mbajtur për dore si dikur, kur ishin fëmijë, ata u drejtuan për në shkollë, ku kishin mësuar për herë të parë. Ishte mbasdite dhe shkolla qe e hapur e pa fëmijët e zhurmshëm. Ata hynë direkt tek një klasë, ku kishin studiuar dhe u ulën pikërisht në të njëjtën tavolinë si atëherë, kur ai i tha asaj për herë të parë: “Të dua, moj qëne.”
Gjatë rrugës së kthimit për në shtëpi, një thes plot me para ra nga një makinë e blinduar private që transportonte paratë e firmës “Gjallica”. Thesi duke u rrokullisur erdhi deri tek këmbët e tyre. Plaku dhe plaka u bënë të rinj nga gëzimi. Ata e morën thesin pa asnjë vështirësi dhe e shpunë në shtëpi. E hapën dhe i numëruan paratë -pesëdhjetë mijë dollarë amerikanë! Në thes qe edhe një letër ku shkruhej: “Ja, kështu vidhet, o të q... udhët!”
Plaka i tha plakut: “Duhet të lajmërojmë policinë. Këto para nuk janë tonat.” Plaku nuk qe dakort. “Hallalli nuk bëhet lanet, -tha ai. -Ne duhet t’i fshehim paratë në çati.”
Kështu bënë.
Të nesërmen, dy agjentë të lagjes që kërkonin paratë trokitën në derë. “Na falni, mos keni gjetur dje një thes me para?” pyetën policët. Plaku u përgjegj shpejt me një “JO” të fortë, por plaka e ndali duke thënë: “Burri gënjen, ne i kemi fshehur paratë në çati.”
“Të dashur policë, gruaja vuan nga sëmundja e harresës dhe nuk di se çfarë thotë. Ju lutem mos ia vini re, se e ka nga pleqëria. Ju e dini se gratë plaken më shpejt se ne burrat.”
Policët u kthyen nga plaka dhe filluan ta pyesin: “Ju lutemi, na i thoni historinë që nga fillimi.”
”Po ja, -filloi plaka, -kur po ktheheshim dje nga shkolla...”
Polici që dukej se qe shefi, i thotë kolegut: “E dëgjon?! Paskan qenë në shkollë dje! Jemi në adresë të gabuar. Hajt të shkojmë!”
Dhjetë Urdhëresat e Martesës
Urdhëresa 1. Martesat janë bërë në qiell. Kështu që ato kanë shkrepëtima dhe bubullima.
Urdhëresa 2. Nëse dëshiron që gruaja të jetë shumë e heshtur për ato që i thua, foli kur ajo të jetë në gjumë. Urdhëresa 3. Martesa është e shkëlqyer. Divorci është të paktën 100 herë më i shkëlqyer! Urdhëresa 4. Koha e Martesës është një zhgënjim i madh. Në vitin e parë të martesës burri flet dhe gruaja dëgjon. Në vitin e dytë, gruaja flet dhe dëgjon burri. Në vitin e tretë flasin të dy njëherësh dhe i dëgjon lagjja... Urdhëresa 5. Kur një burrë hap derën e makinës për gruan e tij, të jini i sigurtë për një gjë: O është gruaja e re, ose makina. Urdhëresa 6. Martesa është kur një burrë dhe një grua bëhen një. Shqetësimi fillon kur ata fillojnë të dallojnë se janë dy. Urdhëresa 7. Para martese, një burrë do të rrijë syhapur gjithë natën për ta dëgjuar të fejuarën e tij, pas martese atë do ta zërë gjumi që në fjalën e parë!
Urdhëresa 8. Çdo burrë dëshiron që të ketë një grua të bukur, të kuptueshme, ekonomike dhe kuzhiniere të mirë. Por fatkeqësisht ligji lejon që ai të ketë vetëm një grua. Urdhëresa 9. Martesa dhe Dashuria janë dy lëndë kimike të ndryshme, prandaj gruaja e trajton burrin si mbeturinë toksike dhe shikon për një lëndë kimike të pastër... Urdhëresa 10. Një burrë është i pakompletuar gjersa të martohet. Pasi martohet, ai është krejt i mbaruar...
Rrëfimi i grave
(Sipas tregimit të mikut tim amerikan. S.G.)
Një prift katolik ishte shumë i shqetësuar për qytetin e tij të vogël pasi tërë gratë e qytetit kur i rrëfeheshin atij, thoshin përditë se i tradhëtonin bashkëshortët. Kjo gjë e kishte mërzitur së tepërmi priftin e vjetër, sidomos fjalët banale që përdornin gratë dhe vendosi që t’u ndryshojë fjalorin e keq atyre; në vend që ato të thoshin se e kishin bërë kaq e aq herë me burra të tjerë, do të thoshin “jam rrëzuar kaq e aq herë”, pa i zënë meshkujt me gojë. Kështu që gratë tani nuk thoshin më se e kam bërë atë punë, por se jam rrëzuar. Këtë kod të ri rrëfimi e dinte vetëm prifti dhe gratë.
Një ditë, prifti i vjetër u transferua papritur dhe nuk pati kohë që ta takonte priftin e ri që ishte emëruar në vend të tij e ta vinte në dijeni për këtë ndryshim në rrëfimin e grave. Kështu ai këtë sekret ia tha kryetarit të bashkisë duke e porositur që t’ja thoshte priftit të ri sapo të vinte në qytet. Por qëlloi që kryetari harroi ta bënte atë gjë.
Gratë e qytetit vinin për javë tek prifti i ri dhe të gjitha i thoshin se janë rrëzuar kaq e aq herë për... Prifti shumë i çuditur po mendonte se gratë rrëzoheshin nga që rrugët ishin të pa shtruara mirë dhe se duheshin marrë masa urgjente që të rregulloheshin rrugët sa më parë, pasi kishte rrezik që ato të thyenin ndonjë këmbë.
Një ditë, prifti i ri shumë i mërzitur shkon të ankohet tek kryetari i bashkisë: “Urgjentisht duhet të rregullohen rrugët e qytetit, pasi tërë gratë e këtushme rrëzohen për ditë. Bile edhe gruaja juaj është rrëzuar shumë herë. Këtë javë zonja jote, i dashur kryetar i bashkisë më tha se brenda një dite qe rrëzuar 9 herë, si asnjë grua tjetër!!”
Dashuria e vërtetë në pleqëri (!!!)
Thonë se dashuria e çiftit bashkëshortor vjen e shtohet shumë në moshën e pleqërisë, kjo ndoshta nga që ata ndihen të braktisur nga të tjerët apo thjeshte sepse një jetë e tërë bashkëshortore i ka bërë ata që të afrohen kaq shumë! Unë nuk jam shumë në gjendje t’i jap një përgjigje të saktë pse ndodh kjo gjë. Nëse dikush ka ndonjë mendim, do t’i lutesha të ndihej i lirë të më dërgonte mendimin e tij pa asnjë hezitim. Ndoshta kjo histori e shkurtër e një çifti të vjetër, që unë do të tregoj më poshtë, ka një kuptim të vërtetë se sa e thellë është dashuria në këtë moshë. (!)
Një tetëdhjetëvjeçare u arrestua në një dyqan ndërsa vodhi. Kur ajo u ndodh përpara gjykatësit, ai e pyeti: “Çfarë vodhët?” Plaka iu përgjigj: “Vodha një kanaçe me pjeshkë.” Gjykatësi më pas e pyeti: “Pse vidhni në këtë moshë. Kjo jo vetëm është turp, por edhe tregon se ju do të keni vjedhur tërë jetën.” Përgjigja e plakës ishte sepse ajo ndihej shumë e uritur atë ditë. Atëherë gjykatësi e pyeti se sa pjeshkë ishin në kanaçe dhe gruaja e vjetër i tha se ishin vetëm 6 pjeshkë. Gjykatësi ngriti zërin duke bërtitur: “Atëherë shkoni gjashtë ditë në burg!”
Duhet thënë, përpara se gjykatësi të shpallte vendimin për gjashtë ditë burg dhe të largohej nga salla e gjyqit, burri i plakës i kërkoji leje atij që të mund të thoshte dy fjalë. Gjykatësi sigurisht i dha lejë. Burri duke iu drejtuar gruas i tha: “Ti e dashur ke vjedhur edhe një kanaçe me oriz, të kujtohet?”
Martesa e dy pleqve...
Halimi 90 vjeç dhe Fatimja 82 janë shumë të entuziazmuar rreth martesës së tyre. Ata të dy shkuan të diskutojnë bashkë se si do ta organizojnë dasmën. -Le ta fillojmë nga farmacia, -qe propozimi i Fatimes. -Shumë mirë zemra ime. Hynë në një farmaci dhe Halimi kërkoi pronarin: -Ju jeni pronari? -Po, unë jam. -A keni ilaçe për zemrën? -Sigurisht që kemi. -Po për reumatizëm? -Nga të gjitha llojet që ka bota. -Po viagra? -Kemi nga më të fuqishmet që edhe të vdekurit ia ngrenë. -Ndonjë ilaç për kujtesën? -Sigurisht që kemi nga më të mirat. -Po vitamina? -Të të gjitha llojeve. -Ilaçe gjumi? -Kemi që nga ato të lehtat deri nga ato që edhe elefantin e vënë në gjumë. Halimi u kthye nga Fatimja duke i thënë: -Shpirti im, le ta bëjmë celebrimin këtu në farmaci dhe bashkë me celebrimin edhe dhuratat farmaceutike për njëri-tjetrin.
Një alegori për shkencëtarët
Tregojnë, një herë e një kohë, në një fshat që kishte vetëm një burim ujë, vjen një magjistare nga një fshat tjetër armik dhe bën magji që kushdo, i cili do të pinte ujë në atë burim, të çmendej! U çmendën fshatarët e parë dhe nuk e morën dot vesh se si. I tërë fshati u çmend.
Një plak, që mbahej më i zgjuari i fshatit, e kuptoi këtë gjë dhe e porositi plakën që të mos mbushte ujë në atë burim, po të mblidhte ujin e shiut dhe ta rezervonte për të pirë dhe gatuar. Plaka ashtu bëri. Kur tërë fshati u çmend, familja e plakut të mençur i shpëtoi çmendurisë. Por këtu fillojnë edhe vuajtjet e familjes së plakut që janë më të tmerrshme se çmenduria vet. Të gjithë të çmendurit e fshatit ndiheshin të lumtur, pasi nuk kishin më asnjë preokupacion. Plaku me familjen e tij vuante pa masë, pasi gjendeshin në mesin e budallenjve pa qenë të tillë. Ç’të bënin?
Duruan sa duruan dhe një ditë plaku e thirri plakën dhe e urdhëroi: “Shko dhe na sill ujë nga Burimi i Çmendurisë, le të bëhemi edhe ne si të tjerët që të mos vuajmë më!”
Morali. Plaku i Mençur nuk u tregua i zgjuar, ai së bashku me familjen e tij duhet të largoheshin nga ai vend i helmatisur.
Me sa po shikoj unë, edhe “pleqtë e mençur” të këtij forumi shkencor, në vend që t’i largohen të keqes së çmendurisë, po bëhen pjesmarrës në të.
Kurrë s’mund ta nënvleftësosh fuqinë e gruas
Një çift vendosi që të shkojë me pushime larg shtëpisë së tyre, në një breg liqeni të Minnesotës. Burri që ishte qejfli peshkimi, mori të gjitha pajisjet për peshkim dhe gruaja mori me vete disa libra për të lexuar. U vendosën në vendin e caktuar dhe pasi ngritën çadrën dhe rregulluan gjithçka që u duhej, burri shkoi në breg dhe bëri gati varkën e peshkimit. Gruaja shtroi një batanije në barin buzë liqenit dhe filloi të lexojë.
Atë ditë burri gjuajti gjatë tërë ditës dhe i lodhur u kthye në breg tek gruaja e vet. Pasi ishte shumë i lodhur i tha gruas që do të shtrihej për të marrë një sy gjumë dhe kështu bëri. Gruaja nga ana e saj, për të shmpirë këmbët vendosi të bëjë një xhiro me varkën e burrit. Pasi ndezi motorrin, voziti për një kohë të gjatë dhe diku u ndal, fiku motorrin dhe filloi të sodiste liqenin. Papritur, një oficer i patrullës së liqenit erdhi pranë saj dhe ndali.
-Njatjeta, zonjë e nderuar. Çfarë jeni duke bërë?
-Asgjë, zoti oficer. Ja, po sodit bukuritë e liqenit.
-Jo. Ju jeni duke peshkuar.
-Jeni i verbër zoti oficer; a nuk më shikon që po rri e vështroj?!
-Ju shoh mirë madam, por, në varkën tënde ndodhen tërë ato paisje peshkimi dhe ato nuk janë kot atje. Ti mund të fillosh të peshkosh nga momenti në moment dhe këtu është i ndaluar peshkimi, prandaj unë do të të arrestoj.
-Nëse ju e bëni atë gjë, unë do t’ju akuzoj juve për përdhunim.
-Po unë s’ju kam prekur fare zonjë!
-Nuk më keni prekur, por ju i keni me vete të gjitha pajisjet që ta kryeni atë në çdo moment.
”Have a nice day ma’am”, tha polici dhe u largua.
A e dini ju se kur quheni plak?...
1) Kur ju dhe dhëmbët tuaj nuk flini bashkë.
2) Kur ju s’mund të vishni dot çorapet tuaja.
3) Kur ju jeni duke ngrënë dhe dremisni.
4) Kur shpirti juaj bredh nëpër “lëndina” të blerta me femra, por bytha juaj qëndron në shtëpi.
5) Kur zgjoheni në mëngjes dhe keni pamjen e fotografisë në patentën e shoferit.
6) Kur provoni të ngriheni nga kolltuka dhe nuk e bëni dot.
7) Kur provoni të urinoni dhe s’mundeni dot.
8) Kur koha juaj më e lumtur është “një sy gjumë”.
9) Kur ju jeni me pushime në një vend të bukur dhe ju lënë fuqitë duke e patur akoma xhepin plot.
10) Kur u drejtoheni fëmijëve tuaj me ato fjalë që ju thoshte nëna juaj dhe që ju i urrenit.
11) Kur ju festoni ditëlindjen tuaj, gjëja më e rëndësishme për ju është që të mos jua përmendin moshën.
12) Kur ju dilni në rrugë dhe e këqyrni mirë rrugën nëse ajo është atje...
13) Kur ideja juaj e ngritjes së peshave është vetëm një fantazi.
14) Kur ju pushoni aq shumë sa lodheni ose ju dhemb bytha.
15) Kur në librin e adresave keni vetëm emra doktorësh dhe ilaçesh.
Besnikëria e Gruas
Njëherë e një kohë në një fshat jetonte një gjahtar me familjen e tij. Ai shpesh shkonte për gjah në pyllin afër dhe me vete merrte dy qentë e tij të gjahut. Një ditë, teksa po ecte mes pyllit, dëgjoi një rënkim. Me intuitën e një gjahtari të sprovuar e kuptoi nga i vinte ai rënkim njeriu dhe pa vonuar vrapoi drejt zërit vajtues. Pas pak minutash mbërriti atje. Një djalë i ri dhe i pashëm gjendej i shtrirë poshtë një trungu peme dhe përpëlitej më kot që të dilte nga gracka vdekjeprurëse. Gjahtari pa humbur kohë, ia preu degët pemës për ta bërë më të lehtë lëvizjen e saj dhe i tha djalit të plagosur të mos lëvizte. Ai me shumë mund më në fund e lëvizi pemën e copëtuar dhe e pyeti djaloshin nëse ishte plagosur. Për fat ai ishte shëndoshë e mirë pasi vendi ku e kishte rrëzuar pema, ishte një gropë e vogël që e mbrojti nga goditja vdekjeprurëse. Gjahtari i dha dorën dhe e ngriti djalin, i cili e falënderoi me fjalët më superlative që kishte fjalori i tij dhe e ftoi në shtëpi që nuk ishte shumë larg nga vendi i takimit; një kasolle e bukur rrethuare me pemë të mëdha. Atje djaloshi iu lut që të vinte një ditë tjetër për gosti dhe me vete të merrte më besnikun e jetës së tij. E gostiti me shalqi dhe arra me mjaltë dhe i dha me vete edhe një lepur të egër që e kishte vrarë atë ditë. Gjahtari iku shumë i kënaqur në shtëpi ku së bashku me gruan e gatuan mishin e lepurit dhe pinë edhe raki duke falënderuar fatin dhe djaloshin e pyllit. Pasi kaloi ca kohë, një ditë gjahtarit i ra ndërmend për djalin dhe kërkesën e tij që t’i vinte një ditë për gosti. Iu kujtua dhe porosia që i kishte thënë ai se duhet të vinte me më besnikun e tij. U mendua për gjë kohë të gjatë të gjente kë kishte më besnik në jetë dhe ra dakort që të vinte me gruan pasi ai mendonte se vetëm gruaja është qenia më besnike e burrit. Kështu ata të dy u nisën drejt kasolles së djaloshit sigurisht duke bërë edhe disa dhurata të vogla.
Gruaja ndenji gati dy orë para pasqyrës duke u lyer dhe rregulluar sa më bukur. Qentë, që e ndoqën pas, siç bënin sa herë burri dilte nga shtëpi, i përzuri. Pasi ecën disa orë, më në fund arritën tek kasollja e djaloshit. Dera e kasolles ishte hapur dhe gjahtari, pasi thirri një herë për të zotin e shtëpisë, nuk mori përgjigje dhe të dy hynë brenda. Kasollja ishte bosh. Panë rreth e rrotull por nuk dukej askund njeri. Më në fund vendosën që të presin pak. Ata u ulën në dy frona druri dhe po dremisnin. Burri i tha gruas që po shtrihet pak se i vinte gjumë dhe nëse do të vinte i zoti shtëpisë, ajo ta zgjonte.
Gjahtarin e zuri gjumi sa kaq. Pas pak një dritë verbuese u duk tek hyrja e kasolles dhe në portë u shfaq djaloshi i veshur në ar dhe argjend dhe i pashëm si një engjëll. Gruas filloi t’i rrahë zemra me vërtik dhe gjaku i mbuloi fytyrën e fryma po i zihej nga një epsh dhe dalldisje; pa e kontrolluar veten, iu sul në krahë me të puthura.
Në atë kohë kur ajo po e shtërngonte në krahë, burri i saj u zgjua dhe i pa ata ashtu të përqafuar. Djaloshi e shtyri pak gruan e gjahtarit dhe iu drejtua atij: “Të thashë, i dashur mik, që të më vish me më besnikun që ti ke dhe jo me këtë tradhëtare. Nuk mund të të pranoj në gosti me gruan e pabesë. Shko dhe një ditë tjetër hajde siç të kam thënë. Burri i fyer shumë që kishte menduar se gruan e kishte njeriun më besnik në jetë, një ditë e la atë vetëm në shtëpi dhe u nis për tek djaloshi i pyllit. Do t’i thoshte se ai nuk ka asnjë njeri besnik në jetë dhe kjo ishte arsyeja që po i shkonte i vetëm. U nis vetëm. Qeni i tij i gjahut, që ishte mësuar ta ndiqte pas kur ai dilte vetëm, nuk iu nda, megjithëse ai disa herë e përzuri. Kur mbërriti tek kasollja, gjeti të njëjtën situatë, kasollja ishte bosh. Gjahtari e përzuri përsëri qenin dhe vetë hyri brenda në kasolle. Priti sa priti dhe më në fund i erdhi gjumi dhe u shtri. Filloi të gërhasë. Në këtë kohë vjen djaloshi dhe merr një gur të madh dhe i matet t’i bjerë me të në kokë, por qeni i gjahtarit vërtik iu sul dhe i kapi krahun me dhëmbë. Gjahtari u zgjua nga ulurima e qenit dhe pa skenën, djaloshi me një gur të madh në dorë dhe qeni që i kishte mbërthyer njërin krah! -Largoje qenin! -i bërtiti djaloshi.
-Mos ki frikë se nuk të vras. Vetëm bëra një provë për të të treguar ty se sa besnike e ke këtë kafshë fisnike!
Duke luajtur si bashkëshortë...
Një burrë dhe një grua që kurrë nuk ishin njohur më parë, rasti ua solli të takohen në një tren ndërkombëtar dhe të kenë të njëjtën dhomë gjumi, bile të njëjtin krevat dysh; gruaja në pjesën e poshtme dhe burri në atë të sipërmen. Të dy kishin qëlluar të turpshëm dhe ngaqë ishin edhe të lodhur, ranë të flenë secili në vend të vet.
Aty nga ora 2 e natës burri zgjohet pasi kishte ngrirë dhe instinkti i mashkullit e bëri që t’i flasë gruas: “Zonjë, ka mundësi të zgjatësh dorën dhe të marrësh një batanije tek sirtari afër teje? Ngordha së ftohti.” Gruaja që u zgjua menjëherë, e kuptoi dredhinë mashkullore dhe me zgjuarsi iu përgjigj: “Ne as jemi parë dhe as do të na vijë rasti që të shihemi përsëri, a bëjmë lojën sikur jemi bashkëshortë sa për sonte? Edhe unë kam shumë ftohtë.” “Kjo është fantastike! Ti qenke tamam grua”, bërtiti burri i entuziazmuar. “Atëherë, -vazhdoi gruaja, -shërbeji gruas dhe vetes, zbrit e merr dy batanie!”
Si rrojnë bashkë burrë e grua?
Krijuesi harxhoi të gjitha materialet kur bëri burrin dhe po mendohej se me çfarë ta gatuajë gruan. Përnjëherë i erdhi në mendje një ide e bukur, ta bëjë gruan sa më të këndëshme në sytë e burrit dhe për kënaqësinë e tij mori rrotullimin e hënës, tundjen e llastarit, dredhjen e dredhzës, hollësinë e kallamit, çeljen e luleve, shkëlqimin e diellit, ëmbëlsinë e mjaltit, lotët e reve, padurimin e erës, butësinë e qengjit dhe të maces, frikën e lepurit, mbretërinë e tigrit, ngrohtësinë e zjarrit, ftohtësinë e dëborës, gugatjen e guguçeve, imitimin e papagallit, ndërrimin e reve dhe qëndresën e maleve dhe me të gjitha këto, bëri gruan dhe ia dha burrit.
Nuk kaloi as një javë dhe burri erdhi tek Krijeusi e i tha:
-Krijues i dashur, ajo që më ke dhënë ishte e mirë vetëm natën e parë, pastaj ma ka nxirë jetën... Të lutem merre prapë, nuk e dua më.
-Pse, çfarë të ka bërë? -Më ngacmon shumë, flet pa pushim, kërkon shumë salltanet e përkujdesje, pothuajse më ha të gjithë kohën me gjëra së koti dhe çirret oreçast. -Dakort. Unë do ta marr, por mos hajde ta kërkosh prapë. -Jo, -tha burri dhe pasi ia dha, u largua. Nuk kaloi as një javë dhe burri erdhi përsëri te Krijuesi dhe i thotë: -Të lutem, o Atë, më fal. Nuk mund të rroj dot pa të. Vërtet është shumë e bezdisshme, por ama s’më lë shkretë dhe unë engledisem nga pak dhe kënaqem shumë kur shkojmë të flemë... Ishte kaq e ëmbël, sa... S’di si të them... Ajo qeshte shumë, luante me mua, më puthte si askush, ishte shumë e bukur për t’u parë dhe e butë për t’u prekur...
-Dakort! Ti do ta marrësh, por mos hajde tek unë përsëri! Zori e mbajti burrin të mos e kthente që natën e dytë, por pas tre javësh nuk duroi dot dhe shkoi ta dorëzojë njëherë e përgjithmonë:
-O Zot, nuk mundem të rroj dot me të. Ma nxiu jetën. Nuk e dua kurrë! Merre për fare!
-Jashtë prej meje, o njeri, se edhe ti u bëre i padurueshëm tek unë! Mbaje gruan se vetë më the që s’e sjell më...
-Thashë se është e mirë dhe s’rroj dot pa të, por edhe nuk rroj dot me të...
-Shumë mirë. Shko në shtëpi dhe këto gjëra zgjidhini bashkë... Kur të duhet mbaje dhe kur të mërzitet ndaje. Këtu mos e sill më! Kuptove?
Që atëherë ka ngelur që të gjithë burrat i ndajnë dhe i marrin sa herë të duan grate. Sepse s’mund të rrojnë dot me GRUAN, por as që mund të rrinë dot pa GRUAN.
Një pyetje djallëzore e grave
Na del që Nastradini kishte dy gra. Një ditë ato të dyja erdhën në një kohë tek Nastradini dhe filluan t’i bien më qafë atij: “Cilën do më shumë, mua apo atë?” Nastradini i gjorë u zu ngushtë; duke iu shmangur përgjigjes, ai tha ca fjalë boshe e pa kuptim si: “Të dyja”. Por ato nuk u kënaqën me aq dhe gjithmonë e ngacmonin. Midis të tjerave, gruaja më e re i tha: “Po ja, ta zëmë se ne të dyja vozisim nëpër liqenin e Akshehirit: varka jonë përmbyset dhe ne të dyja biem në ujë, kurse ti në këtë kohë ndodhesh në breg. Cilën nga ne të dyja do të shpëtoje më parë?” Nastradini, i dëshpëruar nga pamja dramatike që përfytyroi, u trondit shumë dhe, duke iu drejtuar gruas më të vjetër, tha: “Dëgjo, po ti më duket se di pak not, apo jo?”
Plaku i mençur
Në një klub nate të rinjtë panë të hynte një plak dhe një vajzë e re bionde. Vajza ishte rreth të 20-25-tat dhe shumë e bukur. Të gjithëve u ra në kokë bukuria e saj dhe të tërë ishin shumë të çuditur se si ky plak 60-70 vjeç të kishte një të dashur të tillë! Iu afruan rreth e rrotull dhe nga padurimi filluan pyetjet, sapo vajza u largua pak nga plaku: “Si keni mundur xhaxha që ta shtini në dorë këtë zogë?” Plaku krojti fytin dhe i qetë tha: “Ajo nuk është një dashnore e rëndomtë, por
gruaja ime.” Të rinjtë panë njëri-tjetrin në fytyrë dhe vazhduan hetimet: “Po si mundët që ta bënit gruan tuaj xhaxha?” ”Shumë thjesht, -u përgjegj xhaxhai, -duke e gënjyer për moshën.” Të rinjtë e paduruar e pyetën përsëri: “Ju i thatë asaj se jeni 40-50 vjeç?” ”Jo. Unë i thashë se jam 90 vjeç.”
Jetët e Njeriut
Shumë barcaleta tregohen për njeriun dhe të gjitha ato, për mua kanë një domethënie të vërtetë sepse, në fund të fundit, vetëm nga hiçi del një hiç, gjërat e tjera nuk janë një hiç, por diçka që ka dalë nga diçkaja. Por le t’i referohemi tregimit të sotëm që shpjegon “shkencërisht” pse njeriu i shkretë ka tre lloj jete në “kuletën” e jetës së tij. Këtë gjë, më së miri mund ta kuptojnë ata që i kanë kaluar të “tre jetët”, por edhe ne që i shohim ata, kuptojmë një domethënie të madhe...
I
Zoti krijoi gomarin dhe i tha: “Ti do të punosh rëndë që nga mëngjesi deri në darkë, do të mbash në kurriz pesha të rënda, do të hash pak bar e gjëmba, nuk do të jesh shumë i zgjuar dhe do të jetosh 50 vjet në shërbim të tjerëve. Ti do të jesh një gomar!”
Gomari kur e pa se ç’e priste në jetë, iu përgjigj flakë për flakë: “Unë do të jem vërtet një gomar, por që të jetoj 50 vjet më duken shumë, të lutem nëm vetëm 20 vjet, boll i kam.” Zoti i dha të drejtë dhe i caktoi vetëm 20 vjet jetë.
II
Zoti krijoi qenin dhe i tha: “Ti qen do të ruash shtëpinë e njeriut dhe do të lehësh për të trembur hajdutët. Ti do të jesh një kafshë besnike e njeriut, ti do të hash çfarë të të japë zoti yt, ti do të flesh jashtë në të ngrohtë e në të ftohtë dhe unë po të jap të rrosh 30 vjet jetë. Ti do të jesh një qen e bir qeni.”
Qeni jo shumë i kënaqur iu përgjegj: “Të jetoj 30 vjet pas njeriut, kushedi se si do të jetë ai, me duket shumë kohë e gjatë për vuajtje, të lutem më jep 10 vjet, janë boll.” Zoti i dha 10 vjet.
III
Zoti krijoi majmunin dhe i tha: “Ti do të kërcesh dru më dru dhe do të bësh budallallëqe, por do të jesh argëtues për njerëzit dhe kafshët e tjera, do të rrosh vetëm 20 vjet e do thirresh majmun.” Majmuni iu përgjegj: “Zot, të bëhem gazi i botës dhe të rroj kaq shumë! Të lutem më jep vetëm 10 vjet.” Dhe Zoti i dha 10 vjet jetë.
IV
Më në fund, Zoti krijoi njeriun dhe i tha: “Ti do të jesh njeri, e vetmja qënie e arsyeshme në tokë, ti do të përdorësh mendjen që të kontrollosh të gjitha kafshët, shpendët dhe qëniet e tjera të gjalla dhe do të zotërosh tërë botën; në tokë, në ujë dhe në ajër. Ti do te jetosh për 20 vjet.”
Njeriut të shkretë iu bë qejfi që do të ishte sundimtar i Botës dhe gjithëçkaje që ajo ka brënda por ishte njëkohësisht edhe i pakënaqur për jetëgjatësinë dhe i tha Zotit: “Nuk janë mjaft për mua 20 vjet; pse nuk më jepni edhe 30 vitet që ia hoqët gomarit, 20 vitet e qenit që i refuzoi dhe 10 vjetët e majmunit që nuk i pranoi?”
I plotfuqishmi u mendua pak dhe më në fund e pranoi propozimin e njeriut. Kështu njeriut ju bënë tetëdhjetë vjet jetë: 20 vitet e tij + 30 vitet e gomarit + 20 vitet e qenit + 10 vitet e majmunit = 80 vjet.
V
Që nga ajo kohë njeriu jeton, në fillim 20 vitet e veta si njeri, pastaj 30 vitet e gomarit si një gomar, duke punuar fort e duke u ngarkuar, kur i ngrënë dhe kur i pangrënë, pastaj jeton 20 vitet e qenit, në këtë kohë njeriu fillon e leh si qen vend e pa vend dhe s’i mbyllet goja duke vrojtuar me imtësi gjithçka përreth shtëpisë dhe ha çfarë t’i japin. Pastaj vijnë 10 vitet e majmunit që janë vitet e pleqërisë dhe njeriu bëhet si majmun i vërtetë, fillon të zbavitë nipër e mbesa dhe të gajasë të rriturit... Por ka edhe më keq në këtë moshë, disa bredhin shtëpi më shtëpi dhe nuk u ze “bytha vend”, sa tek njëri fëmijë, tek tjetri e më keq akoma, kur del si “një baba ose nënë më tepër.”
Ju në cilën fazë jeni, i (e) dashur?
Edhe ju Engjëj gënjeni?
Me një mik të vjetër u ulëm në një bar të pijmë nga një birrë. Miku im shquhet shumë për barcaleta dhe humor të këndshëm. Pa zënë mirë vend ai filloi nga tregimet e tij të zakonshme.
“Lindjen edhe mund ta ndalësh, por vdekjen kurrsesi. Ti si thua?” më pyeti mua. Unë hapa më shumë sytë dhe mblodha buzët si për t’i thënë se ti i di mirë këto punë. Pastaj ai sikur të më lexonte një Bibël më tha: “Mos e provoko Zotin. Mos e kërko vdekjen me zor. Mos bëj sikur je i pavdekshëm, kur ti je një vdekatar si të gjithë ne.”
Unë qesha dhe ai më tha pse duhet të qeshja kur duhet të qaja!!
-Shpëtim, -iu drejtova, -të lutem më trego ndonjë histori nga ato që di ti, por jo banale, sesa të më mbash me këto morale. Nuk më pëlqejnë këto moralizime.
-Okay, okay miku im, -filloi tregimin e radhës Shpëtimi, të cilin unë po e ndaj sot me ju.
-Njëherë një grua e re pati një atak zemre dhe në gjendje të rëndë u shtrua në spital. Atje i bënë shpejt një operacion për ta shpëtuar. Ndërkohë që gruaja ishte në gjendje kome dhe afër vdekjes, pa që po shkonte drejt dhe tek engjëlli roje i të vdekurve, i cili nxori një listë të gjatë dhe pasi e pyeti gruan për emrin, pa listën. Në fund u kthye nga një engjëll tjetër dhe i tha: “Kjo zonjë nuk e ka radhën sot, por pas 40 vjetësh, gabimisht e kemi thirrur dhe duhet ta lemë të kthehet prapë tek të gjallët.” Engjëlli tjetër i bëri shenjë ta linte zonjën të shkonte.
Pas pak kohe zonja e re u përmend dhe e pa veten në spital, mes mjekëve dhe të dashurve të saj. Të gjithë ishin të pikëlluar dhe prisnin me shpresë që ajo të ndihej mirë dhe të fliste. Gruaja e re u buzëqeshi dhe duke kujtuar fjalët e engjëllit që tha se ajo ka dhe 40 vjet të tjera jetë, iu drejtua atyre: “Mos u bëni hiç merak, unë nuk do të jem mes jush për një kohë të gjatë dhe jam shumë mirë, bile nëse doktorët do të pranojnë, unë po dal që tani nga spitali!”
Doktorët e mbajtën edhe një javë dhe pasi gruaja u bë shumë mirë, e lanë të dalë nga spitali. Ajo eci me këmbët e veta. Bile u tha shoqëruesve të vet që rrugën për në shtëpi, e cila nuk ishte shumë larg, ta bënin në këmbë dhe ashtu bënë.
Tërë rrugës gruaja shiste mend dhe i dukej vetja e pavdekshme, bile në disa raste provokonte makinat duke u dalë përpara tërë tangërllëk dhe drejtueseve të tyre u nxirrte gjuhën si fëmijë. Aty afër po vinte me shpejtësi edhe një ambulancë që kishte një urgjencë të ngutshme. Gruaja i doli përpara ambulancës dhe e provokoi shoferin me një grykë shishe të gjatë që e fuste dhe e nxirrte në gojë... Shoferi u mundua të devijojë, por nga shpejtësia e madhe ndeshi në gruan e çuditshme dhe e përplasi 20m tutje. Gruaja vdiq në vend.
Përsëri ajo e pa veten të shkonte në të njëjtin vend tek engjëjt rojtarë. Pasi e njohu atë që i tha se do të rronte edhe 40 vjet të tjerë, iu drejtua me tërbim: “Po edhe ju engjëjt gënjeni si ne në tokë?”
Engjëlli iu afrua ngadalë dhe pasi i vuri dorën mbi flokë i tha: “Merre ngadalë zonjë. Unë nuk jam gënjeshtar, por radhën e parë të ngatërrova ty me një tjetër dhe na u desh të bënim verifikimin e duhur dhe të thirrëm përsëri.”
Dying is easy. Comedy is difficult.
Njëqindvjeçari dhe Zoti
Një plak i moçëm, i cili nuk mungonte kurrë në sinagogën e tij, një ditë kur ai mbushi 105 vjeç, nuk shkoi në sinagogë. Të gjithë besimtarët e sinagogës u shqetësuan, pasi ai tërë jetën e vet kurrë nuk kishte munguar.
Rabbi (drejtuesi i sinagogës) shkoi në shtëpinë e 105-vjeçarit për të parë se çfarë kishte ndodhur. Kur mbërrin atje pa se plaku ishte shëndoshë e mirë. I çuditur Rabbi e pyeti:
-Si është e mundur që ti je shëndoshë e mirë dhe nuk erdhe në sinagogë të lutesh e falesh?
-I dashur Rabbi, mos e shqetësoni fare për mua se unë nuk vij më të lutem e falem.
-Pse, çfarë ka ndodhur?!
-Zoti është shumë i zënë me punë dhe nuk më dëgjon mua, sado që të lutem e falem... -iu përgjigj plaku. -Ç’po thua kështu i dashur?! A nuk ke qenë ti që na thoshe se Zoti është i pranishëm kudo dhe në çdo kohë?!
-Isha, isha, por tani e shoh që Zoti nuk ka kohë të merret me mua... Ja dëgjo. Kur unë mbusha 90 vjeç, iu luta Zotit për herë të parë që të më merrte dhe ai nuk më dëgjoi, pastaj u luta përsëri në moshën 95 e më pas në 100 e tani u bëra 105 dhe vazhdoj të lutem për ditë që Zoti të më marrë, por Ai s’më dëgjon hiç. Unë mendoj se Zoti do të jetë shumë i zënë, prandaj nuk po vij as në sinagogë, pasi Ai s’ka kohë të më dëgjojë mua.
Një histori e mrekullueshme
Njëherë e një kohë, një grua e mirë kishte qëndruar prapa shtëpisë në kopshtin e vet. Jashtë kopshtit ulur në bar qëndronin tre pleq mjekërbardhë dhe bisedonin. Gruaja i përshëndeti me mirësjellje dhe duke menduar se mund të kenë nevojë të pinë a të hanë diçka, u tha: “Ju lutem hajdeni brenda në shtëpinë time t’u bëj një çaj të ngrohtë ose të hani diçka.” Pleqtë panë njëri tjetrin dhe njëri prej tyre iu drejtua gruas: “Faleminderit, o grua e mirë, por më parë le të prezantohemi; unë quhem Pasuri, ky këtu quhet Suksesi dhe ky tjetri është Dashuri, ne nuk mund të vijmë kurrë të tre bashkë në shtëpinë tuaj, por vetëm njëri. Dhe tani na thuaj a është burri jot në shtëpi, që njëri prej nesh të vijë?”
”Jo nuk është, por do të vijë shumë shpejt, po ju ejani brenda” -tha gruaja.
Ata kundërshtuan dhe zonja shkoi në shtëpi. Kur burri i saj erdhi ajo i tregoi historinë, burri pa pritur që ajo të mbarojë, i thotë: “Shko me vrap dhe ftoje Pasurinë të bëhemi të pasur.” Por gruaja e kundërshtoi duke i thënë se me Suksesin vijnë të gjitha të tjerat, se një komshija e tyre i thotë se janë shumë të suksesshëm dhe duke qënë të tillë kanë para e çdo gjë të mirë në jetë.
Nusja e djalit që i dëgjonte më në fund u tha: “Vetëm dashuria është gjëja më e mirë e kësaj bote, të gjitha shkojnë e vijnë, por pa dashuri asgjë nuk gëzohet.” Diskutuan edhe një copë herë dhe më në fund vendosën të ftojnë Dashurinë.
Shkon gruaja tek vendi i pleqve dhe ata i gjen atje, në të njëjtin vend.
”Burri im, -tha gruaja, -vendosi të ftojë Dashurinë.” Ata u çuan të tre në këmbë dhe e ndoqën gruan nga pas. Gruaja e çuditur u tha: “Ju më thatë të ftoja vetëm njërin prej jush e tani po vini të tre?! Shumë mirë, hajdeni të tre.”
Njëri prej tyre hapi gojën duke thënë: “Nëse ti do të ftoje Pasurinë, do të vinte vetëm Pasuria, nëse ti do të ftoje Suksesin, do të vinte vetëm Suksesi, por nëse ti do të ftoje Dashurinë siç edhe bëre, ne do të vijmë të tre, pasi ne nuk mund të rrojmë dot pa atë. Vetëm dashuria na mban të bashkuar.”
Vizita e Pastorit
Në një qytet shkoi një pastor i ri për të punuar. Të premten e parë në mbrëmje ai vendosi që të shkojë t’i takojë besimtarët në shtëpitë e tyre. Dikur ai u ndodh në shtëpinë e një besimtari të mirë, trokiti atje disa herë, por dera nuk iu hap. Pastori i mërzitur nxori nga xhepi një pusullë e në të shkrojti: “Zbulesa 3:20” dhe e ngjiti në derën që nuk iu hap.
Ditën tjetër, të shtunë, ai shkoi përsëri tek besimtari që nuk i hapi derën. Pusullën e tij e gjeti atje në derë, poshtë shkrimit të tij ishte shënuar, “Zanafilla 3:10.” Ja çfarë shkruhet në Bibël:
Zbulesa 3:20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe hap derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.
Zanafilla 3:10 Ai u përgjigj: “Dëgjova zërin tënd në kopësht dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha”.
Uturaku i Enverit
Befas Sali Berisha vdiq. Sipas traditës së lashtë shqiptare ai para se të vdiste kishte kërkuar t’i vinin në gojë një monedhë që të kushtonte mundësisht sa tërë Shqipëria! Meqë kishte lënë pas shumë militantë të devotshëm, ata pa një pa dy, shitën Shqipërinë dhe ia vunë në gojë të ndjerit.
Kur vajti tek porta e Shën Pjetrit, Saliu i zgjati atij bakshishin dhe Pjetri pa e zgjatur e dërgoi Saliun në Parajsë. Kur mbrriti atje, i pari që e priti doli Skënderbeu:
-Kam dëgjuar shumë për ty, o malësor i egër! -i foli Gjergji dhe vazhdoi, -ti je Sali Berisha që më ke djegur Shqipërinë në bashkëpunim me ata kopukët e tjerë, që herë të rrëzonin nga pushteti dhe herë të ndihmonin të vije në pushtet. Sipas ligjeve tona shqiptare, edhe këtu në Parajsë, unë kam me të dënue. Të vetmin privilegj që të bëj është që ta zgjedhësh vetë dënimin. Hajt, si mendoni?
-Gëzohem që të shof, o trimi i rrallë! Eshtë një kënaqësi e veçantë të jem ballë për ballë me trimin dhe burrin më të madh që ka nxjerrë Shqipëria jonë. Mirë se të kam gjetur, o Kryetrim! -u përgjegj Saliu.
Ndërkohë Gjini, një mik i vjetër i Skënderbeut, iu hodh në fyt për ta mbytur, shokët e Skënderbeut mezi ia nxorën nga thonjtë.
-O i madhi Skënderbe! Përse sulmohem kështu nga Gjini?! Unë jam ushtari yt dhe kam bërë çdo gjë sipas urdhërave që na keni lënë ju...
-Pusho! Bastard! Çfarë urdhëri të ka lënë ty Skënderbeu?! Të djegësh Shqipërinë në emër të karriges sate! Të vrasësh shqiptarët! Të zihesh dhe puthesh me Fatos Nanon e Xhoanës! Apo të gënjesh shqiptarët bashkë me kopukun Edi Rama! Ku e gjete ti të drejtën të shesësh Shqipërinë dhe me paret e saj të sigurosh Parajsën këtu?! Punët e tua të zeza janë me mijëra, prandaj unë të dënoj me vdekje këtu në Parajsë! Si mendon, o Prijsi Ynë? -bërtiti shumë i nxehur Gjini.
-Një minutë Gjin, -e ndërpreu Skënderbeu, -Berishën ne nuk do ta vrasim, po do ta dërgojmë tek ai bastardi tjetër, Enver Hoxha, i cili kur erdhi këtu na tha: “Bëmëni çfarë të doni, por kur të vijnë Saliu, Fatosi, Gjinushi, Gramozi, Edi, Iliri ..., m’i sillni mua se më ka zënë malli shumë. Ata ma kanë kaluar edhe mua nga zullumi.” Prandaj shkoni dhe pyeteni Enverin se përse e don Berishën?
-Si urdhëron!
Gjini shkoi takoi Enverin dhe pas pak u kthye shumë i gëzuar duke thënë:
-O i Madhi Ynë, Enveri e kërkon Saliun ta ketë si uturak!
Lutja
Një grua kishte dy papagaj femra, por ato nuk dinin gjë tjetër të thoshin kur hynte njeri në shtëpinë e saj, vetëm këto fjalë: “Tung. Ne jemi prostituta. A doni të kënaqeni?”
Gruaja takoi një ditë një prift në rrugë dhe iu ankua: “Eshtë e tmerrshme, kushdo që hyn e del në shtëpinë time do të dëgjojë vetëm këto fjalë nga papagajt e mi femra: “Tung. Ne jemi prostituta. A doni të kënaqeni?” Çfarë të bëj, papa?”
Prifti kroi pak kokën dhe tha: “Edhe unë kam dy papagaj meshkuj që i kam vënë të mësojnë Biblën dhe ata tërë kohën luten dhe falen në heshtje si ne besimtarët e ndershëm. Silli ato “prostitutat” e tua tek unë dhe t’i futim tek papagajt e mi, të cilët do t’u mësojnë atyre Biblën e nuk do të flasin më budallallëqe.”
Gruaja ashtu bëri. Një ditë i mori “prostitutat” në një shportë dhe ia shpuri priftit, ky i futi brenda tek kafazi i dy papagajve të tij meshkuj, të cilëve u zgjidhi gojët e lidhura. Ato sapo hynë në kafazin e meshkujve thanë me një gojë: “Tung. Ne jemi prostituta. A doni të kënaqeni?”
Papagajt meshkuj panë njëri-tjetrin në sy, më në fund njëri i thotë shokut të vet: “A të pata thënë se një ditë lutjet tona do të plotësoheshin?! Flake Biblën dhe le të marrim kënaqësinë që na erdhi sot! Lutjet tona patën një përgjigje të bukur.”
Fuqia e vargjeve të Biblës
Një grua e vjetër po kthehej nga kisha në shtëpi një mbrëmje. Befas ajo shtangu; një hajdut me makinë po vidhte shtëpinë e saj. Plaka nuk kishte asnjë lloj fuqie për të vepruar përveç mësimeve të Biblës që i besonte shumë, prandaj ajo bërtiti disa fjalë nga Bibla;
“Stop! Veprat 2:38!”
Hajduti për çudi ndali i zënë ngushtë në makinë, pa kuptuar se ç’deshën të thoshin ato pak fjalë të plakës! Atëherë plaka qetë thirri policinë dhe shpjegoi se çfarë kishte ndodhur. Policia arriti sakaq dhe e prangosi vjedhësin.
Oficeri i policisë shumë i çuditur për këtë dorëzim të hajdutit e pyeti atë: “Pse nuk ikët, por qëndruat si i ngrirë?! Plaka nuk ju tha asgjë tjetër veçse pak fjalë nga Bibla.”
“M’u duk sikur plaka komandonte një repart policie!”
Një test midis Jezusit (Isait) dhe Shejtanit (Djallit)
Jezusi dhe Shejtani patën një debat se kush është më i shpejtë dhe më i saktë në kompjuter, të dy punonin shumë dhe bënin shumë punë, por Shejtani kishte më shumë tifozë, që i rrinin për rreth dhe e duartrokisnin, ndërsa Jezuesi kishte pak simpatizantë dhe shumë të tjerë që e tallnin dhe ngandonjëherë e qëllonin me kamxhik.
I shikon Zoti dhe u thotë, se duhet që t’i provojë në një test dhe se nga ai test do të vendoset kush është më i shpejtë, më i saktë dhe më i mirë në punë. Vetëm rezultati i tij do ta përcaktojë punën e tyre.
Ata ranë dakort dhe u ulën para PC duke i vënë duart mbi keyboard-et, dhe me të marrë shenjën nga Zoti, filluan të shtypin... Ata bënë fakse, përdorën mouse-in, ata nisën email-a, ata bënë doënloade, bënë spreadsheets, copy, krijuan home pages, bënë raporte të ndryshme, ata edit-en foto dhe krijuan grafiqe, me një fjalë bënë gjithçka që bëhet në kompjuter. Jezusi punonte rëndë dhe me efikasitet ndërsa Shejtani punonte shumë shpejt.
Disa minuta para se të përfundonte koha e rregullt e testit, befas qielli shkreptiu nga rrufeja, pastaj u dëgjuan bubullima dhe filloi të bjerë shi. Për një moment ikën dritat dhe u bë errësirë. Shejtani filloi të shajë dhe mallkojë e të përdorë një fjalor të tillë, sa nuk la fjalë banale pa thënë, që tërë njerëzimi i botës i përdor. Jezusi vetëm psherëtiu dhe mori frymë thellë. Më në fund dritat erdhën përsëri. Ata të dy rifilluan punën në kompjuter. Shejtani thirri sa kishte në kokë, çdo gjë që krijova, ka humbur! Unë humba tërë atë mund e punë nga këto drita të flamosura dhe askush nuk mund ta shikojë punën time! Gjithçka është fshirë! Ndërkaq Jezusi tepër i qetë filloi të printojë tërë punën e tij. Shejtani po e shikonte dhe tha, prit, kjo nuk është e ndershme, Jezusi më ka mashtruar! Si vallë ai e ka tërë punën e tij në kompjuter dhe unë jo?
Zoti duke mbledhur supat i tha: “Jezusi është shpëtimtar...”
Gjërat nuk ndryshojnë kurrë
Një mace e mirë, pas vdekjes shkoi në Parajsë, atje takoi Zotin i cili i tha: “Ju keni qenë një mace kaq e mirë në tokë sa e meritoni të bëni një jetë përrallore këtu, hapeni gojën dhe kërkoni gjithçka doni e unë do t’jua plotësoj.”
Macja u mendua pak dhe tha: “ Unë nuk dua gjë tjetër veçse një vend të mirë për të fjetur dhe të mos më trazojë kush sepse kur isha në tokë unë flija në dysheme në një shtëpi fshati që ishte shumë e varfër, por bereqavesën që kishte shumë minj.”
Zoti i dha krevat, jastëqe me pupla, dyshek sfungjeri dhe jorgan të ngrohtë dhe shumë të lehtë. Macja u kënaq pa masë.
Pak ditë më vonë, gjashtë minj ngordhën në një aksident tragjik dhe shkuan edhe ata në parajsë. Zoti u bëri të njëjtën pyetje edhe minjve. Ai i pyeti ata çfarë dëshironin dhe minjtë i thanë se deshën patina me rrotka që të mos lodheshin kur të iknin, pasi në tokë minjtë ishin lodhur shumë nga ndjekjet e maceve, qenve, shpendëve dhe bile nga gratë me fshesën në dorë. Dëshira e tyre u plotësua sakaq.
Pas një jave Zoti shkoi të takojë macen dhe ta pyesë se si ia kalonte. Macja e kënaqur dhe përgjumësh me një sy të mbyllur përgjysëm dhe tjetrin të pahapur e falënderoi shumë duke i thënë: “Ushqimi që më keni dërguar ishte i hatashëm sepse më erdhi me rrotka!”
Gabimi priftëror
Një prift dhe një kalogjer po qëndronin në qoshe të rrugës duke mbajtur një pankartë, ku shkruhej: “Fundi është pranë. Ndërroni rrugë para se të jetë shumë vonë!”
Kalon makina e parë dhe shoferi nxjerr kokën jashtë nga dritarja e thërret:
-Zhdukuni nëpër shtëpitë tuaja, priftërinj budallenj! -dhe shkel gazin më shumë.
Nuk kaloi as 5 sekonda dhe dëgjohet një frenim dhe në fund një goditje e tmerrshme.
Kthehet prifti nga kalogjeri dhe i thotë: “Ore mik, mos duhej të shkruanim më mirë, Kujdes, urë e shembur?”
Polici i zgjuar
Një burrë po ngiste me shpejtësi makinën në një autostradë. Të gjitha makinat e tjera rreth tij shkonin me të njëjtën shpejtësi, sikur të ishin në garë. Në këtë kohë ai parakaloi një nga makinat e policisë që kanë radar dhe kontollojnë rrugën. Policia menjëherë u vu në ndjekje të burrit në fjalë dhe pasi e arriti, i bëri shenjë të ndalojë jashtë rrugës në një xhep anësor. Burri ndaloi. Një polic iu afrua, ndërkohë burri i foli policit: “Zoti oficer, e di që isha shumë shpejt, por të betohem që kisha të njëjtën shpejtësi me nja 20 a më shumë makina, unë jam shumë shofer i zoti dhe nuk paraqes asnjë rrezik, pra s’mund të shkoja më ngadalë se të tjerët. Pse më ndalët vetëm mua?”
-Shkoni ndonjëherë për peshkim? -e pyeti polici.
-Po, shkoj.
-Hëm, ju kur gjuani peshq, mos vallë i kapni të gjithë peshqit?
Polici “Sheme”
Një burrë i vjetër nga Vlora, por me origjinë korçare që kishte punuar për Fitim Gërxhalliun tek Gjallica, bleu me paratë e vjedhura një makinë të re tip Mercedes. Një ditë ai mori rrugën për Tiranë me një shpejtësi prej 70 km/orë. Makina ka pjesën e sipërme të lëvizshme dhe plaku qefli e lëvizi mbrapa atë duke lënë erën që t’i merrte ato pak flokë të thinjura e t’ja valëviste si dikur, kur ai ishte i ri dhe ngiste biçikletën me shpejtësi sidomos kur vlonjatkat e bukura e shikonin vjedhurazi.
“Qenka mrekullia vetë,” mendoi plaku duke hyrë në Fier. Mbas Fierit rruga qe më e mirë dhe plaku shtypi më shumë pedalen e gazit duke arritur në 120 km/orë; në të hyrë të autostradës në Rrogozhinë- Durrës, plaku e shtoi akoma më shumë shpejtësinë duke arritur në 140 km/orë.
Hedh sytë në pasqyrën që shikon mbrapa dhe pa se një makinë policie po e ndiqte me sirenën dhe dritat e alarmit të hapura. “Do t’ia dhjes policit të Salës,” mendoi plakushi dhe e shtoi akoma më shumë shpejtësinë e makinës duke e lënë policin shumë mbrapa. I parakaloi të gjitha makinat e rrugës duke fërshëllyer si kapadai dhe duke i habitur shumë djemtë e rinj që guidonin shpejt! Pastaj e mblodhi mendjen dhe i tha vetes: “Or hajvan, s’ke bythë ti të matesh me djemkat, por ule shpejtësinë se do hash kokën dhe dorëzoju tek polici, mbase ai është polic i Tosit!”
E uli shumë shpejtësinë dhe më në fund e nxori në një xhep të rrugës duke pritur policin. Polici si i marrë fluturonte që të kapte plakun dhe nuk e pa që ai kishte ndaluar, por plaku i zgjuar e ndoqi nga prapa derisa e arriti dhe i doli në krah duke i thënë: “O Sheme! Ku vete, mor derëzi? Nuk më shikon mua? Ja ku jam.” Të dy bënë mënjanë rrugës dhe filluan të debatojnë.
“Pse guidove me aq shumë shpejtësi, kur ajo e lejuara është jo më shumë se 80 km/orë? e pyeti polici, -nuk e shikon që je plak dhe mund të hash kokën? Ligji të dënon rëndë për këtë.”
“I dashur polic. Nuk të jap asnjë përgjigje, po nuk m’u betove se do të më përgjigjesh me sinqeritet se i kujt je, i Salës apo Tosit?”
Polici që ishte një socialist i tërbuar u zu ngushtë; nëse do t’i thoshte se qe i Tosit, pensionisti mund të qe një njeri me peshë tek pushtetarët e sotëm, të cilët mund ta linin pa punë, prandaj vendosi të gënjejë e t’i thotë policit se është i Saliut.
“Meqë qënke i Salës, unë s’të jap asnjë përgjigje dhe ti bëj çfarë të duash me mua. Po të ishe i Tosit ne do të ndaheshim si miq.”
“Ti qënke i Tosit?! Po ti qënke miku im! Të them si burrë s’ma mbajti të tregoja të vërtetën. Fol or mik, pse ke ecur aq shpejt dhe ke rrezikuar veten dhe të tjerët?”
“Meqë jemi të një ideje po të tregoj. Sa herë që unë ngas makinën duke hyrë në zonën e Durrësit dhe shikoj policë, unë iki me shpejtësi. Prandaj dhe kam blerë një makinë të re dhe të shpejtë që t’ju fshihem policëve durrsakë. Sot u tremba nga shpejtësia shumë e madhe prandaj dhe u dorëzova tek ty se kurrë nuk u dorëzohem gjallë policëve durrsakë.”
“Po çfarë ke me policët durrsakë?” e pyeti polici.
“E shikon këtë makinë, e kam blerë me paratë e shumë policëve nga Durrësi që i kishin depozituar tek piloti Fitim Gërxhalliu ku unë punoja.”
Polici e puthi në ballë duke i thënë: “Mirë ua ke bërë! Makinën ta gëzosh dhe më ler të të shoqëroj deri në hyrje të zonës së Tiranës.”
Polici tamam polic
Një polic ndali një makinë në anë të rrugës për shpejtësi. Polici iu drejtua shoferit: “Ju ishit me shpejtësi mbi 140 km/orë, zotëri.”
Shoferi iu përgjigj: “Zoti oficer, unë e kam patur nën kontroll shpejtësinë dhe ajo nuk ka qenë më shumë se 80 km/orë, ju lutem ndreqni radarin tuaj se nuk është në rregull.”
Gruaja e shoferit që dëgjonte, i drejtohet burrit: “I dashur mos u bëj budalla, makina jonë nuk ka një kontrollues shpejtësie.”
Ndërsa polici ishte duke plotësuar një fletë-gjobe, burri i drejtohet gruas: “As nuk mund ta qepësh atë gojë të paktën vetëm në këtë rast?”
Gruaja buzëqeshi hidhur dhe tha: “Ti duhet t’ia dish për nder dedektorit të radarit tënd që ishte mbyllur, kur duhet të ishte hapur dhe që s’të punon kurrë.”
Polici pasi mbushi fletë-gjobën e parë, ia nisi të plotësojë një fletë-gjobe tjetër, ndërkohe burri i drejtohet gruas përsëri, “Mbylle sqepin të thashë! Se prej teje po hamë gjobën tjetër.”
Polici i vrenjtur tha: “Unë pashë se ju nuk keni vënë as rripin e sigurimit zotëri dhe merrni direkt një gjobë tjetër prej 100.000 lekësh të vjetra.”
Shoferi ia kthen: “I dashur oficer, unë e kisha rripin vënë, por kur ju më ndalët e hoqa që të marr dokumentat, pasi me rrip vënë s’mund t’i nxirrja dot nga kroskota.”
Gruaja llafazane dhe budallaqe i drejtohet përsëri burrit: “I dashur pse gënjen, a nuk kemi thënë që nuk do gënjejmë kurrë?! Ti nuk e vendos asnjëherë rripin e sigurimit, mund të gënjesh policin, por jo mua.”
“Plaç gomare!” i tha burri gruas i revoltuar.
Polici nxori të mbushë fletë-gjobën e tretë duke iu drejtuar përsëri burrit: “Përse e fyeni gruan, ndërsa unë kryej detyrën? Ajo është duke ndihmuar drejtësinë.”
Pasi e pa mirë e mirë gruan, polici iu drejtua: “Më thoni zonjë, gjithmonë burri ju flet në këtë mënyrë?”
“Jo, zoti oficer! Burri im flet në këtë mënyrë vetëm kur ka kthyer ca gota në klub.”
Polici bëri gati prangat...
Humor amerikan
Në një qytet të vogël një djalë i ri ecte me shpejtësi me një motorçikletë. Një polic rrugor e pa dhe iu qep pas, pasi e arriti dhe e ndali i kërkoi dokumentat. Djali i tha: “Të lutem zoti oficer, më ler të shpjegohem pse ecja me shpejtësi...” Polici iu përgjigj se po e hape më gojën do të të fut në burg. Djali përsëri i lutet të shpjegohet, por polici qëlloi shumë i sertë dhe pa e zgjatur e arrestoi dhe e futi në burg. Të nesërmen polici shkoi ta shohë djalin dhe i tha: “Ti do dalësh nga burgu kur të vijë nga dasma shefi im, i cili martoi
çupën dje dhe ngaqë është në qejf, ma thotë mendja që do të lirojë shpejt.” Djali iu lut përsëri që të shpjegohet dhe polici tërë qejf i dha lejën të fliste. ”Unë, -tha djali, -jam dhëndërri i shefit tënd!”
Merushja
Një herë pas luftës së dytë botërore, Mehmet Shehu shkoi për të takuar fshatarët e Oparit në rrethin e Korçës, atë e shoqëronte K.K.Ekzekutiv të Korçës, M. G. dhe veterani i luftës, oparaku, Agush Gjergjevica. Fillimisht ai e filloi takimin me fshatarët e Lavdarit. Me të mbrritur në Lavdar, ata i thanë një fshatari që të lajmëronte kryetaren e Këshillit të fshatit, shoqen Merushe. Nuk vonoi dhe shoqja Merushe mbrriti para M.Shehut, ajo mbante në dorë një furkë me një goxha shtëllungë dhe tirrte lesh. Pa e hequr dorën nga furka dhe druga, ajo u uroi mirëseardhjen shtetarëve dhe i ftoi të uleshin nën hijen e një vidhi, që gjendej në të hyrë të fshatit, pranë varrezave. Ndërkohë ajo i dha urdhër një burri që e shoqëronte që të lajmëronte fshatin që të mblidheshin të gjithë aty, pasi Mehmeti donte t’u fliste.
-Mirë se na keni erdhur shokë të partisë dhe të pushtetit, -do ta fillonte fjalën Merushja, - pa më thoni si e kam Enverin?
-Ai është shëndoshë e mirë dhe të bën të fala, -ia kthen Mehmeti.
-Gjersa të mblidhen fshatarët, unë mendoj që ju jeni të lodhur dhe doni të hani një kafshatë bukë e të pini një gotë dhallë, si thoni?
-Nuk duam asgjë pasi kemi ngrënë, -i tha M.G.
-Keni ngrënë një mut! -iu përgjigj Merushja dhe i dha urdhër një fshatari që të shkonte në shtëpinë e tij dhe të përgatiste diçka shpejt e shpejt për të ngrënë mysafirët.
Të tre mysafirët panë njëri-tjetrin, kur dëgjuan fjalën mut nga Merushja, e cila e kishte shprehje të zakonshme që e përdorte përherë, kur deshte të mohonte diçka.
-Ne nuk kemi ngrënë mut, shoqja kryetare, por kemi ngrënë bukë, - u hodh Mehmeti i ndezur flakë në fytyrë.
-Mut, o mut keni ngrënë, e di unë, por mos na llomotit shumë se tani do t’ju vijë buka e ngrohtë që do hani. Mos na i vini re se po ju nxjerrim çfarë na u ndodh; bukë misri të ngrohtë, djathë, qepë dhe nga një pagure me dhallë, -iu kundërvu Merushja.
Buka erdhi, por Mehmeti nuk vuri asgjë në gojë ndërsa M.G. dhe Agushi morën nga një pagure me dhallë dhe e pinë. Pasi u mblodhën fshatarët, Merushja që nuk e ndali për asnjë çast tjerrjen e leshit, iu drejtua fshtarëve:
-U mbollisët shumë, o derdimenë! Të deleguarit e partisë kanë një orë po dërdëllisin dhe ju mezi lëvizët bythët! Këta s’kanë ardhur të hanë mut kot! Tani qepeni gojët dhe shqepni veshët të dëgjoni se çfarë do t’ju thotë shoku Mehmet!
Mehmeti ndihej shumë i nevrikosur, por Myftari që i njihte mirë fshatarët e Lavdarit e qetëson duke i thënë se këtu fjala mut është njëlloj siç ne themi shpesh “për ideal të partisë”!
Mehmeti e mori fjalën dhe foli për rreth një orë. Diku nga fundi i turmës disa fshatarë bënin llogje. Merushja e inatosur iu drejtohet:
-Mja hëngrët mut ju nga fundi, se shoku Mehmet nuk po ha mut kot!
“Eshtë turp nga xhaxhi!”
Lutjeve të njëpasnjëshme dhe ftesës me përgjërime që unë të isha mysafir i tij, iu pëgjigja pa mëdyshje se e pranoja këtë ftesë dhe se dëshiroja që të njihesha me familjen e tij dhe për këtë ndihesha i lumtur.
Sapo mbrrita tek dera e shtëpisë së shokut, pashë se babai i mikut tim, ishte lajmëruar që më parë, pasi ai më hapi derën pa trokitur, duke më thënë, “Bujrum!” në vend të fjalës shqipe urdhëroni.
Hyra në dhomën e pritjes ku më dolën përpara nusja e shokut dhe vjehrra e tij. Që të dyja të veshura bukur dhe të stolisura si për festë. U dhashë dorën duke u thënë se gëzohesha shumë që isha në shtëpinë e tyre mikpritëse. Pa u ulur në kolltukun që më afruan, dy fëmijë çamarrokë më sulmuan; i pari më tha,”Hej plako, hoë u doin’?” Ndërsa tjetri më zgjati pëllëmbën e dorës duke më thënë, “Hej plako, give me five!” Iu përshtata fëmijëve (desha apo s’desha) të cilët kur panë se unë ua zgjata, filluan të luanin me mua. Të mëdhenjtë e shtëpisë filluan të gajaseshin me çapkënllëqet e fëmijëve të tyre!
Kjo gjendje kaloi gati gjysëm ore dhe asnjë nga të mëdhenjtë e shtëpisë nuk po m’i largonte fëmijët dhe as që po më bënin ndonjë bisedë a të më pyesnin! Po ndjeja bezdi, por edhe s’mundesha dot t’i përzeja, pasi ata duke thënë vetëm një fjalë shqip, “plako” dhe fjalët e tjera në anglisht, ju sillnin shumë kënaqësi të mëdhenjve... K...
Ju thashë disa herë fëmijëve se, “enough is enough!” por kujt pra?! Ata filluan në kor të më përqeshin, “Enough is enough plako! Enough is enough plako! Enough is enough plako!...”
Mundohesha të buzëqeshja kur isha në kulmin e nervave dhe zemërimit. Zemërimi m’u shtua më shumë kur të mëdhenjtë qeshin e kënaqeshin me gjithë shpirt kur shikonin fëmijët e tyre që luanin plot hare me mua!
Mendova ta pickoj njërin nga fëmijët që të më largohej dhe pastaj edhe tjetrin. Ashtu bëra, me pak marifet e pickova atë më të madhin në bythë. Ai bërtiti, Hej plako! u pinch me?! Maa! Plako griped me! Pastaj më nxori gjuhën. Fëmija i zëmëruar m’u afrua përsëri, por këtë radhë më ktheu prapanicën dhe pasi bëri një big fart u largua. Pas fëmijës se madh, u largua dhe i vogli dhe kështu shpëtova nga i siklet.
Që përtej korridorit dëgjova zërin e së ëmës që e “kritikonte” djalin e madh duke i thënë: “Jo të keqen mami, mos pirdh ashtu se është turp nga xhaxhi!”
Erdhi koha të largohesha.
Një pijanec nga Teksasi
Disa studentë në Teksas po bënin një mbrëmje dëfrimi. Njëri nga studentët kishte pirë shumë si zakonisht dhe mezi qëndronte në këmbë, shoqet dhe shokët e tij po i luteshin të mos pinte më dhe të shkonte në shtëpi, por ai nuk dëgjonte, më në fund, një polic e kap për krahu dhe i thotë eja të të shpie në shtëpi, ndryshe do të marr në polici. Djaloshi u bind dhe të dy dolën jashtë.
Shtëpia e djalit ishte vetëm dy blloqe larg, ku banonte me gruan e tij të re, e cila e priste në shtëpi. -Do të të shpie unë me makinë në shtëpi, -i tha polici. Policit në kohën që dolën jashtë, i ra telefoni. Një vjedhje ishte bërë rreth 30 metra larg vendit ku ndodhej ai. Polici me vrap e pa humbur kohë u nis andej nga i dhanë drejtimin, ku edhe dhjetra policë të tjerë po mbrrinin me shpejtësi. Djalit, si ngeli vetëm, iu mbush mendja të shkojë vetë në shtëpi dhe kështu bëri. Kur mbrriti në shtëpi i tha gruas nëse vinte dikush ta kërkonte i thuaj që unë kam qenë tërë ditën i sëmurë me grip dhe nuk kam dalë fare nga shtëpia. Pas nja dy orësh erdhi polici që do ta shoqëronte në shtëpi dhe pyeti gruan se a ka ardhur burri i saj. Ajo “e çuditur” i tha se burri i saj nuk ka dalë fare nga shtëpia sot! Polici i befasuar iu kthye, “po ne kemi çelsat dhe makinën e tij! A mund të shikoj garazhin e makinës?” Gruaja e gatshme doli me policin dhe hapi garazhin. Ç’të shohë atje! Një makinë policie me dritat e alarmit të ndezura ishte brenda!
Njgjarja është e vërtetë dhe këtë ndodhi e tregojnë edhe sot të gjithë policët dhe studentët e Teksasit.
“Budallai” nga Mirdita
Ishte një kohë që shqiptarët shikonin vetëm stacionet televizive të huaja, pasi TVSH jepte vetëm “sukseset” e shpifura të Shqipërisë Socialiste. Përditë ishe i detyruar të shikoje si mbillet, si korret, si tejkalohen normat, si rron shqiptari i lumtur, si punohet për shekullin e ardhshëm... Atëherë, të gjithë ata që ishin mërzitur me këto lajme, kërkonin rrugë të reja për të dëgjuar se çfarë thoshte bota. Shumica dëgjonin lajmet e RAI UNO pasi kishin mësuar italisht. Një nga ata që kishte mësuar italisht dhe që nuk shikonte kurrë lajmet e TVSH isha edhe unë.
Një mbrëmje po ndiqja në RAI një konkurs për njohjen e Europës. Drejtuesi i konkursit bëri një pyetje tepër interesante për mua dhe unë po e ndiqja me shumë vëmendje:
-Ju lutem më thoni kush e di se në cilin shtet ballkanik bie një krahinë që thirret me një emër që në italisht përkthehet Bongiorno? Askush nuk e di? Po jua lehtësoj një çikë pyetjen. Kjo krahinë është në një vend malor. Harrova t’ju them se në gjuhën vendase thuhet Mirdita.
Më kot priti drejtuesi i konkursit që ta gjejnë tre konkurruesit e tij. Kur ai ishte gati ta mbyllte këtë pyetje, një zë nga salla foli:
-A mund ta them unë?
-Po. Ju lutem ejani këtu në skenë.
Një plak i mbajtur mirë u ngjit ne atje dhe u prezantua:
-Më quajnë Massimo Muratori. Kam qenë në këtë krahinë në Luftën e Dytë Botërore dhe kam kujtime të çuditshme. Nëse më lejoni do t’ju tregoj vetëm një kujtim?
-Sigurisht. Ju dëgjojmë i dashur Massimo.
-Kjo krahinë ndodhet në Shqipëri. Një herë, kur kam qenë atje, me një autokolonë me 5 makina ushtarake të mbushura plot e përplot me armatim, ushqime dhe veshmbathje po ngjiteshim rrugës nga Fani për në Rrëshen që është qendra e Mirditës. Ishte natë e kthjellët. Në këtë zonë, duhet thënë, askush nuk na kishte trazuar ndonjëherë. Përpara printe makina jonë me pesë vetë, që ishim dhe rojet e autokolonës. Befas në një kthesë na doli një bari me një shkop në dorë dhe me një cigare të trashë në gojë. Cigarja qe e fikur dhe ai me shenja na u lut që në dritën e makinës të ndizte cigaren. Shoferi jonë tha, “le të tallemi me këtë leckaman” dhe i bëri shenjë që ta ndezë cigaren në fenerin e majtë duke fikur të djathtën, në kohën që fshatari shkoi tek e majta, ai e fiku të majtën dhe ndezi të djathtën, kur shqiptari shkoi tek e djathta, shoferi fiku të djathtën dhe ndezi të majtën! Kjo lojë vazhdoi gjatë dhe ne po argëtoheshim e po qeshnim me të madhe me budallallëkun e një leckamani siç e quanim neve. Në fund, pasi kaloi nja 15 minuta, unë zbrita poshtë dhe ia ndeza cigaren me çakmakun tim. Fshatari vuri dorën në zemër dhe me një përkulje fisnike më falënderoi. Nën dritat e makinës pashë fytyrën e tij, një fytyrë burrërore që të ngjallte frikë dhe krenari. Më zgjati dorën dhe unë i dhashë timen. Ma shtrëngoi në një mënyrë sikur ta kishte patur prej hekuri! Për çudi më uroi dhe natën e mirë në gjuhën time. Autokolona u nis dhe ne, tërë rrugës deri në Rrëshen, kishim në gojë bariun budalla. Në fakt budallenjtë ishim ne se kur vajtëm në Rrëshen dhe hapëm makinat, ç’të shohim, tërë makinat ishin bosh pasi shokët e “budallait” na kishin vjedhur!
Tag der Veröffentlichung: 20.02.2010
Alle Rechte vorbehalten